ATV

Category: Lajme

  • Vëllai i Liridona Ademajt: Besojmë në drejtësi, presim që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital

    Vëllai i Liridona Ademajt: Besojmë në drejtësi, presim që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital

    Vëllai i viktimës Liridona Ademaj, Leonard Ademaj, pas konferencës për medie të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ku u bë e ditur ngritja e aktakuzës ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve, tha se e mirëpresin ngritjen e aktakuzës, ndërsa presin dënim kapital për të akuzuarit.

    “Në emër të familjes ju falënderojmë të gjithëve, e falënderojmë edhe prokurorinë dhe hetuesinë. Ne kemi besuar në drejtësi dhe vazhdojmë të besojmë. Ajo çfarë duam ne është që gjykata sa më shpejt të vendosë një dënim kapital që të lehtësojë zemrat tona sado pak dhe fëmijëve të saj”, tha Ademaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.

    Ai theksoi se aktakuzën nuk e kanë pranuar ende dhe se nuk e dinë se cili është motivi, teksa theksoi se takohen me fëmijët dhe se ata kanë kuptuar gjithçka.

    “Gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për këtë çështje kujdeset shteti i Suedisë, ata e dinë më mirë sepse kanë psikologë, kanë njerëz adekuat që merren me këtë çështje, por çfarë shohim ne është se janë shumë të mërzitur”, tha tutje Ademaj.

    Ndyrshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë përmes një konference për medie të mërkurën, ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, Granit Plavës dhe Tom Dodajt për vrasjen e Liridona Ademajt, më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës.

    Prokurorja e rastit flet për motivet që çuan në vrasjen e Liridona Ademajt

  • ​Abdixhiku: Masakra e Reçakut, pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare

    ​Abdixhiku: Masakra e Reçakut, pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare

    Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se masakra e Reçakut është pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare.

    Pas homazheve në Kompleksin Memorial, ai tha se sot janë në Reçak për të kujtuar se sa e shenjtë është sakrifica e popullit për liri.

    “Njëzetegjashtë vite më parë në mëngjesin e ftohtë të 15 janarit, forcat policore ushtarake militare e paramilitare serbe kryen aktin e tmerrshëm të masakrës së Reçakut, akt i cili më pas do të cilësohej nga ambasadori William walker si krim kundër njerëzimit. Në këtë vend u vranë 45 civilë shqiptarë, burra e gra të moshuar e fëmijë vetëm sepse ishin shqiptarë. Ky akt i rëndë, çnjerëzor, akt kundër njerëzimit ishte po ashtu pikë kthese për vëmendjen ndërkombëtare ndaj pasojave që populli i Kosovës i vuante nga regjimi i Millosheviqit dhe forcave serbe”, tha ai.

  • Prokurorja e rastit flet për motivet që çuan në vrasjen e Liridona Ademajt

    Prokurorja e rastit flet për motivet që çuan në vrasjen e Liridona Ademajt

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur sot aktakuzë lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.

    Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçoviq, përmendi si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri tek problemet pasurore.

    “Mund të themi që përderisa kanë jetuar në Suedi, Liridona dhe Naimi, kanë pasur marrëdhënie të çrregulluara martesore dhe familjare gjatë të cilave ka ardhur edhe deri tek problemet pasurore, e për arsyet e tjera që i ka pasur Naimi që ta planifikojë këtë vrasje, mund t’i kuptoni në Gjykatë”, ka deklaruar Prokurorja.

    Ajo tha se edhe çështja e motivit e ka vonuar ngritjen e kësaj aktakuze.

    “Duhet të sqarojmë përse ka kaluar një kohë e gjatë që nga ngritja e aktakuzës. Duhet të themi që provat materiale në këtë lëndë janë grumbulluar shumë shpejt, megjithatë se çka ka munguar, ka munguar motivi që ka shtyrë kryerësit për veprën. Meqenëse e ndjera ka jetuar një kohë të gjatë në Suedi dhe për këtë arsye organeve atje u jemi drejtuar që të na ofrojnë të dhëna dhe kemi marrë raportin në ato pyetje të cilat iu kemi parashtruar organeve kompetente atje dhe atëherë kemi mundur të gjejmë motivin që e ka shtyrë Murselin për likuidimin e Liridona Ademajt. Derisa nuk i kemi pasur këto të dhëna për të krijuar një pasqyrë për marrëdhëniet familjare në mes tyre, nuk kemi ngritur aktakuzën. Të gjithë të përfshirët kanë marrë pjesë aktive në përgatitjen e veprës penale dhe sigurimin e mjeteve për kryerjen e kësaj vepre”, tha prokurorja.

