ATV

Category: Lajme

  • Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Hovenier për Donjeta Sadikun: Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku. Ai ka thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur në sport për vajzat dhe gratë kosovare

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeff Hovenier, e ka përgëzuar boksieren Donjeta Sadiku pasi kjo e fundit javën e kaluar siguroi pjesëmarrjen në Lojërat Olimpike të Parisit më 2024, pasi mposhti në gjysmëfinalen e turneut kualifikues italianen, Alessia Mesiano.

    Hovenier ka shkruar në rrjetin X për përkushtimin dhe punën e sportistes Sadiku, duke thënë se ajo është shembull për t’u ndjekur dhe dëshmi e arritjeve të grave në sport.

    “Edhe një shembull i shkëlqyeshëm i atleteve të zonja të Kosovës! Përgëzime Donjetës për këtë arritje të jashtëzakonshme. Puna e jote e palodhshme dhe përkushtimi shërbejnë si frymëzim për vajzat dhe gratë kosovare sportiste”, ka shkruar Hovenier.

  • ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    ​Takimi i Gjuriqit me kriminelin serb, këshilltarja e BE-së çuditet pse Radoiçiq nuk është në burg

    Këshilltarja lokale e Bashkimit Evropian, Kati Schneeberger, ka reaguar pas pamjeve të publikuara ku shihen ambasadori në detyrë serb në ShBA, Marko Gjuriq dhe organizatori të sulmit në Banjskë, Milan Radoiçiq,

    Në llogarinë e saj në platformën X, ajo pyeti se pse Radoiçiq nuk është në burg dhe për çfarë duhen të flasin ata.

    Shkrimi i plotë:

    Milan Radoiçiq – i cili mori përgjegjësinë për sulmin në Banjska në shtator të vitit 2023 – dhe Marko Gjuriq – ambasador i Serbisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – janë ulur së bashku në një restorant.

    Pse Radoiçiq nuk shkon në burg? Për çfarë duhet të flasin ata?

  • Stano thotë se nuk u punua shumë për marrëveshjet në dialog, përmend edhe Banjskën e Radoiçiqin

    Stano thotë se nuk u punua shumë për marrëveshjet në dialog, përmend edhe Banjskën e Radoiçiqin

    Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se nuk është punuar shumë për zbatimin e marrëveshjes në dialogun Kosovë-Serbi.

    Në konferencën e mbajtur këtë të hënë, ai tha se kjo po ndodh për shkak të qëndrimeve të të dyja shteteve.

    “Unë mund të them vetëm një gjë. Fatkeqësisht nuk është punuar shumë për zbatimin për shkak të qëndrimeve të palëve. Prioriteti ynë është që të fillohet zbatimi në mënyrën më të mirë, prioriteti më urgjent është të sigurohemi që zbatimi të fillojë sa më shpejt që të jetë e mundur. E kemi thënë disa herë se procesi i përgatitjes së dialogut në hapa individual dhe në faza individuale është diçka që supozohet të trajtohet pikërisht në procesin e punës dhe në nivelin e punës dhe jo të zhvillohet e të komentohet çdo ditë në publik”, ka thënë ai.

    Gjatë kësaj konference, Stano është pyetur edhe lidhur me takimin e ambasadorit të Serbisë në Shtetet e Bashkuara, Marko Gjuriq në një restorant me Milan Radoiçiq, njeriu që qëndron prapa sulmit në Banjksë.

    Stano tha se nuk i takon BE-së të flasë rreth çdo takimi të anëtarëve të administratës serbe.

    “Nuk i komentojmë të gjitha takimet që anëtarët e administratës serbe kanë me njerëz të ndryshëm. Por kur je duke aluduar në Banjskë, qëndrimi i Bashkimit Evropian mbetet i njëjtë, ne jemi duke e pritur raportin final zyrtar nga hetimi. Deri më tani nuk kemi parë një raport të tillë këtu në Bruksel”, u shpreh Stano.

  • Orban thotë se Trump synon ta ndërpresë mbështetjen financiare për Ukrainën

    Orban thotë se Trump synon ta ndërpresë mbështetjen financiare për Ukrainën

    Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha pas një takimi privat me Donald Trumpin në Shtetet e Bashkuara se ish-presidenti amerikan ka “plane goxha të hollësishme” për mënyrën se si t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë dhe se ai nuk do t’i japë Kievit fonde të tjera për ta shpejtuar përfundimin e konfliktit.

    Duke folur në një intervistë pasi u kthye në Hungari për televizionin shtetëror M1 më 10 mars, Orbani se “është shumë e qartë se Ukraina e vetme nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta”.

    Qeveria e Orbanit nuk ka pranuar t’i dërgojë armë Kievit, derisa i ka ruajtur marrëdhëniet me Moskën.

    Lideri hungarez e kreu vizitën në SHBA në një kohë kur një paketë prej 60 miliardë dollarë është duke u bllokuar nga republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve në SHBA, të cilët po ngulin këmbë që masat për sigurinë kufitare të futën në këtë paketë, në këmbim të mbështetjes së tyre për dërgimin e parave në Kiev.

    Presidenti amerikan Joe Biden, një demokrat i cili pritet të jetë kandidat i parisë për zgjedhjet presidenciale në nëntor, e ka mbështetur këtë paketim, por Trumpi, i cili e ka kritikuar atë.

    “Ai nuk do ta derdhë asnjë cent në luftën Ukrainë-Rusi dhe kështu lufta do të përfundojë”, tha Orbani në intervistë duke iu referuar Trumpit, i cili pothuajse është bërë kandidat i Partisë Republikane për zgjedhjet e nëntorit.

    “Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë, e as evropianët po ashtu, atëherë kjo luftë do të marrë fund. Dhe, nëse amerikanët nuk japin para, evropianët nuk janë në gjendje ta financojnë këtë luftë vetëm, dhe kështu kjo luftë do të merrte fund”, shtoi ai.

    Orbani është veçuar në Bashkim Evropian nga shumica e liderëve të bllokut duke i ruajtur marrëdhëniet me liderët autokratikë, siç është presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

    Orbani udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara javën e kaluar, ku foli në Fondacionin konservator të Trashëgimisë dhe më pas u takua me Trumpin në resortin e tij luksoz, Mar-a-Lago në Florida, ndërsa nuk pati asnjë takim në Shtëpinë e Bardhë gjatë këtij udhëtimi.

    Fushata e Trumpit tha në një komunikatë më 8 mars se gjatë takimit ata biseduan “për një sërë çështjes në lidhje m Hungarinë dhe Shtetet e Bashkuara, përfshirë edhe rëndësinë parësore të kufijve të fuqishëm dhe të sigurt për ta mbrojtur sovranitetin e secilit komb”.

    Në komunikatë nuk u përmend Ukraina, apo ndonjë temë tjetër.

    Orbani tha se paqja në Ukrainë duhet patjetër të arrihet së pari përmes një armëpushimi dhe pastaj përmes një marrëveshjeje për paqe, të cilën Trumpi “i ka mjetet” për ta arritur. Ai nuk dha hollësi të tjera.

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha më 11 mars se Kremlini është i vetëdijshëm për komentet e Orbanit, por nuk deshi të komentojë.

    “Ne e kemi parë atë, por nuk kemi çfarë të themi, meqë nuk ka hollësi dhe është e paqartë se cfrë plani mund të jetë ky”, tha Peskov./rel

  • ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    ​KQZ-ja miraton mbi 233 mijë euro buxhet për organizimin e votimit më 21 prill në komunat veriore

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar buxhetin për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

    Buxheti i planifikuar për organizimin e këtij procesi është në shumën 233 mijë e 204 euro.

    Poashtu KQZ-ja ka marr vendim edhe për shkurtimin e kohëzgjatjes së afateve dhe miratoi Planin e Aktiviteteve për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në katër komunat veriore.

    Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje Alban Krasniqi, ka njoftuar se kanë trajtuar një sërë dokumentesh. Ai kërkoi poashtu që të miratohen afatet e reja.

    “Këshilli për Operacione Zgjedhore ka trajtuar sot një sërë dokumentesh që kanë të bëjnë me përgatitjen e procesit të ri të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave nga funksionet e tyre në katër komunat dhe një prej tyre ka qenë edhe vendimi për caktimin e afateve dhe aktiviteteve për këtë proces të votimit dhe bashkangjitur gjeni dokumentet me afate ju e dini që është praktikë tashmë që kur ka qoftë zgjedhje të jashtëzakonshme por edhe të rregullta por sidomos kur ka organizime në këtë rast votim që shkon në procedura të zgjedhjeve të jashtëzakonshme atë herë KQZ sipas ligjit e ka të përcaktuar që t’i hartoj afatet e reja me kohën që e ka në dispozicion”, ka theksuar Krasniqi.

    Derisa Ilir Gashi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës tha se nuk mund të votoj pro pa i parë dokumentet.

    Këto afate do të duhej me rrjedh nga sot e tutje po fakti që këto 5 pika janë trajtu në Këshill të Operacioneve Zgjedhore dhe prej këshillit futemi drejt në mbledhje ka qenë e pamundshme me i pa këto dokumente duke fillu prej planit operacional që e kanë hartuar deri tek çështje të tjera të cilat janë pika të rendit të ditës. E kam të pamundshme për dokumentet që si kam pa të votoj pro”, ka thënë ai.

    Ndryshe, sipas vendimit të KQZ-së afatet kryesore për organizimin e këtij procesi i referohen afatit prej 44 ditësh.

  • ​S’ndryshon fryma në Beograd, Putin i preferuari i serbëve për president të Rusisë

    ​S’ndryshon fryma në Beograd, Putin i preferuari i serbëve për president të Rusisë

    Qytetarët serbë preferojnë për president të Rusisë, Vladimir Putinin. Këta të fundit kanë deklaruar se do të votonin për të në rast se do të ihsin rusë.

    “(Do të votoja) Për Putin, liderin e botës së lirë”, “Putinin, vëllain tonë” janë disa nga përgjigjet e tyre kur janë pyetur se për kë do të votonin, shkruan KP.

    Në videon e shpërndarë nga Jakub Bielamowicz, analist i Evropës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor në Institutin e Evropës së Re, qytetarët serbë kanë lavdëruar Putinin, duke i mveshur cilësi të ndryshme që sipas tyre e bëjnë të jetë presidenti i duhur për Rusinë.

    “Në Beograd, njerëzit u pyetën se kë do të votonin për president nëse do të ishin rusë:

    • Putin, liderin e botës së lirë.

    • Putin, vëllain tonë.

    • Putin, Putin dhe vetëm Putin”, ka shkruar ai sipër videos.

    Serbia mbetet ndër vendet e pakta që nuk i ka vendosur sanksione Rusisë për luftën pushtuese në Ukrainë.

    Zgjedhjet presidenciale në Rusi do të mbahen më 15-17 mars.

  • Bëhet shkrumb e hi Fabrika e Plastikës në Drenas

    Bëhet shkrumb e hi Fabrika e Plastikës në Drenas

    Zjarri i madh që ka përfshirë Fabrikën e Plastikës në Drenas, brenda Parkut të Biznesit, nuk ka të ndalur.

    Ekipi i ATV-së raporton se fabrika është djegur pothuajse e tëra, ndërsa zjarri vetëm është duke u shpërndarë më shumë.

    Policia e Kosovës dhe zjarrfikësit ende nuk kanë njoftuar për detaje të reja.

    Ndërkohë, drejtori i fabrikës, Arian Shabani, në një prononcim të shkurtër për ATV-në, tha se dëmet janë më të mëdha se 10 milionë euro.

    Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, i cili ka bërë thirrje për ndihmë në shurjen e zjarrit edhe nga komunat e tjera.

    Kjo është katastrofë materiale dhe ekologjike, kam ftuar për ndihmë edhe kolegët e nivelit lokal, edhe të nivelit qendror, njëherësh kemi aktivizuar Shtabin emergjent komunal. Falënderoj zjarrfikësit, Policinë e Kosovës, inspektoratet dhe të gjithë të tjerët që po ndihmojnë në shuarjen e zjarrit. Rreth objektit që po digjet janë në gatishmëri ekipet e zjarrfikësve për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në fabrikat tjera”, ka deklaruar Lladrovci.

  • ​Pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme rreth procesit zgjedhor në veri

    ​Pozitë e opozitë me qëndrime të ndryshme rreth procesit zgjedhor në veri

    Deputetët e pozitës dhe ata të opozitës janë deklaruar lidhur me procesin zgjedhor në katër komunat veriore të Kosovës. Subjekti në pushtet Lëvizja Vetëvendosje pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor pas shkarkimit të kryetarëve. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës shprehen kritik dhe skeptik për këtë proces, ndërsa nga Lidhja Demokratike e Kosovës thonë se nuk duhet të ketë kthim prapa në aspektin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës.

    Shefja e deputetëve të mazhorancës, Kusari-Lila tha se pret që në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor, nëse shkarkohen kryetarët aktual më 21 prill.

    Derisa nënvizoi se nuk pret që përkatësia etnike e kryetarëve të ardhshëm në veri të thotë që apriori e mohojnë shtetësinë e Kosovës dhe përdhosin simbolet shtetërore të Kosovës.

    “E rëndësishme është që në katër komunat në veri të mbahet proces i lirë zgjedhor dhe të ketë kandidatë nga subjektet të tjera politike…Ne synojmë dhe shpresojmë që të jemi të suksesshëm në të mirë të demokracisë dhe shprehjes së vullnetit të lirë të gjithë qytetarëve pa dallim, që në katër komunat në veri të ketë një proces zgjedhor që e tregon vullnetin e qytetarëve pa asnjë imponim nga askush. Përkatësia etnike kryetarëve nëse ata zgjedhën nuk do të thotë apriori që ata do të jenë mohues të shtetësisë dhe ekzistencës së Republikës së Kosovës”, tha ajo.

    Por kritik për procedurën e procesit zgjedhor në katër komunat në veri u shpreh shefi i deputetëve të PDK-së, Abelard Tahiri.

    Ai tha se mënyra e shkarkimit të kryetarëve në veri, pa një marrëveshje politike e thellon ndarjen ndër-etnike atje.

    “Mënyra e shkarkimit të tyre pa një marrëveshje politike, përmes këtij referendumi e thellon edhe më tutje ndarjen ndër-etinike dhe do të vështirësojë më shumë qëndrimin e shqiptarëve që janë në ato pjesë të Kosovës duke jetuar. Është një proces i dëmshëm që nuk do të duhej me ardh në këtë pozicion që na ka sjell zotëri Kurti”, deklaroi Tahiri.

    Në anën tjetër, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, kërkoi nga institucionet e Kosovës që mos të ketë kthim prapa sa i përket aspektit të përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës në veri.

    “Kjo nuk duhet të kthehet prapa. S’duhet të ketë kthim prapa në asketin e përdorimit të simboleve shtetërore të Kosovës. Jam i bindur se institucionet e Kosovës kanë tashmë një momentum tjetër dhe duhet të përdorin në funksion të zbatimit të Ligjit për simbolet shtetërore. Kushdo që i heq ato apo përdhosë simbolet shtetërore të Kosovës atëherë duhet të jetë subjekt i ndjekjes penale ose ligjore”, tha ai.

    Më skeptik për procesin zgjedhor në katër komunat veriore u shfaq, shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Në prill është caktuar peticioni për shkarkimin, pastaj do të ndodhin zgjedhjet, në qershor po thonë dhe pastaj në korrik apo gusht do të mund të jemi në situatë të ngjashme pa i zgjidh problemet thelbësore”, deklaroi Tahiri.

    Para gazetarëve, shefja e deputetëve të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, foli edhe për vizitën e emisarit të ShBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

    “Shqyrtimi i këtij procesi është i zakonshëm në raport me vizitën e tij. Në raport me temat që mund të ngritën, çështja e dinarit apo përdorimit si valutë e brendshme është e qartë se vetëm konvertimi i dinarit apo afatet e lehtësimit të konvertimit mund të diskutohet, pasi në Kosovë është vetëm një valutë. Ajo është euro dhe valutat të tjera konvertohen. Sa i përket kërkesës për dërgimin e draft-statutit të Asociacionit në Kushtetuese më duhet të ritheksojë se mbetemi të përkushtuar në normalizimin e situatës në katër komunat në veri. Siç po e shohim kohë pas kohe atje ka tendencë dhe potencial për tensione”, tha ajo.

    Krahas këtyre, katër partitë parlamentare u shprehën të gatshme për mbajtjen e zgjedhjeve qofshin ato të parakohshme apo të rregullta.

    Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e së hënës, me kërkesë të partive opozitare ka vendosur që të enjten të mbahet seancë e jashtëzakonshme sa i përket kontratave njëburimore në Qeverinë e Kosovës./KP/

  • ​Toka në Manastirin e Deçanit, opozita: Qeveria të merr përgjegjësinë kryesore

    ​Toka në Manastirin e Deçanit, opozita: Qeveria të merr përgjegjësinë kryesore

    Partitë opozitare kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës të merr përgjegjësinë kryesore sa i përket zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. Sipas tyre, zbatimi i këtij vendimi bëhet përmes Agjencisë Kadastrale të Kosovës dhe jo Komunës së Deçanit. Në anën tjetër, nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje thonë se përkthimi i procesit të pronës te manastiri është në proces gjyqësor në Gjykatën Themelore. Sipas tyre, vendimi përfundimtar i themelores do t’i hapte rrugë zbatimit të vendimit të kushtetueses.

    Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të zbatohen, pa marr parasysh a u pëlqejnë ose jo.

    “Vendimet e institucioneve tona duhet të zbatohen atëherë kur na pëlqejnë dhe atëherë kur nuk na pëlqejnë. Vetëm ashtu e reflektojmë një seriozitet si shtet edhe karshi partnerëve ndërkombëtar”, tha ai.

    Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, tha se zbatimi i këtij vendimi nuk është në kompetencë të Komunës së Deçanit, por të Agjencisë Kadastrale të Kosovës.

    “Nuk është kompetencë e Komunës së Deçanit kjo çështje, është kompetencë e Agjencisë Kadastrale, sipas ligjit”, theksoi Gashi.

    Qëndrim të njëjtë shfaqi edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.

    “Agjencia Kadastrale e ka detyrën dhe qeveria është ajo që i jep urdhër për këtë. Është një vendim i Gjykatës Kushtetuese dhe këtë vendim duhet të trajtojë ky institucion. Nuk ka mundësi që ne të diskutojmë vendime. Aleanca nuk i diskuton dhe trajton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Pyetja jem për LVV është a është ka konkurron Kosova me u bë anëtare e Këshillit të Evropës apo Deçani, sepse Deçanit po dëshirojnë me ia lënë fajin”, tha ai.

    Megjithatë, shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila, tha se nuk ka informacion që ekzekutivi ka kërkuar nga Komuna e Deçanit të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese sa i përket Manastirit të Deçanit.

    “Duhet të ketë një vendim përfundimtar nga Gjykata Themelore për procesin, i cili do të hap rrugë për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nëse janë pjekur të gjitha kushtet… Institucionet që duhet të presin këtë janë jashtë Kuvendit, flasim për Komunën e Deçanit në këtë rast ose për Agjencinë Kadastrale të Kosovës”, deklaroi ajo.

    Këto komente parlamentarët i bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit. Para gazetarëve, ata folën edhe për procesin e zgjedhjeve në katër komunat veriore.

  • Gjykata Kushtetuese: Mbi 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

    Gjykata Kushtetuese: Mbi 40 milionë euro do t’iu kthehen qytetarëve që ua paguan rrymën serbëve në veri

    Më shumë se 40 milionë euro do t’iu kthehen konsumatorëve, të cilët kishin paguar rrymën për serbët në veri bazuar në një vendim të marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë.

    Tashmë vendimi ka marrë formën përfundimtare, pasi një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e cila nuk ka gjetur asnjë shkelje në vendimin e Themelores, Apelit dhe Supremes.

    “Rrjedhimisht, Gjykata, duke aplikuar kriteret dhe parimet e elaboruara përkitazi me vendimin e arsyetuar gjyqësor, dhe në veçanti duke u bazuar në interpretimin e dhënë përmes Aktgjykimeve të gjykatave të rregullta të kontestuara para Gjykatës, konstatoi që të njëjtat kanë adresuar dhe u janë përgjigjur të gjitha pretendimeve thelbësore të parashtruesit të kërkesës të ngritura përmes përgjigjes në padi, përkatësisht ankesës, si dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor, dhe konstatoi që Aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me dispozitat e kontestuara të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e Gjykatës Kushtetuese.

