ATV

Category: Lajme

  • Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

    Kallas: Evropa duhet të rrisë presionin ndaj Moskës

    Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, tha se Kievi dhe partnerët e tij duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë për ta përmirësuar pozitën e Ukrainës në çfarëdo negociate eventuale për t’i dhënë fund luftës.

    Duke folur më 14 janar Kallas tha se rritja e presionit ekonomik ndaj Moskës dhe izolimi i saj ndërkombëtar janë mënyrat e vetme për të parandaluar mundësinë që Rusia të marrë epërsinë.

    “Nuk duhet t’i nënvlerësojmë aftësitë tona dhe t’i mbivlerësojmë ato të rusëve”, tha Kallas. “Rusia nganjëherë duket si një fuqi misterioze që nuk mund të mposhtet. Kjo nuk është e vërtetë. Ne jemi më të fortë si në aspektin ushtarak, ashtu edhe në atë ekonomik. Duhet t’u qasemi gjërave nga një pozicion force”, tha ajo në një intervistë për Radion Evropa e Lirë dhe disa gazeta evropiane.

    Ekonomia ruse ka pësuar disa goditje, si rritjen e normave të interesit mbi 20 për qind, Gazprom-i është detyruar të largojë nga puna 40 për qind të stafit menaxhues të saj, tregu i punës është “në gjendje shumë të keqe” dhe ushtria ruse është detyruar të rekrutojë ushtarëve koreano-veriorë për të luftuar në anën e Moskës, tha ajo.

    “E gjithë kjo tregon se ata nuk janë në një pozicion të mirë”, shtoi ajo.

    Rusia është e bindur se koha është në anën e saj, por Kallas tha se beson se ky pretendim është i gabuar dhe se aleatët perëndimorë të Kievit duhet të rrisin më tej presionin ekonomik.

    “Shohim që rezervat e tyre monetare janë shteruar plotësisht. Ata kanë shumë më pak të ardhura sesa më parë nga shitja e naftës dhe gazit”, tha ajo.

    Bashkimi Evropian do të diskutojë për sanksionet ndërsa përpiqet të vendosë për një pako të 16-të që do të përkojë me përvjetorin e luftës më 24 shkurt, tha një zyrtar i BE-së për Radion Evropa e Lirë. Pakoja do të jetë përmbajtësore, pavarësisht vështirësisë për të gjetur fusha të reja për sanksione, tha zyrtari.

    Fokusi i pakos pritet të jenë masat teknike dhe ato kundër shmangies së sanksioneve. Gjithashtu, diskutimet do të shqyrtojnë kufizimet e importit të aluminit si lëndë e parë, tarifat për produktet bujqësore, përfshirë kimikatet e përdorura në plehra, dhe masa të tjera për të kufizuar atë që quhet flota e errët e cisternave të naftës të Rusisë, sipas zyrtarit.

    Kallas shprehu besimin se Bashkimi Evropian do të mund të ruajë unitetin në politikën për dërgimin e armëve dhe ndihmave të tjera në Ukrainë, pavarësisht rezistencës nga disa qeveri evropiane që janë simpatizuese ndaj Rusisë.

    Ish-kryeministrja e Estonisë tha se Bashkimi Evropian ka ruajtur unitetin pavarësisht “negociatave të vështira” me ato qeveri.

    “Po bëhet gjithnjë e më e vështirë”, pranoi ajo. “Megjithatë, ende besoj se mund të përfaqësojmë një pozicion të bashkuar, sepse vetëm kështu mund të mbetemi të fortë”.

    Sa më e fortë të jetë Ukraina në fushën e betejës, aq më e fortë do të jetë edhe në tryezën e negociatave, tha ajo.

    Kallas gjithashtu komentoi mbi deklaratën e presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump, se ai do ta përfundojë luftën shpejt, duke thënë se bota pret planin e Trumpit.

    Nëse Trump, i cili pritet të inaugurohet më 20 janar, përdor vërtet fuqinë e SHBA-së për të ushtruar presion mbi presidentin rus, Vladimir Putin, që të tërheqë trupat nga Ukraina dhe të ndalojë bombardimin e civilëve dhe infrastrukturës civile, lufta mund të përfundojë në kohë, tha ajo.

    Por, ajo përsëriti qëndrimin e BE-së se nuk duhet të ketë asnjë vendim për Ukrainën pa pëlqimin e Ukrainës, dhe kjo vlen edhe për Evropën.

    “Është e qartë që cilado marrëveshje të arrihet, Evropa duhet të jetë pjesë e saj. Është detyrë e ukrainasve të vendosin se çfarë lloj marrëveshjeje është e pranueshme për ta”, tha ajo.

    Se a dëshiron me të vërtetë Putini paqe është temë tjetër, tha ajo, duke paralajmëruar se një armëpushim do të përdorej nga rusët vetëm për të rigrupuar dhe rimbushur forcat e tyre.

    “Rusët nuk i kanë respektuar kurrë armëpushimet. Prandaj është e rëndësishme për Evropën që paqja të jetë e qëndrueshme dhe e përhershme”, tha ajo.

    Kallas gjithashtu foli për sulmet e fundit ndaj kabllove nënujore në Detin Baltik, duke theksuar se do të ishte një gabim t’i trajtojmë ato ndaras nga sulmet ndaj infrastrukturës kritike evropiane. Incidentet duhet të konsiderohen kolektivisht dhe gjithashtu në kontekstin e sulmeve të ngjashme që ajo tha se Kina ka kryer kundër Tajvanit dhe Koresë së Jugut.

    Kjo tregon nevojën për të zhvilluar më tej ligjin ndërkombëtar detar dhe për të forcuar më tej sanksionet kundër flotës së errët të Rusisë, që ajo përdor për të shmangur sanksionet ndaj eksporteve të saj të naftës, tha Kallas.

  • Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, këto janë pikat e rendit të ditës

    Zgjedhjet e 9 shkurtit, KQZ-ja sot mban mbledhjen e radhës, këto janë pikat e rendit të ditës

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sot do të mbajë mbledhjen e radhës.

    KQZ ka bërë të ditur se mbledhja do të nisë në orën 14:30.

    Mes tjerash, në këtë mbledhje pritet shqyrtimi e miratimi i procedurave të votimit dhe numërimit në vendvotim dhe shqyrtimi dhe miratimi i planit operacional të sigurisë për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës më 09 shkurt 2025.

    Më poshtë gjeni rendin e plotë të ditës:

  • 1 mijë policë pjesë e operacionit për arrestimin e Yoon Suk Yeol – si ndodhi krejt ngjarja?

    1 mijë policë pjesë e operacionit për arrestimin e Yoon Suk Yeol – si ndodhi krejt ngjarja?

    Yoon Suk Yeol është bërë presidenti i parë në detyrë i Koresë së Jugut që është arrestuar, duke i dhënë fund një përplasjeje disa javore mes hetuesve dhe sigurimit të tij personal.

    Yoon, përpjekja e dështuar e të cilit për të vendosur ligjin ushtarak e zhyti vendin në trazira, u fajësua nga parlamenti dhe po hetohet për kryengritje.

    Megjithatë, teknikisht ai është ende presidenti i vendit, pasi Gjykata Kushtetuese duhet të vendosë nëse shkarkimi i tij është i vlefshëm.

    Hetuesit arritën të kalojnë barrikadat e ngritura nga personeli i Shërbimit të Sigurisë Presidenciale për të penguar arrestimin e Yoon. Mbi 1000 oficerë ishin pjesë e operacionit, që shënoi përpjekjen e dytë për të ndaluar presidentin pas asaj në 3 janar.

    Më pas, udhëheqësi 64-vjeçar tha se pranoi të paraqitej para Zyrës së Hetimit të Korrupsionit për zyrtarë të lartë për të shmangur gjakderdhjen. Në një video-mesazh tre minutësh, Yoon tha se do të respektojë hetimin kundër tij, edhe pse mohon akuzat.

    Ai vazhdimisht është shprehur se urdhri për arrestimin e tij nuk është ligjërisht i vlefshëm.

    Partia e Fuqisë Popullore të Yoon e cilësoi arrestimin e tij si “të paligjshëm”, duke i përshkruar ngjarjet e së mërkurës si “për keqardhje”.

    Nga ana tjetër, drejtuesja e Partisë Demokratike të opozitës, Park Chan-dae, tha se arrestimi i Yoon tregoi se “drejtësia në Korenë e Jugut është e gjallë”.

    Ky arrestim “është hapi i parë drejt rivendosjes së rendit kushtetues, demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, tha ai gjatë një takimi të partisë.

    Vendi aktualisht drejtohet nga Ministri i Financave Choi Sang-mok si president në detyrë.

  • 26 vjet nga Masakra e Reçakut

    26 vjet nga Masakra e Reçakut

    Kosova shënon sot 26-vjetorin e Masakrës së Reçakut ku më 15 janar 1999, në këtë fshat forcat serbe vranë 45 civilë shqiptarë.

    Me rastin e 26-vjetorit të Masakrës së Reçakut, nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe kryetarit të Shtimes, Qemajl Aliu, organizohen aktivitetet përkujtimore “Ditët e Reçakut”.

    Sot në nivel vendit ora e parë mësimore, i kushtohet  Masakrës së Reçakut, ndërsa në orën 8 e 30 nisin homazhet në Kompleksin Memorial, si dhe në varrezat e dëshmorëve të Shtimes.

    Krerët e shtetit homazhe do të bëjnë në orën 10:00, kurse në 11:00 do të mbahet Akademia përkujtimore. Homazhe do të bëjnë edhe nga partitë opozitare.

    Në orët e pasdites do të ketë aktivitet tjera për të kujtuar Masakrën e Reçakut.

    Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur.

    Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.

  • IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    IPK-ja rekomandon shtimin e personelit policor për Njësinë e trafikut në veri

    Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka publikuar raportin e inspektimit të quajtur “Trajtimi i aksidenteve të trafikut nga Policia e Kosovës”, ku i ka dhënë shtatë rekomandime për Policinë.

    Në raport thuhet se IPK-ja ka kërkuar përmbushje të strukturës policore me personel të mjaftueshëm, përfshirje më të gjerë të personelit në trajnime profesionale dhe të avancuara, pajisjes së njësive me pajisje për regjistrim dhe skanim të të dhënave nga vendi i aksidentit dhe përdorim i programeve të licencuara për skicimin e vendit të aksidentit.

    IPK-ja ka përmendur sigurimin e personelit të mjaftueshëm për Njësinë Rajonale të Trafikut Rrugor në Mitrovicë të Veriut.

    “IPK-ja u rekomandon Shefave të Njësive Rajonale të Trafikut Rrugor dhe Njësisë për Kontrollin e Autostradave që në koordinim me Divizionin e Trajnimeve, të ndërmarrin hapa në drejtim të përfshirjes më të gjerë të personelit në trajnime specifike profesionale dhe të avancuara në fushën e trafikut”, thuhet në mesin e shtatë rekomandimeve.

    IPK-ja gjithashtu ka rekomanduar që shefat e njësive të trafikut dhe mbikëqyrësve të ekipeve të rrisin kontrollin mbi vartësit, “për t’u siguruar se ata hartojnë kallëzime penale cilësore, me informata të mjaftueshme të dala nga trajtimi i aksidenteve”.

  • Milic: Iniciativa jonë qytetare është opozita e vetme ndaj Listës Serbe dhe regjimit në Beograd

    Milic: Iniciativa jonë qytetare është opozita e vetme ndaj Listës Serbe dhe regjimit në Beograd

    Nebojsa Milic nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore”, në emisionin COMPASS në ATV, deklaroi se iniciativa e tij është opozita e vetme ndaj Listës Serbe në veri dhe ndaj regjimit aktual në Beograd.

    Milic tha se iniciativa është e organizuar dhe ka bashkëpunuar me disa parti, por është tërhequr nga negociatat me to për shkak të mungesës së garancive.

    “Kjo iniciativë e jona qytetare është opozita e vetme për Listën Serbe në veri, por edhe opozitë e gjithë regjimit në Beograd. Ne jemi të organizuar dhe kemi bashkëpunim me disa parti, por jemi tërhequr nga negociatat me ato parti. Ne kemi kërkuar garanci të sigurta që të mos tërhiqmi nga ato parti para zgjedhjeve, por kur nuk i morëm këto garanci, dhe u tërhoqëm. Ne jemi duke garuar vetë dhe do të përpiqeni të qëndrojmë e të marrim pjesë e ta përfundojmë këtë proces deri në fund”, tha Milic.

    Ai siguroi se iniciativa e tij do të qëndrojë e përkushtuar për të përfunduar këtë proces deri në fund, duke synuar të sjellë ndryshime në skenën politike.

    Intervistën e plotë me Nebojsa Milicin në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • Milic: Lista Serbe ka krijuar probleme për komunitetin serb, tani është koha për ndryshime

    Milic: Lista Serbe ka krijuar probleme për komunitetin serb, tani është koha për ndryshime

    Nebojsa Milic nga Iniciativa Qytetare “Drejtësia Popullore”, në emisionin COMPASS në ATV, kritikoi Listën Serbe për politikat e saj gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se ato kanë krijuar shumë probleme për komunitetin serb.

    Ai tha se zgjedhjet e ardhshme do të ofrojnë më shumë alternativa politike për qytetarët serbë.

    “Në këto 12 vitet e fundit sa Lista Serbe ishte në pushtet, ishte njëfarë lloji e një partie që ka krijuar shumë probleme, fillimisht për komunitetin serb me politikën që udhëhiqnin. Aktualisht, nëse e shihni në këto zgjedhje, do të ketë më shumë parti dhe shpresoj që njerëzit do ta dallojnë këtë dhe do të kuptojnë, por edhe programin tonë që do ta paraqesim dhe tani është radha për ndryshime sepse duam të krijojmë një shoqëri të besimit, bashkëpunimit dhe barazisë”, tha Milic.

    Sipas tij, vizioni i iniciativës është krijimi i një shoqërie të bazuar në besim, bashkëpunim dhe barazi, duke shmangur konfliktet ndëretnike dhe promovuar jetesën e përbashkët.

    Intervistën e plotë me Nebojsa Milicin në COMPASS e gjeni në videon më poshtë:

  • “LDK-yhi e PDK-yhi”, Mustafa: Tallja e Kurtit me opozitën, pasojë e panikut dhe mungesës së rezultateve

    “LDK-yhi e PDK-yhi”, Mustafa: Tallja e Kurtit me opozitën, pasojë e panikut dhe mungesës së rezultateve

    Kandidati i LDK-së për deputet, Besian Mustafa, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi fjalimin e Kryeministrit Albin Kurti në një tubim në Pejë, ku ky i fundit u tall me opozitën, duke përfshirë LDK-në dhe PDK-në.

    Mustafa tha se retorika e Kurtit është pasojë e panikut dhe mungesës së rezultateve gjatë mandatit të tij.

    “Albin Kurti është në panik të thellë. Ai s’ka çfarë t’u tregojë qytetarëve për punën e bërë në katër vite, sepse nuk ka realizuar as 1% të programit të tij”, deklaroi Mustafa.
    Ai shtoi se tallja e Kryeministrit është një strategji për të shmangur llogaridhënien.

    Gjatë fjalimit të tij në Pejë, Kurti kishte ironizuar opozitën, duke thënë: “LDK-yhi edhe PDK-yhi janë bashkë në koalicion. Kjo më përngjanë asaj mizës që thoshte: ‘Kudo që po shkoj, po më presin me duartrokitje’”, duke shkaktuar të qeshura në sallë.

    Deklaratën e plotë të Besian Mustafës në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Lushaku: Diskursi fyes i kryeministrit Kurti, pasojë e mungesës së rezultateve

    Lushaku: Diskursi fyes i kryeministrit Kurti, pasojë e mungesës së rezultateve

    Kandidatja e LDK-së për deputete, Jehona Lushaku Sadriu, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër diskursin siç e quan ajo fyes të Kryeministrit Albin Kurti, duke thënë se ky diskurs vjen si pasojë të mungesës së rezultateve gjatë mandatit të tij.

    Ajo tha se Kryeministri aktual ka pasur shumicën e nevojshme për të realizuar çdo reformë, por ka dështuar në përmbushjen e premtimeve.

    “Diskursi fyes ndaj opozitës dhe qytetarëve është pasojë e mungesës së rezultateve konkrete. Ai ka pasur mbi 51% mbështetje, por nuk ka arritur të kalojë as ligjet thelbësore në Kuvend”, tha Lushaku Sadriu.

    Ajo shtoi se qeverisja e Kurtit ka krijuar zhgënjim te qytetarët për shkak të mosrealizimit të premtimeve të bëra.

    Deklaratën e plotë të Jehona Lushaku Sadriut në CONTEXT e gjeni në videon më poshtë:

  • Uashington, masa të rrepta sigurie për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Trump

    Uashington, masa të rrepta sigurie për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Trump

    Me dyzet e tetë kilometra gardhe të përkohshme, 25,000 oficerë policie dhe postblloqe sigurie të vendosura për të kontrolluar qindra mijëra spektatorë, Uashingtoni është bërë gati për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur, Donald Trump javën e ardhshme.

    Ceremonia e betimit në shkallët e Kapitolit dhe parada deri tek Shtëpia e Bardhë do të zhvillohen të hënën, pas një fundjave me protesta nga kundërshtarët e zotit Trump dhe tubime festive të përkrahësve të presidentit republikan.

    Inaugurimi vjen pas një fushate zgjedhore gjatë të cilës ndodhën dy përpjekje për atentat ndaj zotit Trump, përfshirë njërin, kur plumbi i preku shkarazi veshin, duke i shkaktuar një plagë të lehtë, si dhe pas sulmeve të natës së Vitit të Ri në disa qytete. Në një nga këto sulme, 14 persona u vranë dhe dhjetra u plagosën kur një veteran i ushtrisë amerikane goditi me makinë turmën që po festonte për Vitin e Ri në Nju Orlins. Po të njëjtën ditë, një ushtar amerikan hodhi në erë makinën Tesla Cybertruck para hotelit që mban emrin e Trumpit në Las Vegas, duke vrarë veten, përcjell RTSH, transmeton KosovaPress.

    “Po operojmë në një mjedis me kërcënime të shtuara”, deklaroi të hënën agjenti përgjegjës nga Shërbimi Sekret amerikan.

    Ceremonia e inaugurimit, kur zoti Trump bën zyrtarisht betimin para ligjvënësve të Kongresit, anëtarëve të Gjykatës së Lartë, zyrtarëve të administratës së re dhe dhjetëra mijëra të pranishmëve, bëhet në shkallët e Kapitolit, përballë Monumentit të Uashingtonit.

    Ky është vend i njëjtë ku, më 6 janar të vitit 2021, mijëra përkrahës së zotit Trump thyen xhamat, u përplasën me policinë dhe i detyruan ligjvënësit të kërkojnë strehim, ndërsa synonin të përmbysnin humbjen e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2020 ndaj Presidentit demokrat Joe Biden.

    Rivalja e zotit Trump në zgjedhjet e vitit 2024, Nënpresidentja Kamala Harris, e pranoi humbjen në zgjedhjet e 5 nëntorit, ndryshe nga zoti Trump, i cili vazhdon të bëjë pretendime të rreme se humbja e tij erdhi si rezultat i mashtrimit.

    Frika nga sulmuesit që veprojnë vetëm

    Zyrtarët e sigurisë thonë se nuk janë të vetëdijshëm për ndonjë kërcënim specifik ndaj ceremonisë së inaugurimit. Ata janë të shqetësuar për sulmuesit që veprojnë vetëm, siç ishte rasti me autorin e sulmit në Nju Orlins, apo në dy incidentet e javës së kaluar. Në njërin incident, një person u arrestua ndërsa u përpoq të hynte në Kapitol me një thikë të madhe. Në incidentin tjetër, një person tjetër u përpoq të ndizte një zjarr në afërsi të Kapitolit, sipas policisë së Kapitolit.

    “Kërcënimi nga autorë që veprojnë të vetëm mbetet arsyeja jonë kryesore për këtë gjendje të shtuar sigurie përgjatë javës së ardhshme”, deklaroi shefi i policisë së Kapitolit, Thomas Manger, shkruan VOA.

    FBI-ja dhe Departamenti për Sigurinë Kombëtare paralajmëruan policinë në mbarë vendin për rreziqet ndaj sulmeve që përpiqen të kopjojnë incidentin në Nju Orlins.

    Një pjesë e madhe e qendrës së Uashingtonit – që shtrihet rreth 3 kilometra nga Shtëpia e Bardhë deri tek Kapitoli – do të jetë e mbyllur për makinat. Pikat kyçe për të hyrë në këtë zonë do të bllokohen me barrikada çimentoje, kamionë dhe materiale të tjera të rënda.

    Gardhi prej 48 kilometrash, me lartësi 2 metra, i menduar për të penguar ngjitjen mbi të, do të jetë më i gjati i vendosur ndonjëherë në Uashington, sipas zyrtarëve. Rreth 7,800 pjesëtarë të Gardës Kombëtare dhe 4 mijë oficerë policie nga departamente të tjera janë dislokuar në mbarë vendin për të përforcuar sigurinë.

    Ndërkohë disa nga banorët e kryeqytetit, ku 90 për qind e votuesve mbështetën kandidaten demokrate Harris, po bëhen gati ta kalojnë fundjavën tre ditore, e cila përfshin edhe ditën e hënë, që është ditë pushimi në Shtetet e Bashkuara, jashtë qytetit, apo në shtëpi për t’u ikur turmave.

    Rreth 70 për qind e 34,500 dhomave të hoteleve që ka Uashingtoni janë rezervuar për natën para dhe pas inaugurimit, në bazë të të dhënave të javës së kaluar. Për inaugurimin e zotit Trump në vitin 2017, 95 për qind e dhomave të hoteleve ishin rezervuar dhe rreth 78 për qind për inaugurimin për mandatin e dytë të Presidentit Barack Obama në vitin 2013.

    Protestat dhe tubimet

    Ceremonia e inaugurimit e zotit Trump në vitin 2017 u karakterizua me protesta masive dhe kundër protesta.

    Marshi i Grave, një ditë pas ceremonisë, mblodhi qindra mijëra persona në rrugët e Uashingtonit – dhe edhe më shumë, në marshime tjera solidarizuese në mbarë vendin.

    Një turmë shumë më e vogël, me 25 mijë pjesëmarrës, pritet të mblidhet në Marshin e Popullit në Uashington të shtunën, sipas shefes së policisë së kryeqytetit, Pamela Smith.

    Mijëra protestues protet të marrin pjesë në dhjetëra protesta apo tubime të tjera, të cilave u kanë dhënë leje zyrtarët vendorë për t’u zhvilluar në nga e shtuna deri të hënën, përfshirë një tubim në përkrahje të zotit Trump që do të mbahet të dielën në një sallë me kapacitet prej 20 mijë vendesh.

    Profesorja e Harvardit, Juliette Kayyem, e cila shërbeu si zyrtare sigurie gjatë administratës së Presidentit Obama, tha se zyrtarët duket se po ndjekin një praktikë standarde duke bërë plane për të gjitha situatat.

    “Planifikimi bëhet duke pasur parasysh skenarin më të keq, por dyshoj që do të ketë diçka të tillë, gjë që është lajm i mirë”, thotë ajo. “Sa i përket planifikimit, gjithmonë është më mirë të bësh më shumë se më pak”.