ATV

Category: Lajme

  • Qytetari gjen 10 mijë euro në Rahovec dhe ia dorëzon Policisë

    Qytetari gjen 10 mijë euro në Rahovec dhe ia dorëzon Policisë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se një qytetar ka raportuar se ka gjetur një shumë parash në vlerë prej 10 mijë euro, të cilat më pas i ka dorëzuar në polici.
    Sipas njoftimit të Policisë, paratë e gjetura tashmë i janë kthyer pronarit.

    “Me datën 07.04.2024, derisa zyrtarët policorë të Stacionit Policor në Rahovec, ishin duke trajtuar ankesën e një qytetari për humbjen e një shume parash, në vlerë prej 10 mijë euro, ishte paraqitur zoti Himaj nga fshati Gexhë i cili kishte gjetur këto para dhe të njëjtat i ka dorëzuar. Paratë e gjetura i janë kthyer pronarit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

    “Zoti Himaj përveç që ka treguar një veprim ndershmërie, ky akt reflekton edhe besimin ndaj Policisë së Kosovës”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

  • Nënshkruhet marrëveshja për transformimin e Pallatit të Rinisë

    Nënshkruhet marrëveshja për transformimin e Pallatit të Rinisë

    Është nënshkruar marrëveshja për transformimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë.

    Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit më krye shefen e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”, Mrika Gashi.

    “Sot kemi nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Mrika Gashin, krye shefe e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”. Në planin tonë të investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor”, ka njoftuar ministri Hajrulla Çeku.

  • ​LDK i quan të pavërteta deklaratat e Qeverisë se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare

    ​LDK i quan të pavërteta deklaratat e Qeverisë se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare

    Lidhja Demokratike e Kosovës përmes një komunikate i ka quajtur të pavërteta deklaratat e Qeverisë së Kosovës, se Kosova ka përparuar në indekset ndërkombëtare.

    Sipas LDK-së Qeveria e Kosovës po mundohet të manipulojë me raportet e publikuara tashmë.

    “Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur dhe konferencë për medie për të shprehur shqetësimin e saj për Raportin e BE-së, ku Kosova ishte vlerësuar me notën më të ulët “progres i limituar”; pra është niveli më i ulët i progresit. Ky raport është më i keqi ndonjëherë ndër vite. Raporti përveç tjerash theksoi shqetësimet për keqmenaxhimin dhe korrupsionin. Nuk ka se si të ishte më ndryshe, ku në po të njëjtin raport përmenden kontratat sekrete. Pra ka propagandë nuk ka luftë kundër korrupsionit! LDK ripërmend fatkeqësisht, se Kosova për herë të parë në historinë e saj është ende nën sanksione të BE-së. Për këtë raport krenohet kjo Qeveri”, thuhet në komunikatë.

    LDK-ja ka përmendur se më parë ka ngritur shqetësimet pas publikimit të Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit, ku Kosova sipas tyre ishte vlerësuar vetëm me 41 pikë.

    “Sipas Transparency International, Kosova vendin e 83-të e ndau me Burkina Fason, Afrikën e Jugut e Vietnamin. Po ashtu Kosova ishte e renditur pas Malit të Zi e pas Maqedonisë së Veriut. Përveç tjerash, radhitja e shteteve në këtë indeks nuk tregon asgjë sepse vendet mund të ndryshojnë renditje pa pasur asnjë përmirësim. Vetëm gjatë qeverisjes së LDK-së (2014-2017), Kosova u ngrit nga 33 poena, në 39 në Transparency International, që do të thotë se pushteti e mori mandatin me 39 poena dhe nuk e ngriti më shumë se 2. Pra ka propagandë, nuk ka lëvizje në indekset ndërkombëtare”, thuhet tutje.

    Ndërkaq LDK bënë me dije se raportet janë publike dhe lehtë të verifikueshme dhe demantojnë çdo propagandë.

