ATV

Category: Lajme

  • Haxhiu: Qeveria ka mbështetur ekipet mbrojtëse në Hagë me 30 milion euro

    Haxhiu: Qeveria ka mbështetur ekipet mbrojtëse në Hagë me 30 milion euro

    Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, duke folur për ankesat që kanë pasur të arrestuarit nga Gjykata Speciale në Hagë, ka thënë se ekipet mbrojtëse janë mbështetur deri tani me 30 milion euro.

    “Sa i përket Gjykatës Speciale, ne e kemi kundërshtuar në Kuvend, e kemi dërguar në Gjykatë Kushtetuese dhe nuk kemi arritur që ta ndalim. Të gjitha deklaratat që sot bëhen mund t’i gjeni në transkriptet e seancës. Akuzat duhet të drejtohen në drejtim të atyre që e kanë votuar, ata po thonë që janë mashtruar”, tha ajo.

    Haxhiu tha se deri tani ekipet mbrojtëse janë mbështetur deri në 30 milion euro.

    “Nuk mjafton vetëm të thuhet që jemi mashtruar, le të kërkojnë falje për gabimin e madhe që e kanë bërë më atë kohë. Deri tani ne kemi mbështetur ekipet mbrojtëse deri në 30 milion euro. Do të vazhdojmë mbështetjen”, tha ajo.

    Ajo ka theksuar se është e rëndësishme që të adresohen ankesat kushdo që i shkel.

    “Është thënë që takimi është lënë në gjysmë, ju e dini që kam vizituar edhe Gucatin, Haradinajn, Selimin, e të tjerët, njëri nga ta ka deklaruar se e kam lëshuar takimin dhe kjo nuk qëndron”, tha Haxhiu.

  • Lyra Osmani emërohet Inspektore e Përgjithshme

    Lyra Osmani emërohet Inspektore e Përgjithshme

    Qeveria ka miratuar propozim-vendimin për emërimin e Lyra Osmanit si Inspektore e Përgjithshme.

    Kryeministri Albin Kurti ka propozuar që kandidatja Lyra Osmani të emërohet Inspektor i Përgjithshëm me mandat 4 vjeçar”.

    “Si kandidatë më të besueshëm pas testimit dhe intervistës janë vlerësuar dy kandidat, Lyra Osmani dhe Bujar Mustafa. Propozoj që kandidatja Lyra Osmani të emërohet Inspektor i Përgjithshëm me mandat 4 vjeçar”.

    Po ashtu, gjatë kësaj mbledhje Avni Kastrati u emërua drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Avni Kastrati zgjidhet drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

  • Kurti: Synojmë stabilizimin sistemin elektroenergjetik dhe uljen e importin e energjisë

    Kurti: Synojmë stabilizimin sistemin elektroenergjetik dhe uljen e importin e energjisë

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë sot se sistemi elektroenergjetik i Kosovës do të stabilizohet, si dhe do të ulet kostoja e importit të energjisë.

    Në konferencën e organizuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjecarit (MCA Kosova), lidhur me procedurat e parakualifikimit për Dizajnimin dhe Ndërtimin e Sistemeve të Mëdha për Ruajtjen e Energjisë përmes Baterive, Kurti premtoi se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese.

    Kurti ka thënë se “Qeveria e ka të qartë se ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton, por sipas tij, ekzekutivi i vendit po sigurohet që të ndërrojë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet e reja në fushën e energjisë”.

    “Është mirë që vitin ta fillojmë me një sukses të këtillë për sektorin e energjisë. Për dekada të tëra, Kosova është përballur me vështirësi. Ne nuk kemi pasur nevojë vetëm për investime, por për një vizion që sjell rezultate që nuk mund të kthehen mbrapa. I kemi vënë vetës synime ambicioze dhe kemi caktuar një vizion sa është i sodit edhe largpamës.

    Ne e kemi të qartë që ndërtimi i kapaciteteve të reja nuk mjafton. Po sigurohemi që të ndërrojmë infrastrukturën e duhur për t’i mbështetur kapacitetet e reja. Po hapim zyrtarisht procesin e parakualifikimit për ndërtimin e sistemeve të ruajtjes së energjisë me bateri, të cilat do t’i vendosim në Ferzaj dhe Istog”, ka potencuar ai.

    Kurti po ashtu ka thënë se do të rritet siguria dhe besueshmëria e furnizimit me energji si për amvisëri, ashtu edhe për biznese.

    “125 megavat të këtij sistemi do të operojnë nën korporatën e energjisë dhe 45 megavat të tjera nën KOST-in, që do të përdoren për balancim të rrjetit. Do të kenë ndikim të menjëhershëm dhe të drejtë. Së pari, do ta stabilizojmë sistemin elektroenergjetik të vendit dhe do ta ulin koston e importit të energjisë; së dyti, do të rrisin sigurinë dhe besueshmërinë e furnizimit me energji si për amvisëri ashtu edhe për biznese; dhe së treti, do të hapim rrugën për integrimin e mëtejshëm të energjisë nga burimet e ripërtritshme si era, uji dhe dielli”, ka deklaruar Kurti.

  • Qeveria miraton rritjen e pensioneve për 20 për qind për kategoritë e luftës

    Qeveria miraton rritjen e pensioneve për 20 për qind për kategoritë e luftës

    Qeveria e ka miratuar të premten rritjen e pensioneve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta e fundit në Kosovë.

    Rritja prej 20 për qind u miratua sot, si rezultat i përditësimit të një aneksi në Ligjin për kategoritë e luftës gjatë një takimi të premten, për ta mundësuar rritjen.

    “Siç patëm njoftuar në tetor, sot, edhe zyrtarisht, do të aprovohet rritja për 20 për qind mbi shumën aktuale për familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave të dhunës seksuale dhe viktimat civile”, tha Kurti.

    Nga kjo rritje do të përfitojnë familjet e dëshmorëve, invalidët, veteranët, pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimat e dhunës seksuale të luftës dhe viktimat civile.

    Për disa kategori ka rritje edhe përtej shkallës prej 20 për qind.

    Kategoritë që përfitojnë rritje mbi 20 për qind, janë familjet e dëshmorëve të UÇK-së që kanë dy dëshmorë ose më tepër, familjet e të zhdukurve të UÇK-së që kanë mbi dy të zhdukur dhe familjet e viktimave civile, tha ai.

  • Avni Kastrati zgjidhet drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

    Avni Kastrati zgjidhet drejtor ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhjen e radhës.

    Në këtë mbledhje është zgjedhur edhe drejtori ekzekutiv i Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

    Në bazë të propozim vendimit nga ana e Qeverisë drejtor është zgjedhur, Avni Kastrati.

    Theksojmë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte emëruar Avni Kastratin ushtrues detyre të drejtorit ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, më 17 nëntor të vitit të kaluar.

  • KOMF-i ua dorëzon kandidatëve për deputetë propozimet për mbrojtjen e fëmijëve, kërkon krijimin e “Grupit të Deputetëve për Fëmijë”

    KOMF-i ua dorëzon kandidatëve për deputetë propozimet për mbrojtjen e fëmijëve, kërkon krijimin e “Grupit të Deputetëve për Fëmijë”

    Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve – KOMF, ka nisur fushatën për të gjetur “Mbrojtës të të drejtave të fëmijëve” në mesin e kandidatëve për deputetë që kandidojnë për zgjedhjet nacionale të 9 Shkurtit 2025.

    KOMF përmes kësaj fushate u bën thirrje kandidatëve për deputetë nga të gjitha subjektet politike t’i bashkohen propozimit të KOMF për krijimin e “Grupit të Deputetëve për Fëmijë” dhe të mbështesin politikat e fokusuara në mirëqenien e fëmijëve.

    “Mirëqenia e çdo fëmije në Kosovë është çështje ndërpartiake dhe duhet të jetë prioritet për Kuvendin. Kuvendi i Republikës së Kosovës duhet të jetë garantuesi kryesor i mundësive më të mira për çdo fëmijë. Prandaj, u bëjmë thirrje kandidatëve për deputetë të bëhen Mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, të nënshkruajnë Deklaratën që angazhohen të mbështesin fëmijët në Kosovë dhe me të cilën do të jenë pjesë e ‘Grupit të Deputetëve për Fëmijë’, pas zgjedhjeve të 9 Shkurtit. Grupi joformal synon të mbledhë deputetë nga parti të ndryshme politike, të cilët ndajnë qëndrimin se politikat për fëmijët dhe familjet duhet të jenë prioritet.

    Me nismën ‘Grupi i Deputetëve për Fëmijë’, ne, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve bëjmë thirrje për konsensus dhe punë konstruktive ndërmjet deputetëve të Kuvendit dhe shoqërisë civile. Ne besojmë se së bashku mund të arrijmë ndryshime pozitive në politikat për fëmijët dhe familjet dhe do të vazhdojmë të punojmë drejt këtij qëllimi”, thuhet në komunikatë.

  • Arrestohen dy burra në Gjakovë, për posedim të narkotikëve

    Arrestohen dy burra në Gjakovë, për posedim të narkotikëve

    Janë arrestuar dy burra mbrëmë në Gjakovë, pasi gjatë kontrollit tek të njëjtit janë gjetur dhe sekuestruar një qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit kokainë, me peshë rreth 44 gram.

    Po ashtu, janë gjetur tre telefona dhe para të gatshme në vlerë rreth 305 euro.

    Pas intervistimit, me vendim të prokurorit  dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për hetime të mëtejshme.

  • Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Osmani pas takimit me zyrtarin amerikan: Kosova dhe ShBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka pritur në takim zëvendëssekretarin amerikan të Shtetit për Menaxhim dhe Resurse, Richard R. Verma.

    Pas takimit, ajo është deklaruar përmes një postimi në Facebook, ku ka bërë të ditur se i është konfirmuar se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me Zv.Sekretarin amerikan Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-të do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik”, ka shkruar ajo.

    Osmani ka potencuar se kjo është “një e arritur e jashtëzakonshme që dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate”.

    “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës dhe mezi pres ta vazhdojmë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës. Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës”, ka shkruar presidentja e vendit.

  • Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia nis hetimet për dy raste të vdekjeve në rajonin e Prishtinës

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë ndërruar jetë dhe se rastet janë cilësuar si “Hetim i vdekjes”.

    Njëri rast ka ndodhur në Prishtinë, ndërsa tjetri në Podujevë.

    Sipas këtij raporti trupat e pajetë me urdhër të prokurorit janë dërguar në IML për obduksion.

    “Prishtinë / 09.01.2025-05:30. Lidhur me rastin në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ndërsa turpi i pajetë i viktimës mashkull kosovar me urdhër të prokurorit është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar”.

    “Podujevë / 09.01.2025-12:30. Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë

  • Trump thotë se po organizojnë një takim me Putinin

    Trump thotë se po organizojnë një takim me Putinin

    Donald Trump ka thënë se po organizohet një takim mes tij dhe presidentit rus, Vladimir Putin. Presidenti i zgjedhur i SHBA-ve nuk dha asnjë afat kohor se kur mund të zhvillohet takimi.

    “Ai dëshiron të takohem dhe ne po e vendosim atë”, tha ai në një fjalim në Florida.

    Agjencia ruse e lajmeve Tass citoi zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov, të ketë thënë se SHBA-të nuk kanë kërkuar ende zyrtarisht një takim.

    Trump ka premtuar të negociojë një fund të luftës në Ukrainë menjëherë pasi të marrë detyrën më 20 janar dhe ka shprehur skepticizëm për mbështetjen ushtarake dhe financiare të SHBA-ve për Kievin.

    “Presidenti Putin dëshiron të takohet. Ai e ka thënë këtë edhe publikisht dhe ne duhet ta mbyllim atë luftë. Kjo është një rrëmujë e përgjakshme”, tha Trump, raporton euronews.al.

    Ai ka emëruar Keith Kellogg, një ish-këshilltar për sigurinë kombëtare dhe gjeneral-lejtnant në pension në ushtrinë amerikane, si të dërguar special në Ukrainë dhe Rusi për administratën e tij të dytë.

    Kellogg i prezantoi idetë e tij se si SHBA-të mund t’i jepnin fund luftës në një punim kërkimor të botuar nga Instituti politik Amerika e Para, një think tank pro-Trump, në prill të vitit të kaluar.

    Ai propozoi që Ukraina duhet të marrë ndihmë të mëtejshme nga SHBA-të vetëm nëse pranon të marrë pjesë në bisedimet e paqes me Moskën.

    Gazeta sugjeroi gjithashtu, megjithatë, se nëse Moska refuzon të marrë pjesë, atëherë SHBA-të duhet të vazhdojnë ndihmën e tyre për Ukrainën.

    Pas fitores së Trumpit në zgjedhjet e nëntorit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se ai besonte se, me Trump si president, lufta do të “mbaronte më shpejt” sesa do të kishte përfunduar ndryshe.

    Ai tha se të dy kishin pasur një “shkëmbim konstruktiv” me telefon, megjithëse nuk tha nëse Trump kishte bërë ndonjë kërkesë në lidhje me bisedimet e mundshme me Rusinë.