Disa ditë pasi pranuan fajësinë, Gjykata Themelore e Prishtinës shpalli aktgjykim dënues ndaj gjashtë personave për shpëlarje të parave, në vlerë prej 125 mijë eurosh.
Florim Laçi, Hamëz Limaj, Arment Orana, Shabedin Reka dhe Avdush Qukovci, që përveç për shpëlarje parash, akuzohen edhe për pranim ose përfitim të gjësendeve në kundërshtim me ligjin, u dënuan prej 1 deri në 2 vjet burgim, si dhe me gjobë prej 3500 eurosh.
Përveç dënimeve, të akuzuarve po ashtu u vendos që t’u konfiskohen gjësendet të blera me paratë e fituara në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas aktakuzës, më 20 tetor 2021, në një pikë të derivateve në Prishtinë, të akuzuarit Laçi, Reka, Limaj, Orana, Qukovci dhe SIlamniku, në bashkëkryerje, tentuan t’i këmbejnë paratë e shpëlara me para legale.
Sipas Prokurorisë, ata duke e ditur se shuma e të hollave prej 125 mijë e 240 euro ishte siguruar përmes aktivitetit kriminal, u përpoqën që t’i këmbejnë me para origjinale, në shumën prej 30 % të shumës së përgjithshme, t’i transferojnë ato te personat e tretë, me qëllimin që të vihen në qarkullim si të siguruara në mënyrë të ligjshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk janë pro idesë që hapi i parë drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme të jetë shpërbërja e Kuvendit.
Dy partitë opozitare që nuk iu përgjigjën ftesës për darkë pune të kryeministrit Albin Kurti, thonë se nuk duan të bëhen instrument i shefit të qeverisë, megjithëse shprehen të gatshme për zgjedhje parlamentare.
“Për këtë, duhet dorëheqja e Kryeministrit, si rruga e duhur drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shkuarjes në zgjedhje të parakohshme. Dorëheqja, më pas shpërbërja dhe në fund data. Ky është rendi i gjërave”, thuhet në qëndrimin e LDK-së.
AAK-ja në disa raste e ka përmendur mocionin e votëbesimit për rrëzim të qeverisë Kurti 2, por që nuk është përkrahur nga partitë e tjera opozitare.
“Ne si Aleancë e kemi propozuar një mocion të votëbesimit në Kuvend. Shpërbërja e Parlamentit për AAK-në mund të ndodhë vetëm atëherë kur kryeministri shkarkohet ose dorëhiqet”, tha shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri.
ATV-ja merr vesh që, nëse ndryshon klima mes subjekteve parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës mund ta propozojë shpërbërjen e Kuvendit javën e ardhshme. Ndërsa, brenda takimit Krasniqi – Kurti janë përmendur 30 qershori dhe 7 korriku si të dielat e mundshme për t’u mbajtur zgjedhjet.
Pas darkës së të hënës, Krasniqi nuk i konfirmoi këto plane, por i përmendi si propozime.
As Kurti nuk u lëshua në detaje. Megjithatë, ai e mbështet vetëm shpërbërjen e Kuvendit si mundësi për zgjedhje të reja. Për t’u arritur kjo, tha se duhet marrëveshje e gjerë politike.
Kurti nuk e ka përjashtuar edhe një takim tjetër me liderët opozitarë, por ende nuk dihet nëse ata do t’i ftojë brenda kësaj apo tjetrës javë.
Minatorët e “Trepçës” në Stan Tërg, e ndërprenë të martën grevën e filluar një ditë më parë. Ata morën garanci, se pagat e prillit do të ekzekutohen këtë të premte.
“Nuk kemi shumë pritshmëri, mirëpo do t’iu qëndrojmë në një farë forme besnik fjalëve të menaxhmentit dhe presim deri në ditën e premte, mirëpo është gjendje e rëndë”, tha kryetari i Sindikatës së Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Jonuzi.
Kryeshefi i “Trepçës”, Bashkim Kurti, thotë se të hyrat e gjeneruara nga shitja e koncentrateve gjatë prillit, nuk mjaftuan për t’i siguruar pagat e punëtorëve.
Mbi tetë mijë tonë xehe, sa u përpunuan në flotacionin në Tunel të Parë dhe Kishnicë, nuk i sollën të ardhura ndërmarrjes, as për t’i mbuluar gjysmën e shpenzimeve mujore.
“Kjo në tërësi është e barabartë diku me 26%, 27% të shpenzimit mujor të “Trepçës”. Shpenzimi mujor i “Trepçës” është diku një milion e 605 mijë euro. Me atë koncentrat ne arrijmë t’i gjenerojmë diku 400 mijë euro”, tha Kurti.
Kryeshefi tregon se greva njëditore i kushtoi ndërmarrjes 45 deri në 50 mijë euro fitim të humbur.
Drejtori i njësisë më të madhe të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, ishte ai që bindi minatorët t’i kthehen punës.
Ai thotë se numri i ulët i punëtorëve dhe teknologjia e vjetruar, bënë që edhe prodhimi në minierë të mos jetë ideali.
Sadiku shpreson se njësia që ai udhëheq, do të këndellet në rast të ekzekutimit të huas 20 milionëshe për “Trepçën”, që qeveria e miratoi në parim në shkurt të 2023-ës.
“Faza e parë është me pjesë rezervë të kësaj makinerie që e kemi, faza e parë do të thotë të bëjmë investime nga Qeveria me atë kredi që e ka premtuar. Faza e dytë, të them të drejtën, është në teknologji më moderne, kurse faza e tretë është për projekte madhore”, tha Sadiku.
Kryeshefi Kurti thotë se së shpejti do të takohet me Ministrin e Financave, Hekuran Murati, për të diskutuar lidhur me 20 milionëshin.
“Ato janë përgatitur, janë dërguar në Ministrinë e Ekonomisë, ME-ja e ka aprovuar si në rregull, d.m.th pajtohen me propozimet që i kanë dërguar, është dërguar në Ministrinë e Financave po pres për një takim me ministrin Murati, potencialisht javën e ardhshme ose këtë javë”, tha Kurti.
Implementimi i projekteve kapitale të parapara në planin investiv, parashihet të zgjasë nga viti aktual deri në vitin 2026.
Ligjërimin që e bëri në Institutin hungarez për Çështje Ndërkombëtare nuk e la pa shfrytëzuar edhe për lëvdata. Zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, e konsideroi impresionuese shkallën e uljes së papunësisë brenda tri vjetësh në Kosovë.
Por të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se krahasuar me vitin 2019, në vitin 2023 nga 25,7 për qind papunësia u ul në 12 për qind. Megjithatë, këto të dhëna nuk përputhen në raport me shifrat e punësimit, të cilat, sipas ASK-së, u rritën për më pak se 10 për qind gjatë periudhës së njëjtë.
Ish-ministri i Financave, Haki Shatri, thotë se Qeveria po manipulon me shifra derisa ato të cilat prezantohen nuk janë reale.
“Ky është një lloj mashtrimi i shkolluar me shifra për ata njerëz që nuk janë të përgatitur me i lexu drejt shifrat. Ku kanë shku njerëzit që kanë lypë punë, diferenca mes këtyre dy numrave tregon se njerëzit janë larguar nga Kosova”, tha Shatri.
Përpos papunësisë, sipas ish-ministrit Shatri, manipulim bëhet edhe me shifrat e të punësuarve në Kosovë.
“Nuk është e vërtetë që janë rritur 40 mijë vende pune për 3 vjet, janë rritur dikun 8-9 mijë sepse të dhënat tregojnë se numri i atyre që marrim pagë primare është 366 mijë këta e manipulojnë e shtojnë numrin e pagave sekondare”, tha Shatri.
Ekonomistët vlerësojnë se këto shifra do të duhet të ishin shqetësuese për Qeverinë e jo mburrje.
“Kur e kemi këtë tkurrje të sektorit privat kur kemi këtë fluks të ikjeve të qytetarëve, vetvete nënkupton që kemi rënie të papunësisë dhe në këtë drejtim besoj që një e dhënë e tillë duhet të jetë shqetësuese e jo krenari”, tha Safet Gërxhaliu, ekspert i ekonomisë.
Në bazë të të dhënave të deritanishme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës bazuar në regjistrimin e fundit të popullsisë vlerësohet se në Kosovë jetojnë mbi 1.5 milion banorë.
Për Veibe Gashin nga Qyshku i Pejës, 14 maji nuk shënon vetëm një përvjetor.
Gashi që i mbijetoi masakrës së Qyshkut thotë se në mëngjesin e 14 majit të vitit 1999, pa tmerrin me sy.
Derisa shprehet se dhimbja për babanë Halilin dhe 16 anëtarë të tjerë të familjes që iu masakruan para 25 vjetëve nga forcat serbe çdo ditë i shtohet.
“Ajo ditë ka qenë holokaust për neve. Nuk ka ma tmerr se me lypë prindin nën zjarr e mos me mujtë me gjetë. Tmerrin e asaj dite e kam pa me sy të mi, edhe pse isha në moshë të re, po dhimbja për çdo ditë vjen e shtohet edhe ma shumë”, tha Gashi.
Teksa shpreson për drejtësi e një të ardhme më të mirë, Gashi rrëfen se si i shpëtoi ngjarjes tragjike.
“Për neve mirë nuk ka, vetëm uroj që kjo rini që po rritet mos me përjetu atë që na kena përjetu. Kam shpëtu falë një djali shumë të vogël i cili më thirri nanë”, tha ajo.
Peja përkujtoi të martën mbi 120 shqiptarë civilë të vrarë në Qyshk, Zahaq, Pavlan dhe Llabjan.
Familjarët kanë ende shpresë për drejtësi, për tmerrin që thonë se nuk gjejnë fjalë për ta përshkruar.
Në 25-vjetorin e masakrës në Qyshk dhe fshatrave përreth, homazhe bëri edhe kryeministri Albin Kurti, me disa anëtarë të kabinetit.
Ndërkohë, gjatë muajit të kaluar Gjykata e Lartë në Beograd i dënoi me 50 vjet burgim gjithsej shtatë të akuzuar për masakrat e Zahaqit, Lubeniqit, Qyshkut dhe Pavlanit, ndërsa dy të tjerë i liroi.
Maturantët i kanë ditët e fundit në shkollë, ngase të premten përfundon mësimi për ta.
Derisa iu kanë mbetur edhe pak javë para provimit të maturës shtetërore, Ministria e Arsimit ka marrë një vendim të ri për ta.
Sipas këtij vendimi, dy javë para datës së provimit, nxënësit duhet të regjistrohen në platformën eKosova, duke paraqitur kështu edhe provimin e maturës.
“Zakonisht shënimet i kemi marrë nga komunat në formatin Exel, kemi vendosur që këtë vit të aktivizojmë përmes platformës eKosova një aplikacion ku nxënësit vetë do të aplikojnë, kurse shkolla do ta bëjë pranimin e atyre aplikacioneve dhe qendra do t’i ketë në kohë reale të dhënat. Aplikacioni do të duhet 2 javë para provimit, nga 1 qershor deri në 10”, tha Fatmir Elezi nga MASHT.
Edhe menaxhmentet e shkollave tashmë janë të informuar për vendimin e Ministrisë së Arsimit.
“Ne kemi marr e-mail zyrtar, për testin e maturës për aplikimin online, mendoj që është një nismë e mirë se çështjet administrative zvogëlohen dhe është një qasje e drejtpërdrejtë e fëmijëve në aplikimin e tyre. Ne e kemi shpërnda tek koordinatorja dhe përmes saj e kemi bërë të njohur te të gjithë maturantët”, tha drejtori i shkollës “Dr. Ali Sokoli”, Fatmir Bujupi.
“Përmes kujdestarëve të klasës e kemi shpërnda njoftimin te nxënësit. Ende është duke u planifikuar një takim në mënyrë që neve të na njoftojnë se si do të jetë procedura e më pas ne ta dërgojmë atë te nxënësit”, tha Albana Musa, sekretare në gjimnazin “Xhevdet Doda”.
Mirëpo, nxënësit frikësohen se mund të kenë telashe gjatë aplikimit.
“SI vendim i ri besojmë që është i mirë, por ka edhe anët negative, është pak më vështirë sepse është procedurë për nxënësit që nuk dinë me apliku”, tha Sara Qeshko, maturante.
Ndërkaq, njohësi i arsimit, Argjend Osmani, thotë se Ministria e Arsimit do të duhet të punonte më shumë në parandalimin e kopjimit në provimin e maturës shtetërore.
“Ministria me një fjalë po shet inovacione në gjana periferike, por do të duhej të ishte inovative në gjëra thelbësore të punonte në përmirësimin e kushteve të mbajtjes së provimit, të punonte në eliminimin e kopjimit masiv, shpërndarjen e testeve, por që aplikimi do të jetë online nuk do të ketë fare ndikim në organizimin e testit të maturës”, tha Osmani.
Këtë vit provimit të maturës pritet t’i nënshtrohen rreth 25 mijë maturantë.
Nënkryetar i LDK-së për Bashkëpunim Rajonal, Lutfi Haziri, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se si subjekt politik, LDK nuk e përkrahë mocioni i mosbesimit.
Ai tha se partitë opozitare mund ta kërkojnë shpërndarjen e Kuvendit, por pa LDK-në.
“Ne po lypim zgjedhje në një rrugë më të shkurtër. Rruga e mocionit me shpërbërje është me e marrë përgjegjësinë të gjithë brenda. Për çka duhet me u rrëzu Qeveria disa muaj para zgjedhjeve, për çka është arsyeja. Ne mendojmë se kati i dorëheqjes është politikisht korrekt, ku iu thua njerëzve kemi ardhë në një pikë kur Kosova, këtë javë në vend që ne me folë për anëtarësimin në Këshillin e Evropës”, tha Haziri. /atvlive.tv
Policia ka konfiskuar sasi të madhe të armatimin në rrethinë të Zveçanit, që dyshohet se ka mbetur nga sulmi i 24 shtatorit në Banjskë.
Lidhur me operacionin policor, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, kanë mbajtur konferencë për media.
Hoxha tregoi sasinë e armatimit të sekuestruar.
“1 mijë e 588 municione apo fishekë, 10 armë të gjata, 6AK 47, mitrolozë, 62 shok-bomba, eksploziv, dylbi, radiolidhje, shurdhues, karikatorë të mbushur e të zbrazët, maska, antiplumb, unifromë e ushtrisë serbe dhe 10 uniforma të Policisë së Kosovës, pajisje për dronë, etj”, tha ai.
Hoxha ka thënë se Policia e ka siguruar informacionin nga qytetarët dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI).
REL ka publikuar fotografi të armatimit të konfiskuar:
Më 15 maj (e mërkurë) për herë të gjashtë me radhë në Bruksel do të takohen kyenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, në lidhje me Rregulloren e BQK-së ku ndalohet përdorimi i dinarit në Kosovë. Pas përfundimit të fazës së tranzicionit të Bankës Qendrore, në partinë në pushtet theksojnë se s’ka asnjë alternativë që e parandalon apo shtynë vendimin për dinarin. Në anën tjetër, njohës të procesit të dialogut, janë optimist se në takimin e nesërm do të arrihet një dakordim për çështjen e dinarit. Optimist gjatë ditës u shfaq edhe vet ndërmjetësi i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.
