ATV

Category: Lajme

  • Kurti takon drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it, i ofron bashkëpunim të afërt me të, ministritë e agjencitë

    Kurti takon drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it, i ofron bashkëpunim të afërt me të, ministritë e agjencitë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Drejtoren e re të Zyrës së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko.

    Së bashku me mirëseardhje në Kosovë, Kryeministri Kurti e uroi Vashchenko për detyrën e re dhe i ofroi bashkëpunim të afërt nga ai dhe ministritë e agjencitë e linjës në fushën e rinisë dhe edukimit.

    Diskutuan për programet dhe bashkëpunimet aktuale në edukimin gjithëpërfshirës, edukimin në fëmijërinë e hershme dhe punën praktike në kuadër të programit “Kosovo Generation Unlimited”, por edhe për mundësitë për të bërë edhe më shumë, sidomos në promovimin dhe zhvillimin e vullnetarizmin te të rinjtë.

    Gjatë takimit, u veçua rëndësia e përpunimit të të dhënave të mbledhura nga Regjistrimi i Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave, u mirëprit votimi i Ligjit për Rininë që u miratua javën e kaluar në Kuvend dhe u vlerësua përfshirja e rinisë dhe kapitalit njerëzor në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim.

    Ky ishte takimi i parë ndërmjet Kryeministrit Kurti dhe Drejtores së UNICEF-it në Kosovë, Veronika Vashchenko. Znj. Vashchenko, shtetase e Ukrainës, u emërua në këtë pozitë në qershor të këtij viti.

  • Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua para 25 vitesh, jam pro saj në OKB

    Akademiku serb: Kosova de facto u pavarësua para 25 vitesh, jam pro saj në OKB

    Akademiku serb, Nenad Kostiq, ka thënë se Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë, ndërsa gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë.

    Në një intervistë për agjencinë serbe të lajmeve “Fonet”, i pyetur nëse zgjidhja e çështjes së Kosovës duhet të arrihet përmes konferencës apo dialogut ndërkombëtar, Kostiq tha se gjatë historisë konferencat ndërkombëtare dhe konferencat e paqes janë organizuar shpejt pas përfundimit të luftës dhe se tani është tepër vonë për një gjë të tillë.

    “Kosova u bë de facto e pavarur 25 vjet më parë. Gjashtëmbëdhjetë vjet më parë shpalli pavarësinë. Rruga e mëtutjeshme e zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës është shumë e ngushtë. Unë nuk shoh nevojën për një konferencë të madhe. Kjo duhet të merret vesh nga pushtetarët në Prishtinë dhe Beograd, natyrisht, nën kujdesin e fuqive të forta”, shtoi Kostiq, raporton media serbe “Danas”.

    Ai thotë se marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë “është një iniciativë e dy vendeve udhëheqëse të Bashkimit Evropian për të zgjidhur përfundimisht statusin e Kosovës dhe që Serbia të pajtohet me fqinjët e saj sa më shumë që të jetë e mundur dhe përfundimisht një ditë të bukur t’i bashkohet BE”.

    I pyetur për konfliktin e ngrirë, ai tha se konflikti nuk është i ngrirë, por po digjet dhe se problemi me çdo konflikt të tillë është se ai mund të shkrihet.

    “Një konflikt i ngrirë është një fuçi baruti që pret vetëm ndezjen e fitilit”, paralajmëroi Kostiq, duke shtuar se ata që e mbrojnë atë ide fantazojnë se gjithçka do të funksionojë në favor të tyre në të ardhmen, por se ai është kundër një konglomerati të ngrirë.

