ATV

Category: Lajme

  • Osmani dhe Plenkoviq me mesazh të përbashkët nga Tirana: Siguria dhe sundimi i ligjit janë kyçe për të ardhmen e Evropës

    Osmani dhe Plenkoviq me mesazh të përbashkët nga Tirana: Siguria dhe sundimi i ligjit janë kyçe për të ardhmen e Evropës

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, kanë bashkëkryesuar tryezën e liderëve me temën “Një Evropë e hapur me kufij të sigurt”, e mbajtur në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në fokus të këtij diskutimi ishin sfidat e migrimit, lëvizja e lirë dhe fuqizimi i të rinjve në Evropë, me theks të veçantë në gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme për këto çështje.

    “Kosova dhe Kroacia i kanë prirë dje diskutimit të nivelit më të lartë evropian për sfidat e migrimit, mobilitetin dhe fuqizimin e të rinjve,” tha Osmani në një postim, duke theksuar rëndësinë e përkushtimit të përbashkët për garantimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit.

    “Përderisa sfidat dallonin nga shteti në shtet, një gjë ishte e qartë: përkushtimi për garantim të sigurisë dhe sundim të ligjit mbeten kyç për politika të duhura e zgjidhje afatgjata”, shtoi ajo.

    Tryeza vlerësohet si një mundësi e rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve evropiane në adresimin e sfidave të përbashkëta, sidomos në një kohë me dinamika të larta migrimi dhe pasiguri globale.

  • KRM “Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës: Po na injoron dhe po punon me operatorë privatë pas shpinës sonë

    KRM “Pastrimi” akuzon Komunën e Prishtinës: Po na injoron dhe po punon me operatorë privatë pas shpinës sonë

    Kompania Rajonale “Pastrimi” Sh.A. ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komunës së Prishtinës, duke e akuzuar publikisht për shpërfillje dhe përpjekje për t’i bartur shërbimet publike të pastrimit te operatorë privatë, përmes negociatave të njëanshme dhe pa asnjë konsultim me ndërmarrjen publike, shkruan Gazeta Sinjali.

    “Kemi kërkuar takime të vazhdueshme me kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama dhe me drejtorin e Shërbimeve Publike, z. Bekim Bestrovci, por kemi marrë vetëm injorim”, thuhet në deklaratën e KRM “Pastrimi”.

    Ndërmarrja thekson se ndërkohë që kërkesat e saj për pagesën e borxhit dhe bashkëpunim janë shpërfillur, Komuna ka zhvilluar bisedime me kompani private për marrjen përsipër të shërbimeve të pastrimit.

    “Ndërkohë që jemi anashkaluar tërësisht, jemi informuar që Komuna e Prishtinës në mënyrë të njëanshme ka negociuar dhe ka bërë marrëveshje me kompani private në vlerë prej 2 milionë euro për pastrimin e qytetit, kur në të njëjtën kohë, mjete dhe makineri të ndërmarrjes ‘Pastrimi’ qëndrojnë në deponi të papërdorura”, thuhet më tej në reagim.

    Sipas ndërmarrjes, këto veprime të Komunës mund të çojnë në pasoja të rënda për qytetarët dhe rrezikim të funksionimit të ndërmarrjes publike.

    “Kjo qasje është jo vetëm dëm për ndërmarrjen dhe qytetarët, por është mungesë serioze e transparencës dhe e përgjegjësisë institucionale”, thekson KRM “Pastrimi”, duke shtuar se “këto veprime të komunës duhet të zgjojnë reagimin e të gjitha institucioneve të drejtësisë”.

    Në fund, ndërmarrja rithekson gatishmërinë për bashkëpunim dhe kërkon që Komuna të reflektojë: “Ne siç kemi qenë gjithmonë, edhe sot, nesër, pasnesër e kurdo jemi në dispozicion për takim. Andaj reflektoni në këtë drejtim!”

  • ​Balje: Kriza institucionale mund të zgjasë me muaj

    ​Balje: Kriza institucionale mund të zgjasë me muaj

    Edhe për të shtatëmbëdhjetën herë deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk kanë arritur ta zgjedhin kryetarin e Kuvendit të Kosovës.

    Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, thotë se në takimin te presidentja, u kërkua marrëveshje mes partive shqiptare për të dalë nga kriza politike.

    Ajo paralajmëron se në mungesë të saj, presidentja do t’i drejtohet Kushtetutës, gjë që mund ta zgjasë krizën.

    Sipas saj, mungojnë votat dhe gjithçka është bllokuar nga inati politik.

    “ Po ne kemi qenë te presidentja, te presidentja ka munguar veç dy parti të komuniteteve, dhe kemi pas një takim shumë konstruktiv dhe në fund kur kemi dal, veç një gjë ka qenë, jemi duke pritë partitë shqiptare për marrëveshje mes veti, dhe zonja presidente ka lënë një kohë të shkurtër, krejt me qëllim ndoshta me dalë me një marrëveshje nëse jo ka me drejtuar në Kushtetutë. Ne e dimë domethënë përgjigjen prej anës së kushtetutës, mundet mu vonu praktikisht dy muaj edhe nëse nuk është formoluar decedivisht qysh mundemi dal prej kësaj krize, mundemi me vazhduar me krizën dhe kjo është shumë keq për shtetin e Kosovës. Fakt është se nuk ka votë me dal prej krizës dhe në fakt jemi veç t’u prit”, theksoi ajo.

  • Sulmet izraelite vrasin 146 palestinezë në Gazë, thonë autoritetet lokale

    Sulmet izraelite vrasin 146 palestinezë në Gazë, thonë autoritetet lokale

    Forcat ajrore izraelite vranë të paktën 146 palestinezë dhe plagosën shumë të tjerë në sulmet e fundit mbi Gazën gjatë 24 orëve të fundit, thanë të shtunën autoritetet lokale shëndetësore, ndërkohë që Izraeli duket i vendosur të vazhdojë me një ofensivë të re tokësore.

    Sulmet izraelite, që nisën të enjten, kanë sjellë një nga fazat më vdekjeprurëse të bombardimeve që prej dështimit të armëpushimit në mars.

    Sulmet e fundit ndodhën ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përfundoi të premten turneun e tij në Lindjen e Mesme pa ndonjë përparim të dukshëm drejt një armëpushimi të ri.

    “Që nga mesnata kemi pranuar 58 dëshmorë, ndërkohë që një numër i madh viktimash mbeten nën rrënoja. Situata brenda spitalit është katastrofike”, tha drejtori i Spitalit Indonezian në veri të Gazës, Marwan Al-Sultan.

    Autoritetet lokale shëndetësore thanë se 459 persona janë plagosur nga sulmet izraelite gjatë 24 orëve të fundit.

    Ushtria izraelite tha të shtunën se po zhvillonte sulme të gjera dhe po mobilizonte trupa si pjesë e përgatitjeve për të zgjeruar operacionet në Rripin e Gazës dhe për të arritur “kontroll operacional” në disa zona të enklavës palestineze.

    Sistemi shëndetësor i Gazës është thuajse jofunksional, me spitalet që janë goditur në mënyrë të përsëritur nga ushtria izraelite gjatë luftës 19-mujore dhe me furnizimet mjekësore që po shterohen, pasi Izraeli e ka shtrënguar bllokadën që nga muaji mars, raporton REL.

    Përshkallëzimi, që përfshin edhe grumbullimin e forcave të blinduara përgjatë kufirit, është pjesë e fazave fillestare të ‘Operacionit Karrocat e Gideonit’, që Izraeli thotë se synon të mposhtë Hamasin – grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – dhe të rikthejë pengjet e tij.

    Një zyrtar i mbrojtjes izraelite tha më herët këtë muaj se operacioni nuk do të niste para se Trumpi ta përfundonte vizitën e tij në Lindjen e Mesme.

    “Ne po rrisim gradualisht forcat; Hamasi mbetet sfidues”, tha ushtria të shtunën.

    Ekspertë të Kombeve të Bashkuara paralajmërojnë se uria ekstreme kërcënon Gazën pasi Izraeli bllokoi dërgesat e ndihmave në këtë territor 76 ditë më parë, ndërkohë që shefi i ndihmave të OKB-së, Tom Fletcher, pyeti këtë javë Këshillin e Sigurimit nëse do të vepronte për të “parandaluar gjenocidin”.

    Trump pranoi të premten krizën në rritje të urisë në Gazë dhe nevojën për dërgimin e ndihmave, ndërsa presioni ndërkombëtar mbi Izraelin po rritet për të rifilluar bisedimet për armëpushim dhe për t’i dhënë fund bllokadës së Gazës.

    Një fondacion i mbështetur nga SHBA-ja synon të fillojë shpërndarjen e ndihmave për banorët e Gazës deri në fund të majit, duke përdorur kompani amerikane të sigurisë dhe logjistikës, por OKB-ja ka thënë se nuk do të punojë me këtë fondacion sepse nuk është i paanshëm, neutral apo i pavarur.

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha më 5 maj se Izraeli po planifikon një ofensivë të zgjeruar dhe intensive kundër Hamasit, pasi kabineti i sigurisë miratoi plane që mund të përfshijnë marrjen e kontrollit të të gjithë Rripit të Gazës dhe kontrollin e ndihmave.

    Të premten, ushtria izraelite urdhëroi banorët e Gazës të lëvizin në jug pas sulmeve të rënda në qytetin verior Beit Lahia dhe në kampin e refugjatëve Jabalia. Banorët, megjithatë, thanë se tanket po përparonin drejt qytetit jugor Khan Younis.

    Qëllimi i deklaruar i Izraelit në Gazë është eliminimi i aftësive ushtarake dhe qeverisëse të Hamasit, i cili sulmoi komunitete izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1.200 persona dhe duke marrë rreth 250 pengje.

    Fushata ushtarake e tij ka shkatërruar enklavën e vogël dhe të mbipopulluar, duke zhvendosur pothuajse të gjithë 2 milionë banorët e saj nga shtëpitë dhe duke vrarë më shumë se 53.000 njerëz, sipas autoriteteve shëndetësore në Gaza.

    NBC News raportoi të premten, duke cituar pesë persona me njohuri për çështjen, se administrata Trump po punon për një plan për të zhvendosur përherë deri në një milion palestinezë nga Rripi i Gazës në Libi.

    Palestinezët, përfshirë Hamasin dhe autoritetin rival të Presidentit Mahmoud Abbas, e kundërshtojnë çdo zhvendosje të njerëzve jashtë tokës së tyre.

  • Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, kryetari i komunës: Sulm i papranueshëm

    Vandalizohet posteri i komandant Lleshit në Bujanoc, kryetari i komunës: Sulm i papranueshëm

    Kryetari i Komunës së Bujanocit, Arbër Pajaziti, ka reaguar pas vandalizimit të një posteri që promovon koncertin në kuadër të manifestimit “Ditët e Komandant Lleshit”.

    Ridvan Qazimi, i njohur si Komandant Lleshi, ishte një nga figurat më të shquara të Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, i cili ra dëshmor më 24 maj të vitit 2001 në fshatin Tërnoc i Madh.

    Në një video të publikuar, shihet një person duke thyer xhamin dhe duke dëmtuar posterin e vendosur në Bujanoc.

    Pajaziti e ka quajtur këtë veprim një sulm të rëndë ndaj kujtesës kolektive dhe përpjekjeve për të nderuar figurat historike që kanë kontribuar për të drejtat dhe dinjitetin e shqiptarëve në Luginë.

    “Me shqetësim dhe indinjatë kemi mësuar për aktin vandal të kryer ndaj posterit që promovon koncertin në kuadër të manifestimit të Ditëve të Komandant Lleshit. Thyerja e xhamit dhe dëmtimi i këtij posteri nuk është thjesht një veprim kundër një materiali promovues – është një sulm i papranueshëm ndaj kujtesës historike, kulturës sonë dhe përpjekjeve për nderimin e figurave që kanë dhënë gjithçka për lirinë dhe dinjitetin tonë.”

    Reagimi i plotë:

  • Kremlini: Takimi Putin-Zelensky mund të ndodh, por nëse arrihen disa marrëveshje të caktuara

    Kremlini: Takimi Putin-Zelensky mund të ndodh, por nëse arrihen disa marrëveshje të caktuara

    Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, njoftoi sot se mundësia për një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, ekziston, por vetëm nëse arrijnë dakord për disa marrëveshje të caktuara, raporton Reuters.

    Peskov theksoi se Rusia është e hapur për një takim të tillë, por vetëm nëse arrihen “rezultate të caktuara në disa marrëveshje”, megjithatë ai nuk sqaroi se cilat marrëveshje janë të nevojshme për të realizuar një takim të mundshëm.

    “Njëkohësisht, kur nënshkruhen dokumentet për të cilat delegacionet duhet të bien dakord, gjëja kryesore dhe themelore për ne mbetet se kush saktësisht do t’i nënshkruajë këto dokumente nga pala ukrainase,” shtoi Peskov.

    Zëdhënësi i Kremlinit nuk ka dhënë më shumë detaje për këtë deklaratë.

    Më herët, presidenti ukrainas sfidoi Putin-in për një takim ballë për ballë në Turqi, por ai vendosi të dërgojë një delegacion të zyrtarëve të lartë për të negociuar me përfaqësuesit ukrainas në Stamboll të premten.

  • Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Kusari-Lila: S’ka shkelje, ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka reaguar ndaj akuzave për shkelje të Rregullores së Kuvendit, pas kërkesës së kryesuesit Avni Dehari që mbledhjet e seancave të mos mbahen çdo 48 orë, siç është e përcaktuar, por një herë në javë.

    “Kjo nuk ishte shkelje, sepse nuk u realizua. Ishte vetëm një propozim për dakordim mes të gjitha partive”, tha Kusari-Lila gjatë deklarimit të saj në Kuvend.

    Sipas saj, propozimi ishte pjesë e konsultimeve në fillim të seancës dhe kishte për qëllim shmangien e mbledhjeve të shpeshta, të cilat – siç tha – nuk po japin rezultat për shkak të qëndrimit bllokues të opozitës.

    “Seanca filloi me konsultim që të ketë shmangie të Rregullores, të takohemi më rrallë, pasi 48-orëshi nuk po jep rezultat. Nga parafolësit u akuzuam për shkelje, por ishte vetëm një propozim për marrëveshje, jo vendim i njëanshëm”, theksoi Kusari-Lila.

    Ajo përsëriti se partitë opozitare po vazhdojnë të mbajnë qëndrim bllokues, duke pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

  • Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Krasniqi: Na u kërkua ta shkelim rregulloren e të mblidhemi vetëm një herë në javë – e papranueshme

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit, duke kritikuar sjelljen e partisë në pushtet dhe kërkesat që sipas tij bien ndesh me rregulloren.

    Ai tha se në konsultimet e thirrura nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari nga Vetëvendosje, është propozuar që seancat konstituive të mbahen vetëm një herë në javë – ndryshe nga parashikimet e rregullores së Kuvendit.

    “Sot patëm një zhvillim të papranueshëm. E para, deputetët e partisë që doli e para nuk erdhën as me kohë, ishin 45 minuta vonë dhe kur erdhën patën një kërkesë që në mënyrë të organizuar ta shkelim rregullorën”, deklaroi Krasniqi.

    Ai theksoi se kërkesa për ta reduktuar frekuencën e seancave është në kundërshtim me rregulloren.

    “Kërkesa e tyre ishte që në kundërshtim me rregulloren, që thotë se duhet të mblidhemi çdo dy ditë derisa të konstituohet Kuvendi, ata kërkuan që të mblidhemi një herë në javë”, tha Krasniqi.

    Sipas tij, kjo situatë paraqet dy probleme thelbësore: “E para, është krejtësisht e papranueshme me bë një kërkesë të tillë, për me shkelë rregulloren me vetëdije deputetët. E dyta, kjo tregon se vullneti i tyre nuk është për me bë zgjidhje, por thjesht këto përsëritje mos me u mbajtë çdo dy ditë, por çdo javë”.

  • Bajrami për kërkesën e LVV-së: Indikacion shtesë së kjo parti nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit

    Bajrami për kërkesën e LVV-së: Indikacion shtesë së kjo parti nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas ndërprerjes së seancës së 17-të konstituive të Kuvendit, duke komentuar kërkesën e Lëvizjes Vetëvendosje që seancat të mbahen vetëm një herë në javë.

    Sipas saj, kjo është një dëshmi shtesë se LVV nuk është e interesuar për konstituimin e Kuvendit.

    “Ne këtë e shohim si indikacion shtesë së VV-ja nuk është absolutisht e interesuar që ta bëj konstituimin e Kuvendit. Domethënë ata mungesën e institucioneve të Kuvendit dhe Qeverisë e kanë reduktuar në problem të mbledhjes çdo 48 orë të despotëve. Vetëm ky është problemi i tyre”, tha ajo.

    Bajrami shprehu keqardhje për dështimin e radhës për të ecur përpara në procesin e konstituimit, duke theksuar se kishte propozuar që VV të nominonte sa më shumë kandidatë për të parë se cili prej tyre do të merrte votat e mjaftueshme.

    “Normalisht se u refuzuar një kërkesë e tillë, unë bile ju thash që ju brenda 24 orëve mund të propozoni edhe 47 kandidat tjerë për të provuar se kush prej tyre po i merr votat në mënyrë që të kalojmë në fazën tjetër. Është fatkeqësi që për herë të 17 u mblodhëm dhe nuk arritën që të lëvizin as edhe një hap përpara”, theksoi deputetja e LDK-së.

  • Dështon edhe tentimi i 17-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe tentimi i 17-të për konstituimin e Kuvendit

    Kuvendi i Kosovës ka dështuar sërish të konstituohet, edhe pas përpjekjes së 17-të.

    Në seancën e mbajtur të shtunën, propozimi për formimin e komisionit për votimin e fshehtë mori vetëm 53 vota për dhe një kundër, duke pamundësuar vazhdimin e procesit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Seanca e radhës është thirrur për ditën e hënë, më 20 maj, në ora 10:30.

    Në fillim të mbledhjes së fundit, deputetët e nderuan me një minutë heshtje veprimtarin Ukshin Hoti, i cili rezulton i zhdukur tash e 26 vjet.