ATV

Category: Lajme

  • ​Osmani takon kryeministrin e Holandës, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    ​Osmani takon kryeministrin e Holandës, diskutojnë për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka takuar të enjten kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof.

    Takimi ka ndodhur në kuadër të samitit të katërt të Komunitetit Politik Evropian (EPC).

    Përmes, një komunikate për media është bërë e ditur se temë diskutimi ka qenë avancimi i Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimi në organizata ndërkombëtare.

    “Diskutim përmbajtësor me Kryeministrin e ri të Holandës, Dick Schoof, për forcimin e partneritetit midis Kosovës dhe Holandës, si dhe për rëndësinë e avancimit të rrugës së Kosovës drejt institucioneve euroatlantike dhe anëtarësimit në organizata tjera ndërkombëtare”, ka thënë presidentja Vjosa Osmani.

  • ​Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike

    ​Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës i paprekur nga kriza globale e sistemeve kompjuterike

    Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë bën të ditur se situata e krijuar mëngjesin e sotëm nga ndërprerje të funksionimit të sistemeve kompjuterike, në nivel global, që ka prekur shërbimin e sistemit të check-in dhe rezervimit, në disa aeroporte ndërkombëtare, nuk ka afektuar për momentin Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

    Sipas MIE-s, fluturimet e orareve të mëngjesit janë nisur në kohë dhe pa probleme. Kjo, pasi Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka një sistem të dyfishtë, i cili mundëson funksionimin pa probleme të tij.

    Gjithsesi MIE informon se vonesa pritet të shkaktohen në orët në vazhdim nga fluturimet që do të vijnë nga aeroportet e tjera në varësi të sistemeve të ndryshme të operimit.

    Edhe Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës (TIA) konfirmoi se sistemet e tij kanë mbetur plotësisht funksionale dhe të paprekura nga kriza e fundit e sistemeve kompjuterike në mbarë botën.

    Për shkak të ndërprerjeve në aeroportet e vendeve të tjera të prekura, TIA thotë se mund të ketë ndryshime në oraret e fluturimeve si për mbërritjet ashtu edhe për nisjet në TIA.

    Këshillohet që të gjithë pasagjerët të verifikojnë oraret e fluturimit drejtpërdrejt me linjat ajrore ose agjencitë e tyre të udhëtimit përkatës.

    TIA thotë se mbetet e angazhuar për të garantuar sigurinë dhe komoditetin e të gjithë pasagjerëve dhe do të vazhdojë të monitorojë nga afër situatën.

    Kaosi global me ndërprerjen e internetit ndodhi për shkak të një gabimi në përditësimin e një softueri.

    Dështimi i përditësimit të një agjenti të softuerit po shkakton dështime të internetit në shkallë të gjerë.

    Bankat, linjat ajrore, kompanitë e telekomunikacionit, transmetuesit televizivë, radiofonikë dhe supermarketet në Europë dhe SHBA janë prekur nga probleme të sistemeve të IT./ATSH/

  • MPB serbe shpall në kërkim Faton Hajrizin, ia publikon fotografinë

    MPB serbe shpall në kërkim Faton Hajrizin, ia publikon fotografinë

    Pjesëtarët e MPB-së serbe kanë thënë se intensivisht janë në kërkim të Faton Hajrizit, i cili dyshohet për vrasjen e policit Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e policit Vjekoslav Iliq mbrëmë në Lloznicë.

    “Ftojmë qytetarët të lajmërojnë menjëherë policinë në numrin 192 ose të kontaktojnë komisariatin më të afërt nëse e vërejnë personin në foto ose kanë informacion për lëvizjet e tij”, tha MPB-ja serbe.

    Me këtë njoftim, MPB-ja serbe e konfirmon se Faton Hajrizi është tashmë i dyshuari kryesor për ngjarjen në Lloznicë.

    Hajrizi dyshohet për vrasjen e policit 34-vjeçar serb, Nikolla Krsmanoviq dhe plagosjen e oficerit tjetër policor, Vjekoslav Iliq.

    Të shtënat me armë kanë ndodhur kur policët gjatë një kontrolli rutinë kanë ndaluar një automjet me targa turke. Në vend është gjetur një pasaportë e Kosovës dhe një letërnjoftim gjerman në emër të Artan Hajrizit.

    Ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, ka deklaruar se informacionet për deklaratën e Artan Hajrizit se vëllai i tij ia ka marrë dokumentet janë të rreme, sepse nëse vëllai i tij tashmë kishte ardhur në Gjermani, pse do të kthehej në Preshevë.

    Daçiq ka thënë se ka qenë sulm terrorist, andaj rastin po e merr Prokuroria për Krim të Organizuar, sepse është sulm ndaj një polici në detyrë.

  • Hargreaves takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, thotë se ky institucion ka rol themelor për sundimin e ligjit

    Hargreaves takon kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, thotë se ky institucion ka rol themelor për sundimin e ligjit

    Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, ka lavdëruar punën e Gjykatës Kushtetuese pas një takimi që ka mbajtur dje me kryetaren e kësaj gjykate, Gresa Caka.

    Ai tha se roli i Kushtetueses është themelor për sundimin e ligjit, ndërsa Cakën e quajti grua inspiruese.

    “Gjykata Kushtetuese e Kosovës luan një rol themelor në garantimin e sundimit të ligjit dhe demokracisë në Kosovë, në të cilën vendi ka arritur aq shumë progres. Ishte një nder dje të takoja Gresa Cakën, gruan inspiruese që drejton punën jetike të Gjykatës”, ka shkruar ai.

  • Mbi 1 mijë fluturime të anuluara, çfarë e shkaktoi kaosin në aeroporte dhe banka

    Mbi 1 mijë fluturime të anuluara, çfarë e shkaktoi kaosin në aeroporte dhe banka

    Një “update” i bërë nga kompania e sigurisë kibernetike CrowdStrike duket se është shkak për kolapsin në të cilin janë përfshirë aeroportet, bankat dhe disa biznese të tjera në të gjithë botën.

    Kompania amerikane njoftoi se është duke punuar për ta rikthyer sistemin në gjendje normale. Kështu, problemet që po përjetojnë kompani të ndryshme kritike në të gjithë botën me rrjetet e komunikimit nuk janë pasojë e ndonjë hakimi apo ndonjë veprimi tjetër dashakeqës.

    Microsoft njoftoi më herët gjatë ditës së premtes se shërbimet “cloud” ishin rikthyer kryesisht në normalitet pas problemeve me aplikacionet në SHBA.

    Përditësimi i aplikuar nga CrowdStrike duket se preku direkt sistemet Windows në të gjithë botën teksa përdoruesit raportuan se në ekranet e laptopeve të tyre u shfaq ajo që njihet si “ekrani blu i vdekjes.”

    Linjat ajrore, bankat, kompanitë e telekomit ishin mes shumë bizneseve të tjera që raportuan probleme mëngjesin e së premtes.

    Sipas njoftimeve, më shumë se 1,000 fluturime janë anuluar rreth e qark botës deri më tani. Shifrat, që më saktësisht janë 1,078, pritet që të rriten ende më shumë.

  • Osmani nga Britania shpreh keqardhje që s’mund ta takojë sot ministren e Jashtme të Japonisë

    Osmani nga Britania shpreh keqardhje që s’mund ta takojë sot ministren e Jashtme të Japonisë

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur keqardhje që nuk mund të jetë sot në Kosovë më rastin e vizitës së ministres së Jashtme të Japonisë, Kamikawa Yoko, për shkak të qëndrimit të saj në Britani.

    Megjithatë, përmes një postimi në “X”, e para e shtetit thotë se Yokon pati kënaqësinë ta takojë në Samitin e Grave Lidere në Itali.

    “Meqë ministrja e Jashtme e Japonisë, Kamikaëa Yoko, fillon vizitën e saj sot në Kosovë, më vjen keq që nuk mund të jem atje për shkak të vizitës sime në Mbretërinë e Bashkuar. Por muajin e kaluar, pata kënaqësinë ta takoj në Samitin e Grave Lidere në Itali. Ne patëm një diskutim të madh për aleancën e fortë ndërmjet Kosovës dhe Japonisë – një partneritet që jemi të përkushtuar ta forcojmë. Ne e vlerësojmë thellësisht mbështetjen e Japonisë gjatë viteve dhe presim bashkëpunim edhe më të madh në të ardhmen”, shkroi Osmani.

    Yoko pritet të takohet me kryeministrin Albin Kurti dhe me ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla.

  • Menaxhimi i kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, komuna del me sqarim

    Menaxhimi i kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit, komuna del me sqarim

    Ditëve të fundit janë kriju paqartësi rreth menaxhimit të kontratës së Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit. Për këtë arsye, dëshirojmë të sqarojmë për publikun këtë situatë përmes kësaj komunikate.

