ATV

Category: Lajme

  • Vrasja në Aktash: Paneli për Lirim me Kusht kishte vendosur ta lirojë Vesel Bunjakun mbi dy vite para se ta vuante dënimin e plotë

    Vrasja në Aktash: Paneli për Lirim me Kusht kishte vendosur ta lirojë Vesel Bunjakun mbi dy vite para se ta vuante dënimin e plotë

    Paneli për Lirim me Kusht i përbërë nga Valdete Daka- kryesuese dhe anëtarët- Burim Ademi dhe Besim Zllashi, më 24 korrik 2024 kishin marrë vendim për lirimin e Vesel Bunjakut me kusht, dy vite, dy muaj e pesë ditë para përfundimit të dënimit. Bunjaku ishte në vuajtje të dënimit për shkak të veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë”.

    Por, vetëm 34 ditë pasi u lirua, ndodhi ngjarja mes familjeve “Sekiraqa” dhe “Gashi”- të njohur si Capat, ku mbeti i vdekur Premtim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Vesel Bunjakut, i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore e Prishtinës më 12 shtator 2024 nën dyshimin se ka manipuluar me prova në rastin e vrasjes së Premtim Gashit, pas të shtënave me armë zjarri mes familjeve “Sekiraqa” dhe “Gashi” – të njohur si Capat, më 1 shtator në lagjen “Aktash” në Prishtinë. Dyshohet se kishte fshehur dy armë pas të shtënave mes dy grupeve.

    Por, lidhur me rastin për të cilin ishte në vuajtje të dënimit, në vendimin e Panelit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se ishte vendosur që Bunjaku të lirohej nga 29 korriku 2024 dhe do të ishte nën mbikëqyrje të Shërbimit Sprovues të Kosovës deri më 29 shtator 2026.

    Po ashtu, me aprovimin e kërkesës së Bunjakut për lirim me kusht, i njëjti ishte obliguar që brenda pesë ditëve nga data e lirimit nga institucioni korrektues, të lajmërohet në Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës, përkatësisht në Shërbimin Sprovues nën disa kushte.

    “1. të raportojë rregullisht në Shërbimin Sprovues deri me datën 29.09.2026; 2. në rast të ndërrimit të vendbanimit ta njoftoj Policinë dhe Shërbimin Sprovues; 3. të mos tentojë që të udhëtojë jashtë shtetit, pa miratimin e Panelit për Lirim me Kusht; 4. të jetë me i kujdesshëm me sjelljet e tij në të ardhmen”, thuhet në vendimin e PLK-së.

    Fillimisht, në vendim të Panelit theksohet se Bunjaku më 30 nëntor 2018 ishte shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vite e 6 muaj burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë” nga neni 179, par.1, pika 1.4 dhe 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

    Mirëpo, Gjykata e Apelit më 28 mars 2019, kishte ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë sa i përket cilësimit juridik të veprës penale dhe vendimin mbi dënimin, ashtu që i shqiptoi dënim me burgim në kohëzgjatje prej 11 vite e 6 muaj dhe gjeti se në veprimet e të dënuarit qëndrojnë elementet e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale vrasjë e rëndë” nga neni 179, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 33 të Kodit Penal.

    Më pas, thuhet se në seancën Panelit, ishte shqyrtuar raporti i ekipit profesionist të Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe pas vlerësimit të të dhënave të paraqitura në këtë raport, Paneli ka gjetur Bunjaku, është dënuar me 11 vite e 6 muaj burgim dhe se i kanë mbetur edhe 2 vite, 2 muaj e pesë ditë burgim.

    “Në raportin ligjor për të dënuarin vërtetohet se të dënuarit, data e përfundimit të dënimit i është caktuar më 29.09.2026 dhe nga llogaritja e dënimit rezulton se nga dënimi prej 11 vite, 6 muaj të dënuarit i kanë mbetur edhe 2 vite, 2 muaj, 5 ditë, të cilat do të mbikëqyren dhe kontrollohen nga Shërbimi Sprovues i Kosovës”, thuhet në vendimin e Panelit.

