ATV

Category: Lajme

  • Dy të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në Prishtinë

    Dy të lënduar nga shpërthimi i bombolës së gazit në një lokal në Prishtinë

    Dy persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një shpërthimi që ka ndodhur brenda një lokali në Prishtinë.

    Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se shpërthimi dyshohet se ka ndodhur nga një bombolë gazi.

    “Rreth orës 23:00 në një lokal në rrugën “Mark Sopi” në Prishtinë, ka ndodhur një shpërthim. Zyrtarët policor kanë reaguar menjëherë pasi ndodheshin në afërsi të vendit të ngjarjes. Bazuar në informacionet e para dyshohet që shpërthimi ka ardhur nga një bombolë gazi. Deri tani bëhet e ditur se dy persona kanë pësuar lëndime”, tha Ahmeti për RTKlive.

    Ajo tha se Policia është në vendngjarje dhe po merret me trajtimin e rrethanave të ngjarjes.

  • Pritjet nëpër pikat kufitare, këto janë të dhënat e fundit

    Pritjet nëpër pikat kufitare, këto janë të dhënat e fundit

    Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar ka përditësuar të dhënat sa i përket pritjeve nëpër pikat kufitare.

    Sipas të dhënave të fundit pritje nuk ka në asnjë pikë kufitare, përpos Dheut të Bardhë ku ka 10 metra kolonë për të hyrë dhe për të dalë nga territori i Kosovës.

  • Kurti uron Krishtlindjen: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje – janë përgjegjësi ndaj çdonjërit

    Kurti uron Krishtlindjen: Kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje – janë përgjegjësi ndaj çdonjërit

    Kryeministri Albin Kurti i ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë për festën e Krishtlindjes.

    “Uroj që Krishtlindja të na e sjellë afër mendjes dhe zemrës se kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje. Ato janë përgjegjësi ndaj çdonjërit që të jetoj me dinjitet”, shkruan Kurti në postimin e tij.

    Urimi i kryeministrit Albin Kurti:

    Urime Krishtlindjen!

    Të dashur besimtarë të krishterë, urime këtë datë të shënuar!

    Uroj që Krishtlindja të na e sjellë afër mendjes dhe zemrës se kujdesi dhe dashuria për tjetrin nuk duhen parë si privilegje. Ato janë përgjegjësi ndaj çdonjërit që të jetoj me dinjitet.

    Krishtlindja është edhe mirënjohje dhe falënderim.

    Andaj këtë festë të Krishtlindjes le të reflektojmë me mirënjohje dhe falënderim, për atë që kemi te njëri-tjetri.

    Për çdo vit kjo periudhë na gjen pranë familjes e miqve me shpresën e pakursyer se e mira te njeriu e te shoqëria nuk pushon së çeluri.

    U bëftë më e mira për të gjithë, e veçanërisht për ata që sakrifikojnë nga vetja për të tjerët!

    Urime Krishtlindja!

  • “Në shtëpi janë të krishterë, jashtë lajmërohen si myslimanë” – Prifti thotë se ka pasur shumë keqkuptime në lidhje me Lëvizjen e Deçanit

    “Në shtëpi janë të krishterë, jashtë lajmërohen si myslimanë” – Prifti thotë se ka pasur shumë keqkuptime në lidhje me Lëvizjen e Deçanit

    Famullitari i Kishës Katolike “Engjëlli i Rojës”, Dom Mikel Sopi, në një intervistë për emisionin COMPASS në ATV, foli për keqkuptimet e krijuara në lidhje me Lëvizjen e Deçanit dhe trajtimin e çështjeve të lirisë fetare në Kosovë.

    Ai tha se këto debate shpesh përçojnë mesazhe të gabuara dhe mund të prekin ndjenjat e komuniteteve të ndryshme.

    “Ka ende qytetarë në Kosovë që jashtë deklarohen si myslimanë, ndërsa brenda familjes janë të krishterë të mbajtur si myslimanë. Kam takuar dhe vazhdoj të takoj persona që janë në këtë situatë të dhimbshme, sepse ndihen të ngujuar mes dy realiteteve”, tha Dom Sopi.

