ATV

Category: Lajme

  • Verifikimi dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë përfundon në 28 komuna

    Verifikimi dhe numërimi i votave të kandidatëve për deputetë përfundon në 28 komuna

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i verifikimit dhe numërimit ka përfunduar në 28 Qendra Komunale të Numërimit, ndërkaq, numri i përgjithshëm i vendvotimeve të procesuara dhe që i takojnë të gjitha QKN-ve (38) është 2,118 nga 2,498 vendvotime apo 84.79%.

    Sipas KQZ-së, procesi i numërimit dhe verifikimit nuk është përmbyllur ende në dhjetë QKN-të tjera: Fushë Kosovë (56/62); Suharekë (73/86); Vushtrri (79/89); Mitrovicë e Jugut (98/100); Podujevë (103/103); Gjilan (80/127); Gjakovë (116/144); Ferizaj (126/146); Prizren (133/232); dhe Prishtinë (107/262).

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate: https://resultsparliamentary2026.kqz-ks.org/.

  • KQZ: Nga 23 mijë pako të verifikuara të diasporës, 22,601 aprovohen – 755 refuzohen

    KQZ: Nga 23 mijë pako të verifikuara të diasporës, 22,601 aprovohen – 755 refuzohen

    KQZ ka njoftuar me progresin e aktiviteteve në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, aty ku po vazhdon procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës që deri më tani janë sjellur në Kosovë. Qëllimi është që të vërtetohet nëse këto pako janë dërguar nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës.

    “Deri në përfundim të ditës së mërkurë (10 qershor 2026) në procesin e vlerësimit janë përfshirë më shumë se 23 mijë e 300 pako, prej të cilave janë aporvuar 22,601, ndërkaq janë refuzuar 755. Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 699 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ”, tha Elezi.

    Sipas KQZ-së, ky proces ka filluar më 9 qershor 2026, në orën16:00 dhe ka për qëllim të vërtetojë nëse këto pako janë dërguar votuesit e regjistruar. Në fund të këtij procesi të vlerësimit, KQZ do të publikojë të dhënat për mumrin e pakove me fletëvotime të supozuara, të cilat do të numërohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve.

    Gjatë ditës së hënë, më 8 qershor, është përmbyllur procesi i tërheqjes së pakove me fletëvotime që i takojnë votimit jashtë Kosovës, përkatësisht votimit përmes postës. Tërheqja e pakove me fletëvotime ëshë bërë nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë. Nga 23 kuti postare, janë tërhequr më shumë se 85,700 pako të supozuara me fletëvotime, një pjesë prej të cilave janë sjellur në Kosovë.

    Gjatë periudhës së regjistrimit (6 maj – 17 maj 2026) numri i shtetasve të regjistruar për të votuar përmes postës në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës është 104,480 votues.

  • “Zâni i Lirisë” nga MOLOS shpallet fitues i konkursit për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”

    “Zâni i Lirisë” nga MOLOS shpallet fitues i konkursit për Memorialin Përkujtimor “Adem Jashari”

    Projekti “Zâni i Lirisë”, i realizuar nga MOLOS, është përzgjedhur fitues i konkursit për projektimin e Memorialit Përkujtimor “Adem Jashari”, një projekt i dedikuar përjetësimit të sakrificës së familjes Jashari dhe kontributit të saj historik për lirinë e Kosovës.

    MOLOS është një studio kreative nga Prishtina, i cili prej më shumë se dy dekadash vepron në fushën e artit, arkitekturës, animacionit dhe dizajnit. Studioja, e themeluar në Kosovë në vitin 2002, njihet për qasjen e saj ndërdisiplinore, duke bashkuar arkitekturën, identitetin vizual, hapësirën publike, filmin, animacionin dhe dizajnin në projekte me karakter artistik e funksional.

    Në projektin “Zâni i Lirisë”, MOLOS e ka vendosur në qendër zërin si metaforë të kujtesës, trashëgimisë dhe vazhdimësisë historike. Koncepti frymëzohet nga fjalët e Adem Jasharit: “Besa besë, vetëm një vdekje se tjetër s’ka në këtë jetë. Edhe një fjalë e mirë.”

