ATV

Category: Lajme

  • Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Murati me akuza të forta: Dikur 120% dalje në votime – sot PDK-ja flet për hajni, po rrëfejnë mëkatet e veta

    Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar pas kritikave të Partisë Demokratike të Kosovës, duke theksuar se Kosova prej vitesh njihet për zgjedhje të lira e pa probleme të theksuara.

    Ai tha se për këtë meritë të madhe i takon Lëvizjes Vetëvendosje, me komisionerët dhe vëzhguesit e saj që kanë mbrojtur votën ndër vite.

    Murati shtoi se para përfshirjes së Vetëvendosjes në garat zgjedhore, proceset shoqëroheshin me “vjedhje industriale të votave”, kryesisht në bastionet e PDK-së. Ai e quajti “turp” përpjekjen e kësaj partie për të kërkuar shfajësim pas dështimeve të saj.

    Reagimi i plotë:

    Tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë merr edhe lëvdata nga ndërkombëtarët.

    Një meritë e madhe për këtë i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje! me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre.

    Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë.

    Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së.

    Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë.

    Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin.

    Turp!

  • ShBA-ja lejon Sirinë të rihapë ambasadën në Uashington

    ShBA-ja lejon Sirinë të rihapë ambasadën në Uashington

    Qeveria amerikane njoftoi të hënën se do t’i lejonte qeverisë de facto siriane të rihapë ambasadën e saj në Uashington, pas vizitës së Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah dhe takimit të tij në Shtëpinë e Bardhë me Donald Trump.

    “Shtetet e Bashkuara po i lejojnë Sirisë të rifillojë aktivitetet e ambasadës së saj në Uashington me qëllim forcimin e koordinimit në luftën kundër terrorizmit, sigurisë dhe ekonomisë”, tha një zyrtar i administratës Trump, i cili foli në kushte anonimiteti.

    Siria po ashtu do t’i bashkohet koalicionit ndërkombëtar anti-xhihadist të udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik, tha një zyrtar amerikan të hënën, duke folur në kushte anonimiteti, mes një vizite të Presidentit të përkohshëm sirian Ahmed al-Sarrah në Uashington dhe takimit të tij me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.

    “Siria do të bëhet anëtari i 90-të i koalicionit kundër ISIS-it, duke punuar me SHBA-në për të eliminuar qelizat e fundit të ISIS-it dhe për t’i dhënë fund fluksit të luftëtarëve të huaj”, tha zyrtari i administratës Trump.

    Informacioni u konfirmua nga ministri i Informacionit i qeverisë de facto të Sirisë, Hamza al-Mustafa, nëpërmjet X. “Marrëveshja është politike dhe deri më tani nuk ka aspekte ushtarake”, sqaroi ai.

  • Çmimet po rriten sërish në Kosovë – Ja cilat produkte janë shtrenjtuar

    Çmimet po rriten sërish në Kosovë – Ja cilat produkte janë shtrenjtuar

    Çmimet e produkteve esenciale buka, qumështi, djathi, vaji, vezët dhe artikuj të tjerë ushqimor në vendin tonë po vazhdojnë të shënojnë ngritje, bashkë me to është shtrenjtuar edhe energjia elektrike me mbi 20 për qind për qytetarët në Kosovë.

    Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në tetor çmimet e konsumit u rritën në një mesatare 5.1 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, por për produktet ushqimore dhe energjinë elektrike.

    Përveç rrymës, shtrenjtime kanë pësuar edhe lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri dhe peleti me 8 për qind.

    “Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: pushime të organizuara (23,7%), biletat e fluturimeve (21,0%), energjia elektrike (20,3%), pemët (15,3%), kafja, çaji dhe kakao (13,1%), mirëmbajtja dhe riparimi i pajisjeve personale të transportit (12,4%), shërbime të tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit (12,4%), mishi (12,3%), shërbimet hoteliere (9,0%), shërbimet ambulantore (8,9%), pajisjet terapeutike (8,4%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (8,0%), qumështi, djathi dhe vezët (7,5%),vajrat dhe yndyrnat (6,2%), mallrat dhe shërbimet për mirëmbajtjen e zakonshme të ekonomisë shtëpiake (5,7%), duhani (5,6%), buka dhe drithërat (5,3%),prodhimet ushqimore (5,2%)”, thuhet në raportin e fundit të ASK-së.

    Për këtë perudhë, tetor 2025 me tetor 2024, rënie e çmimeve vërehet te grupet e COICOP-it: karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-2,6%) dhe blerja e automjeteve (-1,2%) për qind në IHÇK-it me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej (-0,2) për qind në IHÇK-it.

    Ndërsa, inflacioni mujor ishte 0,6% në muajin tetor 2025, krahasur me muajin shtator të këtij viti.

    “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 0,6 % në muajin Tetor 2025 krahasuar me muajin Shtator 2025. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (8,4%), energjia elektrike (3,3%), perimet (2,2%), duhani (2,2%), buka dhe drithërat (1,2%), shërbimet hoteliere (0,9%), mishi (0,7%) dhe karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (0,6%) me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,7 për qind në IHÇK-it”, thuhet në raport.

