ATV

Category: Lajme

  • Basha: Marrëdhënia personale Rama-Vuçiq ishte një iluzion i rrezikshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare

    Basha: Marrëdhënia personale Rama-Vuçiq ishte një iluzion i rrezikshëm dhe i dëmshëm për interesat kombëtare

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, kritikoi ashpër personalizimin e politikës së jashtme nga kryeministri Edi Rama, duke e cilësuar marrëdhënien e tij me presidentin serb Aleksandar Vuçiq si një iluzion të dëmshëm për interesat kombëtare.

    Sipas Bashës, Rama ka ndërtuar një raport të rrezikshëm personal me Vuçiqin, i cili nuk i ka shërbyer as Kosovës dhe as Shqipërisë në momentet kur është dashur mbështetje.

    “Tirana zyrtare nën kryeministrin Rama është orientuar gabimisht që në fillim, duke pasë në fillim iluzionin, e tash nuk dihet çka, se mund të ndërtohet një partneritet direkt Tiranë-Beograd, bazuar mbi një marrëdhënie personale midis kryeministrit të Shqipërisë dhe presidentit serb Vuçiq. Kjo provoi të ishte një iluzion jo vetëm i kotë, por i dëmshëm, i rrezikshëm, sepse sa herë Kosova kishte nevojë që Tirana të ndërhynte tek Beogradi, kjo nuk funksiononte”, deklaroi Basha.

    Ai tha se Shqipëria duhet t’i qëndrojë besnike akseve strategjike euro-atlantike dhe të forcojë marrëdhëniet me vendet që ndajnë të njëjtat vlera perëndimore.

    “Akset tona strategjike janë të përcaktuara nga korniza e sigurisë euro-atlantike. Partnerët tanë në rajon janë Zagrebi, janë Sofja, kujdesi ynë i veçantë është Shkupi, është Podgorica – të gjitha të sulmuara nga një politikë revizioniste, neo-hegjemoniste e Serbisë. Dhe këtu duhet parë pa diskutim edhe roli i veçantë që Kosova ka dhe duhet të ketë në politikën tonë të jashtme”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Shqipëria duhet t’i ndajë çdo vit Kosovës 50 milionë euro për ushtri

    Basha: Shqipëria duhet t’i ndajë çdo vit Kosovës 50 milionë euro për ushtri

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se Shqipëria duhet ta mbështesë Kosovën çdo vit me një fond prej 50 milionë eurosh për nevoja të mbrojtjes dhe sigurisë.

    Sipas Bashës, kjo mbështetje do të ishte një akt i qartë solidariteti kombëtar, pa cenuar asnjë zë të rëndësishëm të buxhetit të Shtetit Shqiptar.

    “Që prej një viti e disa muajsh në Parlamentin e Shqipërisë ndodhet propozimi im, që pas sulmit paramilitar në Banjskë, për t’i dhënë Kosovës çdo vit ndihmë ushtarake në vlerë prej 50 milionë eurosh nga buxheti i Shqipërisë për ta destinuar për mbrojtjen e saj. 50 milionë euro në një qeveri që shpenzon 7.2 miliardë euro në vit janë afërsisht gjysma e shpenzimeve të kësaj qeverie për perde, tavolina, makina të reja – pra për luks qeveritar. Nuk preket asnjë zë tjetër, as investime, as shpenzime sociale”, deklaroi Basha.

    Ai shtoi se kjo ndihmë do të duhej të menaxhohej në koordinim me aleatët perëndimorë, si një sinjal i qartë për rajonin dhe komunitetin ndërkombëtar.

    “Ky do të ishte një akt i qartë jo vetëm ndaj Kosovës, por ndaj gjithë Evropës, ndaj botës, ndaj Serbisë – që jemi në krah të Kosovës. Pesëdhjetë milionë euro të ndara për buxhetin e mbrojtjes së Kosovës, që ajo mund t’i destinojë në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, me Britaninë e Madhe, me NATO-n për nevoja të mbrojtjes”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha flet për “diss-at”: Rama më kërkonte “Ku je?”, unë iu përgjigja me vargjet e Unikkatilit

    Basha flet për “diss-at”: Rama më kërkonte “Ku je?”, unë iu përgjigja me vargjet e Unikkatilit

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tregoi për mënyrën se si nisi replikimi i tij me kryeministrin Edi Rama, përmes tekstit të një këngë të Unikkatilit.

    Sipas Bashës, gjithçka nisi kur Rama për disa ditë me radhë pyeste publikisht se ku ishte ai, ndërsa përgjigja e tij erdhi me vargun “Ku të mbetën shokët?”, duke përmendur emra të afërt të Ramës që janë në burg apo në hetim.

    “Zoti Rama kishte ditë që pyeste: Ku je? Ku është Luli? Dhe unë iu përgjigja: Jam këtu, me bashkëpunëtorët e mi, po bëj gati fushatën. Ti ku je? Më e rëndësishmja, ku i ke shokët? Sepse një pjesë e mirë e shokëve të Edi Ramës – nga Erion Veliaj, Arben Ahmetaj, Ilir Beqja, Saimir Tahiri, Lefter Koka, te Vangjush Dako – janë në burg, rrugës për burg ose po mundohen t’i shpëtojnë burgut”, deklaroi Basha.

    Ai tha se pas kësaj replike, një mik i kujtoi këngën e Unikkatilit, e cila u bë pjesë e komunikimit të tij me kryeministrin, por me një domethënie të qartë politike.

    “Një mik më kujtoi vargjet e këngës së njohur të Unikkatilit: ‘Ku të mbetën shokët?’. Kështu u fut Unikkatili me një varg shumë domethënës në një kontekst të qartë politik, sepse mesazhi është dhe mbetet thellësisht politik”, u shpreh Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Shqiptarët meritojnë të votojnë pa pengesa dhe pa “gryka shishesh”

    Basha: Shqiptarët meritojnë të votojnë pa pengesa dhe pa “gryka shishesh”

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se është koha që shqiptarët të votojnë lirshëm, pa pengesa burokratike dhe pa presione politike, duke kërkuar votim dhe numërim elektronik.

    Ai tha se votimi përmes shenjës së gishtit është i mundur dhe tashmë zbatohet edhe në shtete me sfida më të mëdha se Shqipëria.

    “Shqiptarët, qytetarët e Republikës së Shqipërisë meritojnë të votojnë pa pengesa, pa gryka shishesh. Shqipëria ka një databazë biometrike të gjithë qytetarëve. Është plotësisht e mundur që një shqiptar kudo ku jeton – nga Australia, Kanadaja, Suedia apo edhe Greqia – të identifikohet thjesht dhe vetëm me shenjën e gishtit. Kjo shmang gjithë burokracinë dhe mundëson votim elektronik, numërim elektronik”, deklaroi Basha.

    Sipas tij, qeveria po e kufizon të drejtën e diasporës për të votuar përmes një procesi selektiv dhe jotransparent.

    “Qeveria është angazhuar në një proces selektiv në raport me diasporën. Vetëm një pjesë e vogël do të kenë mundësi të votojnë. Sistemi është jotransparent sepse ne vuajmë nga problematika të patronazhimit. Vjen dikush dhe u thotë: hajdeni këtu, mbushni këto fletë votimi, votoni për këtë parti, dhe hajt t’i postojmë. Sistemi që është vënë në funksion është një larje goje me premtimin akoma të pambajtur për votë të lirë e të pakushtëzuar për diasporën”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Më 11 maj shqiptarët kanë një mundësi të rrallë për zgjidhje, jo riciklim

    Basha: Më 11 maj shqiptarët kanë një mundësi të rrallë për zgjidhje, jo riciklim

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, tha se 11 maji është dita kur qytetarët mund ta kthejnë pushtetin në duart e tyre dhe të zgjedhin një alternativë të pastër, përballë keqqeverisjes dhe korrupsionit.

    Ai tha se Edi Rama kërkon një mandat të katërt pavarësisht dështimeve, ndërsa Berisha po tenton të rikthejë figura të konsumuara, disa prej të cilëve janë të përfshirë në hetime penale.

    “Edi Rama kërkon një mandat katër, dymbëdhjetë vjetësh don dhe katër vjet tjera, ndërkohë që problemet janë të pafundme, që janë krijuar nga keqqeverisja, nga korrupsioni. Zoti Berisha, nga ana tjetër, po kërkon të riciklojë emra që e kanë kryer ciklin e tyre politik, e ca janë edhe në cikël penal, pikërisht për shkak të korrupsionit, fshehjes së pasurisë, pastrimit të parave, siç është rasti i zotit Meta, ish-kryeministër, ish-president, aleati kryesor i zotit Berisha”, tha Basha.

    Sipas Bashës, Koalicioni Euroatlantik është alternativa që i jep fund kësaj loje të vjetër dhe i kthen qytetarëve shpresën për të ardhmen.

    “Koalicioni Euroatlantik është aty si zgjidhje, si alternativë. E kemi paraqitur programin tonë që nga 1 qershori i vitit të kaluar, me një ekip të hapur e dinjitoz, dhe jemi çdo ditë me qytetarët për t’iu shpjeguar se si vota për numrin katër i bën ballë kësaj loje. Nëse ju dhimbsen fëmijët tuaj, familjet tuaja, nëse ju dhimbset Shqipëria, atëherë zgjidhjen e keni: Koalicioni Euroatlantik, numri katër”, deklaroi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Basha: Rama dhe Berisha kanë mbyllur listat, qytetarëve po u mohohet e drejta për të zgjedhur

    Basha: Rama dhe Berisha kanë mbyllur listat, qytetarëve po u mohohet e drejta për të zgjedhur

    Kryetari i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, në emisionin CONTEXT në ATV, deklaroi se mbyllja e një të tretës së listave zgjedhore nga Rama dhe Berisha ka përkeqësuar kushtet demokratike në Shqipëri.

    Sipas Bashës, ky veprim u ka hequr qytetarëve të drejtën për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre, duke i kthyer listat në “kazerma politike personale”.

    “Zoti Rama dhe zoti Berisha bashkuan votat dhe mbyllën plot një të tretën e listave, duke krijuar kështu predispozitat për kazerma politike personale dhe duke i mohuar qytetarëve të Shqipërisë të zgjedhin ata dhe jo kryetarët e partive se kush do të shkojë në Parlamentin e ardhshëm”, deklaroi Basha.

    Ai tha se Koalicioni Euroatlantik ka reaguar duke vendosur 100 për qind lista të hapura dhe duke garantuar që vetëm ata që marrin më shumë vota shkojnë në Parlament.

    “Koalicioni Atlantik numri katër në listën e votimit i është përgjigjur me listat e hapura njëqind. Te ne, te Koalicioni Euroatlantik, ai që votohet, ai që merr një votë më shumë, janë ata që shkojnë në Parlamentin e Shqipërisë”, theksoi Basha.

    Deklaratën e plotë të Lulzim Bashës në CONTEXT, e gjeni në videon më poshtë:

  • Emërimet në Prishtinë të zyrtarëve me prejardhje nga qytetet tjera

    Emërimet në Prishtinë të zyrtarëve me prejardhje nga qytetet tjera

    Përgatiti: Kastriot Tahiri

    Në garën për deputet, në zgjedhjet e 9 shkurtit, Shkëmb Manaj, hyri përmes degës së Lidhjes Demokratike në Istog.

    Por pasi nuk arriti të sigurojë ulëse në Kuvend, të premten ai u emërua nënkryetar i Prishtinës, nga kryetari Përparim Rama.

    Pavarësisht prejardhjes, Rama thotë se Manaj e njeh mirë Prishtinën.

    Manaj nuk është i vetmi që merr pozitë ekzekutive në kryeqytet, e që më herët ishte angazhuar politikisht në tjetër komunë. Drejtoresha e Kulturës, Sibel Halimi, në zgjedhjet lokale të 2021-ës, ishte kandidate e LDK-së për kryetare të Ferizajt.

    Mirëpo, kjo praktikë nuk është e re në Prishtinë. Edhe kryetari para Përparim Ramës, Shpend Ahmeti, kishte emëruar drejtorë që nuk janë nga Prishtina. Arbërie Nagavci, që tash është ministre,
    udhëhiqte me drejtorinë e Arsimit. Edhe Salih Zyba e Hysen Durmishi, me prejardhje nga Suhareka, udhëhiqnin me Inpekcionin dhe Infrastrukturën në Prishtinë.

    Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET thotë se këtë nuk e ndalon ligji, por emërimet duhet të bazohen mbi njohuritë për problemet e kryeqytetit.

    “Në parim nuk sanksionon asnjje ligj, por praktikat e tilla nuk jane të duhura e të mira, kur dihet që në Prishtinë ka njerëz që mund të mbajnë atë pozicion e udhëheqje. Kjo është një dokuri negative, dhe eshtë shqetësuese se si nuk i orienton kryetari njerëzit e prishtinës të kenë pozita të tilla”, tha Kenan Gashi, avonet.

    Nga pozitat udhëheqëse në kabinetin e kryetarit Përparim Rama, dhanë dorëheqje kandidatët që fituan ulëse në Kuvendin e Kosovës.

  • Gjashtë muaj punime, por plateja në Bregun e Diellit ende s’ka papërfunduar

    Gjashtë muaj punime, por plateja në Bregun e Diellit ende s’ka papërfunduar

    Përgatiti: Sara Mulliqi

    Ka disa muaj që kanë filluar punimet por ndërtimi i platesë në Breg të Dielli ende nuk ka përfunduar.

    Banorët ndërkaq janë të pakënaqur me punë të lëna anash nga Komuna.

    “Na kish pëlqy me konë pak më mirë,ma pastër. (00:21) Po mbesin në gjysmë keq, me i ndreq ma mirë.Këtu kur të rregullohet kemi dëshirë me dalë e me shëtit. (00:46) Qysh ja kanë nisë, ishalla e përfundojnë”, tha Selvete Bytyqi, qytetare.

    Por nga Komuna thonë se janë afër përfundimit të punimeve.

    “Janë pjesë të gjelbërimit të cilat duhet t’i përfundojë ndërmarrja “Gjelbër”, por meqë ende jemi në kohën e dimrit është e pamundur që ato të përfundohen dhe gjatë Prillit apo Majit do ta kemi të gjelbëruar atë pjesë.(01:01) Një detaj tjetër i vogël që ka mbetur është që qasjet për persona me nevoja të veçanta do të ngjyrosen për tu ditur se për çfarë shërbejnë”, tha zëdhënësi i komunës së Prishtinës, Donat Lushaku.

    Ky projekt në lagjen “Bregu i Diellit” i ka kushtuar Komunës rreth 800,000 euro.

    Punime siç njoftoi Komuna do të ketë në Lakrishtë dhe zona tek Posta.

  • Kompensimi për rrymën e shpenzuar në veri, nuk ka filluar ende

    Kompensimi për rrymën e shpenzuar në veri, nuk ka filluar ende

    Përgatiti: Armand Hoti

    Qytetarët e Kosovës, që ndër vite u faturuan për shpenzimin e rrymës në katër komunat veriore të Kosovës, akoma nuk kanë filluar të kompensohen.

    Madje as nuk dihet se kur do të ndodh.

    Distributori KEDS po vazhdon të mos e zbatojë vendimin, pavarësisht se kërkesa për shtyrje të vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, iu refuzua nga dy shkallët e Gjykatës Komerciale, si dhe nga Gjykata Supreme.

    “Gjykata përkatësisht Departamenti për Çështje Administrative, duke vepruar sipas kësaj çështje me aktvendimin e datë 17.05.2024, ka refuzuar kërkesën e KEDS për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të ZRrE, deri në marrjen e vendimit gjyqësor përfundimtar me padi, si të pabazuar. Dhoma e Dytë e Gjykatës Komerciale, me aktvendimin e datë 18.06.2024 ka refuzuar si të pabazuar ankesën e propozuesit dhe ka vërtetuar vendimin e Dhomës së Shkallës së Parë”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Komerciale.

    Vendimi i ZRRE-së thotë se qytetarët duhet kompensuar në vlerë prej rreth 40.8 milionë eurosh, që vërtetohen se kanë paguar aktivisht për periudhën shkurt 2012 – tetor 2017.

    “Padia ndaj vendimit të ZRRE-së me të cilën jemi obliguar të bëjmë kompensimin 40 milionësh është parashtruar në gjykatë më 7 maj 2024. Kërkesa për shtyrje të ekzekutimit të vendimit të ZRRE-së na është refuzuar në të gjitha shkallët, kurse për çështjen kryesore ende nuk jemi ftuar. Arsyet pse KEDS e ka kontestuar vendimin e ZRRE-së me padi është se KEDS nuk ka qenë fare palë ndërgjyqëse në procesin kontestimor nga i cili ka dalë Vendimi i Gjykatës, i cili obligon kompensimin e faturave të paguara për katër komunat në veri”, thuhet në përgjigjen nga KEDS-i.

    Mbështetur në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, ZRRE-ja para një viti obligoi KEDS-in t’ua kthejë borxhin kosovarëve, duke i kompensuar çdo muaj nga qershori 2024 – deri në prill 2030.

    “ZRRE është dashur përkundër zvarritjeve që tenton t’ia bëjë KEDS dhe KESCO, është dashur ta obligojë KEDS dhe KESCO-n, ta rimbursojë këtë më së buti ta quaj zbutje të qytetarëve përmes faturës së energjisë, në rimbursim të faturës së energjisë, që vështruar sipas pasqyrave të të hyrave të lejuara të ZRRE-së…që nga prilli i vitit 2024 fatura e rrymës për qytetarët është dashur të jetë më e ulët për 10.47%”, tha Izet Ibrahimi, ekspert i energjisë.

    Sidoqoftë, ekonomisti Jakup Bellaqa, thotë se qytetarët pësojnë nga mos-kompensimi në kohën kur paralajmërohet shtrenjtim i rrymës.

    ZRRE nuk ktheu përgjigje nga java e kaluar e deri të martën, për këtë çështje.

  • Abdixhiku nuk pohon e as mohon asgjë, zhvendosë debatin jashtë partisë

    Abdixhiku nuk pohon e as mohon asgjë, zhvendosë debatin jashtë partisë

    Përgatiti: Arian Hajdaraj

    Të rralla ishin lëvizjet në selinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, paraditen e së martës.

    Edhe më të rralla se lëvizjet, nga kjo parti qenë reagimet publike, anise me ato në grupe private bënë goxha bujë.

    Së fundmi, pas shkrimit kritikues të Avdullah Hotit dhe publikimit të disa mesazheve më pastaj, për situatën i formuloi disa fjali edhe kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku, i cili gjithë diskutimin tentoi ta zhvendosë jashtë subjektit, pa pohuar ose mohuar asnjë nga pretendimet për keqpërdorim me vota.

    “Temat e brendshme janë diskutuar tashmë në Kryesi. LDK i beson institucioneve tona në çdo drejtim; dhe në këtë drejtim. Ne nuk bëjmë as prokurorinë e as gjyqësinë. LDK i ka besuar institucioneve tona edhe kur ka fituar në tri nivele betejën e tentim anulimit të votave tona me partinë në pushtet”, ka deklaruar Abdixhiku.

    Por, nga njohës të çështjeve politike, vlerësohet se pikërisht Abdixhiku nuk arriti ta menaxhojë situatën.

    “Ai është mundu me i mbytë zërat e shqetësuar. E jo duke I marrë parasysh, e që me ta me u mundu me i zgjidhë të gjithë, duke u mundu me hedh fajin jashtë, se nëse ka një problem, është një problem I brendshëm, e jo i jashtëm”, tha Bekim Kabashi, njohës i çështjeve politike.

    Meqenëse gjithë situata u zhvillua për shkak të votave, përmes tyre vlerësohet se do të mund të zgjidhet e tëra, krahas hetimeve nga prokuroria.

    “Konsideroj se zgjedhjet e brendshme do ta zgjidhnin situatën”, tha Kabashi.

    Në fakt, askush nga LDK, nuk e ka mohuar përmbajtjen e mesazheve në një grup të brendshëm, në të cilin zyrtarët e partisë pretendojnë se votat nga diaspora u keqpërdorën.