Pjesëmarrjen e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në takimin e Brukselit e ka konfirmuar për KosovaPress, këshilltari i tij, Klisman Kadiu, mirëpo nuk dha detaje të tjera sa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshje.
Ndërkaq, deputetja e LVV-së, njëherësh kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Arbëreshë Kryeziu-Hyseni, thotë për KosovaPress se vendimi për ndalimin e përdorimit të dinarit serbë në Kosovë nuk do të prolongohet apo anulohet vetëm pse nuk i konvenon Serbisë.
Sipas saj, ekzekutivi është i gatshëm të bashkëpunojë sa i përket ofrimit të ndihmës për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që konvertimi në euro të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundshme.
“Çfarëdo alternative që shkon kundrejt qëndrimit tonin si qeveri dhe si institucion i BQK-së për ne është i papranueshëm. As nuk negociohet dhe as nuk ka alternativë tjetër qoftë që e parandalon apo e shtyn vendimin për dinarin. Thjeshtë ata duhet të pranojnë faktin se ky vendim do të implementohet pasi të tejkalohen hapat e tranzicionit nga BQK-ja. Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë sa i përket ofrimit të ndihmës për qytetarët serbë që jetojnë në Kosovë, në mënyrë që konvertimi në euro të jetë sa më i lehtë që të jetë e mundshme. Por nuk jemi të gatshëm që qoftë të prolongojmë apo anulojmë vetëm pse nuk po i përgjigjet Serbisë”, thotë ajo.
Në anën tjetër, analisti politik, Fidan Ukaj, thotë për KosovaPress se do të ketë një pajtim në heshtje për çështjen e dinarit.
“Mendoj se do të ketë një kalim në heshtje të kësaj problematike. Qytetarët serbë tashmë ka më shumë se një dekadë që janë mësuar me euron dhe mendoj se më shumë ka qenë një propagandë politike e Vuqiqit që me dramatizua një gjë të tillë. Mendoj se kjo periudha tre mujore e dhënë nga institucionet e Kosovës ka qenë ndihmës e madhe për qytetarët serbë apo qoftë për bizneset që me i ndërruar çmimet dhe për qytetarët që me i konvertu dinarët në euro. Mendoj se do të zbatohet rregullorja e BQK-së nga takimi i paralajmëruar…Pres që të ketë një dakordim nga propozimet e faktorit ndërkombëtar dhe të gjendet një zgjidhje për çështjen e dinarit”, thekson Ukaj.
Më 12 maj ka përfunduar faza e tranzicionit që ka ndërmarrë BQK-ja për rregulloren, rrjedhimisht edhe një nga masat lehtësuese që ishte mosaplikimi i gjobave dhe masave, si ndalimi i importimit të valutave të huaja për subjektet që operojnë me para të gatshme në përputhje me Ligjin për Bankën Qendrore dhe ligjet e tjera në fuqi.
Për çështjen e dinarit palët janë takuar pesë herë të tjera në Bruksel, mirëpo kanë dështuar të arrihet një ujdi kompromisi.
Me rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), euroja u caktua si valuta e vetme në Kosovë për kryerjen e pagesave me para të gatshme nga 1 shkurti./kp
Prokuroria Themelore e Gjilanit është deklaruar rreth rastit ku një zyrtare policore është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj.
Zëdhënësja e kësaj prokurorie Liridona Xheladini, në një përgjigje për Klankosova.tv tha se rasti po cilësohet si “Vdekje e dyshimtë”.
“Referuar pyetjeve tuaja ju njoftojmë se për këtë rast me urdhër të prokurorit të shtetit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për kryerjen e autopsisë dhe rasti është cilësuar si ‘’Vdekje e dyshimtë’’, tha Xheladini.
“Për të gjitha veprimet e mëtutjeshme do të jeni të informuar me kohë”, shtoi ajo.