ATV

Category: Lajme

  • Rubio mbështet sanksione të reja të ashpra ndaj Rusisë, por Trump kundërshton projektligjin në Senat

    Rubio mbështet sanksione të reja të ashpra ndaj Rusisë, por Trump kundërshton projektligjin në Senat

    Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka shprehur mbështetje të fuqishme për projektligjin e senatorit republikan Lindsey Graham, i cili propozon një raund të ri sanksionesh të ashpra ndaj Rusisë dhe partnerëve të saj tregtarë. Rubio është ndër përkrahësit më të zëshëm të kësaj nisme dhe po punon për miratimin e saj në Senat, shkruan Gazeta Sinjali.

    Projektligji, i paraqitur në fillim të prillit nga Graham dhe senatori demokrat Richard Blumenthal, parashikon vendosjen e sanksioneve parësore dhe dytësore ndaj Moskës nëse ajo refuzon propozimet amerikane për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Ai përfshin gjithashtu tarifa importi deri në 500% për mallrat nga vendet që blejnë naftë, gaz ose uranium rus.

    Megjithatë, presidenti Donald Trump kundërshton këtë projektligj, duke preferuar një qasje më të kujdesshme ndaj përshkallëzimit të tensioneve me Rusinë.

    Graham, i përfshirë në listën e personave të shpallur terroristë nga Rusia, vazhdon të mbajë një qëndrim të fortë kundër Kremlinit në Kongres. Projektligji konsiderohet test kyç për politikën e ardhshme amerikane ndaj Rusisë dhe ndikimin e saj në tregjet globale energjetike, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon të ketë pasoja ndërkombëtare të rëndësishme.

  • Nuk lejohet të vizitojë krerët e UÇK-së, Tony Hall shkon deri te muri i burgut në Hagë

    Nuk lejohet të vizitojë krerët e UÇK-së, Tony Hall shkon deri te muri i burgut në Hagë

    Ish-kongresmeni dhe ish-ambasadori amerikan, Tony Hall, ka bërë një vizitë simbolike në Hagë për t’u solidarizuar me liderët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim nga Gjykata Speciale, raporton ATV.

    Edhe pse nuk iu lejua të takonte Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, Hall ka shkuar deri te muri i burgut dhe u ka dërguar një letër të ngrohtë përmes së cilës ndau mesazhe shprese, qëndrueshmërie dhe lutjeje.

    Në letrën e tij, të siguruar nga ATV, Hall shkruan se qëllimi i vizitës ishte të thellonte miqësinë dhe respektin e ndërsjellë, të forconte shpresën për pajtim dhe të shprehte mbështetjen e tij për Kosovën.

    “Edhe pse nuk munda t’ju takoj personalisht, unë jam këtu, vetëm disa dhjetëra metra larg jush, jashtë këtyre mureve”, shkroi ai.

    Ai u kujton liderëve të UÇK-së se nuk janë harruar dhe se forca e tyre e vërtetë buron nga besimi dhe lidhja me Zotin.

    Tony Hall e përmbyll letrën me një mesazh inkurajues: “Mbahuni të fortë dhe të guximshëm, keni ende shumë për të bërë dhe keni mjetet shpirtërore për ta bërë këtë.” /atvlive.tv

    Më poshtë, ju sjellim tekstin e plotë të letrës që Tony Hall ua ka dërguar liderëve të burgosur të UÇK-së:

    Hashim Thaci
    Kadri Veseli
    Jakup Krasniqi
    Rexhep Selimi

    19 maj 2025, The Hague

    Ishte dëshira ime e zjarrtë të takohesha me ju personalisht këtë javë për të inkurajuar besimin tonë të ndërsjellë, shpresën tonë për pajtim dhe për të rritur respektin tonë për njëri tjetrin dhe veçanërisht për vendin tuaj – Kosovën. Pavarësisht se nuk munda t’ju takoj përsonalisht, nuk jam i dekurajuar të vij ke Ju dhe do të jem atje me ju, vetëm disa dhjetëra metra larg jush, aty jashtë mureve të burgut ku ju po mbaheni. Dhe kështu së bashku me Ju, do të ndajmë të njëjtën tokë dhe të njëjtin ajër dhe në këtë frymë që dua t’ju jap ca citime e mendime nga shkrimet e shenjta. Dhe, në këtë mënyrë shpresojmë t’ju ofrojmë ca kurojo dhe inkurajim me vizitën tonë.

    Së pari, dua të them sa mirënjohës jam për miqësinë tuaj. Mendoj shpesh për ju dhe lutem rregullisht për ju, familjet tuaja dhe për Kosovën. Edhe pse gjatë kësaj vizite nuk arritëm të takoheshim personalisht, ta dini se ju nuk jeni harruar. Une kam gjetur inkurajim të madh nga udhëzimi në shkrimet e shenjta se “Ne nuk i fiksojmë sytë tek ajo që shihet, por tek ajo që nuk shihet, sepse ajo që shihet është e përkohshme dhe ajo që nuk shihet është e përjetshme”.

    Prandaj, mos u dekurajoni nga fakti se nuk munda të ulem sot së bashku me Ju, sepse une jam me ju, pikërisht jashtë këtyre mureve! Vij edhe me miq tjerë që doja t’jua prezantoja, sepse shoqëria jonë po rritet, pavarësisht kufizimeve që kanë vënë ca njerëz! Kjo është një nga pikat e forta të besimit tonë, prandaj mbahuni të fortë dhe të guximshëm.

    Së dyti, mos harroni se, edhe pse mund të jeni të mbyllur atje, forca juaj e vërtetë është te Zoti. Kur mendoj për situatën tuaj, më kujtohet forca që unë dhe miqtë e mi përjetuam kur punuam për pajtim në Tokën e Shenjtë. Ne besuam se ” Zoti nuk na ka dhënë një frymë frike, por fuqie, dashurie dhe vetëkontrolli… dhe me anë të Frymës së Shenjtë, që banon brenda nesh, ruajeni amanetin e shenjtë që ju është besuar”. Ne lutemi të njëjtën gjë për ju, që puna që filloi në Kosovë të japë fryte të mira.

    Ta dini se, gjerësa ne po qëndrojmë jashtë këtyre mureve duke përmendur emrat tuaj dhe duke u lutur që të mira të shumta të vazhdojnë të lulëzojnë në ju dhe në Kosovë, Ju jeni në mendjet dhe lutjete e shumë miqëve gjithandej. Andaj edhe pse jeni të burgosur, kjo nuk ju pengon të vazhdoni të bëni mirë. Ju, miqtë e mi, keni ende shumë për të bërë dhe mund të bëni gjëra të mëdha për familjet dhe vendin tuaj.

    Së fundmi, ndërsa lutemi për ju sot, dua t’ju inkurajoj t’u bëni thirrje bashkëkombësve tuaj të luten gjithashtu me ju dhe për vendin tuaj. Kur isha në
    Kongres, udhëhoqa një përpjekje për të njohur të Enjten e parë të majit si Ditën Kombëtare të Lutjes, të cilën Presidenti Reagan e nënshkroi si ligj. Vitin e
    kaluar u ftova në Ukrainë për t’u takuar me parlamentin e tyre për krijimin e një dite të ngjashme kombëtare lutjeje në vendin e tyre. Ata e miratuan atë ligj katër muaj më parë dhe tani SHBA-ja dhe Ukraina janë të vetmet dy vende me një ditë kombëtare lutjeje . Unë besoj se kur një komb përulet në lutje, Zoti dëgjon. Imagjinoni çfarë mund të ndodhte nëse Ju së bashku do të mund t’i thërrisnit bashkatdhetarët tuaj në një ditë lutjeje për kombin tuaj.

    Faleminderit, vëllezër të dashur, që morët letrën time dhe për mikpritjen e familjeve tuaja që më pritën në Kosovë gjatë vizitës sime të fundit para dy vitesh.

    Jam këtu me miqtë që kam sjellë nga vendi im dhe nga Kosova për t’u lutur me ju dhe për ju. Mbahuni të fortë dhe të uximshëm, keni ende shumë për të bërë dhe keni mjetet shpirtërore për ta bërë këtë.

    Në emër të Jezusit,
    Vëllau dhe miku Juaj,
    Tony Hall

  • G7 paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë nëse refuzon armëpushimin në Ukrainë

    G7 paralajmëron sanksione të reja ndaj Rusisë nëse refuzon armëpushimin në Ukrainë

    Ministrat e Financave dhe guvernatorët e bankave qendrore të vendeve anëtare të G7-s u dakorduan më 22 maj në një takim në Kanadanë perëndimore se Rusia mund të përballet me sanksione të reja nëse nuk pranon një armëpushim në luftën kundër Ukrainës, shkruan Gazeta Sinjali.

    Në deklaratën përfundimtare, G7 dënoi ashpër “luftën brutale” të Rusisë dhe paralajmëroi se, në rast të dështimit të përpjekjeve diplomatike, do të shqyrtohen “të gjitha opsionet”, përfshirë shtimin e mëtejshëm të sanksioneve kundër Moskës.

    Po ashtu, G7 konfirmoi se asetet sovrane të Rusisë, të ngrira në juridiksionet e vendeve anëtare, do të mbeten të bllokuara deri kur Rusia të ndalojë luftën dhe të dëmshpërblejë Ukrainën për shkatërrimet e shkaktuara.

    Ministrat njoftuan bashkëpunim të ngushtë për të parandaluar që ndonjë vend apo entitet i përfshirë në financimin ose furnizimin e makinerisë ruse të luftës të përfitojë nga procesi i rindërtimit të Ukrainës pas përfundimit të konfliktit.

    Ministri kanadez i Financave, Francois-Philippe Champagne, e cilësoi qëndrimin si “shumë të fortë”, ndërsa u shmang përmendja e drejtpërdrejtë e vendeve si Kina, që shpesh akuzohet për ndihmë ndaj Rusisë.

    Takimi u mbajt në Malet Shkëmbore të Kanadasë dhe shërben si përgatitje për samitin kryesor të G7-s, i cili do të mbahet në mes të qershorit. Në takim mori pjesë edhe ministri ukrainas i Financave, Serhiy Marchenko, i cili kërkoi që presioni mbi Rusinë të vazhdojë.

  • Gërvalla me tone të ashpra ndaj Baljes dhe Hoxhës: Kuvendi s’është pazar ku shitemi e blihemi

    Gërvalla me tone të ashpra ndaj Baljes dhe Hoxhës: Kuvendi s’është pazar ku shitemi e blihemi

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar me fjalor të ashpër ndaj deputetëve Duda Balje dhe Adem Hoxha, pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

    Në deklaratën për media pas seancës së ndërprerë, Gërvalla tha se nuk ka dijeni për pretendimet se Balje është kontaktuar për t’i ofruar një post profesoreje në Shkup në këmbim të votës për kryetaren e propozuar të Kuvendit, Albulena Haxhiu.

    Megjithatë, ajo kritikoi rëndë qasjen e deputetëve duke thënë: “U bëj thirrje edhe zonjës Balje, edhe zotit Hoxha që të heqin dorë nga qasja bllokuese, sepse nuk jemi këtu në pazar ku shitemi dhe blihemi. Konstituimi i Kuvendit është çështje parimore“, transmeton sinjali.

    Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

  • Çitaku: Kosova po mbahet peng nga kryeneçësia e Albin Kurtit

    Çitaku: Kosova po mbahet peng nga kryeneçësia e Albin Kurtit

    Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar pas dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e fajësuar Albin Kurtin për situatën e bllokuar politike.

    Në një deklaratë për media, Çitaku tha se vendi ka humbur 103 ditë pa institucione funksionale dhe pa trajtuar problemet reale të qytetarëve. Ajo theksoi se PDK mbetet konstruktive dhe e gatshme të kontribuojë për zgjidhje.

    “103 ditë të humbura për Kosovën, 103 ditë pa i adresuar hallet e qytetarëve. PDK vazhdon të jetë konstruktive. Ne jemi të gatshëm çdo moment që të hapim rrugë, kemi ofruar alternativat tona. Mirëpo, Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit”, deklaroi Çitaku.

    Ajo bëri thirrje për reflektim nga të gjitha palët politike në mënyrë që vendi të mund të ecë përpara dhe të tejkalohet ngërçi institucional.

  • Pas dështimit të 20-të, LVV-ja: Thirrje për zhbllokim, s’është e drejtë të mos votoni

    Pas dështimit të 20-të, LVV-ja: Thirrje për zhbllokim, s’është e drejtë të mos votoni

    Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Gërvalla, ka reaguar pas dështimit të 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke fajësuar partitë që deri vonë ishin në opozitë për vazhdimin e bllokadës politike.

    Përmes një deklarate për media, Gërvalla theksoi se Kuvendi duhet të zhbllokohet urgjentisht, duke nënvizuar se beteja politike duhet të fokusohet në formimin e Qeverisë, e jo në pengimin e proceseve të tjera procedurale.

    “Nuk më mbetet tjetër veçse të bëj thirrje që kjo qasje bllokuese të ndalet. Beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë. Beteja politike nuk bëhet për një temë e cila në fakt është e vetëkuptueshme”, tha Gërvalla.

    Ajo i ka bërë thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për ta zhbllokuar këtë situatë që po zvarritet tash e disa javë.

    “Ju bëj thirrje deputetëve që në seancën e ardhshme të votojnë për zhbllokim… Nuk është e drejtë e tyre që të mos marrin fare pjesë në votim për procedurë. Do të duhej urgjentisht më së largu brenda 48 orësh të zhbllokohet kjo situatë”, deklaroi Gërvalla.

    Sipas saj, pas zhbllokimit të Kuvendit, është përgjegjësi e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, që të ndërmarrë hapat për formimin e Qeverisë.

    “Më pas kryeministrit Kurti i mbetet të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, aty pastaj jemi tek numrat dhe fillojnë rrjedhin afatet ligjore per formimin e Qeverisë”, përfundoi Gërvalla.

  • Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

    Balje: Ma ofruan pozitën e profesoreshës në Shkup, në këmbim të votës për Albulena Haxhiun

    Deputetja Duda Balje ka konfirmuar publikisht se ka marrë oferta joformale për një pozitë profesoreshë në Shkup, në këmbim të votës së saj për Albulena Haxhiun si kryetare e Kuvendit të Kosovës.

    Ajo deklaroi se oferta ka ardhur përmes personave që nuk janë drejtpërdrejt të përfshirë në politikë, por që kanë lidhje shoqërore me të.

    “Është e vërtetë, ka pasur disa thirrje nga persona të shoqërisë, jo direkt nga politika. Më është përmendur mundësia për një vend pune si profesoreshë në Maqedoni, por e kam refuzuar menjëherë,” tha Balje për mediat.

    Ajo sqaroi se oferta nuk ishte e drejtpërdrejtë dhe kishte ardhur përmes një shoqeje të saj, një mjeke nga Kosova.

    “Po është e vërtetë. Pata disa thirrje prej personave që nuk janë bash direkt të politikës, janë në shoqëri. Unë para disa vitesh kam apliku për profesoreshë në Maqedoni edhe kam plotësu krejt kushtet ama më nuk kam apliku. Ama tash më kanë thënë se ka mundësi me diskutu për vendin e punës si profesoreshë”. Po, nuk ka qenë direktë por. Është një shoqe, një mjeke e Kosovës. Disa herë jemi taku rastësisht. Përgjigja ime ka qenë jo, kam refuzu sepse unë nuk i njoh këta persona dhe vërtet ka qenë e papranueshme. Ka pasë dy tri thirrje”, tha ajo.

  • Dështon edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit

    Dështon edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit

    Ka dështuar edhe tentativa e 20-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, për shkak të mungesës së mbështetjes për ndryshimin e formës së votimit për Kryetarin e Kuvendit.

    Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, ka insistuar sërish që zgjedhja e kryeparlamentarit të bëhet përmes votimit të fshehtë. Megjithatë, kjo nismë nuk ka gjetur përkrahje nga partitë opozitare.

    PDK, LDK, AAK dhe Lista Serbe nuk kanë propozuar fare anëtarë për Komisionin që do të mundësonte votimin e fshehtë. Në momentin kur kjo çështje u hodh në votim, këto parti zgjodhën të mos marrin pjesë në procesin e votimit.

    Në seancë ishin të pranishëm 111 deputetë, por mungesa e konsensusit bëri që procesi të ndërpritej.

  • Vasfije Krasniqi njofton se është diagnostikuar me tumor: Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre

    Vasfije Krasniqi njofton se është diagnostikuar me tumor: Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre

    Aktivistja dhe e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, Vasfije Krasniqi-Goodman, ka bërë të ditur se është diagnostikuar me një tumor në zorrë.

    Përmes një postimi emocional në Facebook, Krasniqi-Goodman ka ndarë me publikun përvojën e saj të fundit, duke njoftuar se të hënën iu nënshtrua një operacioni për heqjen e pjesës së prekur të zorrëve.

    Ajo theksoi se qëndrimi në spital ishte më i vështirë dhe më i gjatë se sa ishte parashikuar, por tani është në shtëpi, në fazë shërimi.

    “Kohët e fundit, unë u diagnostikova me një tumor në një pjesë të zorrëve dhe iu nënshtrova një operacioni të hënën për të hequr atë pjesë të zorrëve. Qëndrimi në spital ishte i vështirë dhe më i gjatë se sa pritej, por jam e lehtësuar që po shërohem në shtëpi tani. Fatmirësisht, raporti i patologjisë konfirmoi se tumori ishte beninj dhe unë pres një shërim të mirë. Dua t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen e tyre – mesazhet, telefonatat dhe vizitat e tua të mira kishin shumë vlerë për mua gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Krasniqi-Goodman në Facebook.

  • Kurti në darkë pune me Kaja Kallas: Kërkon heqjen e masave të BE-së dhe statusin e kandidatit për Kosovën

    Kurti në darkë pune me Kaja Kallas: Kërkon heqjen e masave të BE-së dhe statusin e kandidatit për Kosovën

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të enjten mbrëma me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, në një darkë pune pas takimeve të saj me udhëheqësit e partive politike në Prishtinë.

    Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, gjatë takimit u diskutua për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe BE-së, agjendën e reformave evropiane si dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Kryeministri Kurti theksoi se masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës duhet të hiqen tërësisht dhe kërkoi që Kosova të marrë statusin e vendit kandidat, duke e cilësuar vendin si demokracinë më të avancuar në rajon.

    Në lidhje me dialogun me Serbinë, Kurti nënvizoi nevojën për zbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit të saj. Ai kërkoi që Serbia të mbahet përgjegjëse për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë dhe përsëriti kërkesën që kryeterroristi Millan Radoiçiq t’i dorëzohet drejtësisë në Kosovë, duke përmendur aktakuzën 160 faqëshe të ngritur nga Prokuroria e Republikës së Kosovës.

    Kurti gjithashtu ngriti çështjen e shkeljeve sistematike të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc nga shteti serb, duke i bërë thirrje Bashkimit Evropian për veprime konkrete në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve në Luginë.