ATV

Category: Lajme

  • Rama nesër në Paris, pritet të ketë takim me presidentin francez

    Rama nesër në Paris, pritet të ketë takim me presidentin francez

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të zhvillojë nesër një takim me presidentin francez, Emmanuel Macron.

    Rama do të udhëtojë drejt Parisit, ku më pas pritet të mbërrijë në orën 13:00 në Pallatin Elysee.

    Sipas njoftimit të qeverisë franceze, ata pritet të diskutojnë rreth integrimit të Shqipërisë në BE si dhe për investimet franceze në Shqipëri.

    “Ky takim zhvillohet në vijim të shkëmbimeve mes dy drejtuesve, të cilët janë takuar veçanërisht në Paris në prill 2024, si dhe në Tiranë në tetor 2023 dhe në maj 2025. Presidenti i Republikës dhe Kryeministri Edi Rama do të diskutojnë mbi perspektivën europiane të Shqipërisë dhe reformat e ndërmarra në këtë kuadër.”, thuhet në njoftim.

    Sipas njoftimit, Macron do të rikonfirmojë mbështetjen e vazhdueshme të Francës për vijimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, në respekt të kërkesave dhe parimeve mbi të cilat ai bazohet.

    Dy drejtuesit, thuhet në njoftim, do të diskutojnë gjithashtu zhvillimin e bashkëpunimit në fushat e arsimit, ekonomisë dhe energjisë, si dhe perspektivat e ofruara nga investimet franceze në Shqipëri.

    Gjithashtu, tema të diskutimit do të jenë edhe bilanci i disa projekteve, nismat e mbështetura nga grupi AFD në fushat e energjisë dhe mjedisit, si edhe mundësitë e bashkëpunimit në sektorët e transportit, infrastrukturës dhe mbrojtjes.

  • Hapet pishina e Gërmisë për sezonin veror

    Hapet pishina e Gërmisë për sezonin veror

    Pishina e Gërmisë ka hapur dyert për vizitorët këtë të diel, duke shënuar nisjen e sezonit veror për një nga destinacionet më të frekuentuara në kryeqytet.

    Lajmi është bërë i ditur nga faqja “Kryeqyteti” përmes një njoftimi në Facebook, ku janë publikuar edhe fotografi nga pishina.

    “Dyert e Pishinës së Gërmisë janë hapur. Ju mirëpresim”, thuhet në njoftim.

  • Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Këta janë socialistët e zemëruar me Ramën që sot mbështesin protestën qytetare

    Protesta, që sot hyn në javën e katërt të saj, ka padyshim një përbërje të shumëllojshme nga shtresa dhe përkatësi të ndryshme fetare, sociale dhe politike. Por mes tyre spikatin dhe socialistët. Që nga ata që kanë qenë në poste më të larta drejtuese dhe deri tek aspirantët për deputetë në siglën e trëndafilit.

    Më e shquara padyshim është Marjana Koçeku. Neomalësorja që një vit më parë kryesonte listën e deputetëve të qarkut të Shkodrës ishte e para që “tradhtoi” Ramën duke postuar si fillim një flamingo ikonë në FB e deri mbrëmë kur u shfaq në mes të protestuesve si mbështetëse tashmë pa asnjë rezervë e atyre që thërrasin “Rama në burg, Berisha në burg”. Jo rastësisht, pas daljes së saj në krah të protestës, nuk kanë munguar përpjekjet për ta anatemuaar si një protagoniste të re që kërkon të rritet politikisht përballë Edi Ramës.

    Më herët kritika për Ramën dhe mbështetës të protestës kanë qenë dhe ish-ministrat Arta Dade dhe Ditmir Bushati. Ky i fundit publikoi dhe një ese të gjatë dhe të plotë për mënyrën si duhet reformuar Partia Socialiste. Të dy ish-drejtuesit e lartë të PS munguan dhe në festën e 35-vjetorit të PS.

    Artan Shkreli është një tjetër socialist që këtë herë është shfaqur si ambientalist në mbrojtje të natyrës. Ish-bashkëpunëtori i afërt i Ramës, që nga koha kur ky i fundit bojatiste pallatet e Tiranës dhe deri para një viti drejtor i Institutit të Ndërtimit, zoti Shkreli ka dalë hapur kundër projektit të Zvërnecit, duke përfshirë në Revolucionin e Flamingove të bijën, Ana Shkrelin, si pjesëmarrëse aktive, dhe dhëndrin Belind Këlliçi më shumë si ekskursionist dhe postues të fotove të protestës.

