ATV

Category: Lajme

  • SHBA-ja sanksionon ish-kreun e Kaçanikut, Xhabir Zharku

    SHBA-ja sanksionon ish-kreun e Kaçanikut, Xhabir Zharku

    Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ka futur në listën e zezë ish-kreun e komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, për shkak të, siç u tha, përfshirjes së tij në akte korruptive.

    “Gjatë detyrës së tij zyrtare si kryetar i komunës së Kaçanikut, Zharku u përfshi në akte korruptive, duke përdorur pozitën e tij për të ndërhyrë në proceset e prokurimit, që në mënyrë të paligjshme të jepte leje për ndërtime në pronat komunale, për të përfituar vetë dhe bashkëpunëtorët e tij”, tha DASH-i.

    Në listën e sanksioneve janë shtuar edhe disa zyrtarë të tjerë nga Ballkani Perëndimor. Aty është futur kryetari aktual i Karposhit të Maqedonisë së Veriut, Stevco Jakimovski, dhe ish-prokuroria speciale e Maqedonisë së Veriut, Katica Janeva.

    DASH tha se ky vendim riafirmon përkushtimin e SHBA-së për të mbështetur sundimin e ligjit dhe për të përforcuar institucionet demokratike në mbarë Ballkanin.

    “DASH-i do të vazhdojë të përdorë të gjitha autoritetet që ka për të promovuar llogaridhënie për aktorët e korruptuar në rajon dhe botë”, u tha në njoftim. /REL

  • Rohde: Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës në energjinë e gjelbër

    Rohde: Gjermania do ta vazhdojë mbështetjen e Kosovës në energjinë e gjelbër

    Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me ndërtimin e impiantit fotovoltaik.

    Ai ka theksuar se shteti i tij do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në rrugën e energjisë së gjelbër dhe asaj diellore.

    “Gjermania ta mbështesë rrugën e tranzicionit të energjisë diellore të Kosovës. Një projekt i tillë si ndërtimi i impiantit fotovoltaik do të kontribuojë në rritjen e burimeve të ripërtritshme dhe të demostrojë fizibilitetin e një projekti të tillë”, ka thënë Rohde.

  • Ramush Haradinaj shkëput kontratën me Pecin për zyrat e AAK-së në qendër

    Ramush Haradinaj shkëput kontratën me Pecin për zyrat e AAK-së në qendër

    Kryetari i Aleancës për Ardhëmrinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se kanë vendosur të ndërprejnë kontratën e Ministrinë e Bujqësisë për zyrat e partisë së tij.

    Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka bërë me dije për shkëputjen e kësaj kontrate, duke falenderuar qiradhënësin për bashkëpunimin e deritanishëm.

    Më poshtë keni postimin e plotë [pa ndërhyrje] të z. Haradinaj:

  • Pas anglishtes, shqipja gjuha e huaj më e folur në Zvicër

    Pas anglishtes, shqipja gjuha e huaj më e folur në Zvicër

    Sot janë publikuar statistikat e fundit për gjuhët e huaja të folura në Zvicër.

    Sipas një sondazhi të ri të Entit Federal të Statistikave, në shifra absolute për herë të parë gjuha shqipe është më e folura në Zvicër, pas gjuhës angleze.

    Për vite të tëra, portugalishtja ishte gjuha e huaj më e folur në Zvicër pas anglishtes, shkruan Indeksonline.

    Shqipja flitet veçanërisht gjerësisht në Cyrih, Winterthur, Bazel dhe St. Gallen.

    Në vendin e tretë ndër gjuhët e huaja më të folura në mbarë vendin është gjuha portugeze, e ndjekur nga spanjishtja dhe serbishtja.

  • ​Osmani flet për Marrëveshjen e Ohrit: Duhet trajtim i barabartë i dy palëve

    ​Osmani flet për Marrëveshjen e Ohrit: Duhet trajtim i barabartë i dy palëve

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është deklaruar për media lidhur me Marrëveshjen e Ohrit të arritur një vit më parë mes Kosovës dhe Serbisë.

    Duke iu përgjigjur gazetarëve, ajo tha se është e ditur që Serbia i ka shkelur të gjitha rregullat e kësaj marrëveshje. Osmani ka kërkuar që të ketë marrëveshje të barabartë si për Kosovë ashtu edhe për Serbinë, e jo që për Kosovën të mendohet më vonë.

    “Mjafton që të lexohet marrëveshja dhe të shikohen veprimet e palëve dhe të arrihet në një përfundim komplet objektiv. Serbia ka shkelur me dhjetëra herë këtë marrëveshje e cila qartë i kërkon që të mos shkel integritetin territorial të Kosovës që të njoh subjektivitetin ndërkombëtarë dhe parimin e barazisë së palëve. Që të mos të votojë kundër Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare që të mos përdorë dhunë në relacione ndër shtetërore e shumë parime tjera. Edhe nenet e fundit të asaj marrëveshje kërkojnë që të zbatohen të gjitha marrëveshjet paraprake, nga përmbledhja e Bashkimit Evropian, Serbia nuk i ka zbatuar më shumë se gjysmën e marrëveshjeve të cilat janë nënshkruar në këtë 12 vjeçar e më shumë të dialogut Kosovë-Serbi…. Është e qartë se cila është pala që po i shkel marrëveshjet e saj. Ajo që duhej të ndodhte në ketë periudhë dhe nuk ka ndodhur dhe do të lehtësonte zbatimin e plotë të kësaj marrëveshje është mungesa e një plani të zbatimit i cili është ende duke u hartuar në Bruksel, sepse nuk ka pasur pajtim të plotë dhe unë si presidente kam qenë kundër një plani që më është propozuar, sepse ka paraparë që shumica e përfitimeve që i ka Serbia nga ky plan të jenë në fillim te zbatimit kurse ato të Kosovës të vijnë në fund, nuk ka pasur balanca as zbatim paralel sipas atij plani sekuencues siç e quan Bashkimi Evropian. Kërkoj që të ketë trajtim të barabartë të palëve që plani të ketë parasysh si Kosova dhe Serbia të zbatojnë në mënyrë paralele të gjitha obligimet e tyre e jo që njëra palë të ketë të gjitha përfitimet në fillim e për Kosovën te mendohet më vonë, Kosovës t’i thuhet prit edhe pak, jep edhe më shumë, jep edhe me shumë dhe kjo nuk është strategji e cila ka sjellë më shumë paqe, por përkundër vetëm ka inkurajuar Serbinë që të shkojë deri tek më ekstremja siç është 24 shtatori”, tha Osmani.

    Këto komente Osmani i bëri pas takimit me kryetarin e komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti.

    Ndërkaq, Osmani e pyetur për çështjen e dinarit, ajo tha kjo çështje urgjent duhet të arrihet dhe është e mirëseardhur që nesër në Bruksel të përfundojë.

    “Deri tani ka pajtim për një pjesë të propozimit dhe nuk ka pajtim për një pjesë tjetër. Është pozitive që komuniteti ndërkombëtarë me SHBA pajtohen që mos te ketë qarkullim të dinarit më në Kosovë. Me ndihmën e tyre kemi arritur që me ato dërgesa dhe ato ndihma financiare të arrijnë në euro dhe jo në dinarë….. Për zbatimin e plotë të Kushtetutës në praktikë neve na duhen aleatë në krah, por për pjesën e dytë që nuk ka pajtim por unë jam shpresëplotë që edhe te ajo pikë do të arrijmë shumë shpejtë. Sot duhet të sigurohemi që çdo ndihmë financiare mos të shkojë më duart e personave që kanë abuzuat dhe i kanë marrë paratë në emër të qytetarëve dhe i kanë shfrytëzuar për krim. Për atë pjesë është duke u hartuar një plan dhe do të përfshijë institucionet e Kosovës, për këtë çështje unë jam e bindur se do të arrihet, por është e domosdoshme që të arrihet, më e mira do të ishte që të arrihet në Bruksel, nesër në takim pra do të ishte e mirëseardhur që ky pajtim të arrihej në Bruksel dhe nëse jo aty është urgjente të zgjidhet” shtoi Osmani.

    Po ashtu, presidentja Osmani ka komentuar qasjen e qeverisë me partnerët ndërkombëtarë. Ajo tha se punët e mëdha Kosova duhet t’i bëjë bashkë me aleatët ndërkombëtarë.

    “Ne nuk duhet të harrojmë përkrahjen e aleatëve ndërkombëtarë, sepse nuk ka qenë vetëm përkrahje e njëhershme vetëm në vitin 1999, por çdo hap përpara që Kosova e ka bërë, e ka bërë bashkë me aleatët euroatlantik dhe ne duhet të qëndrojmë në këtë rrugë. Punët e mëdha gjithmonë i kemi bërë bashkë dhe tash e tutje duhet t’i bëjmë bashkë”, shtoi Osmani.

  • Italia shënon ditën e përkujtimit të viktimave të COVID

    Italia shënon ditën e përkujtimit të viktimave të COVID

    Italia të hënën shënon ditën e saj kombëtare të përkujtimit të viktimave të pandemisë COVID-19.

    18 Marsi u zgjodh si dita e kujtimit, sepse ishte në atë ditë të 2020-ës që u regjistrua imazhi më tragjik dhe emblematik i valës së parë të COVID: autokolona kamionësh të ushtrisë që largonin arkivole nga Bergamo, qyteti verior më i goditur.

    Vlerësohet se rreth 200.000 vdekje në Itali ishin të lidhura me koronavirusin.

    Presidenti Sergio Mattarella tha se pandemia tregoi se si një “përgjigje e koordinuar në nivel global” ishte e nevojshme për të trajtuar sfidat me të cilat përballet njerëzimi dhe theksoi rëndësinë e “zbulimeve të fundit kërkimore në të cilat Bashkimi Evropian ishte protagonist”.

  • Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Escobar i flet Serbisë nga Podgorica: Mesazhet e saj për Kosovën s’e ndihmojnë stabilitetin e rajonit

    Pas vizitës që pati në Kosovës zëvendës ndihmës Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Gabriel Escobar sot ka vizituar Malin e Zi.

    Pas një takimi që pati me kryeministrin Milojko Spajiq në Podgoricë, që të dy dolën në një konferencë të përbashkët.

    Derisa konfirmoi miqësinë e mirë që SHBA ka me Malin me Zi dhe aleat brenda Aleancës, Escobar dërgoi një mesazh edhe për Serbinë.

    Derisa tha se SHBA nuk ka dhënë asnjëherë ndonjë koment për politikën e brendshme të Malit të zi, ai numëroi tri shtete fqinje të Malit të Zi për të cilat thotë se po punojnë për ruajtjen e stabilitetit, përvec njërit i cili po i dërgon mesazhe Kosovës.

    “Ajo që themi është se Mali i Zi duhet të vazhdojë të jetë i orientuar pro-evropian. Në këtë periudhë kur tri shtete fqinje po na ndihmojnë për të ruajtur stabilitetin… e ka një që nuk po punon për këtë por po dërgon mesazhe për Kosovën, jemi të vetëdijshëm se duhet të jemi të fokusuar në rrugën progresive të Malit të Zi”, tha Eskobar, i cili e pranoi se ndikimi malinj i Rusisë është shumë i pranishëm në Ballkan.

    Duke komentuar raportin e NATO-s për vitin e kaluar, Escobar thotë se erdhi në Ballkan pasi vizitoi institucionet e NATO-s, selinë dhe pa “entuziazëm të jashtëzakonshëm sepse anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës ndikoi pozitivisht në zhvillimin e mëtejshëm të situatës”.

    Kjo deklaratë e Escobar, erdhi vetëm një ditë pasi presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka takuar fëmijët serbë të Kosovës, gjatë një organizimi në Beograd.

  • Specialja ia vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit

    Specialja ia vazhdon paraburgimin Jakup Krasniqit

    Gjykata Speciale në Hagë ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit të Jakup Krasniqit.

    Në arsyetimin e vendimit thuhet se ZPS-ja ka parashtruar se paraburgimi i Krasniqit mbetet proporcional.

    “ZPS -ja argumenton se, duke marrë parasysh të gjithë faktorët, paraburgimi i z. Krasniqi mbetet proporcional. Për këtë qëllim, ZPS i referohet gjetjeve të mëparshme të Panelit se: (i) z. Krasniqi akuzohet për dhjetë akuza për krime të rënda ndërkombëtare në të cilat ai pretendohet se luan një rol të rëndësishëm; (ii) nëse dënohet, ai mund të përballet me një dënim të gjatë; (iii) rreziqet e vazhdueshme sipas nenit 41(6)(b)(ii) dhe (iii) nuk mund të zbuten mjaftueshëm me zbatimin e masave alternative të arsyeshme; (iv) çështja kundër z. Krasniqi është komplekse; (v) ekziston një klimë e frikësimit të dëshmitarëve siç është përshkruar më sipër; dhe (vi) progresi vazhdon të bëhet në këtë rast”, thuhet në vendim.

    Ndërsa, mbrojtja e Krasniqit në parashtrimet e veta ka thënë se vazhdimi i paraburgimit për klientin e tyre është joproporcional.

    “Mbrojtja e Krasniqit argumenton se paraburgimi i vazhdueshëm i z. Krasniqi është joproporcional.76 Ajo pohon, në veçanti, se 40 muajt e kaluar në paraburgim janë një periudhë e konsiderueshme kohore për një person i cili nuk është dënuar për ndonjë krim. Për më tepër, ai pohon se modifikimi i kohëve të fundit i kushteve në objektet e paraburgimit tashmë ka pasur një ndikim të rëndësishëm në të drejtat e z. Krasniqi dhe vizitat e tij familjare, gjë që, nga ana tjetër, ndikon në mirëqenien e tij dhe të drejtën për jetë familjare”, thuhet në vendim.

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim që të iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë Rexhep Selimit.

    Vendimi është marrë më 15 mars 2024, nga kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III.

    Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se Paneli është i bindur se ekziston rreziku që Selimi të pengojë mbarëvajtjen e procedurave të DhSK-së dhe të kryej krime të tjera kundër atyre që perceptohen si kundërshtarë të UÇK-së duke përfshirë edhe ndikimin tek dëshmitarët.

    “Në parashtrimet e veta ZPS-ja kishte parashtruar se nuk ka asnjë masë alternative që zbut në mënyrë të mjaftueshme rreziqet për kryerje të krimeve të mëtejshme nga Selimi. Edhe në këtë rishikim të masës së paraburgimit, ZPS-ja ka parashtruar se asgjë nuk ka ndryshuar nga rrethanat që nga rishikimi paraprak i paraburgimit kur Paneli kishte konkluduar se të gjitha rreziqet për pengim të procedurave mund të menaxhohen në mënyrë efektive vetëm në objektin e paraburgimit”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Po ashtu, Paneli ka konstatuar se vazhdimi i paraburgimit edhe për dy muaj të tjerë ndaj Veselit është i arsyeshëm dhe i nevojshëm.

    “Në dritën e zhvillimeve të mësipërme, si dhe faktit se ekzistojnë rreziqe të vazhdueshme për pengimin e procedurës dhe kryerjen e krimeve të mëtejshme, asnjëra prej të cilave nuk mund të zbutet mjaftueshëm me zbatimin e masave të arsyeshme alternative, Paneli konstaton se paraburgimi i z. Selimi për edhe dy muaj të tjerë janë të nevojshëm dhe të arsyeshëm në rrethanat specifike të rastit”, thuhet ndër tjerash në vendim.

    Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

  • Bie inflacioni në eurozonë dhe në BE në muajin shkurt

    Bie inflacioni në eurozonë dhe në BE në muajin shkurt

    Norma vjetore e inflacionit në eurozonë dhe BE u ul me 2.6% dhe 2.8% në shkurt, nga përkatësisht 2.8% dhe 3.1% në janar, treguan shifrat zyrtare të hënën.

    Autoriteti statistikor i bllokut prej 27 anëtarësh, Eurostat kujtoi se norma e inflacionit ishte 8.5% në shkurt të vitit 2023 në zonën e euros dhe 9.9% për BE.

    Normat më të ulëta vjetore u panë te Letonia, Danimarka (të dyja 0.6%) dhe Italia (0.8%) ndërsa normat më të larta vjetore u panë në Rumani (7.1%), Kroaci (4.8%) dhe Estoni (4.4%).

    Në krahasim me janarin, inflacioni vjetor ra në 20 shtete anëtare, mbeti i qëndrueshëm në pesë dhe u rrit në dy.

    Në shkurt, kontributet më të larta në normën vjetore të inflacionit të eurozonës erdhi nga shërbimet, ushqimet, duhani me alkool dhe energjia, shtoi Eurostat./AA/

  • Koreja e Veriut lëshon raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken viziton Seulin

    Koreja e Veriut lëshon raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken viziton Seulin

    Koreja e Veriut ka lëshuar raketa balistike ndërsa sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken po vizitonte Seulin.

    Tre raketa balistike me rreze të shkurtër u lëshuan në det të hënën, ndërsa zoti Blinken vizitoi për një konferencë mbi avancimin e demokracisë.

    Është hera e parë në dy muaj që Koreja e Veriut lëshon armë të këtij lloji.

    Koreja e Jugut tha se disa raketa me rreze të shkurtër fluturuan rreth 186 milje (300 km) dhe u ulën në brigjet lindore të Veriut pasi u qëlluan nga kryeqyteti Pheniani midis orës 7:44 dhe 8:22 të mëngjesit me orën lokale (rreth orës 23:00 të së dielës sipas kohës së Mbretërisë së Bashkuar), raporton Sky News.

    Jugu e dënoi lëshimin si një “provokim të qartë” dhe tha se po ndante informacione me SHBA-në dhe Japoninë.

    Z. Blinken ishte mes zyrtarëve të lartë nga e gjithë bota që ishin në Korenë e Jugut për të marrë pjesë në konferencën e Samitit për Demokraci, e cila fillon sot. Ai do të takohet gjithashtu me homologun e tij të Koresë së Jugut, ministrin e jashtëm Cho Tae-yul.

    Kryeministri japonez Fumio Kishida dënoi gjithashtu lëshimin pasi roja bregdetare e vendit të tij raportoi lëshimin e raketës.

    Duke e quajtur nisjen si shkelje të rezolutave të OKB-së, Kishida shtoi: “Seria e veprimeve të Koresë së Veriut kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit tonë dhe komunitetit ndërkombëtar dhe janë absolutisht të papranueshme”.

    Javët e fundit janë parë ushtria e Koresë së Veriut duke kryer stërvitje me armë konvencionale – shpesh të mbikëqyrura nga diktatori Kim Jong Un./skynews/