ATV

Category: Lajme

  • Themelohet Këshilli Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Themelohet Këshilli Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së UÇK-së

    Qeveria e Kosovës ka njoftuar se dje ka mbajtur mbledhje elektronike, ku ka miratuar themelimin e Këshillit Shtetëror për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

    Ky këshill ka si qëllim organizimin e aktiviteteve dhe ngjarjeve për të nderuar kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në çlirimin e vendit.

    Këshilli do të drejtohet nga Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si Kryesues, ndërsa bashkëkryesues do të jetë Kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.

    Anëtarë të tjerë të Këshillit janë: Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku; Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi; Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Bashkim Jashari, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha dhe përfaqësues të organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së.

    Përmes këtij vendimi, Zyra e Presidentes, Kuvendi i Kosovës dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës janë ftuar të dërgojnë përfaqësues të tyre në Këshill.

  • Banka Botërore: Ukrainës i nevojiten 524 miliardë dollarë për rimëkëmbje

    Banka Botërore: Ukrainës i nevojiten 524 miliardë dollarë për rimëkëmbje

    Kostoja e përllogaritur e rimëkëmbjes së ekonomisë së Ukrainës pas pushtimit në shkallë të gjerë nga Rusia ka arritur në 524 miliardë dollarë, gati trefishi i prodhimit të saj të pritshëm të 2024-tës, kanë ardhur në përfundim Banka Botërore, Organizata e Kombeve të Bashkuara, Komisioni Evropian dhe Qeveria e Ukrainës.

    Një studim i ri nga institucionet përfshiu të dhëna nga nisja e pushtimit rus, tre vjet më parë, deri më 31 dhjetor 2024, përfshin një rritje prej 70 për qind të dëmeve ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës nga sulmet ruse.

    Ai shfaqi një rritje prej mbi 7 për qind nga përllogaritja e fundit prej 486 miliardë dollarësh, një vit më parë, teksa banimi, transporti, energjia, tregtia dhe arsimi u cilësuan sektorët më të prekur, raporton Reuters, transmeton REL.

    Studimi vlerëson dëmin e drejtpërdrejtë fizik ndaj ndërtesave dhe infrastrukturës tjetër, ndikimin në jetën e njerëzve, dhe koston e “rindërtimit më të mirë”, thanë institucionet në një komunikatë të përbashkët për media.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, po bën përpjekje për t’i dhënë fund luftës përmes bisedimeve të ndara me Rusinë dhe Ukrainën, dhe u ka thënë gazetarëve, gjatë një takimi me presidentin francez, Emmanuel Macron, se një marrëveshje mund të arrihet brenda javësh.

    “Vitin e kaluar, rimëkëmbja e Ukrainës ka vazhduar të rëndohet për shkak të sulmeve të vazhdueshme të Rusisë”, ka thënë kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal.

    Qeveria ukrainase ka ndarë 7.37 miliardë dollarë për të adresuar nevojat më me prioritet më 2025, me mbështetje nga donatorët, por vazhdon të ketë një boshllëk financimi prej gati 10 miliardë dollarësh, u tha në komunikatën e përbashkët të institucioneve.

    Llogaritja e fundit, duke përdorur një metodologji universale për llogaritjen e dëmeve dhe nevojave, gjeti se dëmet e drejtpërdrejta nga sulmet ruse në Ukrainë janë rritur në 176 miliardë dollarë, nga 152 miliardë dollarë sa raportoheshin në shkurtin e 2024-tës.

    Rreth 13 për qind e pasurive të banueshme të Ukrainës janë dëmtuar apo shkatërruar, duke prekur mbi 2.5 milionë familje.

    Raporti përmendi një rritje prej 70 për qind të dëmeve në sektorin e energjisë që nga llogaritja e fundit, e bërë një vit më parë, përfshirë prodhimin dhe shpërndarjen e rrymës dhe të ngrohjes lokale.

    Sektorit të banimit i nevojiten rreth 84 miliardë dollarë për rimëkëmbje, ndërsa atij të transportit gati 78 miliardë. Sektorit të energjisë dhe minierave i duhen rreth 68 miliardë, atij të tregtisë dhe industrisë mbi 64 miliardë, ndërsa sektorit të bujqësisë mbi 55 miliardë dollarë.

    Vetëm kostoja e pastrimit dhe menaxhimit të rrënojave u vlerësua se kap vlerën e rreth 13 miliardë dollarëve, u tha në raport.

  • Ofendoi dhe kanosi zyrtarin policor – Arrestohet i dyshuari në Skenderaj

    Ofendoi dhe kanosi zyrtarin policor – Arrestohet i dyshuari në Skenderaj

    Një person në Skenderaj ka përfunduar në prangat e policisë pasi që i njëjti ka fyer dhe ka kanosur zyrtarët policorë.

    Kjo është bërë e ditur përmes raportit të policisë.

    ‘‘KANOSJE Skenderaj /24.02.2025-10:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka fyer dhe kanosur zyrtarët policorë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt’’, ka njoftuar PK-ja.

  • Tara pranon t’i përgjigjet vetëm mbrojtjes, gjykatësi: Obligoheni t’i përgjigjeni edhe Prokurorisë

    Tara pranon t’i përgjigjet vetëm mbrojtjes, gjykatësi: Obligoheni t’i përgjigjeni edhe Prokurorisë

    Ka vazhduar sot seanca gjyqësore në Gjykatën Speciale në rastin e ish-krerëve të UÇK-së, në të cilën po vazhdon dëshmia e dëshmitarit Ismet Tara, ish-komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Tara tha se megjithëse Prokuroria e Specializuar nuk ia ka shfaqur ende dokumentin e vitit 2019, ai pranon të përgjigjet në pyetjet e avokatëve mbrojtës.

    Komandant ‘Hoxha’ tha se do t’i përgjigjet vetëm pyetjeve të mbrojtjes.

    “Do t’i përgjigjem pyetjeve të atyre [mbrojtjes]. Të gjithave”, tha Tara.

    Gjykatësi Charles Smith ia bëri me dije dëshmitarit se nëse ai i përgjigjet pyetjeve të mbrojtjes, obligohet t’i përgjigjet edhe pyetjeve të prokurorisë, të cilave ka refuzuar t’i përgjigjet që nga seanca e djeshme – e fillimit të dëshmisë së tij në Hagë.

    “Të mbrojtjes po, por të prokurores time, e cila e ka fshehur dokumentin tim, jo”, tha ai.
    Gjyqtari Smith kërkoi nga avokati i dëshmitarit që t’ia shpjegojë atij se nuk mund t’i përgjigjet vetëm pyetjeve të mbrojtjes dhe pastaj vendosi për dhjetë minuta pauzë.

  • Osmani takon ambasadorin suedez, nënshkruajnë një marrëveshje për ekspertizë profesionale

    Osmani takon ambasadorin suedez, nënshkruajnë një marrëveshje për ekspertizë profesionale

    Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e ka pritur sot në takim ambasadorin e Suedisë, Jonas Westerlund.

    Osmani dhe Westerlund, diskutuan rreth zhvillimeve të fundit në vend si dhe për bashkëpunimin në tejkalimin e sfidave të përbashkëta në kontitentin evropian.

    Në njoftimin e Presidencës, thuhet se gjithashtu gjatë këtij takimi u nënshkrua një Memorandum Bashkëpunimi, i cili do t’i sigurojë Zyrës së Presidentes mbështetjen e shtetit suedez nëpërmjet ekspertizës profesionale nga fushëveprimtaria e institucionit të Presidencës.

    “Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, Presidentja Osmani falënderoi Ambasadorin Westerlund për përkrahjen e vazhdueshme të Suedisë ndaj Kosovës, duke theksuar rëndësinë e partneritetit në forcimin e institucioneve demokratike dhe në avancimin e agjendës evropiane të vendit tonë”, thuhet në njoftim.

    “Ky Memorandum Bashkëpunimi shënon një tjetër hap konkret në drejtim të përforcimit të kapaciteteve institucionale dhe krijimit të politikave të bazuara në ekspertizë dhe praktikat më të mira ndërkombëtare”.

  • Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet për organizim të skemave piramidale

    Arrestohet një person në Podujevë, dyshohet për organizim të skemave piramidale

    Është arrestuar një person i dyshuar për organizimin e skemave piramidale të hënën, në Podujevë, njoftoi Policia e Kosovës.

    Sipas policisë të njëjtit si prova i janë sekuestruar: një skaner, dy shtëpiza kompjuterike, letra për printim dhe fletë dëshmi në formë të printuar për lojëra të fatit dhe para të gatshme.

    “Pas intervistimit, me vendim të prokurorit kujdestar, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e policisë.

  • Në këto qytete do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Në këto qytete do të ketë ndërprerje të rrymës sot

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë, ka njoftuar se sot, do të kryhen disa punime të domosdoshme për sigurinë e sistemit energjetik.

    Për shkak të këtyre punimeve do të ketë ndërprerje të rrymës në disa qytete.

    KEDS-i ka treguar vendet ku sot nuk do të ketë energji elektrike.

    Prishtinë

    1.

    Nga TS 35/10 kV Parku i Biznesit do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Komorani (kodi: 16023007) prej orës 11:00 deri në ora 13:30

    Vendet: Komoran, Komoran lagjja e Koperativës, Komoran Zogaj, Komoran Ibriqet, Zabel i Lartë, Ujësjellësi Prishtina Komoran, Vukovc (një pjesë) dhe Llapushnik (një pjesë).

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, lidhja e zbarave kryesore në kthinat e stabilimentit shpërndarës-“Komorani”.

    Pejë

    1.

    Nga TS 10kV Klina do të ndërprehet:

    TS 10/0.4kV Mahalla (me kod: 52000103001) prej orës 11:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Konsumatorë afër kishës në Klinë (rr. Klinë – Gurakoc).

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri – kyçja e konsumatorëve në kabllo dhe demontim i rrjetit të vjetër.

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga TS 110/10kV Klina do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Dresniku (kodi: 52000007) prej orës 10:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Klinë, Dresnik, Dollc dhe Gremnik.

    Arsyeja: Zhvendosja e transformatorit me kod:5200007020, sipas zgjidhjes teknike.

    1.

    Nga TS 110/10kV Klina do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Dresniku (kodi: 52000007) prej orës 10:00 deri në ora 15:00.

    Vendet: Klinë, Dresnik, Dollc dhe Gremnik.
    Arsyeja: Zhvendosja e transformatorit me kod:5200007020, sipas zgjidhjes teknike.

    Ferizaj

    1.

    Nga TS 35/10kV Ferizaj II do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Bablaku-Bizneset (kodi: 40041005) prej orës 10:00 deri në ora 14:00.

    Vendet: Bablak, magjistralja Ferizaj-Prishtinë, Babush i Muhaxherëve, Babushi i Ri, Mirash, Cërnillë dhe Surqinë.

    Arsyeja: Punimet duhet të kryhen sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

    Gjakovë

    1.

    Nga TS 35/10 kV Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Dalja Erenikut (kodi: 80080011) prej orës 10:00 deri në ora 11:30

    Vendet: rr.Fehmi Agani, Lugbunari, rr.Nënë Tereza, Qerim, rr.Sadik Pozhegu dhe rr.Wesley Clark.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, testimi i te releut dhe ndërprerësit të fuqisë.

    2.

    Nga TS 35/10 kV Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Cermjani (kodi: 80080012) prej orës 12:00 deri në ora 13:30

    Vendet: fshatrat: Bardhaniq, Bare e Madhe, Bec, Bërdosana, Cermjan, Doblibarë, Gërgoc, Jabllanicë, Kodrali, Krlan, Meqe, Netiç, Rashkoc, Vraniq, Zhabel dhe Zhdrellë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, testimi i releut dhe ndërprerësit të fuqisë.

    3.

    Nga TS 35/10 kV Gjakova I do të ndërprehet:

    Dalja 10kV Ponosheci (kodi: 80080006) prej orës 13:30 deri në ora 15:00

    Vendet: fshatrat: Babaj Bokës, Dallashaj, Devë, Duzhnjë, Gusk, Jahoc, Korenicë, Madanaj, Mejë, Morinë, Nec, Orize, Ponoshec, Popoc, Ramoc, Rracaj, Rrypaj, Sheremet, Shishman dhe Smolicë.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, testimi i releut dhe ndërprerësit të fuqisë.

  • Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

    Gjashtë persona arrestohen për sulm ndaj policisë pas përleshjes në veri të Mitrovicës

    Gjashtë persona janë arrestuar pasi dyshohet se janë përshirë në një përleshje e cila që ka ndodhur më 25.02.2025 në rrugë “Kral Petri” në veri të Mitrovicës, përkatësisht para kafenesë “Tre sheshira”.

    Sipas një njoftimi të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se pas ndërhyrjes se njësisë patrulluese për ta ndaluar rrahjen të dyshuarit fillimisht i kanë ofenduar e më pas edhe i kanë sulmuar zyrtarët policor, ku tre zyrtarë policor kanë pësuar, lëndime trupore të cilët kanë pranuar trajtim mjekësor.

    “Më datë 25.02.2025 policia ka arrestuar gjashtë persona të dyshuar për veprën penale ‘Sulm ndaj personit zyrtar’. Te dyshuarit Alkool test: N.N. – 24 vjeçar 1.59 për qind, N.N. – 26 vjeçar 1.62 për qind, A.B. – 28 vjeçar 1.50 për qind, A.B. – 30 vjeçar 1.57 për qind, I.R. – 24 vjeçar 1.21 për qind, B.D. – 19 vjeçar 1.84 për qind”, thuhet në njoftim.

    Tutje në njoftim thuhet duke u treguar profesionalë në kryerjen e detyrave, policia ka ndërmarr te gjitha veprimet e nevojshme ku të dyshuarit pasi janë arrestuar janë sjellë në stacion policor ku ju është bërë matja me alkool test dhe të njëjtit kanë rezultuar se janë nën ndikim të alkoolit si më lartë, gjithashtu të gjithë të dyshuarit kanë pranuar trajtim mjekësor.

    Të gjitha veprimet e ndërmarra i janë paraqitur prokurorit të rastit, ku gashtë personat e dyshuar me vendim të prokurorit u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. /Telegrafi/

  • Rusia nuk do të pranohet prapë në G7, thotë ministri gjerman

    Rusia nuk do të pranohet prapë në G7, thotë ministri gjerman

    Rusia nuk do të kthehet në G7 (grupin e shtatë shteteve më të industrializuara të botës) siç ka kërkuar presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë ministri i Financave i Gjermanisë, Joerg Kukies.

    “G7 e dënon shumë qartë luftën e agresionit të Rusisë, veçanërisht në përvjetorin e tretë të sulmit brutal nga Rusia”, ka thënë Kukies në një intervistë për agjencinë e lajmeve Reuters, duke shtuar se propozimi i Trumpit nuk do të sigurojë mbështetjen e nevojshme unanime.

    Kukies do të udhëtojë të martën drejt Kejp Taunit, për samitin e ministrave të financave të G20-s, teksa sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, do të mungojë, për shkak të angazhimeve të tjera, shkruan Radio Evropa e Lirë.

    Gjendja aktuale e ekonomisë globale do të jetë temë kyç e takimeve.

    “Ne duhet vërtet t’i rikthehemi rrugës së zhvillimit ekonomik”, ka thënë Kukies. Gjermania “ka shumë detyra shtëpie për të bërë”, ka shtuar ai.

    Kukies u emërua ministër i Financave nga kancelari në largim, Olaf Scholz, në nëntor, pasi koalicioni qeverisës i Scholzit u rrëzua me votë mosbesimi, dhe pritet të shërbejë në këtë post derisa të formohet një qeveri e re pas zgjedhjeve të së dielës, të cilat i fituan konservatorët e Friedrich Merzit.

    Një luftë tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Evropës mund të shmanget, teksa të dyja palët janë të gatshme të negociojnë, ka thënë Kukies. “Askush s’është i interesuar të nisë luftë tregtare”, është shprehur ai.

    Bashkimi Evropian 27-anëtarësh mund të goditet veçanërisht rëndë nga plani i Trumpit për tarifa reciproke, i cili ka për qëllim të rrisë tarifat amerikane ndaj importit për t’i niveluar ato me tarifat dhe taksat e tjera të vendosura nga vendet e tjera.

    Kukies ka thënë, po ashtu, se G7 mund të diskutojë për propozimet për t’i përdorur asetet ruse në vlerë prej 300 miliardë dollarësh, të ngrira në Evropë, për rindërtimin e Ukrainës, “por bisedimet vetëm sa po fillojnë. Është mbase herët të thuhet diçka”./REL

  • Lladrovci publikon video ku shihet bashkë me Adem Jasharin, Zekeria Canën, Xhemail Fetahajn e të tjerë

    Lladrovci publikon video ku shihet bashkë me Adem Jasharin, Zekeria Canën, Xhemail Fetahajn e të tjerë

    Një video e rrallë është publikuar nga Ramiz Lladrovci, është incizim i mesit të Janarit të vitit 1993, ku shihet Komandanti legjendar Adem Jashari, Ali Lajçi, heroi Xhemail Fetahaj dhe miq të tjerë që kishin shkuar bashkë për ta ngushëlluar familjen e Artistit të Popullit, Ndrekë Luca me rastin e kalimit të tij në amshim, raporton Ekonomia Online.

    “E falënderoj nga zemra mikun tim Gëzim Avdimetajn, i cili ma dërgoi këtë video unike me rastin e ngushëllimeve te familja e Artistit të Popullit, Ndrekë Luca që aq shumë e deshti Kosovën”, ka shkruar Lladrovci.

    Postimi i plotë i tij:

    Incizim me Komandantin legjendar Adem Jasharit, me shokë e dashamirë me rastin e vizitës për ngushëllime te familja e Artistit të Popullit, Ndrekë Luca. Është incizim i mesit të janarit të vitit 1993, ato ditë dola nga spitali në Tiranë ku u trajtova, pas torturave nga okupatorit serb, ku më kishin përcjellë Hashimi, Kadriu dhe Naiti.

    Në videoincizim, në ngushëllime për aktorin e madh, Ndrekë Luca, vërehet Adem Jashari, Bajram Mehmetaj, Ali Lajçi, Gëzim Avdimetaj, Isa Demiri, Zekiria Cana, Ismet Rashiti, Xun Çeta, Xhemail Fetahaj, Mal Lokaj, Bekim Lumi, Sadri Murtezaj, Ragip Grabovci, Qerim Shkreli…të cilët po i dalloj.

    E falënderoj nga zemra mikun tim Gëzim Avdimetajn, i cili ma dërgoi këtë video unike me rastin e ngushëllimeve te familja e Artistit të Popullit, Ndrekë Luca që aq shumë e deshti Kosovën!