ATV

Category: Lajme

  • Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Bislimi njofton Lajçakun për bllokimin e kosovarëve në kufi

    Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, e ka njoftuar emisarin special për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me bllokimin e qindra kosovarëve në kufirin Kroaci-Serbi.

    Përmes disa postimeve në platformën “X”, Bislimi thotë se kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE-së.

    Bislimi poashtu thotë se një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme serbe të agresionit.

    “Progresi i Kosovës, zhvillimi ekonomik dhe demokracia e pastër, kulmuan me avancimin e djeshëm drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Ky lajm i mrekullueshëm, fatkeqësisht ndezi gjuhën e urrejtjes nga politikanët serbë, por edhe veprime të drejtpërdrejta kundër qytetarëve tanë. Qindra prej tyre, gra e fëmijë, tashmë prej më shumë se 13 orësh, mbahen peng nga pala serbe, në kufirin me Kroacinë. Qytetarët tanë po merren në pyetje, u janë konfiskuar dokumentet personale dhe kanë mbetur pa ushqime dhe pa ilaçe”, shkruan Bislimi.

    “Për situatën e kam njoftuar edhe z. Lajçak. Kjo është përgjigja dhe hipokrizia e Serbisë ndaj respektimit të të drejtave të njeriut që vjen nga një vend që aktualisht është anëtar i KiE. Një akt i tillë dëshmon edhe një herë rënien demokratike dhe politikën e vazhdueshme të tyre të agresionit. Ata flasin për të drejtat e njeriut, por po i pastrojnë etnikisht shqiptarët me mjete administrative në Luginën e Preshevës, i bllokojnë qytetarët në kufi për shkak të përkatësisë së tyre etnike dhe politikani opozitar Nikola Sanduloviq rrihet dhe ndiqet penalisht për shprehjen e pikëpamjeve të veta. Kosova është një vend i pavarur, sovran dhe demokratik. Ne nuk do të tërhiqemi kundër veprimeve ngacmuese nga Serbia, e cila po dëshmon edhe një herë se nuk është e përkushtuar ndaj marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe normalizimit. Siç tha Vulin: Serbia nuk bën pjesë në KiE as BE”, ka shkruar më tej Bislimi.

  • ​Kamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”

    ​Kamberi: Serbia filloi masa represioni ndaj shqiptarëve, qytetarët e Bujanocit po ndalohen te “Dheu i Bardhë”

    Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Shaip Kamberi, njëherësh deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë e ka konfirmuar se edhe qytetarët shqiptar nga Bujanoci janë duke u ndaluar në pikën kufitare te “Dheu i bardhë”.

    Ai përmes një postimi në rrjetin social Facebook tha se Serbia fillon me masa represioni ndaj shqiptarëve, menjëherë pasi që Parlamenti Evrpaian, ka rekomanduar anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës.

    “Këto masa represive që po ndërmerren ndaj civilëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, në vendkalimin kufitar ‘Dheu i Bardhë’, vijnë menjëherë pas vendimit të djeshëm të Parlamentit Evropian dhe kërcënimeve të para disa ditëve të presidentit serb Vuçiq për ‘procesimin e gjithë atyre që cenojnë rendin kushtetues’”.

    Sipas tij të rinj shqiptarë nga Bujanoci, po ndalohen sot, në pikën kufitare te “Dheu i Bardhë” duke u mbajtur me orë dhe vonuar në këtë pikëkalim.

    “Kjo masë represive ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, po ndërmerret, krahas masave të njëjta që po ndërmerren ndaj shqiptarëve të Kosovës nëpër pikëkalimet kufitare serbe, sidomos, në kufirin me Kroacinë”, tha ai.

    Kamberi tha se Serbia, sot po e shkelë brutalisht Marrëveshjen për tabelat e regjistrimit dhe po e cenon rëndë të drejtën fundamentale të njeriut “qarkullimin e lirë”.

    Këto masa sipas tij po ndërmerren si masa retorzive pas hapit të rëndësishëm të Republikës së Kosovës për anëtarësim në KE.

    “Ndalesat nëpër kufij, patrullat policore dhe retorika e shfrenuar antishqiptare që po aplikohen ditët e fundit janë përsëritje e masave të agresionit të Serbisë ndaj shqiptarëve. Bashkimi Evropian dhe institucionet tjera ndërkombëtare duhet të dalin me reagim të fuqishëm ndaj represionit që po e ushtron shteti ‘pretendent për BE’”, ka përfunduar ai.

