ATV

Category: Lajme

  • ​KQZ sqaron dilemat për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe për krijimin e Listës së Votuesve

    ​KQZ sqaron dilemat për vendosjen e kamerave në vendvotime dhe për krijimin e Listës së Votuesve

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është deklaruar lidhur me vendimin e këtij institucioni për vendosjen e kamerave në vendvotime për procesin e votimit më 21 prill në komunat e veriut të Kosovës apo në proceset e ardhshme zgjedhore. Ndërsa, është sqaruar edhe çështja e krijimit të Listës Votuese.

    Zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi lidhur me këtë çështje ka thënë se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore.

    “Lidhur me planifikimet për të vendosur kamera në vendvotime, KQZ sqaron se ky nuk është një vendim që përfshin vetëm procesin e votimit më 21 prill 2024, por do të vlejë për të gjitha proceset e ardhshme zgjedhore. Vendosja e kamerave në vendvotime është planifikuar gjatë hartimit të akteve nënligjore nga KQZ, më saktësisht me Rregulloret Zgjedhore Nr. 11/2024 për Këshillat e Vendvotimeve dhe Nr. 12/2024 për votimin, numërimin dhe menaxhimin e Vendvotimit. Këto dhe Rregulloret tjera Zgjedhore nuk janë të hartuara vetëm për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, por do të vlejnë edhe për proceset e ardhshme zgjedhore”, tha Elezi.

    Sipas Elezit, vendosja kamerave në vendvotime do të bëhet në atë mënyrë që do të ruajë fshehtësinë e votës dhe se ky vendim nga KQZ është marrë me qëllim të ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotime.

    “Vendosja e kamerave vëzhguese në hapësirat brenda vendvotimit bëhet me qëllim të garantimit të sigurisë së materialeve zgjedhore dhe ruajtjes së integritetit të procesit të votimit dhe numërimit në vendvotim. Sipas vlerësimeve të KQZ-së, në ditën e zgjedhjeve, në Qendra të Votimit, përkatësisht në Vendvotime, në proceset zgjedhore nga viti 2009 deri në vitin 2021 janë evidentuar parregullësi të cilat kanë ndikuar në integritetin, koston dhe besimin e publikut në zgjedhje. Në proceset zgjedhore 2009-2021 mesatarisht janë rinumëruar 36% e vendvotimeve dhe kjo ka ndikuar në rritjen e kostos së zgjedhjeve dhe rënien e besimit të akterëve në administrimin e procesit zgjedhor. Së treti, edhe sipas procedurës së miratuar nga KQZ-ja, është me rëndësi të sqarojmë se vendosja e kamerave në vendvotime do të bëhet duke siguruar plotësisht fshehtësinë e votës, pasi ato do të vendosen në skajin tjetër të vendit ku do të jetë kabina e votimit dhe në asnjë rrethanë nuk do të mund të regjistrojë shënjimin e preferencës së votuesi”, tha Elezi.

    Elezi ka thënë se Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor.

    “Ruajtja e regjistrimeve të kamerave do të jetë e përkohshme, deri në shkatërrimin e materialit zgjedhor, që sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme bëhet brenda 60 ditëve pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve. Dhe, së fundmi, KQZ në ditën e votimit nuk do t’i monitorojë këto kamera, pra regjistrimi do të bëhet në mënyrë pasive. Në videoregjistrim mund të sigurohet qasje vetëm me vendim apo kërkesë të institucioneve ligjzbatuese: KQZ-së, PZAP-it, Prokurorisë apo Gjykatës dhe jo në rrethana tjera”, tha Elezi.

    Gjithashtu, Elezi ka sqaruar edhe çështjen e krijimit të Listës Votuese, e cila do të përdoret në procesin e votimit për apo kundër largimit nga funksioni të kryetarëve të komunave Leposaviq, Zeçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut, më 21 prill 2024.

    Ai ka thënë se KQZ ka ndjekur rrugën kushtetuese dhe ligjore për krijimin e Listës së Votuesve.

    “Sipas vendimit të KQZ-së për certifikimin e Listës së Votuesve për procesin e votimit që do të mbahet më 21 prill, numri i qytetarëve me të drejtë vote në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e veriut është: 46,556 votues apo 1,461 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet e mbajtura para një viti, më 23 prill 2024. Në votues të rinj përfshihen të gjithë ata persona që kanë arritur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të mbajtura më 23 prill 2023 apo persona që më herët nuk kanë qenë në Listën e kaluar votuese, e që mund të konsiderohen si votues të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil apo votues që kanë ndërruar komunën pas atyre zgjedhjeve. Sqarojmë se kjo është një rritje e natyrshme e numrit të votuesve, siç ndodh rëndom nga një proces zgjedhor në tjetrin”, tha Elezi.

    KQZ ka sqaruar edhe dilemat e ngritura në opinion se në këto komuna numri i banorëve rezidentë është më i ulët në krahasim me numrin e votuesve.

    “Gjithashtu, lidhur me deklarimet se numri i votuesve është më i madh se numri i banorëve rezidentë, sqarojmë se Lista e Votuesve nuk përmban vetëm qytetarët me të drejtë vote që jetojnë momentalisht në një vendbanim të caktuar, por edhe qytetarët me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit”, ka përfunduar Elezi.

    Ndërkaq, mbledhja e KQZ-së e paraparë për sot, është shtyrë për një ditë tjetër derisa disa çështje të jenë të gatshme.

  • Komuna e Leposaviqit solidarizohet me familjet e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin e së martës

    Komuna e Leposaviqit solidarizohet me familjet e dy të rinjve që humbën jetën në aksidentin e së martës

    Komuna e Leposaviqit ka njoftuar se nuk do të punohet të enjten për shkak të tragjedisë së ndodhur me të martën pas mesnate, ku si pasojë e një aksidenti të rëndë humbën jetën dy të rinj.

    “Njoftohen të gjithë qytetarët e Komunës së Leposaviqit se me datën 11.04.2024 nuk do të punohet në shenjë të tragjedisë së ndodhur me datën 09.04.2024, vdekja e dy të rinjve: Dordje Micovic-1999, Mikica Barac-1999”, thuhet në njoftimin e Komunës së Leposaviqit, raporton ATV.

  • Gjermania dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari” është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde. /atvlive.tv

  • Memli Krasniqi për Agim Ramadanin: Përmes luftës dhe vargjeve të tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar

    Memli Krasniqi për Agim Ramadanin: Përmes luftës dhe vargjeve të tij, ai jeton në zemrat e secilit shqiptar

    Në 25-vjetorin e rënies heroike të Agim Ramadanit, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka kujtuar disa vargje të një poezie të tij.

    Krasniqi po ashtu tha se Ramadani përmes luftës dhe vargjeve të tij, jeton në zemrat e secilit shqiptar.

    “Lavdi heroit të Kosovës,i cili edhe sot, në 25-vjetorin e rënies së tij heroike, përmes luftës dhe vargjeve të tij, jeton në zemrat e secilit shqiptar atdhedashës. Respekt, mirënjohje dhe lavdi luftëtarëve dhe dëshmorëve të betejës së Koshares, të cilët, me brigadën e tyre të pagëzuar me emrin e Agimit, vazhduan luftën për çlirim deri në fund”, ka shkruar Krasniqi.

  • Zelensky i lutet Perëndimit për kundërajrorë, pas sulmeve të reja ruse

    Zelensky i lutet Perëndimit për kundërajrorë, pas sulmeve të reja ruse

    Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa rrymë si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia e kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke e nxitur presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’ia japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.

    Infrastruktura energjetike ishte caku kryesor i sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e së enjtes, tha ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko.

    “Sistemet e transmisionit dhe objektet e gjeneratorëve në rajonet Harkiv, Zaporizhja, Lviv dhe Kiev u sulmuan. Punonjësit e energjisë po punojnë për t’i eliminuar pasojat”, tha Halushchenko në Facebook.

    Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, ishte përsëri caku kryesor i sulmeve ruse mëngjesin e së enjtes.

