ATV

Category: Lajme

  • FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    FMN-ja parasheh këtë përqindje të rritjes ekonomike në Kosovë

    Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) parashikon rritje ekonomike për Kosovën në 3.8 për qind në vitin 2024. FMN vlerëson po ashtu se ekonomia e Kosovës vazhdon të performojë mirë, përkundër një mjedisi sfidues.

    “GDP reale, rritja u moderua në 3.3 për qind në vitin 2023 mes kërkesës së jashtme të frenuar dhe parashikohet të përshpejtohen në 3.8 për qind në vitin 2024, e nxitur nga kërkesa e brendshme. Inflacioni është ngadalësuar ndjeshëm, duke arritur në 2 për qind nga viti në vit në tremujorin e parë të 2024”, thuhet në njoftimin e FMN-së për Kosovën.

    Më tej thuhet se politikat fiskale, me një deficit të përgjithshëm fiskal prej 0.2 për qind të PBB-së në vitin 2023, duke reflektuar të forte mbledhjen e taksave. Sipas këtij institucioni, deficiti i përgjithshëm parashikohet të zgjerohet në rreth 1½ për qind të PBB-së në vitin 2024.

    Bo Li, zëvendës drejtor Menaxhues dhe ushtruesi i detyrës së Kryesuesit të Bordit, ka deklaruar se autoritetet e Kosovës vazhdojnë të avancojnë programin e tyre ekonomik dhe strukturor.

    “Fuqizimi i mëtejshëm i menaxhimit të investimeve publike mbetet kyç”, thuhet në deklaratën e tij. Po ashtu thuhet se vlerësimi i parë kreditor sovran i Kosovës është një zhvillim pozitiv që mund të ndihmojë në tërheqjen e investitorëve të rinj të huaj.

  • Kurti viziton kompaninë e dronëve Bayraktar

    Kurti viziton kompaninë e dronëve Bayraktar

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po e vazhdon vizitën e tij në Turqi, derisa po vazhdon dhe takimet me krerë të shtetit atje.

    Përmes një postimi në Facebook, kreu i ekzekutivit ka ndarë pamje nga takimi me vëllëzërit Bayraktar, Haluk dhe Selçuk, ku ka shkruar se është mirëpritur në ambientet e kompanisë ‘Baykar”, për të cilën tha se është pionere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit.

    “Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeministri Kurti.

    Postimi i plotë:

    Baykar është kompani pioniere turke në industrinë e mbrojtjes dhe aviacionit. Ajo është kompania e parë turke që ka prodhuar fluturake ushtarake pa pilot apo dronë, siç njihen. Deri tani është e njohur ndërkombëtarisht për prodhimin e dronëve Bayraktar TB-2, të cilët i ka në arsenalin e saj edhe ushtria e jonë.

    Sot, në ambientet e kompanisë, u mirëprita nga vëllezërit, Bayraktar, Haluk dhe Selçuk. Haluk mban medaljen “Shërbim të Shquar”, që njëherësh është edhe mirënjohja më e lartë ushtarake në vendin tonë, për vullnetin, gatishmërinë dhe bashkëpunimin me Qeverinë e Republikës së Kosovës.

    Aty pashë nga afër dhe prototipin e fluturakes luftarake pa pilot të kësaj kompanie, Kizilelma.

  • Mbahet mbledhje komemorative për aktivistin e të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Mbahet mbledhje komemorative për aktivistin e të drejtave të njeriut, Agim Vatovci

    Ish-kryetari i Shoqatës së Personave me Aftësi të Kufizuara dhe avokuesi për të drejtat e njeriut, Agim Vatovci ka vdekur në moshën 68-vjeçare.
    Komuna e Vushtrrisë ka mbajtur mbledhje komemorative për nder të Vatovcit.

    Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë gjatë mbledhjes tha se ky qytetet ka humbur një aktivist të pashoq.

    “Qyteti i Vushtrrisë humbi një aktivist të pashoq që gjithë jetën u angazhua për avancimin e të drejtave të njeriut e në veçanti për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Puna e tij, do ta bëjë që emri i tij do të përmendet gjithherë me krenari” – tha kryetari Idrizi.

    Siç ka njoftuar, djali i Agim Vatovcit, Egëzon Vatovci, varrimi i të ndjerit do të bëhet sot më 03.06.2024.

  • Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë

    Rohde: Gjermania e përkushtuar për ta futur Kosovën në KiE, ecja përpara me Asociacionin do ta mundësojë këtë

    Ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka folur për forcimin e sundimit të ligjit dhe përgatitjet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, por ka theksuar se kjo nuk do të ndodhë pa ecur përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

    Pas një takimi me përfaqësues të organizatave joqeveritare IKD dhe FOL me të cilët tha se foli për përmirësimin e qasjes në drejtësi në përputhje me standardet e KiE, Rohde tha se Gjermania mbetet e përkushtuar për ta anëtarësuar Kosovën në KiE sa më parë.

    “Për ta forcuar sundimin e ligjit dhe për t’u përgatitur Kosova për Këshillin e Europës ne do ta mbështesim projektin e përbashkët të Institutit të Kosovës për Drejtësi/FOL për ta përmirësuar qasjen në drejtësi në përputhje me standardet e KiE. Gjermania mbetet e përkushtuar për ta futur Kosovën në Këshill sa më shpejt. Ecja përpara me Asociacionin do ta bëjë këtë të ndodhë”, shkroi Rohde në “X”.

  • Filluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian, votimet e para në Estoni

    Filluan zgjedhjet për Parlamentin Evropian, votimet e para në Estoni

    Zgjedhjet për Parlamentin Evropian nisën me votim online në Estoni, nga ora 9 e mëngjesit, ndërsa prej mesditës votimi filloi edhe duke shkuar personalisht në qendrat e votimit, shkruan Politico dhe thekson se deri në orën 11:30 kanë votuar rreth 5.000 votues, transmeton Paparaci.

    Ditët zyrtare të zgjedhjeve janë 6-9 qershor, ku qytetarët në shumicën e shteteve anëtare votojnë të dielën, më 9 qershor.

    Fillimi i votimit në Estoni nuk ishte pa probleme, pasi disa shfletues (Browser) bllokuan aplikacionin e nevojshëm për votim.

    Partia Atdheu e ish-ministrit të jashtëm Urmas Reinsalu ka udhëhequr në sondazhet e opinionit publik gjatë gjashtë muajve të fundit, duke kundërshtuar masat e “politikës së gjelbër” dhe duke kërkuar mbikëqyrje më të madhe të ndërtimit të infrastrukturës hekurudhore që lidh Baltikun me Poloninë.

  • KMDLNj reagon për arrestimin e Tefik Mehmetit, e quan revanshizëm të Serbisë

    KMDLNj reagon për arrestimin e Tefik Mehmetit, e quan revanshizëm të Serbisë

    Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, (KMDLNJ) ka reaguar ndaj arrestimit të Tefik Mehmetit, nga autoritetet serbe në pikën kufitare në Merdar, ditë më parë, raporton EO.

    Mehmeti u ndalua ditë më parë nga policia serbe nën dyshimin se me 19 qershor 1999 në autodhën Gjilan-Kamenicë ka ndaluar tre policë serbë, si ushtar i UÇK-së.

    “Rasti i është dorëzuar Prokurorisë për krime lufte të Serbisë. Pas arrestimit ishte një reagim kryesisht politik i institucioneve të Kosovës ndonëse deri tani nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për t’i informuar qytetarët e Kosovës për rrezikun e të kaluarit nëpër Serbi për të gjithë ata që kanë qenë pjesë e luftës, në çfarëdo forme. Reagimi i institucioneve ka qenë automatik, si këngë korale, pasi kanë ndodhur arrestimet. Sidomos për këto dështime dallohet MPJD, që ka përgjegjësi ligjore dhe morale të trajtojë me seriozitet këto raste”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

    Sipas KMDLNj-së, qytetarët shqiptarë që po arrestohen nuk kanë asnjë mundësi të vizitohen nga organizatat për të drejtat e njeriut, as nga Kosova e as nga Serbia, prandaj mungojnë informatat për trajtimin e tyre dhe realizimin e të drejtave të njeriut, si persona të privuar nga liria.

    “Gjithashtu, kanë probleme për sigurimin e një mbrojtjeje efektive ligjore. Në anën tjetër, shtetasit e Serbisë që mbahen në qendrat e paraburgimit dhe ato korrektuese vizitohen pa asnjë pengesë nga autoritetet kosovare dhe trajtimi i tyre është 100% në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare për persona të privuar nga liria. Duhet të krijohet një mundësi që shtetasit kosovarë që aktualisht janë në burgjet e Serbisë të vizitohen nga monitorues të pavarur sikur që edhe shtetasit e Serbisë që mbahen në burgjet e Kosovës, gjithashtu të vizitohen nga monitorues të pavarur. Në të kundërtën gjithmonë do të krijohet një mundësi dhe hapësirë për spekulime nga pozita e përfitimit politik. Serbia po e shfrytëzon arrestimin shtetasve të Kosovës të nacionalitetit serb, të dyshuar për krime lufte për të arrestuar dhe keqtrajtuar shqiptarë të Kosovës që udhëtojnë nëpër Serbi”, thuhet me tutje në reagim.

    KMDLNj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin nëpër Serbi dhe të shfrytëzojnë rrugët tjera, sepse Serbia ka mundësi të pakufishme të sajojë prova për kriminalizimin e tyre.

    “Në rrethanat aktuale, asnjë shqiptar që udhëton nëpër Serbi nuk ka siguri se nuk do të keqtrajtohet, gjobitet apo privohet nga liria. Pastaj, ndonëse nuk kanë kryer asnjë vepër penale, duhet të shpenzojnë dhjetëra e dhjetëra mijëra euro për ta rifituar lirinë apo për ta paguar dorëzaninë”, theksohet në reagimin e KMDLNj-së.

  • ​Forumi Ekonomik Kosovë -Turqi, Kurti: Fokus, forcimi i bashkëpunimit për investime

    ​Forumi Ekonomik Kosovë -Turqi, Kurti: Fokus, forcimi i bashkëpunimit për investime

    Për herë të parë po mbahet Forumi Ekonomik mes Kosovës dhe Turqisë, i cili po zhvillohet në Stamboll. Ky forum mbledh bashkë biznese nga Kosova dhe Turqia, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe zgjerimit të mundësive për investime. Fillimit të ngjarjes i parapriu një takim bilateral mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe ministrit të Tregtisë të Turqisë, Omer Bolat.

    Me këtë rast, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për marrëdhëniet e thella ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke nënvizuar dhe rolin që do ketë ky forum në avancimin e mëtejmë të bashkëpunimit mes dy vendeve tona.

    “Lidhjet tona janë vendosur në një trajektore gjithnjë e në rritje të bashkëpunimit ekonomik, me investimet turke të gatshme për të luajtur një rol jetik në zhvillimin e Kosovës. Fushat kryesore të bashkëpunimit përfshijnë tregtinë, mbrojtjen, teknologjinë dhe industrinë e lehtë. Këtu me ne sot janë dhjetëra kompani të suksesshme nga Kosova, si dhe përfaqësues të Odës Tregtare Kosovaro-Turke, Shoqatës së Përpunimit të Drurit në Kosovë dhe Shoqatës së Përpunuesve të Pemëve dhe Perimeve, duke demonstruar potencialin dhe perspektivat investuese që ofron Kosova për investitorët turq”, citohet Kurti në komunikatë.

    Më tej, ai trajtoi dhe zhvillimin e progresin që ka njohur vendi në tri vitet e fundit, e ku në vijim u fokusua në përmirësimin e ambientit të të bërit biznes dhe zhvillimin proaktiv të tre grupeve të sektorit privat, agrikulturë, industritë dhe sektori i teknologjisë.

    “Kosova krenohet me ekonominë demokratike, të sigurt, të qëndrueshme dhe me treg të hapur, të mbështetur nga partneritetet me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermaninë, Britaninë e Madhe, Francën, Italinë dhe shumë vende të tjera anembanë botës. E njohur për përparimet e saj në sundimin e ligjit, të drejtat politike, liritë civile dhe demokracinë zgjedhore, Kosova është njohur si vendi më demokratik në Ballkan. Prandaj, Kosova paraqet një destinacion ideal për bizneset turke që kërkojnë të rindërtojnë njësitë e tyre prodhuese në një vend të orientuar kah vlerave demokratike dhe stabilitetit ekonomik”, thotë ai.

    Më pas forumi vijoi me dy panele të diskutimit, njëri mbi mundësitë e investimeve në infrastrukturë, ku si panelistë ishin zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Hysen Durmishi, zëvendësministri i Ekonomisë, Getoar Mjeku, dhe zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani. Ndërkaq, paneli i dytë, i përbërë nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, zëvendësministri i Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Mentor Arifaj.

  • Dyshohet për helmimin e disa qenve në Prishtinë, Policia në vendin e ngjarjes

    Dyshohet për helmimin e disa qenve në Prishtinë, Policia në vendin e ngjarjes

    Një rast mjaftë i ndjeshëm raportohet të ketë ndodhur në Prishtinë.

    Sipas informacioneve të Lajmi.net theksohet se disa qenë janë helmuar.

    Ngjarja raportohet të ketë ndodhur tek pjesa e njohur si “4 Llullat”.

