Policia e Kosovës e ka shoqëruar në stacionin policor një person të dyshuar, pasi në automjetin e tij në Zveçan janë gjetur mallra që dyshohet se janë kontabanduar nga Serbia.
“Është shoqëruar në stacionin policor i dyshuari mashkull serb, pasi që në automjetin e tij janë gjetur mallra (ëmbëlsira) pa dokumentacion përkatës dhe dyshohet që janë të kontrabanduara nga Serbia”, thuhet në raportin e policisë.
Sot bëhen 16 vjet nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ajo u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të po atij viti.
Kushtetuta është akti më i lartë juridik, që garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Pjesa më e madhe e kësaj kushtetute rrjedh nga Plani i ish-presidentit finlandez Martti Ahtisaari, duke i dhënë kështu të drejta specifike grupeve minoritare dhe një ambient më të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës.
Kushtetuta e definon Kosovën si një shtet me pikëpamje neutrale ndaj fesë – neni 8. Ajo ka 14 kapituj dhe 162 nene.
9 Prilli është zyrtarisht festë shtetërore në Kosovë që do të thotë se institucionet sot e kanë ditë pushimi.
Sot shënohet 25 vjetori i Betejës së Koshares, ku ranë 114 Dëshmorë të Kombit dhe 25 vjetori nga lufta e “Lagjes së Re” dhe të Rakocit ku kishin rënë 28 dëshmorë dhe 32 martirë në Kaçanik.
Për të nderuar të rënët sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bën homazhe dhe vendos kurora me lule në vendin e rënies, pranë lapidarit të ngritur në Lagje të Re, në Rakoc si dhe në Kompleksin Memorial “Varrezat e Dëshmorëve”, Kaçanik.
Po ashtu Kurti, merr pjesë në manifestimin qendror “Ditët e Shqipes” 2024. Ai do të bëj homazhe si dhe merr pjesë në manifestim në Kompleksi Memorial në Koshare.
Beteja e Koshares më 9 prill 1999, në kuadër të operacionit “Shigjeta”, është njëra ndër më të përgjakshmet dhe më heroiket e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Thyerja e kufirit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë shënoi jo vetëm një fitore morale për UÇK-në, por ajo i hapi rrugë furnizimit me armatim dhe mbështetje logjistike për shumë zona të luftës në brendësi të Kosovës.
Përpjekjet për të arritur një marrëveshje që forcat serbe të tërhiqeshin nga territori i Kosovës, kishin rezultuar pa sukses. Ndërkohë, pas Rambujesë ishte formuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës dhe caqet ushtarake dhe paramilitare serbe ishin sulmuar nga forcat e aleancës veri-atlantike NATO.
Në aspektin strategjik beteja e Koshares kishte rëndësi të veçantë jo vetëm marrjen dhe pastrimin e kufirit por edhe krijimit të prapavijës së qëndrueshme për mbështetje dhe operacione logjistike, ndihmë mjekësore etj.
Thyerja e kufirit në Koshare jo vetëm që shënoi një fitore të madhe morale, por ajo edhe praktikisht mundësoi furnizimin e luftës me armatim dhe municion.
Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë kishte edhe rëndësinë juridike në të drejtën ndërkombëtare. Kjo pamundësonte kontrollin e forcave serbe mbi territorin që ndante në mes një komb të vetëm, shuante ndikimin e dhunshëm shtetëror dhe integritetin territorial të pretenduar.
Beteja e Koshares mbetet një nga përballjet e suksesshme të forcave të UÇK-së jo vetëm për bilancin e të vrarëve nga pala e armikut, por dhe me efektin që pati ky sukses në forcimin e besimit të popullsisë së zonës tek UÇK-ja dhe aleatët e saj. Kjo betejë u bë motiv për shtimin e radhëve të vullnetarëve që i bashkoheshin UÇK-së në front.
Triumfi i luftëtarëve nga mbarë trojet e Kosovës, të bashkuar në Brigadën 138, në krye të së cilës ishte komandanti Agim Ramadani, bëri që të shembet muri gati njëqindvjeçar i vënë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë.
Beteja e Koshares ishte njëra ndër hallkat më të fuqishme në zinxhirin e pakëputshëm të historisë kombëtare dhe si e tillë do të përkujtohet gjithmonë ndër shqiptarë.
Kryetarët shqiptarë të komunave veriore mund ta çojnë deri në fund mandatin.
Pas thirrjes për bojkot të votimit për shkarkimin e tyre, Lista Serbe të hënën largoi edhe anëtarët nga Komisionet Komunale Zgjedhore.
Ky vendim i duket paksa i çuditshëm shoqërisë civile në veri, për faktin se Lista Serbe mori pjesë në hapin e parë, që ishte peticioni.
Megjithatë, thonë se partia më e madhe serbe në Kosovë e di se nuk mund t’i mbledhin aq vota sa kërkohet.
“Vendimi për bojkotim është befasues në njërën anë, pasi vjen pas nënshkrimit të peticionit, dhe në parim ishte pranim se do të merrnin pjesë në këtë proces, por në anën tjetër nuk është edhe aq befasues, sepse mendoj se vendimi është se ata nuk do të mund të mbledhin votat e mjaftueshme. Ne të gjithë kemi folur për atë se është e pamundur të mblidhen tërë ato vota tash, pasi shumë qytetarë janë jashtë Kosovës tash. Ata kanë pritur që kryetarët do të japin dorëheqje, sepse peticioni u pa si një vullnet i mirë nga serbët lokalë”, tha Aleksandar Sljuka nga OJQ “Nisma e Re Sociale”.
Ndërsa, politologu Fidan Ukaj thotë se komisionerëve të Listës Serbe ua ka prishur pak punën edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, kur vendosi që nëpër qendra të votimit të ketë kamera.
“Vendosja e kamerave nëpër vendvotime e ka frikuar Listën Serbe dhe e ka parandaluar manipulimin me listat zgjedhore, siç duket në të kaluarën ka ndodhur një gjë e tillë me mundësi që njerëzit kanë votuar më shumë se një herë për njerëzit që nuk kanë qenë prezent në veri të Kosovës dhe tanimë vendosja e kamerave nëpër vendvotime e rrit transparencën e po ashtu e parandalon këtë keqpërdorim”, tha Ukaj.
Me a pa ta, procesi i votimit për shkarkimin e kryetarëve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq e Zubin Potok, do të mbahet më 21 prill.
Në rast se nisma dështon, një votim i tillë nuk mund të organizohet të paktën edhe për një vit.
Mbi 7 mijë e 600 intervista kanë përfunduar sa i përket procesit të regjistrimit të popullsisë nga 5 prilli e deri të hënën.
Këtë shifër e tregoi në konference për media, kryesheshefi ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati.
Sipas tij, java e parë e regjistrimit, deri tash është duke shkuar sipas planit.
“Kemi angazhuar regjistruesit, mbikëqyrësit dhe procesi është duke shkuar sipas planifikimit që kemi bërë herët. Aktualisht i kemi 98 për qind të mbikëqyrësve që kemi paraparë, 90 për qind e regjistruesve janë aktiv”, tha Kastrati.
Por, sfidë për ASK-në mbetet regjistrimi i komunitetit serb në veri të vendit, pasi disa regjistrues janë tërhequr nga ky proces. Kastrati thotë se janë duke punuar në zëvendësimin e tyre.
“Aktualisht kemi disa sfida nga komuniteti serb në disa pjesë, jo në gjithë Kosovës, dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë, supozohet që ditëve në vijim do të angazhohen edhe ata…”, tha Kastrati.
Profesori universitar Mazllum Baraliu, thotë se secili individ ose komunitet që nuk merr pjesë në regjistrimin e popullsisë, do ta dëmtojë komunën ku banon.
Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave në Kosovë ka filluar nga data 5 prill dhe do të zgjasë deri më 17 maj 2024.
Procesi gjyqësor rreth akuzave të Prokurorisë Speciale për keqpërdorime në tenderin për ndërtimin e autostradës së Gjilanit është pothuajse në përfundim.
Të hënën gjatë fazës së mbrojtjes, ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, tha se operatori “Gjoka Construktion”, i ka përmbushur kriteret për të fituar tenderin, sipas tij, me një çmim të ulët.
Prokuroria Speciale në aktakuzë pretendon se Reçica si ushtrues i detyrës së drejtorit të prokurimit publik në MI, ushtroi ndikim me qëllim të përfitimit financiar për këtë kompani.
Aktakuza thotë se presioni nga Reçica që rivlerësimin e tenderit ta kryejnë për 10 ditë ishte mbi tre të akuzuarit tjerë, Isa Berisha, Leonora Limani e Mirdit Emini, anëtarë të komisionit. Por, afati, sipas tij, ishte caktuar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.