  • ​Oda Amerikane e shqetësuar me bllokadën e autobusëve nga Kosova në vendkalimet kufitare të Serbisë

    ​Oda Amerikane e shqetësuar me bllokadën e autobusëve nga Kosova në vendkalimet kufitare të Serbisë

    Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë është shprehur e shqetësuar lidhur me veprimet e fundit të ndërmarra nga autoritetet serbe për bllokimin e lëvizjes së disa autobusëve që transportojnë njerëz nga Kosova për në Evropën Perëndimore.

    Kjo bllokadë në vendkalimet kufitare ndërmjet Serbisë e Kroacisë dhe Serbisë e Hungarisë, sipas Odës Ekonomike Amerikane paraqet shkelje të qartë të dispozitave të marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    “Marrëveshjet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, synojnë promovimin e stabilitetit ndërmjet dy shteteve dhe gjithë rajonit. Në qendër të këtyre marrëveshjeve është parimi i lehtësimit të lëvizjes së lirë të njerëzve, i cili përbën një vlerë thelbësore në procesin e integrimit evropian. Duke penguar lëvizjen e qytetarëve të Kosovës në destinacionet e tyre të dëshiruara në Evropën Perëndimore, autoritetet serbe jo vetëm që po i minojnë këto marrëveshje por edhe po pengojnë përparimin drejt stabilitetit rajonal dhe integrimit evropian”, thuhet në njoftim.

    Oda Amerikane beson fuqishëm se lëvizja e lirë e njerëzve është thelbësore për nxitjen e rritjes ekonomike, promovimin e shkëmbimit kulturor dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet shteteve, prandaj kufizimet e tilla sipas Odës jo vetëm që pengojnë jetën e individëve, por kanë edhe ndikim negativ në tregtinë, investime dhe aktivitete të biznesit në rajon.

    “Oda Amerikane i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar që të kërkojë fuqishëm nga autoritetet serbe heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe lejimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, duke mundësuar lëvizjen e tyre për në destinacionet e dëshiruara. Gjithashtu, ne u bëjmë thirrje autoriteteve të Serbisë që të përmbahen nga veprimet e ngjashme në të ardhmen duke respektuar angazhimet e tyre ndaj marrëveshjeve për normalizimin e marrëdhënieve”, thuhet në komunikatë.

    Si përfundim, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë mbetet e përkushtuar që të avokojë për parimet e lëvizjes së lirë, bashkëpunimit rajonal dhe prosperitetit ekonomik në Kosovë dhe në tërë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

  • Reagon ministrja Haxhiu pas arrestimit të adminit të grupit ‘Albkings’

    Reagon ministrja Haxhiu pas arrestimit të adminit të grupit ‘Albkings’

    Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas arrestimit të adminit të grupit “Albkings”.

    Ajo ka thënë se ka mirëpritur arrëstimin e adminit të grupit “më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë”.

    “Mirëpres arrestimin e administratorit të grupit më denigrues që ka ekzistuar ndonjëherë “Albkings”.Ky grup numëronte rreth 100 mijë përdorues të cilët e shfrytëzonin si platformë për denigrim, shantazh, kërcënim, shpifje, abuzim ndaj vajzave dhe grave. Në këtë grup në vazhdimësi janë shpërndarë fotografi dhe video të vajzave dhe grave, duke përfshirë vajza të mitura”.

    Sipas Haxhiut dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar.

    “Dëmi emocional dhe dhuna psikologjike e shkaktuar nga ky grup duhet dënuar sikurse edhe kërcënimet e shantazhet, denigrimet apo abuzimet nga këta persona. Uroj që ky rast të vazhdojë të trajtohet me seriozitet pasi që kemi shumë raste që pas ndarjes së paligjshme të fotografive apo videove private, shumë vajza dhe gra kanë bërë vetëvrasje. Secili nga personat duhet të përgjigjet para drejtësisë. E vlerësoj punën e policisë dhe prokurorisë”, ka thënë ajo.

  • Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës: Ndalimi i qytetarëve akt qyqar i Serbisë

    Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës: Ndalimi i qytetarëve akt qyqar i Serbisë

    Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës (OHTK) ka marrë me shqetësim lajmin për ndalimin e qytetarëve të Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë të cilët nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.

