ATV

Category: Lajme

  • ​Haradinaj: Lidershipi aktual ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO

    ​Haradinaj: Lidershipi aktual ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO

    Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka thënë se udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO.

    Haradinaj ka thënë se politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar që Kosova të jetë aty ku diskutohet për anëtarësim në NATO.

    “I mrekullueshëm do të ishte lajmi sikur Kosova të ishte në tavolinat ku do të diskutohej për anëtarësimin e saj në NATO! Por fatkeqësisht politikat e lidershipit aktual të Kosovës e kanë pamundësuar një gjë të tillë. Pjesëmarrja e Kosovës në çfarëdo forumi që ndërlidhet me NATO-n, përfshirë edhe ftesën e Presidentes që të jetë pjesë e aktivitetit për gratë, paqen dhe sigurinë, në kuadër të Samitit të NATO-s, është nder për vendin, për çka u jemi mirënjohës aleatëve!”, ka thënë Haradinaj.

    Haradinaj ka shtuar se detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO.

    “Udhëheqja e sotme e Kosovës apo cilado që vjen pas saj, duhet ta kuptojnë që detyrë mbi detyrat mbetet anëtarësimi në NATO. Ata që nuk e mbështesin këtë synim shtetëror të Kosovës, jo vetëm që janë shkurtpamës por nuk e dijnë pse i mbajnë postet që i kanë”, është shprehur Haradinaj.

  • ​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

    ​Në Shqipëri inflacioni zbret në nivelin më të ulët, kjo është norma

    Inflacioni, që mat ndryshimin e çmimeve për një shportë të caktuar të mallrave të konsumit zbriti në 2.1% në qershor 2024, nga 4.5% që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, bëri të ditur INSTAT.

    Sipas INSTAT, në rritjen vjetore të këtij indeksi kanë kontribuar pozitivisht të gjitha grupet.

    “Konkretisht, grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” kontribuoi me 0.72 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0.42 pikë përqindje. Gjithashtu, çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” ndikuan me 0.27 pikë përqindje, çmimet e grupit “Pije alkoolike dhe duhan” me 0.16 pikë përqindje, çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,12 pikë përqindje, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me 0.11 pikë përqindje, çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” me 0.10 pikë përqindje, çmimet e grupit “Shëndeti” me 0.07 pikë përqindje. Ndërkohë që çmimet në grupet si “Shërbimi arsimor” me 0.06, “Transporti” me 0.05 dhe “Argëtim dhe kulturë” u rritën nga 0.04 pikë përqindje në 0.06 pikë përqindje”, thekson INSTAT.

    Krahasuar me muajin qershor 2023, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 3,7 %, pasuar nga grupet “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,3 %.

    Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” patën një rritje me 3,4 %, pasuar nga nëngrupet “peshk” me 3,3 %., raporton ATSh, transmeton KosovaPress.

    Krahasuar me muajin Maj 2024, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u ulën me 1,1 %, pasuar nga “Transporti” me 0,4 %.

  • Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Aktgjykimi ndaj Pjetër Shalës shpallet më 16 korrik

    Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, e kanë caktuar 16 korrikun 2024 si datë për shpalljen e aktgjykimit ndaj Pjetër Shalës.

    Kjo është bërë e ditur nga DhSK-ja përmes një njoftimi për medie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Sot, më 9 korrik 2024, trupi gjykues caktoi mbajtjen e seancës së shqiptimit të aktgjykimit në çështjen gjyqësore Pjetër Shala për 16 korrik 2024 në orën 14:00”, thuhet në njoftim.

    Ndryshe, gjatë muajit shkurt 2023 ka filluar gjykimi në këtë rast, ku më 21 shkurt Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave kanë paraqitur deklaratat e tyre hyrëse, kurse më 22 shkurt janë dëgjuar deklaratat hyrëse të mbrojtjes së Pjetër Shalës, si dhe deklarata pa betim e tij.

