ATV

Category: Lajme

  • Dyshohet për tri vepra penale, çka deklaruan Prokuroria e avokati pas intervistimit rreth shtatë orësh të Martin Berishaj

    Dyshohet për tri vepra penale, çka deklaruan Prokuroria e avokati pas intervistimit rreth shtatë orësh të Martin Berishaj

    Për rreth shtatë orë, Prokuroria Speciale ka intervistuar dje Ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishajn, pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media.

    Intervistimi i tij ka filluar rreth orës 08:30 në mëngjes, e pasdite rreth orës 15:30, avokati i tij ka konfirmuar se ka përfunduar intervistimi.

    Pas interesimit të madh të mediave për këtë rast, Prokuroria ka dalë me një njoftim ku ka konfirmuar se ambasadori është intervistuar nën dyshimet për tri vepra penale: ’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’.

    Nga ky institucion kanë deklaruar se Berishaj është ftuar edhe më herët për intervistim, por i njëjti kishte kërkuar që të shtyhet shkaku i angazhimit si ambasador.

    “Pas interesimit të mediave, Prokuroria Speciale njofton opinionin publik se ambasadori, i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, është intervistuar sot me ftesë të Prokurorisë Speciale, me dyshimet për veprat penale ‘’Shpëlarja e parave’’, ‘’Shmangia nga tatimi’’ dhe ‘’Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare’’. Po ashtu, ju njoftojmë se ambasadori Martin Berishaj, edhe më herët është ftuar për intervistim, por vet Berisha kishte kërkuar nga Prokuroria Speciale që të shtyhet intervistimi, për shkak të angazhimit të tij si ambasador”, u tha në njoftimin e Prokurorisë.

    Paraprakisht, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, tha se nuk ka aktakuzë ndaj të njëjtit.

    “Nëse do të kishte aktakuzë, do t’iu kishim informuar, si zakonisht që informojmë, përderisa s’ka , s’e kemi informu”, deklaroi Lutfiu para gazetarëve.

    Pas përfundimit të intervistimit, ka reaguar edhe avokati i Berishajt, Tomë Gashi.

    Ai tha se Berishaj ka dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media.

    “Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale. Unë për shkak të kësaj situate si avokat i Martinit nuk mund te ju them asgjë për përmbajtjen e kësaj deklarate”, shkroi Gashi në llogarinë e tij në Facebook.

  • Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Jasharaj: Kurti me ministra të tij fajtor për gjendjen në arsim, ministri Murati synoi t’i shuaj sindikatat

    Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, në intervistë për Ekonomia Online, ka hedhur kritika në drejtim të kryeministrit Kurti e ministrave të tij.

    Sipas Jasharajt, kryeministri Albin Kurti e ministrat Arbërie Nagavci e Hekuran Murati, janë fajtor për gjendjen në të cilën gjendet arsimi.

    “Nga përvoja që kam sindikale shumë e gjatë, ministri Hekuran Murati e them publikisht se është njëri nga fajtorët kyç, sepse ai po harron që përveç se është ministër i Financave dhe Trasnfereve është edhe i Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe nga vet ky fakt ai duhet të jetë flamurtar, ta nxis dialogun, të krijoj kushte edhe kur Qeveria thotë jo, të insistoj që të ketë dialog me sindikatën. Këtë detyrë e ka ministri. E në vend të kësaj ai e ka bllokuar edhe punën e këshillit ekonomik-social, ku ulen me ligj tri palët: Sindikatat, Qeveria dhe përfaqësuesit e bizneseve dhe merren vesh për kërkesat”, u shpreh Jasharaj.

    Madje, kryesindikalisti akuzon ministrin Murati për përpjekje për t’i shuar sindikatat në vend. Thotë se ka gënjyer e ka shpifur ndaj sindikatave në vend. Fajtor e konsideron edhe për vlerën e koeficientit të pagave.