    “Ky lajm ka tmerruar OHTK-në dhe udhëheqësit e saj prandaj kërkojmë nga Qeveria e Kosovës dhe institucionet tjera përkatëse që të veprojnë sa më parë në mënyrë që qytetarët tanë të lirohen të lëvizin lirshëm”, thuhet në reagim.

    Sipas OHTK, e drejta për lëvizje të lirë bazuar në të gjitha aktet ndërkombëtare u takon të gjithë njerëzve dhe ‘askush nuk ka të drejtë t’ua mohoj këtë qytetarëve të Kosovës’.

    “Është koha që institucionet tona dhe ato të shtetit shqiptar të reagojnë ndaj këtij akti qyqar të Serbisë”, thuhet në reagim.

    OHTK ka apeluar te Qeveria që qytetarëve të Kosovës t’u ofrohet mbrojtje dhe mbështetje duke uruar ata sa më parë të kthehen në Kosovë.

  • Reagon Kurti për maltretimin e qytetarëve në kufi: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

    Reagon Kurti për maltretimin e qytetarëve në kufi: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

    Kryeministri Albin Kurti e ka cilësuar hakmarrje të Serbisë për votimin në Këshill të Evropës, ndalimin e qindra shtetasve të Kosovës që nga orët e mbrëmjes të së martës në pikëkalimet kufitare të Serbisë.

    Të martën, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës votoi pro kërkesës së Kosovës për anëtarësim në këtë institucion. Tani vendimi mbetet në duart e ministrave të shteteve anëtare.

    “Një ditë pas votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, Serbia hakmerret ndaj civilëve kosovarë. Që nga mëngjesi i sotëm, mbi 300 shtetas tanë – përfshirë fëmijë – janë ndaluar arbitrarisht në kufij, janë privuar nga ushqimi dhe medikamentet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Kurti në Twitter.

  • Taravari: Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me shqiptarë nga Kosova

    Taravari: Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me shqiptarë nga Kosova

    Kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Arben Taravari, përmes një statusi në profilin e tij në facebook, ka thënë se bllokimi i dhjetëra autobusëve në Serbi është shkelje e të drejtave njerëzore.

    “Lajmet e sotme tregojnë se dhjetëra autobusë me shqiptarë nga Kosova, janë bllokuar në Serbi. Si hakmarrje ndaj avancimit të Kosovës në Këshill të Evropës. Ky mentalitet është i papranueshëm, dhe ky bllokim është shkelje e të drejtave njerëzore. Kjo është një arsye më shumë për të dalë nga Ballkani i Hapur”, ka shkruar Taravari.

    Ai tha se Maqedonia e Veriut duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me udhëtarë dhe për garantimin e të drejtave njerëzore.

    “Maqedonia e Veriut, si shtet i NATO-s dhe si shtet me popullsi të madhe shqiptare, duhet të bëjë thirrje për lirimin e autobusëve me udhëtarë dhe për garantimin e të drejtave njerëzore. Por si duket, ministri i jashtëm e ka vështirë të flasë keq për Beogradin”, ka shkruar Taravari. /atvlive.tv

  • Sanduloviq për bllokimin e kosovarëve: E kam paralajmëruar SHBA-në dhe BE-në për politikën nacionaliste të Vuçiqit

    Sanduloviq për bllokimin e kosovarëve: E kam paralajmëruar SHBA-në dhe BE-në për politikën nacionaliste të Vuçiqit

    Opozitari serb, Nikolla Sanduloviq, ka thënë se ai e ka paralajmëruar Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për politikën që e përdorë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

    Në platformën X, ai ka theksuar se ai Vuçiq ka një politikë nacionaliste, kjo pasi qindra kosovarë nuk u lejuan të kalojnë kufirin Kroaci-Serbi dhe Hungari-Serbi me letërnjoftime.

    “Unë kam vite që flas dhe paralajmëroj se cila është politika e Aleksandër Vuçiqit dhe cili është qëllimi i tij përfundimtar. Të gjithë në BE dhe SHBA ranë në gjumë për shkak të negociatave të tij afatgjata dhe gënjeshtrave që i tha publikut ndërkombëtar, ndërsa në të njëjtën kohë ai ndoqi politikën e tij të vjetër nacionaliste në Serbi”.