    \

    Sipas konceptit të prezantuar, memoriali nuk trajtohet vetëm si objekt përkujtimor, por si një përvojë hapësinore dhe emocionale.

    Zëri shndërrohet në formë fizike përmes valëve zanore, të cilat përkthehen në elemente arkitektonike, ritmike dhe skulpturore. Këto elemente krijojnë një gjurmë të zërit në hapësirë, duke e bërë kujtesën të prekshme për vizitorët.

    Memoriali është paraparë të shtrihet përgjatë rrugës “Agim Ramadani” në Prishtinë, duke krijuar një bosht simbolik në strukturën urbane të qytetit.

    Përmes kësaj shtrirjeje, projekti synon të lidhë hapësirën publike me historinë, qytetarin me kujtesën dhe brezat e rinj me sakrificën mbi të cilën është ndërtuar liria.

    Një nga elementet kryesore të projektit është përdorimi i ujit, i cili përfaqëson rrjedhën e jetës, kujtesën dhe vazhdimësinë. Uji ndërthuret me strukturat metalike, pemët, hapësirat e gjelbra dhe elementet reflektuese, duke krijuar një ambient që fton në qetësi, përulje dhe reflektim.

    Projekti parasheh edhe elemente interaktive dhe digjitale, përmes të cilave vizitorët mund të njihen më afër me historinë e familjes Jashari, kontekstin e sakrificës së tyre dhe dokumentimin historik. Në këtë mënyrë, “Zâni i Lirisë” synon të jetë jo vetëm memorial përkujtimor, por edhe hapësirë edukimi, përjetimi dhe ndërgjegjësimi publik.

    Në prezantimin e projektit, MOLOS e përshkruan këtë vepër si një përpjekje për ta përjetësuar zërin e lirisë dhe për t’i dhënë atij një formë që mund të preket, të përjetohet dhe të bartet te brezat që vijnë.

    “Zâni i Lirisë” materializon kujtesën për një sakrificë që solli lirinë.

    Përmes arkitekturës, tingullit, ujit dhe hapësirës publike, projekti synon që kontributi i familjes Jashari të vazhdojë të jetojë në kohë, në hapësirë dhe në ndërgjegjen kolektive të njerëzve.

  • Rufki Suma grumbullon më shumë vota se Albin Kurti në Han të Elezit

    Rufki Suma grumbullon më shumë vota se Albin Kurti në Han të Elezit

    Në komunën e Hanit të Elezit ka përfunduar numërimi i votave të kandidatëve për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Sipas të dhënave të publikuara në platformën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga Lëvizja Vetëvendosje del që primatin e mban kandidati për deputet, Rufki Suma me plot 1.330 vota të mbledhura.

    Ai ka lënë pas vetes kandidatin për kryeministër dhe kryetarin e VV-së, Albin Kurtin, i cili në këtë komunë ka fituar 1.251 vota.

  • Cakolli: Nëse VV i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë

    Cakolli: Nëse VV i merr 65% të votave të diasporës, mund ta formojë qeverinë

    Eugen Cakollin, hulumtues i Demokracisë në Veprim, tha se Lëvizjes Vetëvendosje do t’i nevojiten 65% e votave të diasporës për ta propozuar kryeparlamentarin dhe formuar qeverinë.

    “Nëse përqindja e shkurtit do të përsëritej me numrin aktual të votuesve të supozuar që kanë votuar jashtë vendit, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 50 deputetë të sigurtë dhe do të jetë çështja e dhjetëra votave që do ta fitojë edhe deputetin e 51-të. Në kuadër të votimit jashtë vendit nuk ka qenë asnjëherë nën 55%”, deklaroi Cakolli në Klan Kosova.

