ATV

Category: Lajme

  • Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Zotimit, pak zbatim e sërish mospajtime

    Një vit pas nënshkrimit të Deklaratës së Zotimit, pak zbatim e sërish mospajtime

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Një vit nga nënshkrimi i Deklaratës së Përbashkët të Zotimit për reformën në drejtësi, pak plane të veprimit janë jetësuar.

    Ministria e Drejtësisë nuk po pajtohet në veçanti me propozimin që gjyqtarët e prokurorët pas pensionimit të gëzojnë 70% të pagës.

    Marrëveshja në mes Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit Prokurorial, e atij gjyqësor është vënë në pikëpyetje, pas mospajtimeve të fundit rreth iniciativave ligjore.

    Anëtarë të shoqërisë civile që janë pjesë e grupeve punuese, vlerësojnë se kërkesat e KGJK-së dhe KPK-së, mund të shqyrtohen nga një mekanizëm ndërkombëtar.

    Sipas Salihit, nëse ndryshimet ligjore kalojnë në Kuvend pa pasur pajtim, mund të përfundojnë në Gjykatën Kushtetuese.

    Javën e kaluar përfaqësuesit e KPK-së, dhe KGJK-së u tërhoqën nga punëtoria e organizuar nga MD-ja rreth reformës.

    Ndërsa, Këshillat ndër të tjera nuk janë pajtuar me propozimin e Ministrisë që të ketë ligj të veçantë për vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke kërkuar që kjo të përfshihet në kuadër të Ligjit për KGJK-në dhe KPK-në.

    Deklarata ndër të tjera parasheh hartimin e ligjeve rreth vlerësimit të performancës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, proceset të rekrutimit, rregullimi i statusit dhe hartimin e ligjit për nëpunësit civilë në administratën e gjykatave dhe prokurorive./atvlive.tv/

  • Prishtina e (pa)sigurt

    Prishtina e (pa)sigurt

    PËRGATITI: ARMAND HOTI 

    Listës së të kërkuarve nga Policia e Kosovës, iu shtuan edhe katër emra.
    Fitim Doda dhe Arijan Sijarina kërkohen për veprën penale “vrasje në tentativë”, kurse dy vëllezërit Berisha, po ndiqen nga autoritetet për “vrasje të rëndë”.

    Konflikti mes tyre, në mbrëmjen e së martës në “Kolovicë”, rezultoi me vrasjen e dy personave.

    24 orë më pas, të shtëna u dëgjuan edhe në lagjen “Dardania”.

    Komuna e Prishtinës po i vëzhgon me shqetësim përleshjet e armatosura në territorin që udhëheq.

    Policia e kryeqytetit dhe vendosja e kamerave të sigurisë, sipas nënkryetarit të kryeqendrës së Kosovës, janë mekanizma që do shërbejnë për një Prishtinë më të sigurtë.

    Ish-koloneli, Rrahman Sylejmani vlerëson se siguria në Prishtinë po cenohet nga grupet e armatosura kriminale. Më ashpër karshi tyre, sipas ish-kolonelit, duhet të veproj policia.

    Si masë, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, rekomandon ushtrimin e aktiviteteve policore, bazuar në informacione të inteligjencës.

    Pa llogaritur nënstacionet, në kryeqytet operojnë tre stacione policore./ATVLIVE.TV

  • Përkujtohet masakra e Izbicës

    Përkujtohet masakra e Izbicës

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI

    Derisa i vendosi lulet në varrin e babait të saj, ngjarja që ndodhi 25 vjet më parë i rikthehet qartë në kujtesë. Kumrie Millaku që përpos babait lufta ia mori edhe djalin e vetëm 15 vjeç dhe bashkëshortin, thotë se dhimbja nuk pushoi asnjëherë.

    Kujtimet të pikëlluara kjo datë po i ngjall edhe Luljeta Rexhepit. Ajo e ka të freskët momentin kur serbët ia morën babanë dhe e masakruan bashkë më 146 persona të tjerë në Izbicë të Skenderajt.

    Ndarja e anëtarëve që u bë nga forcat serbe ishte momenti më i rëndë për banorët e Izbicës.

    147 viktimat të masakruar nga forcat serbe u kujtuan edhe nga Kryeministri Albin Kurti, i cili erdhi për përkujtim.

    Kurti tha se plagët e kësaj masakre nuk mund të mbyllen përderisa kriminelët nuk janë në burg, derisa i bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit të punojë më shumë.

    Më 28 mars 1999, forcat serbe masakruan 147 persona përfshirë gra fëmijë e pleq. Për të fshehur krimin serbët zhvarrosën trupat. Nga kjo masakër 6 persona janë ende të zhdukur.

    Për pjesëmarrje në këtë masakër deri tani është vetëm një i akuzuar, Muhamet Alidemaj, gjykimi për të cilin është duke u zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë./atvlive.tv/

  • Përkujtohen viktimat në 25-vjetorin e masakrës së Podujevës

    Përkujtohen viktimat në 25-vjetorin e masakrës së Podujevës

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    28 marsi për familjet Bogujevci, Duriqi e Llugaliu ishte ditë e kobshme. Disa prej më të dashurve të tyre u vranë e u masakruan nga njësiti serb i njohur si “Skorpionët”.

    Për t’i kujtuar në 25-vjetorin e kësaj masakre të kryer në Podujevë, për homazhe ishte kryeministri Albin Kurti.

    “Ata të dënuar maksimalisht me 20 vjet pa u penduar kur i kanë mbajtur 2/3 e dënimit janë liruar. Kryesori i tyre është arrestuar në dhjetorin e vitit 2022, në Athinë të Greqisë si kreu i një karteli të drogës atje. Kjo tregon se si kriminelët e luftës dhe krimi i organizuar në paqe janë të ndërlidhura ngushtë. Ne kemi nevojë për drejtësi institucionale në Kosovë, por edhe në rajon.”, tha Kurti.

    Disa prej pjesëmarrësve në këtë masakër janë të dënuar. Gjykata e Qarkut në Beograd i kishte dënuar anëtarët e Skorpionëve, Sasha Cvjetan, Dragan Borojeviq, Dragan Mediq dhe Zhelko Gjukiq më 20 vjet burgim për secilin, ndërsa Miodrag Soolaja u dënua më 14 vjet burgim.

    Por, duke marrë parasysh të gjitha masakrat e vrasjet e tjera që ndodhën gjatë luftës në Kosovë, numri i personave të dënuar për krime lufte vlerësohet tejet i ulët nga Fondi për të drejtën Humanitare.

    “Sigurisht nuk mjaftojnë vetëm 5 persona të dënohen, por tanimë këto janë statistikat që ka arritur Serbia t’i dënojë. Por në përgjithësi Serbia nuk ka bërë mjaftueshëm në procedimin në gjykimet për personat që kanë bërë krime të luftës për arsye për më shumë se 20 vite kanë arritur vetëm 15 persona t’i dënojnë.”, deklaroi Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare.

    Në masakrën e Podujevës u vranë 7 gra dhe 7 fëmijë të moshës nga 2 deri në 15 vjeç. Pesë të tjerë mbijetuan, në mesin e tyre edhe nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci./atvlive.tv/

  • Qeveria e Malit të Zi nuk vë në dyshim mbështetjen për Kosovën në KiE

    Qeveria e Malit të Zi nuk vë në dyshim mbështetjen për Kosovën në KiE

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Edhe pse një nga tri votat e Malit të Zi në Këshillin e Evropës ishin kundër Kosovës, qeveria e shtetit fqinj këmbëngul në “mbështetje të plotë” për anëtarësim.

    Vota kundër e deputetes Maja Vukicevic, sipas Qeverisë malazeze, nuk lëkund përkrahjen për Kosovën.

    Për deputetin shqiptar në Malin e Zi, Nikolla Camaj, vota kundër nga deputetja e partisë së njohur për qëndrime anti-Kosovë, nuk pasqyron qëndrimin e shumicës.

    “Kjo mund të paraqesë për raportet e brendshme në Malin e Zi. Mali i Zi i ka tri vota në Asamblenë Parlamentare, nga të cilat dy janë të sigurta për Kosovën. Dhe ajo që është me rëndësi, në Këshillin e Ministrave qëndrimi i Qeverisë është që të vazhdojë bashkëpunimin e deritashëm me Kosovën dhe nuk mund të sjellë asgjë në pyetje, përpos fakticitetit se një subjekt i tillë, a mund të ketë hapësirë në Qeverinë e ardhshme”, tha deputeti i Malit të Zi, Nikolla Camaj.

    Edhe pse vlerësoi se një votë kundër nuk do ta pengojë anëtarësimin e Kosovës, Camaj, i cili është deputet zëvendësues në Këshillin e Evropës, përmendi përpjekjet që në fazat e radhës të sigurohet mbështetje e plotë.