    “Ai (Hekuran Murati) bëri çmos edhe 5, 6 muaj pas vendimit për koeficientin. Ai u deklarua që në qershorin e vitit të kaluar se ngritja e koeficientit do jetë vetëm pesë euro nga 105 në 110 euro dhe konsiderojmë si njërin nga faktorët kyç, edhe për ligjin e pagave, edhe për koeficientin e ulët edhe për deklaratat e tij kundër SBAShK-ut, deklarata shpifëse, gënjeshtra e pa asnjë argument. E konsiderojmë fajtor edhe për tendencën për t’i shuar sindikatat ngase tërë anëtarësinë qe e kishim të regjistruar në bazë të ligjit për arsimin sindikal ai e ka shlyer në tërësi për t’i zhdukur dhe shpiku platformën E-Kosova duke i obliguar njerëzit se nëse duan të jenë në sindikatë të regjistrohen në E-Kosova, i cili bie që është portal i shtetit dhe paramendojeni njerëzit regjistrohen për të mos u shuar sindikata në një portal të shteti në vend që të jetë ajo që e thotë ligji se një anëtar regjistrohet për sindikatën e vet e jo në një portal shtetëror”, deklaroi Jasharaj.

    Krahas problemeve me shtetin, Jasharaj e sheh problematike edhe një fakt tjetër. Atë të largimit të mësimdhënësve nga Kosova. Jasharaj thotë se tash e sa kohë, mësimdhënësit kanë filluar t’i marrin pushimet njëvjeçare pa pagesë, duke u larguar në vendet perëndimore për një jetë më të mirë.

    “Te ne zakonisht mësimdhënësit në të kaluarën më shumë të vogël e kanë shfrytëzuar një të drejtë që u takon me ligj të punës por me mirëkuptimin e DKA-ve për shkaqet e natyrave të ndryshme u është lejuar pushimi një vjet, mirëpo ky numër na shqetësoi sepse kishim informacione se është shtuar ky numër. 300 mësimdhënës para liberalizmit të vizave (kanë marrë pushim pa pagesë njëvjeçare) dhe konsiderojmë se ky numër është rritur por neve na habit dhe na ka habitur në atë kohë se pse Drejtoritë e Arsimit dhe MASHTI nuk thanë asnjë fjalë. Së paku të na demantojnë neve, urojmë që as numri 300 e as numri 600 të mos jetë i tillë sepse ne këto informacione nuk i kemi zyrtare, ngase ata nuk kërkojnë leje tek ne por në DKA-të dhe unë mendoj se ministrja Nagavci ish dashtë me i mbledh DKA-të të dhe të na demantoj dhe ne do të gëzoheshim nëse thotë se nuk është as 300 as 600 por një numër më i vogël”, deklaroi tutje Jasharaj.

  • Për dy muaj regjistrohen 320 raste të reja me kancer

    Për dy muaj regjistrohen 320 raste të reja me kancer

    320 raste të reja me kancer janë shënuar gjatë muajit janar dhe shkurt të këtij viti në Kosovë, ka bërë të ditur për Ekonomia Online, drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi.

    Ai thotë se krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, numri i rasteve është rritur për mbi 10 për qind. Derisa kanceri i gjirit vazhdon të dominojë te gratë, te burrat është ai i mushkërive.

    Kurtishi ka bërë të ditur se numri i rasteve të reja me kancer është trend në rritje, derisa potencoi se pritet që në fillim të muajit maj të përfundojnë renovimet e kësaj klinike.

    “Viti 2024 për janar-shkurt në Klinikën e Onkologjisë janë regjistruar 320 pacientë të me kancer të llojeve të ndryshme dominon prapë si vitin e kaluar me kancerin e gjirit dhe është një numër më i madh se i viteve paraprake dhe njëjtë të meshkujt dominon kanceri i mushkërive kurse menjëherë pas këtyre dy grupeve janë tumoret e zorrëve së trashë dhe tumoret malinjë të organeve gjenitale të femrave. Mosha akoma dominon mbi 50 vjet, pra numri i pacientëve është mbi moshën 50 vjeçare ajo që është problematike në Kosovë dhe vazhdon të mbetet është se kemi raste ndër moshën 50 vjeçare ku sëmundja është me stade të avancuara dhe kur pacientët lajmërohen vonë për me marrë trajtimin adekuat”, thotë Kurtishi.

    Për Kurtishin shqetësuese mbetet fakti që mbi 50 për qind e rasteve me kancer që lajmërohen në klinikë për herë të parë, janë në stade të avancuara të sëmundjes.