    Në vendim thuhet se nga raportet e përpiluara nga ekipi profesionist i Qendrës Korrektuese, rezulton se Bunjaku ka treguar sjellje të mirë, përkatësisht nuk ka të dhëna për shkelje të reja disiplinore. Po ashtu, ky ekip vlerësoi se “procesi i risocializimit është duke u arritur”.

    Paneli gjatë seancës konstatoi se të dënuarit i është refuzuar dy herë kërkesa për lirim me kusht.

    “Nga shqyrtimet paraprake të kërkesave për lirim me kusht rezulton se i dënuari ka përmirësuar sjelljet e tij, përkatësisht nga shqyrtimi i parë i kërkesës për lirim me kusht nuk ka të dhëna për shkelje të reja disiplinore. Në të dhënat për realizimin e programit për trajtimin e të dënuarit, është konstatuar se i dënuari është shfrytëzues i pushimit jashtë institucionit”, thuhet në vendimin e Panelit.

    Gjatë shqyrtimit të kërkesës, Paneli ka vlerësuar edhe premtimin që Bunjaku ia ka dhënë zyrtarit të Shërbimit Sprovues se do të bashkëpunojë me ta deri në përfundimin e mbikëqyrjes së lirimit me kusht dhe se me një mbikëqyrje efektive i njëjti me lehtësi do të ri-integrohet në familje dhe shoqëri në pajtim me ligjin.

    Në fund, Paneli kishte konstatuar që mbajtja e dënimit kishte arritur qëllimin e dënimit, pasi Bunjaku kishte mbajtur më shumë se 2/3 e dënimit që nga data 29 nëntor 2022.

    Andaj, Vesel Bunjaku u lirua me kusht më 29 korrik 2024 nën kushtet e lartrpërmendura.

    Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës më 3 shtator 2024 ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh ndaj Korab Gashit, Valdrin Ademit, Robert Llumnicës, Salih Sekiraqës dhe Fatos Abazit, të dyshuar për rastin e vrasjes së Premtim Gashit, më 1 shtator në lagjen Aktash në Prishtinë.

    E viktimën e vrasjes në Aktash, tani të ndjerin Premtim Gashi, PLK-ja e kishte liruar 19 ditë para ditës kritike.

  • Krasniqi për heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci: U bënë themel i horizontit të lirisë dhe shtetit tonë sovran

    Krasniqi për heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci: U bënë themel i horizontit të lirisë dhe shtetit tonë sovran

    Kryetar i Partisë Demokratike të Kosoves (PDK) Memli Krasniqi kujton heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, dhe thotë se për ta, më e shtrenjtë ishte liria sesa jeta.

    Krasniqi përmes një postimi në “Facebook” ka thënë se ata u bënë themel i horizontit të lirisë dhe shtetit tonë sovran

    Postimi i plotë:

    “Sot, në 26 vjetorin e rënies në altarin e lirisë, kujtojmë me nderim heronjtë Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, së bashku me bashkëluftëtarët e pandashëm Fatime Hetemi, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci dhe Shefqet Zeka.

    Nga organizimi dhe rezistenca politike, burgjeve jugosllave, e deri në betimin për luftë e liri deri në vdekje, Fehmiu dhe Xheva ishin gjithmonë bashkë. Të dy kishin lidhur fatin e tyre personal me fatin e Kosovës.

    Për ta, më e shtrenjtë ishte liria sesa jeta. Për të parën do të vdisnin me një buzëqeshje në fytyrë – sepse e dinin se kjo ishte rruga e vetme drejt nderit dhe përjetësisë.

    Përgjithmonë mirënjohës ndaj tyre dhe mijëra burrave e grave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me sakrificë e vetëmohim, u bënë themel i horizontit të lirisë dhe shtetit tonë sovran.

    Lavdi! 🌹”, shkroi Krasniqi.

