ATV

Category: Lajme

  • Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka një njoftim të rëndësishëm për aplikuesit për subvencionim të energjisë

    Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka një njoftim të rëndësishëm për aplikuesit për subvencionim të energjisë

    ondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka njoftuar të gjithë aplikantët në listë të pritjes për subvencionim të masave të efiçiencës së energjisë në shtëpi individuale, që duhet të konfirmojnë interesimin e tyre për të përfituar nga kjo masë, deri më 23.06.2024.

    “Aplikantët, gjithsej 1010, kanë pranuar email nga ana e FKEE-së të premten (14.06.2024), në të cilin është i bashkëngjitur linku me formularin për shprehje të interesit. Të gjithë aplikantët që nuk plotësojnë këtë formular, humbasin të drejtën për të vazhduar tutje me procedurat drejt përfitimit të subvencionimit të masave të efiçiencës në shtëpitë e tyre”.

    “Rikujtojmë se thirrja fillestare për përfitim nga subvencionimi i mundësuar nga Bashkimi Evopian dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, ka qenë aktive nga data 8 gusht 2023 dhe në bazë të kushteve të thirrjes, konkretisht të pikës 2.1 “Aplikimi pa Raport të Auditimit të Energjisë”, është thënë se: Në rast se aplikanti, për çfarëdo arsye, nuk ka gjetur një auditor të çertifikuar të energjisë për të bërë auditimin e thjeshtëzuar të energjisë (ëalk-through audit), ai aplikacion do të vendoset në listë të pritjes, ndërsa shqyrtimi i tij i mëvonshëm do të merret parasysh nëse plotësohen dy kushtet e mëposhtme: Buxheti i destinuar për thirrjen ende nuk është shpenzuar; dhe Kontraktimi i Auditorëve të Energjisë bëhet nga ana e FKEE-së”, thuhet në njoftimin e Fondit.

    Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë ka kërkuar nga të gjithë të interesuar që për informacione të tjera të kontaktoni FKEE-në përmes email adresës [email protected].

  • ​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

    ​Biblioteka Kombëtare ofron qasje për personat me aftësi të kufizuara

    Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” nga sot ka filluar të ofrojë qasje infrastrukturore për persona me aftësi të kufizuara, me organizatën “HANDIKOS” që ka përuruar hapësirat ku është ofruar qasja.

    Tashmë kjo kategori do të ketë mundësi të qaset në zyre, në hapësirat ekspozuese, në amfiteatrin kryesor dhe në dy salla të leximit.

    Drejtori i organizatës joqeveritare “HANDIKOS”, Afrim Maliqi tha se një ndër sfidat kryesore e personave me aftësi të kufizuara është qasja.

    Maliqi theksoi se edhe pse objekti i Bibliotekës Kombëtare është i vjetër, ka mundur të rregullohet kohë më parë në mënyrë që të krijohet ambient i përshtatshëm për të gjitha kategoritë e shoqërisë.

    Duke folur për Udhëzimin Administrativ për qasje, Maliqi theksoi po të respektohej me kohë ky udhëzim, sot Kosova do të kishte ambient të qasshëm për të gjithë.

    “Një ndër sfidat kryesore me të cilën ballafaqohen personat me aftësi të kufizuara është qasja apo qasshmëria. Kjo bazohet edhe në hulumtimet që kemi bërë ne por edhe organizatat tjera partnere. Në këtë rast është zgjedhur Biblioteka Kombëtare që të krijojë kushte dhe të krijojë hapësira të qasshme për të gjithë që nënkupton edhe për studentët me aftësi të kufizuara. Një gjë që është me rëndësi është se edhe pse është objekt i vjetër që sa dekada, ka mundur të rregullohet dhe ka mundur t’i përshtatet nevojave me çfarëdo kufizimi që kanë ata dhe të krijohet ambient i përshtatshëm si për të gjithë të tjerët. E them kështu se sa herë që bisedojë me institucionet, shumica arsyetohen se është objekti i vjetër dhe nuk ka mundësi apo krijohet buxhet, mirëpo ky është një shembull se mund të rregullohet edhe në objekt të vjetër. Nëse flasim për objekt të ri, qysh në vitin 2007 kur ka hyrë në fuqi udhëzimi administrativ për qasje, po të ishte respektuar ky udhëzim administrativ sot Kosova në përgjithësi do të ishte ndryshe, do të kishte një ambient të qasshëm për të gjithë”, deklaroi ai.

    Krijimit të qasjes për persona me aftësi të kufizuara në Bibliotekën Kombëtare i është gëzuar edhe studenti Eldin Gashi.

    Ai tha se edhe pse nuk është përdorues i karrocës, pjerrinat e vendosura do t’i mundësojnë atij qasje më të lehtë në bibliotekë.

    “Gjatë këtij viti jam bërë edhe student dhe ndoshta do të më bie më shpesh të vizitojë Bibliotekën Kombëtare e shumë më të lehtë do ta kem të qasem në objekt. Ndoshta nuk jam përdorues i karrocës por eci me vështirësi edhe në të njëjtën kohë pjerrinat do të ma bëjnë shumë të lehtë qasjen në objekt”, tha ai.

    Kurse, Alban Morina nga organizata “Trashëgimia Kulturore pa Kufij” theksoi se në Bibliotekën Kombëtare tanimë është ofruar qasje në hapësirat administrative dhe se ky projekt është financuar nga Ministria e Kulturës.

    “Projekti është financuar prej Ministrisë së Kulturës dhe ka pasur për qëllim qe të krijojë qasje të personave me aftësi të kufizuara në objektet e trashëgimisë kulturore. Gjitha këto punime që i keni parë sot në Bibliotekën Kombëtare janë vetëm një pjesë e vogël e projektit dhe projekti ka filluar me takime, me vizita në objektet e trashëgimisë kulturore edhe çfarë është më e rëndësishmja ka kulmuar me publikimin e këtij doracaku që do të shërbejë të gjitha OJQ-ve ose kompanive private që të bëjnë ndërhyrje në saje të trashëgimisë kulturore”, tha ai.

  • Rrezikuan mbytjen, shpëtohen dy pushueset nga Kosova në Shëngjin

    Rrezikuan mbytjen, shpëtohen dy pushueset nga Kosova në Shëngjin

    Dy gra pushuese nga Kosova kanë rrezikuar mbytjen paraditen e së premtes në plazhin e Shëngjinit.

    Rasti është regjistruar në qendër të plazhit, ndërsa pushueset janë arritur të nxirren nga vrojtuesi i plazhit dhe më pas janë dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Lezhës, raporton Opinion.al.

    Sipas informacioneve, dy pushueset ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

  • Kurti me mesazh përkrahës për partinë e Gjukanoviqit në prag të konferencës zgjedhore

    Kurti me mesazh përkrahës për partinë e Gjukanoviqit në prag të konferencës zgjedhore

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën ai drejton, ka dërguar një mesazh mbështetjeje për Partinë Demokratike të Socialistëve në Mal të Zi të cilën e ka themeluar Milo Gjukanoviq, para konferencës së tyre zgjedhore në Podgoricë, me mesazhin se ai gjithmonë do të qëndrojë pranë atyre që besojnë se e ardhmja e përbashkët e rajonit është në Bashkimin Evropian.

    Kurti përmes një video-adresimi në “X” ka uruar konferencën zgjedhore dhe iu ka dëshiruar sukses.

    “Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë atyre që besojnë se e ardhmja jonë e përbashkët është në BE, drejt së cilës ne ndërtojmë ura së bashku të bazuara në marrëdhënie të mira fqinjësore, mirëqenien e qytetarëve tanë, sigurinë e Aleancës Veri-Atlantike, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe luftën kundër nacionalizmit dhe shovinizmit ekstrem që tenton të na kthejë në fillim të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar,” ka thënë Kurti.

  • KQZ largon përdorimin e sprejit në procese zgjedhore dhe miraton formatin e kabinave të votimit

    KQZ largon përdorimin e sprejit në procese zgjedhore dhe miraton formatin e kabinave të votimit

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për miratimin e specifikave të kabinave të votimit që do të përdoren për proceset e ardhshme zgjedhore. Gjithashtu, në këtë mbledhje u miratua vendimi për largim të sprejit e që do të përdoren ngjyra matrikuluese, raporton Ekonomia Online

    Një kabinë votimi do të jetë nga letër kartoni e fortë dhe do të vendoset mbi tavolinë.

    Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së ka thënë se këto kabina duhet të ruhen në depot e komunave përkatëse e pastaj të kthehen ne depo të KQZ

    “Ne kemi shqyrtuar disa modele dhe disa lloje materialit që përdoret. Ka qenë e domosdoshme që specifikat e kabinës së votimit të përdorën për disa procese zgjedhore, ky material duhet të ruhen në depot e komunave përkatëse e pastaj të kthehen ne depo të KQZ gjë që do të kursente buxhetin e shtetit dhe të KQZ-së. Këto specifikat janë konform që kemi pas si Këshill i operacioneve ligjore”, ka thënë Elshani

    Sami Kurteshi anëtar i KQZ-së nga radhët e PDK-së e sheh si të arsyeshme qe duhet me pas një orë praktike me pa sa është e mundshme një kamerë t’i sheh personat se për kë voton.

    “Unë mendoj qe njëherë duhet me pas një orë krejt praktike dhe kemi për detyrë të KQZ-së po me i marr krejt ata qe kanë rezerva lidhur me vendosjen e kamerave dhe pozitën e kabinave të votimit dhe me marr kamera të mira edhe me praktikisht edhe ata qe kanë vërejtje se vërejtjen duhet me i marr seriozisht dhe me pa sa është e mundshme një kamerë me pa ku mundet me qenë problemi, a mundet me dit dikush për kë unë po votoj”, tha ai.

    Edhe anëtari tjetër i VV-së, Alban Krasniqi, u shpreh se ky format i kabinës është më i përshtatshëm prej dallim prej herëve të tjera

    “Kabina në formatin qysh është e përshtatshme për vendosjen ne tavolina në qendra votimit për dallim prej herëve tjera ky dimension është me i gjerë dhe me i gjatë, zë hapësirë në të gjitha dimension me ndervepru edhe më mirë baza saj është tavolina e shkollës”, tha Krasniqi.

    Spreji i cili hidhej në gishtin e madh të një qytetari i cili votonte nuk do të përdoren në proceset e ardhshme zgjedhore.

    Në vend te sprejit KQZ do te përdore ngjyrën matrikuluese, me të cilën do të bëhet gishti i madh i dorës së djathtë të votuesit.

    Ky vendim u mor në mbledhjen e 36-të të KQZ-së për vitin 2024.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ mori vendim për miratimin e specifikave te kabinave të votimit që përdoren për proceset e ardhshme zgjedhore.

    Një kabine votimi do te jetë nga letër kartoni e forte dhe do të vendoset mbi tavolinë.

  • ​Borrell takon kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor

    ​Borrell takon kryediplomatët e Ballkanit Perëndimor

    Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, në Austri ka takuar ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryediplomaten kosovare, Donika Gërvalla.

    Ai tha se me ta ka diskutuar për një Europë më të bashkuar, ndërsa ka falënderuar ministrin e jashtëm austriak, Alexander Schallenberg, që i mblodhi.

    “Gëzohem që takohem me Ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor, grupin “Miqtë e Ballkanit Perëndimor” dhe “Strategjinë e Rajonit të Danubit”. Ne diskutuam se si të ndërtojmë një Europë më të unifikuar së bashku. Faleminderit Schallenberg që na mblodhe këto ditë në Austri”, ka shkruar Borrell.

    Siç kishte bërë të ditur dje BE në faqen zyrtare, Përfaqësuesi i Lartë sot do të shkojë në Wachau për Forumin vjetor të Evropës, ku do të marrë Çmimin Evropian Dr. Alois Mock.

    Gjithashtu, në njoftim u tha se Borrell do të zhvillojë gjithashtu një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues nga Ballkani Perëndimor.

  • Dyshohet për vjedhje të rëndë, arrestohet shtetasi i Shqipërisë në Han të Elezit

    Dyshohet për vjedhje të rëndë, arrestohet shtetasi i Shqipërisë në Han të Elezit

    Në Han të Elezit të enjten është arrestuar një shtetas i Shqipërisë, nën dyshimin se ka kryer vjedhje të rëndë.

    Policia në raportin 24 orësh njofton se vjedhja e rëndë është kryer në shtëpinë e ankuesit mashkull kosovar.

    “Është arrestuar i dyshuari mashkull shtetas i Shqipërisë nën dyshimin se kishte kryer veprën penale të lartcekur në shtëpinë e ankuesit mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit kujdestar i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njofton Policia e Kosovës.

  • Temperaturat e larta, rrezik për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike – Specialistët këshillojnë t’i shmangen këtij orari

    Temperaturat e larta, rrezik për të moshuarit dhe ata me sëmundje kronike – Specialistët këshillojnë t’i shmangen këtij orari

    Ngritja e temperaturave në vend po i rrezikon së shumti personat me probleme kronike e që vuajnë nga sëmundjet shëndetësore. Për këtë, specialistët e mjekësisë familjare kanë dhënë këshilla për t’u mbrojtur nga temperatura e larta, raporton EO.

    Shkak i rritjes së temperaturave, është rritur edhe numri i personave që kanë vizituar Qendrat e Mjekësisë Familjare, kryesisht personat e moshuar dhe me probleme kronike.

    Specialistja e mjekësisë familjare, Vjollca Zeqiri, ka dhënë disa këshilla për t’u mbrojtur nga temperaturat e larta, në kohën kur në Kosovë temperaturat pritet të arrijnë rekord.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Zeqiri ka thënë se ekspozimi ndaj temperaturave të larta në mënyrë të vazhdueshme krijon te organizmi i njeriut një stres fiziogjik komulativ, “që ndikon në përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese si përkeqësimi i sëmundjeve kardiovaskulare, të frymëmarrje, diabetit apo veshkave”.

    Ajo ka paralajmëruar se simptomat qofte edhe nga ekspozimi ndaj temperaturave të larta për kohë të shkurtër po i paraqet simptomat pas disa ditëve.

    “Normalisht, sa më ngrohtë që të jetë, aq më të rënda do të jenë ndikimet e nxehtësisë në organizimin njerëzve, kafshëve apo edhe të mjedisit në përgjithësi. Periudhat e zgjatura të temperaturave të larta, shkaktojnë krijimin e një stresi fiziologjik komulativ në organizmin i cili pastaj e bën përkeqësimin e gjendjeve shëndetësore ekzistuese. Psh. pacientët që vuajnë nga shtypja e lartë e gjakut, personat që vuajnë nga sëmundjet kronike obstruktive, nga diabeti apo nga personat që vuajnë nga veshkat. Tek kjo kategori vjen deri te përkeqësimi i sëmundjeve ekzistuese. Normalisht, ne i kemi mekanizmat termorregullativ të cilët e rregullojnë temperaturën trupore, mirëpo periudhat e zgjatura dhe temperaturat e larta, kanë tendencë me e çrregullua këtë mekanizëm termorregullativ dhe si pasojë vjen deri te paraqitja e një numri të madh të problemeve shëndetësore, duke filluar nga dehidrimi për shkak të rritjes së temperaturës trupore, organizimi mundohet ta rregullojë temperaturën trupore dhe e shton djersitjen”, u shpreh Zeqiri.

    Zeqiri ka bërë të ditur se disa nga simptomat janë dehidrimi (humbja e lëngjeve te organizmi i njeriut), urinimi i rralluar e shpeshtimi i problemeve për ata me sëmundje kardiovaskulare dhe kronike.

    “Si pasojë e shtimit të djersitjes vjen deri te humbja e lëngjeve, humbja e letrolitëve dhe në këtë mënyrë vjen deri te dehidrimi, e cila manifestohet me lëkurë të thatë, me mukoza të gojës, hundës dhe fytit, pastaj urinimi është i rralluar dhe me ngjyrë të mbylltë. Pastaj, personat ndjehen të etur. Përveç kësaj, vjen deri tek goditja nga nxehtësia. Në këto raste vjen deri te ngritja e temperaturës trupore deri në 40 gradë celsius, që është një gjendje alarmante. Manifestohet me të përzierja, me të vjella, nganjëherë edhe me humbje të vetëdijes, prandaj është një gjendje alarmante dhe duhet të kërkohet menjëherë ndihma mjekësore”.

    “Kemi një ngritje të lehtë të numrit të pacientëve, kryesisht moshat e shtyra, personat të cilët janë me probleme kronike të cilët vuajnë nga sëmundjet shëndetësore. Ata janë më të kujdesshëm dhe vijnë në vizita më të rregullta. Kështu që e kemi një ngritje më të lehtë. Gjithashtu kemi një numër të viruseve sepse edhe gjatë stinës së verës si gjatë dimrit, shtohen infeksionet me viruse të ndryshme dhe kemi një numër më të madh të rasteve me të vjellura, sidomos foshnjat dhe fëmijët”, ka thënë Zeqiri.

    E specialisti i mjekësisë familjare, Rushit Ismaili, ka rekomanduar që prej orës 10 deri në 16, qytetarët t’i shmangin ekspozimit direkt në rrezet e diellit. Ndërkaq, ka apeluar që gjatë këtyre temperaturave të nxehta të konsumojnë sasi të mjaftueshme të lëngjeve.

    Ai tregon se cilat janë dobitë e rrezeve të diellit si dhe efektet negative.

    “Për nevojën që të kemi diell është fat që jemi një zonë me diell sepse ai ndikon që të përforcohet vitamina D që të rritet imuniteti edhe që të forcohen kockat, kështu që kemi shumë dobi nga prezenca e diellit mirëpo këto ditë kemi më shumë se sa kemi pasur herëve të kaluara edhe kjo ka ndikuar që pastaj njerëzit ta përjetojnë pak në mënyrë me të vështirë pasi që nëse ka temperatura shumë të larta kemi një avullim të tepërt të organizmit tonë qoftë nga avullimi vetvetiu, qoftë nga djersitja. Kjo ndikon që të bie shtypja e gjakut, edhe me të pastaj të shfaqen shenjat e humbjes së lëngjeve, mund të ketë mundim vjellje në raste ekstreme edhe humbja e vetëdijes”, u shpreh ai.

    Krahas kësaj, ai ka folur dhe si ndikojnë temperaturat e larta tek gratë shtatzëna, fëmijët dhe tek të moshuarit. Tutje ai tregon se në cilën orë duhet t’i shmangemi daljes në diell.

    “Nëse është e mundur që nga ora 10 deri ora 16 të mos dilet në ekspozim direkt të rrezeve të diellit mirëpo për ata që duhet të dalin patjetër le të përpiqen të gjejnë hapësira ku ka hije, le të përdorin ombrella dhe nëse patjetër duhet të qëndrojnë në diell le të përdorin kremra me faktor mbrojtës kurse disa kategori që sigurisht që nuk do të dalin në këto ore të ditës. Kur flas për foshnjat 6 muajsh, për gra shtatzëna, për njerëz të moshuar, duhet një vëmendje pak me e veçantë që duhet t’u kushtohet këtyre grupmoshave”, u shpreh Ismaili.

  • Aksion i madh kundër fajdeve në Gjilan

    Aksion i madh kundër fajdeve në Gjilan

    Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda pas operacionit të suksesshëm të realizuar dje në rajonin e Pejës dhe Prishtinës, sot me datën 21.06.2024 ka vazhduar me aksionin e radhës në tri lokacione të ndryshme të rajonit të Gjilanit.

    Ky operacion policor u realizua pas ndërmarrjes së veprimeve operative hetimore në bashkëpunim dhe koordinim me Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të dyshuar të përfshirë në veprat penale “Fajde dhe Detyrim”.

    Gjatë hetimit të këtij rasti janë arrestuar dy persona të dyshuar, një mbetet në kërkim policorë, si dhe janë gjetur prova se të dyshuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të fajdes dhe detyrimit për të cilat janë hetuar.

    Personat e arrestuar dyshohet se në këtë rast kanë ushtruar presion dhe kërcënime ndaj viktimës me qellim të marrjes së interesit nga veprimtaria e fajdes dhe si rezultat i veprimeve të kundërligjshme personat e dyshuar i kanë shkaktuar dëme materiale viktimës në vlerën mbi 600.000 euro.

    Gjatë operacionit policor në cilësi të provave materiale janë sekuestruar tri vetura, motorë sportiv, armë dhe municion, kartëmonedha euro, dokumente të ndryshme si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.

    Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e të gjitha veprimtarive të kundërligjshme dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së personave të dyshuar.

  • “Vizito Kosovën”: Osmani shpërndanë pamje të Liqenit të Badovcit

    “Vizito Kosovën”: Osmani shpërndanë pamje të Liqenit të Badovcit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shpërndarë një video në profilin e saj “Facebook” duke treguar Liqenin e Badovcit si atraksion turistik.

    “Liqeni i Badovcit, Prishtinë #vizitoKosovën”-shkroi Osmani në Facebook.

    Shpërndarja e kësaj video nga presidentja është promovimi i vendit për turistët e huaj që mund të shprehin dëshirë të vizitojnë Kosovën.