ATV

Category: Lajme

  • Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për balotazh fillon sot

    Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta për balotazh fillon sot

    Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se periudha për regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta për balotazh do të fillojë sot dhe do të përfundojë më 4 nëntor.

    Për ta mundësuar votimin e personave të regjistruar, KQZ-ja do të angazhojë ekipet mobile gjatë 9 nëntorit – ditës së balotazhit.

    Për regjistrim është vënë në funksion platforma – vpnv.kqz-ks.org

    Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta do të bëhet në bashkëpunim me institucione relevante dhe përmes platformës eletronike, e cila do të jetë e qasshme në kohën e fillimit të këtij procesi.

    Votuesit me nevoja të veçanta përfshijnë tri kategori kryesore:

      I. VOTUES ME NEVOJA TË VEÇANTA

    Votues me nevoja të veçanta, konsiderohen votuesit me zotësi juridike që nuk mund të dalin nga shtëpitë e tyre për të votuar personalisht në vendvotim, për shkak të paaftësisë fizike, shëndetësore ose çfarëdo paaftësie tjetër.

    Regjistrimi i këtyre votuesve mund të bëhet përmes platformës elektronike ose fizikisht në Komisionin Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi.

    Vëmendje: Votuesit nga kjo kategori, që janë regjistruar në raundin e parë, nuk kanë nevojë të bëjnë regjistrimin e ri.

    II. VOTUESE ME LËVIZJE TË KUFIZUAR NË INSTITUCIONE

    Votues në institucione konsiderohen votuesit me zotësi juridike, me lëvizje të kufizuar në ndonjë institucion: votuesit në hospitalizim, njerëzit e moshuar në shtëpitë e caktuara për të moshuarit, personat në trajtim në institucionet e shëndetit mendor, të burgosurit në burgje dhe të paraburgosurit në qendrat e paraburgimit.

    Vëmendje: KQZ, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse do të bëjë përditësimin e listave të votuesve nga kjo kategori që janë regjistruar gjatë raundit të parë.

    III. VOTUES NË RRETHANA TË VEÇANTA

    Votues në rrethana të veçanta konsiderohen votuesit që për shkaqe sigurie dhe votusit që janë në arrest shtëpiak nuk mund të votojnë në vendovitimin e tyre të caktuar.

    Registrimi i votuesve që për shkaqe sigurie nuk mund të votojnë në vendvotim bëhet përmes platfomës elektronike të KQZ-së si dhe duke kërkuar asistimin e Komisionit Komunal të Zgjedhjeve në komunën ku është votuesi, ndërkaq, KQZ në bashkëpunim me institucionet përkatëse bën evidentimin e qytetarëve me të drejtë vote që ndodhen nën masën e arrestit shtëpiak.

  • Moti për sot

    Moti për sot

    Sot parashikohet të mbajë mot me diell, derisa mëngjesi do të jetë mjaft i ftohtë.

    Era do të fryjë drejtimesh të ndryshme, me shpejtësi prej 9-25 km/h, njofton MeteoKosova.

    Temperaturat do të shënojnë ngritje, me minimale që do të lëvizin prej 1 deri në 5°C, ndërsa ato maksimale prej 15 deri në 19°C.

  • KEK-u synon shitjen e hirit dhe zgurrës

    KEK-u synon shitjen e hirit dhe zgurrës

    Korporata Energjetike po mëton të fitojë miliona euro nga mbetjet gjatë procesit të prodhimit të rrymës.
    Për herë të parë, janë vënë në shitje hiri e zgurra, të mbledhura ndër vite në dy termocentralet.
    Tenderi ka vlerën mbi 3 milionë euro, kurse operator fitues do të jetë kushdo që ofron çmimin më të lartë.
    STAND UP: PRANVERA KRASNIQI, ATV
    “Sasia që del në treg është shumëvjeçare. Janë 300 mijë ton hiri nga Kosova A dhe 600 mijë ton nga Kosova B. Poashtu, 30 mijë ton zgurë nga Kosova A dhe 60 mijë ton nga B-ja. Një pjesë e tyre gjindet në hapësirën e termocentraleve kurse sasia tjetër, përmes gypave, derdhet në afërsi të deponisë së mbeturinave në Mirash.”
    Hiri e zgura përdoren kryesisht në industrinë e ndërtimit, sidomos në prodhimin e çimentos dhe betonit.
    Për operatorët privatë kjo nismë shihet si mundësi biznesi, ndërkaq për KEK-un, mundësi fitimi.
    Shitja e këtyre mbetjeve ka qenë temë diskutimi edhe më herët, por sipas inxhinierit Driton Tafallari, nuk kishte të interesuar. Andaj, druan se mos po përsëritet situatë e njëjtë.
    Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është më 11 nëntor, ndërsa KEK-u ka ftuar të gjithë të interesuarit që më 5 nëntor, në orën 10:00, të paraqiten për vizitë në terren, për të parë nga afër lokacionet dhe kushtet teknike.
  • Rreth 15 milionë euro për dy palë zgjedhje brenda një viti

    Brenda vetëm nëntë muajve, vendi ka kaluar në dy procese zgjedhore, ato parlamentare të 9 shkurtit dhe lokalet të mbajtura më 12 tetor, ndërsa balotazhi për këto të fundit do të zhvillohet më 9 nëntor.

