ATV

Category: Lajme

  • Aksioni “Qielli i Thyer” u realizua në 25 lokacione, arrestohen 7 persona- publikohen pamje

    Aksioni “Qielli i Thyer” u realizua në 25 lokacione, arrestohen 7 persona- publikohen pamje

    Shatë persona janë arrestuar në operacionin policor të sotëm në 25 lokacione të ndryshme të Prishtinës dhe Pejës.

    Ky aksion i koduar me emrin “Qielli i Thyer”, ka rezultuar me arrestim të të dyshuarve për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve”, si dhe për “pastrim të parave”.

    “Të pandehurit, dyshohet se kanë përdorur aplikacionin e njohur për komunikim të enkriptuar “SkyECC” për të organizuar aktivitetet e tyre kriminale”, thuhet në njoftim.

    “Veriun i gjallë nuk e lëshoj”, familjari tregon fjalët e Afrim Bunjakut 10 ditë para se të vritej në Banjskë
    Operacioni thuhet se është mbështetur nga një bashkëpunim i ngushtë ndërkombëtar, përmes shkëmbimit të të dhënave me autoritetet belge, franceze, holandeze dhe agjencinë evropiane EUROPOL, duke siguruar koordinim të plotë ndërkufitar.

    Më tej bëhet e ditur se gjatë realizimit të urdhërkontrollit në këto lokacione është gjetur dhe sekuestruar sasi e konsiderueshme e provave materiale, dhe pasurive të specifikuara duke përfshirë: 638 gramë substancë narkotike e dyshuar si kokainë; një peshore për matjen e lëndëve narkotike; 11,065 euro para të gatshme; 34 automjete; shtatë armë zjarri; dokumente personale me identitet të rremë; pajisje elektronike; dokumentacion i ndryshëm pronësor dhe financiar./ATVLIVE/

  • “E di që babai im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës”, djali i Afrim Bunjakut me një fjalim emocionues

    “E di që babai im nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës”, djali i Afrim Bunjakut me një fjalim emocionues

    Në Prishtinë po mbahet një akademi përkujtimore në nderim të policit të vrarë në sulmin në Banjskë, Afrim Bunajku.

    Para të pranishmëve, një fjalim mbajti edhe djali i vogël i Afrim Bunjakut, Fatlumi,

    Ai deklaroi se plagët e mungesës së babait të tij nuk shërohen kurrë.

    “Jemi mbledhur këtu për ta kujtuar, babain, heroin, Afrim Bunjaku. Kanë kaluar dy vite nga ajo ditë e dhimbshme, kur ai ra heroikisht, por plagët e mungesës së tij nuk shërohen kurrë. Çdo mëngjes kur zgjohem e ndjej boshllëkun që ka lënë, e kujtoj buzëqeshjen dhe fjalë e tij”, ka deklaruar ai.

    Ai shtoi më tej, se bashkë me mallin që ka, ai e di se babai i tij ra për një ideal më të madh, për atdheun, kufijtë, e Kosovën.

    “Është e rëndë ta them, por edhe pse nuk është pranë meje, unë ndihem krenar që pata një baba si ai. Sa herë që i takoj kolegët e tij, e di që babai nuk ishte vetëm i imi, por i gjithë Kosovës. Babai im prehu i qetë, ne do të kujtojmë gjithmonë”, tha ai.

    Heroi Afrim Bunjaku u vra nga forca terroriste serbe më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit.

  • Rusia i cilëson si “histeri” akuzat e NATO-s për shkelje të hapësirës ajrore

    Rusia i cilëson si “histeri” akuzat e NATO-s për shkelje të hapësirës ajrore

    Rusia i mohoi pretendimet e NATO-s se Moska ka shkelur hapësirën ajrore të aleancës, duke i cilësuar si “histeri”.

    Këto deklarata vijnë një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se aleatët duhet të rrëzojnë avionë rusë nëse ata shkelin hapësirën ajrore të tyre.

    Shtetet e NATO-s kanë thënë se disa avionë luftarakë dhe dronë rusë kanë shkelur hapësirat ajrore të shteteve evropiane gjatë javëve të fundit, duke e akuzuar Moskën se po teston kufijtë e aleancës ushtarake perëndimore.

