Gresa Caka-Nimani është zgjedhur edhe për një mandat Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Në njoftimin nga Kushtetuesja, thuhet se ajo mori votat e mjaftueshme nga gjyqtarët e kësaj Gjykate.
“Në seancën administrative të mbajtur më 5 qershor 2024, në përputhje me Nenin 114, pika 5, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës kanë rizgjedhur kryetaren aktuale të Gjykatës, znj. Gresa Caka-Nimani, për një mandat të dytë në krye të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Kreu i ekzekutivit, Albin Kurti, përmes një video-mesazhi u është drejtuar bashkatdhetarëve që jetojnë nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian e që kanë të drejtë vote.
Këtë të diel, më 9 qershor, në 27 vende anëtare të Bashkimit Evropian do të mbahen zgjedhjet evropiane, e sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, të njëjtat mbase janë më të rëndësishmet që prej zgjedhjeve të para evropiane të vitit 1979.
Kreu i ekzekutivit u është drejtuar bashkatdhetarëve që jetojnë nëpër shtete anëtare të Bashkimit Evropian e që kanë të drejtë vote.
Në mesazhin e Kurtit theksohet vlera pse kësaj radhe zgjedhjet janë aq të rëndësishme dhe përcaktuese për të ardhmen e Evropës.
“Së pari ato ndodhin në rrethana ku një luftë e drejtpërdrejt po ngjanë mu në Evropë, në Ukrainë pas agresionit rus. Kjo luftë u nis prej një ideologjie fashiste nga Kremlini i Putinit… Së dyti i keni parasysh ndasitë që ekzistojnë brenda BE-së dhe përbrenda vendeve anëtare, përmes këtyre ndasive, Rusia duke u mbështetur gjithashtu në disa rryma politike ekstremiste ose liderë në pushtet të këtyre vendeve, ka ushtruar me vite një ndikim dëmtues. Qëllimi i Rusisë dhe aleatëve të saj evropianë jashtë dhe brenda Be-së është i qartë: dobësimi i BE-së, dobësimi i projektit të zgjerimit të BE-së dhe të NATO-s, ndërsa ndaj neve, veçanërisht në Kosovë synohet pengesa e çdo perspektive integruese. Kështu që së treti, Kosova si vend aplikoi për anëtarësim në BE dhe si vend që ka për qëllim strategjik kryesor integrimin në BE dhe në NATO, nuk mund të mos marrë pjesë e të mos kontribuojë në çfarëdo forme në ruajtjen e këtyre organizatave dhe vlerave demokratike që ndajmë me to”, ka thënë Kurti.
Sipas tij, vota e bashkatdhetarëve në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian duhet të jetë kontributi kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së.
“Prandaj vota juaj në zgjedhjet për Parlamentin e ri Evropian të 9 qershorit duhet të jetë përgjigja jonë, kontributi ynë kundër rreziqeve që e kërcënojnë kohezionin dhe unitetin e BE-së”.
Zyra e UNICEF-it në Kosovë, në bashkëpunim me Ambasadën e Suedisë në Kosovë dhe partnerin implementues “PEN,” shënoi Ditën Botërore të Mjedisit, ku të pranishëm 100 ambientalistë të rinj bën thirrje për veprim të menjëhershëm nga vendimmarrësit dhe akterët tjerë në mbrojtje të mjedisit, raporton EO.
Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit u pasua nga një ekspozitë e heshtur e organizuar nga 100 të rinj, duke nxjerrë në pah çështje urgjente, si ndotja e ajrit, shpyllëzimi, mbeturinat, përmbytjet dhe valët e të nxehtit. Secili instalacion në ekspozitë barte një mesazh prekës, duke kërkuar veprime të menjëhershme në mbrojtje të planetit tonë. Ekspozita ishte një paraqitje në realitet e shprehjes “një fotografi sa një mijë fjalë,” pasi që vuri në pah shqetësimin e të rinjve për gjendjen aktuale të mjedisit. Për më tepër, mundësoi edhe një platformë fuqizuese për të rinjtë që t’i ndajnë përvojat e tyre personale për ndotjen e ajrit dhe çështjet tjera mjedisore. Të rinjtë u bën thirrje bashkëmoshatarëve të tyre, shoqërisë kosovare, institucioneve lokale dhe kombëtare që të ndërmarrin veprime të menjëhershme që së bashku t’i zvogëlojnë emetimet e gazeve serrë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se janë duke punuar përmirësimin e kushteve më të mira për qytetarët. Ai tha se ambienti i pastër është një mision që po përmbushet nga komuna që ai e drejton.
“Kryeqyteti është duke krijuar politika dhe vizioni ynë është në përputhje të zhvillimit të qëndrueshëm dhe më mbrojtje të mjedisit. Jemi duke ndërmarr hapa për zona për këmbësor që të stimulohet ecja dhe transporti alternativ. Po ashtu, edhe zgjerimi i rrjetit të ‘Termokos’ që është një nga faktor për ruajtje të ambientit. Ju keni pa edhe projekte të ndryshme të cilat lidhin zonat në kryeqytet për një qasje lë lehtë dhe të sigurt. Janë iniciativa të ndryshme sikurse edhe ardhja e autobusëve të rinj, të cilat do të ndikojnë në përdorin sa më shumë të trafikut urban. Ambienti i pastër është një është një mision i cili po përmbushet nga Komuna e Prishtinës”, tha Rama.
Ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha se ka vizituar Prevallën javën e kaluar derisa theksoi rëndësinë e një ambienti të pastër.
“Atje njerëzit bënin piknik dhe më është kujtuar fëmijëria në Suedi kur kemi qenë fëmijë që bënim piknikë të tilla. Falënderoj UNICEF-in për punën dhe të gjithë që punojnë për një ambient të pastër”, tha ai.
Shefi i UNICEF-it në Kosovë, Benjamin Fischer, tha se ajri në Prishtinë është i ndotur e sidomos dimrit, duke shtuar se është e rëndësishme të punohet në këtë drejtim.
“UNICEF-i, ka një impakt të rëndësishëm, por rreth 99 foshnja në botë vdesin për shkak të ajrit jo të pastër, kjo është alarmante. Klimaksi po ndryshon fëmijët, duhet të gjejmë zgjidhje dhe jam i lumtur që sot jemi këtu. Inkurajoj secilin njeri që të marrë masa për një ambient sa më të pastër, të kontribuojë për tjerët por edhe veten”, tha ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, i ka dalë në mbrojtje shefes së deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lilës pas bisedës telefonike me kriminelin serb, Milan Radojiçiq, raporton EO.
Sipas Haxhiut, kjo situatë është përpjekje e tërheqjes së vëmendjes nga dështimi për rrëzimin e Qeverisë Kurti, ndërsa kritikon opozitën për mosdakordim rreth mënyrës për të shkuar në zgjedhje.
“Një opozitë që një terrorist qe ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtar t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzoj terroristet, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj qe kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.
Është hapur edicioni i 24-t i Panairit të Librit në Prishtinë. Tema e sivjetme është “Përgjigjja është libri”, ndërsa do të jetë i hapur për vizitorë çdo ditë nga 9:00 deri në orën 21:00 të dielën kur përfundon ky edicion, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka deklaruar se në panair pritet të marrin pjesë rreth 100 botues nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe diaspora.
Ai ka thënë se janë rreth dy mijë tituj të rinj. Zeneli ka shprehur pritjet që Panairin ta vizitojnë rreth 40 mijë vizitorë.
“Sot puna e netëve të vona e redaktorëve e mundi i madh i botuesve është materializuar në mjetin magjik të quajtur libër afrohet te lexuesi. Falënderoj përkrahësit e panairit MKRS-në, MAShTI-n, sot ndihmohen botuesit e shkrimtarët. Falënderoj botuesit që punojnë për të formuar njerëzit e shoqërinë, uroj që ky panair të jetë festë për ju dhe ne”, tha Zeneli.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku, e konsideroi kënaqësi me pa numrin e lexuesve dhe librat e rinj që tashmë janë shtuar në këtë panair.
“Përgëzime për ekipin e panairit, ta gëzojnë dhe shijojmë panairin”, tha Çeku.
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, përgëzoi për moton e panairit të këtij viti, duke shtuar se është pozitive shtimi i numrit të librave për përmirësim në arsim.
Drejtoresha e Kulturës në Kryeqytet, Sibel Halimi, tha se panairi i librit është një simbol i përpjekjeve tona të përbashkëta për të krijuar mendime të reja, ku kulturat na bashkohen.
“Është një mundësi për të mbështetur talentet e rinj ta shfrytëzojmë këtë moment për të lexuar më shumë dhe ndarë njohuritë tona”, tha Halimi.
Po kërkohet hapja e një qendre multikulturore në Prishtinës.
Kjo kërkesë vie nga organizata, Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve.
Përmes një adresimi VoRAE kërkon nga pushteti lokal në kryeqytet, për ndarjen e një hapësire për ndërtimin e kësaj qendre.
Sipas kësaj shoqate, krijimi i një qendre kulturore në Prishtinë do të ishte një hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara, siç janë romët, ashkalinjt dhe egjiptianët.
” Një qendër e tillë mund të shërbejë si një platformë për të shfaqur pasurinë kulturore, historinë dhe traditat e këtyre komuniteteve, duke kontribuar në ndryshimin e perceptimeve negative dhe promovimin e diversitetit kulturor. Kultura dhe mentaliteti i një kombi pasqyrohen në mendimet dhe imagjina e njerëzve të tij. Përmes aktiviteteve kulturore, ekspozitave artistike, pë rformancave muzikore dhe teatrale, një qendër kulturore mund të ndihmojë në ndërtimin e një narrative pozitive për këto komunitete. Kjo jo vetëm që do të rrisë ndërgjegjësimin dhe respektin për diversitetin kulturor, por gjithashtu do të forcojë ndjenjën e identitetit dhe krenarisë mes anëtarëve të komunitetit”, thuhet në kërkesën e VoRAE transmeton Klankosova.tv
Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve, thekson se kjo qendër do të krijonte hapësira për dialog dhe bashkëpunim midis komuniteteve të ndryshme, duke reduktuar diskriminimin dhe paragjykimet.
“Ajo do të ofronte mundësi për edukim dhe zhvillim personal, duke fuqizuar individët dhe duke kontribuar në një shoqëri më të drejtë dhe të barabartë. Përmes këtij angazhimi, qendra kulturore do të luajë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e urave të mirëkuptimit dhe bashkëjetesës harmonike ndërmjet të gjithë qytetarëve”, thuhet ndër të tjera.
VoRAE kërkon hapjen e qendres multikulturore në Prishtinë: Hap vendimtar drejt përmirësimit të imazhit të komuniteteve të margjinalizuara
Çka synohet me hapjen e Qendres Multikulturore?
“Qendra Multikulturore – për të promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë”.
Themelimi i një qendre të përkushtuar kulturore për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptian është një hap i rëndësishëm drejt njohjes dhe festimit të identitetit të tyre kulturor, duke promovuar gjithëpërfshirjen dhe unitetin brenda qytetit tonë. Kjo qendër do të ofrojë një sërë programesh që pasqyrojnë pasurinë kulturore dhe historike të këtyre komuniteteve dhe do të shërbejë si një pikë takimi për të gjithë qytetarët.
Komponentët kryesorë të qendrës:
1. Muzeu i Arteve
– Organizimi i ngjarjeve të rregullta kulturore, festivaleve dhe ekspozitave për të shfaqur traditat, muzikën, vallëzimin, artet dhe folklorin e komuniteteve.
– Bashkëpunimi me artistët e komuniteteve për të organizuar shfaqje dhe ekspozita, si brenda qendrës ashtu edhe në ambiente të jashtme.
– Inkurajimi i anëtarëve të komunitetit dhe artistëve që të ndërveprojnë me vizitorët dhe të ndajnë historitë dhe përvojat e tyre.
2. Hapësirat Interaktive Mësimore
– Ofrojnë punëtori dhe aktivitete të dizajnuara për të zhytur pjesëmarrësit në kulturën e romëve, të ashkalinjve dhe egjiptianëve.
– Përfshijnë klasa gjuhësore, zanate, punëtori tradicionale të gatimit dhe mundësi për të mësuar instrumente muzikore tradicionale.
3. Ndërgjegjësimi dhe Avokimi
– Angazhimi aktiv në rritjen e ndërgjegjësimit për historinë dhe kulturën rome dhe sfidat me të cilat përballen këto komunitete.
– Përpjekjet e avokimit që synojnë luftimin e diskriminimit dhe promovimin e mundësive të barabarta për komunitetet rom, ashkalinj dhe egjiptianëve.
4. Edukimi dhe Ndërgjegjësimi
– Organizimi i seminareve, leksioneve dhe paneleve diskutimi për publikun e gjerë për t’i edukuar ata rreth historisë, kulturës dhe kontributit të komuniteteve.
– Organizimi i shfaqjeve filmike dhe diskutimeve mbi tema që lidhen me çështjet e komuniteteve, diskriminimin dhe të drejtat e njeriut.
– Një bibliotekë me libra, materiale audio-vizuale dhe burime mbi historinë dhe kulturën e komuniteteve në dispozicion për qëllime edukative dhe kërkimore.
– Bashkëpunimi me institucionet arsimore për të integruar historinë dhe kulturën e komuniteteve në kurrikulën e tyre.
5. Shkëmbimi Gjuhësor dhe Ndërkulturor
– Ofrojnë kurse gjuhësore për individët romë dhe jo-romë, me fokus në mësimin e gjuhës rome dhe shprehjeve kulturore.
– Lehtësimi i programeve të shkëmbimit ndërkulturor ndërmjet komuniteteve rome dhe jo-rome për të nxitur mirëkuptimin dhe për të kapërcyer boshllëqet.
– Organizimi i programeve shkëmbimi gjuhësor ku individët romë ndajnë gjuhën dhe kulturën e tyre me nxënësit e interesuar.
6. Hulumtimi dhe Dokumentacioni
– Kryerja e kërkimeve mbi historinë, kulturën dhe çështjet bashkëkohore rome dhe publikimi i gjetjeve në revista akademike dhe platforma të tjera.
– Mbledhja dhe ruajtja e historive gojore, fotografive, artefakteve dhe dokumenteve rome për të siguruar që kontributi i romëve në shoqëri të njihet dhe ruhet.
– Bashkëpunimi me studiues, studiues dhe arkivistë për të dokumentuar dhe ndarë informacion të saktë rreth komuniteteve.
7. Partneriteti dhe Bashkëpunimi
– Krijimi i partneriteteve me institucionet kryesore kulturore, shkollat dhe universitetet për të nxitur mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e ndërsjellë.
– Bashkëpunimi me OJQ-të dhe grupet e avokimit që punojnë për të drejtat e njeriut dhe drejtësinë sociale për të zgjeruar përpjekjet kundër anticiganizmit.
– Angazhimi me politikëbërësit dhe organet qeveritare për të ndikuar në politikat dhe programet që promovojnë përfshirjen sociale dhe luftojnë diskriminimin.
