ATV

Category: Lajme

  • Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Gjykimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Covey: Thaçi ishte vetëm një urë lidhëse

    Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, po vazhdon dëshminë për të tretën ditë me radhë dëshmitari i katërt i mbrojtjes, James Peter Covey.

    Në seancën e sotme, ai deklaroi se Hashim Thaçi ishte një “urë lidhëse” kur kërkoi armë për disa anëtarë të UÇK-së.

    Sipas ish-zëvendësit të Bernard Kouchnerit, ndërkombëtarët e kuptuan se ai po kryente detyrën që i kërkuan të tjerët.

    James Peter Covey është dëshmitari i katërt i mbrojtjes, e cila nisi paraqitjen e provave të saj më 15 shtator.

    Dëshmisë së tij i paraprinë emra të njohur të diplomacisë ndërkombëtare, përfshirë ish-zëdhënësin e Departamentit të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin e gjeneralit Wesley Clark.

  • Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Moti sot: Reshje intensive shiu, borë në disa zona

    Sot parashikohet mot i vranët dhe me reshje të dendura atmosferike. Fillimisht reshjet do të jenë në formë shiu, ndërsa në zonat malore në formë bore. Gjatë pasdites dhe mbrëmjes, reshjet gradualisht do të shndërrohen në shqotë dhe borë edhe në disa zona të ulëta, veçanërisht në Rrafshin e Kosovës, njofton MeteoKosova.

    Reshjet më intensive parashikohen në orët e mbrëmjes dhe gjatë natës, me përqendrim më të madh në zonat juglindore, lindore dhe verilindore.

    Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut, mund të ketë vërshime lokale, ndërsa në zonat me reshje bore pritet të formohen shtresa bore.

    Era do të fryjë kryesisht nga drejtimi i veriut, e cila herë pas here pritet të jetë e fuqishme, me shpejtësi prej 15-45 km/h.

    Temperaturat do të pësojnë ulje të theksueshme, me minimale që do të lëvizin prej 4 deri në 6°C, ndërsa ato maksimale prej 5 deri në 8°C. Gjatë orëve të pasdites temperaturat do të vazhdojnë të ulen tutje.

  • Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Covey vazhdon dëshminë edhe sot në Speciale

    Dëshmitari i katërt i Mbrojtjes së Thaçit, James (Jock) Covey, vazhdon edhe sot dëshminë e tij në Speciale.

    Dëshmitari James Peter Covey, në dëshminë e tij në Hagë, ka thënë se Hashim Thaçi nuk ka ndërlidhje me asnjë nga pretendimet e prokurorisë për veprimtari kriminale nga ana e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Dëshmia e tij vazhdon me pyetjet shtesë të avokatit Luka Mishetiq.

    James (Jock) Covey është dëshmitari i thirrur nga Mbrojtja e Hashim Thaçit, sipas përmbledhjes së Mbrojtjes të lexuar në gjykatë, Covey ka shërbyer si Zëvendës Kryesor i Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për Kosovën gjatë periudhës përkatëse.

  • Driton Lajçi kujton protestën e vitit 1997

    Driton Lajçi kujton protestën e vitit 1997

    1 Tetori shënon 28-vjetorin e protestës së madhe studentore kundër regjimit serb.

    Ndërkaq, njëri prej organizatorëve të kësaj proteste, Driton Lajçi, tregon qëllimet e kësaj proteste masive.

    “Qëllimi jonë i asaj kohe, në vija të trasha, ishte që të krijohen kushtet, të krijohen mundësitë, të krijohen rrethanat që gjeneratat të cilat do të vinin pas nesh të bëjnë jetë normale, të jenë të lira, të zhvillohen në aspektin personal e profesional, të mos kenë mbi kokë kërbaçin e milicisë serbe,” tha Lajçi.

    Sipas Lajçit, gjendja në atë periudhë shkonte në disfavor të studentëve.

    “Kishin kaluar diku 7 vite që nga shthurja e Jugosllavisë dhe Kosova nuk ishte përfshirë as në Konferencën e Londrës, as në Konferencën e Dejtonit në SHBA. Partitë politike të asaj kohe u përpoqën që të bëjnë diçka, megjithatë gjendja në terren ishte krejtësisht ndryshe, shkonte në disfavor të studentëve,” shtoi Lajçi.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • IKD:Tetë kandidatë për kryetarë komunash me probleme ligjore

    IKD:Tetë kandidatë për kryetarë komunash me probleme ligjore

    8 kandidatë nga 206 gjithsej në garën për kryetarë komunash kanë probleme me ligjin, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

    Vlerësimin dhe verifikimin e kandidatëve, si dhe certifikimin e tyre, e ka bërë Zyra Ligjore e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

    Megjithatë, sipas Flamur Kabashit nga IKD, kandidimi u ndalohet personave të dënuar në tri vitet e fundit.

    “Duhet pasur parasysh dhe sqaruar se, aktualisht, sipas dispozitave ligjore, ekziston kufizimi që ndalon kandidimin, sepse kandidati është i papërshtatshëm për të pasur të drejtën e kandidimit nëse është i dënuar në tri vitet e fundit me vendim të formës së prerë nga gjykata, pavarësisht dënimit që ka marrë,” deklaroi Kabashi.

    Sipas tij, megjithatë ka progres në këtë drejtim, pasi këtë vit ka më pak kandidatë me të kaluar penale në krahasim me zgjedhjet e kaluara.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Policia ndalon edukatoren në Pejë për 48 orë për keqtrajtim të një fëmijës

    Policia ndalon edukatoren në Pejë për 48 orë për keqtrajtim të një fëmijës

    Një edukatore në Pejë është arrestuar sot nën dyshimet se ka keqtrajtuar një fëmijë.

    Në një lidhje direkte në emisionin “COMPASS” në ATV, zëdhënësi i Prokurorisë Themelore të Pejës, Shkodran Nikçi, konfirmoi rastin.

    “Dyshohet se është ushtruar dhunë ndaj një fëmije të moshës së ndjeshme, konkretisht 2-vjeçare. Në këtë rast, edukatorja e kopshtit fillimisht është intervistuar nga Policia e Kosovës, ndërkaq me urdhër të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë,” tha Nikçi.

    Rasti fillimisht është raportuar nga prindërit e fëmijës, të cilët kishin dyshime për keqtrajtim.

    Mirëpo, pas sigurimit të incizimeve, prokuroria ka hasur në dhunë fizike.

    Sipas zëdhënësit të prokurorisë në Pejë, brenda afatit ligjor, prokurori i shtetit do të paraqesë kërkesë për të siguruar praninë e të pandehurës në procedurë penale.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Presidentja Osmani pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës

    Presidentja Osmani pritet nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka njoftuar se është pritur me nderime nga Mbreti dhe Mbretëresha e Danimarkës.

    Osmani përmes një postimi në Facebook, theksoi mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian.

    “Faleminderit Lartmadhërive të Tyre, Mbretit dhe Mbretëreshës së Danimarkës, për mikpritjen e ngrohtë në Kopenhagë para fillimit të Samitit të Liderëve të Komunitetit Politik Evropian”, shkroi e para e shtetit.

  • Buzhala:Rama ka abuzuar me pushtetin

    Buzhala:Rama ka abuzuar me pushtetin

    Gazetari Mentor Buzhala akuzoi kryetarin aktual të kryeqytetit, Përparim Ramën, për abuzim me pushtetin.

    Sipas Buzhalës, shmangia nga ballafaqimi me kundërkandidatët është në favor të Ramës.

    “Gjithë kohës do të sulmohet për dy arsye: e para, sepse ka abuzuar me pushtetin – unë kam rreth 150 shkrime për këtë; dhe e dyta, sepse nuk i ka përmbushur premtimet,” deklaroi Buzhala.

    Ai vlerëson se nëse do të kishte një debat mes kandidatëve për Prishtinën, më i dëmtuari në këtë mes do të ishte kandidati i PDK-së, Uran Ismaili.

    “Edhe në këtë kuptim, pse ai duhet të përballet? Me çfarë? Gjatë gjithë kohës në debat do të jetë në mbrojtje, sepse do të sulmohet vazhdimisht. Nëse do të kishim një debat me tre persona, më i dëmtuari do të ishte Ismaili, sepse debati do të orientohej te Çeku dhe për akuzat ndaj tij,” tha Buzhala.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Demi tregon si duhet te zhvillohen debatet

    Demi tregon si duhet te zhvillohen debatet

    Gjatë debatit në emisionin “CONTEXT” në ATV, Agron Demi nga Instituti ATLAS ka propozuar mënyra më efikase për organizimin e debateve gjatë fushatës zgjedhore.

    “Sipas meje, do të duhej të bëhej njëfarë orari i përbashkët medial, ashtu siç ndodh në Amerikë. Organizohen debate me short, disa kandidatë shkojnë në një medium, me të njëjtin format dhe të njëjtat pyetje, për shkak se tash po shoh që debatet po përsëriten – njësoj në RTK, njësoj në KTV,” tha Demi.

    Ai theksoi se sot situata me mediat është shumë më ndryshe krahasuar me të kaluarën.

    “Para 8 apo 12 vitesh, kur mbaheshin fushatat, i kishe vetëm tri televizione dhe ishte më e lehtë për secilin kandidat të merrte pjesë. Tash, deri te kanali numër 10, janë 9 televizione që organizojnë debate ,” shtoi Demi.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.

  • Zeqiri: Tregon arsyen pse Rama nuk po merrë pjesë në debatet televizive

    Zeqiri: Tregon arsyen pse Rama nuk po merrë pjesë në debatet televizive

    Gazetari Florent Zeqiri, në emisionin “CONTEXT” në ATV, ka shpjeguar arsyen pse kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama, nuk ka marrë pjesë në debatet televizive.

    “Sipas informatave që kam, Përparimi nuk e ka pranuar përballjen e sotme sepse ka dhënë njëfarë premtimi për të qenë më 6 tetor në një medium të caktuar, dhe deri atëherë nuk e ka ndërmend të marrë pjesë në debate të tjera,” tha Zeqiri.

    Ai kritikoi këtë qasje, duke e cilësuar si të papranueshme shmangien e përballjeve publike, sidomos në media të rëndësishme.

    “Është e papranueshme të iket nga përballja në mediume, sidomos në televizione kryesore. Në fund të fundit, është televizioni ai që informon qytetarët dhe, në një farë forme, ndihmon që ata të krijojnë mendim se kujt t’ia japin votën,” theksoi Zeqiri.

    Për më shumë detaje, ndiqni videon më poshtë.