    “E kam thënë atëherë, e them edhe tani, vetëm Partia Republikane në Serbi mund të sjellë paqe të qëndrueshme dhe zgjidhje të plotë për Serbinë dhe Kosovën. Diçka e tillë, të cilën Vuçiq po e zbaton, çon vetëm në konflikt dhe katastrofë të pashmangshme”, ka thënë Sanduloviq.

    Kjo deklaratë e Sanduloviq vjen si koment në një postim të eurodeputetes Viola von Cramon.

  • ​Osmani e Konjufca bëjnë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    ​Osmani e Konjufca bëjnë thirrje për drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë

    Në përvjetorin e 25 të masakrës në Çikatovë të Vjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeparlamentari, Glauk Konjufca bënë thirrje për vendosjen e drejtësisë për krimet e kryera në Kosovë.

    E para e vendit, Vjosa Osmani tha u drejtua të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët dhe t’i mbledhin provat, në mënyrë që të fillojnë proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime.

    “Po ashtu, ka ndodhur me 17 prill të 99-ës një prej masakrave më të rënda gjatë luftës në Kosovë. Edhe këtu Serbia gjenocidale e Millosheviccit ka vrarë fëmijë, gra e pleq, njerëz të pafajshëm, njerëz të cilët thjeshtë dëshironin të jetojnë në liri. Edhe këtu sikurse edhe në masakrën e Poklekut, ka të mbijetuar të kësaj masakre, ka dëshmitarë të kësaj masakre. Prandaj, i bëjmë thirrje sërish nga këtu, në 25 vjetorin e këtyre masakrave të tmerrshme të gjitha institucioneve të drejtësisë që t’i marrin në pyetje dëshmitarët, t’i marrin deklaratat e tyre, t’i mbledhin provat. Sepse ka kaluar kohë shumë e gjatë dhe është domosdoshme që të ketë drejtësi dhe pas mbledhjes së provave të fillojnë të gjitha proceset gjyqësore për ata që kanë kryer këto krime të tmerrshme”, tha Osmani.

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca tha se masakrat e kryera tregojnë për qëllimin e pushtetit serb në shfarosjen dhe zhdukjen e kombit shqiptar. Ai tha se ky qëllim i Serbisë nuk u arrit falë luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave të NATO-s.

    “Po i nderojmë të rënët, martirët e Poklekut e Cikatovës së Vjetër në 25 vjetorin e masakrave që i kreu Serbia okupatore në Kosovë. Qëllimi i Serbisë ishte që përmes vrasjes së popullatës të Kosovës, e duke mos e kursyer askënd, as fëmijët, as pleqtë, as gratë të krijonte tmerr e frikë në popullin e Kosovës, që ne ta lëshonim Kosovën e ata ta bënin Kosovën serbe. Ky ka qenë qëllimi i vërtetë i gjenocidit, shfarsoja dhe zhdukja e popullit tona nga Kosova…Ky qëllim nuk u arrit, për arsye se ne si popullatë ishim të aftë ta krijonim Ushtrinë Clirimtare të Kosovës falë luftës së lavdishme të së cilës, në bashpëunim të ngushtë edhe me forcat e NATO-s u shporr Serbia nga Kosova dhe populli e gëzoi lirinë e shumë pritur”, tha Konjufca.

    Në homazhe mori pjesë edhe kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci.

    Në Poklek të Vjetër dhe Çikatovë të Vjetër, ushtria serbe ka masakruar dhe i ka vrarë, pastaj edhe i ka djegur kufomat e 77 shqiptarëve civilë të paarmatosur, duke filluar prej foshnjave gjashtëmuajshe e deri te pleqtë 75 vjeç.

  • Agjencia e Punësimit: 68 për qind e grave punësohen përmes këtij institucioni

    Agjencia e Punësimit: 68 për qind e grave punësohen përmes këtij institucioni

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike shqyrtoi Raportin e Auditimit për mbështetje më të madhe të grave në bujqësi, raporton EO.

    Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të mërkurën ka shqyrtuar Raportin e Auditimit të Performancës: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”.

    Anëtarja e Komisionit, Albana Bytyqi, ka thënë se sa i përket Shqyrtimit të Raportit të Auditimit të Performancës: “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”, bizneset mbështeten përmes sektorëve artizanale, agrokultura. Gratë fermere kanë përparësi në marrjen e granteve. Kriteret e përzgjedhjes implikohen, këtu marrin pikët afirmative nëse janë pronarë të tokave.