    Liridona Ademaj u vra mbrëmjen e 29 nëntorit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët. Ajo u qëllua me plumb në qafë.

  • Vrasja e Liridona Ademajt, ngrihet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Vrasja e Liridona Ademajt, ngrihet aktakuzë ndaj Naim Murselit dhe tre të tjerëve

    Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, gjatë konferencës së sotme për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt dhe se është ngritur aktakuzë ndaj tre të dyshuarve – Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.

    Kështu ka njoftuar Gashi në konferencën për gazetarë.

    “Siç e dini ky ka qenë rast i ndishëm, fillimisht ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve brenda një afati të shkurtë kohor kemi arritur t’i zbulojmë kryesit e kësaj vepre penale”.

    “Ka qenë një çështje penale jashtëzakonisht e ndjeshme edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda edhe jashtë vendit tonë”, tha Gashi.

    Liridona Ademaj u vra në moshën 30-vjeçare, më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.

  • Krasniqi dhe Hamza homazhe në Reçak – zotohen për drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

    Krasniqi dhe Hamza homazhe në Reçak – zotohen për drejtësi për të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë

    Në Kompleksin Memorial në Reçak, homazhe ka bërë edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i shoqëruar nga kandidati për kryeministër nga kjo parti, Bedri Hamza.

    Krasniqi ka thënë se klasa politike dhe krerët e shtetit nuk duhet të ndjehen rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës

    “Përkujtojmë një ndër masakrat më të tmerrshme të luftës tonë për liri, dhe në këtë ditë përkujtojmë të gjitha viktimat e gjenocidit serb në Kosovë. Ky është një moment për secilin prej nesh e në radhë të parë për institucionet dhe për klasën politike që edhe një herë të zotohen se asnjë prej nesh nuk duhet të ndjehemi rehat, derisa të ketë drejtësi për secilën jetë të dhënë për lirinë e Kosovës”, tha Krasniqi.

    Ndërsa, Bedri Hamza tha se Kosova duhet të punoj fort që historia të ruhet, si dhe të ndërtohet memoriali i gjenocidit.

    “Është një dhimbje po është edhe një gur i madh në themelet e lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Ne do të punojmë fort që historia të ruhet të ndërtohet memoriali i gjenocidit dhe respekt dhe përulësi deri në përjetësi për të rënët e Reçakut”, ka thënë Hamza.

    LEXONI EDHE:

    Haradinaj: E vërteta e Reçakut dhe Kosovës e pandryshueshme, të nxirren para gjyqit ata që kryen krimet

  • BE: Drejtësia dhe përgjegjësia për krimet në Reçak, mbeten të vonuara

    BE: Drejtësia dhe përgjegjësia për krimet në Reçak, mbeten të vonuara

    Në 26-vjetorin e masakrës së Reçakut, Bashkimi Evropian në Kosovë thotë se drejtësia dhe përgjegjësia për krimet e bëra Reçak, mbeten të vonuara.

    Përmes një postimi në “X”, zyra e Bashkrimit Evropian në Kosovë nderon dhe kujton të gjitha viktimat e kësaj masakre.

    “Sot ne solidarizohemi me familjet dhe popullin e #Kosovës për të nderuar dhe kujtuar viktimat e masakrës së Reçakut, një krim i tmerrshëm që la një plagë të pashëruar 26 vite më pas. Jetët e tyre u morën brutalisht dhe drejtësia dhe përgjegjësia mbeten të vonuara”, thuhet në reagimin e BE në platformën X.

  • Haradinaj: E vërteta e Reçakut dhe Kosovës e pandryshueshme, të nxirren para gjyqit ata që kryen krimet

    Haradinaj: E vërteta e Reçakut dhe Kosovës e pandryshueshme, të nxirren para gjyqit ata që kryen krimet

    Homazhe në Kompleksion Memorial në Reçak ka bërë edhe kreu i AAK-së Ramush Haradinaj së bashku me partnerët e koalicionit.

    Haradinaj ka kërkuar drejtësi për civilët e vrarë e masakruar në Reçak nga forcat serbe.

    “E para që na duhet ta themi është se duam drejtësi, diçka që na takon me të drejtë për të kërkuar. Ende nuk ka drejtësi për Reçakun dhe për shumë masakra në Kosovë. Është absurde kjo gjendje që të mos ketë drejtësi dhe të mos nxirren para gjyqit ata qe i kanë kryer këto krime”, tha Haradinaj.

    Ai ka thënë se e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht.

