ATV

Category: Lajme

  • Në Shqipëri vitin e kaluar u nxorën gati 900 mijë tonë naftë

    Në Shqipëri vitin e kaluar u nxorën gati 900 mijë tonë naftë

    Në vitin 2023 në Shqipëri u nxor një sasi goxha e madhe e naftës.

    Sipas të dhënave kjo sasi sillet rreth 900 mijë tonë, apo saktësisht 891 mijë tonë.

    Kjo sasi, do të ishte e mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat në Shqipëri, shkruan A2 Cnn.

    Por, këtu duket se ka një problem.

    Nafta ka shkuar për eksport, pasi që atje nuk ka rafineri.

    E për këtë shkak duket se qytetarët atje, po përballen me çmime të larta të naftës.

  • Gërvalla bën homazhe tek varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York: Zbardhja e këtij krimi, plagë e hapur

    Gërvalla bën homazhe tek varrezat e vëllezërve Bytyqi në New York: Zbardhja e këtij krimi, plagë e hapur

    Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka bërë homazhe tek varrezat e vëllezëve Bytyqi në New York.

    Me këtë rast, ajo tha se vëllezërit Bytyqi janë dëshmi e fuqishme dhe kujtesë e përhershme e kontributit të pashembullt të mërgatës sonë për çlirimin e Kosovës dhe e krimeve të pandëshkuara të Serbisë.

    “Bashkë me Kryeministrin Kurti, nderuam sakrificën e jashtëzakonshme të vëllezërve Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi, shtetas amerikanë dhe djem të Kosovës që dhanë jetën për lirinë e Kosovës”, tha ajo.

    Kryediplomatja kosovare theksoi se “25 vite kanë kaluar por zbardhja e këtij krimi dhe dhënia e dënimit të merituar për përgjegjësit mbetet një plagë e hapur për Kosovën dhe Amerikën”.

  • Vuçeviq: Serbia nuk duhet të pranojë që Banjska përcaktohet nga mënyra se si Kosova e sheh ngjarjen

    Vuçeviq: Serbia nuk duhet të pranojë që Banjska përcaktohet nga mënyra se si Kosova e sheh ngjarjen

    Kryeministri serb Millosh Vuçeviq ka thënë se Serbia nuk duhet të pranojë që agresioni që ndodhi në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023 të përcaktohet, sipas tij, nga forma si e sheh Kosova.

    Vuçeviq tha se Banjska nuk duhej të ndodhte, por Serbia nuk duhet të pranojë “narrativën se Banjska përcaktohet nga mënyra se si e sheh Kosova atë ngjarje”.

    Ai shtoi se Banjska nuk ndodhi vetvetiu, por ishte një reagim ndaj siç pretendon ai “një sërë lëvizjesh të qeverisë së Kosovës, nga arrestimet deri te plagosja dhe rrahja e serbëve”.

    “Nuk ishte koha kur në Kosovë lulëzonin demokracia dhe të drejtat e njeriut dhe të pakicave, kështu që dikush përtaci dhe bëri atë që ndodhi në Banjskë”, tha Vuçeviq.

    Ai shtoi se autoritetet kosovare “nuk lejojnë që familjet e serbëve të vrarë në Banjkë të shënojnë vendin ku janë vrarë”.

  • Për Banjskën, Serbia injoron “elefantin në dhomë”

    Për Banjskën, Serbia injoron “elefantin në dhomë”

    Kur një grup i armatosur serbësh sulmoi policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, bëri fajtor kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

    Në sulmin e 24 shtatorit, 2023, u vra polici kosovar, Afrim Bunjaku, ndërsa në shkëmbimin e zjarrit që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Vuçiq tha atëkohë se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”, dhe mohoi se Serbia kishte gisht.

    “Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është i vetmi që do konflikt dhe luftë. Askush tjetër nuk do konflikt dhe luftë përveç Albin Kurtit. Dëshirë e tij jetësore është të na fusë në luftë me NATO-n dhe ai dëshirë tjetër nuk ka”, tha Vuçiq në ditën e sulmit.

    Kurti, i cili e ka bërë kontrollin e zonave me shumicë serbe të Kosovës element kyç të politikës së tij, fajësoi udhëheqjen shtetërore të Serbisë, duke thënë se sulmi është organizuar me mbështetjen e saj.

    Vuçiq u zotua se Serbia do t’i hetojë të dyshuarit, ashtu si edhe origjinën e armëve që policia e Kosovës konfiskoi pas sulmit.

    Një vit pas, Prokuroria e Lartë Publike në Beograd thotë se hetimet janë duke vazhduar; nuk ka ndonjë aktakuzë të ngritur dhe biznesmeni serb nga Kosova, Millan Radoiçiq, i cili e mori përgjegjësinë për sulmin, besohet se është i lirë në Serbi.

    Maja Bjellosh, hulumtuese në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë për programin Expose të Radios Evropa e Lirë se, pavarësisht peshës që ka sulmi, autoritetet në Serbi “nuk duan që të zbulohen e vërteta dhe përgjegjësia”.

    Sipas saj, publiku në Serbi e di se Radoiçiq është i afërt me pushtetin. Ai është parë në disa takime të Vuçiqit me përfaqësues të serbëve nga Kosova, ndërsa kompanitë e tij janë angazhuar në projekte të ndryshme infrastrukturore në Serbi.

    “Nëse Radoiçiq nuk akuzohet dhe hetimet për Banjskën nuk përparojnë, atëherë mund të themi se ai, në njëfarë mënyre, gëzon mbrojtje nga shteti. Në momentin kur Radoiçiq dhe bashkëpunëtorët e tij të gjykohen, kur pronat t’i konfiskohen, kur të ketë distancë të qartë mes pushtetit dhe punëve që bën Radoiçiq, atëherë mund të themi se ka vërtet ndryshim të politikës”, thotë Bjellosh.

    Me mbulim minimal nga mediat në Serbi, Bjellosh thotë se Banjska në këtë vend është harruar “brenda muajit”, ndaj nuk ka pasur ndonjë reagim të qytetarëve në lidhje me politikën e Serbisë.

    “Mediat e pavarura, që kanë raportuar më gjerësisht për Banjskën, nuk kanë ndikim apo depërtim të madh te popullata. Kontrollimi i mediave nga pushteti ka bërë që kjo ngjarje të shtypet dhe të mos flitet për të – të mos flitet sidomos për ata që kanë qenë të përfshirë në sulm, e as për përfshirjen e mundshme të shtetit”, thotë Bjellosh.

    Këtë mendim ndan edhe Aleksandar Popov nga Qendra për Rajonizim në Serbi. Sipas tij, është taktikë e presidentit të Serbisë që incidentet e tilla t’i errësojë me kriza të reja.

    “Banjska, për një muaj, është harruar. Vuçiq ndjek logjikën e Millosheviqit: ‘kur ke një problem, atëherë krijo një problem më të madh, në mënyrë që ai i vjetri të harrohet’”, thotë Popov.

    Të dy analistët thonë se në anën tjetër të medaljes është Perëndimi. I shqetësuar për ndikimin e Rusisë dhe të Kinës në Serbi, Perëndimi toleron shumë veprime të Vuçiqit dhe është më i interesuar për stabilitet strategjik sesa për përgjegjësi strikte.

    Për të argumentuar këtë qëndrim, ata përmendin “mosreagimin” e diplomatëve perëndimorë ndaj një sulmi të personave të maskuar kundër studentëve të Fakultetit Filozofik në Novi Sad – më 23 shtator – ku dyshohet të jenë infiltruar edhe njerëz të partisë së Vuçiqit.

    “Perëndimi, në vend se ta ndëshkojë Serbinë, mesa duket po e përkëdhel dhe ka harruar që Serbia nuk i ka vënë sanksione Rusisë. Perëndimit fare nuk i intereson se si është sundimi i ligjit në Serbi, si janë raportet e pushtetit me mediat e shumë gjëra të tjera”, thotë Popov.

    Një vit pas sulmit në Banjskë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i përsëritën thirrjet e tyre që të gjithë të përfshirët në këtë ngjarje, të mbahen përgjegjës. BE-ja tha se pret nga Serbia që t’i ndërmarrë hapat e nevojshëm, për t’u siguruar që të dyshuarit japin llogari.

    Më pak se një javë para përvjetorit të parë të sulmit, SHBA-ja dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për bashkëpunim në fushën e energjisë. Paraprakisht, Serbia bëri marrëveshje me BE-në për mihjen e litiumit dhe me Francën për blerjen e avionëve luftarakë, Rafale.

    Popov thotë se Vuçiq e kupton fuqinë që zotëron Perëndimi. Retorika e tij mund të shërbejë për të nxitur mbështetjen e brendshme, por janë marrëdhëniet e tij me fuqitë perëndimore ato që e diktojnë stabilitetin e administratës së tij.

    Bjellosh pajtohet. Thotë se Vuciq, aktualisht, ka një qasje të kujdesshme ndaj Kosovës, sepse e kupton ekuilibrin që i kërkohet, për të ruajtur pozicionin e tij politik.

    “Mendoj se atij nuk i intereson të bëjë ndonjë veprim të njëanshëm që do të çonte në përshkallëzim të situatës në veri të Kosovës, sepse një gjë e tillë do të rrezikonte jo vetëm pozicionin e tij politik, por edhe mbështetjen që ka nga udhëheqësit perëndimorë, si dhe marrëveshjet me Perëndimin për litiumin, për dërgesat e armëve në Ukrainë e në Izrael, si dhe për disa projekte infrastrukturore që janë në përgatitje e sipër. Andaj, nuk pres që në të ardhmen e afërt, Vuçiq të ketë interes për të provokuar apo për të nxitur ndonjë incident të sigurisë”, thotë Bjellosh.

    Ajo që duket qartë, është se sulmi i ka rënduar edhe më tej marrëdhëniet e acaruara mes Kosovës dhe Serbisë.

    James Ker-Lindsay, profesor në Shkollën Ekonomike të Londrës, thotë se situata është e mbushur me konfuzion, pasi informacionet e disponueshme janë të kufizuara dhe të bazuara kryesisht në akuza dhe kundërakuza.

    “Është e sigurt të thuhet se e gjithë situata i ka radikalizuar edhe më tej marrëdhëniet midis Beogradit dhe Prishtinës. Ato janë përkeqësuar vazhdimisht viteve të fundit, por tani kanë prekur një nivel edhe më të ulët dhe tensionet janë shumë më të larta se përpara. Në këtë aspekt mendoj se sulmi në Banjskë ka pasur një ndikim shumë serioz dhe potencialisht afatgjatë në përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës”, thotë Ker-Lindsay.

    Në Kosovë, Prokuroria Speciale ka ngritur tashmë një aktakuzë për rastin e sulmit në Bansjkë, në të cilën ka implikuar 45 persona. Aty përmendet edhe Radoiçiqi, i cili përshkruhet si “udhëheqës i grupit terrorist që ka tentuar ta aneksojë veriun e Kosovës dhe t’ia bashkojë Serbisë”, por nuk përmendet përfshirja e Serbisë.

    Për rrjedhojë, ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, e ka cilësuar aktakuzën si të paplotë. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë këtë javë, ai ka thënë se ka dëshmi për përfshirjen e së paku komandantëve të lartë ushtarakë serbë.

    “Kemi dëshmi të padiskutueshme se ky grup terrorist ka mbajtur ushtrime ushtarake në Pasulanske Livade, që është një kazermë zyrtare e ushtrisë së Serbisë, ku Vuçiq shkon pothuajse çdo muaj dhe mbikëqyr trajnime të ndryshme të pjesëtarëve të njësiteve të ndryshme të ushtrisë apo policisë. E, çuditërisht, në aktakuzë nuk është as komandanti i kësaj kazerme, as zëvendëskomandanti i kazermës, as komandanti i Ushtrisë së Serbisë, e pse jo edhe vetë Vuçiq në qoftë se ka lidhje të drejtpërdrejtë me këtë sulm”, ka thënë Sveçla.

    Në fund, çfarë mund të thuhet një vit pas sulmit? Sipas analistëve, jo shumë. Derisa pushtetarët në Serbi “e injorojnë elefantin në dhomë”, kurse ata në Kosovë e drejtojnë gishtin e fajit andej e këndej, qytetarët e rëndomtë do të vazhdojnë të shikojnë me mosbesim përsëritjen e dramave të njëjta. Paqja do të mbetet larg, derisa udhëheqësit e dy vendeve të mos i zëvendësojnë akuzat e kundër-akuzat me një dialog të sinqertë. /REL/

  • Bajrami për kontratën 15 milionëshe të Sveçlës: As Rusia as Serbia, e as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin e Qeverisë

    Bajrami për kontratën 15 milionëshe të Sveçlës: As Rusia as Serbia, e as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin e Qeverisë

    Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami tha se Qeveria nuk po mundet ta fsheh “korrupsionin me tenderat sekret”, duke marrë shkas nga një deklaratë e fundit e ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla se ai nuk ka detaje për një tender 15 milionë euro në dikasterin që ai udhëheq.

    Bajrami thotë se MPB-ja negocioi vetë me kompaninë ‘Infosoft Systems’, të cilës ia dha 5 milionë euro më shumë sesa shuma që diskutohej në procedurë të hapur.

    “As Rusia as Serbia, e as bombat atomike nuk mjaftojnë për ta fshehur korrupsionin me tenderat sekret të kësaj Qeverie”, shkroi Bajrami në një postim në Facebook. “Vetëm në një tender në Ministrinë e Punëve të Bredshme ndrrimi nga procedura e hapur në atë sekrete i kushtoj buxhetit të shtetit 4 milionë e 693 mijë e 266 Euro”.

    “Kjo është historia e tenderit 15 milionësh në Ministrinë e Punëve të Brendhsme për të cilin ministri mbrëmë tha “nuk i di detajet”. Ja detajet minister”, shkroi ajo, duke përshkruar procedurën që tha se është ndjekur.

    Në viti 2017, Bajrami tha se “blerja e licensave të Microsoft-it ishtë bërë me procedurë të hapur, ashtu siç e kërkon Ligji i Prokurimit Publik, kontratë tri vjeçare, në atë kohë tenderin e kishte fituar operatori ekonomik/kompania vendore “Cacttus” që kishte ofruar çmimin me të ulët 9 milionë e 529 mijë e 174 euro”.

    “Në vitin 2020 prapë për blerje të licensave të Micosoft-it përmes një procedure të hapur, tenderin e fiton kompania nga Shqipëria ‘Infosoft Systems’, por kësaj radhe jo çmimi me i ulët sepse në garë kanë qënë edhe dy operatorë me çmim më të ulët se operatori fitues ‘Infosoft Systems’, por sipas Ministrinsë së Punëve të Brendshme ata nuk i kishin plotësuar të gjitha kërkesat e tenderit. Pra në vitin 2020 përmes procedurës së hapur ‘Infosoft Systems’ e furnizon Ministrinë e Punëve të Brendshme me licensa të Microsift-it për tri vite me çmim prej 10 milionë e 295 mijës e 243 euro”, shtoi Bajrami.

    Në vitin 2023, Bajrami tha se Ministria e drejtuar nga Sveçla nuk shpalli më tender por e zgjodhi vetë një kompani për tenderin 15 milionësh.

    “Çka ndodhë në vitin 2023 është se Ministria e Punëve të Brendshme nuk shpallë më tender, duke eleminuar kështu çdo garë mes operatorëve ekonomik dhe kontratën e negocion vetëm me kompaninë ‘Infosoft Systems’, të cilën veçse e kishte brenda nga viti 2020, por tash kjo kontratë për kohën e njëjtë, mallin e njëjtë i kushton buxhetit të Kosovës hiç me pak se 14 milionë e 988 mijë e 509 euro”, shkroi Bajrami.

    Ajo tha se kompania e njëjtë fitoi rreth 5 milionë euro më shumë duke negociuar direkt me Ministrinë.

    “VËMENDJE: E njëjta kompani me procedurë të hapur 10 milionë e 295 mijë e 243 euro, ndërsa me procedurë të mbyllur/kontratë sekrete 14 milionë e 988 mijë e 509 euro, dmth, dallimi është 4 milionë e 693 mijë e 266 Euro”.

    “Ky është korrupsioni që po bëhet me kontrata sekrete. Kjo është aryeja që LDK është kundër kontratave sekrete”, shkroi Bajrami.

    Ajo thotë se Sveçla e ka nënshkruar këtë kontratë dhe se nuk është e vërtetë që ai s’i di detajet e saj.

  • Austria voton në zgjedhjet nacionale, ekstremi i djathtë pritet të fitojë

    Austria voton në zgjedhjet nacionale, ekstremi i djathtë pritet të fitojë

    Vendvotimet janë hapur të dielën për zgjedhjet nacionale në Austri, teksa Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë shpreson që të fitojë për herë të parë, duke shfrytëzuar pakënaqësitë e votuesve për emigracionin, inflacionin, luftën në Ukrainë dhe shqetësime të tjera.

    Herbert Kickl, një ish-ministër i Brendshëm i cili ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, dëshiron të bëhet kancelari i ri i Austrisë, raporton AP.

    Por për ta arritur këtë, atij do t’i duhej një partner koalicioni për të udhëhequr një shumicë në dhomën e ulët të parlamentit. Mirëpo fitorja nuk është e sigurt, pasi sondazhet e fundit tregojnë për një garë të ngushtë.

    Sipas sondazheve, votuesit kanë dhënë mbështetje për Partinë e Lirisë me 27%, për Partinë Konservatore Popullore Austriake të kancelarit Karl Nehammer me 25% dhe socialdemokratët e qendrës së majtë me 21%.

    Megjithatë, Kickl ka arritur një kthesë që nga zgjedhjet e fundit të Austrisë në vitin 2019.

    Në qershor, Partia e Lirisë fitoi ngushtë për herë të parë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian, të cilat gjithashtu ishin në favor për partitë e tjera të ekstremit të djathtë evropian.

    E djathta ekstreme ka prekur zhgënjimin e votuesve për inflacionin e lartë, fushatën ushtarake ruse në Ukrainë dhe pandeminë COVID.

  • Osmani: Kur Biden kërkoi ndihmë për strehimin e refugjatëve afganë, Kosova ishte e para që tha po

    Osmani: Kur Biden kërkoi ndihmë për strehimin e refugjatëve afganë, Kosova ishte e para që tha po

    Presidentja Vjosa Osmani më 24 shtator ka marrë pjesë në Clinton Global Initiative në New York.

    Presidentja Osmani ka folur për ndjenjën dhe përjetimet e një refugjati, duke theksuar se njerëzit e Kosovës e kanë dashur lirinë dhe këtë nuk ka mundur askush t’ua mohojë e ndalojë pa marrë parasysh se sa e gjatë ishte rruga për këtë

    “Të jesh një refugjatë të formon si person, por edhe profesionalisht për të gjithë jetën. Dhe të inspiron në vete për nevojën që t’i shërbesh vendit tënd, njerëzve të tu dhe njerëzimit në botë”, ka theksuar Osmani.

    Ajo ka theksuar se ”e di që jemi shtet i vogël por fuqishëm e besoj se ndikimi i jonë në botë nuk duhet të përkufizohet me madhësinë gjeografike apo vendndodhjen”.

    Osmani ka thënë se Kosova dëshiron t’i ndihmojë të gjithë refugjatët anembanë botës.

    Presidentja, Osmani ka treguar se ishte çështje minutash përgjigjja që i dha presidentit amerikan, Joe Biden, për strehimin e refugjatëve afganë.

    “Kur presidenti Joe Biden kërkoi ndihmën tonë për strehimin e refugjatëve afganë, Kosova ishte vendi i parë të thoshte po. 15 minuta pasi unë e pranova kërkesën u përgjigja pozitivisht sepse ne donim të kthenim prapa, e dimë çfarë do të thotë të mos jesh në gjendje të jetosh në vendin tënd, të detyrohesh me forcë të fluturosh nga vendi yt, dhe të të ndalohet e drejta e njeriut”, ka deklaruar ajo.

    E para e vendit ka thënë se është e njëjta me gjithë mbështetjen “që po japim te Ukraina dhe për refugjatët ane mbanë botës, dhe të jemi të sigurt se ne jemi zëri i zërave. Ne kemi folur në çdo pjesë të botës për njerëzit që kanë nevojë për ndihmë”.

    Osmani gjatë vizitës së saj në SHBA, ka zhvilluar disa takime të rëndësishme.

  • Sveçla tha se s’ka detaje për kontratën 15 milionëshe, Kica-Xhelili: Ky është vetëm një nga 270 milionët e juaj ndër tavolinë

    Sveçla tha se s’ka detaje për kontratën 15 milionëshe, Kica-Xhelili: Ky është vetëm një nga 270 milionët e juaj ndër tavolinë

    Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili ka reaguar ndaj deklaratës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili ky i fundit ka thënë se ‘nuk mund t’i bëjë publike tenderin 15 milionë euro shkaku i Rusisë e Serbisë’.

    Përmes një postimi në Facebook, Kica Xhelili iu është kundërpërgjigjur ministrit duke thënë se pasi që ‘t’ia jepni tenderët dostave të juaj, ato bëhen publike? Ashtu edhe e kemi kuptuar sa të korruptuar jeni’, raporton Ekonomia Online.

    “Kontratën e IT-së që ke vendosur t’ia japësh për 15 milionë një kompanie të dyshuar për korrupsion në Shqipëri, s’e ke fshehur nga Serbia, por nga dhjetëra kompani të IT në Kosovë. E ke FSHEHUR, sepse ke ZGJEDHUR ta rrisësh çmimin nga 9 në 15 milionë, duke i zhvatur 6 milionë”, ka thënë deputetja.

    Sipas saj, kjo është vetëm një nga 270 milionët ndër tavolinë.

  • Punëtorja e një marketi në Prishtinë i raporton 200 euro falsifikuara, arrestohet i dyshuari

    Punëtorja e një marketi në Prishtinë i raporton 200 euro falsifikuara, arrestohet i dyshuari

    Një punëtore në një market në Prishtinë ka raportuar se ka pranuar një kartëmonedhë prej 200 euro të falsifikuara.

    I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.

    “FALSIFIKIM I PARASË- Prishtinë / 28.09.2024-20:45. Një femër kosovare arkëtare në një market, ka raportuar se nga i dyshuari mashkull kosovar ka pranuar një kartëmonedhë prej 200 € që dyshohet të jetë e falsifikuar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje.”

  • Në 24 orët e fundit 10 të arrestuar për armëmbajtje pa leje në Kosovë

    Në 24 orët e fundit 10 të arrestuar për armëmbajtje pa leje në Kosovë

    10 persona janë arrestuar në Kosovë, përgjatë 24 orëve të fundit, për veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’.

    Në shtatë raste të ndryshme janë arrestuar personat e dyshuar, më poshtë gjeni rastet në fjalë:

    “ Rr. Abedin Sogojeva, Fushë Kosovë/ Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi te i njëjti është gjetur në posedim dhe konfiskuar një pistoletë me një karikator me 8 copë fishekë. I dyshuari gjithashtu kishte kanosur me armë ish të dashurën e tij shqiptare shtetase e Shqipërisë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e policisë.

    “Sallabajë, Podujevë / Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovar pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje janë kanosur mes veti. Gjatë kontrollit në shtëpinë e njërit të dyshuar është gjetur një pushkë gjuetie me 5 copë fishekë, ndërsa të i dyshuari tjetër (në xhep) i është gjetur një thikë, të cilat janë konfiskuar. Dy të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, njëri prej tyre është dërguar në mbajtje, ndërsa i dyshuari tjetër është liruar”.

    “Podujevë / Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që gjatë kontrollit në veturën e tij i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 14 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”.

    “Grabovc, Obiliq / Pas disa të shtënave me armë zjarri, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj kosovar dhe gjatë kontrollit te të njëjtit u janë gjetur dhe konfiskuar tri pistoleta me 54 copë fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”.

    “Dumnicë e Poshtme, Podujevë / Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti në rrjetet sociale facebook, kishte postuar armë zjarri. Gjatë kontrollit në shtëpinë tij i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me dy copë fishekë. Pas intervistimit me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

    Bjeshkët e Belegut, Deqan / Policia gjatë patrullimit ka ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në çantën e krahut i është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me 13 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është liruar”.

    Bjeshka e Radushës, Istog / Policia gjatë patrullimit ka ndaluar të dyshuarin mashkull kosovar dhe gjatë kontrollit në automjet i është gjetur dhe konfiskuar një armë me 50 copë fishekë. I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje”.