ATV

Category: Lajme

  • Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj dy personave për korrupsion

    Prokuroria e Prizrenit ngre aktakuzë ndaj dy personave për korrupsion

    Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve I.B., dhe Sh.P., për shkak të dyshimit të bazuar mirë që secili veç e veç kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 par. 1 dhe par.2, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), raporton Ekonomia Online.

    Sipas aktakuzës, i pandehuri I.B., nga data 03.10.2022 deri me datë 05.01.2023, në Prizren, në mënyrë të drejtëpërdrejt pranon premtimin për një përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtroj ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që pranon se do të ushtrojë ndikim të padrejtë tek bashkëshortja e tij, M.P., e cila ka qenë anëtare e Komisionit në konkursin e shpallur nga Komuna e Prizrenit – Njësia për Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, të datës 03.10.2022, për vendin e punës sekretare në njërin prej gjimnazeve dhe në njërën prej shkollave fillore në Komunën e Prizrenit, në bazë të të cilit konkurs kishte aplikuar E.P.S., ku i dërgon pyetje nga testi me shkrim, gjithashtu i jep informacion për poentimin maksimal prej 100 pikësh, të dhënë nga bashkëshortja e tij M.P, si anëtare e komisionit, të gjitha këto dhe të tjera komunikime, rezultuan nga komunikimet që i ka zhvilluar i pandehuri, I.B., me të pandehurin Sh.P., në aplikacionet e rrjeteve sociale “Viber” dhe “Whats App”.

    “I pandehuri Sh.P., në mënyrë të drejtëpërdrejtë i premton përfitim personit tjetër – të pandehurit I.B., në atë mënyrë që ky i fundit të ushtroj ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që i pandehuri Sh.P., të pandehurit I.B., i premton se do t’ia kryej një punë këtij të fundit, për ndikimin që do ta bëjë i pandehuri I.B., tek bashkëshortja e tij, M.P, si anëtare e komisionit.Ndërsa i pandehuri, I.B, ia dërgon në telefon të pandehurit Sh.P, kopjen e ftesës me të cilën është ftuar ai si i pandehur lidhur me një çështje penale që zhvillohej pranë Gjykatës Themelore në Prizren”, thuhet në njoftim.

    Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, sipas njoftimit i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur për veprat penale për të cilat akuzohen të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

  • Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Zëvendëssekretari amerikan mbërrin në Kosovë, pritet në takim nga presidentja

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim Zëvendës Sekretarin e Shtetit Amerikan për Menaxhimin dhe Resurset, Richard R. Verma.

    Gjatë ditës së djeshme, Verma ka qëndruar në Shqipëri, në kuadër të vizitës së tij në tri shtete të Ballkanit, Shqipëri, Kosovë dhe Serbi.

    Departamenti Amerikan i Shtetit përmes një komunikate, ditë më parë, ka treguar se cila do të jetë agjenda e diskutimit në Kosovë.

    “Në Kosovë, ai do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve. Ai gjithashtu do të falënderojë Qeverinë e Kosovës për mbështetjen e fuqishme për Ukrainën dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë”, thuhet komunikatën e DASH-it.

  • Mali i Zi lëkundet nga tërmeti

    Mali i Zi lëkundet nga tërmeti

    Një tërmet i magnitudës 3,6 i shkallës Rihter është regjistruar mëngjesin e të premtes në Malin e Zi

    Sipas Qendrës Sizmologjike Europiane-Mesdhetare, epiqendra ka qenë 7 kilometra në veriperëndim të Budvës, 41 km larg Podgoricës.

    Thellësia e tërmetit, që ra saktësisht në orën 9:18, ishte 10 km.

  • Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Shkon në 10 numri i të vdekurve nga zjarret në Los Angeles, një person i arrestuar për zjarrvënie

    Ka shkuar në të paktën dhjetë numri i të vdekurve nga zjarret në natyrë në Los Angeles, ka bërë të ditur ekzaminuesi mjekësor i qytetit të Kalifornisë, raporton BBC.

    Tani për tani janë pesë zjarre ende aktive në zonë: Palisades, Eaton, Kenneth, Hurst dhe Lidia.

    Një burrë është arrestuar nën dyshimin për zjarrvënie. Departamenti i Policisë i Los Angelesit thotë se beson që zjarri Kenneth, më i riu që ka shpërthyer, është nisur në mënyrë të qëllimshme.

    Kryetarja e Los Angleselit, Karen Bass, gjithashtu paralajmëroi për zero tolerancë ndaj plaçkitësve, pasi u raportua se të paktën 20 persona ishin arrestuar.

    Zjarrfikësit kanë thënë se zjarri Kenneth tashmë është frenuar për 35 për qind, ndërsa zjarri Palisades vetëm 6 për qind.

    Erëra më të fuqishme priten të premten dhe javën e ardhshme dhe një mot i tillë mund t’i prekë zjarret në distriktet e Los Angelesit dhe Venturas.

    Presidenti Joe Biden ka njoftuar se qeveria federale do ta mbulojë koston e plotë të masave për t’i “mbrojtur jetën dhe pronën” në jug të Kalifornisë për gjashtë muaj.

  • Kosova nis projektin inovativ për ruajtjen e energjisë me bateri

    Kosova nis projektin inovativ për ruajtjen e energjisë me bateri

    Burim Hashani, zëvendësdrejtor për programet në MCA Kosova, në emisionin COMPASS në ATV, tregoi detaje mbi projektin inovativ për ruajtjen e energjisë në bateri, i cili synon të adresojë sfidat e furnizimit me energji elektrike në Kosovë.

    Hashani tha se ky projekt është pjesë e Programit të Kompaktit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve, që përfshin një investim fillestar prej 232 milionë eurosh.

    “Është ndër projektet më të mëdha në sektorin e energjisë në tri-katër dekadat e fundit, me synim ruajtjen e energjisë elektrike dhe uljen e kostove”, tha Hashani.

    Ai shtoi se bateritë do të instalohen në Istog dhe Ferizaj dhe do të përdoren për optimizimin e energjisë, veçanërisht gjatë periudhave të pikut.

    “Bateria mundëson ruajtjen e energjisë kur kërkesa është e ulët dhe lëshimin e saj gjatë orëve të pikut, duke ulur ndjeshëm kostot”, theksoi Hashani.

    Sipas tij, projekti është në fazën e përgatitjes së tenderit dhe pritet të përfundojë pas dy vitesh.

    “Tenderi pritet të lansohet në qershor ose korrik, dhe pas përgatitjeve, bateritë mund të instalohen deri në dy vitet e ardhshme,” shtoi ai.

    Intervistën e plotë me Burim Hashanin në emisionin COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Mërgimtari thotë se nuk do të votojë në zgjedhjet në Kosovë: S’më takon të vendos për jetën e të tjerëve

    Mërgimtari thotë se nuk do të votojë në zgjedhjet në Kosovë: S’më takon të vendos për jetën e të tjerëve

    Profesori i medias dhe konfliktit, Abit Hoxha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, pasi mendon se nuk i takon të ndikojë në vendime për një vend ku nuk jeton.

    Hoxha shpjegoi se jeton jashtë Kosovës dhe kalon vetëm një ose dy muaj në vend, prandaj nuk ndien se duhet të marrë vendime që ndikojnë në jetën e qytetarëve vendas.

    “Unë personalisht me lejo ta them një mendim se unë nuk votoj. Demonstrativisht nuk votoj, për shkak se mendoj se nuk më takon t’ia ‘rregulloj’ jetën e askujt në Kosovë. Unë jam prej një vendi, i cili ka një shëndetësi të mirë e ka një arsim të mirë, sistem fantastik të arsimimit edhe ka një infrastrukturë më të avancume se Kosova. Unë qëndroj në Kosovë ndoshta një ose dy muaj gjatë vitit dhe mendoj se nuk më takon, por kjo nuk do të thotë se njerëzit nuk kanë të drejtë, nuk do të thotë se nuk e përkrahi dikënd të votojë në Kosovë. Njerëzit që mendojnë se kanë të drejtë, rrjedhimisht kanë të drejtë votojnë përderisa ligjërisht kanë të drejtë”, tha Hoxha.

    Ai theksoi rëndësinë e diasporës në zgjedhje, duke përmendur se pjesëmarrja e tyre mund të jetë vendimtare për kursin politik të vendit.

    “Nëse i përket kësaj, sa janë vendimmarrëse këto votat të diasporës, mendoj se numrat tregojnë vet. Na e kemi një trup elektoral 0.9 milion votues nëse nuk gaboj edhe mund të ketë 10-15 për qind të këtij trupi votues, pa marrë parasysh sa njerëz marrin pjesë në zgjedhje, atëherë kjo mund të jetë vendimtare për këto zgjedhje”, u shpreh Hoxha.

    Intervistën e plotë me Abit Hoxhën në emisionin CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj tregon për herë të parë se a është intervistuar nga Prokuroria e Kosovës në zyrën e tij

    Haradinaj tregon për herë të parë se a është intervistuar nga Prokuroria e Kosovës në zyrën e tij

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se nuk është intervistuar asnjëherë në zyrën e tij nga Prokuroria, duke thënë se, ndryshe nga Albin Kurti, ai gjithmonë i është përgjigjur thirrjeve dhe ka respektuar institucionet e drejtësisë.

    Haradinaj tha se kurrë nuk është thirrur për korrupsion dhe ka respektuar gjithmonë institucionet e drejtësisë.

    “Unë kam shkuar në Polici, Prokurori, dhe Gjykatë për çdo rast ku jam ftuar, por nuk kam pasur asnjëherë rastin ose nderin të thirrem për hajni,” tha Haradinaj.

    Ndërsa thirrjen e Kurtit, Haradinaj e quan si thirrje për ‘hajni’, madje e akuzon kryeministrin për krijimin e një rrjeti të organizuar korrupsioni në Kosovë.

    “Ky është shefi i organizatës kriminale. Me autoritetin e tij ka krijuar lidhje të shkurtra që u mundësojnë njerëzve të vjedhin dhe të mbrohen”, deklaroi Haradinaj.

    Haradinaj kritikoi Kurtin për refuzimin e tij për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale, duke e cilësuar si një përpjekje për të shmangur përgjegjësinë.

    “Kurti nuk shkon në gjykatë sepse e di që është i involvuar në hajni, me energji dhe tema tjera”, shtoi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Kandidatët e AAK-së me histori “problematike”, Haradinaj: Po e respektojmë ligjin, s’kemi bërë asnjë dalje nga rregullat në përzgjedhjen e kandidatëve

    Kandidatët e AAK-së me histori “problematike”, Haradinaj: Po e respektojmë ligjin, s’kemi bërë asnjë dalje nga rregullat në përzgjedhjen e kandidatëve

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, u përgjigj ndaj akuzave për përfshirjen e disa kandidatëve me histori të diskutueshme në listën e partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme.

    Haradinaj tha se partia e tij respekton ligjet e Kosovës dhe se asnjë kandidat nuk është përjashtuar pa një vendim të formës së prerë.

    “Ne po e respektojmë ligjin e Kosovës, asnjë ligj nuk po shkelim. Derisa s’është një vendim i shkallës së prerë, ekziston parimi i prezumimit të pafajësisë”, tha Haradinaj.

    Ai tha rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut dhe të drejtës për kandidim, duke theksuar se ligji garanton këto të drejta.

    “Atë që ia lejon ligji dikujt është keq me ia ndalu dikush tjetër, sepse po e zëmë shpallen pafajshëm. Respektimi i të drejtave të njeriut dhe ligjit është i tepër i rëndësishëm”, shtoi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Vetëvendosja ka humbur mbështetjen, tani nuk do të ketë më shumë se 25% të votave

    Haradinaj: Vetëvendosja ka humbur mbështetjen, tani nuk do të ketë më shumë se 25% të votave

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se mbështetja për Lëvizjen Vetëvendosje ka rënë ndjeshëm, duke pretenduar se kjo parti nuk i kalon më 25 për qind të votave.

    Haradinaj akuzoi qeverinë Kurti për mashtrime dhe manipulime në përpjekje për të ruajtur mbështetjen.

    “Tani unë besoj që ka rreth 25 për qind votë ose mbështetje. Nuk i beson më kush këtij, i kanë pa që i la pa rrymë edhe kurbetqarët kur erdhën tash. Nuk i beson më mashtruesit askush”, tha Haradinaj.

    Ai tha se Vetëvendosje po organizon tubime me pjesëmarrje të dobët.

    “Ky po shkon nëpër tubime e po i çon nga 40 automjete të Qeverisë e të Parlamentit për me mbush gjysmën e sallës, e as gjysmën nuk po ia mbushin njerëzit e vendit,” deklaroi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Haradinaj: Kurti ka lënë Kosovën pa rrymë, bllokoi projekte të rëndësishme energjetike

    Haradinaj: Kurti ka lënë Kosovën pa rrymë, bllokoi projekte të rëndësishme energjetike

    Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, në emisionin CONTEXT në ATV, akuzoi Kryeministrin Albin Kurti për dështime në sektorin e energjisë, duke e lënë Kosovën pa furnizim të qëndrueshëm dhe duke bllokuar projekte të rëndësishme.

    Haradinaj tha se mungesa e energjisë është pasojë e vendimeve të Kurtit për të penguar ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike.

    “Kurti i ka blloku dy projekte të mëdha energjetike, duke e lënë Kosovën pa kapacitete të qëndrueshme. Për më tepër, ai po kalon në energji të ripërtëritshme që nuk janë të qëndrueshme”, tha Haradinaj.

    Ai shtoi se qeveria Kurti ka penguar investimet në teknologji moderne dhe ka dështuar të sigurojë energji të mjaftueshme për vendin.

    “Nëse do të kishim investuar në një termocentral modern, do të kishim zgjidhur problemin e energjisë dhe do të kishim përmirësuar emetimet e CO2. Por Kurti anuloi projektet, duke marrë në qafë Kosovën”, deklaroi Haradinaj.

    Intervistën e plotë me Ramush Haradinajt në emisionin CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë: