ATV

Category: Lajme

  • Kurti në Kotorr përshëndetë familjarët e tij, tregon si ia kishin burgosur politikisht xhaxhain 41 vite më parë

    Kurti në Kotorr përshëndetë familjarët e tij, tregon si ia kishin burgosur politikisht xhaxhain 41 vite më parë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një deklarim për media para se të fillojë Samiti i Kotorrit, ka rrëfyer një histori të familjes së tij, ku 41 vite më parë, xhaxhai i tij ishte burgosur politikisht për tre muaj po në këtë qytet.

    “Jam shumë i lumtur që jam këtu në Kotorr të Malit të Zi. Para 41 vitesh në Kotorr ishte xhaxhai im, i burgosur politikisht për tre muaj. Ai vjen nga një fshat, Sukobin, i cili është në komunën e Ulçinit, në kufi me Shqipërinë”, rrëfeu Kurti.

    Ai përmendi edhe kohën e eksodit të shqiptarëve të Kosovës, një pjesë e të cilëve gjetën strehë edhe në Mal të Zi, për të cilën tha është mirënjohës.

    “25 vjet më parë u bëra i burgosur politik, e më vonë edhe i burgosur lufte. Ishte koha kur regjimi i Millosheviqit po ushtronte gjenocid ndaj popullit shqiptar në Kosovë. Dhe në Mal të Zi kishim një mik sepse refugjatët shqiptarë që po iknin nga projekti serb për shfarosjen e shqiptarëve dhe gjetën strehë në Malin e Zi fqinj, duke u sjellë me mikpritje të pakushtëzuar, për të cilën jemi përherë mirënjohës”, tha Kurti.

    Ai tha se tani pas 25 vitesh, po e viziton shtetin fqinj për herë të parë si kryeministër dhe se është i lumtur që e ka xhaxhain e tij të lirë dhe të shëndetshëm.

    “Tani jam kthyer në Kotorr pas disa vitesh si kryeministër i Kosovës për herë të parë. Dhe në të njëjtën kohë, jam shumë i lumtur që kam xhaxhain tim të lirë dhe të shëndetshëm në Sukobin. Tani ai ka mbushur 70 vite”, tha Kurti. /atvlive.tv

  • (VIDEO) Dalin pamjet e momentit kur kryeministri sllovak qëllohet me armë zjarri

    (VIDEO) Dalin pamjet e momentit kur kryeministri sllovak qëllohet me armë zjarri

    Janë publikuar pamjet kur kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico është qëlluar me armë zjarri, duke mbetur i plagosur.

    Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale dëgjohen 5 të shtëna me armë zjarri.

    https://twitter.com/RadioGenoa/status/1790843053160206440

    Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, më nuk është në rrezik për jetë, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.

    Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe Fico, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.

    Incidenti ndodhi në qytetin Handlova, rreth 150 kilometra në verilindje të kryeqytetit Bratislava, sipas stacionit televiziv të lajmeve TA3.

    Ngjarja ndodhi para Shtëpisë së Kulturës, ku Fico kishte ardhur për t’u takuar me mbështetësit.

    LEXONI EDHE:

    (VIDEO) Momenti kur kryeministri i Sllovakisë futet me shpejtësi në veturën e blinduar, pas plagosjes

  • U qëllua me armë zjarri, kryeministri i Sllovakisë jashtë rrezikut për jetën

    U qëllua me armë zjarri, kryeministri i Sllovakisë jashtë rrezikut për jetën

    Gjendja shëndetësore e kryeministrit sllovak, Robert Fico, më nuk është në rrezik për jetë, pasi ai u qëllua me armë zjarri teksa po dilte nga një mbledhje të Qeverisë të mërkurën, tha zëvendëskryeministri i Sllovakisë.

    Sulmuesi e qëlloi Ficon pesë herë. Fillimisht gjendja e tij ishte kritike dhe Fico, 59 vjeç, iu nënshtrua një operacioni në orët e vona të së mërkurës.

    “Jam tronditur. Fatmirësisht, me sa di, operacioni shkoi mirë dhe mendoj se ai do t’i mbijetojë [atentatit]. Në këto momente ai më nuk është në rrezik për jetë”, tha zëvendëskryeministri sllovak dhe ministri i Mbjedisit, Tomas Taraba, për BBC.

    Taraba tha se një plumb e goditi Ficon në stomak, ndërkaq plumbi i dytë në një kyç.

    Paraprakisht, ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak, tha gjatë një kofenrece për media se Fico kishte pësuar “politraumë serioze” nga të shtënat me armë zjarri.

    Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Matus Sutaj Estok, gjatë kohës kur po operohej Fico, kishte deklaruar se jeta e kryeministrit ishte në rrezik.

    Ai po ashtu deklaroi se sipas hetimeve fillestare, atentati kishte “qartësisht motive politike”.

