ATV

Category: Lajme

  • Sefaj: Shmangia e debateve është arrogance, duhet të hakmerren në balotazh

    Sefaj: Shmangia e debateve është arrogance, duhet të hakmerren në balotazh

    Analisti Ali Sefaj ka kritikuar kandidatët që shmangin përballjet publike në kuadër të zgjedhjeve lokale, duke e quajtur këtë sjellje një formë arrogance, për të cilën, sipas tij, qytetarët duhet të hakmerren në raundin e dytë të zgjedhjeve.

    “Në rast se ndonjëri prej kandidatëve nuk vjen të ballafaqohet me kundërkandidatët, ata që nuk e kanë fatin të kalojnë në balotazh, ose që nuk i marrin votat për të shkuar në raundin e dytë, duhet të mos e mbështesin ose ta kundërshtojnë,” deklaroi Sefaj.

    Sipas tij, zgjedhjet në Kosovë nuk fitohen përmes rrjeteve sociale.

    “Unë mendoj se në Kosovë nuk fitohet me Facebook e as me TikTok. Nëse do të fitohej kështu, Uran Ismaili do ta kishte fituar garën katër vite më parë, sepse e kishte një ndër fushatat më të mira që janë parë në Ballkan, jo vetëm në Kosovë,” theksoi Sefaj.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Hamiti: Ikja e Përparim Ramës nga debatet është një taktikë zgjedhore

    Hamiti: Ikja e Përparim Ramës nga debatet është një taktikë zgjedhore

    Vendimin e kandidatit për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, për të mos marrë pjesë në debate, analisti Lavdim Hamiti e vlerëson si një zgjidhje jo të mirë.

    Sipas Hamitit, shmangia e debateve është një taktikë që përdoret nga kandidatët.

    “Dihet prej fillimit se do të ketë balotazh. Do të ketë edhe me Përparim Ramën, andaj nuk duhet t’i ikë debatit. Mirëpo, me gjasë kjo po shihet si taktikë, sepse janë të sigurt se do të shkojnë në balotazh, dhe atje do të kenë përballje vetëm me një kundërkandidat. Ta zëmë, nëse Përparim Rama shkon në balotazh, do të ballafaqohet vetëm me njërin prej këtyre kandidatëve dhe do të jetë më i përgatitur,” deklaroi Hamiti.

    Ai shtoi se mungesa e ballafaqimeve i dëmton kandidatët për kryetarë komunash.

    “Besoj që mosballafaqimi i dëmton, sepse kundërkandidatët po shprehen lirshëm, për shkak se nuk po ka debat. Kjo është një disavantazh për të gjithë kandidatët që po i ikin debateve,” theksoi Hamiti.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Gjermania arreston pjesëtarë të dyshuar të Hamasit që besohet se synonin institucione hebraike

    Gjermania arreston pjesëtarë të dyshuar të Hamasit që besohet se synonin institucione hebraike

    Autoritetet gjermane i kanë arrestuar tre të dyshuar si operativë të huaj të Hamasit, për të cilët besojnë se po përgatiteshin për një akt të rëndë dhune në Gjermani, thanë prokurorët të mërkurën.

    Hamasi është grup palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

    Sipas prokurorëve, tre burrat dyshohet se ishin të përfshirë, të paktën nga vera e këtij viti, në sigurimin e armëve të zjarrit dhe municioneve për Hamasin, me qëllim përdorimin e tyre në atentate ndaj institucioneve izraelite ose hebraike në Gjermani.

    “Gjatë arrestimeve të sotme, u gjetën armë të ndryshme, përfshirë një pushkë automatike AK-47 dhe disa pistoleta, si dhe një sasi e konsiderueshme municionesh”, thuhet në një deklaratë të prokurorëve federalë.

    Që të tre të dyshuarit, të identifikuar sipas ligjeve gjermane për privatësinë vetëm si shtetasi gjerman Abed Al G., Wael F. M., i lindur në Liban, dhe shtetasi gjerman Ahmad I. – u arrestuan në Berlin.