    Duke komentuar debatin mbi Lëvizjen e Deçanit, ai shtoi se nuk ka pasur asnjë lidhje me këtë nismë dhe theksoi se respektimi i vullnetit të lirë është parim i patjetërsueshëm.

    “Personalisht nuk kam asnjë lidhje me këtë lëvizje dhe nuk kam bashkëpunuar me ta. Janë dy gjëra bazë që duhet të respektohen: liria e secilit për ta jetuar fenë e tij dhe mosndërhyrja në bindjet fetare të të tjerëve”, deklaroi ai.

    Dom Sopi kërkoi që të ruhet mirëkuptimi ndërfetar që e ka karakterizuar Kosovën për shekuj dhe të shmangen konfrontimet apo përçarjet mbi bazën e fesë.

    Intervistën e plotë të tij në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Hasani për mos certifikimin e Listës Serbe: Nuk mundesh një populli kushtetues me ia imponu përfaqësimin politik

    Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, në emisionin CONTEXT në ATV, komentoi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e ardhshme.

    Ai vlerësoi se një qasje e tillë përjashtuese dëmton kohezionin social dhe parametrat e shtetësisë së Kosovës.

    “Janë politizuar deri në absurd dhe deri në përmasa që janë përjashtuese, duke e prishur kohezivitetin social dhe për pasojë edhe parametrat themelorë të shtetësisë së Kosovës”, tha Hasani, duke shtuar se këto vendime duhet të bazohen në standarde profesionale dhe jo në kalkulime politike.

    Ai tha se imponimi i përfaqësimit politik për komunitete të caktuara ka një çmim të lartë për shtetin.

    “Nuk mundesh një popull kushtetues, siç është populli serb dhe komunitetet tjera, me ia imponu përfaqësimin politik”, u shpreh ai, duke e quajtur këtë praktikë të papranueshme.

    Vendimi i KQZ-së për moscertifikimin e Listës Serbe ka nxitur reagime të ndryshme, përfshirë kritikën e ambasadës amerikane, e cila e cilësoi vendimin si të motivuar politikisht.

    Intervistën e tij të plotë në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj tregon çka do të ndodhë me dialogun, nëse i fiton zgjedhjet PDK-ja

    Hoxhaj tregon çka do të ndodhë me dialogun, nëse i fiton zgjedhjet PDK-ja

    Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, foli për sfidat e Kosovës në dialogun me Serbinë dhe nevojën për ristrukturim të tij.

    Hoxhaj tha se pas 18 viteve nga shpallja e pavarësisë, Kosova ende përballet me pesë shtete të BE-së që nuk e njohin dhe mungesën e anëtarësimit në NATO, e që sipas tij, është bërë e domosdoshme një qasje të re rreth dialogut.

    “Dialogu duhet të ristrukturohet. Duhet të bisedojmë me partnerët tanë cila është rruga e avancimit të interesit të Kosovës. Dhe unë e shoh si rrugë vendimtare anëtarësimin e Kosovës në NATO”, tha Hoxhaj.

    Ai kritikoi mënyrën se si është menaxhuar dialogu deri tani, duke thënë se marrëveshja e Brukselit, aneksi i Ohrit dhe statuti i Asociacionit nuk përfshijnë fare kontributin e Qeverisë së Kosovës.

    “Në këto tri dokumente s’i ke asnjë fjalë të Qeverisë së Republikës së Kosovës” tha Hoxhaj, duke shtuar se nëse PDK-ja fiton zgjedhjet, do të ndërtojë një qasje të re dhe më të fuqishme në dialogun me Serbinë.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, mund ta ndiqni në videon më poshtë:

  • Hoxhaj: Mosndëshkimi i Serbisë nga Perëndimi po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin

    Hoxhaj: Mosndëshkimi i Serbisë nga Perëndimi po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se dështimi i Perëndimit për ta ndëshkuar Serbinë po krijon një situatë të rrezikshme për rajonin.

    Ai tha se përballja me një Serbi të pandëshkuar dhe një dialog të zbehur politik ka nxjerrë në sipërfaqe diskutime për opsione të tjera.

    “Ti e ke një situatë, që dikush në tavolinë thotë: Opsioni i dialogues i zgjidhjeve politike nuk vlen, tash po flas si ish-ministri i Jashtëm. Ka zgjidhje ushtarake në tavolinë dhe Perëndimi nuk e ndëshkon Serbinë dhe nuk i beson Kryeministrit të Qeverisë së Kosovës për ta ndëshkuar Serbinë. Mendoj që është situatë më serioze sesa ne mund ta mendojmë”, tha Hoxhaj.

    Ai tha se qasja aktuale e perëndimit ndaj Serbisë përbën një rrezik serioz për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, e gjeni në videon më poshtë:

  • ​Pritje për Krishtlindje, imzot Dodë Gjergji përçon mesazh për paqe e dashuri

    ​Pritje për Krishtlindje, imzot Dodë Gjergji përçon mesazh për paqe e dashuri

    Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji përçoi mesazhe paqeje e dashurie në pritjen solemne për festën e Krishtlindjes.

    Ai ka ftuar të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie, të këtij vullneti për paqe për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve.

    “Ne të gjithë së bashku duhet të jemi “tharmi” i cili do të ruaj paqen dhe dashurinë në ditët tona. Po ashtu sikur lutej Shën Franqesku e më vonë Shën Nënë Tereza… Dua të ftoj të gjithë të pagëzuarit që të jenë bartës të kësaj dashurie të këtij vullneti për paqe dhe kësaj urtësie për të ndërtuar harmoni dhe shpresë në mesin e njerëzve. Duhet të duam njëri tjetrin dhe çdo krijesë, ashtu siç na ka dashur Krishti ne. Të sjellim dashuri në kohën tonë e cila është plot urrejtje”, tha Imzot Dodë Gjergji.

    Urimin për festa të Krishtlindjes e bëri edhe e para e vendit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    “Krishtlindja është frymëzim që na kujton të gjithëve se përball sfidave duhet të triumfoj shpresa. Ajo na kujton se duhet t’i vlerësojmë njerëzit në jetën tonë, t’ua shprehim mirënjohjen tonë, familjes që na do pa kursim, miqve që na qëndrojnë pran dhe bashkë-kombësve me të cilët na lidh gjaku, gjuha e shpresa. Magjia e Krishtlindjes na bën që sonte të kthejmë vëmendjen ndaj atyre që na qëndrojnë afër edhe ndaj atyre që janë larg me shërbim. Mbi të gjitha ndaj atyre që sot kanë më shumë nevojë për kujdesin tonë”, tha Osmani.

    Në këtë pritje solemne nuk mungoi as kryeministri i tanishëm i Kosovës, Albin Kurti.

    Ai tha se bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pashpresa.

    “Premtimi i Jezusit, mbush me shpresë, veçanërisht në kohë të vështira. Bija e popullit tonë, Shën Nënë Tereza ishte ajo që e rrezatoi gëzimin edhe në ditët më të pa shpresa e që me veprat e saj na ftoi në dashuri, përgjegjësi e përkujdes ndaj njëri-tjetrit duke na thënë se Krishtlindje nuk është vetëm një datë, është Krishtlindje çdo herë kur i buzëqesh vëllait dhe e merr për dore, është Krishtlindje çdo herë kur nuk i pranon ato parime që i robërojnë të ndrydhurit në skaje të shoqërisë. Është Krishtlindje çdo herë që shpreson me ata që nuk kanë shpresë në varfërinë fizike e shoqërore”, tha ai.

    Krishtlindjen, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxha po e sheh si festë që bashkon të gjithë shqiptarët.

    “Është një ditë e cila i bashkon të gjithë shqiptarët, përtej asaj që kemi fe të ndryshme dhe secili prej nesh e ndjen veten komod, të qoftë a jemi mysliman, të qoftë a jemi të krishter apo besime tjera, Krishtlindjet janë një festë e cila i bashkon shqiptarët që ju takojnë feve dhe besimeve të ndryshme, prandaj edhe unë erdha si nënkryetar i Kuvendit dhe deputet që të jem së bashku me vëllezërit tanë të komunitetit katolik, t’ju dëshirojmë çdo të mirë, njëjtë sikur ata që janë me në për Bajram e për çdo festë”, tha ai.

    Në pritjen solemne të kremtimit të Krishtlindjes, në mesin e të ftuarve u pa edhe Mytfiu i Kosovës, Naim Tërnava.

    Sonte në mesnatë mbahet mesha solemne e Krishtlindjes e udhëhequr nga Imzot Dodë Gjergji, në Katedralen “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë. /kp

  • Viti 2023 me rënie të përgjigjeve nga autoritetet

    Viti 2023 me rënie të përgjigjeve nga autoritetet

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Edhe e 2024-ta ishte vit përplot me sfida për Institucionin e Avokatit të Popullit.

    Por një gjë me të cilën, Naim Qelaj u lavdërua ishte fakti se përgjatë këtij viti është trajtuar numri më i lartë i ankesave të qytetarëve për pretendimet e tyre për shkelje të drejtave të njeriut.

    “Suksesin e mati me trajtimin e rasteve, sidomos me ankesat individuale të qytetarëve, të cilat kemi tentuar t’i trajtojmë në kohë sa më të shpejtë”, tha Qelaj.

    Nga 1.349 ankesa, me gjithsejtë 4.469 qytetarë të përfshirë 532 raste janë hapur për hetime.

    E mbi 400 ankesa të qytetarëve janë bërë në drejtim të institucioneve publike.

    “419 raste ndaj gjykatave, 210 ankesa ndaj komunave, 89 ndaj policisë, 60 ankesa ndaj prokurorive, 42 ndaj ndërmarrjeve publike, natyrisht një ankesë mund të jetë për më shumë se një palë. Përkatësia etnike, kemi 149 ankesa nga shqiptarët, 101 nga komuniteti serb, 22 nga komuniteti ashkali, 20, nga komuniteti boshnjak , 17 nga komuniteti rom, 10 nga komuniteti egjiptian, 7 nga komuniteti goran dhe 13 nga të tjera”, tha zëdhënësi i Avokatit të Popullit, Petrit Çollaku.

    Por në nivel të pakënaqshëm mbetet kthimi i përgjigjeve nga autoritetet publike në pyetjet e Avokatit të Popullit. Po ashtu, ai theksoi se votimi kundër i raportit të vitit 2022 në Kuvendin e Kosovës është cilësuar si cenim i pavarësisë së punës së Institucionit të Avokatit të Popullit. Por edhe mungesa e mbikëqyrjes parlamentare.

    “Mbetet shqetësuese niveli i zbatimit të ligjit dhe mungesa e përgjegjësisë kur ligjet nuk zbatohen. Zbatimi i ligjit për mbrojtjen nga diskriminimi, ne këtë vit kemi dal me një raport të veçantë për zbatimin e këtij ligji dhe aty na del se ligji nuk është duke u zbatuar nga institucionet përgjegjëse të Republikës së Kosovës, është në proces të plotësim ndryshimit si ligj. Neni 6 i ligjit që flet për barazi mes gjinive nuk ka një zbatim të duhur”, tha Qelaj.

    Për vitin 2024, Avokati i Popullit ka nxjerrë 172 rekomandime, prej të cilave vetëm 17 për qind janë zbatuar nga ana e institucioneve publike; rekomandime të pazbatuara janë 8%.

  • Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Hoxhaj: E kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve

    Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se Serbia po kryen akte agresioni ndaj Kosovës, ndërsa Qeveria aktuale nuk gëzon besim ndërkombëtar për t’i adresuar këto sfida.

    Hoxhaj tha se Serbia ka ndërmarrë hapa agresivë, duke përfshirë sulme ndaj infrastrukturës kritike si nw Banjskë dhe së fundmi në Ibër Lepenc.

    “Përderisa Kosova ka negociuar me Serbinë në dialog gjatë ditës, Serbia ka bërë një akt agresioni në Banjskë dhe ka pasur një vendim politik për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës. Kjo është një temë shumë serioze”, tha Hoxhaj.

    Ai kritikoi Qeverinë për mungesë kredibiliteti, duke thënë se kjo po ndikon negativisht në bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë.

    “Ne e kemi një Qeveri e cila nuk është e besueshme para amerikanëve. Nuk ka kredibilitet, nuk i beson kush kësaj Qeverie”, deklaroi Hoxhaj.

    Intervistën e plotë me Enver Hoxhajn në emisionin CONTEXT në ATV, mund ta ndiqni në videon më poshtë: