ATV

Category: Lajme

  • Kurti: Telekomin e nxorëm nga humnera, po e udhëheqim drejt zhvillimit

    Kurti: Telekomin e nxorëm nga humnera, po e udhëheqim drejt zhvillimit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se në Kosovë zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektronike po merr hov të ri. Madje tha se e kanë nxjerrë Telekomin nga humnera përmes mbështetjes me kredi.

    “Në republikën tonë zhvillimi i sektorit të komunikimeve elektronike po merr hov të ri. Në shkallë regjioni Kosova e ka përqindjen më të lartë të shtrirjes së rrjetit dhe shërbimeve të internetit në amvisëri dhe biznese. Duke e mbështetur me kredi operatorin publik e nxorëm nga humnera dhe po e udhëheqim drejt zhvillimit”.

    “Telekomi i Kosovës në partneritet me gjigandët nga Suedia dhe Kroacia po i modernizon shërbimet e telefonisë mobile 4G dhe 5G në tërë vendin tonë. Pothuajse çdo ditë mund të shihni postime nga Telekomi dhe ministria e Ekonomisë në lidhje me modernizimin e shërbimeve të Valës në komunat e vendit tonë anembanë përfshirë komunat veriore si rezultat i investimeve që po bëhen”.

    “Këto investime përveçse po përmirësojnë shërbimet e operatorit tonë publik kanë prodhuar efekte pozitive edhe në sektorin privat, me çrast edhe operatori tjetër po e zgjeron shtrirjen e rrjetit të shërbimeve 5g. Nga kjo konkurrencë që po nxitet nga ndërmarrja publike padyshim që qytetarët dhe bizneset do të përfitojnë në shërbime dhe në oferta. Falë këtyre zhvillimeve, Kosova po integrohet edhe më tej në hartën botërore të shërbimeve të internetit”.

  • Batalioni i KFOR-it e përfundon operacionin në kufi

    Batalioni i KFOR-it e përfundon operacionin në kufi

    KFOR-i, gjegjësisht Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale Perëndimi, e ka kryer një operacion njëditësh në kufi.

    “Ka përfunduar operacioni 24-orësh i bërë nga Batalioni Kinetik i Komandës Rajonale Perëndimi i misionit të udhëhequr nga NATO-ja, KFOR”, thuhet në postimin e KFOR-it në Facebook.

    Ata kanë njoftuar se një togë kroate ka kryer disa aktivitete të patrullimit dhe vëzhgimit përgjatë kufitit.

  • ​Ministri Aliu flet për hetimet në çështjen e ambalazhuesve të ujit

    ​Ministri Aliu flet për hetimet në çështjen e ambalazhuesve të ujit

    Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka thënë se s’ka informacion zyrtar nëse Prokuroria Speciale ka zgjeruar hetimet në lidhje me çështjen e ambalazhuesve të ujit.

    Aliu ritheksoi se ai do të jetë në bashkëpunim me drejtësinë dhe ligjin, derisa u shpreh më i rezervuar për të komentuar rolin e tij për rastin e ambalazhuesit e ujit.

    Këto komente Aliu i bëri pas mbledhjes së qeverisë të mërkurën.

  • Delegacioni i lartë i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington

    Delegacioni i lartë i BQK-së në takimet vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore në Washington

    Një delegacion i lartë i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), i kryesuar nga Guvernatori Ahmet Ismaili, zëvendësguvernatori Milot Cakaj, anëtari jo-ekzekutiv i Bordit Nexhat Kryeziu dhe bashkëpunëtorë të tjerë, po merr pjesë në takimet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), të cilat po mbahen në Washington D.C., SHBA.

    Përfaqësuesit e BQK-së do të zhvillojnë takime me zyrtarë të lartë të FMN-së dhe BB-së, ku do të diskutohet për zhvillimet më të fundit financiare dhe ekonomike, si dhe për pritjet në të ardhmen.

    Sipas njoftimit, gjatë takimeve, që do të zgjasin nga 22 deri më 26 tetor, guvernatori Ismaili do të prezantojë zhvillimet kryesore dhe prioritetet në sektorin financiar, rezultatet nga zbatimi i programeve dhe asistencave teknike profesionale, si dhe nevojat për mbështetje të mëtejshme teknike.

