ATV

Category: Lajme

  • SHBA: Priten reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade

    SHBA: Priten reshjet më të mëdha të dëborës prej një dekade

    Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme në disa pjesë qendrore të Shteteve të Bashkuara të dielën, pasi një stuhi dimërore pritet të sjellë mundësinë e “reshjeve më të mëdha të dëborës prej një dekade” në disa zona.

    Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në pothuajse të gjithë Kansasin, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina.

    Pritej të paktën 20 cm dëborë, pasi Shërbimi Kombëtar i Motit qarkulloi paralajmërime për stuhi dimërore për shtetet Kansas dhe Missouri.

    Paralajmërimi u shtri edhe në New Jersey për të hënën dhe deri në orët e para të së martës.

  • Kufizohet përdorimi i makinës, lëvizja në ditë të caktuara të javës, sipas targave

    Kufizohet përdorimi i makinës, lëvizja në ditë të caktuara të javës, sipas targave

    Në Tiranë mund të ndalohet përdorimi i makinës çdo ditë të javës. Propozimi është hedhur me synimin për të ulur nivelin e ndotjes.

    Me argumentin për të ulur nivelin e ndotjes së ajrit, qarkullimi i lëvizjes me makinë do të kufizohet në kryeqytet.

    Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka hartuar planin, ku propozon që nxjerrja e makinave private në rrugë, të bëhet në ditë të caktuara të javës, për shembull sipas targës së makinës. (foto dokument)

    Kjo masë, e hedhur për konsultim publik, mund të nisë të zbatohet brenda këtij viti, nëse kalon për miratim, ndërsa një praktikë e ngjashme, është vendosur edhe në qytete të mëdhenj në Evropë, SHBA dhe Azi, raporton euronews.al

    Ndërkohë, plani kombëtar për të reduktuar emetimet e gazeve me efekt serë, parashikon edhe masa të tjera siç janë caktimi i taksave të qarkullimit, promovimi i transportit rrugor publik të udhëtarëve apo përmirësimi i cilësisë së rrugëve.

  • Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Parashikimi i motit për javën e ardhshme

    Instituti Hidrometeorologjik njofton se gjatë javës së ardhshme, në Kosovë pritet të jetë kryesisht mot me diell, por s’do të mungojnë as vranësirat e ngricat gjatë mëngjeseve, raporton Ekonomia Online.

    Sipas kë tij instituti temperaturat do të lëvizin nga -6 gradë Celsius deri në 12 gradë Celsius.

    Njoftimi i plotë i IHMK-së:

    E hënë:

    Moti kryesisht me diell dhe vranësira të pakta. Në mëngjes ngrica dhe kushte për mjegull. Temperaturat minimale ndërmjet -6 deri -3°C, ndërsa maksimale 3-7°C. Do të fryjë erë e lehtë nga juglindja.

    E martë:

    Moti me diell dhe vranësira të pakta, më shumë për gjatë relievit malor. Temperaturat minimale ndërmjet -3 deri 1°C, maksimale 6-9°C. Erë e lehtë nga juglindja.

    E mërkurë:

    Moti me diell dhe vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale -2 deri 2,ndërsa maksimalet 7-12°C. Erë nga juglindja me shpejtësi 1-3m/s.

    E enjte:

    Mot I vranë dhe me intervale me diell. Temperaturat minimale -2 deri 2°C, maksimale 8-12°C. Erë nga juglindja me shpejtësi 1-4 m/s.

    E premte:

    Moti me diell dhe vranësira të dendura. Vranësirat parashihen të sjellin riga shiu në vise të ulëta, derisa në viset malore parashihen fjolla bore. Temperaturat minimale 0-3 gradë Celsius,ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 5 -10°C.

  • Tarifë për të hyrë në Nju Jork, republikanët i bëjnë kërkesë Trumpit: Shfuqizo skemën e re

    Tarifë për të hyrë në Nju Jork, republikanët i bëjnë kërkesë Trumpit: Shfuqizo skemën e re

    Skema e parë e tarifës për të parandaluar mbingarkesës nga automjetet në SHBA, ka hyrë në fuqi në Nju Jork.

    Shoferët e makinave do të paguajnë deri në 9 dollarë në ditë, me tarifa të ndryshme për automjetet e tjera.

    Zona e mbingarkesës mbulon një perimetër në jug të Central Park, duke përfshirë vende të njohura si Empire State Building, Times Square dhe distriktin financiar rreth Wall Street.

    Kjo skemë synon të lehtësojë problemet famëkeqe të trafikut në Nju Jork dhe të mbledhë miliarda për rrjetin e transportit publik, por është përballur me rezistencë, përfshirë edhe banorin e famshëm të Nju Jorkut dhe presidenti i sapozgjedhur, Donald Trump.

    Një tarifë për mbingarkesën u promovua për herë të parë nga guvernatorja e shtetit të Nju Jorkut, Kathy Hochul, dy vjet më parë, por u vonua dhe u rishikua pas ankesave nga disa udhëtarë dhe biznese.

    Plani i ri rikthen një skemë që ajo e ndaloi në qershor, duke thënë se kishte “shumë pasoja të paqëllimshme për banorët e Nju Jorkut”.

    Shumica e shoferëve do të paguajnë 9 dollarë një herë në ditë për të hyrë në zonën e mbingarkesës në orët e pikut, dhe 2.25 dollarë në orare të tjera.

    Kamionët e vegjël dhe autobusët jo-udhëtarë do të paguajnë 14.40 dollarë për të hyrë në Manhattan në orët e pikut, ndërsa kamionët e mëdhenj dhe autobusët turistikë do të paguajnë një tarifë prej 21.60 dollarësh.

    Kjo tarifë është pritur me shumë kundërshtime, përfshirë ato nga shoqatat e taksistëve.

    Por zëri më i fortë kundërshtues është ai i Donald Trump, një banor i Nju Jorkut, i cili ka premtuar ta anulojë skemën kur të kthehet në detyrë këtë muaj.

    Republikanët lokalë tashmë i kanë kërkuar të ndërhyjë.

    Kongresmeni Mike Laëler, i cili përfaqëson një distrikt periferik në veri të qytetit të Nju Jorkut, i kërkoi Trump-it në nëntor të angazhohej për “përfundimin e kësaj grabitjeje absurde të tarifës së mbingarkesës njëherë e përgjithmonë”.

    Një gjykatës refuzoi një përpjekje të minutës së fundit të premten nga zyrtarët e shtetit fqinj, New Jersey, për të bllokuar skemën për shkak të ndikimit të saj mjedisor në zonat ngjitur.

    Vitin e kaluar, qyteti i Nju Jorkut u emërua zona urbane më e mbingarkuar në botë për të dytin vit radhazi, sipas INRIX, një firmë analizash të të dhënave të trafikut. TCH

  • Ismaili: Pabarazi në shpërndarjen e fondeve qendrore, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci u anashkalua nga Kurti

    Ismaili: Pabarazi në shpërndarjen e fondeve qendrore, kryetari i Zveçanit, Ilir Peci u anashkalua nga Kurti

    Pabarazia në shpërndarjen e burimeve dhe fondeve të qeverisë qendrore është e papranueshme si praktikë, por ka qenë e pranishme për të gjitha komunat në Kosovë që nuk janë qeverisur nga LVV, ka thënë kandidatja për deputete nga radhët e PDK-së, Besa Ismaili.

    Ajo thekson se kryetari i komunës së Zveçanit, Ilir Peci, ka ekspozuar një situatë të qartë të anashkalimit politik nga pushteti qendror, veçanërisht nga kryeministri Albin Kurti.

    “Ai ka deklaruar se asnjë kërkesë e komunës nuk është plotësuar nga ana e kryeministrit, përfshirë edhe sigurimin për mbrojtje të afërt që ia kishte premtuar personalisht kryeministri Kurti por nuk e kishte realizuar kurrë, ndryshe nga rasti me dy kryetarët nga rradhët e LVV-së në këto komuna. Kujtojmë faktin se ndërtesa e komunës së Zveçanit ishte goditur me granatë dy herë vetëm brenda një jave”, ka shkruar Ismaili duke postuar dhe foto nga vizita e bërë në këtë komunë.

    Kjo sjellje, sipas saj është një shembull i pastër i keqpërdorimit të pushtetit, duke minuar qeverisjen e mirë dhe besimin e qytetarëve.

    “Pabarazia në shpërndarjen e burimeve dhe fondeve të qeverisë qendrore është e papranueshme si praktikë por ka qenë e pranishme për të gjitha komunat në Kosovë që nuk janë qeverisur nga LVV. Por rasti i administratave komunale në veri është kupolla e hipokrizisë së kryeministrit Kurti për shumë arsye.Përzgjedhja e preferencave të kryeministrit në favor të komunave si Leposaviqi, duke lënë pas dore Zveçanin, tregon trajtim preferencial të komunave për arsye politike vetëm të pushtetit së tij, në dëm të unitetin kombëtar dhe barazisë së qytetarëve”, thekson ajo.

  • Kamberi: Kërcënimet e Vuçiqit, sjellje tipike prej autokrati fuqia e të cilit po perëndon

    Kamberi: Kërcënimet e Vuçiqit, sjellje tipike prej autokrati fuqia e të cilit po perëndon

    Kërcënimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë sjellje të zakonshme “të një autokrati fuqia e të cilit po perëndon”, ka thënë sot deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

    Kamberi thekson se Vuçiq dhe pushteti deri tash i pakontrolluar i tij, po përballen me krizën më serioze.

    “Ai po sheh se studentët e rebeluar, nuk e dëgjojnë, se shumë shtresa të shoqërisë po e kërcënojnë me padëgjueshmëri. I gjendur në rrethana të cilat nuk ka hasur deri më tani, ai po shfaq pasiguri deri në atë masë që kërcënon mësimdhënësit se në ‘gjysëmvjetorin e dytë do t’i përjashtojë nga puna’, kërcënon protestuesit me përdorimin e njësitit special ‘Kobra’. Por, gafa e tij më e madhe ishte kërcënimi me të ashtuquajturit ‘lojalistët e SNS’ siç i quan ai, për të cilët thotë se ‘janë mbi 17 mijë’, se ‘tubohen në kishë’, se ‘janë prorus’, që dmth putinistë”, shkruan Kamberi.

    Lojalistët, ashtu siç i ka prezantuar vetë Vuçiq, ai potencon se janë garda e tij pretoriane, të ‘gatshëm për të derdhur gjak që të mos lejojnë ndryshimin e pushtetit’.

    “Kërcënimet janë sjellje tipike të një autokrati fuqia e të cilit po perëndon, por, akoma duke shpresuar në kërcënimet absurde, mendon se do ta ruajë pushtetin e tij”, ka shkruar ai në Facebook.

    Kamberit po ashtu thekson se Vuçiqi, për ta larguar vëmendjen, ka lansuar sulme edhe ndaj Kosovës e Kroacisë, e po ashtu Sarajevës e Podgoricës.

  • 2 metër borë në Mashkullorë, izolohen banorët

    2 metër borë në Mashkullorë, izolohen banorët

    Reshjet e borës gjatë 24 orëve të fundit në zonat malore të juglindjes kanë sjellë probleme në aksin Vithkuq-Shtyllë-Panarit duke izoluar banorët e këtij fshati për 24 orë.

    A2 CNN mëson se në zonën e njohur si Mashkullorë dëbora ka arritur në 2 m lartësi në vende ku ka fryrë erë me dëborë, ndërsa në pjesën tjetër të aksit trashësia është mbi 50 cm.

    Ditën e sotme nga ana e Bashkisë së Korçës ka nisur puna për hapjen e rrugës dhe largimin e dëborës, punë e cila pritet të zgjatë disa ditë për shkak të trashësisë së madhe të saj.

  • KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    KQZ: Shorti për renditjen e subjekteve politike tërhiqet të hënën

    Shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për zgjedhjet e 9 shkurtit do të tërhiqet , nesër (e hënë).

    Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë për EO se shorti për renditjen do të mbahet nesër, duke filluar nga ora 11:00.

    “Ju njoftoj se shorti për renditjen e subjekteve politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, do të mbahet ditën e hënë, më 6 janar 2025, duke filluar prej orës 11:00”, tha ai.

    Sipas Elezit tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim, do të bëhet duke krijuar kushte të barabarta për të gjitha subjektet politike dhe transparencë të plotë.

    Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotim i paraprinë aktiviteteve zgjedhore, siç është miratimi i përmbajtjes së dizajnit dhe fletëvotimit të zgjedhjeve.

    Pasi KQZ të miratojë fletëvotimin e zgjedhjeve, më 9 janar do të fillojë procesi i votimit jashtë Kosovës për votuesit e regjistruar për të votuar përmes postës, ndërkaq më 11 janar subjektet politike do të fillojnë zyrtarisht fushatën zgjedhore.

    Sipas të dhënave të KQZ-së, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës, është: 1 milion e 970 mijë e 944 votues, ndërkaq, numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës, është 104 mijë e 924.

  • Jo vetëm SHBA dhe Britania, qindra fluturime të anuluara pas motit të keq në Gjermani

    Jo vetëm SHBA dhe Britania, qindra fluturime të anuluara pas motit të keq në Gjermani

    Për shkak të motit të keq, me reshje bore dhe shi, 120 nga 1 090 fluturimet e planifikuara sot në aeroportin më të ngarkuar të Gjermanisë, Frankfurt, janë anuluar, tha një zëdhënës i operatorit të aeroportit.

    ”Duke qenë se pistat duhet të pastrohen dhe dukshmëria është zvogëluar, kapaciteti i aeroportit është i kufizuar”, tha ai.

    ”Për më tepër, ngrirja e akullit te avionët po zgjat më shumë për shkak të kushteve të motit”, shtoi ai.

    Zëdhënësi këshilloi pasagjerët të kontrollojnë me kompaninë e tyre ajrore në lidhje me fluturimet e tyre dhe, nëse është e nevojshme, të lejojnë kohë shtesë për udhëtimin në aeroport.

    ”Edhe operacionet në aeroportin e Mynihut janë ndërprerë për shkak të borës dhe akullit”, tha një zëdhënës i aeroportit të dielën në mëngjes.

    Sipas faqes së internetit të aeroportit, disa fluturime që do të niseshin në mëngjes janë anuluar.

    ”Linjat ajrore tashmë kanë marrë vendimin për të anuluar fluturimet mbrëmë si masë paraprake”, tha zëdhënësi.

    ”Aktualisht, njëra pistë është mbajtur e hapur ndërsa tjetra po pastrohet”, shtoi ai.

    ”Ulja e dukshmërisë për shkak të reshjeve të borës ka çuar në intervale më të gjata midis ngritjeve dhe uljeve, ndërsa avionët gjithashtu duhet të ngrihen”, sipas zëdhënësit.

    Fillimisht ishte e paqartë se sa do të zgjasin kufizimet e lidhura me motin.

    Udhëtarëve u është kërkuar të kontaktojnë linjën e tyre ajrore për informacion në lidhje me fluturimet.

  • Përkujtohen 12 viktimat në Mal të Zi, vijon zemërimi qytetar për masakrën

    Përkujtohen 12 viktimat në Mal të Zi, vijon zemërimi qytetar për masakrën

    Një shërbesë përkujtimore është mbajtur në Malin e Zi për 12 viktimat e masakrës që ndodhi ditën e parë të vitit.

    Ceremonia në qytetin Çetinje u ndoq nga familjarë të viktimave si dhe përfaqësues të politikës dhe kishës.

    Masakra ndodhi të mërkurën, kur një person nisi të qëllonte në një bar, duke shkaktuar përveç 12 viktimave edhe 4 të plagosur.

    Autori, i identifikuar si 45-vjeçari Aco Martinović, vdiq pasi qëlloi veten në kokë. Episodi i rëndë, i dyti i këtij lloji në Çetinje, ka shkaktuar zemërim dhe dëshpërim në Malin e Zi.

    Autoritetet kanë nisur shqyrtimin e mënyrave të reja për të kufizuar armët ilegale, me Këshillin e Sigurisë Kombëtare që ka njoftuar marrjen e masave për konfiskimin e armëve të paregjistruara.

    Kryeministri Milojko Spajić deklaroi se edhe poseduesit e armëve të regjistruara do t’i nënshtrohen kontrolleve të reja psikologjike.

    Ai gjithashtu premtoi ndëshkime “drakoniane” për ata që mbajnë armë ilegalisht. Euronews.al