    Por ai që ka qenë më aktiv në protestë është Paulin Luli. Ish-kandidat i PS për deputet në 2017 dhe ish-drejtor i Rezervave të Shtetit, këtë herë në protestë ka folur si emigrant nga Gjermania që kërkon ndryshimin e sistemit. Për Paulin Lulin disa nga deputetët e PS kanë postuar dhe video, ndërsa e kritikojnë për ndryshimin e qëndrimit.

    Në shesh sigurisht ka shumë të tjerë, anëtarë apo mbështetës të PS, që janë aty për të kundërshtuar mënyrën e qeverisjes së Edi Ramës. Jo më kot Edi Rama dje në mbledhjen e zgjatur me dyer të mbyllura të PS ka shprehur shqetësim për këtë kategori socialistësh që janë të pakënaqur me qeverinë dhe që këto ditë kanë zbritur në shesh, duke shënuar dhe një nga gjërat e rralla që ndodh me socialistët.

  • Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Mediat britanike: Kryeministri Keir Starmer do të japë dorëheqjen të hënën

    Kryeministri britanik Keir Starmer pritet të japë dorëheqjen të hënën dhe të njoftojë një afat kohor për largimin e tij, raportoi “Observer”, ndërsa një burim qeveritar ka theksuar se ai mbetet i fokusuar në detyrat e tij qeveritare.

    Sipas raportimit, pozita e Starmer është dobësuar ndjeshëm muajt e fundit dhe është përkeqësuar më tej pas zhvillimeve të së premtes, kur rivali i tij Andy Burnham fitoi një vend në parlament që do t’i hapte rrugën një gare të mundshme për drejtimin e Partisë Laburiste.

    Gazeta shkruan se Starmer ka diskutuar mundësinë e dorëheqjes me këshilltarët, ministrat e kabinetit, donatorët dhe përfaqësues të sindikatave, si edhe me familjen e tij në Chequers, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

    Megjithatë, burime brenda qeverisë thonë se ai vazhdon të kryejë detyrat e tij dhe nuk ka konfirmuar largimin.

    Sipas raportimeve, një numër i madh deputetësh të Partisë Laburiste kanë kërkuar publikisht dorëheqjen e tij ose vendosjen e një afati të qartë për largim, ndërsa situata e brendshme në parti mbetet e tensionuar pas një periudhe të gjatë pakënaqësie politike dhe rënieje të mbështetjes publike.

  • ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    ​Sot rivarroset dëshmori Hajdar Pepaj

    Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se sot do të bëhet rivarrimi i mbetjeve mortore të Dëshmorit Hajdar Pepaj, i cili për vite me radhë ishte në Listën e Personave të Zhdukur.

    Sipas njoftimit, identifikimi i tij është bërë përmes analizës shkencore të ADN-së, ndërsa rivarrimi do të realizohet në mbështetje të kërkesës së familjes.

    Ceremonia e rivarrimit do të mbahet në varrezat e fshatit Kodrali të Deçanit, duke filluar nga ora 16:00. Paraprakisht, nga ora 15:00, familjarë, bashkëluftëtarë dhe qytetarë do të bëjnë homazhe te “Lapidari i Ri” në fshatin Kodrali.

    Organizimi i ceremonisë do të bëhet nga Shoqatat e dala nga lufta – Dega në Deçan dhe Komuna e Deçanit, me përkrahjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.

    Me këtë rast, Komisioni ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Pepaj, duke ritheksuar përkushtimin institucional për vazhdimin e angazhimeve në zbardhjen e fatit dhe vendndodhjes së të gjithë personave të zhdukur me forcë gjatë luftës në Kosovë.

  • Importi arrin 2.9 miliardë euro për pesë muaj, eksporti mbetet shtatë herë më i ulët

    Importi arrin 2.9 miliardë euro për pesë muaj, eksporti mbetet shtatë herë më i ulët

    Kosova vazhdon të blejë shumë më tepër produkte nga jashtë se sa të shesë të vetat në tregjet e huaja. Nga të dhënat e Doganës së Kosovës gjatë pesë muajve të parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej 2.9 miliardë eurosh, ndërsa ka eksportuar vetëm 419.2 milionë euro.

    Kjo do të thotë se Kosova shpenzoi 2.5 miliardë euro më shumë për blerje nga jashtë se sa fitoi nga shitja e produkteve të veta jashtë kufijve.

    Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, importet janë rritur për rreth 150 milionë euro. Ndërkaq, në raport me vitin 2024, Kosova ka importuar mbi gjysmë miliardi euro më shumë mallra.

    Ekonomisti Ismet Mulaj vlerëson se rritja e importeve është rezultat i mungesës së reformave strukturore ekonomike, rritjes së konsumit dhe dobësisë së prodhimit vendor.

    Edhe ekonomisti Lulzim Beqiri e konsideron vitin 2026 si një nga periudhat më shqetësuese sa i përket varësisë së Kosovës nga importet.

    Ai thotë se varësia e importit në Kosovë bën që çdo krizë globale të jetë shqetësuese për vendin për shkak të mosinvestimit të mjaftueshëm në aspektin e rritjes së prodhimit vendas.

    Duke pohuar se eksportet e Kosovës e mbulojnë vetëm 15% – 20% të importit, Beqiri këtë e sheh si jashtëzakonisht shqëtësuese.

    Në prezantimin e raportit të 100 ditëve pune Minstrja në detyrë Kusari Lila, javë më parë pranoi rritjen e deficitit tregtar, duke shtuar se kjo paraqet presion shtesë për institucionet që të punojnë më shumë në promovimin e prodhimit vendor dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tij.

    Krahasuar me vitet e kaluara, edhe eksportet kanë shënuar rritje, por ritmi i rritjes së importeve ka qenë dukshëm më i lartë. Në periudhën janar–maj 2025, Kosova kishte importuar mallra në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh dhe eksportuar 356.8 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.39 miliardë euro.

    Një vit më herët, në pesëmujorin e parë të vitit 2024, importet arrinin në 2.38 miliardë euro, eksportet në rreth 352 milionë euro, ndërsa deficiti tregtar ishte 2.03 miliardë euro.

    Në këtë rritje të importit për këtë vit, sipas tij, ka ndikuar edhe rritja së kostos së energjisë elektrike në sektorin prodhues, si dhe varësia e vendit nga importi i karburanteve.

    Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, Gjermania renditet e para nga shtetet që ka vlerë më të madhe të importit në Kosovë duke u pasuar me Kinën dhe Turqinë.

    Sipas këtyre të dhënave, Serbia ende mbetet në mesin e dhjetëshës së parë të shteteve që importojnë më së shumti në Kosovë. Në krahasim me pesëmujorin e vitit 2025 vlera e importit ka treguar rritje nga 91.1 milionë euro në 91.6 milionë euro sa është në të njëjtën përiudhë të këtij viti. Këtë e konfirmin edhe ministrja në detyrë, Kusa – Lila, ani se në informatat që i posedon, Serbia është jashtë 10-shes së parë të shteteve importuese në Kosovë.

    Edhe ekonomisti Mulaj tha se kjo gjë ndodh për shkak se disa prej këtyre produkteve janë më konkurruese falë subvencioneve.

    Sipast tij ndikon edhe afërsia gjeografike dhe çmimet, por edhe në atë se Serbia investon vazhdimisht në promovimin e produkteve të saj në tregun kosovar.

    Ai thotë se nga Qeveria e Kosovës duhet një qasje strategjike me qëllim që në ata sektorë ku Serbia ka potencial të madh për të depërtuar në Kosovë, duhet që të rriten kapacitete vendase prodhuese.

    Sipas tij, kjo duhet të bëhet sidomos në serktorët e ndërtimit aty ku ka më shumë import e që edhe Serbia është shumë e fuqishme në raport me vendet e tjera dhe me prodhimin vendor./KP/

  • Vritet kameramani i Al Jazeera në sulmet izraelite në Gaza

    Vritet kameramani i Al Jazeera në sulmet izraelite në Gaza

    Sulmet e fundit izraelite në Gaza kanë vrarë të paktën gjashtë persona, përfshirë një kameraman të Al Jazeera dhe të paktën një fëmijë, sipas zyrtarëve të shëndetësisë dhe ekipeve të shpëtimit.

    Al Jazeera tha se “dënon fuqimisht krimin e urryer të shënjestrimit dhe vrasjes” së korrespondentit Ahmed Wishah, i cili u vra në një sulm ndaj një shtëpie në qendër të Gazës.

    Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) e akuzuan Wishah-un se ishte “terrorist në krahun ushtarak të Hamasit dhe shërbeu si snajperist”.