    “Me thënë të drejtën pasi që sot me kancer të gjirit ne i identifikojmë dhe i kemi identifikuar vitin 2023 rreth 50 për qind të rasteve në stadin e parë dhe të dytë kjo fal një përkushtimi të madh edhe të stafit të Onkologjisë por edhe shoqatave joqeveritare që merren me intervenim dhe ngritjen e vetëdijes e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit të cilët kanë sensibilizuar në masë të madhe femrat në Kosovë dhe kanë sensibilizuar në bërjen e mamografive dhe ultrazërit sidomos te femrat pas moshës 40 vjeçare por kjo nuk mjafton, duhet të bëhet edhe më shumë dhe shpresojmë se këtë vit ose vitin tjetër nëse fillohet me programet nacionale të skeningut ne mund të i gjejmë sëmundjet e gjirit dhe sëmundjet e tjera të cilat do të jenë në stade shumë më të hershme kur mjekimi do të jetë shumë i mirë”, deklaroi Kurtishi.

    Ai ka treguar se në fillim të muajit maj pritet që të përfundojnë punimet në Klinikën e Onkologjisë, duke thënë se do të ketë zgjerim të kapaciteteve, duke përfshirë dyfishimin e numrit të shtretërve.

    “Sipas punëkryesit ai gati është në përfundim të punëve të veta në afat rekord, afat më të shpejtë se sa është planifikuar dhe klinika sipas MSH-së dhe ShSKUK-së, pra sipas udhëheqësve të projektit do të ketë gati në fillim të muajit maj dhe jemi në procedura të furnizimit të klinikës ose pajisjes me inventar ose pjesë tjera përcjellëse dhe mendoj që sapo të sillen këto pajisje këto pjesë përbërëse e klinikës ose inventar do jetë një klinikë shumë e mirë me hapësira të reja dhe ne kemi dyfishuar kapacitetet e klinikës pra nga 45 shtretër do të kemi rreth 100 shtretër me të cilët pacientët do të marrin shërbime onkologjike gjatë 24 orëve dhe kjo do ta lehtësojë shumë punën sidomos stafit të klinikës së onkologjisë por në të njëjtën kohë më e përshtatshme për marrjen e terapisë edhe për pacientët”, u shpreh Kurtishi.

  • Qeveria ka gati Projektligjin për sigurimin shëndetësor, në qershor procedohet për votim

    Qeveria ka gati Projektligjin për sigurimin shëndetësor, në qershor procedohet për votim

    PËRGATITI: DRITON SADIKU 

    Një dekadë pas miratimit të ligjit për sigurime shëndetësore, Qeveria ka në plan që ta sjellë një të ri.

    Projektligji që rregullon sistemin e sigurimit shëndetësor tashmë ndodhet në konsultim publik dhe së shpejti pritet të votohet edhe në qeveri. Ky do të jetë obligim për të gjithë qytetarët e republikës.

    Sigurimi mbulon shërbime shëndetësore të ndryshme si kujdesin mjekësor, atë dentar, shërbimet diagnostike dhe analizat laboratorike, trajtimin në spital, përfshirë kostot e akomodimit për pacientët spitalorë, kujdesin rehabilitues për pacientët e disa tjera.

    Por, për të marrë këto shërbime, qytetarëve do t’u ndalen 3.5 për qind të pagës bruto, për fondin e sigurimeve.

    Megjithatë, projektligji parasheh edhe lehtësira për disa kategori, siç janë: invalidët, familjet me asistencë sociale, të burgosurit, viktimat e trafikimit e të tjerë, për të cilët koston e shpenzimeve i mbulon shteti.

    Sidoqoftë, projektligji edhe nëse kalon në Kuvend, vlerësohet se duhet kohë deri të zbatohet.

    “Ka shumë faktorë që nevojiten të plotësohen para se të fillojnë sigurimet shëndetësore duke filluar nga sistemi informativ shëndetësor, i cili ende është në fazën e pilotimit në Ministrinë e Shëndetësisë, ende nuk është i shtrirë në tërë territorin e Kosovës”, deklaroi Bujar Vitia, gazetar.

    Vitia përmend edhe faktorë të tjerë që mund ta shtyjnë edhe më shumë zbatimin e sigurimit shëndetësor.

    “Janë protokollet shëndetësore të cilat nevojiten para se të fillojnë sigurimet dhe ne ende nuk kemi protokolle për sëmundjet të cilat trajtohen në QKUK, nuk e kemi një listë të definuar të shërbimeve që jepen në QKUK dhe në spitale të përgjithshme, nuk e kemi një çmimore të shërbimeve”, shtoi tutje Vitia.

    Megjithatë, sipas agjendës së Qeverisë, projektligji në qershor do të votohet në qeveri, për t’u proceduar më pas edhe në Kuvend./atvlive.tv/

  • Asnjë plan për fillimin e zbatimit të Rregullores së BQK-së për dinarin

    Asnjë plan për fillimin e zbatimit të Rregullores së BQK-së për dinarin

    PËRGATITI: KRENARE MULLIQI 

    As 2 muaj pas hyrjes në fuqi të Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për dinarin, nuk dihet edhe sa do të zgjasë periudha e transicionit.

    Derisa Kryeministri Albin Kurti ka përmendur 27 marsin si datë, nga Banka Qendrore e Kosovës u publikua një plan 10 pikësh që është në fuqi dhe i cili zgjat deri më 12 maj.

    Paqartësi ka edhe për fillimin e zbatimin të kësaj rregullore, pasi deri tani nuk ka ndonjë plan konkret si të veprohet pasi të përfundojnë të gjitha afatet.

    Për këtë paqartësi, sqarime nuk dhanë as nga Qeveria e as nga BQK-ja. Kritikat vijnë nga njohës të ekonomisë të cilët thonë se nuk është e qartë çfarë do të ndodhë pas 12 majit.

    Distancim të Qeverisë nga vendimet e BQK-së po kërkon ish-zëvendësguvernatori i cili thotë se ky institucioni duhet të dalë sa më parë me data të sakta dhe hapa konkret.

    Madje, vlerësohet se as periudha e transicionit nuk u shfrytëzua për qartësim.

    Për të lehtësuar zbatimin e rregullores së BQK-së për dinarin, e cila parasheh përdorimin vetëm të euros si valutë për pagesa me para të gatshme ishte publikuar një plan 10 pikësh, i cili do të zbatohet për 3 muaj./atvlive.tv/

  • Renovimi i shtëpive në veri, banorët thonë se nuk iu kanë dalë mjetet financiare

    Renovimi i shtëpive në veri, banorët thonë se nuk iu kanë dalë mjetet financiare

    PËRGATITI: DRITON SADIKU

    Hazir Bekteshi nga Koshtova e Leposaviqit ishte njëri prej përfituesve të skemës për renovim të shtëpive për pjesëtarët e komuniteteve joshumicë.

    Por, që nga fundi i vitit të kaluar kur nënshkroi kontratën, paratë nuk i dolën në llogari. Madje, askush nuk e njoftoi për arsyet e vonesave.

    “Me 15 nëntor na kanë thirrë në telefon me shku me i nënshkru kontratat për rinovim të shtëpive, kemi shku i kemi nënshkru kontratat, na kanë thënë që për 15-20 ditë dalin pjesa e parë d.m.th. 2000 euro me i marrë ato për me i marrë të dytat dhe prej 15 nëntorit nuk ka asgjë”, deklaroi Hazir Bekteshi, banor i fshatit Koshtovë.

    Fatin e njëjtë me Bekteshin e pati edhe Jetish Halili nga fshati fqinjë Cerajë. Këtyre do të duhej t’iu dilnin në llogari bankare nga 4000 euro, me të cilat do mund të bënin rregullimin e shtëpive.

    “Kemi nënshkruar nga 4000 euro për renovim, çka të kemi mundësi me ndërruar, dritare me ly shtëpinë, deri tash nuk ka asgjë, çka u bë nuk e di. Na kanë thënë se 2000 euro dalin në muajin nëntor e 2000 të tjera në muajin dhjetor po as në nëntor as në dhjetor tash erdh prilli gati edhe s’ka asgjë”, tha Halili.

    Përfitues të kësaj skeme ishin rreth 200 familje, por, sipas Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, jo të gjithë do t’i marrin mjetet.