    Zyrtarët lokalë raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.

    Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se 200.000 qytetarë mbetën pa rrymë në Harkiv, tha Oleksiy Kuleba, zëdhënësi i Presidencës ukrainase.

    “Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke i rregulluar prishjet në rrjetin energjetik”, tha shefi i administratës ushtarake në Harkiv, Oleh Synyehubov.

    Kryetari i Harkivit, Ihor Terekhov, tha se sulmet shkaktuan telashe në linjat e rrymës dhe në transport publik.

    Sulmet ruse në Harkiv janë rritur dukshëm javët e fundit. Terekhov tha së fundmi se raketave S-300 u nevojiten vetëm 40 sekonda për të arritur në Harkiv nga rajoni rus Belgorod.

    Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke e dërrmuar sistemin kundërajror të Ukrainës.

    “Disa nga raketat dhe [dronët] Shahed u rrëzuan. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e tyre”, tha Zelensky në Telegram.

    Zelensky u ka bërë thirrje aleatëve të Ukrainës të veprojnë më shpejt dhe t’ia japin Ukrainës mjetet për ta mbrojtur veten.

    “Kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbrojtje të tjera, jo për shpërfillje dhe bisedime të gjata”, shkroi Zelensky.

    “Nëse Rusia lejohet të vazhdojë ta bëjë këtë, raketat ruse dhe ‘Shaheds’ nuk do ta sulmojnë vetëm Ukrainën, por edhe përkushtimin e partnerëve të saj. Kjo do të jetë licencë globale për terror”, tha ai.

    Një paketë me ndihmë amerikane në vlerë prej 60 miliardë dollarë ka ngecur në Dhomën e Përfaqësuesve që disa muaj, i bllokuar nga një numër i republikanëve, të cilët besojnë se çështjet e brendshme kanë përparësi, edhe pse Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Mbrojtjes po e shtyjnë Kongresin ta miratojë atë.

    Të mërkurën, gjenerali i lartë amerikan në Evropë paralajmëroi se Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme luftës kundër Rusisë.

    Gjenerali Christopher Cavoli, komandant i Komandës Evropiane, tha: “Ukraina nuk mund t’i bëjë ballë e vetme kësaj lufte. Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët tanë, duhet të vazhdojë t’i japin Ukrainës municion, armatim dhe materiale”, tha Cavoli.

  • Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje brenda 24 orëve të fundit

    Katër raste të dhunës në familje kanë ndodhur brenda 24 orëve të fundit në Kosovë.

    Kështu bëhet e ditur në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës, teksa njoftohet se rastet kanë ndodhur në Podujevë, Fushë Kosovë, Klinë dhe Gjakovë.

    Në katër rastet, tre nga të dyshuarit janë dërguar në mbajtje kurse i dyshuari tjetër është liruar në procedurë të rregullt.

    Në Podujevë, një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga një burrë, teksa e njëjta ka pranuar tretman mjekësor.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Podujevë / 10.04.2024 – 02:00. Ankuesja femër shtetase e huaj ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport.

    Ngjashëm ka ndodhur edhe në Fushë-Kosovë, teksa rastet raportohet të kenë ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së martës.

    “Fushë Kosovë / 10.04.2024 – 04:00. Ankuesja femër kosovare ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Ngjashëm “Dhunë në familje” raportohet edhe në Klinë teksa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    “Klinë / 10.04.2024 – 20:30. Viktima femer kosovare ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet tutje në raport.

    Ndërkaq në Gjakovë, një burrë ka fyer verbalisht një grua dhe të njëjtën ka tentuar ta sulmojë fizikisht.

    Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    “Gjakovë / 10.04.2024 – 20:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për arsye se e kishte fyer verbalisht si dhe kishte tentuar ta sulmojë fizikisht viktimen femer kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

  • Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Osmani në 25-vjetorin e rënies së Agim Ramadanit: I dha jetë ëndrrave të popullit për të qenë të lirë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kujtoi 25-vjetorin e rënies së heroit, Agim Ramadani.

