ATV

Category: Lajme

  • Deputetja Millaku ndan rrugët me LVV-në, aderon në LDK

    Deputetja Millaku ndan rrugët me LVV-në, aderon në LDK

    Deputetja Drita Millaku e cila ishte në radhët e Lëvizjes Vetëvendosje sot ka aderuar në Grupin Paralamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

    Lajmin e ka bërë të ditur kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

    “Drita Millaku, mirë se vjen”, ka shkruar Abdixhiku.

    Deputetja Drita Millaku është mirëpritur nga deputetët e LDK-së në seancën e sotme të jashtëzakonshme.

    Ndërkaq, të pranishëm janë edhe dy deputetët e pavarur, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani.

  • Obama në fushatë për të mbështetur Nënpresidenten Harris

    Obama në fushatë për të mbështetur Nënpresidenten Harris

    Ish-Presidenti Barack Obama foli me tone të zjarrta kundër kandidaturës së ish-Presidentit Donald Trump dhe në favor të Nënpresidentes Kamala Harris të enjten gjatë një tubimi në një kampus universitar në Pitsburg, që synonte të nxiste të rinjtë të marrin pjesë në zgjedhjet e nëntorit.

    Ish-Presidenti Obama dha mbështetje të fortë për zonjën Harris, kur ajo u bë kandidatja zyrtare demokrate, pasi Presidenti Joe Biden u tërhoq në korrik pas një paraqitjeje të dobët në debat përballë ish-Presidentit republikan Donald Trump.

    Ish-Presidenti Obama, mandati i të cilit në Shtëpinë e Bardhë përfundoi në vitin 2017, vazhdon të gëzojë popullaritet në bazën e partisë së tij. Aktiviteti ku ai mori pjesë në Universitetin e Pitsburgut, i mbajtur ndërsa zonja Harris bënte fushatë në Nevada dhe Arizona, është i pari nga disa aktivitete që ai planifikon të bëjë në shtetet e rëndësishme për betejën elektorale në javët e ardhshme.

    “Unë e kuptoj pse njerëzit kërkojnë t’i ndryshojnë gjërat”, tha ish-Presidenti Obama përpara një turme mbështetësish. “Unë i kuptoj njerëzit që ndihen të zhgënjyer, që ndjejnë se mund të bëjmë më shumë. Ajo që nuk mund ta kuptoj është se përse dikush do të mendonte se Donald Trump-i do t’i ndryshojë gjërat në një mënyrë që është e mirë për ju, në Pensilvani”, tha ai.

    Barack Obama nuk është i vetmi ish-president që fushata e zonjës Harris synon ta angazhojë në fushatën elektorale.

    Bill Clinton, gjithashtu një ish-president demokrat për dy mandate dhe ish-guvernator i Arkansasit, do të bëjë ndalesa në Xhorxhia të dielën dhe të hënën përpara se të udhëtojë drejt Karolinës së Veriut për një turne me autobus më vonë gjatë javës, në përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve ruralë.

  • Krasniqi takon emisarin amerikan: Ritheksuam nevojën e Kosovës për bashkërendim me aleatët strategjikë

    Krasniqi takon emisarin amerikan: Ritheksuam nevojën e Kosovës për bashkërendim me aleatët strategjikë

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, bashkë me kandidatin për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza, dhe ish-diplomatja Vlora Çitaku kanë qëndruar në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë për t’u takuar me emisarin amerikan, Aleksander Kasanof.

    Kryetari Krasniqi ka shkruar në Facebook se në takim ka ritheksuar nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në.

    “Në takim ritheksova nevojën e shtetit të Kosovës për bashkërendim të qëndrimeve me aleatët tanë strategjikë, e veçanërisht me SHBA-në. Kosova, si një storie suksesi është rezultat i bashkëpunimit të mirë dhe partneritetit të besueshëm me miqtë e saj”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

  • Abdixhiku takohet me Kasanof: Theksova shqetësimin e LDK-së për raportet e dëmtuara Qeveri-ShBA

    Abdixhiku takohet me Kasanof: Theksova shqetësimin e LDK-së për raportet e dëmtuara Qeveri-ShBA

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, është takuar me zëvendës ndihmës sekretarin e Departamentit Amerikan të Shtetit, Alexander Kasanof.

    Abdixhiku gjatë këtij takimi ka theksuar shqetësimin e LDK-së për raportet e dëmtuara të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë.

    “Kryetari Abdixhiku theksoi shqetësimin e LDK-së për raportin e dëmtuar të Qeverisë së Kosovës me SHBA-të, si dhe me partnerët e tjerë strategjikë politikë dhe të sigurisë. Kryetari Abdixhiku e siguroi z. Kasanof se, me formimin e qeverisë së re, të drejtuar nga LDK-ja, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, riparimi i këtyre raporteve do të jetë çështje e prioritetit më të lartë”, thuhet në postimin e LDK-së.

    Gjatë këtij takimi i pari i LDK-së e njoftoi Kasanof edhe me përgatitjet e zgjedhjeve të 9 shkurtit, përderisa theksoi se partneriteti strategjik me SHBA-të në fushën e ekonomisë, të energjisë dhe të sigurisë është jetik për LDK-në dhe për Kosovën.

  • Haradinaj takohet me Kasanof: Rruga e vetme për të ecur përpara bashkëpunimi me ShBA’në

    Haradinaj takohet me Kasanof: Rruga e vetme për të ecur përpara bashkëpunimi me ShBA’në

    Zëvendës ndihmës Sekretari i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Alexander Kasanof, ka vazhduar sot të takojë edhe partitë opozitare, shkruan Periskopi.

    Takimin e parë e ka zhvilluar me kreun e AAk’së, Ramush Haradinaj.

    Ky i fundit përmes një postimi në ‘Facebook’ u shpreh se rruga e vetme për të ecur pqrpara Kosova është bashkëpunimi me ShBA’të.

    “E vetmja rrugë për të arritur synimet tona si shtet, është bashkëpunimi dhe partneriteti me SHBA-të, si aleati ynë strategjik dhe i përjetshëm.”– ka përfunduar Haradinaj.

  • Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës të KFOR-it

    Mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës të KFOR-it

    Në kampin “Film City” në Prishtinë po mbahet ceremonia e ndërrimit të komandës së KFOR-it.

    Gjeneralmajori i Ushtrisë Turke, Ozkan Ulutash do të ja dorëzojë komandën e KFOR-it gjeneralmajorit të ushtrisë italiane, Enrico Barduani, raporton KosovaPress.

    Në këtë ceremoni të ndërrimit të komandës po merr pjesë presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, ministra e ambasadorë të huajë në Kosovë.

  • Ushtria ruse vazhdon ofensivën e fuqishme në Ukrainën lindore

    Ushtria ruse vazhdon ofensivën e fuqishme në Ukrainën lindore

    Trupat ruse po vazhdojnë ofensivën e tyre të fuqishme në Ukrainën lindore, duke nisur 114 sulme të enjten, tha sot Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës.

    Tridhjetë sulme u kryen vetëm në Lyman, një kryqëzim hekurudhor në rajonin e Donetskut. Fshatrat e fundit në rajonin e Luhanskut që Rusia nuk i ka pushtuar ende i përkasin pjesës së përparme. Moska e shpalli të gjithë rajonin e Luhanskut të aneksuar në vitin 2022.

    Seksionet e Pokrovskut dhe Kurakhivit ishin gjithashtu fokusi i sulmeve. Shifrat e ushtrisë ukrainase nuk mund të verifikohen në detaje, por mundësojnë përfundime për intensitetin e luftimeve.

    Blogu ukrainas “DeepState”, i lidhur me ushtrinë, por jozyrtar, raportoi dje në mbrëmje se katër qytete të vogla në frontin lindor ishin pushtuar nga ushtria ruse.

    “Ndërkohë, numri i të vdekurve në qytetin jugor të Ukrainës, Odesa, u rrit në tetë pas një sulmi me raketa ruse në portin e qytetit”, thanë autoritetet.

    Ukraina ka mbrojtur veten kundër pushtimit rus në shkallë të plotë që nga shkurti i vitit 2022.

  • IPK ka filluar hetim lidhur me incidentin e shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë

    IPK ka filluar hetim lidhur me incidentin e shkrepjes aksidentale të armës së zjarrit në Stacionin Policor Jugu në Prishtinë

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

    Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor.

    “Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK)”, thuhet në njoftim.

    Më tej thuhet se arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar.

    “Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatë.

  • Ekonomia britanike u rrit me 0.2% nga muaji në muaj në gusht

    Ekonomia britanike u rrit me 0.2% nga muaji në muaj në gusht

    Ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar është rritur me 0.2% në gusht në baza mujore, pasi nuk ka shënuar asnjë ndryshim në muajin korrik, zbuloi të premten Zyra për Statistikat Kombëtare (Ons).

    Prodhimi i shërbimeve u rrit me 0.1% në muajin gusht 2024, pas një rritje prej 0.1% në muajin korrik 2024, deklaroi Ons, duke shtuar se prodhimi u rrit me 0.5% në gusht 2024, pas një rënie prej 0.7% në korrik 2024.

    Aktivitetet profesionale, shkencore dhe teknike ishin kontribuesi më i madh pozitiv në rritjen e prodhimit të shërbimeve, sipas Ons.

    Prodhimi i ndërtimit u rrit gjithashtu me 0.4% në gusht 2024, pas një rënie prej 0.4% në korrik 2024.

    “PBB-ja reale vlerësohet të jetë rritur me 0.2% në tre muajt deri në gusht 2024 krahasuar me tre muajt deri në maj 2024”, sipas Ons./AA/

  • Mjekët tregojnë për gjendjen shëndetësore të polices që u plagos aksidentalisht nga kolegu

    Mjekët tregojnë për gjendjen shëndetësore të polices që u plagos aksidentalisht nga kolegu

    Një zyrtare policore sot është plagosur aksidentalisht nga kolegu i saj në vendin e punës.

    Tashmë gjendja e saj është stabile dhe e njëjta është dërguar në Ortopedi, për shkak se copa e gëzhojës së plumbit e ka prekur në këmbë.

    Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, mjeku kujdestar Naser Syla.

    Ndërkaq, Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka bërë të ditur se bëhet fjalë për një incident-shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë.

    Gjithashtu, zyrtari policor që shkaktoi aksidentin është suspenduar.

    “Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.