    Në mars 2023 ka filluar paraqitja e provave të Prokurorisë, ku janë dëgjuar 10 dëshmitarë, kurse në gusht ka filluar paraqitja e provave nga mbrojtësi i viktimave ku janë dëgjuar dy dëshmitarë.

    Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021, nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

    Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

    “Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë. /BetimipërDrejtësi

  • Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri Vitia garanton uljen e çmimeve të barnave – Zemaj kërkon shkarkimin e tij

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, është zotuar se do të ketë ulje të çmimeve të barnave në Kosovë, ndërsa ka thënë se nuk do të ketë manipulime. Por skeptik për një gjë të tillë është shprehur deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, raporton Ekonomia Online.

    Vitia ka folur edhe për procedurat e investimeve në depotë për ruajtjen e barnave, duke thënë se të njëjtat do të jenë të gatshme së shpejti.

    “Në asnjë depo nuk i ka plotësuar kushtet e barnave që nga viti 2009, dhe që nga viti i kaluar kemi filluar me bisedime. Tani jemi në procedurat në investimet e barnatoreve, të cilat do t’i plotësojnë të gjitha kushtet e nevojshme. Pas procedurave do të fillojmë edhe me investime në depo. Pas nënshkrimit të listës ka ngritje të çmimit mirëpo në momentin qe e kemi parë e kemi diskutuar dhe është anuluar lista”, ka thënë gjatë raportimit në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale.

    “Tash po flasim për një proces që nuk ka pasur një ligj që përcakton tavanin e çmimit të produkteve. Është anuluar lista, jemi duke folur për një proces që bëhet për herë të parë në Kosovë, nuk kemi pasur ligj për çmimet në tavan që parandalohen këto çmime. Ky ligj do të respektohet dhe për çdo çmim dhe problematikë jam i gatshëm të jap llogari. Është e vërtetë qe ka pasur vonesa. Pas zbatimit të këtij ligji do iu siguroj që do të ketë ulje të çmimeve dukshëm, lista do të publikohet në fund të këtij viti”, u shpreh Vitia.

    Por skeptik se në vjeshtë do të ketë listë të re është shprehur deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj. Madje, ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që të ndërmarrë masa ndaj Vitisë.

    “Nëse po thoni që janë gabime teknike, kanë kaluar një muaj që nga anulimi e tash po thoni që në vjeshtë do të jetë lista e re. Po te isha në vendin tënd do te merrja masa, ose kryeministri të merr masa ndaj teje se na veç flasim kot këtu. Mendoj që vëmendja juaj duket që ka qenë ikje që është kërku në këtë proces të pritur për vitet e tëra. Ne kemi dëshmuar me vote qe jemi pro këtij procesi dhe kjo mungesë informacioneve ka sjell deri në  këtë proces me raportu deri këtu”, u shpreh Zemaj.

    Kryesuesja e Komisionit për përcaktimin e Çmimeve, Virtyte Krasniqi ka thënë që deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave. Sipas saj, kjo listë ka shumë punë dhe në momentin që është gati do de jetë e gatshme për publikim.

    “Jemi në proces të listës së pritjes, jemi në proces në momentin e përfundimit të listës dhe listat e ankesave. Nuk kemi dhënë një afat për ta dërguar listën. Është proces me shumë mund për ta hartuar listën. Deri me 14 qershor ka qenë afati i ankesave kemi filluar me përgatit listën. Vazhdimisht jemi duke bërë listën e barnave ajo dëshiron kohë dhe përkushtim”, ka thënë Krasniqi.

    Sipas saj, nuk kanë qenë të përgatitur për këtë proces pasi që duhet në punë e madhe.

    “Ky proces kërkon punë, krijon standard për deklarimet e radhës, do të ketë afate me të shkurta në procesin e shqyrtimit dhe kalkulimit. Na duhet kohë dhe punë nuk është hera e parë, nuk kemi qenë të përgatitur për këtë proces të tillë. Zakonisht deklarimet nuk janë ashtu siç kanë qenë do të shihet edhe në çmimet e doganës dhe do të shihen uljet e çmimeve”, u shpreh ajo.

  • Anulohet konkursi për rreshterë

    Anulohet konkursi për rreshterë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se ka marrë vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur më 12 shkurt të këtij viti.

    Sipas Policisë, ky vendim erdhi “me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së”, Policia e Kosovës merr vendim”.

    Njoftimi i plotë i PK-së:

    Policia e Kosovës (PK), bazuar në udhëzimin administrativ për procedurën e gradimit për zyrtarë policorë, procedurën e standardeve të operimit, analizën e nevojave për personel të graduar sipas strukturës organizative dhe listës së personelit të autorizuar, sipas së cilës janë identifikuar mbi 350 pozita të lira për gradën rreshter, pas një periudhe mbi 11 vjet, me datën 12.02.2024 kishte shpallur procesin e gradimit për gradën rreshter, personel kyç për mbikëqyrje të vijës së parë dhe shërbimit sa më efektiv ndaj qytetarëve.

    Lidhur me këtë konkurs, Policia e Kosovës ishte angazhuar në përgatitjen dhe mbarëvajtjen e tërë procesit, duke angazhuar personel të mjaftueshëm si dhe duke caktuar komisionet mbikëqyrëse të të gjitha fazave të procesit të gradimit për gradën rreshter.

    Edhe pse i tërë procesi, përfshirë testimin me shkrim, ishte mirë i përgatitur dhe i organizuar, megjithatë pas shprehjes së disa pakënaqësive nga një numër i kandidatëve në këtë proces, Policia e Kosovës duke u bazuar në parimet e transparencës, etikës, vlerave themelore, integritetit profesional dhe besueshmërisë, ka angazhuar stafin policor në analizimin e procesit, gjithashtu është përfshirë edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) i cili ka bërë një inspektim të jashtëzakonshëm të këtij procesi.

    Bazuar në të gjeturat e stafit policor të angazhuar për analizim të procesit si dhe raportit të inspektimit të IPK-së, është vlerësuar se procesi ka qenë në përgjithësi i rregullt dhe mirë i organizuar, përjashtimisht disa procedurave dhe çështjeve teknike e administrative, për të cilat IPK-ja ka dhënë rekomandimet e saja.

    Andaj, me qëllim të eliminimit të të gjitha paqartësive dhe ruajtjes së kredibilitetit të procesit të cilat mund të zbehin imazhin e Policisë së Kosovës, si dhe bazuar në rekomandimet e IPK-së, Policia e Kosovës merr vendim për anulimin e konkursit për gradim në gradën rreshter të shpallur me 12.02.2024.

    Policia e Kosovës, bazuar në të gjeturat dhe rekomandimet e IPK-së, pas rishikimit të procedurave dhe implementimit të ndryshimeve dhe rekomandimeve të IPK-së, do të fillojë me të gjitha përgatitjet e nevojshme administrative dhe logjistike, që procesi i gradimit për rreshter të vazhdohet sa më parë që të jetë e mundur.

    Policia e Kosovës është organizatë transparente, llogaridhënëse dhe çdo gjë që mund të dëmtojë reputacionin apo të krijojë mosbesim të policëve e të publikut, do të punojë që ta ruajë dhe ta ngritë edhe më tej besueshmërinë e zyrtarëve të saj dhe publikut, duke ofruar transparencë, monitorim të procesit nga partnerë të jashtëm dhe mbikëqyrje të të gjitha proceseve.

  • Paguhen vetëm 275 euro, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës në protestë

    Paguhen vetëm 275 euro, punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës në protestë

    Punëtorët teknikë të Kuvendit të Kosovës, të martën kanë protestuar para institucionit më të lartë ligjvënës për shkak të pagave të ulëta. Ata kanë kërkuar që paga nga 270 t’iu rritet deri në 500 euro, raporton EO.

    Ata kanë paralajmëruar edhe veprimet tjera sindikale nëse kërkesat e tyre nuk realizohen.

    Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve, Jusuf Azemi, ka thënë se problemi është tek kompania kontraktuese, ku nga 18 mijë euro vetëm 6 mijë ndahen për punëtorët teknik.

    “Shuma është 18 mijë euro, ndërsa që e marrin punëtorët është 6 mijë euro. Më shumë merr buxhet pronari i kompanisë”, ka thënë Azemi.

    “Jemi dalë të protestojmë për paga të ulëta punëtorët teknik që kryejnë shërbime për Kuvendin e Kosovës që të jemi parimor ne e kemi bë bisedë me sekretarin e Kuvendit dhe drejtorin e administratës të cilët me përpikëri na kanë shpjeguar për procedurën e çështjes së pagave të punëtoreve kuvendi i Kosovës kompanisë i përcjell 18 mijë euro brenda muajit për shërbimet që i kryejmë dhe ne e kemi komunikuar shumë mirë me sekretarin, ai ka kryer detyrën e vetë ligjore dhe problemi është tek kompania e cila kryejnë shërbime”, ka thënë Azemi, teksa ka paralajmëruar edhe veprime tjera.

    “Ne i kemi shkruar pronarit të kompanisë i kemi shpjeguar se ne për sot do të kemi një protestë paqësore dhe nëse nuk reflekton pronari i kompanisë ne sigurisht nga java tjetër me vendimin e punëtorëve do ta ndërpresim shërbimet tona”, ka thënë Azemi.

    Kurse, përfaqësuesja e punëtorëve, Nazife Krasniqi, ka thënë se kërkesa e vetme e tyre është të marrin atë se çka iu takon sipas ligjit.

    “Ne kemi kërkuar me na u rrit pagat, kemi bisedu me sekretarin, drejtorin aty është thënë se ka mundësi me u rrit pagat por ne operatori ekonomik nuk na është përgjigj. Nuk mund të punojmë me 275 euro kur kemi me udhëtu e kemi ushqim por nuk po na mjafton”, u shpreh ajo.

  • ​Hodaj: Procesi i gradimit për rreshter në Polici të kthehet në pikën zero, ka cenim të kredibilitetit

    ​Hodaj: Procesi i gradimit për rreshter në Polici të kthehet në pikën zero, ka cenim të kredibilitetit

    Kryeshefi ekzekutiv i Inspektoratit Policor të Kosovës, Kushtrim Hodaj tha se presin që procesi i gradimit për rreshter në Policinë e Kosovës të kthehet në pikën zero. Të gjeturat nga inspektimi, ai shtoi se tregojnë për cenim të kredibilitetit të këtij procesi.

    Gjatë raportimit në Komisionin për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, Hodaj theksoi se në këtë konkurs nuk është plotësuar kriteri etnik, raporton KosovaPress.

    “Si rezultat i këtij inspektimi kemi siguruar materiale që lidhen me procesin. Kemi ardhur në fazën që kemi hartuar një dokument me listën e te gjeturave. Siç e kemi cekur në dokument, kemi vënë në pah që në procesin e gradimit janë bërë disa lëshime. Kemi gjetur që nuk ka harmonizim të kohëzgjatjes dhe niveleve të gradimit për të fituar të drejtën për të aplikuar”, tha Hodaj.

    Hodaj theksoi se kanë dërguar tetë rekomandime në Policinë e Kosovës për rishikimin e Udhëzimit Administrativ për këtë gradim. Ai tha se pret nga drejtori i Policisë së Kosovës që të sigurojë një proces me kredibilitet.

    “Të gjeturat tona vejnë në pah që është cenuar kredibiliteti i procesit. Dhe ne presim qe procesi të kthehet në pikën zero”, shtoi ai.

    Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj deklaroi se ky raport e obligon Policinë e Kosovës që ta anulojë procesin.

  • Haxhiu – Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

    Haxhiu – Vitisë: Me këtë ritëm do ta përfundoni mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të barnave

    Lista zyrtare e çmimeve të produkteve medicinale ishte temë diskutimi në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale. Aty, të martën raportoi ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili u kritikua nga partitë opozitare, raporton EO.

    Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i ka thënë ministrit Vitia se me ecurinë aktuale të punës do ta përfundojë mandatin pa listë zyrtare të çmimeve të produkteve medicinale.

    Deputeti i PDK-së në këtë komision ka thënë se lista ka pasur produkte me çmime shumëfish më të larta.

    “Në disa prej analizave që i kemi bërë të asaj liste, del që ka rritje shumëfish të çmimeve nga 100 %. I kemi pas këtu anëtaret e Komisionit, kanë thënë që ka pasur gabime teknike. Ka pasur rritje deri në 3000 %. Të proklamosh ulje të çmimit e të nënshkruash listë me çmime me të larta – kjo nuk ka logjikë. Me ketë ecuri të punës do ta përfundoni mandatin e nuk do të ketë listë të çmimeve”, ka thënë ai.

    Haxhiu po ashtu ka shtruar pyetjen se sa është dëmi nga reshjet në depon e barnave.

    Por ministri Vitia mohoi këto akuza të deputetit Haxhiu. Vitia ka thënë se ky ligj ka hyrë në vitin e kaluar e i cili përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës.

    Sipas tij ky ligj përkufizon sigurimin e kostos së përballueshme të produkteve dhe efikase për qytetarët.

    “Në gusht të vitit 2023 ka hyrë ligji në fuqi për çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën e Kosovës. Ky ligi përcakton çmimet e produkteve medicinale për qarkulluesit e licencuar farmaceutik me shumicë dhe pakicë në Republikën në Kosovës. Ky ligj është pjesërisht në përputhje me Direktivën 89/105 EEC për transparencën e masave për rregullimin e çmimeve për produkte medicinale për përdorim të njerëzit, si dhe përfshirjen e tyre në fushëveprimin e sistemit shtetëror të sigurimit shëndetësor. Ky ligj përkufizon sigurimin e kosto të përballueshme të produkteve medicione të nevojshme dhe efikase për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, u shpreh Vitia.

  • Nussbaumer thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet

    Nussbaumer thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet

    Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve, raporton EO.

    Në një konferencë për media së bashku me kryeparlamentarin Konjufca, Nussbaumer, ka thënë se Zvicra mbështet dialogun, teksa shtetin e tij e ka quajtur aleat të fortë për Kosovën.

    “Ne kemi pasur një takim të frytshëm, diskutimet tona i kanë theksuar marrëdhënie dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave parlamentare. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, u shpreh ai.

  • Konjufca: Serbia duhet të ndëshkohet, ekziston rreziku ta përsërisë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë

    Konjufca: Serbia duhet të ndëshkohet, ekziston rreziku ta përsërisë sulmin e 24 shtatorit në Banjskë

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë se Serbia nuk duhet të mbetet e pandëshkuar sidomos pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë. Sipas tij, ekziston rreziku që shteti serb ta përsërisë një sulm më përmasa edhe më të mëdha nëse nuk ndëshkohet, raporton EO.

    Këto komente i bëri pas takimit që pati me presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, ku shtoi se nëse Serbia ende vazhdon ta mbështesë Rusinë në luftën në Ukrainë.

    “Një temë e pashmangshme në këto rrethana ishte edhe siguria në Kosovë dhe rreziqet që po përballemi për shkak të pretendimeve territoriale që ka Serbia ndaj Kosovës. Ia shpreha shqetësimet po që se Serbia lihet e pandëshkuar lidhur me agresionin e 24 shtatorit në Banjsk, Serbia ka për ta përsëritur këtë skenarë. Një nga shtet që nuk e ka sanksionuar Rusinë por që vazhdon të ketë bashkëpunim me Rusinë”, u shpreh Konjufca, teksa falënderoi presidentin e Këshillit Kombëtar të Zvicrës për ndihmën ndër vite dhënë Kosovës.