    E para e shtetit, tha se Agim Ramadani u dha jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit të Kosovës për të qenë të lirë.

    “Agim Ramadani nuk ishte thjesht vetëm ushtarak, por një gërshetim i luftëtarit, poetit e piktorit, respektivisht një personalitet poliedrik i shndërruar në hero”, shkroi Osmani në Facebook.

    “Ai është njeriu i mërgatës, patrioti e guximtari që ëndrrën për lirinë e bëri realitet duke iu bashkuar UÇK-së dhe duke u përjetësuar në heroin emblematik të shembjes së kufirit ndërmjet Kosovës e Shqipërisë”.

    “Ai dhe bashkëluftëtarët i dhanë jetë ëndrrave dhe aspiratave të popullit tonë për të qenë i lirë”.

    “Heroizmi dhe trashëgimia e Agimit do të vazhdojnë t`i frymëzojë brezat që do të vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi për heroin Agim Ramadanin!”.

  • Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot mbahet seanca gjyqësore për rastin e vrasjes së 18-vjeçarit, Lulzim Fejzullahu

    Sot do të mbahet seanca gjyqësore për 18-vjeçarin, Lulzim Fejzullahu i cili u rrah për vdekje nga dy të mitur më 14 janar.

    Më 1 prill, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj dy të dyshuarve për vrasjen e Fejzullahut.

    Dy të dyshuarve u është ngarkuar vepra penale “Vrasje e Rëndë” në aktakuzë.

    Nga Prokuroria Themelore në Prishtinë e kishin konfirmuar se më 25 mars është paraqitur propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë”.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 25.03.2024, ka paraqitur Propozim për shqiptimin e dënimit me burgim për të miturit, ndaj dy personave (të mitur), për shkak të veprës penale “Vrasja e rëndë” në bashkëkryerje, pranë gjykatës kompetente”, kështu ka thënë Laureta Ulaj, zëdhënëse e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

    Deri më tani, dy të akuzuarit janë duke qëndruar në paraburgim deri në një vendim tjetër të Gjykatës.

    18-vjeçari kishte vdekur në Emergjencën e QKUK-së disa ditë pasi ishte rrahur.

    Policia fillimisht e raportoi vrasje në tentativë dhe therje me thikë, e në Emergjencë konstatuan vdekjen e tij nga lëndimet në kokën e viktimës, të marra nga shkopi i bejsbollit.

    Për këtë raportim Inspektorati Policor i Kosovës kishte iniciuar hetim.

  • Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Gjermania sot dorëzon automjete donacion për FSK-në

    Në kazermën “Adem Jashari”, sot nga ora 10:30 do të mbahet ceremonia e pranim-dorëzimit të donacionit të automjeteve nga Gjermania për FSK-në.

    Në këtë ngjarje pritet të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

     

  • Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja Osmani pret në takim kryesuesin e OSBE-së

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot pret në takim ministrin për Punët e Jashtme, Evropë dhe për Tregtinë të Maltës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ian Borg.

    Takimi pritet të zhvillohet në ora 10:00.

    Ai gjithashtu do të takohet edhe me kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendëskryeministren dhe Ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schëarz.

    Po ashtu Borg do të mbajë takime me Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport, dhe stafin e misionit, dhe do të takojë pjesëmarrëse nga Akademia e Dialogut e OSBE-së.

    Sipas njoftimit, kryesuesi Borg do të udhëtojë në Qendrën Rajonale të OSBE-së në Gjilan për t’u takuar me organizatat lokale të shoqërisë civile dhe përfaqësuesit e komuniteteve nga komuna të ndryshme për të diskutuar rreth të drejtave të komuniteteve, angazhimin e të rinjve dhe fuqizimin e grave.

    Ai do të takohet edhe me kryetarët e komunave që përfaqësojnë komunitete të ndryshme për të diskutuar lidhur me bashkëpunimin ndër-komunal të mbështetur nga OSBE.

    Ministri Borg do të takohet edhe me Peshkopin Teodosije nga Kisha Ortodokse Serbe.