    Fico, një politikan veteran në Sllovaki që u rikthye për t’u bërë kryeministër për herë të katërt pasi partia e tij Smer i fitoi zgjedhjet shtatorin e kaluar, kishte dalë nga një takim i Qeverisë së tij në qytetin Handlova, gati 200 kilometra në verilindje të kryeqytetit sllovak, kur një burrë i armatosur iu afrua dhe e qëlloi.

    Gazetarët, të cilët ishin në vendin e ngjarjes, thanë se u dëgjuan disa të shtëna me armë.

    Një video shfaqi Ficon duke u futur nga rojet e sigurisë me nguti në një veturë, e cila u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

    Policia u pa gjithashtu duke e arrestuar një person, i cili besohet të jetë i dyshuari.

    Të shtënat në Handlova, që sipas mediave lokale sllovake u kryen nga një burrë 71 vjeç, tronditën Sllovakinë dhe nxitën dënim ndërkombëtar.

    Sllovakia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian, është përballur me pak raste të dhunës politike./REL/

  • Shtyhet rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Shtyhet rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut

    Sot ishte e paraparë të mbahej rigjykimi ndaj Dardan Krivaqës dhe Arbër Sejdiut, të cilët akuzohen për dhunimin dhe vrasjen e Marigona Osmanit më 22 gusht të vitit 2021 në Ferizaj, por që kjo seancë është shtyrë për një datë tjetër.

    Sipas burimeve të ATV-së, e njëjta do të mbahet të premten e 24 majit.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht të vitit të kaluar e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasjen e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim.

    Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vjet burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.

    Por, Gjykata e Apelit, me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe të mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.

    18-vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqës, në qytetin e Ferizajt.

    Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani së ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.

    Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.

  • ​25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    ​25 vjet nga zhdukja e Ukshin Hotit

    Më 16 maj 1999 në rrethana ende të pandriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.

    Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor 1943 në Krushë të Madhe të Rahovecit. Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.

    Ukshin Hoti ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.

    Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit. Për herë të fundit ishte arrestuar më 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundër Jugosllavisë dhe pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’rast ishte dënuar me 5 vjet burg.

    Më 16 maj 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.

    Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.

    Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur.

    Komuna e Rahovecit sot mban takim në 25-vjetorin e zhdukjes së Ukshin Hotit, në Shtëpinë-muze të Ukshin Hotit, Krushë e Madhe, ora 19:00.

  • ​Samiti i Ballkanit Perëndimor, Kurti flet për planin e ri të rritjes

    ​Samiti i Ballkanit Perëndimor, Kurti flet për planin e ri të rritjes

    Në Kotorr të Malit të Zi, sot mbahet Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku liderët e vendeve të rajonit, përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, do të diskutojnë Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor

    Samiti mbahet nën sloganin “Një rajon, vizion i përbashkët”. Në takimin e liderëve rajonalë marrin pjesë edhe komisionari Varhelyi, dhe ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, O’Brien.

    Plani i Rritjes përfshin gjashtë miliardë euro grante dhe kredi për të përshpejtuar konvergjencën socio-ekonomike me BE-në – dy miliardë grante dhe katër miliardë kredi të buta të garantuara nga BE.

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të jetë folës në panelin e diskutimit “Situata aktuale dhe planet e së ardhmes – Plani i ri i rritjes”. Kryeministri Albin Kurti mbrëmë mori pjesë në darkën e liderëve të shtruar nga homologu i tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq.

    Ai me këtë rast ka postuar foto nga takimet me homologun e tij nga Mali i Zi, Milojko Spajiq, komisionarin evropian për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, dhe ndihmës Sekretarin e Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien.

    “Jam në Kotorr Mali i Zi për takimin e tretë këtë vit të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor për Planin e Rritjes së BE-së së bashku me BE dhe SHBA. Ne do të diskutojmë përparimin tonë në agjendën e reformës së Planit të Rritjes së BE-së dhe çështjet rajonale, duke përfshirë gjendjen e zbatimit të marrëveshjeve që kemi arritur në Procesin e Berlinit”, ka shkruar Kurti në rrjetin social X.

  • Vrau policin në Fier, vetëdorëzohet autori Azgan Mërnica

    Vrau policin në Fier, vetëdorëzohet autori Azgan Mërnica

    Është vetëdorzuar në polici Azgan Mërnica, i riu i cili u shpall në kërkim prej dy ditësh për vrasjen e policit Novruz Cenalia në Fier.

    Mësohet se Mërnica u dorëzua në orët e vona të kësaj të mërkure në Drejtorinë e Policisë së Fierit pas negociatave nga babai dhe daja i tij, pasi akuzohet për vrasjen e efektivit të policisë, Novruz Canaliaj dy ditë më parë.

    Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 13:30 të datës 13 maj në fshatin Baltëz, Njësia Administrative Dërmenas, Bashkia Fier pas një konflikti se kush kishte të drejtën për të kaluar me makinë në rrugën e fshatit.

    Të dy debatuan me fjalë e më pas dolën nga mjetet përkatëse. Në këtë moment, Azgan Mërnica qëlloi me 1 plumb pistolete në kokë efektivin që po shkonte në punë të merrte shërbimin.

