ATV

Category: Lajme

  • ​Diskriminimi ndaj shqiptarëve, sot mbahet protestë në Preshevë

    ​Diskriminimi ndaj shqiptarëve, sot mbahet protestë në Preshevë

    Më 23 shtator nga ora 13:00 në Preshevë do të mbahet protesta “Marsho për identitet dhe dinjitet”.

    Marshi protestues do të nisë nga stadiumi i qytetit dhe do të vazhdojë deri te qendra e qytetit.

    Protesta mbahet për shkak të diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që iu bëhen shqiptarëve të Luginës së Preshevës nga ana e Serbisë.

    Në këtë protestë do të kërkohet ndërprerja e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vendeve të punë dhe institucione të hapura për të gjithë, ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës Ardita Sinani në një postim në Facebook.

    “Të marshojmë për barazi dhe drejtësi! Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë, për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar! Kjo është për të gjithë ne, për dinjitetin dhe identitetin tonë. Dilni dhe marshoni”, ka shkruar ajo.

  • ​Parashikimi i motit për sot

    ​Parashikimi i motit për sot

    Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot do të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.

    Sipas institutit, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 3-5 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 19-24 gradë Celsius.

    “Do të fryjë erë kryesisht nga drejtimi i jugperëndimit e lehtë deri mesatare”, thuhet në njofitm.

  • Arrestohen katër kosovarë për kontrabandim me migrantë

    Arrestohen katër kosovarë për kontrabandim me migrantë

    Janë arrestuar katër kosovarë në fshatin Shipol të Mitrovicës së Jugut, nën dyshimin se më 25 shtator të këtij viti, kanë tentuar të transportojnë pesë shtetas të Jemenit të cilët dyshohet se kishin qëllim t’i dërgonin drejt shteteve të BE-së.

    Lidhur me rastin, policia thotë se gjatë kontrollit të shtëpisë dhe automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar 6280 euro, 7300 lek shqiptare, 140 franga, dhe katër automjete.

    “Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda më 22.09.2024 kanë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë, të cilët ishin duke transportuar pesë shtetas të Jemenit të cilët dyshohet se kishin qëllim t’i dërgonin drejt shteteve të BE-së. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar: 6280 €, 7300 lek shqiptare, 140 CHF zvicerane, dhe 4-automjete”, thuhet në raportin e policisë.

    Me vendimin e prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

  • Vdes motra e Adem, Hamëz e Rifat Jasharit

    Vdes motra e Adem, Hamëz e Rifat Jasharit

    Ka vdekur Hava Jashari-Gashi, motra e Adem, Hamëz e Rifat Jasharit.

    Lajmin për vdekjen e saj e bëri të ditur nipi i saj, Bekim Jashari.

    Njoftimi i plotë:

    Me dhimbje të thellë ju njoftojmë për ndarjen nga jeta të nënës, motrës, hallës sonë të dashur, HAVA (SHABAN) JASHARI-GASHI, e cila u largua nga kjo botë sot.

    Ajo ishte një grua e mrekullueshme, e përkushtuar ndaj familjes dhe të dashurëve të saj, e cila na la pas kujtime të vyera dhe një boshllëk të pazëvendësueshëm.

    Ceremonia mortore do të mbahet sot më 23.09.2024, në orën 16:30, në varrezat e fshatit Kryshevc-Skenderaj.

    Do të mbetet përgjithmonë në zemrat tona.

  • AGK-ja sot publikon raportin vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve”

    AGK-ja sot publikon raportin vjetor “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve”

    Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, sot nga ora 13:00, do të publikojë raportin vjetor ‘Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve’.

    Po ashtu do të publikohet dhe ‘Indeksi i Sigurisë së Gazetarëve në Ballkanin Perëndimor’ – me autore Getoarbë Mulliqin dhe ass. hulumtuesen, Leonita Morina, në kuadër të Platformës Rajonale SafeJournalists.

    Eventi do të mbahet afër Qeverisë së Republikës së Kosovës.

  • Tabela e Superligës pas gjashtë xhirove

    Tabela e Superligës pas gjashtë xhirove

    Jahtëzakonisht interesante duket renditja tabelare e Supelrigës së Kosovës në futboll pas gjashtë xhirove të zhvilluara në këtë edicion garues. Disa prej ndeshjeve derbi janë zhvilluar gjatë këtyre javëve të para, por renditja është mjaftë interesante.

