ATV

Category: Lajme

  • Mungon kryetari i trupit gjykues, anulohet gjykimi në rastin “Veteranët”

    Mungon kryetari i trupit gjykues, anulohet gjykimi në rastin “Veteranët”

    Në mungesë të kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Gazmend Bahtiri për shkaqe shëndetësore, është anuluar seanca e së mërkurës në rastin e njohur si “Veteranët”.

    Një gjë e tillë u bë e ditur nga zyra e gjykatësit Bahtiri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Në këtë rast, për keqpërdorim të detyrës zyrtare akuzohen ish-kryeministri Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    Për këtë rast, më 21 dhjetor 2023 ka dëshmuar ish-komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku.

    Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2021 të akuzuarit i kishte liruar nga akuza. Por, Gjykata e Apelit më 26 prill 2022 e ka kthyer në rigjykim këtë rast.

    Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të akuzuarit duke keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, për kohën sa ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në vlerë prej 88.769.217.04 euro.

    Për këto akuza, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte marrë aktgjykim lirues edhe më 19 janar 2021.

    Aktgjykimi në këtë rast ishte përpiluar tre muaj më vonë, ku PSRK brenda 15 ditësh kishte pasur mundësi të ushtrojë ankesë ndaj këtij aktgjykimi.

    Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën për këtë rast, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gusht të vitit 2019.

    Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, të urdhërojë Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19 mijë e 500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

    Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

    Kurse pas seancave të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 janar 2021, ka shpallur aktgjykim lirues ndaj të akuzuarve në këtë rast.

    Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë thuhet se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

    Në këtë aktakuzë, janë përfshirë 12 persona, të cilët ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

    Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prin Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

    PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar gjykatës, që ta lëshonte masën për ndalimin e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteranë luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

    Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara ishte vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

    Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës ishte dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro.

  • Kosova u bën thirrje qytetarëve të saj të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi

    Kosova u bën thirrje qytetarëve të saj të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër Serbi

    Autoritetet në Kosovë u kanë bërë thirrje qytetarëve që janë duke udhëtuar që të shmangin “me çdo kusht” kalimin nëpër territorin e Serbisë.

    Kjo thirrje, sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme bëhet “pas situatës së krijuar në pikat kufitare në Serbi dhe ndaljes arbitrare të qytetarëve të Kosovës në vendkalime kufitare”.

    “Të gjithë udhëtarët luten që të ndjekin me vëmendje situatën e tensionuar të sigurisë dhe të mos udhëtojnë përmes Serbisë”, u tha në njoftimin e përbashkët të MPJD-së dhe MPB-së.

    Thirrja vjen pasi sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Fatmir Haxholli, tha se autoritetet në Serbi që nga mesnata “po mbajnë të bllokuar” së paku katër autobusë me targa dhe udhëtarë nga Kosova.

    Sipas tij, bllokimi i autobusëve në pikëkalimin kufitar Batrovci, që lidh Serbinë me Kroacinë, është bërë “në shenjë hakmarrjeje dhe nervozizmi absurd” ndaj votimit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

    “Bllokimi i më shumë se 300 qytetarëve, duke ua mbajtur pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit, është shkelje flagrante jo vetëm e marrëveshjeve të Brukselit, por edhe e të drejtave universale të njeriut të garantuara me të gjitha konventat ndërkombëtare. Vetëm regjimet më autoritare i bllokojnë udhëtarët e një vendi tjetër, me shpjegimin ‘ky është një urdhër nga Beogradi’”, shkroi ai në llogarinë e tij në Facebook.

    Haxholli tha se pasi që Zyra Ndërlidhëse serbe është duke komunikuar me Zyrën Ndërlidhëse të Kosovës, duke shtuar se synon që të udhëtojë drejt pikëkalimit kufitar Serbi-Kroaci për të parë nga afër gjendjen e qytetarëve të Kosovës që mbeten të bllokuar atje.

    Më 16 prill, në Asamblenë Parlamentare u miratua rekomandimi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Çështja tani do të dërgohet te Këshilli i Ministrave, që takohet në maj, organ që jep përgjigjen përfundimtare për anëtarësimin e një shteti në këtë organizatë.

    Serbia kundërshton anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, deklaroi pas votimit se shteti i tij do të vazhdojë luftën “me të gjitha forcat” që vendimi të mos miratohet në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës më 16 maj.

    Edhe në të kaluarën, qytetarët të Kosovës që kalojnë përmes Serbisë kanë hasur në probleme, me disa prej tyre që janë arrestuar nga autoritetet serbe nën dyshimet për krime lufte.

  • Vdes nëna e Edmond Lajqit, një ditë pasi djali ia vrau renë

    Vdes nëna e Edmond Lajqit, një ditë pasi djali ia vrau renë

    Ka vdekur sot Zyrafete Lajqi, nëna e Edmond Lajqit, të arrestuarit për vrasjen e gruas së tij në Pejë të martën.

    Nëna e të arrestuarit për vrasjen makabre në Pejë ka vdekur në spital, shkruan sot portali Indeksonline.

    Sipas raportimit të mediumit, Zyrafete Lajqi po vuante nga një sëmundje e rëndë dhe ishte e shtrirë që një kohë në spital.

    Ndërkaq, Edmond Lajqi po mbahet në paraburgim me akuzën se mëngjesin e djeshëm ka vrarë gruan e tij, Gjyljetën. Motivet e vrasjes nuk janë zbardhur ende.

  • Vrasja e Gjyljetë Ukellës, një muaj paraburgim për bashkëshortin e saj

    Vrasja e Gjyljetë Ukellës, një muaj paraburgim për bashkëshortin e saj

    Gjykata Themelore në Pejë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Pejë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit E.L, i dyshuar për vepër penale vrasje e rëndë nga Kodi Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe vepër penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Sipas aktakuzës, të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaj pasi që gjyqtari i procedurës paraprake konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe e mbështetur në prova që e vërtetojnë ekzistimin e dyshimit të bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale, po ashtu gjatë fazës së hetimeve pritet të dëgjohen të dëmtuarit dhe pritet të sigurohen provat materiale, e më pas do të dëgjohet edhe i pandehuri, ashtu që ekzistojnë rrethana të posaçme që tregojnë se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti do të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë në drejtim të dhënies së dëshmisë në favor të tij.

    “Po ashtu, duke pasur parasysh peshën e veprës penale për të cilën dyshohet i pandehuri, e cila hyn në kategorinë e veprave të rënda penale, te e cila shprehet një shkallë e lartë e kundërligjshmërisë, e për të cilën vepër parashihet dënim me burgim së paku dhjetë vite ose dënim me burgim të përjetshëm, pastaj duke pas parasysh mënyrën dhe rrethanën në të cilën është kryer vepra penale, ku i pandehuri ditën kritike e ka privuar nga jeta anëtarin e familjes – bashkëshorten e tij si dhe faktin se i pandehuri edhe më parë ka qenë i dënuar për vepër penale, e i cili dënim fare nuk ka ndikuar në risocializimin e tij e as në parandalimin nga kryerja e veprave të tjera penale si dhe duke pas parasysh se raportet me familjen e viktimës janë të acaruara, gjykata ka gjetur se të gjitha këto tregojnë rrezikun se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, ekziston rreziku potencial se i njëjti mund ta kryej ndonjë vepër të re penale. Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit”, thuhet në komunikatë.

  • Deponohen rreth 3 mijë euro të falsifikuara në një bankë në Gjakovë

    Deponohen rreth 3 mijë euro të falsifikuara në një bankë në Gjakovë

    Një zyrtar i një banke në Gjakovë ka raportuar se brenda dy muajve janë deponuar 2 mijë 917 euro, ku 2 mijë e 842 euro kanë qenë monedha metalike në vlerë prej dy euro.

    Policia në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se monedhat e dyshuara janë konfiskuar dhe rasti është duke u hetuar.

    “Ankuesi mashkull kosovar zyrtar në bankë, ka raportuar se brenda periudhës dy mujore janë deponuar para që dyshohet të jenë të falsifikuara, një mijë e katërqind e njëzet e një (1421) monedha metalike në vlerë prej dy (2) euro (1421 x2=2842 euro), një kartëmonedhë në vlere prej pesëdhjetë (50) euro, një kartëmonedhë në vlerë prej njëzet (20) euro si dhe një kartëmonedhë në vlerë prej pesë (5) euro si të dyshuara të falsifikuara. Vlera totale është 2917 euro. Monedhat e dyshuara janë konfiskuar. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.

  • SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit në ditët në vijim, thotë këshilltari i sigurisë kombëtare

    SHBA-ja do të vendosë sanksione të reja ndaj Iranit në ditët në vijim, thotë këshilltari i sigurisë kombëtare

    Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan flet gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, 4 dhjetor 2023, në Uashington.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vendosin sanksione të reja kundër Teheranit pas sulmit të Iranit ndaj Izraelit gjatë fundjavës.

    “Pas sulmit të paprecedentë ajror të Iranit kundër Izraelit, Presidenti Biden po koordinon me aleatët dhe partnerët, përfshirë G7, dhe me udhëheqësit dypartianë në Kongres, për një përgjigje gjithëpërfshirëse”, shkroi në një deklaratë këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan.

    “Në ditët në vijim, Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksione të reja që synojnë Iranin, duke përfshirë programin e tij raketor dhe dron, si dhe sanksione të reja kundër entiteteve që mbështesin Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Iranit. Ne parashikojmë që aleatët dhe partnerët tanë së shpejti do të ndjekin sanksionet e tyre”, raporton CNN.

    Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen tha më herët të martën se administrata Biden do të përdorte sanksione “për të vazhduar pengimin e aktivitetit malinj dhe destabilizues të regjimit iranian”.

    “Që nga sulmi i kësaj fundjave deri te sulmet Houthi në Detin e Kuq, veprimet e Iranit kërcënojnë stabilitetin e rajonit dhe mund të shkaktojnë pasoja ekonomike”, tha ajo në një konferencë shtypi.

    Përveç sanksioneve të reja, tha Sullivan, administrata do të “vazhdojë të punojë përmes Departamentit të Mbrojtjes dhe Komandës Qendrore të SHBA për të forcuar dhe zgjeruar më tej integrimin e suksesshëm të mbrojtjes ajrore dhe raketore dhe sistemeve të paralajmërimit të hershëm në të gjithë Lindjen e Mesme.

  • Konsullata e Përgjithshme e Republikës në Strasburg organizoi pritje me rastin e votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

    Konsullata e Përgjithshme e Republikës në Strasburg organizoi pritje me rastin e votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së

    Mbrëmë në Strasburg të Francës, në Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës atje, u organizua pritje me rastin votimit të suksesshëm në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës me 131 vota në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare.

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrja e ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz, ambasadori i Kosovës në Strasburg dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti falënderuan mysafirët e pranishëm dhe miqtë e vendit tonë për përkrahjen dhe angazhimin e tyre të vazhdueshëm deri në anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Fjala e plotë e kryeministrit Kurti

    Të nderuar anëtarë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe përfaqësues të përhershëm të shteteve anëtare,

    Të dashur miq,

    Është kënaqësi t’ju mirëpres këtu sonte, të bashkoheni me ne për të festuar këtë arritje të madhe. Lajm i mirë për qytetarët tanë, për vendin tonë dhe për kontinentin tonë. Dhe së dyti, e gjithë kjo në 75-vjetorin e Këshillit të Evropës, shtëpia roje e vlerave tona të përbashkëta të të drejtave të njeriut, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.

    Sot, ne kemi përfunduar një hap shumë të rëndësishëm drejt rrugës sonë të anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Jo fjalët tona, por veprimet tona në vitet e fundit e kanë bërë të qartë se ne besojmë dhe i përmbahemi fort vlerave që përfaqëson kjo organizatë.

    Ne besojmë dhe i përmbahemi të drejtave të njeriut, të cilat bashkojnë universalitetin dhe barazinë, dinjitetin njerëzor dhe prosperitetin shoqëror.

    Ne besojmë dhe i përmbahemi shtetit të së drejtës: legjislacioni që qëndron mbi të gjithë ne që na bashkon të gjithëve, mbron dhe mbron secilin me të drejtat dhe liritë e secilit.