    “Mos përfshirja e grave në zhvillimin rural, pjesëmarrja e ulët e grave mund të ketë ndodhur se nuk mbahen takime të rregullta gjatë vitit, ka mangësi në raportet e zonave rurale”, tha ajo.

    Bytyqi, shtoi se ka vonesa në shpalljet për aplikim, procedurat e regjistrimit nuk i përkrahin mjaftueshëm gratë.

    “Refuzohen kandidatët për mos plotësimin e duhur të aplikimit. Interesimi nga gjinia femërore për marrjen e granteve është i madh por ka rënë për shkak të mos-përkrahjes në regjistrime. Rezultatet e Auditimit tregojnë se nuk ka rezultate të kënaqshme në përfshirjen e grave në zona rurale, aty mungon aktivizimi i informimit që ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre me ligj”, tha ajo.

    Bajrami, tha se ka gabime në Raportin e Auditimit, duhet të kemi një strategji që gratë të jenë aktive në kërkim të punës dhe pastaj mund të shohim se ku kanë nevojë të jenë më aktive.

    Myrvete Gashi -Morina, Auditore e Përgjithshme, tha se masat afirmative nuk janë efektive për mbështetjen e grave në zona rurale.

    “Agjencia e Punësimit ka masa në diversifikimin e pasurisë dhe zhvillimin e biznesit. Masat afirmative nuk janë efektive për mbështetjen e grave në zona rurale”, tha ajo.

    U.d e Agjencisë së Punësimit, Jehona Rexha, tha se do ketë avancim në sistem të informatave.

    “Në avancimin e sistemit të informatave, shumë shpejt do rigjenerohen mundësitë e aplikimit përmes E-Kosova. I kemi lidhur përmes ATK dhe ARC. Në Qendrën e Aftësimit në Pejë kemi në program aftësim profesional në fushën e bujqësisë dhe këtë vit do e shtrijmë edhe në qendrat tjera të Aftësimit Profesional”, tha ajo.

    Drejtori i Statistikave në Agjencinë e Punësimit, Shpëtim Kalludra, tha se kjo agjenci është e para në aspektin e punësimit të grave me rreth 68 për qind.

    “Jemi të parët në aspektin e punësimit të grave sepse 68% të punësimit të grave është një përqindje jo e vogël. I kemi arrit objektivat tona si Agjenci e Punësimit”, tha ai.

    Anëtarja e Komisionit, Mirlinda Tishukaj – Sadiku, pyeti se cila është arsyeja e mos-përfshirjes së grave te Krushës nga anketa e UN Woman.

    “Anketa e bërë nga UN Woman është konsultuar me ZKA lidhur me mostrat a është përfshirë Krusha, gratë e Krushës janë shembull i grave fermere, ndërsa Prishtina nuk ka prirje bujqësore. 7 Qendra të Aftësimit Profesional ndërsa shkolla 63, sa arrini të bashkëpunoni që gratë të aftësohen”, pyeti ajo.

    Drejtoresha Rexha, tha se nuk kanë pas mundësi të bashkëpunojnë në këtë drejtim.

    “Janë pjesë e grupeve punuese, kandidatët që regjistrohen si punëkërkuese, sistemi i arsimit profesional tek ne është joformal”, tha ajo.

    Auditorja, Gashi tha se MINT-i nuk ka dhënë grante për gratë në vitin 2023 në zona rurale ndërsa e vetmja që i ka mbështetur ka qenë Ministria e Bujqësisë.

    Anëtari i Komisionit, Visar Korenica, tha se do ishte më mirë të kishim një raport më të përgjithshëm në mënyrë që të përfshihen edhe gratë në zona rurale.

    “A shërbejnë këto të dhëna që të ndikohet menjëherë në marrjen e masave nga politika qeverisëse”, tha Korenica.

    Kalludra tha se sistemi i AP-së nuk është i ndërlidhur që të shohim se AZHB-ja kujt i ofron grante.

    “Kemi kontaktuar me Ministrinë që të shohim mundësinë e bashkëpunimit. Çdo vit publikohet një raport për performancën e punës, pasqyrojmë gjendjen e punës. Ne zbatojmë politika të punësimit”, tha ai.

    Bajrami i rekomandoi AP-së të trajton nevojën për trajnime të fermerëve gra dhe burra, duke shtuar se mungon ndërlidhja me sektorin privat.