    “Në kuadër të kësaj vizite zyrtare në SHBA, delegacioni i BQK-së do të zhvillojë takime bilaterale me drejtuesit e FMN-së, BB-së, Thesarit Amerikan, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Korporatës Financiare Ndërkombëtare, si dhe me përfaqësues të bankave qendrore të Italisë, Francës dhe guvernatorëve të bankave qendrore partnere”, thuhet në njoftim, transmeton KosovaPress.

    Gjatë kësaj vizite, Guvernatori Ismaili do të nënshkruajë Marrëveshje Mirëkuptimi me Zëvendëspresidentin e BERZH-it, z. Bowman, lidhur me lehtësimin e qasjes në financa për gratë.

    Delegacioni i BQK-së do të marrë pjesë në takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të institucioneve financiare për të forcuar bashkëpunimin në fusha të përbashkëta interesi, duke marrë pjesë në rreth 30 aktivitete dhe takime bilaterale e multilaterale.

    Takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së mbledhin së bashku bankierë qendrorë, ministra të financave dhe zhvillimit, parlamentarë, drejtues të sektorit privat, përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademikë, për të diskutuar çështje me rëndësi globale, si perspektivat ekonomike, lufta kundër varfërisë dhe zhvillimi ekonomik.

  • Kurti i njofton ministrat për procesin e Berlinit e vizitën e Von der Leyen: Do të diskutojmë për planin e zgjerimit të BE-së

    Kurti i njofton ministrat për procesin e Berlinit e vizitën e Von der Leyen: Do të diskutojmë për planin e zgjerimit të BE-së

    Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë të mbajtur të mërkurën, tha se Kosova është angazhuar për 10 vjet që procesi i Berilit të këtë sukses dhe që sipas tij, ky proces ka kulmuar suksesshëm, raporton Ekonomia Online.

    Ai tha se në Berlin kanë nënshkruar një mori marrëveshjes. Kreu i ekzekutivit i ka njoftuar ministra edhe për vizitën e presidentes së KE-së Ursula von der Leyen, me të cilën tha se të diskutojë për planin e zgjerimit të BE-së.

    “Doli të jetë një proces i suksesshëm i cili ka afruar vendet e rajonit me njëra-tjetrën dhe të gjitha së bashku me BE-në. Kemi nënshkruar marrëveshjen e pestë në tri samitet e këtij procesi, ndërkohë paralajmëruam vendimin për t’i dhënë fund pritjes gati dyvjeçare që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime të nënshkruara poashtu në Berlin më 3 nëntor të vitit 2022 duke ua mundësuar kështu qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës që të udhëtojnë me letërnjoftime në drejtim të Kosovës nga 1 janari i vitit të ardhshëm”.

    “Nënshkruam marrëveshjen e re për qasjen në arsimin e lartë dhe pranimin për të studiuar në Ballkanin Perëndimor që e nënshkruam në Berlin më 14 tetor është në vazhdimësi të marrëveshjes për njohjen reciproke të diplomave për institucioncet e arsimit të lartë. Një nxënës që sapo ka përfunduar shkollën e mesme apo një student që dëshiron të vijojë studimet master do ta ketë më të lehtë të fillojë studimet në institucionet publike të arsimit të lartë në njërin nga gjashtë vendet e Ballkanit Pernëdimor. Jemi mbështetës të palëkundur dhe anëtar fort aktiv i Procesit të Berlinit”.

    Të gjitha marrëveshjet e nënshkruara dhe deklaratat e miratuara gjatë samitit të Procesit të Berlinit, shefi i qeverisë i publikoi disa ditë më parë në rrjetin social “X”.

  • Ndërpritet seanca, Ilir Meta debat me prokurorët që e futën në qeli

    Ndërpritet seanca, Ilir Meta debat me prokurorët që e futën në qeli

    Është ndërprerë seanca Gjykatën e Posaçme për Ilir Metën, Monika Kryemadhin dhe dy të tjerët, të cilët do të njiheshin me masën e sigurisë.

    A2 CNN mëson se seanca do të rifillojë në 13:30, ndërsa avokatët kërkojnë të njihen me provat.

    Ilir Meta shkoi rreth orës 09:00 të ditës së sotme drejt Gjykatës së Posaçme për masën e sigurisë. Ai u arrestua ditën e hënë te Kthesa e Kamzës dhe mbi të rëndojnë disa akuza.

    Sipas dëshmitarëve, ndonëse seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura, Meta është dëgjuar të flasë me tone të larta kundrejt prokurorëve dhe gjyqtarëve që firmosën për arrestimin e tij.

    Bëhet me dije se seanca për ish-presidentin është shtyrë për në orën 13.30 pasi avokatët kanë kërkuar kohë të njihen me aktet.

  • Komuna e Prishtinës jep tenderin 6.5 milionësh për ndërtimin e “ishullit urban”, do të lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë

    Komuna e Prishtinës jep tenderin 6.5 milionësh për ndërtimin e “ishullit urban”, do të lidhë Arbërinë me Pallatin e Rinisë

    Komuna e Prishtinës ka dhënë tenderin në vlerë prej mbi 6.5 milionë euro për ndërtimin e “ishullit urban” që do të ndërlidh lagjen Arbëria me Pallatin e Rinisë.

    Sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurorimit Publik, kontratën e ka fituar konsorciumi “N.N.P. EURO CONSTRUCION; EURO ABI SH.P.K; Beni Contruction SH.P.K; Arifaj sh.p.k”.

    Me këtë kontratë parashihen punët e dheut, punët e strukturës, arkitektura dhe ndërtimoi, instalimi i ujësjellësit dhe kanalizimit, instalimet elektrike, instalimet makinerike, elaborate i mbrojtjes nga zjarri, punët e jashtme dhe rregullimi i peisazhit dhe ashensorët. Tek secila prej këtyre punëve, në dosjen e tenderit ka specifikimet se si duhet të kryhen.

    Kohëzgjatja e kontratës është për gjashtë muaj.

    Kontrata është dhënë më 22 tetor, derisa nënshkrimi i saj pritet të bëhet sot.

    “Çdo palë e interesuar mund të bëjë ankesë pranë Autoritetit Kontraktues në bazë të nenit 108/A te ligjit Nr. 04/L-042 për Prokurimin Publik të Republikës se Kosovës, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin Nr. 04/L-237, ligjin Nr. 05/L-068 dhe ligjin Nr. 05/L-092 ne adresën e specifikuar ne Nenin I te këtij Njoftimi për dhënie te kontratës”, thuhet në njoftimin për dhënie të kontratës.

  • Miratohet Projektligji për për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave

    Miratohet Projektligji për për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave

    Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Përmes këtij projektligji u tha se do të bëhet përgatitja më e mirë e strukturave për menaxhimin e emergjencave.

    Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër edhe nismës për lidhjen e marrëveshjes për bashkëpunim me Turqinë, për “shëndetin ushtarak”.

    Krahas këtyre, qeveria mori vendim edhe për themelimin e komitetit drejtues për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit “Skema e profesionistëve të rinj” në kuadër të programeve IPA 2018.

  • Zhduket një burrë në Kaçanik

    Zhduket një burrë në Kaçanik

    Një burrë është raportuar i zhdukur në Kaçanik.

    Sipas raportit policor, viktima ka dalë nga shtëpia më 18 tetor dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij.

    “Më 22.10.2024 është raportuar se viktima mashkull kosovar ka dalur nga shtëpia dhe nuk dihet për vendndodhjen e tij. Rasti në hetime”, thotë policia.

  • ​Kurti e quan të suksesshëm samitin e Procesit të Berlinit

    ​Kurti e quan të suksesshëm samitin e Procesit të Berlinit

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka quajtur të suksesshëm samitin e javës së kaluar të Procesit të Berlinit.

    Kurti para kabinetit qeveritar tha se Procesi i Berlinit po afron vendet e rajonit me njëri-tjetrin.

    Ai përmendi edhe vendimin për heqjen e regjimit të vizave për Bosnjë Hercegovinën nga 1 janari 2025.

    Krahas këtyre, Kurti nënvizoi modernizimin e shërbimeve në Telekom.

    Derisa e quajti lajm të mirë ardhjen e Starlinkut në Kosovë.