ATV

Category: Lajme

  • ASK: Dy mijë qytetarë rrezikojnë të gjobiten se refuzuan regjistrimin, po vazhdon procesi për diasporën

    ASK: Dy mijë qytetarë rrezikojnë të gjobiten se refuzuan regjistrimin, po vazhdon procesi për diasporën

    Ylli Shala, menaxher i regjistrimit të popullsisë në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), ka thënë për Ekonomia Online se rreth dy mijë qytetarë mund të gjobiten si shkak i refuzimit për t’u regjistruar.

    Ai ka bërë të ditur se gjobat, sipas ligjit, varijojnë nga 50 deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte ato shkojnë deri në 20 mijë euro.

    Shala ka thënë se ASK-ja është në procesin e verifikimit – personat jashtë vendit për arsye shëndetësore apo studimore nuk do të gjobiten.

    Tutje, ai ka theksuar se procesin e regjistrimit, mbulueshmëria ka qenë deri në 98-99 për qind. Më sfidues e ka cilësuar veriun e vendit, ndërsa, për regjistrimin e diasporës, ai ka thënë se do të vazhdojë deri në fund të këtij muaji.

    “Regjistrimi për diasporën është duke vazhduar. Afati i fundit është 31 gusht i këtij viti, për momentin e kemi shtyrë deri në këtë kohë sepse e kemi planifikuar që dikush nga mërgimtarët që nuk ka mundur të regjistrohet sa ka qenë atje, ta shfrytëzojë mundësinë dhe të regjistrohet këtu. Në disa prej qyteteve më të mëdha, apo në shtatë qendrat e Kosovës, kemi dërguar nga një person nëpër komuna, ku në momentin që ka shkuar dikush në komunë e ka parë edhe zyrtarin tonë edhe është regjistruar. Nuk është shumë numri i madh që janë paraqitur për t’u regjistruar tash sepse shumica këtë proces e kanë kryer në formatin online që ka qenë jashtëzakonisht i lehtë edhe për 5 minuta deri 10 e ka kryer një ekonomi familjare pa kurrfarë problemi. Për momentin numri i të regjistruarve është mbi 500 mijë. Si statistikë pasi që të përfundojë ky proces, do t’i marrim të dhënat dhe do t’i shikojmë”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se qytetarët i janë përgjigjur pozitivisht procesit të regjistrimit dhe se konsiderojnë se mbulueshmëria ka qenë sipas rekomandimeve ndërkombëtare.

    “Popullsia gjatë këtij procesi të regjistrimit ju ka përgjigjur pozitivisht, ne e konsiderojmë se mbulueshmërinë e kemi sipas rekomandimeve ndërkombëtare, ku në bazë të rekomandimeve është se nëse mbulueshmëria është mbi 95 për qind atëherë konsiderohet regjistrimi i suksesshëm. Ne e mendojmë se jemi diku rreth 98-99 për qind mbëlueshmëri të regjistrimit, që e konsiderojmë regjistrim mjaftë të suksesshëm edhe në kohë”, ka thënë ai.

    Menaxheri i regjistrimit të popullsisë ka thënë se gjatë këtij procesi ka pasur rreth dy mijë qytetarë që kanë refuzuar regjistrimin dhe se ASK është në proces të verifikimit për arsyet e refuzimit nga ta dhe pas këtij procesi do të filloj faza e gjobitjes.

    “Gjatë këtij procesi kemi pasur edhe persona të cilët kanë refuzuar pjesëmarrjen e tyre ne regjistrim, e cila me ligj ka qenë e ndaluar, por sigurisht që ASK-ja do të ndërmarrë masa ndaj atyre personave. Janë diku rreth 2 mijë persona, por ne duhet ta shqyrtojmë arsyen pse nuk është regjistruar, në rastet kur një person e ka vizituar regjistruesin tri herë që e ka pasur obligim me shku tri herë dhe prapë e ka refuzuar edhe në të tretën herë, nuk është regjistruar dhe sigurisht që ai person edhe e meriton të gjobitet. Në rastet e tjera, ku te një person ka shkuar regjistruesi tri herë edhe nuk ka mundur ta regjistrojë atë person, ka qenë jashtë për çështje shëndetësore ose për çështje studentore jashtë vendit, apo diçka tjetër, atëherë ai është rast tjetër që nuk trajtohet si rast për gjobitje. Shifrat janë të parapara edhe me ligj, fillon prej 50 euro deri në 2 mijë euro për persona fizik, ndërsa për subjekte është deri në 20 mijë euro”, ka thënë ai.

