ATV

Category: Lajme

  • Arrestohen dy persona për bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Arrestohen dy persona për bixhoz të paligjshëm në Podujevë

    Një aksion policor është zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Podujevë, ku është goditur një lokal që dyshohej se shërbente për zhvillimin e bixhozit të paligjshëm.

    Ngjarja ka ndodhur më 30 shtator, rreth orës 21:20, kur policia në konsultim me prokurorin e rastit dhe me pëlqimin e pronarit ka kontrolluar lokalin. Gjatë kontrollit janë gjetur e sekuestruar pajisje që shërbenin për këtë veprimtari të jashtëligjshme.

    Sinjali mëson se në pranga kanë përfunduar dy persona – pronari dhe punëtori i lokalit. Ata janë identifikuar si D.A dhe A.L,. Të dy, pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

    Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.

  • Edi Rama udhëton drejt Danimarkës për takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Edi Rama udhëton drejt Danimarkës për takimin e Komunitetit Politik Evropian

    Kryeministri Edi Rama do të niset të mërkurën drejt Danimarkës për të marrë pjesë nesër në takimin e radhës të Komunitetit Politik Evropian.

    Liderët e Bashkimit Europian do të mblidhen në Kopenhagen për të diskutuar mbi mbrojtjen e Europës dhe sigurinë në rajon.

    Në fokus të takimit do të jenë zhvillimet në kuadrin e luftës në Ukrainë dhe synimi për paqen në kontinentin europian.

  • Mbyllet qeveria amerikane

    Mbyllet qeveria amerikane

    Për herë të parë pas shtatë vitesh, qeveria amerikane është mbyllur pasi liderët e Partisë Demokratike dhe asaj Republikane nuk arritën të bien dakord për një financim të përkohshëm.

    Disa javë negociata përfunduan zyrtarisht me dështim. Derisa të arrihet një marrëveshje midis dy partive, mijëra punonjës që paguhen nga buxheti shtetëror do të jenë në pushim pa pagesë.

    Do të vazhdojnë të funksionojnë vetëm ato shërbime të qeverisë në Uashington që konsiderohen të domosdoshme, siç janë kontrolli i fluturimeve, por edhe këta punonjës nuk do të marrin pagë. E njëjta gjë vlen edhe për shumë ushtarë dhe civilë që punojnë në ministritë për çështjet e veteranëve dhe të luftës.

    Përveç kësaj, shumë parqe kombëtare, muze dhe institucione të tjera që financohen nga qeveria federale do të qëndrojnë pjesërisht të hapura duke përdorur fondet nga vitet e mëparshme, por edhe ato do të mbyllen nëse mbyllja e qeverisë zgjat më shumë, raporton cnn.

    Megjithatë, për shkak të dispozitave kushtetuese që i mbrojnë ata, presidenti amerikan, Donald Trump dhe anëtarët e Kongresit do të vazhdojnë të marrin pagat e tyre, ndryshe nga dhjetëra mijëra punonjës të institucioneve të tjera.

    Vlen të theksohet se kjo është mbyllja e parë e qeverisë pas shtatë vitesh, që nga mandati i parë i presidentit aktual.

    Në atë kohë, qeveria qëndroi e mbyllur për 35 ditë, nga fundi i vitit 2018 deri në fillim të vitit 2019.

    Këtë vit, demokratët dhe republikanët e kanë shfrytëzuar mungesën e marrëveshjes për të sulmuar njëri-tjetrin.

    Kështu, demokratët theksojnë faktin se Partia Republikane kontrollon të dy dhomat e Kongresit dhe Shtëpinë e Bardhë dhe se kjo është “mbyllja e tyre”, ndërsa republikanët përpiqen ta zhvendosin përgjegjësinë te kundërshtarët e tyre politikë.

    Duhet shtuar gjithashtu se për të miratuar një plan të përkohshëm financimi që do të rihapte qeverinë, nevojiten 60 vota në Senat. Republikanët kontrollojnë 53 vota dhe u nevojiten edhe shtatë demokratë për të miratuar planin që do t’i jepte fund kësaj mbylljeje.

  • Osmani në Danimarkë, përfaqëson vendin në samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Osmani në Danimarkë, përfaqëson vendin në samitin e Komunitetit Politik Evropian

    Presidentja Vjosa Osmani do ta përfaqësojë Kosovën në samitin e liderëve të Komunitetit Politik Evropian (EPC), i cili këtë edicion do të mbahet në Kopenhagë të Danimarkës dhe do të mbledhë 45 liderë evropianë, përfshirë edhe përfaqësues të institucioneve të Bashkimit Evropian.

    Sipas njoftimit të Presidencës, para fillimit të samitit, Osmani do të pritet nga Lartmadhëritë e tyre, Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës, ndërsa gjatë punimeve do të marrë pjesë në të dy seancat kryesore të këtij edicioni.

    “Presidentja po ashtu do të marrë pjesë në tryezën mbi sfidat kryesore të sigurisë me të cilat po përballet Evropa, përfshirë rritjen e kërcënimeve hibride dhe provokimet e paprecedentë nga Rusia ndaj shteteve anëtare të NATO-s. Në këtë kontekst, liderët evropianë do të diskutojnë mënyrat për të shfrytëzuar momentumin politik për marrjen e vendimeve të domosdoshme, përfshirë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse”, thuhet në njoftim.

    Në kuadër të samitit, Osmani pritet të zhvillojë edhe takime dypalëshe me liderë evropianë pjesëmarrës.

  • Katari, Egjipti dhe Turqia i bëjnë thirrje Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Katari, Egjipti dhe Turqia i bëjnë thirrje Hamasit të pranojë planin e paqes të Trumpit

    Pas njoftimit të planit të paqes së Donald Trump në Uashington, një numër vendesh arabe dhe islame e mbështetën atë fuqishëm.

    Kjo ndodhi pavarësisht pretendimeve se Benjamin Netanyahu kishte bërë ndryshime në minutën e fundit, duke e bërë versionin e publikuar të ndryshëm nga ai që këto vende kishin rënë dakord.

    Tani, Katari, Egjipti dhe Turqia kanë bërë thirrje që Hamasi t’i japë një përgjigje pozitive propozimit të Trumpit, sipas një raporti të Axios, raporton Skynews, transmeton Sinjali.

    Raporti citon dy burime me njohuri për bisedimet.

    Të tre vendet kanë vepruar si ndërmjetës për Hamasin gjatë bisedimeve dhe kanë një ndikim të caktuar mbi këtë grup militant.

  • Sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal

    Sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal

    Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë njoftuar se sot fillon vaksinimi kundër gripit sezonal.

    Sipas njoftimit të IKShPK-së, vaksinimi do të kryhet në të gjitha qendrat e mjekësisë familjare në komunat përkatëse, të cilat janë furnizuar me vaksina nga Instituti Kombëtar.

    “Ju ftojmë të paraqiteni në qendrën tuaj të mjekësisë familjare për të marrë vaksinën falas”, thuhet në njoftim.

    IKShPK ka bërë të ditur se gripi sezonal është një infeksion i rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që përhapet lehtësisht dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht tek fëmijët me imunitet të dobësuar, të moshuarit, gratë shtatzëna, punonjësit shëndetësorë dhe personat me sëmundje kronike.

    Simptomat më të zakonshme janë: ethet, kollitja, dhimbjet e muskujve, lodhja dhe dhimbjet e kokës. Vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të mbrojtur veten dhe të afërmit nga gripi dhe komplikimet që ai mund të shkaktojë.

    Punonjësve shëndetësorë u rekomandohet fuqimisht të vaksinohen për të garantuar sigurinë e tyre dhe të pacientëve që trajtojnë.

    Po ashtu, gratë shtatzëna këshillohen të vaksinohen për të siguruar mbrojtje të plotë për veten dhe foshnjën.

    Ndër profesionet e tjera me rrezik të shtuar që rekomandohet të vaksinohen janë punonjësit e Policisë së Kosovës, Forca e Sigurisë së Kosovës, banorët dhe stafi i shtëpive të të moshuarve, mësimdhënësit dhe edukatorët, si dhe kujdestarët e pacientëve me imunitet të dobësuar.

  • Covey vijon dëshminë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Covey vijon dëshminë në procesin ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë vazhdon procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

    Në seancën e sotme, dëshminë e vazhdon dëshmitari amerikan James Peter Covey, i cili gjatë viteve 1999-2001 ka shërbyer si zëvendës i përfaqësuesit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

    Të martën dëshmitari u pyet nga mbrojtja e Hashim Thaçit, e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq. Pasi përfundoi pyetjet mbrojtja e Thaçit, tri ekipet tjera mbrojtëse njoftuan se nuk kanë pyetje për këtë dëshmitar.

    Gjatë dëshmisë, Covey theksoi se UÇK-ja ishte më shumë një lëvizje sesa një ushtri e mirëorganizuar, ku komandantët në terren kishin autonomi të gjerë dhe vepronin në bazë të vendimeve të tyre lokale.

    “Ata mendonin që mund të bënin atë që vendosnin të bënin në zonën e tyre. Kjo ishte mënyra se si e kemi kuptuar ne”, deklaroi Covey.

    I pyetur për rolin e Hashim Thaçit, Covey tha se UNMIK nuk e ka trajtuar kurrë atë si komandant të UÇK-së dhe se ai nuk jepte urdhra.

    Gjatë seancës u shfaq edhe një dokument i nënshkruar nga Thaçi si “komandant i përgjithshëm i UÇK-së”, dërguar Kouchnerit në kuadër të marrëveshjes së çarmatosjes së UÇK-së, përmes së cilës kërkohej leje që disa pjesëtarë të UÇK-së të mbanin armë brezi.

    Sidoqoftë, Covey sqaroi se ky gjest u interpretua si përpjekje për të shërbyer një interesi tjetër dhe jo si shenjë e ndonjë autoriteti ushtarak real. Ai shtoi se për këtë kërkesë nuk ka pasur përgjigje nga UNMIK-u, pasi çështja binte nën kompetencën e KFOR-it.

    Covey foli gjithashtu për përpjekjet për integrimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në Policinë e Kosovës, si dhe për sfidat në bindjen e elementëve më radikalë brenda UÇK-së që të angazhoheshin në strukturat e reja të sigurisë. Ai tha se nuk ka pasur një pasqyrë të qartë të strukturës komanduese të UÇK-së, dhe se në terren ekzistonte një larmi komandantësh me lidhje të ndryshme dhe të paqarta hierarkike.

    Dëshmitari përshkroi marrëdhënien e Thaçit me komandantët e zonave si të ndërlikuar dhe me rezerva reciproke. Ai tha se gjatë një takimi në shtator të vitit 1999, ku Bernard Kouchner kishte shkuar për të bindur komandantët për demilitarizim, Thaçi nuk kishte folur fare dhe se nuk kishte respekt të dukshëm ndaj tij nga komandantët lokalë.

    Sipas avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmia e Covey-it konfirmon se Thaçi nuk kishte autoritet real mbi UÇK-në dhe nuk ishte në pozitë për të organizuar apo ndalur ndonjë akt dhune gjatë verës së vitit 1999.

  • Tërmet i fuqishëm në Filipine, mbi 60 të vdekur – shpallet gjendja e katastrofës

    Tërmet i fuqishëm në Filipine, mbi 60 të vdekur – shpallet gjendja e katastrofës

    Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.9 të shkallës Rihter ka goditur Filipinet Qendrore, duke shkaktuar humbjen e jetës së mbi 60 personave, sipas zyrtarëve të menaxhimit të fatkeqësive.

    Goditja ka prekur kryesisht qytetin e Bogos dhe disa qytete të tjera të rajonit, të cilat kanë shpallur gjendjen e katastrofës, ndërsa ekipet kanë nisur vlerësimin e dëmeve.

    Tërmeti ndodhi pak para orës 22:00 sipas kohës lokale (14:00 GMT) të martën, në brigjet e qytetit Cebu. Si pasojë, shumë ndërtesa u dëmtuan, energjia elektrike u ndërpre dhe qindra familje mbetën pa strehë. Qyteti Cebu, me rreth një milion banorë, është një nga zonat më të banuara në vend dhe ka përjetuar pasiguri të mëdha pas goditjes.

    Instituti i Vullkanologjisë dhe Sizmologjisë shpalli fillimisht një paralajmërim për cunami, por më pas e anuloi, duke theksuar se “çdo efekt për shkak të çrregullimeve të vogla të nivelit të detit ka kaluar kryesisht”.

    Autoritetet ndërkohë vijojnë përpjekjet për shpëtim dhe ofrojnë ndihmë për të prekurit, ndërsa banorët e rajonit janë ende të tronditur nga shkalla e katastrofës.

  • KQZ sot mban mbledhje, do të miratojë akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    KQZ sot mban mbledhje, do të miratojë akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot mban mbledhjen e radhës.

    Mbledhja do të mbahet në ora 13:30, derisa pritet të miratohet akreditimi i vëzhguesve ndërkombëtarë për zgjedhjet lokale

    Rendi i Ditës

    1. Hyrje: z. Kreshnik Radoniqi, Kryesues i mbledhjes së KQZ-së;

    2. Shqyrtimi dhe miratimi i procesverbalit të mbledhjes Nr.60/20253. Aktivitetet e Zyrës

    3.1. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për akreditimin e vëzhguesve ndërkombëtar dhe
    përfaqësive diplomatike në Republikën e Kosovës.

    4. Këshillat e KQZ-së

    4.1. Këshilli për Operacione Zgjedhore

    4.1.1. Shqyrtimi dhe miratimi i Procedurës të Veprimit në Qendrën Komunale të Numërimit për

    4.1.2. Shqyrtimi dhe miratimi i rekomandimit për emërimin e ekipeve të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit për

    Zgjedhjet Lokale 2025

    5. Të ndryshme.

  • Kurti takon senatoren amerikane Joni Ernst, diskutojnë për integrimin euro-atlantik

    Kurti takon senatoren amerikane Joni Ernst, diskutojnë për integrimin euro-atlantik

    Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takoi në Washington D.C. senatoren amerikane nga radhët e Partisë Republikane, Joni Ernst.

    Gjatë takimit, palët diskutuan për zhvillimet aktuale në vend dhe në rajon, për siguri, mbrojtje, integrim euro-atlantik dhe zhvillim ekonomik të Kosovës.

    Kurti veçoi rëndësinë dhe vlerën e marrëdhënieve ndërmjet Gardës Kombëtare të Iowa-s dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në fushën e mbrojtjes, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të qeverisë për t’i thelluar edhe më tej ato.

    Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e investimeve amerikane në Kosovë dhe paraqiti mundësitë që Kosova ofron për investitorë të huaj në infrastrukturë, energji dhe teknologji.

    Kryeministri në detyrë e falënderoi senatoren Ernst për miqësinë dhe mbështetjen e saj të palëkundur për popullin e Kosovës dhe për angazhimin dhe kontributin në forcimin e lidhjeve dhe raporteve ndërmjet Kosovës dhe shtetit të Iowa-s, si dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në përgjithësi.