    Sipas obligimeve ligjore dhe rregullative, për çdo kontratë projektuese, ndërtimore apo tjetër, institucioni i Kryeqytetit cakton zyrtarë për të menaxhuar dhe/apo mbikëqyrur zbatimin e kontratës. Për kontratën e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë qenë të caktuar tre zyrtarë, një menaxher dhe dy mbikëqyrës.

    Në këtë rast, menaxheri dhe mbikëqyrësit e kësaj kontratës kanë kërkuar të lirohen nga kjo përgjegjësi shtesë që kanë patur për shkak të mbingarkesës në punë. Dy prej tyre janë Shefa të Sektorëve me shumë përgjegjësi dhe detyra në sektorët ligjor dhe të planifikimit, pozita këto me ngarkesë të madhe. Prandaj, detyrat shtesë që kanë patur për të mbikëqyrur kontratën e Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit kanë shkaktuar mbingarkesë të madhe.

    Shërbimi i Arkitektit të Kryeqytetit ka të angazhuar dhjetëra arkitektë, inxhinierë e profesionistë të tjerë dhe është duke punuar paralelisht në rreth 30 projekte që e ka shtuar volumin e punës te tre zyrtarët në fjalë të mbikëqyrin punën e këtij Shërbimi.

    Për këtë arsye, pas kërkesës për lirim nga kjo detyrë, ne jemi në proces të emërimeve të reja dhe të zgjerimit të ekipit menaxhues dhe mbikëqyrës të kontratës së këtij Shërbimi nga tre në pesë zyrtarë, të cilët do të kenë detyrë primare mbikëqyrjen e këtij Shërbimi. Posa të përfundojë procesi dhe të finalizohen emërimet do të ju informojmë për ekipin e ri menaxhues dhe mbikëqyrës të kontratës së këtij Shërbimi.

    Në fund, ju informojmë se menaxhmenti i Shërbimit të Arkitektit të Kryeqytetit është duke vazhduar punën si çdo ditë tjetër në rreth 30 projekte të Kryeqytetit.

  • Zjarrfikësit shuajnë zjarrin që kishte kapluar dy vetura në lagjen “Marigona Rezidencë”

    Zjarrfikësit shuajnë zjarrin që kishte kapluar dy vetura në lagjen “Marigona Rezidencë”

    Dy vetura janë përfshirë nga zjarri të premten në lagjen “Marigona Rezidencë” në Prishtinë. Ekipet e zjarrfikësve kanë arritur që të shuajnë zjarrin, raporton EO.

    Deri më tani nuk është raportuar për të lënduar si shkak i zjarrit, por nga pamjet e siguruar nga EO shihet që veturat janë djegur tërësisht. Nga pamjet shihet se veturat e përfshira nga zjarri janë të tipit Golf dhe BMW.

    Zëdhënës i Policisë në Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci, përmes një përgjigje me shkrim për Ekonomia Online ka konfirmuar se në këtë rast dy vetura janë përfshira tërësisht nga zjarri përderisa dy të tjera pjesërisht, ndërkaq sipas, Borocit nuk raportohet për të lënduar.

    Në vendin e ngjarjes ishin ekipi i zjarrfikësve dhe njësiti policorë.

  • KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    KFOR çon mesazh për Urën e Ibrit, publikon një video me ushtarë duke patrulluar rrotull saj

    Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, sot ka publikuar një video nga Ura e Ibrit në Mitrovicë për të treguar se në atë zonë po patrullojnë.

    Në këtë video, KFOR shkruan për njësitë K9, që janë ekipe speciale me qen të trajnuar, të cilët mund të detektojnë eksplozivët dhe të sinjalizojnë ushtarët.

    “Njësitë K9 janë ekipe speciale me qen shumë të trajnuar. Ata rregullisht kryejnë inspektime për të mbajtur sigurinë dhe qetësinë. Ata mund të detektojnë eksplozivët si ato sipërfaqësore si ato nëntokësore. Kur një qen zbulon një eksploziv ai ulet dhe sinjalizon stërvitësin e tij. Lidhja mes qenit dhe pronarit të tij është esenciale për suksesin e ekipit”, thuhet në përshkrimin e videos.

    KFOR bëri deklaratën e zakonshme se vazhdon “të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të ofruar një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë”.

    Ky mesazh nga KFOR vjen pas deklaratëve të kryeministrit Albin Kurti dje se Qeveria e tij synon hapjen e Urës së Ibrit, i cili shtoi se ky veprim nuk është kundër askujt.

