ATV

Category: Lajme

  • ​Media britanike: Shqipëria mes vendeve të mahnitshme për zbulime kulturore

    ​Media britanike: Shqipëria mes vendeve të mahnitshme për zbulime kulturore

    Bota është e madhe, e bukur dhe emocionuese, e përbërë nga kultura të ndryshme magjepsëse. Kultura është thelbësore për ekzistencën njerëzore dhe përshkruan besimet, vlerat dhe traditat e përbashkëta sipas të cilave jeton çdo komunitet!

    Udhëtimi në vende me kultura të ndryshme mund të jetë jashtëzakonisht i dobishëm. Jo vetëm që na ofron perspektiva të reja për botën, por gjithashtu na ndihmon të krijojmë lidhje të pasura dhe kuptimplote me një gamë më të gjerë njerëzish! shkruan në një artikull gazetarja Elise Christian, të botuar në të përditshmen britanike restless.co.uk .

    Shqipëria është renditur mes 11 destinacioneve më të mahnitshme për zbulime kulturore.Ndërsa Shqipëria ka përjetuar një fluks turistik vitet fundit, kultura e saj rurale mbetet e jashtëzakonshme, ku shumë vendas ende jetojnë nga bujqësia dhe blegtoria.

    Shqipëria është gjithashtu një vend me plazhe të mahnitshme, fshatra idilike, pamje mahnitëse të Alpeve dhe vende të pabesueshme historike, siç janë mbetjet e Perandorisë Osmane.

    Ky vend i Evropës Jugore ka gjithashtu shumë xhevahirë të fshehur. Një prej tyre është “Syri i Kaltër” një burim misterioz me ujëra të kaltër verbues me një thellësi të panjohur, transmeton ATSh .

    Gjirokastra – e përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s në vitin 2005, karakterizohet nga shtëpitë prej guri që ngjajnë me fortesa të vogla dhe rrugët me kalldrëm që të çojnë në pazarin e qytetit.

    Vija bregdetare e saj gjarpëruese, e quajtur Riviera Shqiptare është e mbushur me plazhe me ujëra të thellë blu dhe vendpushime magjepsëse si Dhërmiu dhe Ksamili. Në brendësi të vendit, do të zbuloni male të larta, kështjella dhe rrënoja të panumërta të lashta greke dhe romake.

  • Rritje rekord e çmimit të arit në bursë

    Rritje rekord e çmimit të arit në bursë

    Çmimi i arit është rritur në nivel rekord këto ditë, dhe tregtohet në bursa 2500 dollarë për onz.

    Të njëjtin trend ka shënuar edhe argjendi, i cili kushton 31.7 dollarë për onz.

    Çmimet e arit janë rritur në nivelet më të larta rekord, me shifrat që ka shënuar një kulm të ri prej 2450 dollarë për onz këtë javë.

    Edhe argjendi arriti nivelet më të larta shumëvjeçare në fillim të javës së kaluar.

    Çmimet e metalit të verdhë kanë ruajtur vrullin e tyre rritës, edhe pse dollari amerikan është luhatur në tregje.

    Kina është sot blerësi më i madh i lingotave të arit dhe argjendit, pasi vendi kaloi Indinë në vitin 2023, në tregun e bizhuterive.

    Konsumatorët kinezë u renditën në krye, pasi blenë 603 tonë ar vitin e kaluar, me rritje10% nga viti 2022.

    Analistët në SHBA parashikojnë shtrenjtim të mëtejshëm gjatë këtij viti, me çmimin që mund të arrijë deri në 3000 dollarë për onz.

    Edhe argjendi u rrit mbi 31 dollarë për onz në nivelin më të lartë të një dekade, mes rritjes së interesit të investitorëve dhe sfidave të ofertës.

    Aktualisht argjendi tregtohet me 31.7 dollarë për onz. Argjendi përdoret gjerësisht për qëllime industriale dhe zakonisht inkorporohet në prodhimin e automobilave, paneleve diellore, bizhuterive dhe elektronikës.