    Meqë, pati ankesa, ky angazhoi një komision që ta bëjë verifikimin e tyre, për të parë nëse kanë njëmend nevojë për renovim.

    “Nëse përfituesit të cilët e kanë nënshkruar kontratën, gjendja e tyre reale është sikurse e kanë paraqitur në letër, ata do t’i pranojnë mjetet e parapara, derisa të tjerët do të njoftohen për shkëputjen e kontratës, ashtu siç ka përcaktuar artikulli i 5-të i marrëveshjes mes administratës së MAPL-së dhe përfituesit”, deklaroi ministri Krasniqi.

    Sipas ministrit Krasniqi, vlerësimet janë në fazën përfundimtare, dhe fituesve shumë shpejt do t’iu dalin mjetet./atvlive.tv/

  • Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    Dy ditë pas “një vote kundër”, Mali i Zi nënshkruan marrëveshje me Kosovën

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Dy ditë pasi deputetja e Malit të Zi, Maja Vukiçeviq, votoi kundër Kosovës në Këshillin e Evropës, Qeveritë e dy shteteve nënshkruan një marrëveshje në kuadër të programit të Bashkimit Evropian për bashkëpunim ndërkufitar IPA III.

    Pas firmosjes së ujdisë, përmes së cilës dy vendet përfitojnë 8.4 milionë euro nga BE-ja, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministrja malazeze për Çështje Evropiane, Maida Gorçeviq, qartësuan pozicionet.

    Duke krahasuar qëndrimet e deputetes Vukiçeviq me ato të Listës Serbe, Bislimi tha se Mali i Zi, si shtet, nuk votoi kundër anëtarësimit të Kosovës.

    “Ajo që është me rëndësi është që vota e zonjës Vukicevic nuk përfaqëson qëndrimin zyrtar të Republikës së Malit të Zi, i cili qëndrim nuk ka ndryshuar nga data 9 Tetor 2008, kur Mali i Zi ka vendosur të njohë Republikën e Kosovës. Por, votat si kjo tregojnë se sa është i rëndësishëm intensifikimi i bashkëpunimit dhe margjinalizimi i veprimeve të tilla”, deklaroi Bislimi.

    Ministrja malazeze Gorçeviq, bëri dallim mes votës së bashkëvendëses së saj dhe qëndrimit shtetëror.

    “Votimi i deputetëve të caktuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës nuk nënkupton edhe qëndrim të Qeverisë së Malit të Zi. Zonja Vukicevic atje paraqiti qëndrimin e saj dhe të partisë së saj dhe dua të përkujtoj se Qeveria e Malit të Zi, e cila ka karakter heterogjen, megjithatë, pavarësisht shumicës parlamentare, është në koalicion dhe pjesë e marrëveshjes ishin edhe disa obligime. Këtu përfshihet edhe përkrahja ndaj Kosovës si shtet sovran. Andaj dua të nënvizoj se Mali i Zi në takimin e ministrave në maj do të përkrahë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por edhe në të gjitha çështjet e ardhshme në aspektin e euro-integrimeve”, tha Gorçeviq.

    Jo diçka të re, i vlerësoi zëvendëskryeministri Bislimi votat kundër nga Serbia.

    “Serbia veçse i ka shkelë pothuajse të gjitha nenet e marrëveshjes bazike, por ndoshta pa qëllim ata i kanë bërë një nder Kosovës me prezencën e tyre, sepse kanë ndihmuar në formimin e kuorumit, rrjedhimisht ata i kanë bërë një shërbim indirekt anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, por duke shkelë në të njëjtën kohë marrëveshjen bazike dhe duke ekspozuar qëndrimin e tyre ndaj fqinjësisë së mirë që për ne përbën vlerë shumë të rëndësishme”, shtoi tutje Bislimi.

    Ndryshe, të mërkurën, dy nga tri votat e Malit të Zi në Komitetin për Politikë dhe Demokraci të Këshillit të Evropës ishin në favor të anëtarësimit të Kosovës.

    Marrëveshja e nënshkruar të premten, sipas qeverive të dy shteteve, do të ndihmojë në avancimin e marrëdhënieve, thellimin e bashkëpunimit dhe zhvillimin e zonave ndërkufitare, me theks turizmin./atvlive.tv/

  • Fillojnë punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’/ 1.3 milion euro kontratë e negociuar, për ndërrimin e barit

    Fillojnë punimet në stadiumin ‘Fadil Vokrri’/ 1.3 milion euro kontratë e negociuar, për ndërrimin e barit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI

    Punimet për zëvendësimin e barit në stadiumin e kryeqyteti nisën këtë të premte. Për tenderin 1.3 milionësh, Ministria e Kulturës ndoqi procedurën e negociuar, për çka kryetari i Federatës Agim Ademi dha sqarim.

    Kompania turke, e cila është përzgjedhur për ndërtimin e një sistemi të ri të fushës, premtoi që punimet do të kryhen brenda tre muajsh.

    Përveç barit hibrid, që do të jetë investimi i parë i këtij lloji në Kosovë, do të trajnohet edhe stafi për mirëmbajtjen e fushës. Ndërkohë, operatori ekonomik do t’i sjellë edhe makineritë përkatëse.

    Kosova është detyruar që të dy miqësoret e muajit mars t’i zhvillojë si mysafire për shkak të terrenit në “Fadil Vokrri”./atvlive.tv/

  • ​1660 ankesa nga qytetarët, Avokati i Popullit dorëzon raportin vjetor në Kuvend

    ​1660 ankesa nga qytetarët, Avokati i Popullit dorëzon raportin vjetor në Kuvend

    Avokati i Popullit ka dorëzuar sot raportin për vitin 2023 në Kuvendin e Kosovës, në të cilin paraqet gjendjen e të drejtave të njeriut dhe ofron një analizë të shkeljes së të drejtave të individëve apo grupeve shoqërore në vendin tonë.

    Në vitin 2023, Avokati i Popullit ka pranuar 1660 ankesa nga qytetarët e Kosovës, me pohime ankimore për shkelje të të drejtave dhe të lirive të njeriut nga autoritetet publike në Kosovë.

    Nga rastet e shqyrtuara gjatë këtij viti, autoriteteve u janë adresuar 836 rekomandime, nga të cilat 300 janë rekomandime nga hetimet e përfunduara në këtë vit, ndërsa 536 janë rekomandime të bartura nga viti paraprak, me afat zbatimi në vitin për të cilin raportohet.

    Zvarritjet në procedurat gjyqësore përbëjnë numrin më të madh të ankesave të pranuara duke u mohuar qytetarëve të drejtën për gjykim të drejtë, ka bërë të ditur Avokati i Popullit.

    Ankesat tjera kanë të bëjnë me të drejtën për mjete juridike, me të drejtën e punës dhe ushtrimit të profesionit, me mbrojtjen shëndetësore dhe sociale, me mbrojtjen e pronës, me barazinë para ligjit, me të drejtat e të akuzuarit, me të drejtat e fëmijës etj.

    Raporti përmban rekomandime për autoritetet përgjegjëse për çështjet që janë trajtuar nga Avokati i Popullit, por edhe opinione dhe propozime për ndërmarrjen e masave për të kontribuar dhe vetëdijesuar në ngritjen e respektimit të të drejtave të njeriut.

    Sa i përket zbatimit të rekomandimeve të Avokatit të Popullit nga ana e autoriteteve, raporti gjen se niveli i zbatimit është 28 për qind, dukshëm më i lartë se sa në vitet e kaluara, por megjithatë kërkohet më shumë angazhim për rritjen e zbatimit deri në arritjen e nivelit kur zbatohen të gjitha rekomandimet.

  • ​Intervistimi i Martin Berishajt, avokati Gashi: Nuk jap detaje, deklarata është konfidenciale

    ​Intervistimi i Martin Berishajt, avokati Gashi: Nuk jap detaje, deklarata është konfidenciale

    Avokati Tomë Gashi ka reaguar pas raportimeve se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në Prishtinë.

    Në llogarinë e tij në Facebook, Gashi tha se Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqitur kërkesë, për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe se deklarata e tij është konfidenciale.

    Ai shtoi se si avokat i Berishajt, nuk mund të japë detaje në lidhje me këtë deklaratë.

    ​Martin Berishaj po intervistohet nga Prokuroria Speciale