  • Kuvendi mban dy seanca plenare

    Kuvendi mban dy seanca plenare

    Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë dy seanca plenare.

    Në rend dite do të jenë pikat e papërfunduara të seancave të datave 4 prill dhe 2 maj.

    Seanca e parë pritet të nisë nga ora 10:00.

  • “Përfshirja e dëmeve të luftës në regjistrimin e popullsisë, e pamenduar mirë”

    “Përfshirja e dëmeve të luftës në regjistrimin e popullsisë, e pamenduar mirë”

    Përgatiti: Arton Hamit

    Pothuajse gjysma e shtëpive në Kosovë ishin në këtë gjendje pas përfundimit të luftës në vitin 1999. Përveç vrasjeve e dhunimeve gjatë luftës, ushtria serbe shkatërroi ekonomi familjare, prona shoqërore e bagëti.

    Ndonëse, nuk ka të dhëna të sakta, një përpjekje për t’i dokumentuar ato po bëhet përmes procesit të regjistrimit të popullsisë. Megjithatë, ka dyshime nëse këto të dhëna do të jenë të besueshme.

    “Mendoj që mund të krijohen paqartësi dhe konfuzione respektivisht një perceptim i gabuar mbi dëmet materiale, mund të jenë më të mëdha më të vogla dhe gjithashtu mund të raportohet një dëm material nga më shumë familje, sepse në të kaluarën familjen kanë jetu në bashkësi të mëdha prona ka qenë e përbashkët”, tha Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, me dokumentimin e dëmeve materiale të shkaktuara gjatë luftës, duhet të merren komisione të veçanta e profesionale.

    “Mendoj që nuk është menduar mirë që në regjistrimin e qytetarëve të përfshihet edhe regjistrimeve i dëmeve materiale. Në rend të parë duhet mendoj që është dashur të krijohen komisione të veçanta që merren me dokumentimin dhe verifikimin. Ne e kemi pa edhe pyetësorin dhe nuk dihet saktë për çka bëhet fjalë, a është patundshmëri, shtëpi, vetura apo edhe gjësende të tjera”, tha Blakaj.

    Dyshime për saktësinë e të dhënave që do të dalin nga procesi i regjistrimit të popullsisë, sa u përket dëmeve materiale gjatë luftës, ka edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës.

    “Besoj që qytetarët do t’i japin të dhënat e sakta, por ky është veç një burim, e kemi thanë qysh në fillim që ky është një burim shtesë për institucionet relevante dhe ata do të formojnë komisione specifike për t’i verifikuar ato të dhëna, ndërkohë këto vetëm i mbështesin ato të dhëna administrative”, tha U.D. drejtori i ASK-së, Avni Kastrati.

    Teksa dëmet materiale jozyrtarisht llogariten të jenë mbi 20 miliardë euro, sipas një studimi të Agjencisë së OKB-së për Refugjatë, në nëntor 99, pothuajse 40 për qind e të gjitha shtëpive të banuara në Kosovë u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht.

    Kjo është hera e parë që në kuadër të regjistrimit, është përfshirë formulari për regjistrimin e dëmeve, që u janë shkaktuar ekonomive familjare gjatë luftës.

  • Fillon gjykimi në mungesë për krime lufte ndaj Slavica Filiq

    Fillon gjykimi në mungesë për krime lufte ndaj Slavica Filiq

    Përgatiti: Nora Luta

    Ishte 10 prilli i vitit 1998 kur Hafir Shala, derisa po udhëtonte me veturë bashkë me dy persona të tjerë nga Gllogoci për në Prishtinë, u ndalua nga pjesëtarë të Sigurimit Shtetëror të Serbisë.

    25 vjet pas luftës, fati i Shalës ende nuk është zbuluar, por Prokuroria Speciale i ka dyshimet e bazuara mirë se përgjegjës për ndalimin e mjekut dhe keqtrajtimin e tij është Sllavisha Filliq.

    Ndaj tij ka ngritur aktakuzë në mungesë, e të mërkurën filloi shqyrtimi gjyqësor.

    Sipas aktakuzës, Shalën, Filliq si pjesëtar i sigurimit shtetëror, bashkë me dy persona të tjerë, e dërguan në ndërtesën e sigurimit shtetëror, ku edhe e keqtrajtuan.

    Aktakuza ishte ngritur në shtator të 2023-s, ndërsa gjykata ka konstatuar se janë krijuar kushtet ligjore për nisjen e gjykimit në mungesë.

    Të akuzuarin në këtë proces e përfaqëson avokatja Milka Milosavljevic, e cila ka paralajmëruar se do ta shfrytëzojë të drejtën për kërkesë për hedhje të aktakuzës brenda afatit ligjor, që është 30 ditë nga nisja e shqyrtimit fillestar.

    Ky është gjykimi i katërt në mungesë për krime lufte që ka filluar në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës, që nga hyrja e ligjit në fuqi.