  • ​Moti sot në Kosovë

    ​Moti sot në Kosovë

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot i vranët dhe vende-vende me shi.

    Sipas institutit, në disa zona parashihen edhe shkarkime rrufesh.

    “Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 9-11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 20-23 gradë Celsius. Do të fryjë erë nga drejtime i juglindjes me shpejtësi 1-6m/s. Kushtet agrometeorologjike dhe biometeorologjike vazhdojnë të jenë relativisht të mira dhe stabile. Ditët e para të qershorit parashihen të jenë me kushte të qëndrueshme meteorologjike”, thuhet në njoftim.

  • ​35 vjet nga vrasja e Ali Ajetit

    ​35 vjet nga vrasja e Ali Ajetit

    Më 30 maj 1989 në Podujevë ishte organizuar një demonstratë kundër regjimit serb.

    Atë ditë në Kosovë po qëndronte për një vizitë një grup diplomatësh nga Evropa dhe pikërisht në këtë ditë e ashtuquajtur “Çeta e Llapit” doli me uniforma ushtarake nëpër rrugët e Podujevës.

    Në një përleshje të armatosur vritet Ali Ajeti ndërkaq plagosen disa tjerë.

    Ali Ajeti u lind në fshatin Sfeçël të Podujevës dhe nga viti 1984-1988 ishte në burg.

    Pas daljes nga burgu, Ali Ajeti dhe disa tjerë vendosën të formojnë grupin që u quajt “Çeta e Llapit”, shkruan KosovaPress.

  • Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë sot do të vazhdojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Procesi gjyqësor ndaj ish krerëve të UÇK-së, sipas kalendarit të Dhomave të Specializuara pritet të vazhdoj edhe sot me paraqitjen e dëshmitarit të radhës.

    Kurse dje diplomati austriak, Jan Kickert e ka përfunduar dëshminë e tij dyditëshe në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Për dy ditë dëshmitari është marrë në pyetje nga prokuroria, trupi gjykues e po ashtu edhe nga mbrojtja.

    Gjatë seancës së djeshme, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III ka marrë disa vendime lidhur me dëshmitarët dhe provat që synon që të nxjerrë Zyra e Prokurorit të Specializuar në rastin ndaj Hashim Thacit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Vendimet kanë dal si rrjedhojë e parashtrimeve në konferencën për ecurinë e çështjes gjyqësore të 27 majit 2024 në këtë rast.

    Trupi gjykues, urdhëroi ZPS-në që palëve të i njoftojë në mënyrë të hollësishme për të gjitha masat që do i ndërmarrin për shkurtimin dhe përshpejtimin e paraqitjes së provave të veta. Gjithashtu, ai urdhëroi ZPS-në që të shqyrtojnë mundësinë që seancat përgatitor të kryhen edhe në distancë.

  • Policia hap kasafortën në bankën postare kursimore në veri

    Policia hap kasafortën në bankën postare kursimore në veri

    Përgatiti: Krenare Mulliqi

    Të mërkurën, zyrtarë të Policisë së Kosovës vazhduan aksionin në njërën nga filialet e Bankës Postare Kursimore, në veri të vendit.

    Meqë të hënën e 20 majit nuk arritën të hapnin një kasafortë në mungesë të çelësit, atë e bënë këtë të mërkurë.

    Aty u sekuestruan rreth 90 mijë euro në valuta të ndryshme.

    Në njërin nga 6 lokacionet që tashmë i kemi bastisë, ka mbetë një sef (kasafortë) pa u kontrollu, sepse nuk e kemi pasë çelësin. Sot e kemi marrë çelësin dhe e kemi kontrollu edhe këtë sef. Nuk ka zhvillim të ri të situatës, por vetëm jemi marrë me një vend që tashmë e kemi nën kontroll”, tha zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës së veriut, Veton Elshani.

    Gjatë hapjes së kasafortës, veç policisë, të pranishëm ishin edhe zyrtarë të EULEX-it derisa aksioni përfundoi pa ndonjë incident.

    Pas përfundimit të fazës tranzitore për rregulloren për operacione me para të gatshme, e cila parasheh vetëm përdorimin e euros në tërë territorin e Kosovës, policia ndërmori aksioni e parë më 20 maj që rezultoi me mbylljen e 6 filialeve të Bankës Postare Kursimore në katër komunat veriore.

    Veç saj u sekuestruan edhe rreth 2.5 milionë euro, derisa institucionet janë duke kryer hetime nën dyshimet për shpëlarje parash.

  • Osmani: Të gjitha ranë në ujë me letrën e Qeverisë në KiE

    Osmani: Të gjitha ranë në ujë me letrën e Qeverisë në KiE

    Përgatiti: Haris Ademi

    Në këso forme, kryeministri Albin Kurti i zhvillon bisedat në distancë me politikanë ndërkombëtarë.

    Të njëjtën metodë komunikimi përmes teknologjisë, presidentja Vjosa Osmani po konsideron se do të mundë ta kishte përdorur Kurti, apo ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për t’u konsultuar për idenë e dërgimit të letrës në Këshillin e Evropës, më 16 maj, kur ajo ndodhej për vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Përmes letrës dërguar presidentit të Asamblesë Parlamentare të KiE-së, kryediplomatja Gërvalla zotohej për përgatitjen e një draft-statuti të Asociacionit, deri në fund të majit.

    Presidentja pohoi se kjo i prish punën dhe përpjekjet e bëra që nga arritja e marrëveshjes së Brukselit.

    “Që nuk mund të nxirret çështja e Asociacionit nga marrëveshja e tërësishme, që nuk mund të ketë zbatim të njëanshëm të marrëveshjes vetëm nga Kosova, por duhet të ketë zbatim paralel, që nuk mund të ndërlidhet procesi i dialogut me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Të gjitha kanë rënë në ujë me ofertën që është bërë atë ditë, sepse ajo ofertë nuk ka qenë as për nga përmbajtja e as për nga procedura vazhdimësi e listës së zotimeve që e kanë nënshkruar të tre liderët”, tha Osmani.

    Disa orë para këtij deklarimi, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se nuk ka qenë mungesë e vullnetit të Qeverisë dhe MPJ-së të koordinohet me Presidencën, por ka ndikuar distanca.

    “Unë e kam kuptuar këtë si një pamundësi që të njoftohet presidentja për çdo hollësi nga ana e Ministrisë së Jashtme, e kjo mua kam hamendësua që ka mundur të ndodhë për shkak të vizitës që ajo e kishte në ShBA e për shkak të largësisë me siguri”, tha Konjufca.

    Por, presidentja shtroi një dilemë, si letra e Gërvallës ra në duar të personave jozyrtarë, para institucioneve të shtetit.

    “Në qoftë se tema paska qenë te mosprezenca fizike në Kosovë, atëherë si është e mundur që një njeri nga shoqëria civile në Gjermani që po ashtu nuk ishte prezent në Kosovë, e mori atë letër para Presidencës së vendit, para Parlamentit të vendit, para shoqërisë civile në Kosovë, para popullit të Kosovës dhe e botoi atë në Twitter”, tha Osmani.

    Pas dështimit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshill të Evropës, Ministrja Gërvalla, një ditë më vonë, pohoi se letra ku ajo është zotuar për dërgim në Gjykatë Kushtetuese të projekt statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, thjesht nuk ka më relevancë.

  • Një vit nga protesta e dhunshme në Zveçan, u lënduan mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it

    Një vit nga protesta e dhunshme në Zveçan, u lënduan mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it

    Përgatiti: Driton Sadiku

    Mbi 90 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar nga përleshja me protestuesit serbë, më 29 maj të vitit të kaluar.

    Por fare pak nga serbët që sulmuan zyrtarët e KFOR-it janë arrestuar.

    Nga 10 sa u ndaluan si të dyshuar për sulm, vetëm 4 u dënuan, teksa edhe ata lirinë e blenë me para.

    Nën akuzat për huliganizëm, një ditë pas sulmit ishin arrestuar Sinisha Jevtic e Ivan Sekulic, ndaj të cilëve, në gusht të atij viti, Gjykata Themelore kishte shqiptuar dënim me burgim prej 6 muajsh, dënim ky që u ishte zëvendësuar me gjobë prej 16 mijë eurosh për të dy dhe dëbim nga Kosova për 3 vjet.

    Gjashtë muaj më pas, në shkurt të këtij viti, për pjesëmarrje në protestë e sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Gjykata Themelore kishte dënuar me nga gjashtë muaj burg edhe Radosh Petroviq dhe Dushan Obrenoviq, dënim ky që Petroviqit iu zëvendësua me gjobë prej 6 mijë eurosh, ndërsa Obrenoviqit i ishte llogaritur koha e kaluar në paraburgim.

    Si organizator i asaj proteste, ishte identifikuar Millun Millenkoviq – Llune, i cili u arrestua më 13 qershor dhe nga atëherë vazhdon të jetë në paraburgim.
    Mirëpo, dënimet e ekzekutuara deri më tani, për juristin Ardian Bajraktari, janë të vogla.

    “Kemi një numër të vogël të atyre që ballafaqohen me procese gjyqësore, përkatësisht ka aktakuza të ngritura e një numër edhe më të vogël të atyre që kanë marrë verdikte, përkatësisht dënime e që janë jashtëzakonisht të ulëta”, tha Ardian Bajraktari, avokat.

    Prokuroria speciale nuk tregoi të mërkurën, nëse është ngritur ndonjë aktakuzë edhe ndaj të arrestuarve të tjerë nën dyshimet për sulm ndaj KFOR-it e ndaj gazetarëve.

    Sulmeve të 29 majit, që vazhduan edhe në ditët në vijim, kryesisht ndaj ekipeve të mediave, iu parapriu zgjedhja e kryetarëve të rinj shqiptarë, në katër komunat veriore.

    Serbët fillimisht bojkotuan qetësisht procesin zgjedhor, por u revoltuan në ditën kur kryetarët e zgjedhur filluan punën në objektet e komunave.

    Protesta e serbëve vazhdoi me muaj, teksa për aq kohë, objektet zyrtare u ruajtën nga KFOR-i, derisa dy nga kryetarët, ai i Zveçanit dhe Zubin-Potokut, funksionin e ushtruan nga zyra alternative.

    Për sulmin ndaj tyre, një vit pas reagoi edhe misioni i NATO-s, teksa kërkoi që personat që sulmuan pjesëtarët e saj në Zveçan, të mbahen përgjegjës.

  • Në Prishtinë fillon montimi i parkingjeve për 100 biçikletat publike

    Në Prishtinë fillon montimi i parkingjeve për 100 biçikletat publike

    Përgatiti: Sara Shehu

    Gati një vit pasi bleu 100 biçikleta në vlerë të 274 mijë eurove, komuna e Prishtinës ka nisur punën për montimin e parkingjeve, ku do të vendosen ato.

    Përveç Rrugës B, lokacione të tjera ku do të vendosen nga 10 biçikleta janë Sheshi “Zahir Pajaziti”, lagjja e konvikteve, bulevardi “Bill Clinton”, Stacioni i Autobusëve, Parku i Taukbahçes, lagjja Ulpiana dhe në afërsi të shkollës së mjekësisë “Ali Sokoli”.

    Sipas Komunës, biçikletat që do të hyjnë në përdorim në fund të muajit qershor, do të jenë me pagesë për qytetarët.

    “Përdorimi i tyre do të jetë me pagesë, fillimisht duhet të bëhet hapja e llogarisë në aplikacion që do të kushtojë 5 euro e të cilat mund të shfrytëzohen, si dhe 50 centë do të kushtojë një orë përdorimi, ndërkaq koha e përdorimit nuk do të jetë e limituar. Për biçikletat është paraparë edhe një lloj sigurimi në kuptimin e kontrollit, andaj do të ketë GPS solar që mundëson përcjelljen e tyre përmes kompjuterit dhe menaxhimi qoftë i parkingjeve, por edhe i biçikletave do të bëhet nga ndërmarrja publike “Prishtina Parking”, kurse pronësia mbetet e komunës”, tha Donat Lushaku, zëdhënës i Komunës së Prishtinës.