    Vetëm zgjedhjet parlamentare i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 9 milionë euro, ndërsa ato lokale mbi 6 milionë euro. Në total, rreth 15 milionë euro janë shpenzuar për dy palë zgjedhje brenda më pak se një viti.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, përveç kostos financiare, ekziston edhe një problem tjetër që konsiderohet shumë më i madh.

    “Organizimi i zgjedhjeve ka koston e vetë dhe ka shpenzime për çështjen e zgjedhjeve. Megjithatë, dëmet që i krijohen Kosovës për duke mos pasur institucione për një periudhë të caktuar kohore janë shumë më shumëfish më të mëdha se sa shpenzimet për organizimin e zgjedhjeve” deklaroi Shala.

    Organizimi i shumë proceseve brenda një viti, sipas sociologut Jahir Sumiqi, mund të ndikojë edhe në humbjen e besimit të qytetarëve në institucione.

    “Cikli i përsëritur i zgjedhjeve në Kosovë, qofshin ato nacionale apo lokale, është një cikël i cili shkakton probleme dhe dëme shoqërore, ekonomike dhe demografike. Pra, humbja e besimit në institucione, e dyta, kriza ekonomike” tha Sumiqi

    Ndërsa analisti politik, Albinot Maloku thotë se partitë politike po e anashkalojnë koston që në fund e paguajnë vetë qytetarët.

    “Shpjegimi elokuent se një proces zgjedhorë është e nevojshme të shtohet plus të bëhet edhe një pa e kalkuluar interesin e qytetarëve është mashtrimi më i mirë që po i bëhet qytetareve duke mos ju treguar qytetarit se të gjitha shpenzimet është duke i paguar vetë” deklaroi Maloku.

    Ndërkohë përveç mundësisë së zgjedhjeve të jashtëzakonshme në fund të vitit, kryeministri në dorëheqje Albin Kurti paralajmëroi zgjedhje edhe në pranverë.

  • Vetëvendosje mbledh nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme

    Vetëvendosje mbledh nënshkrime për seancë të jashtëzakonshme

    Vetëm dy ditë pas dështimit të votimit të Qeverisë së re, Lëvizja Vetvendosje ka filluar që të mbledh nënshkrime për thirrjen e një seance tjetër të jashtëzakonshme.

    Por nuk është bërë i ditur rendi i ditës, nëse ka të bëjë me një mandatar të dytë për formim të qeverisë, apo për çështjen e buxhetit 2026.

    Kurse të enjten, do të mblidhet kryesia e Kuvendit, me tri pika të rendit.

    Në anën tjetër, presidentja Vjosa Osmani do t’i thërrasë partitë për konsulta, të cilave do t’u kërkojë kompromis.

    “Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit,deklaroi kwshirlltari për media, Bekim Kupina.

    Në adresë të Osmanit, 21 organizata të shoqërisë civile dërguan letër, duke i kërkuar të ndërmjetësojë për miratimin e Buxhetit 2026 dhe Planit të Rritjes së BE-së.

    “Diskursi politikë është shëndrruar në një ambient toksik prandaj e kemi preferuar që në konsultim me shoqërin civile presidentja e ka detyrën që të bisedoj me të gjitha partit për të parë nëse ka ndonjë mundësi të sekondës së fundit për krijimin e ndonjë qeverie vlersojm se ndërmjetësimi i saj do ta bënte kalimin e një buxheti shumë më të lehtë,” tha Gërgi.

    Të dielën, mandatari Albin Kurti dështoi t’i marrë votat e nevojshme për formim të qeverisë së re. Të gjitha partitë parlamentare deri tash janë deklaruar pro zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

  • Konsultat me partitë, Osmani do të kërkojë “kompromis politik”

    Konsultat me partitë, Osmani do të kërkojë “kompromis politik”

    Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, në takimet konsultative që do t’i zhvillojë me partitë politike, do të bëjë thirrje për kompromis politik dhe për bashëpunim.

    Kështu ka deklaruar Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidencës.

    Kupina tha se Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve

    “Presidentja Osmani, në konsultat që do t’i zhvillojë me partitë politike, do ta potencoj rëndësinë e miratimit të Buxhetit për vitin 2026 si dhe miratimin e Planit të Rritjes, si akte të domosdoshme për stabilitetin institucional dhe funksionimin normal të shtetit si dhe për zhvillimin ekonomik të vendit tonë”, tha Kupina.

    “Presidentja do të bëjë thirrje për një kompromis politik, nëpërmjet të cilit do të garantohet interesi i Kosovës dhe i qytetarëve të saj, si dhe të sigurohet rruga përpara për avancimin e vendit. Në këtë kuadër, Presidentja do t’i inkurajojë partitë politike të bashkëpunojnë për ta shmangur çdo bllokadë që mund të ndikojë negativisht në mirëqenien e qytetarëve dhe në funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës”, deklaroi Kupina.

  • Zyra e Kurtit: Kryeministri udhëton për në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Forumin e Paqes

    Zyra e Kurtit: Kryeministri udhëton për në Paris me ftesë të Macronit, merr pjesë në Forumin e Paqes

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka udhëtuar sot për në kryeqytetin e Francës, ku do të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris, me ftesë të Presidentit francez, Emmanuel Macron, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.

    Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti do të marrë pjesë në disa takime bilaterale në margjina të forumit dhe do të jetë pjesë e tryezës së diskutimit të organizuar nga Instituti Jacques Delors, ku do të trajtohen çështje që lidhen me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

    Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit në detyrë, sonte Kurti është i ftuar nderi në darkën zyrtare të shtruar nga Qarku diplomatik i Parisit, ku pritet të takojë përfaqësues të lartë të vendeve pjesëmarrëse.

    Forumi i Paqes në Paris mbledh liderë botërorë, diplomatë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare për të diskutuar mbi sigurinë globale, bashkëpunimin ndërkombëtar dhe sfidat e zhvillimit.

  • Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Tërmeti 6.1 rihter në Turqi, 26 të plagosur dhe qindra paslëkundje

    Mbi 300 pas lëkundje janë ndjerë në Turqi pas tërmetit me magnitudë 6.1 Rihter. Tërmeti me epiqendër në qytetin Balıkesir u ndje të hënën në mbrëmje. Nga tërmeti janë plagosur 26 persona të cilët kanë marrë plagë teksa largoheshin nga vendi ku ndodheshin.

    Siç është njoftuar nga Shërbimi Sizmologjik Turk, tërmeti me magnitudë 6.1 Rihter që ndodhi në orën 22:48 të hënën në mbrëmje u ndje në shumë provinca, duke përfshirë Balıkesir, Izmir, Bursa, Stamboll, Tekirdag, Kocaeli dhe Sakarya.

    Pas tërmetit u regjistruan gjithsej 330 lëkundje pasuese gjatë një periudhe prej afërsisht 13 orësh, nga ora 22:48 e djeshme deri në orën 11:00 të sotme. 12 lëkundje pasuese janë regjistruar me magnitudë 4 ose më të lartë.

    Në zonën ku ndodhi tërmeti, 26 qytetarë u shtruan në spital me lëndime të lehta, ndërsa Ministri i Brendshëm turk njoftoi se të gjithë janë larguar tashmë nga spitali. Operacioni i ngritur për t’u përballur me pasojat e tërmetit përfshin 1,204 persona nga shërbime të ndryshme turke.

  • Kryeministrja japoneze do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Kryeministrja japoneze do ta nominojë Trumpin për Çmimin Nobel për Paqen

    Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi ka shprehur qëllimin e saj për të nominuar Presidentin e SHBA-së Donald Trump për Çmimin Nobel për Paqen, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Carolyn Levitt për gazetarët.

    Çmimi Nobel për Paqen është një dëshirë e madhe e presidentit republikan amerikan, i cili pretendon se i ka dhënë fund disa konflikteve të armatosura në të gjithë botën që kur është kthyer në Shtëpinë e Bardhë.

    “Në një periudhë kaq të shkurtër kohore, bota ka arritur të gëzojë më shumë paqe”, tha kryeministrja e sapozgjedhur e Japonisë presidentit të SHBA-së gjatë takimit të tyre. “Jam i impresionuar dhe i frymëzuar nga ju, z. President”, shtoi Sanae Takaichi.

    Sanae Takaichi falënderoi Donald Trump për “miqësinë e tij të qëndrueshme” me ish-kryeministrin e ndjerë japonez Shinzo Abe, i cili ishte mentori i saj.