NATO po ndërton në mënyrë sekrete “korridore tokësore” për të nxitur trupat dhe forca të blinduara amerikane në vijat e frontit në rast të një lufte të madhe tokësore evropiane me Rusinë. Është Evropa e cila po tenton të tërheqë vendin më të fuqishëm të botës në një luftë e cila mund të ndodhë edhe pas dy vitesh, sipas zyrtarëve të lartë ushtarak norvegjezë.
Ushtarët amerikanë do të zbarkojnë në një nga pesë portet mes tyre edhe portet e Ballkanit, dhe do të kanalizohen përgjatë rrugëve logjistike të planifikuara paraprakisht për t’u përballur me një sulm të mundshëm nga Moska, citojnë zyrtarë të ndryshëm për median britanike The Telegraph.
Rrugët logjistike janë bërë një prioritet kyç që kur udhëheqësit e NATO-s ranë dakord të përgatisin 300 mijë trupa që do të mbahen në një gjendje gatishmërie të lartë për të mbrojtur aleancën në një samit në Vilnius, Lituani, vitin e kaluar.
Në rast lufte trupat amerikane do të zbarkojnë në portet holandeze përpara se të hipin në trenat që i transportojnë ato përmes Gjermanisë dhe në vazhdim në Poloni.
Në rast të një pushtimi rus të NATO-s, trupat amerikane do të dërgoheshin në portin e Roterdamit përpara se të transportoheshin drejt lindjes. Nëse forcat e NATO-s që hyjnë nga Holanda goditen nga bombardimet ruse, ose shkatërrohen portet e Evropës veriore, aleanca do të zhvendosë fokusin në portet në Itali, Greqi dhe Turqi, citon The Telegraph. Nga portet italiane, trupat amerikane mund të transportoheshin përmes tokës përmes Sllovenisë, Kroacisë në Hungari, e cila ndan një kufi me Ukrainën.
Plane të ngjashme ekzistojnë për të transportuar forca nga portet turke dhe greke përmes Bullgarisë dhe Rumanisë për të arritur në krahun lindor të aleancës.
Sakaq, Shefi i shtabit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky tha se përdorimi i armëve perëndimore për të goditur brenda Rusisë ishte një vendim jetik që do të ndikonte në aviacionin taktik të Moskës dhe aftësinë e saj për të operuar në zonat kufitare.
Gjendja aktuale e energjisë elektrike në Kosovë dhe investimet që e presin Kosovën në këtë sektor janë temat të cilat u diskutuan në takimin e ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe drejtorit të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Evropë, Artur Lorkowski me delegacionin e tij.
Përmes një komunikate për media u bë e ditur se Rizvanolli theksoi se sekretariati i Komunitetit të Energjisë në Evropë e ka mbështetur Kosovën në shumë procese të rëndësishme, përfshirë këtu edhe rreth kornizës ligjore dhe menaxhimit të krizës energjetike.
“Gjatë takimit, po ashtu u trajtuan edhe çështjet më të rëndësishme aktuale të energjisë, në veçanti për Planin Kombëtar të Kosovës për Energji dhe Klimë (NECP), Harmonizimin e Politikave Mjedisore me Politikat Evropiane (ETS) dhe Marrëveshjen për Tregun e Energjisë Elektrike”, thuhet në komunikatë.
Me theks të veçantë poashtu u diskutuan edhe sfidat aktuale dhe proceset e lehtësimet që mund të ofrojë Bashkimi Evropian në rrugën drejt transformimit energjetik të vendit.
Policia e Kosovës ka njoftuar se janë arrestuar dy persona në Skenderaj pasi dyshohen për një sulm me thikë.
Sipas njoftimit viktima është dërguar në në tretman mjekësorë në QKUK.
“Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit pas një mosmarrëveshje verbale që kishin pasur me viktimën mashkull kosovar, dyshohet se e kishin sulmuar fizikisht atë duke e goditur me thikë. Viktima është dërguar në tretman mjekësorë në QKUK. Me vendim të prokurorit njëri i dyshuar është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa i dyshuari i dytë është dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.