    Shala ka thënë se pjesëmarrja e komuniteteve ne pjesën jugore të Kosovës në këtë proces ka qenë jashtëzakonisht e mirë, por që janë sfiduar në komunat veriore pasi një numër i qytetarëve në atë pjesë nuk është regjistruar.

    Ai ka thënë se të dhënat finale në të cilat janë duke punuar pritet që të bëhen publike nga mesi i dhjetorit të këtij viti me një raport me mbi 100 faqe.

    “Ne si statistikë, ju kemi kushtuar kujdes shumë të veçantë të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e tyre ka qenë jashtëzakonisht e mirë, sidomos në pjesën jugore të Kosovës, të gjitha komunitetet që jetojnë ju kanë përgjigjur pozitivisht thirrjes për regjistrimin e popullsisë. Kemi pasur disa sfida, probleme të vogla në komunat e veriut, për të cilat fillimisht kanë qenë problem regjistruesit deri sa i kemi siguruar disa herë regjistruesit. Por, edhe atje e kemi regjistruar një numër të mjaftueshëm të komuniteteve. Zakonisht të gjitha komunitet e tjera janë regjistruar përpos komunitetit serb që ka hezituar.  Por, atje mund të them që ai është më shumë problem politik edhe ka qenë një frikë te qytetarët që mos t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit. Edhe pse disa prej tyre e kanë bërë dhe ne si staistikë do t’i bëjmë vlerësimet që janë me rekomandime ndërkombëtare. lejohet që të bëhet për një pjesë vlerësimi. Përafërsisht, numrin e popullsisë që jetojnë në atë pjesë ne veç e dimë në bazë të azhurnimeve që i bëjmë të rregullta, të zonave regjistruese. Në publikimin e të dhënave finale sigurisht se do të përfshihet edhe numri i asaj pjese”, ka thënë ai për EO.

  • Osmani uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë

    Osmani uron Ukrainën për Ditën e Pavarësisë: Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë

    Presidentja Vjosa Osmani, ka uruar sot qytetarët dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, për Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

    Ajo theksoi se ukrainasit, në luftën me Rusinë, i treguan botës forcë të jashtëzakonshme dhe vendosmëri të palëkundur.

    Osmani tha se Kosova ka qëndruar pranë Ukrainës dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë duke e mbrojtur kombin e saj dhe duke u përpjekur për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme.

    “Urimet tona më të ngrohta për Presidentin Zelenskiy dhe popullin e Ukrainës në Ditën e Pavarësisë. Përballë luftës së paprovokuar, ukrainasit i kanë treguar botës një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme, forcë dhe vendosmëri të palëkundur. Kosova ka qëndruar pranë jush dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë ndërsa mbroni kombi juaj dhe përpiquni për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme “Lavdi Ukrainës” ka shkruar ajo në rrjetin social “X”.

  • Gjuajti me armë në një aheng familjar, Policia arreston një burrë në Mitrovicë

    Gjuajti me armë në një aheng familjar, Policia arreston një burrë në Mitrovicë

    Policia e ka arrestuar një burrë në Mitrovicë, meqë i njëjti dyshohet se ka shtënë me armë në një aheng familjar.

    Tutje, Policia njoftoi se nga i njëjti është konfiskuar një pistoletë dhe 2 fishekë.

    “PËRDORIM I ARMËS APO MJETIT TË RREZIKSHËM – Rr. Vëllezërit Dragaj, Mitrovicë 23.08.2024 – 05:53. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi i njëjti në një aheng familjar kishte shtënë me armë zjarri. Nga i dyshuari është konfiskuar një pistoletë dhe 2 fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e Policisë.

  • Ushtria amerikane vret një udhëheqës të një organizate të afërt me Al-Kaedën në Siri

    Ushtria amerikane vret një udhëheqës të një organizate të afërt me Al-Kaedën në Siri

    Forcat e armatosura amerikane njoftuan të premten se kryen një bombardim ajror “të shënjestruar” në territorin e Sirisë, si rezultat i të cilit u vra udhëheqësi i organizatës Khuras ad Din, i cili konsiderohet i afërt me Al Kaedën.

    Ishte Abu Abd al-Rahman al-Maki, komanda e përbashkët e forcave të armatosura amerikane përgjegjëse për Lindjen e Mesme (CENTCOM, “komanda qendrore”) tha përmes X, pa specifikuar saktësisht se ku ndodhi bombardimi.

    “CENTCOM mbetet e përkushtuar ndaj humbjes së vazhdueshme të terroristëve në zonën e përgjegjësisë së CENTCOM që kërcënojnë Shtetet e Bashkuara, aleatët dhe partnerët e saj dhe stabilitetin rajonal,” tha gjenerali Michael Eric Kurila, Komandanti i Komandës Qendrore të SHBA.

