ATV

Category: Lajme

  • Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Sot vazhdimi i 21-të i seancës konstituive të Kuvendit, pas 20 dështimesh

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen për 21-tën herë me radhë në seancën konstituive të përbërjes së nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Çështja e votimit të fshehtë , që u propozua më 1 maj nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, pasi e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk arriti në disa votime t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në këtë post, është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.

    Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Lista Serbe refuzojnë që ta propozojnë një përfaqësues që të formohet komisioni për mbikëqyrjen e një votimi të fshehtë për kryetarin e Kuvendit

    Vetëvendosje vazhdon të këmbëngul për kandidaturën e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, ndërsa partitë e tjera e kundërshtojnë këtë kandidim, duke e konsideruar Haxhiun si figurë përçarëse.

  • Çitaku shkruan për Thaçin në Ditën e Presidentit: Të paktë janë ata që shënojnë epoka

    Çitaku shkruan për Thaçin në Ditën e Presidentit: Të paktë janë ata që shënojnë epoka

    Për nder të Ditës së Presidentit, Vlora Çitaku e PDK-së ka bërë një postim për ish-kreun e vendit, Hashim Thaçi, duke ia uruar këtë ditë dhe që beteja me të cilën ai po përballet tani, të jetë e fundit.

    Në Facebook ajo shkroi se për aq sa do të ketë Kosovë, do të ketë edhe presidentë, ministra e deputetë. Por se sipas saj, të rrallë janë ata që ndryshojnë kahjen e historisë.

    “Të paktë janë ata që shënojnë epoka. Edhe pse i mbyllur padrejtësisht mes katër muresh, aura e Presidentit Thaçi mbetet e njëjtë, e fuqishme, e pathyeshme”.

    “Le të jetë kjo beteja e fundit, President. Urime Dita e Presidentit!”, shkroi tutje Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku.

    Ish-presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet prej më shumë se katër vjetësh në paraburgim në Hagë.

  • Bajrami: Transporti i energjisë që blihej me vetëm 1.11 euro, iu faturua qytetarëve me 798 euro

    Bajrami: Transporti i energjisë që blihej me vetëm 1.11 euro, iu faturua qytetarëve me 798 euro

    Çmimet e energjisë elektrike vazhdojnë të jenë një ndër shqetësimet kryesore për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, teksa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka ngritur një alarm të ri mbi keqmenaxhimin në sektorin energjetik.

    Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se sipas disa raportimeve, qytetarëve iu faturua transporti i energjisë me çmim marramendës – duke kaluar nga vetëm 1.11 euro në blerje, në 798 euro në faturim.

    “Veç mendojeni, janë këta ‘profesionistë të pavarur’ që caktojnë çmime për energjinë që ne detyrohemi t’i paguajmë”, ka shkruar ajo.

    Deputetja opozitare thekson se kjo nuk ka të bëjë me vetë energjinë, por vetëm me transportin, dhe sipas saj, këto janë ndër shkaqet kryesore të rritjes së ndjeshme të çmimeve në katër vitet e fundit.

    “Këto janë arsyet pse në katër vitet e fundit çmimi i energjisë është rritë 128% dhe pse 200 prodhues vendor e 1100 kompani shërbyese e tregtare janë duke u shty drejt mbylljes ose rritjes çmimeve.”

    Në deklaratën e saj, Bajrami ka përmendur me emra përgjegjësit institucionalë, duke theksuar:
    “Shihni Ligjin për Energjinë Elektrike, drejtëpërdrejtë përgjegjës janë KOSTT dhe ZRrE”.

  • Ushtarët bullgarë të KFOR-it trajnohen për kontrollin e turmave dhe trazirave

    Ushtarët bullgarë të KFOR-it trajnohen për kontrollin e turmave dhe trazirave

    KFOR-i ka bërë të ditur se ushtarë bullgarë nga Batalioni i Forcave Rezervë zhvilluan trajnime për fobinë nga zjarri dhe kontrollin e turmave dhe trazirave.

    KFOR-i në një postim në Facebook shkruan se trajnimi ishte planifikuar qëllimisht që të ishte sa më real, për t’u dhënë pjesëmarrësve një perceptim të plotë të mjedisit të tillë.

    “KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

    KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë”, thuhet tutje në njoftim

  • Kosova shënon sot Ditën e Presidentit, Osmani përkujton presidentin historik, Ibrahim Rugovën

    Kosova shënon sot Ditën e Presidentit, Osmani përkujton presidentin historik, Ibrahim Rugovën

    24 maji në Kosovë shënon Ditën e Presidentit. Këtë ditë e caktoi ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe nderon 24 majin e vitit 1992 kur u mbajtën zgjedhjet e para demokratike për Presidentin e Kosovës, në të cilat fituesi doli Presidenti Rugova.

    Në Ditën e Presidentit, presidentin historik të Kosovës, Rugovën e përkujtoi presidentja aktuale, Vjosa Osmani.

    “Sot ecim hapave të tij, në përpjekje të vazhdueshme për ta bërë Kosovën atë që e deshën e për të cilën sakrifikuan breza të tërë”, tha ajo.

  • Arrestohen katër persona për grabitje në një pompe të derivateve në Pejë

    Arrestohen katër persona për grabitje në një pompe të derivateve në Pejë

    Policia në Pejë ka arrestuar katër persona të dyshuar për një grabitje të ndodhur më 21 maj, në një pompë derivatesh në rrugën “KFOR” në këtë qytet.

    Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 23:36, tre persona të armatosur kanë zbritur nga një veturë e tipit “Golf” dhe kanë kërcënuar punëtorin e pikës së karburantit, duke i kërkuar paratë e arkës. Viktima u detyrua t’u dorëzonte rreth 900 euro – para se të dyshuarit të largoheshin nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

    Pas një pune intensive hetimore, më 24 maj, policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë katër persona të përfshirë në këtë rast. Gjatë bastisjes janë sekuestruar vetura e përdorur në grabitje, një pushkë gjysmë automatike, 570 euro para të gatshme, si dhe dëshmi të tjera që lidhen me rastin.

    Të dyshuarit janë intervistuar dhe janë ndaluar për 48 orë nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “Grabitje e armatosur”.

  • Sulmi me dronë e raketa në Kiev, reagon Zelensky: Është koha për të rritur presionin mbi Rusinë

    Sulmi me dronë e raketa në Kiev, reagon Zelensky: Është koha për të rritur presionin mbi Rusinë

    news image

    Kryeqyteti i Ukrainës, Kiev, është goditur mëngjesin e së shtunës nga një sulm masiv rus, duke përdorur dronë dhe raketa, të cilat shkaktuan zjarre dhe shpërndarje mbetjesh në disa lagje të qytetit.

    Sipas kryebashkiakut të Kievit, deri tani janë raportuar të paktën 15 persona të plagosur gjatë këtyre sulmeve. Kjo është një situatë shqetësuese që ka ndodhur pas një periudhe intensifikimi të sulmeve të Ukrainës, ku rreth 800 sulme janë realizuar në territorin rus, duke përfshirë edhe kryeqytetin Moskë.

    Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka paralajmëruar se Rusia do të përgjigjet në mënyrë të fuqishme ndaj këtyre veprimeve.

    Ndërkohë, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka akuzuar presidentin rus, Vladimir Putin, për vonesën në përgjigjen ndaj thirrjeve për armëpushim, pas një shkëmbimi masiv të të burgosurve ndërmjet dy vendeve.

    Ky shkëmbim ka përfshirë kthimin e 390 të burgosurve ukrainas, ndërkohë që pritet që të tjerë të vazhdojnë të kthehen gjatë fundjavës.

    Zelensky theksoi: “Është qartë koha për të rritur presionin mbi Rusinë, për të arritur jo vetëm një rezultat, por gjithçka që është e nevojshme.”

  • “Defender Europe 2025”, Kosova nis të hënën stërvitjen më të madhe ndërkombëtare

    “Defender Europe 2025”, Kosova nis të hënën stërvitjen më të madhe ndërkombëtare

    Kosova do jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar, të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë “Defender Europe 2025”.

    Ky ushtrim mbahet nga datat 26 maj deri më 9 qershor.

    Të premten, Ministria e Mbrojtjes doli me një njoftim për këtë organizim.

    “Gjatë kësaj periudhe kohore, do ketë lëvizje të konvojeve nga vendbazimet e Forcës së Sigurisë së Kosovës në drejtim të rajonit të Gjakovës, saktësisht Aeroportit të Gjakovës dhe poligonit ushtarak në Babaj të Bokës”.

    “Kjo lëvizje do të realizohet me qëllim të ekzekutimit të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe 25”, prandaj kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve gjatë periudhës së zhvillimit të ushtrimit”.

    “Forca e Sigurisë së Kosovës përmes ekzekutimit të këtij ushtrimi do të tregojë gatishmërinë operacionale dhe shkallën e ndërveprueshmërisë luftarake me vendet partnere dhe të rajonit, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipërinë, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë”, u tha në njoftim.

    Kosova në vitin 2023 ishte përjashtuar nga “Defender Europe 2023” si masë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës pas tensioneve në veri të vendit.

  • Osmani udhëton drejt ShBA-së në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Osmani udhëton drejt ShBA-së në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s

    Me ftesë të Kongresit Amerikan, Presidentja Osmani ka udhëtuar për të marrë pjesë në ngjarjet e organizuara në kuadër të sesionit pranveror të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, që sivjet mbahet në qytetin Dayton në SHBA.

    Ky sesion sivjet shënon edhe 30-vjetorin e Marrëveshjes së Paqes së Daytonit për Bosnjën dhe Hercegovinën, prandaj edhe e tërë ngjarja do t’i dedikohet përpjekjeve për paqe e siguri në Ballkanin perëndimor. Në këtë ngjarje të rëndësishme marrin pjesë edhe Presidentë të vendeve të tjera nga rajoni, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s, BE-së e SHBA-ve.

    Në agjendë të Presidentes Osmani janë një sërë aktivitetesh, përfshirë fjalime në darkën kryesore si dhe në panele, e poashtu takime me delegacionet pjesëmarrëse.

  • Niset grupi i parë i haxhilerëve nga Kosova

    Niset grupi i parë i haxhilerëve nga Kosova

    Grupi i parë i besimtarëve nga Kosova është nisur sot nga Aeroporti Ndërkombëtar “Adem Jashari” drejt vendeve të shenjta për ta kryer Haxhin.

    Njoftimi u bë i ditur nga Bashkësia Islame e Kosovës.

    “297 haxhilerë nga komuna e Prishtinës dhe Fushë Kosovës do të nisën rreth orës 08:00 të mëngjesit, ndërkohë që grupet e tjera pritet të udhëtojnë gjatë ditëve të ardhshme”, thuhet në njoftim.

    Ndër të tjera BIK bën me dije se Haxhiu më i ri për këtë vit është një 15-vjeçar nga Prishtina, kurse më e vjetra është një 84-vjeçare po ashtu nga Prishtina.

    “Nga Drejtoria për Haxh dhe Umre e Bashkësisë Islame të Kosovës thonë se gjithçka është duke shkuar mbarë ashtu siç është paraparë. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës njofton se këtë vit nga Kosova për ta kryer haxhin do të udhëtojnë 1576 besimtarë”, përfundon njoftimi i BIK-ut.