ATV

Category: Lajme

  • Turqia burgos komedianin dhe reperin për shaka që e konsideruan fyese ndaj Islamit

    Turqia burgos komedianin dhe reperin për shaka që e konsideruan fyese ndaj Islamit

    Turqia burgosi dy burra të martën vonë në pritje të gjyqit, pasi prokurorët thanë se programi i tyre online përfshinte një shaka që i referohej një hadithi ose mësimi të Profetit Muhamed, të cilin ata pretendojnë se mund të nxisë urrejtje fetare.

    Një gjykatë në Stamboll urdhëroi paraburgimin e YouTuber-it, Bogac Soydemir, prezantues i programit “Soguk Savas”, dhe të ftuarit të tij Enes Akgunduz, një reper, pasi autoritetet thanë se programi përmbante një batutë rreth hadithit “vera është nëna e të gjitha të këqijave”.

    Prokurorët argumentuan se vërejtja rrezikonte të nxiste armiqësi në baza fetare, transmeton Telegrafi.

    Të dy burrat kërkuan falje pas transmetimit dhe, mohuan se kishin bërë ndonjë gabim kur u paraqitën në gjykatë të martën.

    Soydemir tha se nuk kishte ndërmend të provokonte urrejtje, duke shtuar se e hoqi videon pasi u njoftua për çështjen dhe kërkoi falje në llogaritë e tij në mediat sociale.

    Ai tha se vërejtja ishte një koment i shikuesit që lexoi në transmetim, të cilin e ngatërroi për lojë fjalësh.

    Akgunduz gjithashtu hodhi poshtë çdo sugjerim për ofendim të qëllimshëm dhe tha se biseda e tyre ishte keqinterpretuar.

    Ai tha se shakaja ishte një koment nga një shikues që e lexoi në transmetim, të cilin e ngatërroi me një lojë fjalësh të thjeshtë, dhe pranoi se duhej të kishte menduar më me kujdes.

    Çështja vjen pas burgosjes së katër karikaturistëve nga revista javore satirike Leman, për një karikaturë që mendohet se përshkruan Profetët Muhamed dhe Moisi, të cilën presidenti Tayyip Erdogan e përshkroi si një “provokim të ndyrë”.

  • Irani pranon shkatërrimin e impianteve bërthamore nga sulmet amerikane

    Irani pranon shkatërrimin e impianteve bërthamore nga sulmet amerikane

    Kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit dhe njëherësh nënpresident, Mohammad Eslami, ka pranuar se disa nga objektet bërthamore iraniane janë dëmtuar rëndë nga sulmet ajrore amerikane të 22 qershorit.

    Në një intervistë për Sky News në Vjenë, ai konfirmoi se impiantet në Fordow, Natanz dhe Isfahan u goditën nga bombarduesit B-2 Spirit, të cilët përdorën bomba shkatërruese bunkerësh me peshë 13,600 kg, si dhe raketa Tomahawk të lëshuara nga anije amerikane. Imazhet satelitore treguan dëme të konsiderueshme, veçanërisht në Natanz.

    “Përqindja e pasurimit nuk është domosdoshmërisht për armët kur është e lartë. Ne kemi nevojë për pasurim më të lartë për ndjeshmëritë dhe mjetet tona të matjes me saktësi”, tha Eslami, duke shtuar se sanksionet e kanë detyruar Iranin të prodhojë vetë pajisjet e nevojshme.

    Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi se sulmet shkaktuan “dëme të tepërta dhe serioze”, ndonëse lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, kishte deklaruar se programi bërthamor nuk ishte penguar.

    Araghchi theksoi se nuk ka plane për të rinisur bisedimet me SHBA-në, duke e cilësuar një “armike” që ka kryer padrejtësi të mëdha ndaj Iranit. Ai paralajmëroi se sulmet do të kenë “pasoja të përhershme” dhe i quajti ato “të paligjshme dhe kriminale”.

    Ndërkohë, vendet evropiane kanë paralajmëruar rikthimin e sanksioneve nëse Irani nuk ndërmerr hapa urgjentë për shpëtimin e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, përfshirë kthimin e inspektorëve të OKB-së dhe rifillimin e bisedimeve. Irani pritet të zhvillojë diskutime me evropianët gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork këtë javë.

  • FSK në stërvitje për gjuajtje taktike me mortaja

    FSK në stërvitje për gjuajtje taktike me mortaja

    Forca e Sigurisë së Kosovës ka njoftuar se, me mbështetjen e Organizatës për Menaxhimin e Trajnimeve dhe Asistencës së Sigurisë të Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara (SATMO), po vazhdon përpjekjet për avancimin dhe forcimin e kapaciteteve operacionale dhe mbështetjes luftarake të personelit ushtarak.

    Në kuadër të këtyre përpjekjeve, FSK-ja ka bërë të ditur se ushtarët e Kosovës po realizojnë aktivitetin e gjuajtjes me mortaja, stërvitje kjo që po zhvillohet në Shqipëri, në koordinim të ngushtë me SATMO dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

    “Në përputhje me planet e trajnimit dhe në koordinim të ngushtë me SATMO, si dhe me Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, po realizohet aktiviteti i gjuajtjes taktike me mortaja në stërvitjen që po zhvillohet në Biza të Republikës së Shqipërisë. Ky aktivitet synon rritjen e gatishmërisë operative, forcimin e bashkëpunimit rajonal mes forcave tona dhe partnerëve ndërkombëtarë,” bëhet e ditur në njoftim.

    FSK-ja thekson se trajnimi është zhvilluar në pjesën teorike dhe praktike, me fokus në tri detyra kryesore:

    “Trajnimi me mortaja (Mortar training), Kursi për udhëheqës të këmbësorisë dhe mortajave (Infantry mortar leader course), Vëzhgues i përparmë (Forward observer), ku janë stërvitur në: përdorimin e sigurt të mortajave, shënjestrimin, gjuajtjen, stërvitje e procedurave të koordinimit dhe komunikimit midis elementeve të zjarrit dhe njësive taktike, shkëmbim të përvojave dhe praktikave më të mira me trajnerët dhe këshilltarët e partnerëve ndërkombëtarë.”

    Forca e Sigurisë së Kosovës thotë se ky bashkëpunim forcon kapacitetet profesionale të saj dhe kontribuon në sigurinë dhe stabilitetin rajonal përmes trajnimit të sinkronizuar dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm me partnerët.

  • Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Prokuroria kërkon t’i vazhdohet paraburgimi Thaçit

    Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke argumentuar se ekziston dyshimi i bazuar se ai ka kryer vepra penale që bien nën juridiksionin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK).

    Kërkesa është dorëzuar më 22 shtator, ku prokuroria është mbështetur edhe në vendimin për konfirmimin e aktakuzës.

    “Thaçi paraqet një rrezik jashtëzakonisht të lartë për të penguar procedurat në këtë proces, dhe përfundimi i çështjes nga Prokuroria dhe mbrojtësit e viktimave nuk e eliminon këtë rrezik”, thuhet në kërkesë.

    Sipas prokurorisë, dëshmitarët vazhdojnë të mbeten të rrezikuar edhe pas dhënies së dëshmisë së tyre, përmes përpjekjeve për hakmarrje, nxitjes për të tërhequr dëshmitë ose ndërhyrjeve në procedura paralele.

    “Për më tepër, klima e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe e ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-pjesëtarëve të UÇK-së në Kosovë vazhdon, të cilën Gjykata e Apelit e ka pranuar si një ‘rrethanë kontekstuale’ të rëndësishme”, thuhet më tej.

    Në kërkesë përmendet edhe se “gjetje të ngjashme janë bërë në aktgjykimin ndaj Mustafës dhe në aktgjykimin e Apelit në çështjen Gucati dhe Haradinaj. Paneli gjyqësor në rastin Gucati dhe Haradinaj konsideroi se ‘mbrojtja e dëshmitarëve ka vazhduar të jetë një çështje aktive dhe kritike në Kosovë’”.

    Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020.

  • Mësuesja goditet me thikë në klasë nga një nxënës 14-vjeçar në Francë

    Mësuesja goditet me thikë në klasë nga një nxënës 14-vjeçar në Francë

    Një mësuese u godit me thikë nga një nxënës 14-vjeçar në Shkollën e Mesme Robert Schuman në Benfeld, në departamentin francez të Bas-Rhin, pranë Strasburgut.

    Sipas mediave franceze adoleshenti jetonte në një strehë lokale.

    Ai u arrestua nga xhandarmëria dhe është në gjendje kritike pasi u vetëther në kohën e arrestimit.

    Alarmi u dha këtë mëngjes, ndërkohë që shkolla u evakuua për arsye sigurie.

    Mësuesja, e cila u qëllua në klasën e saj, u dërgua në spital në gjendje të rëndë por pa rrezik.

    Sipas mediave franceze nxënësi 14-vjeçar njihej në shkollën e tij për pikturimin e grafiteve naziste.

  • Sindikata e Policisë: Sakrifica e Afrim Bunjakut, dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit

    Sindikata e Policisë: Sakrifica e Afrim Bunjakut, dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit ndaj vendit

    Me rastin e dyvjetorit të rënies së rreshterit Afrim Bunjaku në krye të detyrës në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, Sindikata e Policisë e ka kujtuar Bunjakun duke e vlerësuar përkushtimin e tij ndaj vendit.

    Përmes një komunikate, Sindikata thotë se rreshteri Bunjaku ra duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve.

    “Sot, në dyvjetorin e rënies heroike të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, Sindikata e Policisë së Kosovës nderon me respekt dhe krenari kujtimin e tij. Ai ra në krye të detyrës, duke mbrojtur ligjin, sigurinë dhe jetën e qytetarëve tanë. Sakrifica e tij mbetet përjetësisht dëshmi e trimërisë dhe përkushtimit të policëve tanë ndaj vendit dhe popullit. Ngushëllime familjes së tij, kolegëve dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Kujtimi dhe vepra e tij do të mbeten gjithmonë në zemrat tona. Lavdi jetës dhe veprës së rreshterit Afrim Bunjaku! Sindikata e Policisë së Kosovës“”, thuhet në komunikatën e Sindikatës.

  • Kurti: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal

    Kurti: Ndërkombëtarët mos ta konsiderojnë Serbinë shtet normal

    Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, pas homazheve te varri i rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, në përvjetorin e dytë të vrasjes së tij nga terroristët serbë në Banjskë të Zveçanit, vlerësoi lartë heroizmin dhe përkushtimin e tij për të mbrojtur vendin, duke dalë i pari në përballje me terroristët.

    “Ka mbrojtur qytetarët pa dallim duke e mirëmbajtur rendin publik dhe sundimin e ligjit të gjithë. Të bashkë ne jemi pjesë e familjes Bunjaku, sepse Afrim Bunjaku së përket Republikës së Kosovës. E theksoj guximin e dyfishtë, ai ia mësy i pari drejt bllokadës Banjskë së Zveçanit, këtë e bëri si polic me përvojë, ishte polic 22 vjet prej të cilëve 16 vjet rreshter. Tani e ka gradën heroi i Kosovës ku nuk mund t’ia marrë askush. Dua ta theksoj aspektin e guximit, ai nuk lejoi që policët tjerë që ishin më të rinj të saj t’ia mësyjnë bllokadës që ishte vendosur në rrugë nga kamionët nga grupi terrorist paramilitar i Serbisë të udhëhequr nga Radoiçiq. Nuk i la të rinjtë të vet sakrifikohen, të vetëflijohet dhe vet mohohen para tij.”, deklaroi Kurti.

    Kurti u bëri thirrje ndërkombëtarëve që të mos e konsiderojnë Serbinë si shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët që udhëhiqeshin nga Milan Radoiçiq.

    “I bëjmë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që të mos e konsiderojnë Serbinë shtet normal përderisa nuk i dorëzon kriminelët e Serbisë të organizuar dhe të udhëhequr nga Milan Radoiçiq dhe të financuar nga presidenti Aleksandër Vuçiq. Aktakuza përfshinë 45 persona, këta duhet të dorëzohen menjëherë shtetit të Kosovës”, theksoi Kurti.

  • Ndalen shkallët elektrike derisa Trump po nisej drejt tyre, Shtëpia e Bardhë: Nëse dikush i fiku qëllimshëm, duhet të shkarkohet

    Ndalen shkallët elektrike derisa Trump po nisej drejt tyre, Shtëpia e Bardhë: Nëse dikush i fiku qëllimshëm, duhet të shkarkohet

    Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, pretendon se shkallët lëvizëse u ndalën qëllimisht për të poshtëruar presidentin amerikan Donald Trump, por OKB thotë se funksioni i sigurisë mund të jetë “aktivizuar pa dashje”.

    Donald Trump duket se qeshi të martën kur një shkallë lëvizëse dhe një teleprompter u prishën gjatë vizitës së tij në Kombet e Bashkuara – por për zyrtarët amerikanë nuk ishte çështje qesharake, transmeton Telegrafi.

    Shtëpia e Bardhë tha se ishte nisur një hetim nëse shkallët lëvizëse u ndaluan qëllimisht për të poshtëruar presidentin e SHBA-së, i cili më vonë e kritikoi organin global në fjalimin e tij në asamblenë e përgjithshme të OKB-së në Nju Jork.

    “Nëse zbulojmë se këta ishin OKB dhe stafi që po përpiqeshin qëllimisht të pengonin, fjalë për fjalë të pengonin presidentin dhe zonjën e parë të Shteteve të Bashkuara, atëherë duhet të ketë përgjegjësi për këta njerëz. Dhe unë personalisht do të kujdesem për këtë”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karoline Leavitt në Fox Neës të martën në mbrëmje.

    Leavitt gjithashtu postoi në X pas incidentit: “Nëse dikush në OKB e ka ndaluar qëllimisht shkallët lëvizëse, ai duhet të pushohet nga puna dhe të hetohet menjëherë”.

    Një zëdhënës i OKB-së tha se aksidenti ndodhi sepse dikush përpara Trumpit aktivizoi aksidentalisht një mekanizëm sigurie në shkallët lëvizëse, duke shkaktuar mbylljen e saj.

  • Ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Trumpit ku përmendi sërish ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Ambasada amerikane shpërndan deklaratën e Trumpit ku përmendi sërish ndaljen e konfliktit Kosovë-Serbi

    Presidenti amerikan, Donald Trump, në fjalimin e tij të djeshëm në OKB përmendi sërish shtatë konfliktet, përfshirë edhe konfliktin Kosovë-Serbi, për të cilët tha se u ka dhënë fund.

    Trump shtoi se asnjë president apo kryeministër më parë nuk ka “bërë kurrë diçka të tillë”.

    Këtë deklaratë të tij e shpërndau sot në mëngjes Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Ambasada publikoi videon e fjalimit të Trumpit, si dhe një foto-grafikë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ku deklarata e tij është e ilustruar.

    Trump u drejtua edhe ndaj Kombeve të Bashkuara, duke thënë se vetë organizata duhej të ndalonte këto luftëra.

    “Unë i dhashë fund shtatë luftërave, dhe në të gjitha rastet ato po tërboheshin me mijëra njerëz të vrarë. Dhe e bëra vetëm në shtatë muaj. Nuk ka ndodhur kurrë më parë. Nuk ka ndodhur kurrë diçka e tillë. Jam shumë i nderuar që e kam bërë,” tha Trump.

    “Dhe, për fat të keq, në të gjitha rastet, Kombet e Bashkuara as nuk u përpoqën të ndihmonin në asnjërën prej tyre,” shtoi ai.

    Më poshtë lista e vendeve, ku Trump thotë se ka ndalur luftën:

    Kamboxhia dhe Tajlanda;

    Kosova dhe Serbia;

    Kongo dhe Ruanda;

    Pakistani dhe India;

    Izraeli dhe Irani;

    Egjipti dhe Etiopia;

    Armenia dhe Azerbajxhani.

  • Debati për Lindjen e Mesme në OKB, Macron: Trump duhet të ndalë luftën në Gaza për ta fituar çmimin Nobel

    Debati për Lindjen e Mesme në OKB, Macron: Trump duhet të ndalë luftën në Gaza për ta fituar çmimin Nobel

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të shtrojë trysni ndaj Izraelit për t’i dhënë fund luftës. Duke folur nga Nju Jorku, ai tha se nëse Trump dëshiron vërtet ta fitojë Çmimin Nobel për Paqe, ai duhet së pari të ndërmjetësojë ndaljen e luftës në Rripin e Gazës.

    Sipas Macron, vetëm presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka fuqinë reale për të ushtruar trysni ndaj Izraelit për t’i dhënë fund konfliktit.

    Ai theksoi se ndryshe nga Evropa, janë Shtetet e Bashkuara ato që furnizojnë armatimin dhe pajisjet që mundësojnë vazhdimin e operacioneve ushtarake.

    Këto deklarata nga Macron vijnë pasi vetë presidenti Trump, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, deklaroi se ka zgjidhur shtatë konflikte ndërkombëtare.

    Ndonëse përmendi se shumë njerëz i thonë se meriton çmimin Nobel, presidenti amerikan theksoi se për të, shpërblimi i vërtetë nuk janë çmimet, por shpëtimi i jetëve.