ATV

Category: Lajme

  • Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Mbahet procesi zgjedhor për anëtar të Këshillit Prokurorial nga Prokuroria Speciale

    Komisioni Zgjedhor nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), i kryesuar nga Dardan Vuniqi dhe dy anëtarët, prokurori Agron Qalaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, Sami Istrefi, kanë mbajtur sot procesin zgjedhor për anëtar të KPK-së nga radhët e Prokurorisë Speciale.

    Në bazë të kompetencave ligjore, nga radhët e PS-së, nga 16 prokurorë sa ka kjo prokurori, të drejtën për t’u kandiduar për anëtar të KPK-së e kanë shfrytëzuar prokurorët Milot Krasniqi dhe Habibe Salihu.

    Në këtë proces zgjedhor kanë marrë pjesë pesëmbëdhjetë (15) prokurorë. Pas procesit të votimit, Komisioni Zgjedhor konstatoi se nga ky votim, prokurori Milot Krasniqi ka marrë dhjetë (10) vota, ndërkaq prokurorja Habibe Salihu tre (3) vota, si dhe dy (2) vota të tjera shpallen të pavlefshme.

    Komisioni Zgjedhor do të njoftojë Këshillin Prokurorial se nga ky proces i votimit, prokurori që ka marrë më së shumti vota është Milot Krasniqi.

    Procesi zgjedhor në Prokurorinë Speciale është zhvilluar pas përfundimit të mandatit të anëtares së KPK-së nga radhët e kësaj prokurorie, prokurores Merita Bina-Rugova.

  • Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Zjarrvënia në gjykatën e Kaçanikut, ndalohen tre të mitur

    Prokuroria Themelore në Ferizaj, njoftoi përmes një komunikate për media se janë ndaluar tre të mitur, lidhur me shkaktimin e zjarrit në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Dega, në Kaçanik.

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi se tre (3) të miturit, kanë kryer veprën penale “Zjarrvënia” nga neni 322 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

    “Prokuroria Themelore në Ferizaj, ndaj të njëjtëve, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente në Ferizaj’, thuhet tutje në komunikatë.

    Kujtojmë se nga ky zjarr ishin djegur dy zyre në katin e dytë të këtij objekti, e që të njëjtat i përkisnin gjykatësve derisa në to kishte dosje të ndryshme.

    Çkado që është djegur nga dokumentet, sipas zyrtarëve të Gjykatës, do të rikthehet meqë janë të ruajtura edhe në mënyrë elektronike. Dëmet, sipas zyrtarëve të gjykatës, ishin vetëm materiale./atvlive.tv/

     

  • ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

    ZPS-ja kërkon vazhdimin e paraburgimit për Jakup Krasniqin

    Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka kërkuar vazhdimin e masës së paraburgimit për Jakup Krasniqin.

    Në parashtrimet e veta, është theksuar se në modifikimin e fundit për kushtet e paraburgimit, Paneli ka konstatuar saktë se ato masa ishin të nevojshme dhe proporcionale me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit.

    “Lidhur me modifikimin e fundit të kushteve të paraburgimit, si çështje paraprake, Paneli e ka diferencuar saktë çështjen e menjëhershme si çështje në lidhje me paraburgimin ose lirimin e përkohshëm dhe jo kushtet e paraburgimit, e para bie nën rregullën 57 dhe e dyta sipas rregullës. 56(6).Në çdo rast, Paneli tashmë ka konstatuar se asnjë nga rrethanat e identifikuara nga Krasniqi në lidhje me kufizimet e vendosura ndaj të akuzuarve të tjerë nuk do të ndikonte materialisht në konsideratat që kanë të bëjnë me paraburgimin e tij. Paneli më tej ka konstatuar se ato masa janë të nevojshme dhe proporcionale dhe kompatibile me të drejtat e Krasniqit dhe se nuk ia bëjnë të paarsyeshëm vazhdimin e paraburgimit”, thuhet në përgjigjen e ZPS-së.

    Si rrjedhojë e këtyre arsyetimeve të përmendura, ZPS-ja ka potencuar se trupi gjykues duhet ta vazhdojë paraburgimin për Krasniqin.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit./BetimipërDrejtësi

  • Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Anija me ndihma nga Qipro mbërrin në bregdetin e Gazës

    Një anije e mbushur me ushqim ka mbërritur të premten në bregdetin e Rripit të Gazës, raporton Reuters.

    Dërgimi i kësaj anijeje me ndihma u bë për ta testuar dërgimin e ndihmave humanitare përmes detit në enklavën e rrënuar palestineze, e cila është buzë urisë absolute pas një fushate ushtarake pesëmujore tanimë nga Izraeli.

    Anija me gati 200 tonë ushqim pritet të shkarkohet në një dok që po përgatitet në Gazë. Së shpejti pritet ta nisë lundrimin edhe anija e dytë me ndihma.

    Nuk ka shumë hollësi se si do të bëhet dërgimi dhe shpërndarja e ndihmave pasi anija të jetë shkarkuar në bregdetin e Gazës, pasi agjencitë humanitare të Kombeve të Bashkuara kanë thënë se ka shumë pengesa për dërgimin e ndihmave tek njerëzit në nevojë.

    Nëse rruga e re detare është e suksesshme, ajo do të ndihmojë në lehtësimin e krizës së urisë në Gazë, ku shumica e popullit përballet me kequshqyerje.

    Zyrtarët e grupeve humanitare kanë paralajmëruar se Gaza po shkon drejt urisë absolute.

    Përfaqësuesi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Gazën dhe Bregun e pushtuar Perëndimor, Richard Peeperkorn, tha në fillim të marsit se një në gjashtë fëmijë nën moshën 2-vjeçare në veri të Gazës përballet me kequshqyerje akute.

    Në javët e fundit, të paktën 15 fëmijë kanë vdekur si pasojë e kequshqyerjes dhe dehidrimit në spitalin Kamal Adëan në veri të Gazës, tha të dielën Ministria e Shëndetësisë në enklavën e udhëhequr nga Hamasi – grupi i shpallur terrorist nga SHBA dhe BE.

    Lufta vdekjeprurëse e Izraelit në enklavën palestineze nisi pasi pjesëtarët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit më 7 tetor 2023, duke i vrarë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe duke i rrëmbyer 250 pengje.

    Më shumë se 31.000 palestinezë janë vrarë në Rripin e Gazës prej atëherë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze nga ofensiva ajrore, detare dhe tokësore e Izraelit, e cila ka shkaktuar rrënim të madh në enklavë./REL/

  • Publikohen raportet financiare, VV-ja me të hyra mbi 2 milionë euro, LDK-ja e PDK-ja me mbi 700 mijë

    Publikohen raportet financiare, VV-ja me të hyra mbi 2 milionë euro, LDK-ja e PDK-ja me mbi 700 mijë

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet e paaudituara financiare të partive politike të vitit 2023.

    Të hyrat e Lëvizjes Vetëvendosje për vitin 2023 kanë qenë 2,098,592 euro, e ndërkohë shpenzimet 1,381,285 euro.

    Të hyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë qenë 723,169 euro, e ka shpenzuar 431,824 euro.

    Partia Demokratike e Kosovës ka pasur 808,983 euro të hyra, ndërsa ka shpenzuar 715,986 euro.

    Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës figuron me 280,000 euro të hyra dhe 268,016 euro shpenzime gjatë 2023-s.

    KQZ-ja ka theksuar se këto raporte janë të paaudituara dhe mund të pësojnë ndryshime dhe saktësime gjatë procesit të auditimit.

    LISTEN mund ta gjeni KETU.

  • Këtë vit pritet të filloj regjistrimi i kafshëve nëpër ferma

    Këtë vit pritet të filloj regjistrimi i kafshëve nëpër ferma

    Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural përmes Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës këtë vit do ta bëjë nëpër ferma regjistrimin e kafshëve të fermerëve në gjithë territorin e Kosovë nga veterinari i cili do të kontraktohet nga AUV-ja.

    Sipas njoftimit të ministrisë, kjo do të bëhet bazuar në Udhëzimin e ri Administrativ.

    “Bazuar në këtë UA, fermerëve do t’iu mundësohet që në fermat e tyre veterinari i autorizuar t’i pajisë me të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, duke përfshirë këtu shpërndarjen e numrit të regjistrimit për identifikimin e lopëve, deleve, dhive, derrave, buallicave e kafshëve tjera”, thuhet tutje.

    Për të realizuar këtë proces, AUV-ja do t’i kontraktojë ambulantat veterinare dhe do t’i furnizojë ato me numra identifikimi dhe regjistrimi, duke i mbuluar kështu të gjitha shpenzimet për pajisjen e kafshëve nëpër ferma me numra të regjistrimit, pa asnjë shpenzim për fermerët.

    “Numrat për identifikimin dhe regjistrimin e kafshëve (matrikull) do të jenë me specifika të veçanta, ku identifikohet përmes barkodit, shenjën RKS me numër që specifikon llojin e kafshës dhe regjionit ku e zhvillon aktivitetin bujqësor fermeri dhe (2+6) numra unik rendor. Përmes kësaj forme ndihmohet dhe lehtësohet gjurmimi i lëvizjes së kafshëve në gjithë territorin e Kosovës”, thuhet tutje.

    Gjithashtu, në komunikatë thuhet se numri do të jetë me standarde të BE-së dhe me A test, që do të jetë me ngjyrë të verdhë dhe vendoset në dy veshët e një kafshe me të njëjtin barkod dhe specifikat tjera identifikuese.

    Për fillimin e procesit të identifikimit të kafshëve, MBPZhR – AUV do t’i njoftoj me kohë të gjithë fermerët përmes faqeve zyrtare të institucionit.

  • Scholz, Macron dhe Tusk takohen sot për të biseduar për Ukrainën

    Scholz, Macron dhe Tusk takohen sot për të biseduar për Ukrainën

    Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, do të takohet sot në Berlin me presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe me kryeministrin polak, Donald Tusk.-

    Takimi i tyre vjen në një kohë kur janë duke u rritur dallimet mes Gjermanisë dhe Francës në politikën e tyre për Ukrainën.

    Scholz pritet të takohet me Macronin të premten në mesditë.

    Dy liderët do ta takojnë pastaj së bashku kryeministrin polak Tusk.

    Ky do të jetë takimi i parë i Trekëndëshit të Vajmarit në nivel të lartë prej qershorit të vitit të kaluar.

    Bisedimet mes tyre do të mbahen gati tri javë pas takimit të rreth 20 liderëve qeveritarë në Paris, ku u diskutua lufta në Ukrainë. Konferenca e tyre mbaroi me qëndrime të ndara për mundësinë e dërgimit të trupave në zonën e luftës.

    Trekëndëshi i Vajmarit u themelua në gusht 1991 nga ministrat e atëhershëm të jashtëm Hans-Dietrich Genscher, Roland Dumas dhe Krzysztof Skubiszewski, në Vajmarit, në Gjermani.

    Ky grup ka filluar të takohet më shpesh prej se Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës para pak më shumë se dy vjetëve.

    Të enjten, Macroni përsëri u bëri thirrje fuqive perëndimore të mos tregojnë shenja dobësie kundër Rusisë, si dhe e përsëriti qëndrimin e tij se dërgimi i trupave perëndimore brenda Ukrainës nuk duhet të hidhet poshtë.

    “Sot nuk jemi në gjendje, por të gjitha këto opsione janë të mundura”, tha Macron.

    Scholz e kishte kundërshtuar qëndrimin e Macronit pas takimit të liderëve në Paris për dërgimin e trupave në Ukrainë.

    Ai kishte thënë se pjesëmarrësit ishin pajtuar që vendet evropiane të mos dërgojnë “trupa tokësore” në tokën ukrainase./Euronews.al/

  • ​Bislimi në Athinë, flet për arritjet e Kosovës në tre vjetët e fundit

    ​Bislimi në Athinë, flet për arritjet e Kosovës në tre vjetët e fundit

    Në qëndrimin e tij në Athinë, mbrëmë zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ishte i ftuar në Kolegjin e New York-ut në Athinë, ku ligjëroi dhe bashkëbisedoi me studentë. Prezent, ishin edhe ambasadorë e përfaqësues diplomatikë në Greqi, nga rajoni e më gjerë.

    Gjatë fjalës së tij hyrëse, zëvendëskryeministri foli për situatën ekonomike në vend, hapat e politikat e ndërmarra nga qeveria, si dhe rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian. Ndër të tjera ai përmendi shkallën e rritjes së punësimit në tre vitet e fundit, iniciativat tona si platforma Superpuna, formalizimi i ekonomisë, indikatorët makro ekonomikë pozitivë, si dhe nënvizoi se e gjitha kjo rritje ka ardhur përtej barrierave me të cilat është përballur vendi.

    Më tej, ai theksoi se është e rëndësishme të sigurohemi që kjo rritje ekonomike të jetë e qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse. Përmendi arritjen e liberalizimit të vizave dhe aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian në dhjetor 2022, pak pas marrjes së Raportit për Vendin, që në atë vit rezultoi të ishte më i miri ndonjëherë për Kosovën, dhe me progres të shënuar në zbatimin e reformave.

    Pas fjalës së tij, ai u angazhua në diskutime me pjesëmarrësit dhe pyetjet e adresuara nga studentët e përfaqësuesit diplomatikë, mbi çështje si investimet e huaja në vend, sektorët prioritarë për investim, por edhe rruga drejt Bashkimit Evropian dhe procesi i dialogut.

    Zëvendëskryeministri Bislimi i falënderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit për pyetjet e kureshtjet e tyre përreth vendit tonë dhe interesin e shfaqur për ta njohur më shumë situatën në vend, sfidat me të cilat përballet Kosova dhe objektivat për të ardhmen.

  • Manastiri i Deçanit njofton për vizitën e Escobar dhe Hovenier

    Manastiri i Deçanit njofton për vizitën e Escobar dhe Hovenier

    Gjatë vizitës disaditore në Kosovë, i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar të mërkurën e ka vizituar edhe manastirin e Deçanit.

    Ai u prit nga ipeshkvi i Rashkës dhe Prizrenit Teodosije dhe igumeni i manastirit, arkimandriti Sava.

    Manastiri ka kumtuar mbrëmë vonë se ishte një mundësi e rëndësishme për të diskutuar mbi “sfidat me të cilat përballet Kisha Ortodokse Serbe dhe komuniteti serb i Kosovës”.

  • Qeveria del me njoftim për takimin me Escobarin, tregon se çfarë i tha Kurti emisarit, por s’tregon kërkesat e amerikanit!

    Qeveria del me njoftim për takimin me Escobarin, tregon se çfarë i tha Kurti emisarit, por s’tregon kërkesat e amerikanit!

    Qeveria e Kosovës ka dalur me njoftim për takimin e djeshëm të Kurtit me Escobar. Në komunikatë tregohet se çfarë i tha Kurti emisarit amerikan, por ka asnjë detaj për kërkesat e Escobarit ndaj Qeverisë së Kosovës.

    “Duke kujtuar takimin e fundit që kishin së bashku nga tetori i vitit të kaluar, kryeministri e falënderoi z. Escobar për vizitën dhe foli për zhvillimet që kanë shënuar këta pesë muaj.

    Kryeministri tha se sulmi ndaj nënkryetares së Zveçanit, Natasha Tomaniq, duhet dënuar.

    Sulmi është vazhdimësi e kërcënimeve të Serbisë ndaj sigurisë së Kosovës pas sulmit terrorist dhe paramilitar të 24 shtatorit në Banjskë ku mbet i vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërkohë që kryesit e këtij sulmi ende janë të lirë dhe të mbrojtur në Serbi.

    Në lidhje me rregulloren e Bankës Qendrore, Kryeministri pati diskutim përmbajtjësor të fokusuar në adresimin e shqetësimeve të përbashkëta. Ai tha se vendimi i Bankës Qendrore është vendim i një institucioni të pavarur dhe profesional. Për shkak të ndikimit të rregullores në komunitetin serb të Kosovës, qeveria ka bërë veprime për të siguruar që tranzicioni të jetë i shpejtë dhe i lehtë për qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb.

    Në këtë drejtim kryeministri theksoi edhe propozimet që janë prezantuar për periudhën tranzitore dhe ofroi bashkëpunimin në adresimin e shpejtë të të gjitha shqetësimeve që bien në kompetencat e qeverisë” thuhet në njoftimin e Qeverisë.

    Kryeministri e falënderoi z. Escobar për rolin dhe kontributin e tij dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe tha se sukseset e Kosovës dhe të popullit të saj janë suksese të përbashkëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Në takim, kryeministri ishte i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.