  • Zgjedhje në Gjermani, partia e Scholzit kërkon të ndalë ekstremistët e djathtë në Bradenburg

    Zgjedhje në Gjermani, partia e Scholzit kërkon të ndalë ekstremistët e djathtë në Bradenburg

    Zgjedhje shtetërore po mbahen në Brandenburg të Gjermanisë më 22 shtator, tri javë pas një rritjeje të partisë së ekstremit të djathtë në dy shtete të tjera në pjesën lindore të Gjermanisë.

    Rreth 2.1 milion njerëz janë të regjistruar për të votuar për një parlament të ri shtetëror në Brandenburg, shtetin që përfshin kryeqytetin gjerman, Berlinin.

    Zgjedhjet e së dielës po vëzhgohen me kujdes për shkak të asaj që mung të tregojnë në lidhje me drejtimin politik të Gjermanisë.

    Anketat e fundit tregojnë se Partia Alternativa për Gjermaninë (AfD) është në garë të ngushtë me Social Demokratët, partinë që ka qeverisur Brandenburgun pandërprerë që nga ribashkimi i Gjermanisë në vitin 1990.

    Social Demokratët, partia më e madhe në qeverinë e kancelarit Olaf Scholz, shpresojnë të mbajnë kontrollin mbi bastionin e tyre përballë rritjes së mbështetjes për partitë të ekstremit të djathtë dhe të majtë.

    Nëse Social Demokratët humbin në Brandenburg, kjo do të shihej si një shenjë e keqe për Scholzin një vit para zgjedhjeve federale që do të mbahen më 28 shtator 2025. Scholz jeton në Potsdam, kryeqytetin e Brandenburgut, dhe vëzhguesit politikë gjermanë besojnë se e ardhmja politike e kancelarit do të varet nga rezultatet e votës së së dielës në Brandenburg.

    Fati i guvernatorit të Brandenburgut, Dietmar Woidke, gjithashtu është në rrezik. Ai e bëri qëllim të tij që Social Demokratët ta mposhtin Alternativën për Gjermaninë dhe zotoi se do të dorëhiqet nëse AfD-ja fiton.

    “Nëse humbas ndaj AfD-së, unë do të largohem”, tha Woidke.

    Alternativa për Gjermaninë fitoi më shumë vota në shtetin e Thuringisë dhe gjithashtu pati rezultate të mira në zgjedhjet në Saksoni më 1 Shtator.

    Një parti e re e themeluar nga një figurë e njohur e majtë gjithashtu pati rezultate të mira, ndërsa partitë në qeverinë kombëtare të Scholzit shënuan rezultate shumë të dobëta.

    Kjo ishte hera e parë që ekstremi i djathtë fitoi zgjedhje në Gjermani që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe kjo i dha një goditje të rëndë koalicionit qendror të Scholz. Ajo gjithashtu ngjalli shqetësime në Gjermani dhe jashtë saj për mbështetjen në rritje për ekstremin e djathtë në vendin më të madh të Bashkimit Evropian dhe anëtaren e NATO-s.

    Partia e ekstremit të djathtë ka fituar mbështetje shkaku i pakënaqësive me migrimit masiv në Gjermani gjatë dekadës së kaluar. Ekonomia e Gjermanisë ka filluar të dobësohet, duke shtuar ndjenjën e përgjithshme të pakënaqësisë.

    Vota e së dielës vjen pas një fushate zgjedhore të nxehtë të përqendruar në çështjet e migrimit, sigurisë së brendshme dhe paqes. Si ekstremi i djathtë ashtu edhe lëvizja e re e majtë, Aleanca Sahra Wagenknecht, ose BSW, dëshirojnë të ndalojnë dërgesat e armëve në Kiev ndërsa Ukraina përpiqet ta mbrojë veten nga pushtimi i plotë i Rusisë.

    Madje edhe nëse Alternativa për Gjermaninë fiton në Brandenburg, ajo ka pak gjasa të qeverisë pasi partitë e tjera refuzojnë të punojnë me të./REL/

  • Rama: Kemi interesim për projekte nga investitorë të huaj, nga Qeveria vetëm kërkojmë të mos bëhet bllokuese

    Rama: Kemi interesim për projekte nga investitorë të huaj, nga Qeveria vetëm kërkojmë të mos bëhet bllokuese

    Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kërkuar nga Qeveria që të mos jetë “bllokuese” në investimet e kryeqytetit, por mbështetëse dhe bashkëpunuese.

    Në një intervistë për Ekonomia Online, Rama ka thënë se për kryeqytetin, buxheti është i limituar. Ai ka thënë se projektet e mëdha në Prishtinë kanë kosto të lartë dhe për këtë ka kërkuar partneritet publiko-privat.

    “E dini që buxheti është i limituar për kryeqytetin, pra kemi një numër të madh të kërkesave të qytetarëve për shërbimet ndaj qytetit por kemi edhe mundësi të tjera. Kryeqyteti për fat të mirë ka edhe mundësi të tjera për të krijuar bashkë-Investime me investitorët. Në janar kemi prezantuar projektet kyçe që i duhen kryeqytetit, si krijime të parkingjeve nëntokësore, Stacioni i Autobusëve, krijimin e Qendrës për Arte dhe Teknologji, Tregun e Vjetër, Unaza e Kryeqytetit, Fshati Olimpik. Këto janë projekte të mëdha multi-milionëshe dhe për këtë arsye neve na duhet një partneritet me sektorin privat”, ka thënë Rama për EO.

    Rama ka potencuar se ka interesim prej investitorëve të huaj në kryeqytet për të investuar me projekt-propozime. Ai kërkon që niveli qendror të mos jetë bllokues, por të jenë bashkëpunues për të mirën e qytetarëve.

    “Kemi interes prej investitorëve seriozë nga Zvicra dhe vende të ndryshme, por edhe investitor vendës për projekte madhore të cilat janë të gatshëm me investu me projekt-propozime. Është një moment monumental për kryeqytetin për transformimin e mirëfilltë të kryeqytetit. Niveli qendror vetëm të mos jenë bllokues aq kërkojmë nga prej tyre, të jenë bashkëpunues sepse kjo është për të mirën edhe të nivelit lokal dhe atë qendror, pra për vendin tonë. Nuk bëjmë ndarje këtu niveli qendror dhe lokal duhet të jetë bashkë pranë të gjitha këtyre projekteve e dini që niveli qendror nuk e ka parë të arsyeshme me i investuar në Unazën e Kryeqytetit, ka investuar diku tjetër”, kërkoi ai.

    Sipas tij, Prishtina duhet të trajtohet më mirë, “50 për qind të taksave të gjithë vendit paguhen prej bizneseve edhe qytetarëve të kryeqytetit”.

    “Mendoj që është kyçe, jetike për kryeqytetin për me pasur investime në kryeqytet sepse kryeqyteti është motori kryesor për zhvillimin e krejt vendit. 50 për qind të taksave të gjithë vendit paguhen prej bizneseve edhe qytetarëve të kryeqytetit, për këtë arsye edhe kryeqyteti duhet të trajtohet në një mënyrë tjetër jo ashtu siç trajtohet për momentin për fat të keq, pra dytësor apo tretësor nga Qeveria”, shtoi kryetari.

    Rama ka kërkuar nga Qeveria që të reflektojë dhe t’i bashkëngjitet këtij zhvillimi transformues në kryeqytet.

    “E lus Qeverinë që të reflektojë dhe ti bashkëngjitet këtij zhvillimi transformues që po ndodh në kryeqytet i cili normal që ka mundësi që më vonë të shpërndahet në të gjithë vendin. Patjetër që duhet më shumë buxhet, nëse kryeqyteti i jep 50 për qind niveli qendror atëherë niveli qendror gjithsesi se duhet të jap më shumë kryeqytetit. Po shohim se ka interes nga investitorët vendor por edhe ata të jashtëm për projektet kyçe dhe strategjike të cilët do të transformojnë dhe do të na bënë gati për të ardhmen, sidomos për Lojëra Mesdhetare 2030”, shtoi Rama, teksa konfirmoi kandidaturën edhe për një mandat në krye të Kryeqytetit.

    “Patjetër që po, kam thënë që më duhen dy terme për me transformuar Prishtinën, gjithsesi do të jem edhe në një mandat katërvjeçar në kryeqytet”, përfundoi Rama.

  • Erdogan thirrje Perëndimit: Ndërmerrni masa ndaj Izraelit, ndryshe do të përfshihemi në një katastrofë të madhe

    Erdogan thirrje Perëndimit: Ndërmerrni masa ndaj Izraelit, ndryshe do të përfshihemi në një katastrofë të madhe

    Sulmet ndaj Libanit këtë javë treguan se qeveria izraelite e kishte në plan ta përhapte luftën në rajon, tha të shtunën presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, duke u bërë thirrje vendeve perëndimore të marrin “masa parandaluese” kundër veprimeve të Izraelit.

    Erdogan deklaroi në një konferencë për shtyp se lufta e Izraelit në Gaza do të jetë tema kryesore e fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së më 24 shtator.

    “Që rajoni ynë të mos tërhiqet në një katastrofë të madhe, presioni mbi Izraelin duhet të rritet edhe më shumë”, tha Erdogan në një konferencë për shtyp në Stamboll.

    Ai komentoi mbi sulmet në Liban këtë javë, përfshirë shpërthimin e pejxherëve dhe radio-lidhjeve të anëtarëve të Hezbollahut që shkaktuan vdekjen e 39 personave.

    Sulmet ndaj pajisjeve të komunikimit besohet gjerësisht se janë kryer nga Izraeli, që nuk e ka konfirmuar apo mohuar përfshirjen e tij.

    “Është koha që të gjitha vendet me misionin e mbrojtjes së paqes botërore të gjejnë zgjidhje që do ta ndalë Izraelin”, tha Erdogan.

    “Për ta ndalur këtë shtypje që po vazhdon prej gati një viti, për ta vendosur një armëpushim të përhershëm dhe për të siguruar rrjedhën e pakufizuar të ndihmave humanitare, të gjithë ne, bota e tërë dhe veçanërisht OKB-ja, kemi detyra të rëndësishme,” shtoi ai.

    Turqia ka dënuar veprimet e Izraelit në Gaza, të cilat erdhën si përgjigje ndaj sulmit të Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – më 7 tetor.

    Izraeli thotë se rreth 1.200 njerëz u vranë dhe mbi 250 persona u morën peng në sulmin e Hamasit. Ofensiva e mëvonshme ushtarake e Izraelit në Rripin e Gazës ka vrarë më shumë se 41.000 palestinezë, sipas ministrisë së shëndetësisë së enklavës.

    Ankaraja ka pezulluar tregtinë me Izraelin dhe ka paraqitur një kërkesë për t’u bashkuar në rastin e Afrikës së Jugut në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, duke akuzuar Izraelin për gjenocid. Izraeli i ka mohuar në mënyrë të përsëritur akuzat për gjenocid si të pabaza. /REL

  • Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: Sot mblidhen liderët botërorë, merr pjesë edhe Osmani

    Asambleja e Përgjithshme e OKB-së: Sot mblidhen liderët botërorë, merr pjesë edhe Osmani

    Liderë nga mbarë bota do të marrin pjesë në sesionin e 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që i fillon punimet sot në New York.

    E pranishme aty, do të jetë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Në fokus do të jenë krizat dhe konfliktet më të mprehta që po kalon bota, kryesisht luftërat në Gaza, Ukrainë e Sudan.

    Në një agjendë të ngjeshur që nis të dielën me samitin e së ardhmes dhe vijon për disa ditë, është parashikuar të zhvillohet edhe një takim mes Shefit të Politikës së Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell me gjashtë liderët e ballkanit perëndimor.

    Sipas njoftimit të Komisionit Evropian, sesioni i OKB-së në New York do të ndiqet nga një delegacion i nivelit të lartë të Bashkimit Evropian duke përfshirë Josep Borrell dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

    “Fokusi i BE-së do të jetë trajtimi i konflikteve dhe krizave në të gjithë botën. Në një sfond të zymtë të krizave të shkaktuara nga njeriu dhe ato natyrore, BE-ja dhe shtetet anëtare do të fokusohen në pesë prioritete kryesore: ri-angazhimi për themelet e një rendi ndërkombëtar të bazuar në rregulla; mbështetjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare; avancimi i zhvillimit të qëndrueshëm dhe financimi për zhvillim; adresimi i krizës së trefishtë planetare; dhe nxitja e besimit nëpërmjet një sistemi shumëpalësh më efektiv”, theksohet në njoftimin e Komisionit Evropian.

    Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka deklaruar se Bashkimi Europian dhe Shtetet Anëtare të saj po vijnë në sesionin e 79-të të OKB-së të vendosur për të promovuar zgjidhje shumëpalëshe të bazuara në Kartën e OKB-së dhe për t’i bërë ato të funksionojnë për të mirën e të gjithëve.

    “Ne nuk mund t’i zgjidhim problemet e shekullit të 21-të me mjetet e shekullit të 20-të”, u shpreh ai.

  • Hani i Elezit: ​Kontrabandë me mallra nga Maqedonia, 40 vjeçari vetaksidentohet duke ikur

    Hani i Elezit: ​Kontrabandë me mallra nga Maqedonia, 40 vjeçari vetaksidentohet duke ikur

    Policia e Kosovës, konkretisht Njësitet patrulluese të Policisë Kufitare DRK-Lindja, konkretisht Stacioni Policor për Mbikëqyrje Kufitare-Hani i Elezit, gjatë realizimit të detyrave dhe aktiviteteve policore në zonën kufitare në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, më datë 21.09.2024, duke u bazuar në informatat inteligjente dhe gjatë aktiviteteve taktiko-operative në teren, rreth orës 20:00 në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, kanë vërejtur një automjet të dyshuar duke tentuar të kaloj vijën kufitare dhe menjëherë kanë marrë veprime për ta ndaluar të njëjtën.

    Drejtuesi i automjetit, me iniciale Z.A. rreth 40 vjeç shtetas i Maqedonisë së Veriut, me të vëne re se është pikasur nga patrullat policore kufitare, duke tentuar për t’u larguar në drejtim të territorit të RMV-së, ka shkaktuar vet aksident me dëme materiale.

    Policia ka tërhequr automjetin me targa të Maqedonisë së Veriut dhe gjatë kontrollit të automjetit është vërejtur se brenda tij kishte të ngarkuar:
    260 palë veshje (duksa dhe trenerka).

    “Dyshohet se malli është tentuar të kontrabandohet nga territori i Republikës së Kosovës në territorin e Republikë së Maqedonisë së Veriut përmes rrugëve malore. Lidhur me rastin të gjitha veprimet janë ndërmarrë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit, ku me urdhër të tij, i dyshuari dërgohet në mbajtje 48 orë, ndërsa malli i kontrabanduar dhe automjeti sekuestrohen dhe dërgohen në terminal doganor për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Shea: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë

    Shea: Masat e BE-së ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë

    Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, ka komentuar situatën politike në vend dhe raportet aktuale mes Kosovës e Bashkimit Evropian derisa kryeministri Albin Kurti qëndroi në Bruksel këtë javë.

    Ai tha se Kurti ndoqi këshillën e BE-së për të mos e hapur Urën e Ibrit për qarkullim të veturave dhe thotë që pasi udhëheqja e re e bllokut të vihet në vend, masat ndëshkuese ndaj Kosovës mund të hiqen këtë vjeshtë. Këtu ai e lidhi edhe me rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

    “Kryeministri Kurti është në Bruksel këtë javë që sigurisht mund të lobojë që masat e BE-së të hiqen. Ai ka ndjekur këshillën e BE-së për të mos rihapur urën e Mitrovicës për trafik. Por lidershipi i ri i BE-së nuk ka marrë ende detyrën pas zgjedhjeve të Parlamentit të BE-së qershorin e kaluar. Komisioni i ri u emërua. Dialogu Beograd-Prishtinë duhet të rifillojë së shpejti. Kështu që pres që masat e BE-së kundër Kosovës të hiqen më vonë këtë vjeshtë me kusht që të ketë një periudhë qetësie në veri dhe që Prishtina të bëjë përpjekje për të riintegruar serbët në polici, gjyqësor dhe administratën lokale. Vuçiq ka bërë thirrje që kjo të ndodhë dhe do të jetë një provë për të që të punojë në mënyrë konstruktive për të ndihmuar në zbatimin e saj”, tha Shea për RTKlive.

  • Pesë raste të dhunës në familjes brenda 24 orëve, arrestohen katër persona

    Pesë raste të dhunës në familjes brenda 24 orëve, arrestohen katër persona

    Në Policinë e Kosovës gjatë 24 orëshit të fundit janë raportuar pesë raste të dhunës në familje.

    Nga një rast është raportuar në Graqanicë, Ferizaj, Pejë, Deçan dhe Gjakovë.

    Lidhur me këto raste, me vendim të prokurorit, katër persona janë dërguar në mbajtje.

    DHUNË NË FAMILJE

    Graqanicë / 21.09.2024 – 18:30. Është arrestuar i dyshuari kosovar për shkak se në gjendje të dehur kishte sulmuar fizikisht dhe psiqikisht bashkëshorten e tij viktimën kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është ndaluar.

    Ferizaj / 21.09.2024 – 00:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje ka sulmuar fizikisht babain e tij viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Pejë / 21.09.2024 – 15:20. Ankuesi m/kosovar ka njoftuar policinë se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga familjarët e tij (babai dhe vëllezërit). Tre të dyshuarit kosovar janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

    Deçan, 21.09.2024 – 21:35. Është raportuar se viktima femër rreth një muaj më parë është sulmuar fizikisht nga dy te dyshuarit meshkuj –vëllezërit e saj dhe më pas e kishin mbyllur në dhomë si dhe ia kishin marrë telefonin duke mos pasur mundësi ta lajmërojë rastin. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është dërguar në shtëpinë e sigurt. Lidhur me rastin janë arrestuar dy të dyshuarit ku gjatë dërgimit të tyre për ekzaminim mjekësor, njëri prej tyre i kishte sulmuar zyrtarët policorë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në qendrën e mbajtjes.

    Gjakovë / 21.09.2024 – 16:15. Viktima kosovare është sulmuar fizikisht nga djali i saj i dyshuari kosovar. Viktima pas trajtimit mjekësor është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari gjendet në arrati. Rasti në hetime.

  • Hasani në OKB, pritet firmosja e marrëveshjeve për liberalizimin reciprok të vizave

    Hasani në OKB, pritet firmosja e marrëveshjeve për liberalizimin reciprok të vizave

    Ministri shqiptar për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mbërritur në Nju York, për të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

    Hasani pritet të firmos disa marrëveshje për liberalizimin reciprok të vizave, në funksion të forcimit të pasaportës shqiptare në botë.

    Gjithashtu, ministri do të ketë takime dypalëshe me Ministrat e Jashtëm të Azerbajxhanit, Bullgarisë, Egjiptit, Gjeorgjisë, Kazakistanit, Maltës, Marokut, Mongolisë, Turkmenistanit, Qipros etj, raporton Euronews.al.

    Java e nivelit të lartë nisi dje me takimin “Pekin+30: drejt një bote me barazi gjinore”, ku Hasani nënvizoi politikat e qeverisë shqiptare që nxisin angazhimin kuptimplotë të grave në jetën publike.

    Prioritetet e Shqipërisë, gjatë sesionit të 79 të Asamblesë të Përgjithshme të OKB-së do të jenë në përputhje me kontributin e dhënë gjatë periudhës së anëtarësimit në Këshillin e Sigurimit dhe përfshijnë promovimin e multilateralizmit, mbështetjen për Axhendën 2030 dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së.