ATV

Category: Lajme

  • “LIRIA KA EMËR”, motoristët nisin marshin nga Prekazi drejt Hagës

    “LIRIA KA EMËR”, motoristët nisin marshin nga Prekazi drejt Hagës

    Rreth 150 motoristë shqiptarë nga Kosova dhe diaspora kanë nisur sot marshin simbolik nga Prekazi drejt Hagës, për të kërkuar drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

    Marshimi nisi pas homazheve te varrezat e familjes Jashari. Sipas organizatorëve, qëllimi i marshit është të bëhet thirrje për drejtësi dhe përshpejtim të procesit gjyqësor.

    Për tu dal në mbështetje ish-krerë e të UÇK-së që po gjykohen në Hagë, ish-presidentit, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarëve, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputetit, Rexhep Selimi më 17 tetor në Tiranë do të mbahet protestë gjithëkombëtare.

    Një tjetër protestë është mbajtur në Hagë, më 14 shtator, një ditë para fillimit të dëgjimit të dëshmitarit të parë të mbrojtjes, ish-ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin. Protesta është mbajtur në afërsi të ndërtesës së Gjykatës Speciale, ku morën pjesë rreth 10 mijë shqiptarë nga e gjithë bota.

    Më 3 prill të vitit 2023 nisi procesi gjyqësor në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa ata nën akuzat për krime lufte janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

  • Vizita e von der Leyen, policia me masa të veçanta sigurie në kryeqytet

    Vizita e von der Leyen, policia me masa të veçanta sigurie në kryeqytet

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të qëndrojë sot Kosovë, ku do të zhvillojë takime të ndara me presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

    Kjo vizitë është pjesë e një turi në Ballkanin Perëndimor për të rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për rrugën evropiane të rajonit. Në qendër të bisedimeve do të jetë Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian.

    Ndërkohë, për të siguruar mbarëvajtjen e vizitës së presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Kosovë, Policia ka njoftuar se do të zbatojë një plan të veçantë operacional.

    Ky plan përfshin ndërprerjen e përkohshme të trafikut në disa segmente rrugore të Prishtinës gjatë kalimit së eskortës zyrtare, sipas itinerarit të lëvizjes si dhe zhvillimit të aktiviteteve sipas agjendës së vizitës së saj në vend.

  • 62 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë, një me fatalitet e 25 me të lënduar

    62 aksidente në 24 orët e fundit në Kosovë, një me fatalitet e 25 me të lënduar

    Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet e aksidenteve të shumta që po ndodhin çdo ditë. E një prej mënyrave të zakonshme për parandalimin e këtyre aksidenteve, është gjobitja e atyre që shkelin rregullat në trafik, shkruan Gazeta Sinjali.

    Statistikat tregojnë se mijëra gjoba shqiptohen çdo ditë në vendin tonë.

    Sipas raportit të policisë, në këtë periudhë është shënuar një aksident trafiku me fatalitet, ndërsa janë regjistruar 25 aksidente me të lënduar dhe 36 të tjera me dëme materiale.

    Në 24 orët e fundit policia ka arrestuar 17 persona, prej të cilëve 14 ka dërguar në mbajtje.

  • Jahjaga viziton komandën më të madhe të NATO-s: Paqja nuk arrihet vetëm përmes forcave ushtarake

    Jahjaga viziton komandën më të madhe të NATO-s: Paqja nuk arrihet vetëm përmes forcave ushtarake

    Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jajhaga është pritur në një vizitë në komandën më të madhe të NATO-s që e mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, në Napoli e Itali.

    Aty mori pjesë, me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, e ku tha se kjo është vizita e parë nga Kosova që bëhet në këtë komandë. Ish-presidentja tha të kenë biseduar mes tjerash për rolin që Kosova luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon.

    “E nderuar me ftesën e admiralit Stuart B. Munsch, komandant i Komandës të Forcave të Përbashkëta, për një vizitë të parë nga Kosova në komandën më të madhe të NATO-s që mbulon Evropën, Lindjen e Mesme dhe Afrikën, në Napoli, Itali. Gjatë vizitës, pata mundësinë të bashkëbisedoj me ekipin drejtues për integrimin e parimeve të Agjendës për gratë, paqen dhe sigurinë në operacionet aktuale dhe të ardhshme të NATO-s, si dhe të shkëmbej mendime për rolin që Kosova luan si partnere e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon. Admiralin Munsch e përgëzova për punën e jashtëzakonshme të NATO-s dhe të misionit të KFOR-it në Kosovë, që për më shumë se dy dekada kanë garantuar një mjedis të sigurt për qytetarët tanë. Gjithmonë falënderuese për intervenimin e NATO-s në vitin 1999, hap ky i cili shpëtoi një popull të tërë nga gjenocidi serb dhe hapi rrugën drejt lirisë”, ka shkruar Jahjaga.

    Ndër të tjera, Jahjaga nënvizoi se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike.

    “Në fund shpreha thellësisht mirënjohjen time për udhëheqjen, partneritetin dhe miqësinë që Admirali Munsch dhe NATO e kanë ndërtuar me popullin e Kosovës. Bashkëpunimi ynë dëshmon se paqja nuk ruhet vetëm përmes forcave ushtarake, por edhe përmes vlerave të përbashkëta demokratike”, ka shkruar ish-presidentja.

  • Presidentja Osmani dhuron proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri

    Presidentja Osmani dhuron proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me drejtoreshën e organizatës “Jeta Vita”, Nafije Latifi vizituan të mërkurën Klinikën e Onkologjisë në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

    Me këtë rast, presidentja Osmani dhuroi proteza të gjirit për gratë e prekura nga kanceri, si shenjë mbështetjeje për to dhe për fuqizimin e grave që përballen me këtë sëmundje.

    Për shkak të ndjeshmërisë së rasteve, mediat nuk janë lejuar të marrin pamje brenda Klinikës.

  • Von der Leyen viziton Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin në Kuvend

    Von der Leyen viziton Kosovën, takohet me Osmanin dhe Kurtin në Kuvend

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë, ku do të takohet me udhëheqësit e institucioneve të vendit.

    Gjatë vizitës së saj, ajo pritet të takohet me presidenten, Vjosa Osmani, si dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti nga ora 14:05 në hapësirat e Kuvendit të Kosovës, sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit.

    Policia e Kosovës ka paralajmëruar ndërprerje të përkohshme të qarkullimit gjatë qëndrimit të saj, për të mundësuar lëvizjen e lirë të eskortës zyrtare.

    Kjo vizitë është pjesë e turit rajonal të presidentes së Komisionit Evropian, që nisi të hënën në Tiranë dhe përfshin ndalesa në Shqipëri, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, për t’u përmbyllur të mërkurën në Shkup.

  • Prindërit protestojnë sërish para shkollës “Zenel Hajdini”

    Prindërit protestojnë sërish para shkollës “Zenel Hajdini”

    Për herë të dytë, brenda një jave këta prindër po protestojnë në hyrje të oborrit të shkollës “Zenel Hajdini” në Prishtinë. Kërkesa e tyre e vetme mbetet, kthimi i fëmijëve në shkollën fillore “Asim Vokshi”.

    Përfaqësuesja e prindërve, Njomza Berisha Poqani, tha se prindërit kanë dorëzuar një peticion me rreth 200 nënshkrime për të kundërshtuar zhvendosjen e fëmijëve për shkak të mësimit gjithëditor. Madje sipas tyre, ky proces në ketë shkollë as nuk ka filluar.

    “Nuk janë plotësuar kushtet për mësim tërëditor dhe mësimi tërëditor nuk ka filluar. Ne jemi dalë me kërkuar kthimin e fëmijëve tanë në shkollën ‘Asim Vokshi’, për arsye të sigurisë që nuk ka siguri, tha Berisha Poqani”.

    Prindërit thonë se kanë takuar përfaqësues komunal, të cilët janë zotuar për përmirësime në sinjalistikën rrugore, po kjo sipas tyre, nuk e zgjidh problemin kryesor.

    “Shqetësimi ynë kryesor është distanca e madhe dhe siguria, pasi që rruga është e ndarë përmes magjistrales Prishtinë–Podujevë, e cila është rruga më e ngarkuar në Prishtinë, tha Zenjullahu”.

    “Edhe unë e kam këtë shqetësim sepse duhet me dalë nga puna e me ardhë me marrë fëmijën ose me detyru dikë me ardhë me marrë, tha Isufi”.

    Në rast se kërkesa e tyre nuk realizohet, këta prindër paralajmërojnë veprime ligjore.

    “Nëse nuk marrim përgjigje, besojmë që do të shkojmë në mënyrë ligjore të kërkojmë siguri për fëmijët tanë që kemi të drejtë, dhe do të vazhdojmë me instanca më të larta, tha Berisha Poqani”.

    Drejtori i Arsimit në Komunën e Prishtinës, Samir Shahini i tha ATV-së përmes telefonit se janë duke punuar me Drejtorinë e Shërbimeve Publike për shtimin e sinjalistikës dhe masave për siguri në rrugë, tha Shahini”.

    Shahini tha se janë të gatshëm për takime me prindërit, për te gjetur një zgjidhje sa me pare qe është e mundur.

    Ai e pranoi se në shkollën Zenel Hajdini nuk ka nisur mësimi tërëditor, për shkak të siç tha, vonesave nga bllokimi i buxhetit./ATV

  • Të premtën në Tiranë protestohet në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Të premtën në Tiranë protestohet në përkrahje të ish-krerëve të UÇK-së

    Thirrje pritet t’i bashkohen mijëra shqiptarë, të premten në Tiranë.

    Kështu ka bërë të ditur, kreu i OVL – UÇK-së, Hysni Gucati, derisa dha detaje për protestën e së premtes që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar, nga ora 17:00, në kërkim të drejtësisë për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

    “Ne kemi gjete mbështetje edhe nga qyteti i Tiranës u.d, nga grupet parlamentare të partive të ndryshme në Shqipëri dhe nga vet qeveria e shtetit shqiptarë” shtoi ai.

    Pjesëmarrjen në këtë protestë e ka konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama. Ai po ashtu bëri thirrje që t’i bashkohen këtij organizimi.

    Ndërkaq, fjalë rasti do të ketë ish-presidenti shqiptar Alfred Moisiu dhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

    Po ashtu, drejt Shqipërisë do të nisen mbi 60 autobusë.

    “Mbi 60 autobusë do të nisen nga vendet e ndryshme të Kosovës, pa i llogaritur ato të Maqedonisë edhe të Malit të Zi dhe Preshevës” tha Gucati.

    Kjo protestë vjen pas asaj në Hagë, ku me mijëra qytetarë kanë kërkuar lirimin e ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit – të cilët ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020.

     

     

     

  • Një veturë bie në liqenin e Ujmanit

    Një veturë bie në liqenin e Ujmanit

    Një veturë ka përfunduar në liqenin e Ujmanit pasditen e së martës.

    Rasti është konfirmuar nga zëvendës drejtori i policisë për veriun, Veton Elshani.

    Sipas të dhënave fillestare, vetura ka rënë në liqen derisa dy persona kanë qenë duke bërë fotografi aty afër.

    Siç njoftohet nga policia, personat kishin harruar të tërhiqnin frenin e dorës.

    Përveç dëmeve materiale në makinë, nuk raportohet për të lënduar.

  • A po venitet mbështetja për Listën Serbe?

    A po venitet mbështetja për Listën Serbe?

    Kandidatët për kryetarë të Listës Serbe, në raund të parë fituan nëntë, nga gjithsej 10 komuna me shumicë serbe, në territorin e Kosovës.

    Partia më e madhe serbe në vend, zë vendin e parë për nga numri i komunave të fituara pa balotazh.

    Sidoqoftë, nëse merret për bazë përqindja e votave të fituara, në disa komuna ka rënie të përkrahjes për këtë parti, krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021.

    Në Mitrovicë të Veriut, Milan Radojevic, mori pak mbi 60% të votave, apo rreth 31% në pak se në zgjedhjet e kaluara.

    Bazuar në të dhënat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në këtë komunë dolën të votojnë rreth tre mijë persona më pak, se në tetorin e para katër vjetëve.

    Edhe në tre komunat e tjera veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, kandidatët e Listës Serbe, morën më pak vota në përqindje.

    Por në secilën prej tyre, mbështetja nuk bie nën 70%.

    Profesori Gëzim Qerimi, thotë se LS-ja vazhdon të jetë faktor politik në dhjetë komunat me shumicë serbe.

    “Vërehet se nuk është një mbështetje absolute për Listën Serbe, por vazhdon të jet mjaft e fuqishme, duke pasur parasysh se vetëm në Mitrovicën e Veriut, ka një rënie të mbështetjes sepse fitorja është me 60% të elektoratit, por në tri komunat e tjera, mbështetja është mbi 70% dhe mund të konsiderohet si një mbështetje e madhe”, thotë Qerimi.

    Ndërkohë në komunat veriore, dalja për të votuar që më e vogël se në vitin 2021, sidomos në Leposaviq, ku rreth gjashtë mijë qytetarë më pak, morën pjesë në proces.

    Në Partesh kandidati i partisë rriti mbushjen.

    Novobërda i dha thuajse të njëjtën përqindje të votave kandidatit të Listës Serbe edhe në këto zgjedhje, ashtu si dhe Shtërpca.

    Në Graqanicë LS-ja doli e para me mbi 62% të votave të fituara, por rreth 15% më pak se në vitin 2021.

    Në Ranillugë, kandidati i partisë, mori afro 30% më pak mbështetje, teksa në zgjedhjet e kaluara nuk kishte fare kundër kandidat.

    Profesori universitar, Basri Muja, rezultatet i lidh me mundësimin e pluralizmit politik, në komunat me shumicë serbe.

    “Ka të bëjë me humbjen e përkrahjes së Listës Sërpska, por mbi të gjitha me vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë të republikës dhe si rrjedhojë edhe të mundësisë më të madhe për organizime politike, autotentike të pjestarëve të këtij komuniteti në Kosovë”, përmend Muja.

    Në Kllokot, ashtu si në vitin 2021, kandidati i Listës Serbe, do të ballafaqohet në balotazh me kandidatin që zuri vendin e dytë në zgjedhjet e 12 tetorit.