    “Tash nëse shkon me skenarin e shkurtit, atëherë i bie 43.8 ose 44%. Nëse i merr 70% atëherë mund të shkojë deri në 46.7 deri në 47%. Me 53 deputetë po, pasi që do të ishin edhe nëntë deputetë nga radhët e komuniteteve. Në fakt, në rast se LDK nuk performon mirë, mund ta arrijë këtë edhe me veç 65 % të votave të diasporës dhe do t’i fitonte minimalisht 52 deputetë, por do ta kishte qeverinë me vetëm 61 deputetë”, theksoi ai.

  • Anulohet seanca për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë

    Anulohet seanca për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë

    Për shkak se mbrojtësi i të akuzuarit Naim Berisha, avokati Naim Rudari ishte i angazhuar me tjetër seancë, është anuluar seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë për vrasjen e dyfishtë në Kolovicë të Prishtinës më 26 mars 2024.

    Në këtë rast, bashkë me Naim Berishën, akuzohen Ahmet Berisha, Lum Halimaj dhe Kaltrim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Gjykatësja e rastit, Alltën Murseli tha se avokati Rudari ka seancë në Departamentin Special, andaj nuk mund të jetë i pranishëm në këtë seancë.

    Gjykimi po mbahet në mungesë ndaj të akuzuarve Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, pasi që të njëjtit ndodhen në arrati.

    Sipas aktakuzës, palët e armatosura u përplasën për motive hakmarrjeje të lidhura me tregtinë e narkotikëve, duke shkaktuar edhe lëndime të tjera të rënda. Të pandehurit ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë” në bashkëkryerje, si dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”. Naim Berisha dhe Kaltrim Gashi, ndodhen ende në arrati.

  • Rreth 23 mijë nxënës testohen më 26 qershor në Testin e Arritshmërisë

    Rreth 23 mijë nxënës testohen më 26 qershor në Testin e Arritshmërisë

    Rreth 23 mijë nxënës, do t’i nënshtrohen Testit të Arritshmërisë që mbahet më 26 qershor. Edhe këtë vit ky test do të organizohet vetëm në një ditë, kanë bërë të ditur drejtues të Ministrisë së Arsimit. Njohës të arsimit, vlerësojnë se organizimi i këtij testi, për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme, kërkon përgatitje të duhura.

    Edhe këtë vit shkollor Testi i Arritshmërisë do të organizohet vetëm në një ditë, më datë 26 qershor, ku do t’i nënshtrohen rreth 23 mijë semimaturantë. Udhëheqësi i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, Fatmir Elezi, në një përgjigjeje për Radio Kosovën dha detaje rreth mbarëvajtjes se këtij testi.

    “Testi do të organizohet me 26 qershor dhe nxënësit ngjashëm si viteve të kaluara do t’i nënshtrohen testit vetëm në një ditë. Do të jenë katër grupe të lëndëve: gjuhë shqipe, gjuhë angleze, matematikë, informatikë, shkenca shoqërore, histori, gjeografi, shkenca natyrore, fizikë, kimi, biologji. Katër grupet i kanë gati 25 kërkesa”, tha Elezi

    Ndërkaq, njohës të arsimit po vlerësojnë se organizimi i Testit të Arritshmerisë është i rëndësishëm për orientimin e nxënësve për shkollimin e mesëm. Xhavit Rexhaj i tha Radio Kosovës se ky test nuk duhet të anulohet siç është kërkuar me herët, por se duhet të analizohet mënyra e realizimit.

    “Ky e ka rolin e vet, ky e ka orientimin e nxënësit për shkollimin e mëtejmë. Nëse administrohet si duhet dhe nëse analizohen rezultatet e tij si duhet, ky është jashtëzakonisht i dobishëm. Prandaj, në vend se të anulohet, unë mendoj se duhet të mendohet mënyra e duhur e zbatimit dhe mandej zbatimi i tij i rregullt”, tha Rexhaj

    Qëllimi i Testit të Arritshmërisë është që të maten njohuritë dhe shkathtësitë e nxënësve dhe njëkohësisht nxënësve të klasave të nënta ky rezultati do t’ u shërbejë për regjistrim në shkollat e mesme të larta.

  • U rreshtua në krah me Vjosa Osmanin: Sa vota numëron deri më tani Haxhi Avdyli?

    U rreshtua në krah me Vjosa Osmanin: Sa vota numëron deri më tani Haxhi Avdyli?

    Qendrat Komunale të Numërimit po vazhdojnë procesin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë.

    Sipas të dhënave të përditësuara, deri më tani janë numëruar rreth 85% e votave për kandidatët për deputetë nga zgjedhjet e 7 qershorit.

    Bazuar në këto të dhëna, kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haxhi Avdyli, që në këto zgjedhje u rreshtua me Vjosa Osmanin, deri më tani ka mbledhur plot 5.090 vota, duke u renditur kështu i 38-ti në listë.

  • Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit

    Prishtina sot shënon 27 vjetorin e çlirimit

    Kryeqyteti i Kosovës Prishtina, sot do ta kremtojë 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit me një sërë aktivitetesh përkujtimore, kulturore dhe sportive, të organizuara nga Komuna e Prishtinës.

    Manifestimet synojnë të nderojnë dëshmorët e lirisë dhe të kujtojnë një nga datat më të rëndësishme në historinë e kryeqytetit.

    Duke filluar nga ora 10:00, do të bëhen homazhe pranë Varrezave të Dëshmorëve në lagjen Velania, ku do të përkujtohet sakrifica e atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit. Më pas, në orën 10:30, do të mbahen nderime pranë shtatores së heroit Zahir Pajaziti, në sheshin që mban emrin e tij.

    Në orën 11:00, në Sallën e Kuvendit Komunal do të mbahet Seanca Solemne me rastin e Ditës së Çlirimit të Prishtinës, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues institucionalë, veteranë të luftës dhe personalitete të jetës publike.

    Një nga ngjarjet qendrore të ditës do të jetë Marshi i UÇK-së, i cili nis në orën 12:00 nga Sheshi “Zahir Pajaziti” dhe përfundon në Sheshin “Skënderbeu”. Marshi organizohet nga ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët do të parakalojnë të veshur me uniformat e UÇK-së.

    Festimet do të vazhdojnë edhe gjatë mbrëmjes.

    Në orën 18:00, në Stadiumin “Fadil Vokrri”, do të zhvillohet “Ndeshja e Yjeve – Miqtë e Futbollit”, një aktivitet sportiv që synon të promovojë frymën e bashkimit dhe festës qytetare.

    Ndërkaq, nga ora 18:30 deri në 23:00, Sheshi “Skënderbeu” do të shndërrohet në qendrën kryesore të festimeve me një koncert festiv. Para qytetarëve do të performojnë Ansambli “Bajram Curri”, Shkolla e Muzikës “Prenk Jakova”, grupet Zwada dhe Blla Blla Blla, si dhe një DJ, duke përmbyllur në atmosferë festive këtë ditë të veçantë për kryeqytetin.

    Dita e Çlirimit të Prishtinës mbetet një simbol i sakrificës për liri, kujtesës historike dhe mirënjohjes ndaj atyre që kontribuuan në çlirimin e vendit, ndërsa shërben edhe si një moment bashkimi për qytetarët e të gjitha brezave.

  • Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

    Sot nis numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike

    Sot me fillim nga ora 16:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, pritet të nisë numërimi i votave nga përfaqësitë diplomatike.

    Kështu bëri të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

    Ai kujtoi se votimi fizik jashtë Kosovës është zhvilluar më 6 qershor në 30 përfaqësi diplomatike.

    Elezi ka bërë të ditur se nga 27 mijë e 724 votues të regjistruar, kanë votuar rreth 81 për qind e tyre, apo 22 mijë e 414 votues.

    Në QNR është duke vazhduar procesi i vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë jashtë Kosovës.

    Sipas KQZ-së, nga 23 kuti postare janë tërhequr mbi 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime, të cilat po i nënshtrohen verifikimit.

    Pas përfundimit të numërimit të çdo vendvotimi, të dhënat janë duke u transmetuar në platformën e KQZ-së për rezultate, të cilat mund t’i gjeni KËTU.