Reçica ka mohuar edhe tjetrën pikë të aktakuzës që flet rreth blerjes së një veture.
Tre të akuzuarit e tjerë në këtë rast kanë shfrytëzuar të drejtën të mbrohen në heshtje.
Sipas aktakuzës, Reçica sa ishte në MI vendosi që 14 zyrtarë të kësaj Ministrie të paguhen shtesë, por ai gjatë mbrojtjes mohoi se pati veprime të kundërligjshme.
Sipas PSRK-së, Reçica kishte kërkuar nga anëtarët e komisionit që të shkojnë në takim me ish-ministrin Pal Lekaj, e më pas ta shpallin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion”.
Komisioni Rivlerësues, sipas aktakuzës, kishte rekomanduar kompaninë “Papenburg Adriani”.
Reçicës në shkurt të këtij viti i është konfirmuar edhe aktakuza në një rast tjetër, për keqpërdorim të detyrës zyrtare në projektin e rrugës Prizren – Prevallë.
Komuna e Rahovecit synon të realizojë projekte të reja gjatë vitit aktual.
Por mjetet për t’i paguar punëkryesit mungojnë, meqë Ministria e Financave, akoma nuk ia ka bartur të hyrat vetjake komunës.
“Ne i kemi paraparë edhe disa projekte, sepse ligji na e lejon, nëse vonohen me këtë vendim, atëherë problemet janë sepse këto projekte iu janë nënshtruar procedurave të prokurimit dhe kontrata nuk mundë të lidhet pa i pasur mjetet në dispozicion. Problemi tjetër ne kemi parapa që një pjesë e mjeteve të bartet në mallra shërbime, sepse kemi deficit në këtë kategori”, tha drejtori për buxhet dhe financa në Komunën e Rahovecit, Afrim Limani.
Komuna e Rahovecit ka edhe fatura për të paguar në kohë të limituar. Kështu që bartja e të hyrave vetjake kërkohet me urgjencë nga drejtori për Financa në Rahovec.
“Ne i kemi dy fatura që janë në pritje dhe sipas ligjeve që janë në fuqi, operatori në momentin kur fatura nuk ekzekutohet brenda 60 ditëve, atëherë ka të drejtë të iniciojë procedura përmbarimore. Realisht kemi hapësirë edhe diku dhjetë ditë, shpresoj që brenda kësaj kohe të na alokohen mjetet. Vlera e faturave është 435 mijë euro”, tha Limani.
Në pritje të bartjes së të hyrave vetjake, janë edhe komunat e tjera të Kosovës.
“Janë në pyetje dhjetëra miliona euro, nuk po flasim për një apo dy milion euro, por dhjetëra miliona euro, dhe gjitha këto mjete përkthehen në investime kapitale, shumica absolute e tyre janë për investime kapitale, por ka edhe për subvencionime e tjera dhe gjithçka është duke u vonuar… kërkojmë nga niveli qendror që sa më parë këto mjete financiare t’i bartë në komuna, sepse ato janë të komunave”, tha drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi.
Drejtori i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, thotë se vonesa e bartjes së të hyrave vetjake, prodhon dëme zinxhirore për komunat.
“Nëse një projekt ka mbaruar dhe komuna nuk mundë ta kryejë pagesën, atëherë operatori ekonomik e ka të drejtën ligjore t’i kërkojë ato mjete përmes përmbaruesit, dhe tash kostoja e përmbaruesit rritet dhe kjo kosto nuk është e paraparë me buxhetin komunal dhe komunat duhet t’i marrin nga një vijë tjetër buxhetore, pastaj mundë të lejë moszbatim të një projekti tjetër i cili është i paraparë… Atëherë raportet e auditimit të komunave nuk dalin pozitive”, tha Ibrahimi.
Lidhur me shqetësimet e komunave, Ministria e Financave nuk ktheu përgjigje të hënën.
Vonesa në bartjen e të hyrave vetjake të komunave nga niveli qendror, ka pasur edhe vitin e kaluar.
Të paktën edhe për dy vjet kompania private KESCO do të vazhdojë monopolin në furnizimin me energji elektrike në Kosovë.
Javën e kaluar, pas prezantimit të raportit, i cili konstaton se ka përqendrim të lartë të tregut dhe mungesë likuiditeti, Zyra e Rregullatorit për Energji vendosi që kompania turke të vijojë të jetë furnizues i shërbimit universal, që është i barasvlershëm me obligimin e shërbimit publik me kushte të rregulluara.