    “Të provojmë që të ndikojmë përmes partnerëve tonë, përmes subjekteve politike që përbëjnë shumicën, përmes njerëzve të përbashkët që janë në Qeveri, që zonja në fjalë, pra deputetja, kolegia Maja, të mos paraqitet në votimin e radhës. Do të ishte zgjedhja më e mirë besoj edhe për ne, për Malin e Zi, për raportet me Kosovën”, tha ai.

    Sinjal negativ, por jo problem determinues për Kosovën, e vlerësoi votimin e së mërkurës profesori Dritëro Arifi, teksa shtoi se faza e tretë – Komiteti i Ministrave – mund të jetë më e vështira.

    “Mali i Zi si vend i NATO-s, aspirant për BE, kandidat, po ashtu e shkeli frymën e botës perëndimore me votën kundër. Dhe, mund të themi që ka një serbizim të politikës në Malin e Zi që është një sinjal që perëndimi duhet ta shikojë dhe ta qortojë Malin e Zi”, deklaroi Arifi.

    Të premten, ministrja për Çështje Evropiane e Malit të Zi, Maida Gorcevic, do të vizitojë Prishtinën.

    Kundër Kosovës, në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës, votuan edhe dy deputetë nga Serbia dhe një nga Bosnje e Hercegovina. Ndërsa, abstenoi një nga Greqia./atvlive.tv/

  • ​Gjendet i gjallë në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

    ​Gjendet i gjallë në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

    Një person i cili ishte zhdukur ditën e djeshme në fshati turistik Prevallë, Prizren është gjetur më vonë mbrëma, ka njoftuar Policia e Kosovës.

    Bashkëshortja e tij e ka raportuar si të zhdukur dje rreth orës 18:30. Policia ka kërkuar me njësinë e Zjarrfikësve nga Prizreni dhe familjarët e tij.

    Të njëjtën ditë, rreth orës 23:09, policia ka njoftuar se personi është gjetur dhe se kishte rënë në një humnerë pesë metra poshtë rrugës.

    A.M i lindur në vitin 1963 është dërguar për trajtim në Spitalin e Prizrenit për trajtim.

    Njoftimi i plotë:

    Gjendet në një humnerë personi i raportuar si i zhdukur në Prevallë

    Prizren, 19 Mars 2024

    Më 27 mars 2024, në Stacioni Policor në Prizren, është raportuar se një person nga Ferizaj i cili bashkë me bashkëshorten e tij ishte në pushime në fshatin turistikë Prevallë, Prizren kishte dalë për shëtitje në natyrë dhe nuk ishte kthyer më.

    Personi si i zhdukur është raportuar nga bashkëshortja e tij. Ajo raporton se bashkëshorti i saj është larguar nga vendbanimi rreth orës 18:30 dhe nuk dihet se ku është , bashkëshorti i saj është A. M. i lindur më 1963 .

    Pas raportimit në polici, janë dërguar zyrtarët policor për të hetuar rastin dhe për të kërkuar viktimën, kërkimit i është bashkuar edhe njësia e Zjarrfikësve nga Prizreni si dhe familjarët e të zhdukurit.

    Të njëjtën dite, rreth orës 23:09 personi i zhdukur është gjetur, viktima kishte rene në një humnerë rreth 5 metra poshtë rrugës, viktima është nxjerre nga njësitet policore dhe me emergjence është dërguar ne Spitalin Rajonal në Prizren pasi kishte lëndime sipërfaqësore për të cilat është trajtuar.

  • Suspendohet një polic i dyshuar për kontrabandë me mallra në Gjakovë

    Suspendohet një polic i dyshuar për kontrabandë me mallra në Gjakovë

    Dy ditë më parë hetuesit e Inspektoratit Policor i Kosovës kanë pranuar informacione nga Policia e Kosovës për një rast të dyshuar për kontrabandë të mallit ku dyshohej se ishte përfshirë një zyrtar policor.

    Hetuesit e IPK-së kanë ndërmarrë veprime hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Gjakovë, pas të cilave kanë gjetur se zyrtari policor me detyrë në Njësitin Rajonal të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë ka kontrabanduar mall përmes pikës kufitare Qafë Prush në vlerë mbi 4000 euro (kamera, alarme dhe mjete tjera për internet), duke vozitur dhe përdorur një veturë private.

    Në kuadër të hetimit IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të zyrtarit policor dhe rekomandimin për suspendim edhe të udhëheqësit të ndërrimit në pikën kufitare Qafë Prushi në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale.