    “Në vijim, për sa i përket ndërlidhjes së pretendimeve të Zyrës për Rregullatorin për Energji me të gjeturat e Gjykatës në Aktgjykimin KO93/21 , me parashtrues Blerta Deliu-Kodra dhe 12 deputetë të tjerë, Aktgjykimi sqaron që ky rast dallon në mënyrë përmbajtjesore nga rrethanat e rastit konkret, ndër tjerash, sepse në rastin KO93/21, Gjykata kishte vlerësuar kushtetutshmërinë e Rekomandimeve [Nr.08-R-01] të 6 majit 2021 të Kuvendit të Republikës së Kosovës, sipas të cilave (i) ishte autorizuar KOSTT që të mbulojë devijimet e energjisë elektrike në katër (4) komuna të Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar të hyrat nga buxheti vetanak, mjete këto të cilat do të kompensohen “nga dividenda apo ndonjë mekanizëm tjetër i mundshëm”; dhe (ii) ishte detyruar Qeveria e Kosovës, që brenda afatit gjashtë (6) mujor të sigurojë të gjithë procesin e futjes në sistemin e faturimit, sipas rregullave dhe ligjeve në fuqi, në bashkëpunim me palët përgjegjëse, për faturimin e konsumatorëve në katër (4) komunat përkatëse me energji elektrike”. thuhet në njoftim.

    “Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykimin KO93/21, Gjykata, kishte konstatuar që akti i kontestuar i Kuvendit nuk është në kundërshtim me dispozitat përkatëse të Kushtetutës, ndër tjerash, sepse dallimi në trajtimin e konsumatorëve të energjisë elektrike në bazë të vendbanimit, (i) ndjektë qëllimin legjitim të zbatimit të marrëveshjes së Kyçjes me ENTSO-E, përkatësisht Rrjetin Evropian të Operatorëve të Sistemit të Transmisionit për Energjinë Elektrike; dhe (ii) ishte i natyrës së përkohshme. Marrë parasysh dispozitat ligjore, qëllimin legjitim dhe përkohshmërinë e aktit të kontestuar të Kuvendit, përfshirë detyrimin e Qeverisë që të adresojë çështjet që ndërlidhen me sistemin përkatës të faturimit, Gjykata kishte vlerësuar që i njëjti ishte proporcional me qëllimin e ndjekur”, bëhet e ditur më tutje.

    Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor të vitit 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, e kishte detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga viti 2012 deri në vitin 2017 kanë paguar për rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

    Ky vendim ishte konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.

    “Pas vlerësimit të pretendimeve të Avokatit të Popullit, Gjykata Themelore kishte anuluar si të kundërligjshëm Vendimin e lartcekur të Zyrës për Rregullatorin për Energji dhe kishte urdhëruar kthimin e shumës së faturuar, respektivisht kompensimin e dëmit konsumatorëve të cilët janë faturuar për shpenzimin e energjisë elektrike në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës për periudhën 6 shkurt 2012 deri më 20 tetor 2017, në vlerën prej dyzet milionë e tetëqind e pesëdhjetë e pesë mijë e katërqind e tetëdhjetë euro (40.855.480.00 EUR). Konstatimi i Gjykatës Themelore, u konfirmua nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme. Sipas gjykatave të rregullta, në esencë dhe ndër tjerash, pavarësisht që Zyra për Rregullatorin për Energji ka kompetencën lidhur me trajtimin e parametrave rregullative dhe faturimin e kostos së rrymës së humbur në sistemin e transmisionit dhe shpërndarjes, të faturuarit e humbjeve të shkaktuara në katër (4) komunat veriore të Republikës së Kosovës tek konsumatorët tjerë të Republikës së Kosovës, kishte rezultuar në trajtim të pabarabartë të qytetarëve, në kundërshtim me përcaktimet e nenit 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës dhe Ligjit nr.05/L-021 për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, thekson vendimi.

    Që nga vendimi i parë i Themelores në vitin 2021, ende nuk ka nisur kompensimi i qytetarëve.