  • Zyrapi pyetet për organizimin e logjistikës së UÇK-së dhe për pavarësinë e zonave

    Zyrapi pyetet për organizimin e logjistikës së UÇK-së dhe për pavarësinë e zonave

    Në vazhdim të pyetjeve, avokates së Jakup Krasniqit, Venkateswari Alagnedra, u përqendrua të organizimi i logjistikës së UÇK-së e cila sipas saj, bazën kryesore e kishte në Divjakë të Shqipërisë

    Ajo e pyeti dëshmitarin Bislim Zyrapi lidhur me deklaratën e Komandantit të Zonës së Llapit të UÇK-së, Rrustem Mustafa, i cili sipas saj në dëshminë e dhënë në ketë proces gjyqësor, ka thënë se ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    “Mustafa ka dëshmuar që ka pasur mundësi të siguronte armë nga Bosnja dhe Serbia gjatë luftës. Ai ka shtuar gjithashtu që ka shtuar kontribute vullnetare të dhëna nga disa njerëz si brenda dhe jashtë Kosovës”, tha avokatja.

    Pas pyeti dëshmitarin se a se a është në dijeni të kësaj gjendje, dëshmitari shkurtimesh u përgjigj me po.

    Pas kësaj, avokatja tha se sa i takon aspektit logjistik dhe financiar, zonat kishin një linjë të pavarur për furnizime dhe financime dhe Shtabi i Përgjithshëm në Divjakë nuk kishte kontroll apo jo?

    Përgjigjja e dëshmitarit lidhur me ketë pyetje nuk u dëgjua, mirëpo sipas mimikës trupore u duke që ai u pajtua ne konstatimin e bërë në formë pyetje nga avokatja.

    Paraprakisht, avokatja e pyeti dëshmitarin lidhur librin e Bardhë Hamzajt me titull “ Një narrativë për luftën dhe lirin”, ku në të ndër të tjera thuhej se Ramush Haradinaj kishte krijuar një mekanizëm paralel logjistike dhe kishte vendosur Mustaf Selmanaj si shef të saj.

    Lidhur me këtë, dëshmitari Zyrapi tha se Haradinaj e ka konsideruar që e ka bërë një vijë të veçantë, por sipas tij ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së.

    “U mundua në atë drejtim ta bëj një paralel në fakt, por të gjithë ata njerëz që kanë furnizua atë zonë kanë qenë të bazës së logjistikes së UÇK-së, po që kanë qenë të dedikuar drejt për Zonën e Dukagjinit. Kështu që ai e ka konsideruar që e ka bërë një vije të veçantë, por jo ajo ka qenë në kuadër të bazës se logjistikes së UÇK-së”, tha Zyrapi.

  • Janë vendosur pajisje të reja elektronike në Kuvend, kështu duket tash tavolina e deputetit

    Janë vendosur pajisje të reja elektronike në Kuvend, kështu duket tash tavolina e deputetit

    Salla e Kuvendit të Kosovës është në rinovim e sipër ndërsa Shefi i Kabinitetit të Glauk Konjufcës, Ilir Kërçeli njoftoi se tashmë veçse janë vendosur pajisje të reja elektronike për votim dhe mikrofonë.

    “Pas 21 vitesh po ndërrohen paisjet e sallës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, shkroi Ilir Kërçeli në Facebook.

  • Dënohet me 2 mijë e 500 euro gjobë mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetit Dimal Basha

    Dënohet me 2 mijë e 500 euro gjobë mërgimtari i akuzuar për kanosjen e deputetit Dimal Basha

    Pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, mërgimtari Bajram Isufi është dënuar me 2 mijë e 500 euro gjobë për kanosjen e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

    Aktgjykimi ndaj Isufit u shpall të hënën nga gjykatësi Dibran Isufi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Gjykatësi Isufi tha se sipas marrëveshjes për pranim fajësie, i akuzuari dënohet me 180 ditë burgim i cili dënim i zëvendësohet me 2 mijë e 500 euro gjobë.

    I akuzuari obligohet që gjobën prej 2 mijë e 500 euro ta paguajë me tri këste, për shkak të gjendjes së tij të dobët ekonomike.

    Paraprakisht, prokurori Kastriot Berisha i propozoi gjykatës ta aprovojë marrëveshjen për pranim fajësie, pasi tha se është në përputhje me dispozitat e nenit 230 të Kodit të Procedurës Penale.

    Prokurori shtoi se i akuzuari gjatë gjithë kohës ka qenë i përfaqësuar me mbrojtës të caktuar sipas detyrës zyrtare, i ka kuptuar të drejtat, benefitet dhe pasojat e pranimit të fajësisë dhe vullnetarisht ka hyrë në këtë marrëveshje.

    Deputeti Basha tha se i bashkëngjitet ndjekjes penale, ndërsa nuk paraqet kërkesë pasurore-juridike.

    Në anën tjetër, i akuzuari kërkoi falje për veprën e kryer dhe shtoi se kishte kërkuar falje edhe në Prokurori. Tha se veprën e kishte kryer pasi ka qenë në gjendje jo të mirë shëndetësore.

    Mbrojtësi i të akuzuarit Isufi, avokati Shemdi Bunjaku, tha se i mbrojturi i tij ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë dhe se i akuzuari në Prokurori ka deklaruar që është involvuar në këtë çështje penale pa dashje e që më pas ka kuptuar se veprimet e tij kanë qenë ndesh me ligjin. Ai shtoi se i mbrojturi i tij kishte deklaruar se krejt kjo situatë ka ardhë si pasojë e shëndetit jo të mirë në atëkohë.

    Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 shkurt 2024, thuhet se i akuzuari Bajram Isufi me banim në Gjermani, përmes rrjetit social “Facebook” me qëllim të frikësimit e ka kanosur seriozisht deputetin Dimal Basha në lidhje me punën dhe pozitën e tij, duke i shkruar mesazh në Facebook me fjalët “te kqyrum kujna po i shkon e kujt jo o p** n***! Plumba për tradhëtar të kombit ka me pas gjithë dhe ko me pas! Perhajr ju koft tash edhe rune prapani** dhe familjen se tash e tutje s’dihet se ku ka me ju kersit!”.

    Po ashtu, thuhet se i ka shkruar edhe mesazh tjetër me fjalët: “mos ha fort se bonbën në gojë ta shtijn gjinja, i vonshëm je ti”. Këto mesazhe, sipas Prokurorisë i kanë shkaktuar frikë dhe ankth deputetit Basha.

    Andaj, me këto veprime Isufi ngarkohej se ka kryer veprën penale “Kanosja” nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

  • ​Vapa përvëluese përhapet në Lindje, qytetet e mëdha në SHBA përgatiten për temperatura rekord

    ​Vapa përvëluese përhapet në Lindje, qytetet e mëdha në SHBA përgatiten për temperatura rekord

    Miliona amerikanë po përballen me temperatura përvëluese, pasi një valë e nxehtë rekord po zgjerohet drejt lindjes, duke kërcënuar qytetet e mëdha me nxehtësi “veçanërisht intensive”.

    Vala e pamëshirshme e të nxehtit që ka djegur SHBA-në perëndimore gjatë javës së kaluar tani po zgjerohet në rajonet qendrore dhe lindore, duke sjellë me vete një mori rreziqesh shëndetësore dhe sfida infrastrukturore, sipas USA Today.

    Ndërsa temperaturat rriten, meteorologët dhe zyrtarët shëndetësorë po japin alarmin për kushtet potencialisht vdekjeprurëse me të cilat përballen miliona amerikanë.

    “Një valë e gjerë e të nxehtit nga Fushat në Bregun Lindor do të vazhdojë gjatë dy ditëve të ardhshme, duke u bërë veçanërisht intensive për shumë nga qendrat urbane në Juglindje, Luginën e Ohajos dhe përgjatë Bregut Lindor,” raportoi USA Today duke cituar Shërbimin Kombëtar të Motit.

    Të paktën 30 milionë njerëz pritet të përballen me temperatura 100 gradë Fahrenheit (afërsisht 37.8 gradë Celsius) ose më të larta, me miliona të tjerë që do të përjetojnë nxehtësi 90 gradë Fahrenheit, sipas AccuËeather.

    Ashpërsia e situatës nënvizohet nga parashikimi i indekseve të nxehtësisë që arrijnë në 105 deri në 110 gradë Fahrenheit (afërsisht 40,6 deri në 43,3 gradë Celsius) në shumë zona. Këto kushte ekstreme përkeqësohen nga nivelet e larta të lagështisë, duke krijuar një mjedis të rrezikshëm, veçanërisht për personat e ndjeshëm.

    Këto kushte do të jenë “të rrezikshme dhe potencialisht vdekjeprurëse” për ata që nuk kanë akses adekuat ndaj hidratimit efektiv, paralajmëroi shërbimi i motit.

    Rreziku është veçanërisht i lartë në zonat urbane në të gjithë Juglindjen, Luginën e Ohajos dhe Bregun Lindor, ku nxehtësia pritet të jetë më intensive.

    Vala e të nxehtit tashmë është lidhur me të paktën 30 viktima në Perëndim dhe shqetësimet po rriten ndërsa zgjerohet drejt lindjes. Temperaturat gjatë natës, që priten të mbeten në mes të viteve të 70-ta të larta, ofrojnë pak lehtësim nga vapa e ditës./AA/

  • Jasharaj paralajmëron greva, më 1 shtator

    Jasharaj paralajmëron greva, më 1 shtator

    Në shtator gjithë sistemi arsimor në vend mund të futet në grevë. Kështu ka paralajmëruar Sindikata e Arsimit. Drejtues të kësaj sindikate kanë bërë të ditur se ky vendim mund të merret pasi Qeveria nuk po i merr parasysh kërkesat e tyre tash e dy vjet.

    Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar së si pasojë e mungesës së dialogut me qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit viti i ri shkollor rrezikon të mos fillojë më 1 shtator, pasi ky sistem mund të futet në grevë.

    Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj, i tha Radio Kosovës së kjo është kërkesë e vazhdueshme e anëtarësisë pasi Ministria e Arsimit dhe Qeveria nuk po i marrin parasysh kërkesat e tyre dhe nuk po u përgjigjen ftesave për të dialogu.

    “Sindikata e Arsimit ka pritur që qeveria, Kurti, dhe në veçanti ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, të marrin mësim nga greva e tmerrshme e vitit 2022. Por, fatkeqësisht nga ajo kohë ata kanë vazhduar me qasjen e njëjtë të gabuar ndaj dialogut me sindikatat. Dhe, nuk kam pse ta fsheh, që një grevë në muajin shtator është e mundshme të ndodhë. Kjo pasi gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat nga anëtarësia që të kemi veprime sindikale në shttor”, ka deklaruar Jasharaj.

  • Trump flet për herë të parë pas atentatit: Supozohej të mos isha këtu, por të kisha vdekur

    Trump flet për herë të parë pas atentatit: Supozohej të mos isha këtu, por të kisha vdekur

    Ish-presidenti Donald Trump ka reflektuar pasi i mbijetoi atentatit, duke thënë në një intervistë me New York Post: “Do isha i vdekur tashmë”.

    Trump i tregoi gazetarit një mavijosje të madhe në parakrahun e tij të djathtë, të cilën ai tha se e mori kur agjentët nxituan në skenë për ta mbrojtur atë.

    Ish-presidenti kishte një “fashë të bardhë të lirshme, të madhe që mbulonte veshin e tij të djathtë” gjatë intervistës dhe stafi i tij tha se media nuk mund t’i bënte asnjë foto.

    “Unë nuk supozohet të jem këtu, supozohet të kem vdekur”, tha Trump. “Për fat ose për Zotin, shumë njerëz thonë se falë Zotit jam ende këtu.”

    Trump komentoi foton e tij duke ngritur grushtin dhe duke thënë “Luftoni!” pasi u gjakos në fytyrë.

    “Shumë njerëz thonë se kjo është fotografia më ikonike që kanë parë ndonjëherë”, tha Trump. “Ata kanë të drejtë dhe unë nuk vdiqa. Zakonisht duhet të vdesësh për të pasur një foto ikonike.”

    Trump i tha gazetës se donte të vazhdonte të fliste pas të shtënave, por Shërbimi Sekret këmbënguli që ai të shkonte në spital.

    “Unë thjesht doja të vazhdoja të flisja,” tha ai.

    Trump tha gjithashtu se e vlerësonte thirrjen që mori nga presidenti Joe Biden, sipas Post. Gazeta raportoi se Trump sugjeroi që fushata mes tyre mund të ishte më civile që tani e tutje.

  • Hovenier: ShBA e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

    Hovenier: ShBA e shqetësuar me disa zgjidhje politike që bëri Qeveria Kurti

    Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë. Ai tha se qeveria duhet të sigurohet që legjislacionet të jenë në përputhje me normat evropiane.

    I pyetur lidhur me raportet me qeverinë, ai tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë me popullin e Kosovës.

    Sipas tij, ShBA-të por edhe partnerët tjerë kanë shqetësime lidhur me disa zgjidhje politike që i ka bërë Qeveria Kurti dhe se pamundësojnë arritje .

    “Nganjëherë ndjej se të gjithë dëshironi të jeni psikiatër…Kurgjo më e re se që e kam thënë. Përkushtimi i ShBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurtë si gjithmonë. Edhe kjo është arsyeja pse jam këtu dhe po takohem me përfaqësues të komuniteteve për të mundësuar se çka mund të bëjë qeveria më shumë. Kemi qenë me popullin e Kosovë, jemi me popullin e Kosovës dhe do të jemi me popullin e Kosovës”, deklaroi ai.

    Në konferencë për media, pas vizitës në Gjakovë, Hovenier deklaroi se pas miratimit të Ligjit për KPK-në dhe KPM-në, ka biseduar me zyrtarët e qeverisë. Ai tha se qeveria duhet të sigurohet që legjislacionet të jenë në përputhje me normat evropiane.

    “Unë kam pasur rastin që të bisedojë me zyrtarët e qeverisë. Kuptoj që ka ndjenja të fuqishme nëse janë ligjet në përputhje me normat evropiane apo jo. Këshilla është që të sigurohen që çdo legjislacion që të jetë në përputhje me normat evropian, sepse ne natyrisht mendojmë që Kosova të jetë anëtarë e BE-së, NATO-s, prandaj mendojmë që nuk është edhe shumë e mençur që ato organizata evropiane e kanë thënë që këto projektligje nuk janë në përputhje me normat evropiane”, shtoi Hovenier.

  • ​Personat që kanë këto sëmundje kronike duhet të punojnë me orarë të shkurtuar

    ​Personat që kanë këto sëmundje kronike duhet të punojnë me orarë të shkurtuar

    Pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë që erdhi si shkak i temperaturave të larta, për lirimin nga puna të grave shtatzëna, ose të punojnë nga shtëpia dhe për qytetarët me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, me qëllim që institucionet dhe subjektet e ndryshme ta kenë më të lehtë zbatimin e vendimit për kategorinë e qytetarëve me sëmundje kronike, ka publikuar një listë e sëmundjeve kronike, të cilat mund të konsiderohen me rastin e zbatimit të vendimit.

    Sipas njoftimit, më datë 12 korrik 2024, Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë vendimin që duke filluar nga data 13-20 korrik 2024, për shkak të temperaturave të larta, të lirohen nga puna gratë shtatzëna, ose të punojnë nga shtëpia, derisa qytetarët me sëmundje kronike të punojnë me orar të shkurtuar deri në 4 orë në ditë. Vendimi, gjithashtu, ndalon punën në sektorin e ndërtimtarisë në ambiente të hapura gjatë orarit 11:00-17:00 në gjithë territorin e Republikës së Kosovës.

    “Me qëllim që institucionet dhe subjektet e ndryshme ta kenë më të lehtë zbatimin e vendimit për kategorinë e qytetarëve me sëmundje kronike, bashkëlidhur një listë e sëmundjeve kronike, të cilat mund të konsiderohen me rastin e zbatimit të vendimit”, thuhet në njoftim.