    Hurray al-Din është një forcë e lidhur me Al-Kaedën me bazë në Siri dhe ndan ambiciet globale të Al-Kaedës për të kryer sulme kundër interesave të SHBA-së dhe Perëndimit.

  • Joseph: Vizita e shefit të CIA-s, sinjal i brengës amerikane për potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan

    Joseph: Vizita e shefit të CIA-s, sinjal i brengës amerikane për potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan

    Profesori amerikan Edward P. Joseph, ka vlerësuar se vizita në Kosovë dhe në disa shtete të Ballkanit e shefit të CIA-s, William J. Burns, nuk është një vizitë lumturie.

    Sipas tij, kjo vizitë është sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan.

    “Kjo nuk është një vizitë e lumtur, nuk është një lloj vizite e nivelit të Bill Clintonit, Hillary Clintonit, ndonjë sekretari, siç është sekretari  sekretari Antony Blinken, ose diçka e ngjashme. Kjo nuk është diçka e mirë, sepse William J. Burns, për momentin është i përshirë shumë seriozisht në negociatat për ndaljen e luftimeve ndërmjet Izraelit dhe Hamasit dhe ky është top prioritet kryesor për administratën e ShBA-së. Për atë që të vjen në Ballkan, për të vizituar Kosovën, Serbinë, Bosnjën, ndoshta do të ndalet edhe në Bullgari, edhe në Maqedoni të Veriut”, tha Joseph për RTK.

    Profesori amerikan tha se shefi i CIA-s vjen në Ballkan sepse Uashingtoni i sheh këto pika vështirësish e problemesh.

    “Kjo nuk është vizitë e lumtur. Duhet të jemi shumë të qartë për këtë. Është një vizitë fatkeqe dhe një sinjal i brengës në Uashington lidhur me tensionet dhe potencialin e një lloj konfrontimi në Ballkan”, tha ai.

    Joseph tha se askush nuk e di se çfarë mesazhi ka sjellë shefi i CIA-s, William J. Burns.

    Sipas tij, shpresohet se me këtë vizitë në Kosovë do të ketë zhvillime pozitive dhe marrëdhënie të përmirësuara ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe ShBA-së në linjat mbi të cilat ka sugjeruar ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier.

  • Vizita e shefit të CIA-s, më e rëndësishmja e viteve të fundit

    Vizita e shefit të CIA-s, më e rëndësishmja e viteve të fundit

    PËRGATITI: ARTON HAMITI 

    Vizita dyditëshe në Kosovë, e shefit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, po konsiderohet si më e rëndësishmja e viteve të fundit.

    “Vizita e të parit të CIA-s, e jep mesazhin e qartë në drejtim të pozicionimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe komunitetit të tyre inteligjent. Pra veprimet janë të qarta që CIA e sheh Kosovën si partner në rrugëtimin e përmbushjes se politikave demokratike, që janë parakusht i integrimeve euroatlantike”, deklaroi eksperti i sigurisë, Drizan Shala

    Gjatë qëndrimit të tij në disa vende të Ballkanit, sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, Burns përçoi mesazhe direkte të presidentit aktual amerikan, Joe Biden.

    “Ballkani Perëndimor ishte vatër e krizave dhe kjo e ka shtyrë të parin e CIA-s që të vijë dhe të përcjellë mesazhe direkte të presidentit Biden se çdo lëvizje pa koordinim në kohën kur Ukraina tashmë ka hyrë në Rusi, është regres dhe të mos veprohen kundër interesave të SHBA-së”, shtoi tutje Shala.

    Ndonëse nuk e përjashtoi mundësinë që në takimet me krerët e shëtit, shefi i inteligjencës amerikane ka përmendur veriun, profesori i lëndëve të sigurisë, Fatmir Çollakaj, vizitën më shumë e ndërlidh me luftën Ukrainë – Rusi.

    “Pa mëdyshje që ka një relacion këto ngjarje, por ajo që unë e kam lexuar edhe nga ato informata që unë kam, bëhet fjalë për diçka më tepër sesa Ura e Ibrit, më tepër sesa veriu i Kosovës. Bëhet fjalë për strategjinë amerikane lidhur me situatën e përgjithshme, e posaçërisht eskalimin e situatës në Ukrainë dhe Rusi, meqë bëhet fjalë për një përshkallëzim të situatës atje, duke e ditur faktin se kohëve të fundit ka përparime të Ukrainës në territorin rus, një strategji e paparë deri më tani, e cila pa mëdyshje shkakton një ofensivë shumë më e madhe, një format tjetër i luftës së Rusisë në Ukrainë dhe pretendimet e kamotshme të Putinit për të atakuar shtetet të cilat e mbështesin Ukrainën, sepse në aspektin operativ ushtarak, bëhet fjalë për armatime të sofistikuara të cilat tani janë duke u përdorur atje”, tha Çollakaj.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti, vizitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore amerikane të Inteligjencës, William Burns, e ka cilësuar historike.

    Vizita e shefit të CIA-s në Kosovë pason vizitat që zyrtari kryesor i inteligjencës amerikane zhvilloi në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Pritja për drejtësi e familjes Muli, gjykimi ndaj Vukotiqit, të akuzuarit për vrasjen e 13-vjeçarit fillon në tetor

    Pritja për drejtësi e familjes Muli, gjykimi ndaj Vukotiqit, të akuzuarit për vrasjen e 13-vjeçarit fillon në tetor

    PËRGATITI: NORA LUTA 

    Kanë kaluar më shumë se 25 vjet prej kur forcat serbe e vranë Burim Mulin, një muaj para se t’i mbushte 13 vjet. Ai kishte dalë për sheti me biçikletë dhe u vra afër varrezave të Vushtrrisë.

    Por, nëna e tij, Fatime Muli, thotë se i duket që koha s’ka ecur e në pritje të drejtësisë dhimbja i është shtuar.

    Shtëpinë, e cila kishte hapur dyer për refugjatë në prill të 1999-s, nuk e lëshuan asnjëherë gjatë luftës, por mbetën pa djalin të cilin ishin detyruar ta varrosin nën frikë e përndjekje nga forcat policore serbe.

    Pikërisht për njërin nga ta, Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë në 2017-n. Sipas aktakuzës, Zoran Vukotiq nga largësia prej 30 metrash e qëlloi me armë zjarri në gjoks Burim Mulin, rreth orës 15:00, më 18 prill të 1999-s.

    Por gjykimi do të fillojë vetëm këtë vit, pasi rasti nuk u trajtua asnjëherë nga Gjykata Themelore e Mitrovicës.

    Zoran Vukotiq është dashur të dënohet moti, qysh nga koha e UNMIK-ut, por ishalla drejtësia vihet në vend.

    Me pritjen për të vërtetën se kush ia vrau djalin, dhe jetesën pa të, Ismet Muli thotë se nuk u mësua asnjëherë. Derisa thekson se është dashur që rasti të zgjidhet kohë më parë, pret aktgjykim meritor ndaj Vukotiqit.

    Shqyrtimi gjyqësor pritet të fillojë në vjeshtë edhe për rastet e tjera ndaj Zoran Vukotiqit, për të cilat Departamenti Special, pasi iu bartën nga gjykata e Mitrovicës në fillim të këtij viti, vendosi t’i bashkojë në një procedurë të enjten e 22 gushtit.

    Për vrasjen e Burim Mulit do të dëshmojë edhe djali i axhës së tij, Fatoni, i cili në ditën kritike bashkë me viktimën kishin dalë me biçikletë në lagjen afër varrezave të Vushtrrisë, dhe kishte arritur t’u shpëtoi të shtënave me armë, duke u fshehur afër murit të një dyqani./atvlive.tv/

  • Shefi i CIA-s, William Burns takoi kryeministrin Albin Kurti

    Shefi i CIA-s, William Burns takoi kryeministrin Albin Kurti

    PËRGATITI: FATLUM JASHARI 

    Në mëngjesin së premtes, pjesëtarë të Policisë krijuan një perimetër sigurie te ndërtesa e Qeverisë.

    Disa rrugë në qendër të kryeqytetit u mbyllën pjesërisht dhe përkohësisht, ndërsa njësi të reagimit të shpejtë, me armë të gjata u panë, po ashtu.

    Në ditën e dytë të vizitës së befasishme në Kosovë, shefi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane, William Burns, u takua me kryeministrin Albin Kurti.

    Sikurse të enjten në Presidencë, edhe këtu zyrtari i lartë amerikan qëndroi rreth 50 minuta.

    Nëpërmjet një kumtese, Zyra e Kryeministrit theksoi se vizita e Burns-it përfaqëson një moment të rëndësishëm historik në marrëdhëniet Kosovë-SHBA.

    “Ajo është dëshmi e marrëdhënieve të forta dhe të qëndrueshme midis dy shteteve dhe është një mundësi e artë për të thelluar bashkëpunimin strategjik, për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.