    “Ne po dëgjojmë një histeri të ekzagjeruar lidhur me pilotët tanë ushtarakë që gjoja po shkelin disa rregulla dhe po shkelin hapësirën ajrore të ndonjë shteti”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke shtuar se këto pretendime ishin “të pabaza”.

    Më 23 shtator, Trump tha se shtetet e NATO-s duhet të rrëzojnë avionët rusë nëse ata shkelin hapësirat e tyre ajrore.

    Avionët e NATO-s kanë detektuar tre avionë luftarakë rusë MiG-31 javën e kaluar, pasi ata hynë në hapësirën ajrore estoneze mbi Gjirin e Finlandës.

    Më 22 shtator, Danimarka u detyrua të mbyllë një aeroport në Kopenhagë pasi tha se dronë të paidentifikuar detyruan dhjetëra fluturime të anuloheshin apo të ndryshonin itinerarin, duke prekur mijëra pasagjerë.

    “Aviacioni ynë ushtarak respekton të gjitha rregullat e fluturimeve, udhëhiqet nga to dhe iu përmbahet në mënyrë të rreptë”, tha Peskov gjatë një konference për media për gazetarët.

    NATO tha një ditë më parë se “është ende herët të thuhet” nëse dronët që fluturuan mbi Danimarkë lidhen me shkeljet e fundit të hapësirës ajrore të aleancës nga Rusia.

    Incidentet pasojnë inkursionet me dronë në Rumani dhe Poloni. Në Poloni, disa fluturake pa pilot u rrëzuan nga avionët e NATO-s.

  • BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    BE kërkon nga Serbia arrestimin e sulmuesve në Banjskë: Kërcënuan sigurinë

    Bashkimi Evropian përsërit thirrjen për mbajtjen përgjegjës të autorëve të sulmit terrorist në Banjskë, i cili, sipas zyrtarëve të Brukselit, ka kërcënuar seriozisht sigurinë në rajon.

    Çështja e përgjegjësisë për Banjskën, dy vite më pas, ka qenë pjesë e bisedimeve që shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas ka zhvilluar në Nju Jork me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë evropianë, duke nënvizuar se Kallas do të vazhdojë ta ngrejë këtë çështje edhe në margjinat e takimeve të saj me udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor.

    Nga zyra e shtypit të BE-së është bërë e ditur se pritet që autoritetet në Serbi të arrestojnë dhe ndjekin penalisht, para gjykatave serbe, autorët e sulmit që ndodhen në Serbi.

    “Ne gjithashtu mbetemi të shqetësuar nga raportet për pjesëmarrjen e autorëve të dyshuar të sulmit në Banjskë gjatë demonstratave në Serbi”, thuhet në një përgjigje me shkrim për RTK-në nga selia e BE-së.

    Po ashtu, nga zyra për shtyp e BE-së nënvizohet se, në tetor 2023, Përfaqësuesi Special i BE-së në Kosovë i ka përcjellë autoriteteve serbe një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë ligjore nga autoritetet e Kosovës lidhur me këtë çështje, ndërsa konfirmohet se ende nuk ka asnjë përgjigje nga Beogradi zyrtar.

    Zyrtarët evropianë presin që Serbia të bashkëpunojë plotësisht me këto kërkesa përmes kanalit të krijuar për ndihmë të ndërsjellë ligjore./ATVLIVE/

  • Britania arreston të dyshuarin për sulmin kibernetik në aeroportet evropiane

    Britania arreston të dyshuarin për sulmin kibernetik në aeroportet evropiane

    Një burrë rreth të 40-ave është arrestuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) e Mbretërisë së Bashkuar lidhur me sulmin kibernetik që goditi Aeroportin Heathrow dhe aeroporte të tjera të mëdha evropiane gjatë fundjavës së kaluar.

    I arrestuari, një 40-vjeçar nga West Sussex, u akuzua për shkelje të Aktit të Keqpërdorimit të Kompjuterëve dhe është liruar me kusht.

    Sulmi kishte në shënjestër Collins Aerospace dhe shkaktoi probleme me sistemet e regjistrimit dhe të hipjes në bord, duke rezultuar në vonesa të konsiderueshme në fluturimet e Heathrow, Brukselit dhe Berlinit.

    “Ndërsa ky arrestim është një hap pozitiv, hetimi është ende në një fazë të hershme dhe është duke vazhduar. Krimi kibernetik mbetet një kërcënim i vazhdueshëm global që vazhdon të shkaktojë ndërprerje të konsiderueshme në Mbretërinë e Bashkuar. Së bashku me partnerët tanë vendas dhe ndërkombëtarë, NCA është e angazhuar për të zvogëluar këtë kërcënim në mënyrë që të mbrojë publikun britanik”, tha Zëvendësdrejtori i NCA-së, Paul Foster, Kryetar i Njësisë Kombëtare të Krimit Kibernetik.

    Autoritetet po hetojnë më tej rrethanat e sulmit dhe shkallën e mundshme të përfshirjes së individit të arrestuar.

  • KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale, dërgohen fletëvotimet për votuesit nga diaspora

    KQZ akrediton mbi 18 mijë vëzhgues për zgjedhjet lokale, dërgohen fletëvotimet për votuesit nga diaspora

    Në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të mbajtur të mërkurën, u prezantua raporti mbi dërgimin e pakove me fletëvotime për votuesit jashtë Kosovës, të cilët do të marrin pjesë në Zgjedhjet Lokale përmes postës.

    Drejtori i sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, tha se raporti përmban të dhënat e plota mbi numrin e zarfeve të dërguara.

    “Raporti shpjegon gjithë procesin që është realizuar. Është paraqitur edhe të dhënat e përgjithshme në lidhje me numrin e zarfeve që ka pranuar Posta e Kosovës nga KQZ”, tha ai.

    Sipas raportit, përmes postës janë nisur rreth 44,000 pako me fletëvotime për votuesit e regjistruar në disa shtete. Nga ky numër, 41,879 pako janë dorëzuar në bashkëpunim me Postën e Kosovës, ndërsa 2,050 të tjera janë dërguar përmes postës së shpejtë.

    Çdo zarf përmban fletëvotimet, zarfin e fshehtësisë, udhëzuesin mbi mënyrën e plotësimit dhe dorëzimit të votës përmes postës, si dhe zarfin kthyes me shiritin mbyllës.

    Votuesit jashtë Kosovës janë të detyruar të depozitojnë pakot në njërën nga kutitë postare të KQZ-së. Shumica e zarfeve kanë adresën e kutisë postare të shënuar paraprakisht nga KQZ. Në rast se kjo nuk është bërë, votuesi duhet të shënojë një nga adresat e kutive postare të KQZ-së në shtetin përkatës.

    Periudha e votimit me postë ka filluar më 17 shtator dhe do të përfundojë më 11 tetor 2025, dhe përfshin vetëm 43,933 shtetas të regjistruar jashtë Kosovës.

    Gjithashtu, në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar akreditimin e 18,041 vëzhguesve nga 51 subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në Zgjedhjet Lokale 2025.

  • Osmani kujton Afrim Bunjakun: Asnjë sulm nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën

    Osmani kujton Afrim Bunjakun: Asnjë sulm nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën

    Në dyvjetorin e sulmit terrorist në Banjskë, presidentja Vjosa Osmani ka kujtuar heroin Afrim Bunjaku.

    Përmes një postimi në rrjetet sociale, ajo deklaroi se sakrifica e rreshterit të policisë dëshmon se liria kërkon sakrificë.

    Sipas Presidentes, 24 shtatori dëshmon se asnjë sulm terrorist apo agresion nga Serbia nuk mund ta ndalë të vërtetën.

    Ajo shtoi se Afrim Bunjaku ra heroikisht duke mbrojtur lirinë dhe dinjitetin e Republikës së Kosovës, përballë grupeve të armatosura serbe.

  • Përleshje në Komunën e Prishtinës, sulmohet Fehmi Kupina – tre persona shoqërohen nga Policia

    Përleshje në Komunën e Prishtinës, sulmohet Fehmi Kupina – tre persona shoqërohen nga Policia

    Një incident i dhunshëm ka ndodhur sot në ambientet e Komunës së Prishtinës, pak minuta pas përfundimit të mbledhjes së Kuvendit Komunal, ku në agjendë ishte tentimi për votimin e buxhetit të kryeqytetit.

    Sipas burimeve të Paparacit, viktimë e këtij sulmi ka qenë kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina, i cili dyshohet se është goditur në kokë me një shishe nga Sami Salihu, djali i ish-zyrtarit komunal Fehim Salihu.

    Kupina ka pësuar lëndime në kokë dhe është shoqëruar me autoambulancë për trajtim mjekësor.

    Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Enis Pllana, ka konfirmuar se tre persona të përfshirë në incident janë shoqëruar për intervistim. “Policia ka arritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar tre persona, të cilët ishin të përfshirë në rast. Aktualisht po punohet për zbardhjen e rrethanave dhe motiveve që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë Pllana.

    Fehmi Kupina, dikur pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, aktualisht është kandidat për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet e 12 tetorit me iniciativën Lidhja për Prishtinën.

  • Ambasada gjermane: Vonesa në formimin e qeverisë rrezikon investimet dhe ekonominë e Kosovës

    Ambasada gjermane: Vonesa në formimin e qeverisë rrezikon investimet dhe ekonominë e Kosovës

    Zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Boettcher, ka kritikuar politikën kosovare dhe ka theksuar rëndësinë e respektimit të Kushtetutës si dhe përgjegjësinë e përfaqësuesve politikë për të garantuar funksionimin normal të shtetit.

    Ai ka vënë theksin mbi nevojën që parlamenti të formojë një qeveri të qëndrueshme, duke paralajmëruar se çdo vonesë mund të ndikojë negativisht në interesin e investitorëve dhe në mirëqenien e qytetarëve.

    Boettcher ka theksuar se është përgjegjësi e partive politike dhe e deputetëve të parlamentit të përmbushin pritjet e qytetarëve dhe të konstituojnë kuvendin në përputhje me Kushtetutën.

    “Dua të them diçka kritike për politikën këtu. Pra, është përgjegjësi e partive politike dhe e anëtarëve të parlamentit që të përmbushin pritjet e qytetarëve. Është përgjegjësi e anëtarëve të parlamentit që ta konstituojnë Kuvendin në përputhje me Kushtetutën dhe të formojnë e zgjedhin një qeveri që ta drejtojë vendin. Dhe nëse Kuvendi konstaton se rruga më e mirë përpara janë zgjedhjet e parakohshme, atëherë le të jetë ashtu”, ka thënë ai.

    Ai ka paralajmëruar se çdo vonesë në formimin e qeverisë dhe avancimin e tranzicionit energjetik rrezikon interesin e investitorëve dhe sjell humbje të drejtpërdrejta ekonomike.

    “Çdo ditë vonese në formimin e qeverisë dhe në avancimin e tranzicionit energjetik, Kosova rrezikon të humbasë interesin e investitorëve. Dhe kjo nënkupton humbje reale në para, në vende pune dhe në mirëqenie të ardhshme”, ka shtuar Boettcher.

    Ai këto deklarata i bëri gjatë organizimit dy ditor të Kosova Energy Forum dhe Green Business Expo 2025, ngjarje kjo që synon të ofrojë një platformë për diskutime mbi tranzicionin energjetik, liberalizimin e tregut të energjisë dhe sfidat për tërheqjen e investimeve në sektorin e energjisë së pastër dhe bizneset e qëndrueshme.

  • Limaj në dyvjetorin e rënies së Afrim Bunjakut: Rënia e tij është dëshmi e përkushtimit ndaj detyrës, atdheut e paqes

    Limaj në dyvjetorin e rënies së Afrim Bunjakut: Rënia e tij është dëshmi e përkushtimit ndaj detyrës, atdheut e paqes

    Në dyvjetorin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka kujtuar me dhimbje dhe krenari sakrificën e tij në mbrojtje të vendit.

    “Sot përkujtojmë me dhimbje dhe krenari heroin më të ri të Kosovës, Afrim Bunjakun, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit të vendit tonë. Rënia e tij heroike është dëshmi e përkushtimit të pakompromis ndaj detyrës, ndaj atdheut dhe ndaj paqes së fituar me shumë mund e sakrificë”, ka shkruar Limaj në Facebook.

    Ai theksoi se vepra dhe sakrifica e Bunjakut do të mbesin përgjithmonë në kujtesën e popullit.

    “Lavdi e përjetshme emrit, veprës dhe kujtimit të Heroit, Afrim Bunjaku”, përfundoi Limaj.