ATV

Category: Lajme

  • Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana sekuestron telefona të padeklaruar në Prishtinë

    Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë një kontrolli në Prishtinë, në një nga bodrumet e një objekti është gjetur një kasafortë e mbuluar me pako, në të cilën pas hapjes janë gjetur një sasi e konsiderueshme telefonash të rinj të padeklaruar.

    Në total janë sekuestruar 41 pajisje të reja elektronike, derisa nuk është ofruar asnjë dokumentacion për origjinën e mallit.

    “19 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A26 5G; 21 copë telefona mobil të mençur SAMSUNG GALAXY A16; 1 copë tablet SAMSUNG GALAXY TAB A9+ 5G”, janë pajisjet e sekuestruara sipas njoftimit.

    Dogana e Kosovës thotë se do të vazhdojë me procedurat administrative dhe hetimore lidhur me këtë rast.

  • Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë të arrestuar pas një përleshjeje në Viti

    Gjashtë persona janë arrestuar nga policia të mërkurën në Viti pasi janë përfshirë në një përleshje pas një mosmarrëveshjeje mes tyre.

    Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rasti ka ndodhur rreth orës 14:30, ndërsa të gjithë të përfshirët kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marrë trajtim mjekësor.

    Gjatë intervenimit në vendin e ngjarjes, policia ka gjetur dhe konfiskuar 5.38 gram substancë të dyshuar narkotike.

    Me vendim të prokurorit të rastit, gjashtë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.

  • Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Rama i reagon VV-së: Po i ngatërroni marrëdhëniet Kosovë–Shqipëri me “çorbën e balotazheve komunale”

    Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pas akuzave se ai kishte ardhur në Kosovë për të ndikuar në votimin për Gjykatën Speciale.

    Në një reagim publik, Rama tha se pretendimet e Vetëvendosjes janë të pavërteta dhe se partia e Albin Kurtit po përzien raportet institucionale mes dy shteteve me fushatën lokale në Kosovë.

    “Lëvizja Vetëvendosje më paska kushtuar një çarçaf të gjatë, ku shkruan se përpara 10 vjetësh unë paskam qenë pro, kurse ajo paska qenë kundër Gjykatës Speciale. Ndërkohë unë e kam denoncuar farsën ndaj Hashim Thaçit e të tjerëve kurdo e kudo ka qenë rasti apo nevoja, ndërsa Lëvizja… dihet se sa ka lëvizur në atë drejtim,” tha Rama.

    Ai shtoi se nuk është “në asnjë lloj gare me Vetëvendosjen”, por se e konsideron të papranueshme ngatërrimin e “marrëdhënieve institucionale të Kosovës me Shqipërinë në çorbën e balotazheve komunale”.

    Rama kujtoi se Gjykata Speciale u themelua për çështjen e “trafikut të organeve”, jo për të “marrë peng presidentin e Republikës së Kosovës”.

    Në fund, kryeministri shqiptar sqaroi se nuk është organizator apo folës në protestën gjithëkombëtare “Drejtësi për Çlirimtarët”, por se e mbështet me zemër dhe do të merrte pjesë “si qytetar i thjeshtë”, nëse nuk do të ekzistonte rreziku që nisma të politizohej.

  • Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Lista Serbe i drejtohet sërish Kushtetueses

    Më 16 tetor, Lista Serbe sërish ka dorëzuar një ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës lidhur me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, duke pretenduar se janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e punës së Kuvendit, si dhe një aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

    “Po ashtu, kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë kryesore të serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit.

    Kuvendi i ri i Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

    Zgjedhja e tij u bë pasi të nëntë deputetët e Listës Serbe, ndonëse u hodhën nga tri herë në votim, nuk morën votat e nevojshme.

    Kushtetuesja kishte trajtuar ankesën e dorëzuar më herët nga Lista Serbe lidhur me çështjen e nënkryetarëve, pasi kreu i Kuvendit, Dimal Basha, e kishte shpallur të konstituuar Kuvendin pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë nga radhët e komunitetit serb.

    Më pas, Gjykata konstatoi se Kuvendi nuk ishte i konstituuar, duke kërkuar që deputetët të zgjidhnin nënkryetarin nga radhët e komunitetit serb, me qëllim që të hapej rruga për formimin e Qeverisë.

    Në vendimin e Kushtetueses u tha se propozimi për nënkryetarin nga radhët e komuniteteve joshumicë, në këtë rast të pakicës serbe, duhet të bëhet nga shumica apo numri më i madh i deputetëve nga radhët e deputetëve të komunitetit serb.

    Pasi deputetët e Listës Serbe nuk morën numrin e mjaftueshëm të votave, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë të zgjidhet nënkryetar.

    Rashiq ka qenë ministër në Qeverinë e Albin Kurtit, duke udhëhequr dikasterin për Komunitete dhe Kthim.

    Lista Serbe thotë se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

    Një ditë pas zgjedhjes së Rashiqit, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mandatuar udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për formimin e Qeverisë së re. Sipas Kushtetutës, Kurti ka 15 ditë afat për t’i prezantuar Kuvendit përbërjen dhe programin e qeverisë së re.

    Për zgjedhjen e Qeverisë duhen 61 vota të deputetëve dhe Kurti ka thënë se në ditët në vijim do të zhvillojë diskutime me partitë për një koalicion qeverisës. LVV në zgjedhjet e 9 shkurtit ka fituar 48 ulëse në Parlamentin me 120 deputetë.

    Nëse Kurti nuk arrin të sigurojë 61 votat e nevojshme deri më 26 tetor, atëherë Osmani, sipas ligjeve, është e obliguar që brenda 10 ditëve t’i ftojë në konsultim edhe një herë partitë politike, edhe të vendosë, sipas diskrecionit të saj, për mandataren e re, nëse ajo ia dëshmon se i ka numrat për të formuar Qeverinë.

    Edhe mandatarja e ardhshme duhet t’i ketë 15 ditë kohë që t’ia paraqesë Kuvendit përbërjen e kabinetit qeveritar.

    Nëse Qeveria nuk formohet as pas 40 ditësh, presidentja Osmani duhet të shpallë zgjedhjet e reja./REL

  • Krasniqi pas rezultatit në Drenas: Humbje e hidhur, por urime për fituesin

    Krasniqi pas rezultatit në Drenas: Humbje e hidhur, por urime për fituesin

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka mbajtur një konferencë për media ku ka folur për procesin zgjedhor të së dielës.

    Ai është pyetur edhe për humbjen e PDK-së në Drenas, ku fitues doli Ramiz Lladrovci. Këtij të fundit, Krasniqi ia uroi fitoren, por tha se humbja në këtë komunë u ka lënë “shije të hidhur”.

    “Asnjëra parti politike në këtë proces, e as ne si PDK, nuk i arritëm objektivat e plota në këtë garë zgjedhore. Natyrisht, na la një shije të hidhur humbja në Drenas. Kryetarit të zgjedhur ia uroj fitoren dhe shpresoj që do të punojë në të mirën e qytetarëve të komunës. Më vjen keq që edhe në këtë garë lokale, qytetarët e Drenasit u vendosën në një pozitë të vështirë,” ka deklaruar ai.

    “Me sa e kam kuptuar, zoti Lladrvoci do të kthehet në zyrat ku ka qenë më herët. Por zyrat e PDK-së janë aty ku është kryesia legjitime e saj. Mendoj që gara atje ka përfunduar, ndërsa fokusi ynë tani është në balotazh,” ka shtuar Krasniqi.

  • KQZ-ja publikon raportin përfundimtar, ja sa para harxhuan partitë politike në zgjedhjet e 9 shkurtit

    KQZ-ja publikon raportin përfundimtar, ja sa para harxhuan partitë politike në zgjedhjet e 9 shkurtit

    Janë publikuar raportet përfundimtare për shpenzimet e partive politike në zgjedhjet parlamentare, që u mbajtën në fillim të këtij viti, me 9 shkurt.

    Njoftimi është bërë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

    ‘‘Pas çdo palë zgjedhje, subjektet politike që garojnë në zgjedhje duhet të dorëzojnë raportin financiar të fushatës jo më vonë se tridhjetë (30) ditë kalendarike pas certifikimit të rezultateve. Raportet financiare të fushatës auditohen nga auditori i pavarur, dhe pas auditimit publikohen në ueb faqe”.

    “Në vijim mund të gjeni raportet financiare të fushatave për subjektet politike të cilat janë audituar, në bazë të zgjedhjeve që kanë marrë pjesë’’, ka shkruar KQZ, pë raportin që e gjeni këtu: LINKU I RAPORTIT.

  • OKB-ja thotë se ushtria izraelite vazhdon të vrasë civilë në Gaza

    OKB-ja thotë se ushtria izraelite vazhdon të vrasë civilë në Gaza

    Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka thënë se ushtria izraelite “vazhdon të vrasë civilë” përreth vijave të ripozicionimit në Gaza.

    Thuhet se të paktën 15 palestinezë janë qëlluar dhe vrarë në zonat pranë trupave izraelite në Gaza, shkruan SkyNews.

    Ushtria izraelite ende kontrollon rreth 53% të Gazës pasi forcat e saj u rikthyen në vijën fillestare të tërheqjes.

    Dje, ushtria izraelite tha se hapi zjarr ndaj “disa të dyshuarve”, ndërsa autoritetet shëndetësore në Gaza thanë se të paktën gjashtë palestinezë ishin vrarë nga zjarri izraelit në dy incidente të ndara.

    IDF tha se hapi zjarr pasi të dyshuarit kaluan vijën e tërheqjes dhe iu afruan forcave në Rripin verior të Gazës.

  • Ambasadori i ri i Gjermanisë: Kosova, partner i rëndësishëm – mezi pres t’ju njoh

    Ambasadori i ri i Gjermanisë: Kosova, partner i rëndësishëm – mezi pres t’ju njoh

    Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph, përmes një videoje është prezantuar shkurt për kosovarët dhe për mbështetjen e vendit të tij ndaj Kosovës.

    Ai tha se Gjermania është krenare që ka mbështetur Kosovën e pavarur dhe sovrane dhe se ai do të vazhdojë të mbështesë integrimin ndërkombëtar të Kosovës dhe atë në Bashkimin Europian.

    “Për ne gjermanët Kosova është një mik i mirë dhe një partner i rëndësishëm. Dhe ne kemi qenë krenarë që e kemi mbështetur Kosovën si një komb të pavarur dhe sovran për një kohë të gjatë. Dhe unë dua të mbështes integrimin ndërkombëtar të Kosovës, veçanërisht rrugën e saj drejt Bashkimit Europian”, tha ai.

    Ambasadori i ri dhe se pret ‘me padurim’ t’i njohë njerëzit e këtij vendi dhe të provojë ushqimin.

    “Dhe mbi të gjitha, pres me padurim t’ju njoh të gjithëve juve e këtë vend të bukur dhe ushqimin e tij të mrekullueshëm”, tha ai.

  • Shefja e KE-së pas takimeve me Osmanin e Kurtin: Të ulen tensionet, të ketë institucione të sigurta

    Shefja e KE-së pas takimeve me Osmanin e Kurtin: Të ulen tensionet, të ketë institucione të sigurta

    Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka komentuar vizitën e saj në Kosovë përmes rrjeteve sociale, duke theksuar rëndësinë e uljes së tensioneve dhe forcimit të institucioneve.

    “Për këtë, është e rëndësishme që Kosova të vazhdojë ndërtimin e institucioneve të sigurta. Të depërshkallëzojë tensionet në shtet. Dhe po ashtu, Kosova duhet t’i finalizojë hapat e domosdoshëm për të përfituar nga Plani i Rritjes”, ka shkruar ajo.

     

  • Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Heqja e masave ndaj Kosovës në fokus të takimit Osmani–Von der Leyen

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka theksuar se Kosova është e përkushtuar të ecë përpara me reforma të suksesshme dhe me besim të palëkundur në të ardhmen evropiane.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka bërë të ditur se me von der Leyen kanë diskutuar mbi zbatimin e Planit të Rritjes dhe heqjen e masave ndaj Kosovës.

    “Kënaqësi e veçantë ta mirëpres sërish sot në Republikën e Kosovës Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Së bashku diskutuam për zbatimin e Planit të Rritjes, për rëndësinë e heqjes së masave të padrejta ndaj vendit tonë, si dhe për hapat tutje në rrugën drejt integrimit tonë në Bashkimin Evropian. Mbështetja e Komisionit Evropian për Kosovën në këtë proces mbetet thelbësore.”, ka shkruar Osmani.