    Krahas, siç shkruan në kumtesë, shprehjes së “përkushtimit për thellim të bashkëpunimit në fushat me interes të përbashkët” dhe “orientimit të palëkundur euroatlantik”, kryeministri i foli shefit të CIA-s për rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

    Me përfundimin e takimit në Qeveri, drejtori i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane mbylli vizitën në kryeqytetin e Kosovës.

    “Aleanca me Shtetet e Bashkuara, garanci për siguri, paqe e sukses!”, shkroi presidentja Vjosa Osmani një njoftimin për takimin e një dite më parë.

    Përveç pjesëmarrjes në dy takimet e drejtorit të CIA-s, William Burns, me krerët shtetëror, shefi i Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Petrit Ajeti, e priti atë në selinë qendrore.

    Paraprakisht, në kuadër të turit në rajon, Burns qëndroi për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Serbi.

    Në shkurt të vitit 2012, Burns kishte vizituar Kosovën – atëkohë në cilësinë e zëvendëssekretarit të shtetit, në administratën e presidentit Barack Obama./atvlive.tv

  • Rasti i Ramadanit, Gjykata Supreme në Shkup vendos rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Penale

    Rasti i Ramadanit, Gjykata Supreme në Shkup vendos rishqyrtim të vendimit të Gjykatës Penale

    PËRGATITI: T. ARIFAJ & K.TAHIRI 

    Gjykata më e lartë e Maqedonisë së Veriut ka vlerësuar se shkalla e parë, respektivisht Gjykata Themelore Penale nuk ka dhënë arsyetime të qarta kur vendosi që Blerim Ramadani, i dyshuar për krime lufte nga autoritetet e Serbisë, të mos ekstradohet në këtë shtet.

    Kështu, Gjykata Supreme e ka kthyer në rishqyrtim vendimin asaj Penale të Shkupit, ndaj Ramadanit, i cili u arratis nga arresti shtëpiak më 15 gusht të këtij viti.

    Vendimi i Supremes, megjithatë, sipas juristëve kosovarë, aktualisht nuk ka asnjë efekt juridik ndaj Ramadanit, i cili ndodhet në Kosovë.

    Blerim Ramadani, ish-pjesëtar i UÇK-së, u arrestua më 17 korrik, në pikën kufitare Jazhincë, në bazë të një urdhër arresti të Interpolit të Serbisë.

    Pas arrestimit në Shkup i ishte caktuar masa e paraburgimit e cila më pas u zëvendësua me arrest shtëpiak në një adresë në Shkup, i cili vlente deri më 16 gusht. Por, më 15 gusht Ramadani u arratis nga arresti shtëpiak dhe u kthye në vendlindje, gjë për të cilën ATV-ja raportoi ditë më parë.

    Më 16 gusht, Ramadani i kishte thënë ATV-së se nuk është krenar për veprimin e tij, por thotë se ishte i nevojshëm.

    Megjithatë, arratisjen e tij e kishin përshëndetur miqtë e tij nga lufta. Në anën tjetër, autoritetet në Maqedoni të Veriut thonë se janë në kërkim të Ramadanit.

    Autoritetet serbe e kërkojnë Ramadanin për krime të supozuara të luftës të kryera në verën e vitit 1999, në rajonin e Nerodimës./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme:

  • Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    Çmimet e librave s’e tejkalojnë shumën e subvencionimit të MASHT-it

    PËRGATITI: BENITA ZENELI 

    Libraritë tashmë janë furnizuar me shumicën e teksteve shkollore.

    Edhe prindërit kanë filluar blerjen e tyre dhe çmimet, sipas librashitësve, nuk po kalojnë shumën e subvencionimit nga Ministria e Arsimit.

    Madje, mundësi për keqpërdorime nuk ka ngase çmimet e të gjithë librave figurojnë në kopertinën e tyre.

    Megjithatë, disa tekste shkollore ende mungojnë. E shqetësime ka edhe për faktin që disa komuna të Kosovës nuk kanë librari.

    Qeveria ka subvencionuar blerjen e teksteve dhe mjeteve shkollore nga 80 euro për nxënësit nga klasa e 1 deri në të 6-tën, ndërkaq nga klasa 6 deri 9 me nga 110 euro.

    Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit të MASHTI-t mbi 150 mijë prindër kanë aplikuar për subvencionim dhe tashmë janë ekzekutuar mbi 81 mijë pagesa.

    Ndërkohë, ditë më parë edhe Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se është duke monitoruar me kujdes të veçantë zhvillimet në procesin e shpërndarjes së librave shkollor për t’i evituar shkeljet e mundshme./atvlive.tv/

    Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme: