ATV

Category: Lajme

  • Ngërçi vazhdon – dështon për herë të 44-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    Ngërçi vazhdon – dështon për herë të 44-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës

    As pas 44 përpjekjeve, deputetët nuk kanë arritur ta konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

    Ngërçi vijoi edhe të mërkurën, kur dështoi sërish votimi për formimin e komisionit të fshehtë, i cili do të duhej të merrej me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

    Në sallë ishin të pranishëm 101 deputetë, prej të cilëve 55 votuan pro – numër i pamjaftueshëm për ta kaluar vendimin.

    Seanca e radhës është caktuar të mbahet të premten, më 12 korrik, nga ora 11:00.

    Përpara se të dështonte seanca, pati disa reagime nga deputetët e opozitës. Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, mori fjalën në momentin kur kryesuesi Avni Dehari ftoi partinë më të madhe opozitare që të propozojë një anëtar për komisionin. Megjithatë, Behrami përdori fjalën për të kërkuar kthimin në votim të hapur:

    “Të respektohet aktgjykimi i Kushtetueses dhe të kthehet në votim të hapur,” tha ai, por fjala e tij u ndërpre menjëherë.

    Edhe deputeti i LDK-së, Paris Guri, tentoi të marrë fjalën, por pati ndërhyrje nga deputetë të VV-së. Ai iu drejtua Fitore Pacollit me akuza:
    “T’i kthejë 200 mijë euro që i ka vjedhur,” u shpreh Guri në sallë.

    Ndërkohë, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, i bëri thirrje kryeministrit në detyrë që të marrë përgjegjësi për zhbllokimin e situatës.

  • Deliu: Urgjentisht të zbardhet vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan

    Deliu: Urgjentisht të zbardhet vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka reaguar lidhur me vdekjen tragjike të një 27-vjeçari në Lipjan, duke kërkuar nga prokuroria dhe institucionet përgjegjëse që të zbardhin urgjentisht rastin.

    Ajo e cilësoi ngjarjen si shqetësuese dhe theksoi se siguria në vend duhet të trajtohet me seriozitet të plotë.

    “Presim nga prokuroria dhe institucionet përgjegjëse të zbardhin detajet e këtij rasti tragjik. Situata e sigurisë në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitet të plotë. Është akt shumë i rëndë dhe institucionet përgjegjëse të cilat kanë mbetur në heshtje, duhet të marrin masa dhe përgjegjësit duhet të ofrojnë përgjegjësi. Sa i përket seancës, deputetja tha se nuk pret reflektim as sot, pasi sipas saj, qasja e VV-së është e njëjtë.
    “PDK-ja do ta respektoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Tashmë kemi deponuar në Gjykatën Kushtetuese edhe disa vërejtje të tjera për shkak të mosrespektimit të këtij aktgjykimi, po presim përgjigje. Nuk pres që sot të ketë reflektim, është po e njëjta qasje e marrjes peng të kuvendit”, tha ajo.

  • Kurti kërkon hetim të thellë për 27-vjeçarin në Lipjan: Abuzuesit s’do të kenë strehë në institucione

    Kurti kërkon hetim të thellë për 27-vjeçarin në Lipjan: Abuzuesit s’do të kenë strehë në institucione

    Kryeministri në detyrë Albin Kurti, në fillim të mbledhjes së Qeverisë, ka kërkuar hetim të thellë për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

    “Fllimisht, dua t’i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Zenjullahu për humbjen e më të dashurit të tyre. Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka është bërë publike, edhe falë incizimeve të dëshmitarëve.

    Por për të kuptuar plotësisht gjithçka që ka ndodhur, nevojitet bashkëpunim i ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës — Policisë, Inspektoratit Policor dhe Prokurorisë. Pesë zyrtarë tashmë janë suspenduar. Kërkoj dhe pres një hetim të thellë që të vendoset drejtësia.

    Nuk do të ketë strehë në institucione për askënd që ka tejkaluar kompetencat apo ka abuzuar me detyrën zyrtare. Tendenca për të nisur një fushatë kundër Policisë nuk është e dobishme. Thirrjet për drejtësi janë të drejta dhe duhet të dëgjohen”, tha Kurti.

     

  • Rita Ora në skenën e FIFA-s – performon në darkën gala për Botërorin e Klubeve

    Rita Ora në skenën e FIFA-s – performon në darkën gala për Botërorin e Klubeve

    Këngëtarja me famë botërore, Rita Ora, do të jetë e ftuar speciale dhe performuese kryesore në darkën gala që FIFA do të organizojë të enjten në New York, në kuadër të Botërorit të Klubeve.

    Ngjarja do të mbahet në ambientet luksoze të Cipriani Wall Street, në bashkëpunim me platformën “Big Art Festival”, dhe pritet të mbledhë emra të njohur nga bota e futbollit, drejtues të lartë të FIFA-s, si dhe figura nga moda, biznesi dhe arti.

    Përveç se e ftuar nderi, Rita Ora do ta mbyllë mbrëmjen me një performancë muzikore, duke theksuar ndërthurjen e sportit me kulturën në skenën ndërkombëtare.

  • Studimi: Ndryshimet klimatike gati trefishuan vdekjet nga i nxehti në Evropë

    Studimi: Ndryshimet klimatike gati trefishuan vdekjet nga i nxehti në Evropë

    Ndryshimet klimatike pothuajse trefishuan numrin e vdekjeve të lidhura me të nxehtin në qytetet e mëdha evropiane, gjatë valës së të nxehtit ekstrem, nga fundi i qershorit deri në fillimin e korrikut, sipas një studimi të ri.

    Hulumtues nga Mbretëria e Bashkuar, Danimarka, Holanda dhe Zvicra analizuan kushtet në 12 qytete të mëdha evropiane ndërmjet 23 qershorit dhe 2 korrikut, raporton DPA.

    Ata erdhën në përfundim se rreth 2.300 njerëz kanë vdekur nga shkaktarët e lidhur me të nxehtin gjatë periudhës 10-ditore, ndërsa për dy të tretat e vdekjeve – rreth 1.500 – u fajësuan ndryshimet klimatike.

    Temperaturat në shumë qytete arritën nivele ekstreme gjatë asaj periudhe, shpesh duke kaluar 40 gradë celsius.

    Pa ngrohjen globale, që studimi thotë se ka ngritur temperaturat e ditës në qytete për 1 deri në 4 gradë celsius, rreth 800 njerëz do të kishin vdekur nga i nxehti, sipas llogaritjeve të grupit, raporton REL.

    Për analizën, ekipi ka krahasuar temperaturat aktuale të regjistruara në qytete gjatë periudhës, me vlera të modeluara që do të mund të ishin regjistruar pa ndryshimet klimatike.

    Më pas, është llogaritur numri i pritur i vdekjeve të lidhura me të nxehtin në të dy skenarët.

    Vala e vonë e të nxehtit ka prekur veçanërisht grupet e prekshme, si njerëzit me probleme ekzistuese dhe të moshuarit.

    Sipas ekipit, 88 për qind e vdekjeve të llogaritura kanë ndodhur në mesin e personave të moshës 65 vjeç dhe më të vjetër.

  • Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, sot mbahet seanca dëgjimore për policët e dyshuar

    Rasti i vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, sot mbahet seanca dëgjimore për policët e dyshuar

    Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan ka pranuar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit për policët e dyshuar në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan.

    Këtë e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi e cila njoftoi se sot do të mbahet seanca dëgjimore për pesë policët.

    “Lidhur me kërkesën tuaj për informata, ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan sot ka pranuar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj pesë të pandehurve. Seanca dëgjimore është caktuar të mbahet nesër me datë 09.07.2025 në ora 10:30”, thuhet tutje në konfirmim.

  • 161 persona ende të zhdukur pas përmbytjeve në Teksas

    161 persona ende të zhdukur pas përmbytjeve në Teksas

    Të paktën 161 persona janë ende të zhdukur në Kerr County, Teksas, pas përmbytjeve të fuqishme që lanë pas vetes mbi 100 të vdekur, 94 prej tyre vetëm në zonën e Kerrville.

    Ndër të zhdukurit janë edhe 5 vajza dhe një kujdestar nga një kamp veror, shkruan BBC.

    Guvernatori Greg Abbott tha se përpjekjet e shpëtimit vazhdojnë me helikopterë, dronë dhe mbi 250 reagues në terren. Presidenti i aeroportit lokal e përshkroi situatën si “një makth”, ndërsa vullnetarët e shpëtimit raportojnë shkatërrim masiv dhe vështirësi ekstreme në kërkime.

    Autoritetet pranojnë se ishin paralajmëruar për stuhi, por askush nuk e priste një “mur uji 30 metra të lartë”. Kritikat janë ngritur për mungesë paralajmërimesh dhe evakuimesh në kohë.

  • Trump takohen sërish Netanyahun – flasin për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës

    Trump takohen sërish Netanyahun – flasin për lirimin e pengjeve të mbajtura në Rripin e Gazës

    Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka bërë të ditur se takimi i tij të martën vonë me presidentin amerikan, Donald Trump, është përqendruar kryesisht në çështjen e lirimit të pengjeve që po mbahen në Rripin e Gazës nga Hamasi.

    Përmes një postimi në platformën X (ish-Twitter), Netanyahu theksoi gjithashtu vendosmërinë e tij për të “eliminuar” aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit, duke lënë të kuptohet se operacionet ushtarake në enklavën palestineze nuk janë drejt përfundimit.

    Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar edhe për ndikimin dhe mundësitë që ka krijuar ajo që e cilësoi si një “fitore e madhe e arritur ndaj Iranit”, pas një fushate ajrore muajin e kaluar, në të cilën Shtetet e Bashkuara iu bashkuan sulmeve izraelite ndaj vendndodhjeve të dyshuara bërthamore të Republikës Islamike.

    Ky është takimi i tretë i Netanyahut në SHBA që nga marrja e detyrës nga presidenti Trump më 20 janar. Kryeministri izraelit u shpreh më herët për gazetarët se, edhe pse fushata ushtarake në Gaza nuk ka përfunduar ende, “negociatorët sigurisht po punojnë” për një marrëveshje armëpushimi.

    Trumpi e ka pritur Netanyahun për herë të dytë brenda dy ditësh në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa i dërguari i tij për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ka deklaruar se Izraeli dhe Hamasi po i afroheshin një marrëveshjeje armëpushimi pas gati dy vitesh lufte intensive.

  • Qeveria në detyrë mblidhet pak para seancës së Kuvendit

    Qeveria në detyrë mblidhet pak para seancës së Kuvendit

    Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës pritet të mblidhet sot.

    Kështu thuhet përmes një njoftimi zyrtar nga Zyra e Kryeministrit (ZKM).

    Në rend dite të mbledhjes së Qeverisë në detyrë janë gjashtë pika.

    Ndër pikat kryesore pritet të shqyrtohet propozim-vendimi për mbështetje financiare në bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e shkollës së muzikës dhe muzeut të Preshevës.

    Gjithashtu, do të shqyrtohet propozim-vendimi për aprovimin e rialokimit të mjeteve buxhetore në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal (MZHR) për realizimin e 10 projekteve kapitale.

    Në mbledhje është përfshirë edhe shqyrtimi i nismës për lidhjen e marrëveshjes së grantit me Asociacionin Ndërkombëtar për Zhvillim, ndër të tjera.

    Ndryshe, sot janë bërë pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare, të zhvilluara më 9 shkurt 2025, ndërkohë që Kuvendi i ri ende nuk është konstituuar – çështje që ka bllokuar formimin e qeverisë së re.

    Kujtojmë se sot mbahet seanca e 44-të në tenativë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

  • Kuvendi në tentativën e 44-të për konstituim

    Kuvendi në tentativën e 44-të për konstituim

    Deputetët e Kuvendit të Kosovës sot mblidhen sërish nga ora 11:00, në përpjekjen e 44-të për konstituimin e legjislaturës së 9-të.

    Edhe pas aktgjykimit që nxori Gjykata Kushtetuese, në Kuvend sërish vazhdoi skenari i njëjtë meqë partitë politike po e lexojnë ndryshe aktgjykimin.

    Lëvizja Vetëvendosje po insiston se votimi i fshehtë, përmes të cilit synon që kandidatja e tyre për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, e cila dështoi të merrte votat e nevojshme në votim të hapur, nuk është antikushtetues.

    Për partitë tjera kjo s’është e pranueshme meqë thonë se aktgjykimi i fundit i Kushtetueses e bën të qartë se kryeparlamentari duhet të zgjidhet sipas praktikave të deritanishme parlamentare, me votim të hapur.