    Hetuesit e IPK-së kanë intervistuar disa dëshmitarë dhe të dyshuarin dhe në konsultim me Prokurorinë kanë iniciuar rastin kontrabandim me mallra.

    IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.

  • Therje me thikë në Istog, arrestohen dy persona

    Therje me thikë në Istog, arrestohen dy persona

    Një person është therur rreth orës 7:30 të mëngjesit të enjten në Istog.

    Policia ka dalë në vendngjarje menjëherë dhe të lënduarin e ka dërguar në spital, kurse është arrestuar edhe një i dyshuar që po ashtu ka pasur nevojë për trajtim mjekësor.

    Në vendngjarje është gjetur dhe sekuestruar thika e përdorur.

    “Njësitet relevante pranë Stacionit Policor nё Istog, menjëherë kanё dalë në vendngjarje, aty kanë takuar njё person tё lënduar i cili ёshtё dёrguar nё Spitalin Rajonal nё Pejё pёr tretman mjekёsor, pas pak nga njёsitet policore arrestohet edhe i dyshuari tjetёr i cili gjithashtu ёshtё dërguar pёr tretman mjekёsor”, ka njoftuar Policia.

    Tё dyshuarit A. Ll. (1975) dhe Sh. Ll. (1964) me urdhёr tё Prokurorit tё shtetit janё ndaluar pёr 48 orё.

  • Anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE, Petkoviq: Gjest armiqësor karshi Serbisë

    Anëtarësimi eventual i Kosovës në KiE, Petkoviq: Gjest armiqësor karshi Serbisë

    Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një “gjest armiqësor” karshi Serbisë, duke shtuar se Beogradi nuk do të ndalet së kundërshtuari këtë gjë “hapur, politikisht dhe në mënyrë procedurale”.

    Përmes një njoftimi më 28 mars, Petkoviqi tha se “ka një dëshirë për nxitim” për zgjidhjen e çështjes së statusit të Kosovës, për shkak të, siç tha ai, “disa interesave gjeostrategjike që kanë pak të bëjnë qoftë me Beogradin apo Prishtinën”.

    “Por, ata që vendosin për këtë le të mendojnë me kujdes nëse anëtarësimi eventual i Prishtinës në Këshillin e Evropës do të kontribuojë për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim në kontinentin tonë, apo nëse do të kishte efektin e kundërt”, tha Petkoviqi.

    LEXONI EDHE:

    Miratohet raporti, Kosova një hap para drejt anëtarësimit në Këshill të Evropës

     

  • Polonia hap përkohësisht kufirin me Ukrainën

    Polonia hap përkohësisht kufirin me Ukrainën

    Polonia ka hapur përkohësisht një pikë kufitare me Ukrainën, tha Kievi më 28 mars, përderisa përfaqësuesit qeveritarë u takuan në Varshavë për të ulur tensionet të shkaktuara për shkak të importeve të drithërave ukrainase.

    Shërbimi shtetëror i rojeve kufitare të Ukrainës tha përmes një deklarate se 120 kamionë pritet të kalojnë pikëkalimin Uhrjniv-Dolobiçuv për në Poloni. Ky shërbim tha se pikëkalimi do të mbetet i hapur deri më 2 prill.

    Njoftimi u bë përderisa qeveritë e Polonisë dhe Ukrainës zhvilluan një takim mbi gjashtorësh në Varshavë për të diskutuar për çështjen e importeve të drithërave ukrainase, por duket se bisedimet nuk prodhuan një rezultat.

    Pikëkalimet kufitare me Ukrainën janë bllokuar për javë të tëra, pasi fermerët në Poloni po kërkojnë rivendosjen e tarifave doganore ndaj importeve të bujqësore nga Ukraina, që u hoqën pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës më 2022.

    Fermerët argumentojnë se Ukraina po dërgon në Evropë drithëra të lira, duke ua pamundësuar atyre që të shesin produktet vendore.

    “Është e vështirë të pritet ndonjë rezultat pas këtyre bisedimeve, ndonjë marrëveshje specifike për shembull për çështjen e produkteve bujqësore”, tha Jan Grabiec, shefi i zyrës së kryeministrit. “Ne po vazhdojmë dialogun me të dyja palët”.

    Ministri i Bujqësisë së Ukrainës, Mykola Solsky, shkroi në X, që më herët njihej si Twitter, se bisedimet me Poloninë ishin “të vështira, por të sinqerta”.

    Sipas tij, zgjidhjet për çështjen e importeve bujqësore ukrainase janë diskutuar dhe do të bëhen publike së shpejti./REL/