    “I përjetshëm kujtimi për martirët e Reçakut, e vërteta e Reçakut dhe Kosovës është e pandryshueshme përjetësisht, liria ka ardhur falë gjakut dhe sakrificës, gjithsesi edhe falë ndihmës së aleatëve tanë, NATO-s prirë nga Amerika”, tha Haradinaj.

  • Aksioni për mbylljen e strukturave paralele: Objekti i Postës së Serbisë në Graçanicë rrethohet me shirita

    Aksioni për mbylljen e strukturave paralele: Objekti i Postës së Serbisë në Graçanicë rrethohet me shirita

    Policia e Kosovës ka nisur një aksion në dhjetëra lokacione për mbylljen e strukturave paralele serbe.

    REL raporton se Policia ka hyrë në Postën e Serbisë dhe Komunën paralele të Prishtinës, e cila që nga paslufta funksionon në Graçanicë.

    Para ndërtesës së Postës së Serbisë është vendosur një shirit i verdhë dhe gazetarët e REL-it raportojnë se aktualisht zyrtarë të Policisë ndodhen brenda këtyre dy institucioneve.

    Aktualisht, punonjësit e të dyja institucioneve janë duke u larguar nga objektet.

    Lajmi është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.

    “Mund të konfirmojmë se, sot në orët e hershme të mëngjesit, Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente ka filluar realizimin e një operacioni policor i cili përfshinë disa rajone të Kosovës, si DRP Prishtinë, DRP Gjilan, DRP Gjakovë dhe DRP Mitrovicë Jugu”, ka njoftuar Policia, që ka shtuar se pas përfundimit të operacionit do të bëhen publike informacionet shtesë.

    Degë të tjera të kësaj poste ishin mbyllur edhe në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, më 5 gusht të vitit të kaluar – në një lëvizje të kritikuar nga Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja, që në atë kohë ishin shprehur “thellësisht të zhgënjyer” dhe e kishin quajtur aksionin të njëanshëm dhe të pakoordinuar.

    Edhe shumë institucione të tjera serbe janë mbyllur gjatë aksioneve të ndërmarra nga Policia e Kosovës vitin e kaluar. Aksione të tilla vazhduan edhe këtë vit.

  • Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit

    Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit

    Në Bruksel sot do të mbahet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët për të pagjeturit.

    Kryetari i komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti deklaroi të hënën se takimi i 15 janarit ka për qëllim përcaktimin e planit të punës për seancat e ardhshme, si dhe adresimin e disa çështjeve të rëndësishme për çështjen e të zhdukurve.

    Në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ai bëri me dije se delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën  e kanë adresuar tek presidenti serb, Alleksandar Vuçiq.

    “Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të marrëveshjes ekzistuese ‘Deklaratës për Persona të Zhdukur’ e miratuar me 2 Maj 2023”.

    Delegacioni kosovar do të përfaqësohet në këtë takim nga Halil Cenaj.

    Lidhur me takimin e sotëm ka folur edhe emisari evropian për dialogun e Brukselit, Miroslav Laçak.

    Ai mes tjerash potencoi ditë më parë se gjatë misionit të tij në Amerikë, me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe me zëvendëssekryetarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanofin, diskutuan rreth dialogut.

    “Përsëri në Bruksel, fokusi i kësaj jave do të jetë tek Personat e Zhdukur me takimin e parë të Komisionit të Përbashkët”, ka shkruar Lajçaku.

    “Në Uashington, D.C., u angazhova në diskutime të hollësishme me ndihmëssekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Jim O’Brien dhe zëvendësndihmës Sekretarin e Shtetit për Ballkanin Perëndimor, Sasha Kasanof. Së bashku, ne u thelluam në sfidat dhe mundësitë gjeopolitike me të cilat përballet rajoni, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe nevojën për të avancuar në Dialogun e Normalizimit”, u shpreh më tutje emisari.

    Marrëveshja për çështjen e të pagjeturve është arritur gjatë muajit dhjetor të vitit të kaluar.

  • Sot seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Sot seanca e radhës ndaj ish-krerëve të UÇK-së

    Me fillim nga ora 09:00, ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të dalin sërish përpara trupit gjykues të Gjykatës Speciale, në Hagë.

    Gjykimi i Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit e Kadri Veselit po rikthehet me seancat e zakonshme nga e hëna në të enjten, pasi gjykata pati tri javë pushim dimëror.

    Gjatë ditës së djeshme, nën masa mbrojtëse, filloi dëshmia e dëshmitarit të 113-të të ZPS-së.

    Ky dëshmitar (W04500) dëshmoi përmes video-lidhjes.

    Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, dëshmitari ishte arrestuar në vitin 1999 nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së dhe më pas ishte dërguar në një qendër ndalimi ku ishte keqtrajtuar.