    Al Jazeera tha se vdekja e Wishah të shtunën “përbën një shkelje të re dhe flagrante të të gjitha ligjeve dhe normave ndërkombëtare dhe pasqyron një politikë të vazhdueshme sistematike të shënjestrimit të gazetarëve dhe heshtjes së zërit të së vërtetës”.

    Sipas IDF, Wishah në muajt e fundit kishte plane të avancuara sulmi me snajper kundër trupave izraelite, por pa ofruar prova.

    Vëllai i Wishah, Mohamed, i cili ishte gjithashtu korrespondent për Al Jazeera, u vra në një sulm izraelit në prill.

    IDF e akuzoi atë se punonte në selinë e prodhimit të raketave dhe armëve të Hamasit, pa dhënë detaje.

  • Viktima dërgohet pa shenja jete në QKMF në Malishevë, policia nis hetimet

    Viktima dërgohet pa shenja jete në QKMF në Malishevë, policia nis hetimet

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet lidhur me vdekjen e një gruaje në fshatin Bubavec të Malishevës.

    Sipas raportit 24-orësh të policisë, viktima, një grua kosovare, është dërguar pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Malishevë, ku mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e saj.

    Bazuar në vlerësimin fillestar të mjekut kujdestar, dyshohet se viktima ka ndërruar jetë si pasojë e arrestit kardiak.

    Me urdhër të prokurorit kompetent, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes”.

    Autoritetet po vazhdojnë procedurat hetimore për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.

  • Alarm i kuq në Francë për shkak të nxehtësisë, ndalohet alkooli – trenat anulohen

    Alarm i kuq në Francë për shkak të nxehtësisë, ndalohet alkooli – trenat anulohen

    Franca ka ndaluar alkoolin në disa evente në një festival masiv kombëtar muzikor, ndërsa një valë e të nxehtit i çon temperaturat drejt niveleve rekord.

    Festimet vjetore të Fête de la Musique tërheqin miliona njerëz në rrugët e Francës.

    Por, me një të tretën e vendit të mbuluar nga paralajmërimet më serioze për valë të të nxehtit, qeveria ka ndaluar konsumin e alkoolit në vendet publike për shkak të alarmit të kuq.

    “Për të gjitha ngjarjet e organizuara nga shteti dhe agjencitë e tij, janë dhënë udhëzime që të mos ofrohet alkool”, tha zyra e Kryeministrit Sebastien Lecornu.

    Temperaturat prej 39-40°C priten nga jugperëndimi përmes rajonit të Parisit në Burgundy, me disa zona që mund të arrijnë 41°C.

    Temperaturat parashikohet të arrijnë kulmin të hënën dhe autoritetet kanë paralajmëruar se ato mund të arrijnë nivele rekord.

    Qeveria ka bërë thirrje për kufizime në konsumin e alkoolit “për të ruajtur shërbimet e urgjencës dhe të kujdesit shëndetësor dhe për t’i lejuar stafit mjekësor të përqendrohet në kujdesin për më të prekshmit”.

    Një valë e fortë nxehtësie është përhapur mbi Evropën, me shumë vende që kanë parë temperatura 10-15 gradë Celsius mbi mesataren sezonale.

    Vala e të nxehtit ka vazhduar prej ditësh dhe ka trazuar vendin, duke detyruar anulimin e dhjetëra trenave dhe pezullimin e mësimit.

    Shërbimi meteorologjik i Francës, Météo-France, tha se ishte “e pasigurt” se sa do të zgjaste vala e të nxehtit, e cila është vlerësuar se do të prekë rreth tre të katërtat e popullsisë.

    Për të ndihmuar parisienët dhe turistët të përballojnë vapën, autoritetet po i mbajnë parqet dhe kopshtet në kryeqytetin francez të hapura gjatë gjithë natës.

  • Tragjedi në Durrës, 11-vjeçari mbytet në det

    Tragjedi në Durrës, 11-vjeçari mbytet në det

    Një tjetër tragjedi raportohet të ketë ndodhur në Durrës ku një 11-vjeçar është mbytur në det teksa po lahej.

    “Rreth orës 10:35, në lagjen nr. 13, Durrës, gjatë kohës që po lahej në det, dyshohet se është mbytur aksidentalisht një 11-vjeçar, banues në Tiranë.

    Grupi hetimor vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për përcaktimin e shkakut të mbytjes”, njofton policia.