    Qytetarët e mirëpresin projektin e komunës, pasi thonë se përdorimi i biçikletave është në dobi të tyre.

    “Është një plan i qëlluar i komunës pasi që biçikletat publike është mirë të përdoren. Krijimi i parkingjeve është më e duhura”, thotë Hala Osmani, qytetare.
    “Unë edhe pse nuk i përdori me të vërtetë është dashur të ketë biçikleta të tilla. Edhe pse mendoj se nuk ka mjaftueshëm hapësirë në kryeqytet, por gjithsesi është e nevojshme të ketë për transport publik biçikleta të tilla”, thotë një tjetër qytetar.

    Komuna e Prishtinës i bleu 100 biçikletat në korrik të vitit të kaluar, por gjatë kësaj kohe, ato qëndruan të papërdorura në njërin prej parkingjeve të kryeqytetit.

    Sipas kontratës, vlera e një biçiklete ishte 2.744 euro.

  • Lokacioni i vjetër, zyrë e re informuese për turistët në Prishtinë

    Lokacioni i vjetër, zyrë e re informuese për turistët në Prishtinë

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Nga 2020-ta, Prishtina është pa zyrë të informimit për turistët e huaj e vendorë.

    Vizitorët e kryeqytetit të vetmen mënyrë orientimi e kanë përmes aplikacioneve online, ngase edhe ato pak pika orientuese që ishin të vendosura nëpër rrugë u dëmtuan.

    Me qëllim të orientimit më të lehtë, një vit më parë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, Komuna e Prishtinës pati prezantuar projektin e kioskës informative, e cila, sipas saj, do të hapej në janar të 2024-ës. Por as në muajin e pestë, në vendin ku është caktuar lokacioni nuk ka asnjë shenjë të punimeve.

    Në mungesë të kësaj zyre informuese, turistët e huaj po e kanë të vështirë ta shëtisin dhe t’i vizitojnë pikat kryesore turistike të kryeqytetit.

    “Të vetmen mënyrë orientimi e kam përmes aplikacioneve online, por as ato nuk ofrojnë mjaftueshëm informacione. Sikur të kishte një pikë informuese do të ishte më e lehtë për mua, sepse do të kisha mundësi t’i marr të gjitha informacionet në një vend”, thotë një turiste nga Japonia.

    Ndërtimin dhe funksionalizimin e një pike informuese, po e shohin të domosdoshme edhe nga Unioni i Turizmit të Kosovës.

    “Vera po vjen, aktivitete të shumta do të ketë, do të ishte mirë që komuna me i përfundua punimet për kioskën informuese, që turistët, qoftë nga diaspora apo të huaj, të informohen e të orientohen nëpër Prishtinë”, tha Baki Hoti, kryetar i unionit të turizmit.

    Por nga komuna e Prishtinës gjatë të mërkurës nuk kanë treguar se në cilën fazë është projekti për ndërtimin e kioskës informative.

    Megjithatë, ATV-ja merr vesh se lokacioni i kioskës informative për turistë do të jetë në vendin e njëjtë ku ishte e vjetra, në sheshin “Zahir Pajaziti” dhe do të jetë 72 metra katrorë.

    Në vitin 2018, Komuna e Prishtinës, nga një projekt i përbashkët me një kompani zvicerane, kishte hapur një zyrë informimi, por ajo u mbyll dy vjet më pas.

    Ndërkaq, Komuna e Prishtinës, një zyrë informuese e kishte edhe në vitin 2013, gjatë kohës kur kryeqyteti udhëhiqej nga Isa Musafa. Ajo funksionoi vetëm tetë muaj, për shkak të mospërkrahjes nga pushteti lokal.