    Ne besojmë dhe i përmbahemi demokracisë: vullnetit të popullit, të përfaqësuar nga përfaqësues përgjegjës dhe të miratuar nga zyrtarë përgjegjës.

    Pikërisht këto vlera që ne besojmë dhe u përmbahemi, duhet të bëhen anëtarësimi ynë pjesëmarrës në Këshillin e Evropës dhe aktualiteti i përditshëm në zbatimin tonë të brendshëm. Kjo është arsyeja pse ne kemi paraqitur para jush një listë të detyrimeve që jemi të përkushtuar t’i realizojmë. Ne duam të bëhemi anëtarë sepse duam të kontribuojmë dhe të përfitojmë. Kontribuoni si shtet, përfitoni si qytetarë.

    Zonja dhe zotërinj,

    Aderimi ynë ndaj këtyre vlerave është pranuar zyrtarisht sot nga forca lëvizëse e demokracisë që përfaqëson Këshilli i Evropës, që është Asambleja e tij Parlamentare.

    Raporti tregonte qartë se Kosova i ka përmbushur parakushtet dhe i ka plotësuar të gjitha kriteret e nevojshme për t’u bërë anëtare e Këshillit të Evropës.

    Votimi i 82% dërrmues të anëtarëve të PACE ishte një miratim kumbues i rekordit të shtetit tonë për këto vlera. Kjo është rezultat i punës së palodhur, bashkëpunimit, aktiviteteve publike dhe takimeve të panumërta.

    Prandaj, dëshiroj të falënderoj ministren tonë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, zëvendësministren time, Donika Gërvalla, zëvendësin e saj, Kreshnik Ahmetin, ambasadorin tonë në Strasburg, Lulzim Hisenin dhe delegacionin tonë parlamentar në APKE, për angazhimin e palëkundur që ta shohin Kosovën si anëtare e Këshillit të Evropës.

    Dëshiroj gjithashtu të shpreh mirënjohjen time për të gjithë ju për mbështetjen dhe partneritetin që na keni treguar gjatë këtij procesi shumë të rëndësishëm dhe historik.

    Dua të falënderoj anëtarët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i qëndruan besnikë parimeve të kësaj organizate dhe që votuan sot në favor të anëtarësimit tonë.

    Falenderime të veçanta për drejtuesit e grupeve më të mëdha politike në PACE, në veçanti z. Frank Schwabe, z. Davor Stier dhe z. Iulian Bulai.

    Në hapin tonë drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, pas PACE mbetet një hap i fundit. Unë si kryeministër dëgjoj dhe ndjek deputetët e Kuvendit në shtëpi.

    Unë shpresoj që në maj, Komiteti i Ministrave do të bëjë të njëjtën gjë.

    Faleminderit shumë!

    Gëzuar!

  • Kroaci, përballje Milanoviç-Plenkoviç në zgjedhjet parlamentare

    Kroaci, përballje Milanoviç-Plenkoviç në zgjedhjet parlamentare

    Kroacia zhvillon sot zgjedhjet parlamentare, në një garë të lënë në hije nga një rivalitet i ashpër midis presidentit Zoran Milanoviç, një socialdemokrat miqësor ndaj Moskës, dhe kryeministrit konservator, Andrej Plenkoviç.

    Sondazhet e fundit vendosin Bashkimin Demokratik Kroat (HDZ), konservator të Plenkoviçit, përpara Partisë Social-Demokrate të Kroacisë (SDP) të opozitës.

    Milanoviç bëri një njoftim të papritur një muaj para zgjedhjeve se do të kërkonte postin e kryeministrit si kreu i SDP-së.

    Si president, ai ka bërë komente populiste dhe pro Kremlinit.

    Votuesit kroatë do të shkonin në kutitë e votimit në vjeshtë.

    Megjithatë, vëzhguesit besojnë se Plenkoviç, i cili kishte vetëm një shumicë të ngushtë në parlament përpara se të shpërndahej në mars, donte që zgjedhjet e parakohshme të parandalonin kërcënimin e një rënie të mëtejshme të popullaritetit.

    Ai është kritikuar shumë kohët e fundit për politikat e tij mediatike dhe gjyqësore, me vetëm një shumicë të ngushtë ligjvënësish që e mbështesin atë.