    Në shkurt, katër anëtarë të Hamasit të dyshuar për planifikimin e sulmeve ndaj institucioneve hebraike në Evropë dolën në gjyq në Berlin, në atë që prokurorët e përshkruan si procesi i parë gjyqësor ndaj militantëve të grupit islamik në Gjermani.

    Gazeta gjermane Der Spiegel raportoi se hetuesit kundër terrorizmit vunë re se të akuzuarit u takuan të mërkurën në Berlin për dorëzimin e armëve, para se forcat operacionale të ndërhynin dhe të zbulonin armë funksionale.

  • Edukatorja e një çerdheje në Pejë ndalohet për 48 orë për keqtrajtimin e një fëmije

    Edukatorja e një çerdheje në Pejë ndalohet për 48 orë për keqtrajtimin e një fëmije

    Një ngjarje e rënë ka ndodhur sot në Pejë në një institucion parashkollor.

    Edukatorja e një çerdhe është ndaluar për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, për shkak të dyshimeve për keqtrajtimin e një fëmije.

    Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.

    Sipas Nikçit, rasti është raportuar menjëherë nga familjarët e fëmijës, të cilët kanë vënë në dukje sjelljen e papranueshme të edukatores ndaj vogëlushit.

    Pas marrjes së informatave, prokuroria ka ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme.

    “Menjëherë pas raportimit të rastit, është filluar intervistimi i të pandehurës dhe e njëjta është ndaluar për 48 orë”, ka thënë Nikçi.

    Ai ka shtuar se hetimet janë në vazhdim për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes. /Telegrafi/

  • ASK: Shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte rreth 11 për qind

    ASK: Shkalla e papunësisë në vitin 2024 ishte rreth 11 për qind

    Agjencia e Statistikave të Kosovës ka thënë se në vitin 2024, shkalla e papunësisë në Kosovë ka qenë 10.8%.

    Në vitin 2014 shkalla e papunësisë ka qenë 35.3%, duke shënuar një ulje prej rreth 25% në vitin 2024.

    Në Raportin Vjetari Statistikor për vitin 2025, në vitin 2014 fuqia punëtore ka qenë 500 mijë e 251 persona, kurse në vitin 2024 ka pësuar rënie, duke u evidentuar 464 mijë e 567 persona si fuqi punëtore.

    Në ndërkohë, edhe popullsia ekonomikisht jo aktive ka shënuar ulje. “Popullsia ekonomikisht jo aktive” nënkupton personat që janë në moshë pune, por që as nuk janë të punësuar e as nuk janë aktivisht në kërkim të një pune dhe rrjedhimisht nuk konsiderohen pjesë e fuqisë punëtore.

    Sipas ASK-së, në vitin 2014, popullsia ekonomikisht jo aktive ka qenë 702 mijë e 238 persona, kurse në vitin 2024 janë regjistruar 610 mijë e 137 persona të tillë.

    Shkalla e punësimit në vitin 2014 ka qenë 26.9%, ndërsa në vitin 2024 kjo ka shënuar rritje, duke arritur në 38.6%. Shkalla e punësimit më e ulëta në 10 vitet e fundit ka qenë në vitin 2015, me 25.2%.

    Në anën tjetër, paga mesatare neto në Kosovë në vitin 2014 ka qenë 365 euro, kurse në vitin 2024 ka arritur në 552 euro. Sipas ASK-së, në sektorin publik paga mesatare neto në vitin 2024 ka arritur në 668 euro, për dallim 423 euro sa ka qenë në vitin 2014.

    Për çdo vit, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon Raportin e njohur si “Vjetari Statistikor”, i cili ofron të dhëna themelore statistikore për Kosovën, si në fushën demografike, ekonomike, bujqësore.

    Aty përfshihen statistika për popullsinë, ekonomitë familjare, lindjet, vdekjet, arsimin, kulturën, shëndetësinë, mirëqenien sociale apo energjinë.

    Raportin e plotë mund ta lexoni KËTU.

  • Kolegji AAB mirëpret studentët e rinj për vitin akademik 2025/26

    Kolegji AAB mirëpret studentët e rinj për vitin akademik 2025/26

    Destinacioni i së mërkurës ishte i qartë, Kolegji AAB.