Ky obligim vendoset kur ka dominim të tregut nga një kompani, që në rastin e Kosovës mundësohet nga marrëveshja për furnizim me shumicë KEK-KESCO, si pjesë e procesit të privatizimit.
Marrëveshja vijon të mbetet e paprekur, përkundër se Bashkimi Evropian e vlerëson atë si pengesë kyçe në raport me liberalizimin e tregut.
“Kosova ende nuk ka bërë progres në ristrukturimin e marrëveshjes ekzistuese për furnizim me shumicë ndërmjet Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK). Largimi nga marrëveshja e furnizimit me shumicë do të kontribuonte në zhbllokimin e konkurrencës dhe likuiditetit në treg, për të mirën e konsumatorëve të energjisë në Kosovë”, thuhet në raportin e Komisionit Evropian.
Teksa shprehen të pafuqishëm për veprim, me arsyetimin se gjatë privatizimit janë përjashtuar nga marrëveshja, në ZRRE shpresojnë në hapje të tregut.
“ZRRE-ja e ka përkrahë edhe krijimin e bursës shqiptare (ALPEX), bashkimin e tregut me Shqipërinë. Dhe si e tillë, ky është një parakusht dhe një lehtësim për sjelljen e konkurrencës në vend dhe shpresojmë që në vitet në vazhdim do të kemi konkurrencë të mjaftueshme dhe të kemi mundësi që edhe ne, konsumatorët, të zgjedhin në mënyrë vullnetare të shkojnë të zgjedhin furnizuesit komercialë. Të mos ketë nevojë që ZRRE-ja në të ardhmen të përcaktojë tarifat”, tha kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu.
Megjithatë, gjendja faktike e dominimit të plotë, sipas ekspertit të energjisë Naim Bujupi, nuk jep shpresë për liberalizim të tregut së shpejti.
“KESCO-ja, e cila mbulon 99% të tregut me pakicë, dhe kjo tregon që në një të ardhme të afërt do ta kemi të pamundur të ndërtojmë një treg likuid. Shto faktin se ekziston marrëveshja mes KEK-ut dhe furnizuesit publik për shitblerje të energjisë për rreth 30 euro për megavat orë, që një çmim tejet i ulët krahasuar me çmimin e tregut dhe kjo i pengon që të futen furnizuesit e rinj në tregun elektroenergjetik të Kosovës”, tha Bujupi.
Marrëveshja për furnizim me shumicë, në kuadër të procesit të privatizimit, e obligon KEK-un energjinë e prodhuar t’ia shesë ekskluzivisht KESCO-s, për një çmim të rregulluar prej 29.5 euro për megavat orë – përveç tepricave, të cilat mund t’i shesë në treg ose t’i shkëmbejë, si rasti me Shqipërinë.
Thonë se janë pjesa më e margjinalizuar e shoqërisë. Prandaj në Ditën Ndërkombëtare të Romëve, pjesëtarë të këtij komuniteti po i kërkojnë të drejtat e tyre.
Kërkesat më së shumti lidhen me shkollim dhe mirëqenie.
“Duhet të përfshihemi më shumë në institucione, punësim, arsim. Të jemi të barabartë me të gjitha kategoritë e tjera shoqërore, sepse jemi njerëz”, thotë një qytetar i komunitetit rom.
Për nder të kësaj dite, komuna e Prishtinës mbajti një aktivitet në sheshin “Adem Jashari”, të shoqëruar me këngë në gjuhën romane.
Këtu u shpërndanë edhe fletushka me histori të këtij komuniteti.
Përfshirja e romëve në sferat e shoqërisë, është drejtim në të cilin i pari i Prishtinës, Përparim Rama, zotohet se është duke punuar.
“Ju uroj romëve ditën ndërkombëtare të tyre, është komunitet i cili fatkeqësisht nuk ka gjetur vend më parë në shumë rrugë, mirëpo jemi duke punuar sidomos në arsim dhe punësim…”, tha Rama.
Për ditën e tyre, romët i ka uruar edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila vlerësoi kontributin dhe angazhimin e këtij komuniteti, duke kujtuar kulturën e pasur, historinë dhe arritjet e komunitetit rom në Kosovë dhe më gjerë.
8 prilli u shpall Dita Ndërkombëtare e Romëve, në vitin 1990, në ditën kur u mbajt Kongresi i parë i Unionit Ndërkombëtar Rom.