    “LDK e vlerëson këtë Qeveri si; Qeveri e regresit, propagandës dhe e paaftësisë. LDK po ashtu beson se qytetarët tanë janë të vetëdijshëm të dallojnë propagandën ndaj të gjitha fakteve që po ofrojmë; fakte të publikuara nga institucionet ndërkombëtare e vendore që e demantojnë çdo mashtrim të kësaj Qeverie”, përfundon njoftimi.

  • ​Në mungesë të kuorumit dështon mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë

    ​Në mungesë të kuorumit dështon mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë

    Në mungesë kuorumi ka dështuar të mbahet mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë.

    Kryetari i këtij komisioni, Bekë Berisha tha se teksa po prisnin numrin e nevojshëm të deputetëve, nënkryetari Enver Dugolli e ka lëshuar sallën.

    Në rend dite të kësaj mbledhje ka qenë projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes kornizë ushtarake ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Turqisë.

    Po ashtu edhe shqyrtimi i raportit me propozim amendamente për Projektligjin për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Mbrojtjes.

  • Mbi 7 mijë intervista në terren, ASK njofton për progresin e sfidat lidhur me regjistrimin e popullsisë

    Mbi 7 mijë intervista në terren, ASK njofton për progresin e sfidat lidhur me regjistrimin e popullsisë

    U.d kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati ka deklaruar se deri më tani janë përfunduar 7 mijë e 643 intervista sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë. Sipas tij, çdo gjë është duke shkuar sipas planifikimeve, porse sfidë mbetet komuniteti serb në disa pjesë të vendit, pasi siç tha ai, ende nuk kanë filluar në atë pjesë.

    Kastrati në një konferencë për media të hënën derisa ka njoftuar lidhur me ecurinë e punës në terren për regjistrimin e popullsisë, Ekonomive Familjare, dhe Banesave në Kosovë, ka theksuar se në veri për shkak të disa trajnimeve ende nuk ka filluar ky proces në atë pjesë të Kosovës.

    “Gjatë këtyre ditëve në terren kemi angazhuar regjistrues, mbikëqyrës dhe një numër të madh të institucioneve tjera mbështetëse. Procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë më herët… Aktualisht kemi 98 për qind të regjistrueseve që kemi paraparë, ndërsa aktiv në terren janë rreth 90 për qind. Kemi disa sfida në angazhimin e regjistruesve të komunitetit serb në disa pjesë, jo në gjithë Kosovën dhe presim të tejkalohen… Ishim në pjesën veriore dhe presim që ditëve në vijim edhe ata do të angazhohen në regjistrim. Të gjitha aktivitetet kemi hyrë në fazën e grumbullimit të të dhënave në terren, pajisjet janë funksionale, njëkohësisht sistemi është duke funksionuar pasi ka qenë sfidë. Gjitha aktivitetet e parapara deri më tani janë në linjë me planin”, tha Kastrati.

    Ai ka shtuar se nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë.

    Derisa ka njoftuar që ka qenë në vizitë në pjesën veriore të vendit, ai ka thënë se përfaqësuesit nga komunitetet serb kanë shprehur gatishmëri të popullsisë të regjistrohen.

    “Që nga tani regjistruesit do të punojnë me kapacitet të plotë, kanë pas për detyrë të shpërndajnë disa materiale informuese dhe që nga tani do të zhvillohen intervistat e plota sipas planit dhe rekomandimeve… Gjitha komunitetet janë duke marrë pjesë në regjistrim dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu. Kemi edhe institucione tjera ndërkombëtare që do ta monitorojnë procesin e regjistrimit… 5:04 Vet isha në pjesën veriore, dhe jemi takuar me përfaqësues të komunitetit serb dhe ka një gatishmëri edhe të popullsia të regjistrohen, kanë kërkuar disa dite afat qe te trajnohen dhe ne jemi dakord. Shpresojmë se do jenë në terren të grumbullojnë të dhëna. Popullsia është sfidë edhe për ata vet dhe presim të grumbullojmë të dhëna edhe për atë pjesë”, tha Kastrati.

    I pyetur për thirrjen për bojkot nga Lista Serbe, ai ka thënë përveç ASK-së janë gjitha institucionet e përfshira, sidomos të sigurisë dhe gjyqësor. Poashtu është thënë se është angazhuar edhe juristi Mazllum Baraliu.

    Ndërsa, për këtë profesori, Mazllum Baraliu ka thënë se është çështje e KQZ-së ta vlerësojë dhe të ndërmarrë hapat e duhur.

    “Është çështje ligjore, dhe ka procedurë, procedurat e ligjit për vetëqeverisje lokale parashohin atë, dhe është çështje e KQZ-së që ta vlerësojë dhe pastaj të ndërmarrë hapat e duhur”, tha Baraliu.

    Ndërkaq, Burim Limolli shef i IT-së në ASK, derisa ka treguar të dhënat, ka njoftuar se gjitha etnitetet janë duke marrë pjesë në këtë proces dhe sipas tij çdo gjë është nën kontroll nga sistemi i IT-së. I njëjti ka shtuar se kanë kërkuar që dy intervista të bëhen në ditë.

    Ndryshe, Kastrati ka thënë se aplikacioni është në katër gjuhë, shqip, anglisht, turqisht dhe serbisht./kp

  • Izraeli vret komandantin e Hezbollahut në Liban

    Izraeli vret komandantin e Hezbollahut në Liban

    Një sulm izraelit në Libanin jugor të hënën herët vrau një komandant në terren të grupit libanez të armatosur rëndë Hezbollah, ndërsa Kombet e Bashkuara paralajmëruan se bombardimet po përhapeshin dhe kërkuan ndalimin e dhunës.

    Hezbollahu dhe ushtria izraelite kanë shkëmbyer zjarr përgjatë kufirit jugor të Libanit paralelisht me luftën në Gaza, duke shtuar frikën për një konflikt më të gjerë rajonal.

    Të hënën herët, avionët luftarakë izraelitë goditën fshatin al-Sultaniyah dhe vranë një komandant në terren në njësitë elitare të Hezbollahut Radwan dhe dy persona të tjerë, thanë ushtria izraelite dhe dy burime libaneze të sigurisë.

    Ushtria izraelite e identifikoi komandantin si Ali Ahmed Hassin dhe tha se ai ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve kundër izraelitëve. Hezbollahu lëshoi një njoftim funerali për Hassin, por pa detaje të rolit të tij.

  • Aktakuzë kundër dy personave, mashtruan me subvencione dhe dëmtuan buxhetin mbi një milion euro

    Aktakuzë kundër dy personave, mashtruan me subvencione dhe dëmtuan buxhetin mbi një milion euro

    Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të hetimeve, mbledhjes dhe analizimit të provave, ka ngritur aktakuzë ndaj S.S. dhe A.F., pasi në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi me subvencione”, sipas KPRK-së.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri S.S., gjatë vitit 2020, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme, në cilësinë e pronarit të kompanisë, ka paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, duke falsifikuar dokumentacionin kinse ka lidhur kontrata me disa persona dhe me të njëjtat ka aplikuar për projektin “Investimet në asetet fizike në përpunimin dhe tregtimin e prodhimeve bujqësore”, me ç’ rast ka përfituar grantin në vlerë totale të projektit të financimit 398.810.00 €.

    Po ashtu, të pandehurit S.S. dhe S.F., në periudhën 2018-2021, në bashkëkryerje, për qëllime të njëjta, kanë bërë mashtrim me subvencione, duke paraqitur të dhëna të pa sakta në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, përmes hartimit të dokumentacionit të falsifikuar për plotësim të kritereve dhe poentim sa më të lartë, më konkretisht falsifikimit të kontratave kinse për furnizim të lëndës së parë, ashtu që me të njëjtat kanë aplikuar për përfitimin e grantëve për projektin ”Përpunimi i pemëve dhe perimeve’’ dhe mbi bazën e dokumenteve fiktive kanë arritur ta përfitojnë shumën prej 398,184.00 €.

    Ndërsa, gjatë vitit 2020, dy të pandehurit, me veprime të ngjashme kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme grantin në shumën prej 399,996.00€.

    Prokurori i Shtetit, me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar gjykatës kompetente që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila iu vihet në barrë, si dhe ka propozuar që të konfiskohet nga të pandehurit dobia pasurore e fituar nga vepra penale, për kompensimin e dëmit të shkaktuar buxhetit të Kosovës.

  • Gërxhaliu: Ka tendenca që të politizohen statistikat që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik

    Gërxhaliu: Ka tendenca që të politizohen statistikat që kanë të bëjnë me zhvillim ekonomik

    Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë për EO se kohëve të fundit ka tendenca që të politizohen skajshmërisht statistikat që kanë të bëjnë me rritje e zhvillim ekonomik.

    Sipas Gërxhaliut, ekziston rreziku që të humb besimi edhe në analiza statistikore. Ai kërkon që ekonomia të depolitizohet dhe ekspertët ta thonë rezultatin konkret të analizave.

    “Ajo që është për t’u brengosur në Kosovë është politizimi i skajshëm i çdo pore të shoqërisë kosovare, në këtë drejtim gjithmonë kemi theksuar që statistika në Kosovë jep rezultate të sakta të të dhënave të gabuara, mirëpo ajo tendenca që po vërehet kohëve të fundit është një politizim i skajshëm i statistikave dhe në këtë drejtim ky politizim është shndërruar në një debat mes pozitës dhe opozitës por edhe mes pozitës dhe ekspertëve të fushave të caktuara. Nuk mund të ketë progres dhe zhvillim ekonomik, pa një analizë të thuktë ekonomike, nuk mund të ketë zhvillim ekonomik drejtë ardhmërisë pa rezultate të sakta dhe konkrete të indikatorëve ekonomik në Kosovë dhe më e keqja që i ndodh shoqërisë që tenton të jetë pjesë e familjes evropiane është kur humbet besimi edhe në analiza statistikore”, u shpreh Gërxhaliu.

    Profesori universitar kërkon që politika të mendojë për jetën e qytetarit në përditshmëri dhe jo vetëm në kohë fushate.

    “Prandaj, definitivisht është koha kur duhet ekonomia të depolitizohet, është koha kur ekspertë të fushave ta thonë rezultatin konkret të analizave dhe jo gjithmonë politika dhe politikanët të jenë determinues të fatit të numrave dhe indikatorëve ekonomik. Besoj që indikatori kyç që po anashkalohet nga institucionet vendore është ajo çka mendon sot qytetari, si jeton sot qytetari dhe çfarë ardhmërie po i ofrohet qytetarit dhe besoj se kjo duhet të jetë brenga e të gjithë atyre që janë akterë në politikë, atyre që duhet të mendojnë më tepër për shtet dhe për qytetarin dhe jo vetëm për kalkulim votave dhe për pushtet”, deklaroi ai, teksa citon Teorinë e Keinsit, i cili thotë se inflacioni është mekanizmi kyç për ta varfëruar një popull.

    “Definitivisht inflacioni ka lënë gjurmë të veta, është e vërtetë që ngritja e çmimeve ka qenë shumë e shpejtë dhe shkenctarisht thuhet se ‘çmimet ngritën shpejtë por nuk vijnë në stadet fillestare’ dhe kur kësaj i shtohet fakti i një teorie të Keinsit i cili thotë se ‘nëse dëshiron që ta varfërosh një shtet dhe ta rritësh buxhetin e shtetit në dëm të qytetarëve, atëherë inflacioni është mekanizmi kyç’. Kemi ngritje të çmimeve, kemi stagnim në ulje të çmimeve, kemi kontrolle të ulët të qasjes spekulative dhe kur krejt kësaj i shtohet fakti që e kemi pagën minimale më të ultë në rajon, e kemi pagën mesatare më të ultë në rajon dhe Kosova po zbrazet mu nga arsyet e ndryshme ekonomike dhe sociale”, u shpreh Gërxhaliu.

  • Zelensky: Ukraina do ta humbë luftën nëse nuk e ndihmon Kongresi amerikan

    Zelensky: Ukraina do ta humbë luftën nëse nuk e ndihmon Kongresi amerikan

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë se Ukraina do ta humbë luftën kundër Rusisë, nëse Kongresi amerikan nuk e miraton një paketë të madhe të ndihmës ushtarake, teksa forcat ruse e rrisin prezencën në vijën e frontit.

    Ushtria ukrainase e ka pranuar se luftimet rreth vijës së frontit në qytetin Çasiv Jar janë “të vështira”, mirëpo forcat janë duke rezistuar.

    Ukraina vazhdon të kërkojë ndihmë urgjente prej Shteteve të Bashkuara, sidomos për paketën e propozuar në vlerë të 60 miliardë dollarëve, e cila është bllokuar që disa muaj nga republikanët në Kongres.

    “Është e nevojshme që specifikisht t’i tregojmë Kongresit që nëse Kongresi nuk i ndihmon Ukrainës, Ukraina do ta humbë luftën”, ka thënë Zelensky përmes një video-incizimi.

    Do të jetë e “vështirë” për Ukrainën “të mbijetojë pa ndihmë”, ka thënë Zelensky.

    “Nëse Ukraina humb luftën, shtetet tjera do të sulmohen”.

    Rusia i ka rritur sulmet në Çasiv Jar teksa teton të rrisë territorin nën kontrollin e saj.

    Çasiv Jar është më pak se 30 kilometra prej Kramatorskut, një zonë e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase.

    “Situata është e vështirë dhe e tensionuar”, ka thënë Oleg Kalashnikov, zëdhënës për brigadën ushtarake të angazhuar në atë zonë.

    Republikanët konservatorë në Kongresin amerikan hezistojnë të miratojnë ndihmën ushtarake për Ukrainën, me arsyetimin se nevojiten reforma të thella për imigrimin në Shtetet e Bashkuara.

    Presidenti amerikan, Joe Biden, në anën tjetër, e ka përmendur disa herë nevojën kritike për ta mbrojtur Ukrainën kundër pushtimit rus.

    Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.

    Presidenti rus Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

    Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

    Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

  • Vdes këmbësorja që u aksidentua nga motoçikleta mbrëmë në Emshir

    Vdes këmbësorja që u aksidentua nga motoçikleta mbrëmë në Emshir

    Ka ndërruar jetë një 68-vjeçare e cila u godit nga një motoçikletë mbrëmë në lagjen Emshiri, të Prishtinës.

    Policia ka njoftuar se vdekjen e viktimës N.L, femër, 68 vjeç, e ka konfirmuar sot rreth orës 07:30, ekipi mjekësor në QKUK.

    “Mbrëmë në ora 20:25, kemi pranuar informatën se në lagjen Emshir në Prishtinë ka ndodhur një aksident trafiku me lëndime të rënda trupore. Në këtë aksident, kanë qenë të përfshirë një këmbësore dhe një motoçikletë. Si pasojë e aksidentit, lëndime të rënda trupore ka pësuar këmbësorja e cila nuk ka arritë të përballojë plagët dhe e njëjta ka ndërruar jetë. Vdekjen e viktimës N.L, femër, 68 vjeç, e ka konfirmuar sot rreth orës 07:30, ekipi mjekësor në QKUK. Aktualisht policia ka nis një hetim për zbardhjen e rrethanave që kanë çuar deri te ky aksident trafiku, ndërkohë që ngasësi i motoçikletës është në kërkim nga ana e policisë”, njofton policia.