    Qendrat e votimit u hapën në orën 07:00 (05:00 GMT) për 3,7 milionë votuesit e vendit me të drejtë vote dhe do të mbyllen në orën 19:00.

    Rezultatet fillestare priten në orët e vona të mbrëmjes./ atsh

  • Ismaili takon Kryestatisticientin e FMN-së, diskutohet për reformat dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e statistikave

    Ismaili takon Kryestatisticientin e FMN-së, diskutohet për reformat dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e statistikave

    Në kuadër të takimeve pranverore në Fondin Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankë Botërore (BB) që po mbahen në Washington D.C., Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), z. Ahmet Ismaili i shoqëruar nga bashkëpunëtoret e tij, zhvilloi takim me Drejtorin e Departamentit të Statistikave dhe njëherësh Kryestatisticient i FMN-së, z. Bert Kroese bashkë me ekipin e tij.

    Në takim u diskutua për reformat dhe zhvillimet e ardhshme në fushën e statistikave, në funksion të avancimit të përgatitjes së të dhënave, rritjes së transparencës dhe informimit më të qartë të publikut.

    Gjatë takimit u diskutua më konkretisht për avancimin e raportimit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës nga Sistemi i Përgjithshëm i Shpërndarjes së të Dhënave (GDDS) në Standardin e Veçantë të Shpërndarjes së të Dhënave (SDDS) dhe ngritjen e kapaciteteve të BQK-së në këtë fushë, avancimin e ndërtimit të Indeksit për Llogaritjen e Çmimeve të Patundshmërive (IÇPB), mundësinë e ndërtimit të një modeli për matjen e parasë së gatshme në qarkullim dhe avancimin e përpilimit të llogarive kombëtare.

    Gjithashtu është biseduar për avancimin e metodologjive për statistikat financiare qeveritare,si dhe bashkërendimit ndërinstitucional në funksion të përmirësimit të kualitetit të të dhënave.

    Avancimi i reformave në këto fusha do të ketë ndikim në politikëbërjen ekonomike, vlerësimin e aseteve, parandalimin e pastrimit të parave, mbikëqyrjen më efikase të institucioneve financiare, të gjitha këto në funksion të stabilitetit financiar dhe ekonomik të Republikës së Kosovës.

    Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen ndaj FMN-së për asistencën e vazhdueshme ndaj BQK-së dhe i njoftoi drejtuesit e lartë të këtij institucioni për reformat e ndërmarra nga institucioni që e drejton dhe gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë si në fushën e statistikave ashtu edhe në sferat tjera me rëndësi në kuadër të fushëveprimit të BQK-së.

    Në kuadër të takimit, është konfirmuar se mbështetja e FMN-së për BQK-në do të vazhdojë edhe në të ardhmen në funksion të ngritjes së kapaciteteve dhe reformave të zhvillimit në fushën e statistikave, si një rëndësi e veçantë për informimin e drejtë dhe transparent të qytetarëve.

  • Presidentja e Kosovës fton Unionin Studentor të Kolegjit AAB në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Presidentja e Kosovës fton Unionin Studentor të Kolegjit AAB në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë

    Me ftesë të presidentes së Republikës së Kosovës Vjosa Osmani, Unioni Studentor i Kolegjit AAB ka marrë pjesë në Forumin Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

    Ky edicion i forumit u përqendrua në ndërtimin e përpjekjeve të përbashkëta për të luftuar dhunën seksuale të lidhur me konfliktin, si dhe në identifikimin e mjeteve dhe politikave për të ndihmuar gratë dhe vajzat të udhëtojnë më sigurt në kohëra të rreziqeve të sigurisë klimatike që ngrihen gjithnjë e më shumë.

    Unioni Studentor ishte pjesë e panelit të presidentes me titull “Voices of Youth”, ku u diskutua për rolin e rinisë në zhvillimin e vendit, veçanërisht në ndikimin që gratë dhe vajzat kanë në përmirësimin e situatës aktuale në Kosovë.

    Presidentja ka falënderuar Unionin Studentor të Kolegjit AAB për pjesëmarrje, duke theksuar synimin për të krijuar një të ardhme më të ndritur për vendin tonë.