    Në vendin e ngjarjes tashmë kanë arritur edhe ekipet e Policisë së Kosovës.

    Në lidhje me këtë ngjarje reagime të shumta ka nisur të ketë edhe nga Organizatat për Mbrojtjen e Kafshëve.

    Ende nuk dihet se si ka ardhur deri tek kjo situatë që supozohet të jetë helmim, apo se si janë helmuar qentë në fjalë.

  • Vdesin nënë e bijë në një aksident komunikacioni në rrugën Dragash-Prizren

    Vdesin nënë e bijë në një aksident komunikacioni në rrugën Dragash-Prizren

    Një aksident me fatalitet ka ndodhur në rrugën Dragash- Prizren

    Burime të IndeksOnline bëjnë me dije se në këtë aksident ka vdekur një grua dhe vajza e saj e mitur.

    Aksidenti me fatalitet ka ndodhur pak momente më parë, dhe deri në publikimin e këtij lajmi, policia nuk ka dhënë ndonjë deklaratë zyrtare.

  • Deputetja e VV-së: Përveç institucioneve, edhe shoqëria duhet të angazhohet që të përkujdesemi për viktimat e dhunës seksuale

    Deputetja e VV-së: Përveç institucioneve, edhe shoqëria duhet të angazhohet që të përkujdesemi për viktimat e dhunës seksuale

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arjeta Fejza, thotë se i kanë kërkuar Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, që të ketë vëmendje për gjendjen emocionale të grave të cilat kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, raporton EO.

    Anëtarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, ka thënë për Ekonomia Online se një barrë e madhe sa i përket kësaj, i mbetet edhe shoqërisë kosovare që të kontribuojë në këtë aspekt.

    “Është shumë e rëndësishme se përveç atyre kritereve formale që janë të domosdoshme, pra të ketë vazhdimisht vëmendje Komisioni për gjendjen emocionale të viktimës. Kjo është edhe kërkesa jonë, si Komision dhe sigurisht se këtë e kemi diskutuar në të gjitha takimet, mirëpo edhe në anën tjetër edhe ne si shoqëri mendoj që duhet të angazhohemi më shumë në këtë drejtim. Ne folëm edhe për mundësinë që në si institucione të marrim më shumë përgjegjësi dhe të angazhohemi më shumë, më saktë ne si Komision edhe njëherë shprehëm gadishmërinë që të bashkëpunojmë dhe të angazhohemi në mënyrë që të përkujdesemi për këtë kategori”, tha Fejza për EO.

    Deputetja e Vetëvendosjes shtoi se kanë vazhdimisht takime me organizata të cilat punojnë me këto kategori dhe diskutojnë në hollësi për procesin që të zbatohet si duhet.

    “Ne si Komision për të Drejtat e Njeriut, kemi pas takim edhe me organizatat të cilat janë edhe të licencuara, mirëpo edhe me ato që nuk janë të licencuara dhe që punojnë me këto kategori. Bashkë edhe me Komisionin kemi diskutuar në hollësi për procesin i cili ndodh qoftë intervistimit qoftë faza e dorëzimit të dokumenteve, qoftë i gjithë procesi”, tha ajo.

    Një shtytje të madhe që i jepet Komisionit në trajtimin e këtyre rasteve më në detaje dhe në përgjithësi është edhe miratimi i protokollit.

    “Që atëherë kur kemi pas këtë takim, akoma nuk ka qenë i miratuar protokolli, mirëpo tani që është i miratuar protokolli ne insistojmë që ai të zbatohet në përpikshmëri dhe sigurisht së thirrja kërkesa dhe obligimi në fakt përveç thirrjes dhe kërkesës tonë obligimi i Komisionit është që të jenë maksimalisht të kujdesshëm për gjendjen emocionale dhe nga raportimi që kemi marrë ata e kanë parasysh këtë element dhe sigurisht çfarëdo shqetësimi që ne e kemi si deputetë normalisht se e adresojmë tek ta dhe kërkojmë përgjigje dhe informim se qysh ka shku procesi”, tha ajo për Ekonomia Online.

    Komisioni për të Drejtat e Njeriut Barazi Gjinore, për Personat të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, të hënën diskutoi me Komisionin Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës, rreth numrit të aplikimeve për përfitimin e statusit të personit të dhunuar gjatë luftës.

    Sipas kryetares së këtij Komisioni, Leonora Selmani, deri me tani janë dorëzuar 2 mijë e 83 aplikime, prej tyre 1650 janë pranuar.