    “Askush nuk mund të thotë që kjo nuk është një gjë e mirë dhe e drejtë, por ne dëshirojmë që edhe të zbatohet ligji, edhe të respektohet liria e lëvizjes, por edhe të kemi paqe e siguri për të gjithë”, tha dje Kurti në një konferencë për media.

    Deklarata e tij në këtë konferencë erdhi pas një takimi që pati me ambasadorët e shteteve të QUINT-it pikërisht për këtë temë.

    “Në kuadër të informimit dhe koordinimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, temë trajtimi në këtë takim ishte gjithashtu rëndësia e bashkërendimit të veprimeve institucionale për hapjen e urës mbi lumin Ibër edhe për vetura, në mënyrë që të mundësohet liria e plotë e lëvizjes e cila i ndihmon qytetarët në të dy anët e urës, pa dallim, dhe në të njëjtën kohë i shërben zhvillimit të ekonomisë dhe tregut përmes lëvizjes më të lehtë të mallrave dhe kapitalit”, kishte njoftuar ZKM pas këtij takimi.

    Ndërkaq, KFOR, që vazhdimisht është prezent në Urën e Ibrit, kishte dhënë qëndrimin e tij mbi këtë synim të Qeverisë së Kosovës se çdo vendim lidhur me urën të merret në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

    Kjo temë u hap pasi fillimisht u diskutua në Kuvendin Komunal të Mitrovicës së Veriut, e cila udhëhiqet nga Erden Atiq i Lëvizjes Vetëvendosje, që ura të hapet tërësisht për qarkullim.

    Kryetari i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhad Uglanin, pati thënë se zbatimi i vendimit për çështjen e urës u takon autoriteteve qendrore dhe institucioneve të sigurisë.

  • KGjK i propozon Presidentes 31 kandidatë për gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës

    KGjK i propozon Presidentes 31 kandidatë për gjyqtarë në gjykatat themelore të Kosovës

    Këshilli Gjyqësor i Kosovës, në takimin e mbajtur të premten, ka miratuar listën përfundimtare të gjithsej 31 kandidatëve për gjyqtarë në gjykatat themelore të Republikës së Kosovës.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Albert Zogaj, tha se këta kandidat i propozohen Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për tu emëruar gjyqtarë në gjykatat themelore për të cilat janë propozuar.

    Ai tha se të njëjtëve ju dëshiron sukses në punë dhe karrierën e tyre si gjyqtarë.

    “Të njëjtit, i propozon Presidentes së Republikës së Kosovës, për tu emëruar gjyqtarë në gjykatat themelore, si në vijim, Diellza Zeqiri, propozohet tekë presidentja e Kosovës që të emorohet në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Vushtrri. Lavdim Makshana, në Gjykatën Themelore Prizren. Albert Haliti, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Albina Vuçetaj, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Liridon Pnishi, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Biondina Zeneli, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Rexhep Bllaca, në Gjykatën Themelore Prishtinë. Alan Taranis, në Gjykatën Themelore Pejë. Kaltrina Halilaj, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Liridon Krasniqi, në Gjykatën Themelore Ferizaj. Rovena Kastrati, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Fushë Kosovë. Senad Lojak, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Deçan. Bardh Sylejmani, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Senad Lojak, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Deçan. Bardh Sylejmani, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Shqipe Sejdiu, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Medina Rama, në Gjykatën Themelore Mitrovicë. Mensur Krasniqi, në Gjykatën Themelore Gjakovë, Dega në Rahovec. Rita Matoshi, në Gjykatën Themelore Ferizaj. Selvije Morina, në Gjykatën Themelore Pejë Blend Xhemajli, në Gjykatën Themelore Pejë. Sandra Fazliu, në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Skenderaj. Shkendije Shala, në Gjykatën Themelore Ferizaj, Dega në Kaçanik. Mervan Curri, në Gjykatën Themelore Gjakovë. Senat Elshani, në Gjykatën Themelore Prizren. Arbër Beqiri, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Drenas. Ajshe Zejnullahu-Nuza, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Lipjan. Muhamed Avdyli, në Gjykatën Themelore Prishtinë, Dega në Podujevë. Shpetim Azemi, në Gjykatën Themelore Mitrovicë, Dega në Zubin Potok. Përparim Berisha, në Gjykatën Themelore Pejë, Dega në Klinë. Leotrim Krasniqi, në Gjykatën Themelore Prizren. Sadete Kuqi, në Gjykatën Themelore Ferizaj dhe Teuta Gashi, në Gjykatën Themelore Ferizaj”, ka thënë ai.