    Nga ana e tij, presidenti amerikan e siguroi kryeministrin japonez se Uashingtoni është aleati i Tokios “në nivelin më të lartë”, në një kohë kur SHBA-të po ushtrojnë presion mbi Tokën e Diellit që po Lind për të rritur shpenzimet e mbrojtjes.

    “Gjithmonë kam pasur dashuri dhe respekt të madh për Japoninë. Dua t’ju siguroj se kjo do të jetë një marrëdhënie e privilegjuar. Ne jemi aleatë në nivelin më të lartë”, tha Trump.

  • Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Supremja merr vendim për të drejtën e veteranëve për kompensim financiar

    Gjykata Supreme ka shfuqizuar nenin e Udhëzimit Administrativ Nr.01/2025, që kufizonte të drejtën e veteranëve për kompensim financiar.

    Gjykata Supreme, gjatë shqyrtimit të ligjit për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, ka vlerësuar se me ndryshimet dhe plotësimet e fundit të ligjit është krijuar një paqartësi dhe konfuzion juridik në raport me ekzistimin ose jo të marrëdhënies së punës si kriter për përfitimin e së drejtës ligjore të kompensimit financiar.

    “Në analizë të përmbajtjes së dispozitave të ndryshuara, Gjykata konstaton se riformulimi i nenit bazik ka krijuar pasiguri lidhur me pyetjen nëse kjo e drejtë u takon vetëm atyre që janë të punësuar në sektorin privat apo edhe atyre që janë të punësuar në sektorin publik. Në këtë drejtim, Gjykata ka interpretuar nenin 16A, paragrafi 5 të ligjit të ndryshuar, i cili përcakton se: “Veteranët e luftës së UÇK-së që punojnë jashtë institucioneve që paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës, si dhe jashtë ndërmarrjeve publike, do të gëzojnë njëtrajtshëm deri në 50% të shumës së paraparë, por që në total nuk do të kalojë 0.7% të Bruto Prodhimit Vendor”, thuhet në njoftim.

    Gjykata vlerëson se ligjdhënësi ka dashur të përjashtojë nga përfitimi i kompensimit vetëm ata persona që janë të punësuar në institucione që financohen nga buxheti i Republikës së Kosovës apo në ndërmarrje publike, ndërsa ata që janë të punësuar jashtë sektorit publik, përkatësisht në sektorin privat, gëzojnë të drejtën e kompensimit në përputhje me kufijtë e përcaktuar ligjorë.

    Kësisoj, e drejta për përfitim nga kjo kategori ligjore nuk varet nga ekzistenca e marrëdhënies së punës në përgjithësi, por nga natyra e punëdhënësit dhe burimi i financimit të pagës – pra, nëse ai burim është apo jo buxheti i shtetit.

    Në këtë kontekst, Gjykata vlerëson se kërkesa e Ministrisë për paraqitjen e dokumentit të lëshuar nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), e përcaktuar në udhëzimin kontestues që dëshmon se veterani “nuk është në marrëdhënie pune”, si kusht për përfitimin e kompensimit, është në kundërshtim me rregullimin e ri ligjor.

    “Prandaj, Gjykata Supreme vlerëson se dispozita nënligjore ose udhëzimi administrativ që kërkon një vërtetim të tillë në formën aktuale, duhet të shfuqizohet ose të harmonizohet me përmbajtjen e ligjit të ndryshuar, me qëllim që të sigurohet përputhshmëria vertikale e akteve juridike dhe të garantohet zbatimi i drejtë dhe i njëtrajtshëm i ligjit.

    Në përfundim, Gjykata konstaton se përcaktimi “nuk është në marrëdhënie pune” bie ndesh me rregullimin e ri ligjor të paraparë në nenin 16A, paragrafi 5 të Ligjit, dhe për këtë arsye, nuk mund të shërbejë si kriter ligjor për kufizimin e së drejtës së veteranëve të UÇK-së për përfitim financiar, për aq sa ata nuk paguhen nga buxheti i Republikës së Kosovës”, thuhet më tej.

    Me hyrjen në fuqi të Ligjit Nr. 05/L-141, Ministria ka qenë e obliguar që të harmonizojë udhëzimet administrative me ndryshimet ligjore.

    Mos ndryshimi i Udhëzimit Administrativ nr.01/2015, përkundër ndryshimeve të ligjit që kanë ndodhur më vonë respektivisht në vitin 2017, dhe lënia në fuqi e dispozitës nga neni 14.A, paragrafi 1.5, e Udhëzimit kontestues të vitit 2015, bie në kundërshtim me ligjin cenon sigurinë juridike dhe krijon pasiguri për të drejtat e garantuara me ligj.