    Në fakt, befasia e madhe është sepse lider momental është klubi i sapo inkuadruar në Superligë, Suhareka me 13 pikë, aq sa ka edhe Malisheva në vendin e dytë, raporton KosovaPress.

    Tri prej skuadrave më të mëdha kosovare, Prishtina, Ballkani dhe Llapi kanë mbledhur nga dhjetë pikë duke ndarë pozitat tre, katër dhe pesë.

    Tutje, në vendin e gjashtë pozicionohet Drita më nëntë pikë, e ndjekur nga Dukagjini me gjashtë, kurse në tri pozitat e fundit renditen Gjilani me pesë pikë, Ferizaj me katër dhe e fundit është Feronikeli 74 pa pikë.

  • Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë?

    Friedrich Merz, kancelari i ardhshëm i Gjermanisë?

    Friedrich Merz, lideri i CDU-së (Unionit Kristian Demokrat), ka pasur një rrugëtim të vështirë dhe të mbushur me pengesa në ambiciet e tij për të arritur postin e kancelarit të Gjermanisë.

    Sipas një artikulli nga prestigjiozja “The Economist”, ambiciet e Friedrich Merz për të arritur pozitat e larta politike janë penguar vazhdimisht nga situata, rivalë, apo edhe nga vetë ai.

    Pas mbështetjes së rëndësishme nga Markus Söder, lideri i CSU-së (Unionit Kristian Social) të Bavarisë, Merz duket se tani ka një mundësi reale për të realizuar këtë qëllim.

    “Për mbështetësit e Merz, dorëzimi i qetë i Söder, një vit para zgjedhjeve, flet për evoluimin e aftësive politike të tij”, thekson “The Economist”.

    Megjithatë, rruga e Merz ka qenë e mbushur me vështirësi.

    Pas fillimeve të tij të suksesshme në politikë, ai u përball me një goditje të rëndë kur Angela Merkel, liderja e re e CDU-së, e hoqi nga posti i tij në vitin 2002.

    Pas kësaj, ai u tërhoq nga politika për një karrierë të suksesshme në botën juridike të korporatave.

    Rikthimi i tij në politikë në vitin 2018, kur kandidoi për lider të CDU-së pas dorëheqjes së Merkelit, e vendosi atë në qendër të vëmendjes.

    Megjithatë, ai humbi ndaj Annegret Kramp-Karrenbauer, dhe pas një periudhe të vështirë, arriti të merrte postin e liderit të CDU-së në janar 2022.

    “Pas dështimeve të Kramp-Karrenbauer dhe një humbjeje katastrofike të Armin Laschet në zgjedhjet e vitit 2021, kjo ishte hera e tretë me fat për Merz”, shkruan “The Economist”.

    Që nga atëherë, Merz është përpjekur të balancojë qëndrimet e moderuara me ato më konservatore brenda partisë.

    Ai ka pasur disa momentet problematike, siç ishte komenti i tij mbi refugjatët dhe vizitat e tyre te dentisti, që ngjalli polemika.

    Pavarësisht kësaj, ai është ri-zgjedhur lehtësisht si lider i CDU-së në maj të këtij viti, dhe partia duket se është e bashkuar përballë një qeverie jo të pëlqyeshme nën udhëheqjen e Olaf Scholz.

    Merz tani përqendrohet në çështjet ekonomike, duke kritikuar qeverinë për menaxhimin e dobët të emigracionit dhe duke theksuar nevojën për të ndihmuar industrinë gjermane, veçanërisht automobilat, duke luftuar propozimet e BE-së për t’i dhënë fund motorëve me djegie të brendshme.

    Ai shpreh mbështetje për NATO-n dhe ka kritikuar Scholz për refuzimin e dërgimit të raketave Taurus në Ukrainë.

    Megjithatë, sfidat e Merz janë të shumta.

    Sondazhet tregojnë se, pavarësisht përmirësimit të CDU-së në krahasim me qeverinë aktuale, shumë gjermanë nuk e shohin si një kandidat më tërheqës për kancelar sesa Scholz.

    Një përqindje e konsiderueshme e votuesve të tij nuk e mbështesin dhe ai ka përballë një opinion të dobët mes grave dhe votuesve më të rinj.

    Gjithashtu, Merz do të duhet të përballet me ndarjet brenda partisë, sidomos në lidhje me partneritetet e mundshme me partitë e tjera.

    Disa anëtarë të CDU-së kanë një antipati të fortë ndaj të Gjelbërve, partnerët e Scholz, por Merz mund të ketë nevojë për ata për të formuar një qeveri.

    Pavarësisht sfidave të shumta, rruga e Merz drejt kancelarisë mbetet interesante.

    Ndonëse ka arritur të konsolidojë mbështetje, ai duhet të tregojë se është i gatshëm për të përballuar sfidat e ardhshme dhe të fitojë besimin e një elektorati të ndryshëm.

    Koha do të tregojë nëse ai do të arrijë të realizojë ambiciet e tij.

    Sipas “The Economist”, ndonëse pak e prisnin që ai të arrinte kaq larg, prova më të vështira e presin ende Merz.

  • Merr flakë furgoni në Leposaviq, policia nis hetimet

    Merr flakë furgoni në Leposaviq, policia nis hetimet

    Një furgon është kapluar nga zjarri në Leposaviq.

    Sipas policisë, automjeti i takonte një fabrike.

    Policia e Kosovës ka nisur hetimet mbi rastin.

    “Raportohet se është përfshirë nga zjarri një automjet kombi pronë e një fabrike. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse. Rasti nën hetime”, thuhet në raportin e policisë.

  • Alarmi “taktik” i Kurtit për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia, deklarohet edhe KFOR-i

    Alarmi “taktik” i Kurtit për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia, deklarohet edhe KFOR-i

    Përkundër bisedimeve me vite, Kosova dhe Serbia duket se nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët. Ato jo vetëm që e kanë të vështirë të komunikojnë, por akuzojnë vazhdimisht njëra-tjetrën se nuk duan paqe.

    Për presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, autoritetet e Kosovës ushtrojnë “dhunë” ndaj komunitetit serb në veri, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Me “lëvizjet arrogante dhe ilegale, Prishtina rrezikon sigurinë e popullatës serbe”, ka thënë ai, kur Kosova ka mbyllur disa institucione paralele të Serbisë në veri të vendit.

    Brenda një jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka tërhequr vërejtjen së paku dy herë për rrezikun e konflikteve të reja nga Serbia.

    I pyetur nga gazetarët më 17 shtator se si i komenton disa kërkesa të Vuçiqit për serbët e veriut që të riintegrohen në institucionet e Kosovës, Kurti ka thënë se ato “nuk janë racionale”.

    “[Kërkesat e Vuçiqit] nuk janë aspak paqësore, por, përkundrazi, janë pjesë e fushatës agresive për konflikte të reja, të cilat padyshim se nuk kanë vend as në Kosovë, as askund”, ka thënë Kurti.

    Katër ditë përpara kësaj deklarate, Kurti ka bërë një paralajmërim të ngjashëm edhe përmes llogarisë së tij në Facebook, ku ka siguruar, po ashtu, se Kosova është e gatshme për mbrojtjen e qytetarëve të saj.

    “Serbia e drejtuar nga ministri i Millosheviqit, në bashkëpunim me Rusinë, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja në drejtim të Kosovës… Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre”, ka shkruar Kurti.

    Në frymë të ngjashme është shprehur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Por, sipas saj, “assesi” nuk duhet pasur frikë nga Vuçiqi.

    Me armatimin që ka blerë Kosova dhe me forcimin e përditshëm të institucioneve të sigurisë, “ne jemi shumë më të fortë seç kemi qenë më parë”, ka thënë Osmani më 17 shtator në një adresim para gazetarëve.

    Më 24 të këtij muaji bëhet saktësisht një vit që kur një grup i armatosur serbësh ka sulmuar policinë e Kosovës në Banjskë afër Zveçanit dhe ka vrarë një polic. Gjatë shkëmbimit të zjarrit që ka pasuar, janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

    Në aktakuzën që ka ngritur Prokuroria Speciale e Kosovës për rastin, thuhet se “grupi, përmes përdorimit të armëve të rënda, ka tentuar ta ndante pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t’ia bashkonte atë territorit të Republikës së Serbisë”.

    Kurti dhe Osmani, në disa deklarime, e kanë fajësuar direkt udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, edhe pse ajo e ka mohuar.

    Serbia karakterizohet si “kërcënim kryesor” për sigurinë e Kosovës edhe në Strategjinë e vendit për Sigurinë, për vitet 2022-2027.

    Kosova dhe Serbia ndajnë një vijë kufitare të gjatë rreth 400 kilometra. Përgjegjës për sigurinë e kufijve të Kosovës me Serbinë është misioni paqeruajtës i NATO-s, KFOR, ndërsa për pjesën tjetër të vijës kufitare është Policia e Kosovës.

    I kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, KFOR-i thotë se situata në terren është e qetë, por mbetet e brishtë.

    “Misioni ynë ka një prani të dukshme dhe fleksibile, si dhe është i dislokuar mirë për të adresuar çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë, në përputhje me mandatin e tij nga OKB-ja. Është e rëndësishme të shmangen veprimet që mund të krijojnë tensione të panevojshme”, thotë një zëdhënës i misionit.

    Ish-zyrtari i NATO-s, Jamie Shea, kujton se KFOR-i, pas sulmit në Banjskë, e ka rritur praninë në Kosovë dhe kjo, sipas tij, ka dhënë “shumë mësime për sigurinë”.

    Duke folur për programin Expose të Radios Evropa e Lirë, Shea thotë se është e rëndësishme që palët të angazhohen në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    “Mendoj se nuk është në rregull të flitet për kërcënime ushtarake. Unë nuk shoh ndonjë tension të veçantë në kufi. Serbia nuk i ka shtuar trupat e saj në kufi. KFOR-i e ka rritur po ashtu praninë në veri të Kosovës, pas sulmit të vitit të kaluar në Banjskë. Pra, marrëveshjet e sigurisë janë të qarta. Unë mendoj se duhet të ndalojmë së foluri për kërcënime dhe të kthehemi në tryezën e bisedimeve”, thotë Shea.

    Marko Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, vlerëson po ashtu se situata e sigurisë në Kosovë është stabile. Sipas tij, sulmi në Banjskë ka qenë “zile zgjimi” për rrezikun që mund t’i kanoset veriut të Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

    Për rrjedhojë, thotë Prelec, është rritur edhe bashkëpunimi mes KFOR-it, por edhe SHBA-së dhe Britanisë me Kosovën, për të gjurmuar dhe parandaluar aktivitetet ushtarake.

    “Ky lloj i deklaratave [të Kurtit] duhet të merret si përpjekje për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe për të fituar simpatinë ndërkombëtare. Shumica e aleatëve perëndimorë janë të shqetësuar me Rusinë. Dhe për Kurtin, çfarëdo që mund të bëjë për t’u rreshtuar me Perëndimin dhe për ta nxjerrë Serbinë si proruse, duket se ka kuptim”, thotë Prelec.

    Rusia e mbështet fuqishëm Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ndërsa edhe vetë e konsideron si “gabim”. Ajo shpesh akuzohet për aktivitete që ndikojnë gjeopolitikën në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor.

    Jeta Loshaj, hulumtuese në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se Kosova nuk është imune ndaj ndikimit rus.

    Sipas saj, Rusia, përmes propagandës, lajmeve të rreme, mbështetjes për figura të caktuara qoftë në Serbi, apo në Republikën Sërpska, arrin të depërtojë në Kosovë, në një mënyrë ose tjetër.

    “Frika për eskalimin e situatës është rritur në tre vjetët e fundit, për dy arsye. E para është lufta e plotë që ka nisur Rusia në Ukrainë në shkurt të vitit 2022 dhe e dyta ka të bëjë me aktin terrorist në Banjskë, vitin e kaluar”.

    “Kur e dimë që zëvendëskryeministri i Serbisë [Aleksandar] Vulin takohet me [presidentin rus, Vladimir] Putin dhe me udhëheqësit e tjerë të Federatës Ruse dhe i dimë edhe aspiratat ekspancioniste dhe hegjemoniste të Serbisë në Kosovë, atëherë frika për eskalim sigurisht se ekziston”, thotë Loshaj.

    Ish-zyrtari i NATO-s, Shea, pranon se Rusia luan rol negativ në rajon, sidomos përmes dezinformimit. Sipas tij, Rusia i shfrytëzon tensionet, andaj mënyra më e mirë për të reduktuar ndikimin e saj, është ulja e tensioneve, duke i zbatuar marrëveshjet që Kosova dhe Serbia kanë arritur në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

    Planin e Serbisë për të rikthyer shërbimin e detyrueshëm ushtarak, e që ka shkaktuar habinë e disave, Shea nuk e sheh si diçka që do t’i rriste kërcënimet në rajonin e Ballkanit, ku tensionet mbeten të larta që nga shpërbërja e përgjakshme e ish-Jugosllavisë në vitet 1990.

    “Rekrutët do të shërbejnë vetëm për 75 ditë. Kjo nuk është kohë e mjaftueshme për t’u dhënë atyre ndonjë trajnim serioz ushtarak. Duket se ky rekrutim është më shumë pasojë e pamundësisë për të rekrutuar ushtarë profesionistë në Serbi”.

    “Rreth 12.000 ushtarë profesionistë serbë janë larguar nga forcat e armatosura gjatë dekadave të fundit, për shkak të pagave të dobëta, kushteve të këqija, pajisjeve të dobëta e të tjera. Pra, duket më shumë si përpjekje për të kompensuar rënien e numrit të profesionistëve”, thotë Shea.

    Serbia e ka hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak në vitin 2011, por Vuçiq ka miratuar rikthimin e tij më 14 shtator. Kroacia fqinje ka njoftuar, po ashtu, se nisur nga 1 janari i vitit 2025 do ta rikthejë shërbimin e detyrueshëm ushtarak me një kohëzgjatje prej dy muajsh.

    Prelec, nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave, thotë se qëllim i tyre, mesa duket, është të paraqesin imazhin e një mbrojtjeje të fortë kombëtare.

    Por, përderisa NATO-ja është aq e pranishme në rajon, është vështirë të imagjinohet ndonjë konflikt i drejtpërdrejtë, sipas tij. Megjithatë, shton se gjërat mund të bëhen më të komplikuara në një afat më të gjatë.

    Për të shmangur rrezikun e tillë, Loshaj, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, thotë se përpjekjet e Kosovës dhe të aleatëve të saj perëndimorë duhet të bashkërendohen.

    Së paku, BE-ja ia ka bërë të qartë edhe Kosovës, edhe Serbisë se integrimi që synojnë në këtë organizatë, varet nga normalizimi i marrëdhënieve. Por, derisa tensionet mes tyre ziejnë, përparimi duket si një ëndërr e largët.

    Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 30 gusht se shoqëritë në këto dy vende nuk janë ende gati për normalizimin.

    E, me fjalët e Jamie Sheas, “gjërat mund të lëvizin vetëm me mega-presion ndërkombëtar. Ballkani Perëndimor nuk ka dinamikë autonome”.

  • Hoxhaj: Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, përjetësisht figura emblematike të luftës sonë çlirimtare

    Hoxhaj: Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, përjetësisht figura emblematike të luftës sonë çlirimtare

    Deputeti i PDK-së Enver Hoxhaj ka bërë sot homazhe bashkë me bashkëpartiakët te varret e Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, në përvjetorin e 26 të rënies së tyre.

    Nënkryetari i Kuvendit, Enver Hoxhaj, përmes rrjetit social Facebook, ka shkruar se Xhevë dhe Fehmi Lladrovci do të mbeten përjetësisht figura emblematike të luftës sonë çlirimtare.

    Tutje, ai ka shpërndarë disa fotografi nga homazhet.

    “Xhevë dhe Fehmi Lladrovci do të mbeten përjetësisht figura emblematike të luftës sonë çlirimtare. Sot, ishim për homazhe te varret, për t’i kujtuar dhe nderuar çdo ditë për përkushtimin për lirinë e Kosovës, për të cilën sakrifikuan edhe jetën.”, ka shkruar Hoxhaj.