    Institucionit arsimor më të madh jopublik në vend, të mërkurën iu bashkuan qindra studentë të rinj, për t’i thelluar njohuritë në nivelin e arsimit universitar.

    Fletushkat që shpërndaheshin në hyrje ishin vetëm hapi i parë drejt një të ardhmeje që premton sukses.

    Për t’i dhënë atmosferës peshë solemne, në teatrin “Faruk Begolli”, i priste ceremonia e përgatitur posaçërisht për ta, ku fjalët e mirëseardhjes u shndërruan urë për etapën e re.

    Rektori Blerim Olluri theksoi se studentët kanë zgjedhur vendin e duhur, një hapësirë ku dija nuk mbetet vetëm në letra, por bëhet pjesë e jetës dhe e së ardhmes së tyre.

    Me fjalë frymëzuese, kryetarja e Unionit të Studentëve, Rijona Bajrami, i siguroi kolegët e saj se në këtë rrugëtim nuk do të jenë kurrë vetëm.

    Në këto 25 vjet, AAB ka dëshmuar se studentët e tij hyjnë në tregun e punës shpesh para se të kenë përfunduar studimet.

    Ky fakt ishte arsyeja kryesore që e shtyu Elda Pantinën të zgjedhë gazetarinë në këtë kolegj.

    Një pasuri tjetër e AAB-së janë marrëveshjet me universitete ndërkombëtare, që u japin studentëve shansin të studiojnë edhe përtej kufijve të Kosovës.

    Në këtë ditë, Kolegji AAB nuk ishte thjesht një institucion, por një premtim për një të ardhme të ndritur.

  • SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

    SPAK dhe Prokuroria Speciale e Kosovës forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional

    Kreu i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Altin Dumani, u prit në një takim nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj.

    Gjatë takimit, i cili u zhvillua të mërkurën, palët diskutuan për thellimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në fushën e sundimit të ligjit, shkëmbimin e përvojave dhe forcimin e koordinimit në hetimet e përbashkëta.

    Dumani ritheksoi përkushtimin e SPAK-ut për të mbështetur Prokurorinë Speciale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

    Nga ana tjetër, Isufaj shprehu mirënjohjen për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe theksoi se Prokuroria Speciale mbetet një shtyllë e fortë dhe e palëkundur e sistemit të drejtësisë në vend.

    Ky takim nënvizon rëndësinë e koordinimit të institucioneve në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke forcuar më tej bashkëpunimin mes dy organeve speciale të drejtësisë./ATVLIVE/

  • Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Realizohet fluturimi i parë direkt Jeddah – Prishtinë

    Aeroplani i linjës direkte Xhide – Prishtinë, me 66 pasagjerë në bord, ateroi në mëngjesin e së mërkurës, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

    Kështu nga kjo e mërkure zyrtarisht u hap linja më e re ajrore për në Xhide të Arabisë Saudite, që ndryshe konsiderohet edhe si porta hyrës për myslimanët që vizitojnë Mekën dhe Medinën.

    “Ky rrugëtim është më shumë se një udhëtim, është urë mes popujve tanë dhe do të bëjë ndërlidhje. Kjo linjë shënon një kapitull të ri që forcon marrëdhëniet mes Kosovës dhe Arabisë”, tha Gökhan Acikgoz, drejtor i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës.

    Përveç se u cilësoi moment historik, sipas ushtruesit të detyrës së Ministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishi, linja e re do të ndikojë edhe në turizmin kosovar.

    “Besojmë se përmes rrugëtimeve dhe kontakteve do forcojmë më shumë bashkëpunimin mes dy popujve tanë që kanë traditë dhe kulturë të lashtë. Kjo linjë do të rrisë turizmin në Kosovë, do sjellë vizitorë nga Arabia dhe ata do të shijojnë bukuritë natyrore, ushqimin dhe mikpritjen e popullit tonë”, tha Durmishi.

    Veç turizmit, fluturimi direkt për në Xhide e anasjelltas do të ndikojë edhe në sektorin ekonomik.

    “Kosova është vend ideal për investitorë. Shpresoj që ato të gjejnë veten në tregun e Arabisë Saudite”, tha Lulzim Mjeku, ambasador i Kosovës në Arabinë Saudite.

    Rëndësi më të veçantë kjo linjë direkte do ketë për Haxhilerët.

    “Hapja e zyrës së kësaj kompanie ndihmon udhëtarët me shërbime më cilësore, sidomos ata që kryejnë haxh dhe umre”, tha Faisal Ghazi Ismail Hifzi, ambasador i Arabisë Saudite.
    Kompania Flynas do ta realizojë fluturimin mes qytetit të dytë më të madh të Arabisë dhe Prishtinës.

    “Ne kemi bërë historinë duke lidhur Kosovën me Arabinë Saudite. Sot fillojmë me 3 fluturime në javë drejt Jeddah dhe shpresojmë që ky numër do të rritet, duke ju uruar fluturim të këndshëm me Flynas”, tha Abulelah Aledi, president i kompanisë “Flynas”.

    Nga Aeroporti i Prishtinës fluturimet drejt Xhides realizohen të mërkurën të premten dhe të dielën.

  • Rama: Burrat duhet ta pranojnë, gratë janë shumë para nesh

    Rama: Burrat duhet ta pranojnë, gratë janë shumë para nesh

    Kryeministri i Shqipërise, Edi Rama tha se mbështetja për gratë dhe vajzat është investimi më i duhur dhe më i frytshëm. Në një prononcim gjatë një aktiviteti për firmosjen e një marrëveshjeje mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, Rama tha se ato janë më para se burrat.

    “Shpresoj që të jetë investim që, qoftë edhe për inat, t’i motivojë më shumë burrat, sepse përgjithësisht janë më të rehatuar nga pikëpamja e procesit të të menduarit se sa ç’janë gratë dhe vajzat. Kështu që ne na duhen sa më shumë njerëz të motivuar dhe të parehatuar me veten por në kërkim të vazhdueshëm të sprovave dhe në sfidë të vazhdueshme me veten. Dhe në këtë aspekt, si përfaqësuesi i gjinisë më të dobët, duhet që edhe bashkëvuajtësit, burrat dhe djemtë, ta pranojnë se gratë janë më përpara se ne. Nuk kemi çfarë të bëjmë veç se duhet të dorëzohemi me dinjitet përpara këtij fakti dhe të përpiqemi të rikuperojmë sa të mundemi, të bindur se s’do t’i kalojmë asnjëherë por të paktën, të arrijmë të jemi në lartësinë e të qenit bashkudhëtarë të tyre dhe t’iu rrimë në krah me sa më shumë dinjitet”, tha Rama, përcjell A2 CNN.

    Këtë të mërkurë paradite, Universiteti Politeknik i Tiranës dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkruan një marrëveshje për mbështetjen dhe përgatitjen e studentëve përmes praktikave të paguara të punës, me qëllim aftësimin e tyre profesional, si dhe njohjen nga afër në terren me të gjitha proceset e zhvillimit të infrastrukturës.

  • Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Arrestohen tre të mitur në Mitrovicë të Veriut, dyshohen për lëndim të lehtë

    Tre të mitur janë arrestuar sot në Mitrovicën e Veriut për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Kanosje”.

    Në njoftimin e policisë thuhet se të arrestuarit janë: I.D. – 2010, J.S. – 2010, V.M. – 2011.

    “Arrestimi i tre të dyshuarve është bërë mbi dyshimet e bazuara se ata janë të përfshirë në rastin e raportuar më 28 shtator në Mitrovicë të Veriut, kur ankuesi kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht derisa po lëvizte në rrugën ‘Lola Ribar’ dhe të njëjtët gjithashtu kishin kanosur nipin e tij të mitur, ankuesi pas rastit kishte pranuar edhe trajtim mjekësor”, thuhet në njoftim.

    Tutje bëhet e ditur se pas intervistimit me urdhër të prokurorit të shtetit janë liruar.

    “Arrestimi i të miturve është realizuar në qytetin e Mitrovicës së Veriut, ndërsa ata janë intervistuar në bazë të procedurave ligjore. Me urdhër të prokurorit të Shtetit, pas intervistimit, të njëjtët janë liruar, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar raste për veprat penale: ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’”, ka njoftuar Policia.