    Ndërsa rënie e çmimeve vërehet te grupet e COICOP-it: biletat e fluturimeve me 6,8% dhe pemët 3,8% me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,1) për qind në IHÇK-it.

  • Hill: Nuk besoj dhe nuk kam dëgjuar që Thaçi ka urdhëruar aktivitete të paligjshme, e ndjeva të dëshmojë

    Hill: Nuk besoj dhe nuk kam dëgjuar që Thaçi ka urdhëruar aktivitete të paligjshme, e ndjeva të dëshmojë

    Ish-i dërguari i posaçëm të Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë periudhës së luftës, Christopher Hill ka vazhduar edhe sot dëshminë e tij në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në Gjykatën Speciale, me seli në Hagë, raporton Ekonomia Online.

    Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka dëgjuar se Hashim Thaçi është përfshirë apo të ketë dhënë urdhër për aktivitet të paligjshme.

    Hill ka deklaruar kështu teksa u pyet se pse ka pranuar të jetë dëshmitar i thirrur për këtë rast, e ku e theksoi se e ndejnte të thoshte atë që dinte për këtë.

    “Koha nuk i shëron të gjitha plagët , por mendoj që pas 25 vitesh është kohë e madhe të mendohen gjërat dhe nuk kam arsye të besoj që zotëri Thaci është përfshirë në aktivitete të tilla, nuk kam arsye. Madje as nuk kam dëgjuar në atë kohë që ai të ketë urdhëruar aktivitet të tilla, apo veprimtari të paligjshme. Siç e kuptojë unë, ai është mbajtur i burgosur për një kohë të caktuar për këtë çështje. Pra e ndjeva sikur mu kërkua kjo gjë. Nuk kontaktova njerëz, njerëzit më kontaktuan mua dhe e ndjeva që duhet të thoja atë që dija në lidhje me situatën”.

    Sot është dita e dytë e dëshmisë së tij në Hagë. Në ditën e parë, atë e mori në pyetje avokati mbrojtës i ish-presidentit Hashim Thaçi, Lluka Misetiq.

    Hill dje ka thënë ditën e parë të dëshmisë se Thaçi nuk e drejtonte UÇK-në dhe që ajo nuk kishte strukturë me organizim hierarkik.

  • Kushtetuesja e kthehu në detyrë, Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia për Tiranën

    Kushtetuesja e kthehu në detyrë, Erion Veliaj jep urdhrin e parë nga qelia për Tiranën

    Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka dhënë këtë të martë urdhrin e parë pas rikthimit në detyrë, duke kërkuar nisjen e menjëhershme të përgatitjeve për festat e fundvitit në kryeqytet.

    Sipas dokumentit zyrtar, Ndërmarrja e Dekorit dhe Eventeve do të marrë masat për vendosjen e ndriçimeve dhe zbukurimeve festive në sheshe, rrugë dhe hapësira publike, “duke respektuar standardet më të larta të sigurisë, si edhe kriteret teknike dhe estetike të përcaktuara për këtë qëllim”.

    Në urdhër theksohet gjithashtu se, në zbatim të vendimit nr. 420, datë 8 qershor 2006 të Këshillit të Ministrave “Për miratimin e ceremonialit shtetëror të Republikës së Shqipërisë”, do të merren masa për dekorimin e godinave të ministrive sipas kërkesave të institucioneve përkatëse.

  • PDK-ja do të ankohet në PZAP për votat në Mitrovicë

    PDK-ja do të ankohet në PZAP për votat në Mitrovicë

    Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rreth dyshimeve për manipulim me vota në Mitrovicë.

    Kjo është bërë e ditur me anë të një postimi në Facebook nga anëtari i kësaj partie, Betim Gjoshi i cili njoftoi se ankesën do ta dorëzojnë sot.

    “Sot, në mbrojtje të vullnetit të qytetarëve të Mitrovicës, Partia Demokratike e Kosovës do të dorëzojë brenda afatit ligjor ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, ka shkruar ai

    “Vota është e shenjtë në demokraci dhe PDK është e vendosur për të mbrojtur integritetin e zgjedhjeve”, ka shkruar ai.

    Njoftimin për ankesë e ka bërë të ditur mbrëmë edhe Valon Brahimi nga ky subjekt politik.

    Në “Edicionin Special” në Klan Kosova, ai tha se PDK-ja nuk po e trajton rastin vetëm në aspektin penal, por do të ndjekë edhe rrugën institucionale zgjedhore.

    “Ne nuk do të ndalemi vetëm te pjesa penale. Ne nesër (e martë) do ta dorëzojmë ankesën tonë në PZAP për rastin në fjalë. Do të vazhdojmë t’i marrim të gjitha veprimet ligjore, sepse në sistemin demokratik të Kosovës jemi të interesuar që të mos cenohet legjitimiteti i votës së qytetarëve dhe të mos dëmtohet ligjshmëria”, ka deklaruar ai.

  • Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Shtatë raste të dhunës në familje brenda 24 orëve

    Vetëm në 24 orëshin e fundit, janë raportuar shtatë raste të dhunës në familje si dhe një lëndim i lehtë trupor, ku një grua është sulmuar nga bashkëshorti i saj në Mitrovicë të Veriut.

    Në raportin e Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rastet kanë ndodhur në Obiliq, Fushë Kosovë, Lipjan, Prishtinë, Ferizaj dhe Gjakovë.

    Lëndim i lehtë trupor

    Mitrovicë Veri 10.11.2025 – 02:00. Është raportuar se viktima femër kosovare është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Dhunë në familje

    ·         Obiliq 10.11.2025 – 04:30. Ka ndodhur rasti ‘dhunë në familje’, ku të përfshirë kanë qenë bashkëshortët,  lëndime ka pësuar bashkëshorti dhe të njëjtit i është ofruar tretman mjekësor. Palët janë intervistuar dhe në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Fushë Kosovë 10.11.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht tre anëtarë të familjes. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Lipjan 10.11.2025 – 11:00. Është raportuar se viktima femër kosovare ka pësuar dhunë nga i dyshuari mashkull kosovar, me të cilin bashkëjeton. Viktima është strehuar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  09.11.2025 – 15:00 – 18:00. Me 10.11.2025 viktima e mitur femër kosovare, ka raportuar se një ditë më parë babai i saj, i dyshuari mashkull kosovar kishte ushtruar dhunë fizike. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin është intervistuar i dyshuari i cili më pas me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

    ·         Prishtinë  10.11.2025-13:00. Janë shoqëruar dy meshkuj (vëllezër) njëri si i dyshuar dhe tjetri viktimë, në stacion policor për intervistim, pasi të njëjtit për shkak të një mosmarrëveshje janë rrahur në mes vete. Rasti duke u hetuar.

    Ferizaj 10.11.2025 – 15:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, për shkak se në gjendje të dehur në shtëpi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, viktimës femër kosovare. Si pasojë e dhunës viktima ka pranuar tretman mjekësor. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Gjakovë  10.11.2025 – 14:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se i njëjti në gjendje të dehur ka sulmuar fizikisht viktimën-bashkëshorten e tij. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor, ndërsa me vullnetin e saj është kthyer tek familja e vet. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

  • Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një i lënduar nga aksidenti mes dy automjeteve në rrugën Ferizaj-Prishtinë

    Një aksident mes dy automjeteve ka ndodhur mëngjesin e sotëm, në rrugën Ferizaj-Prishtinë, raporton Gazeta Sinjali.

    Për pasojë, një person është lënduar.

    Lajmin e ka konfirmuar, Flora Ahmeti, zëdhënëse e Policisë për rajonin e Prishtinës.

    “Me rastin po merret njësiti i trafikut rajonal.”, tha ajo.

  • Senati amerikan miraton projektligjin për financim, ndërsa mbyllja historike e qeverisë ka gjasa të përfundojë

    Senati amerikan miraton projektligjin për financim, ndërsa mbyllja historike e qeverisë ka gjasa të përfundojë

    Senati Amerikan ka miratuar një projektligj të rëndësishëm për financim, i cili mund t’i japë fund mbylljes më të gjatë të Qeverisë  federale në histori brenda disa ditësh.

    Projektligji u miratua me një votim 60-40 të hënën vonë, me pothuajse të gjithë republikanët që iu bashkuan tetë demokratëve që u shkëputën nga partia për ta miratuar atë. Marrëveshja financon Qeverinë deri në fund të janarit.

    Dhoma e Përfaqësuesve tani do të duhet ta miratojë projektligjin përpara se Presidenti Donald Trump ta nënshkruajë atë për ta futur në fuqi. Trump sinjalizoi se do të ishte i gatshëm ta bënte këtë më herët të hënën.

    Marrëveshja u realizua gjatë fundjavës, pasi disa demokratë iu bashkuan republikanëve dhe negociuan një marrëveshje për të rikthyer punonjësit federalë në punë dhe për të rinisur shërbimet thelbësore.

    Republikanët – të cilët kanë një shumicë prej 53-47 në Senat – kishin nevojë për masën për të kaluar pragun minimal prej 60 votash.

    Senatorët demokratë Dick Durbin, John Fetterman, Catherine Cortez Masto, Maggie Hassan, Tim Kaine, Jackie Rosen dhe Jeanne Shaheen u shkëputën nga pjesa tjetër e partisë së tyre për të votuar në favor të projektligjit të financimit.

    Atyre iu bashkua Angus King i Maine, një i pavarur që bën fushatë me demokratët, i cili gjithashtu votoi për rihapjen e Qeverisë.

    Vetëm një republikan i Senatit – Rand Paul i Kentucky – votoi me shumicën e demokratëve kundër tij.

    Njoftimi për miratimin e projektligjit u bë në një sallë kryesisht bosh, por senatorët që qëndruan deri në fund brohoritën dhe duartrokitën.

    “Ne do ta rihapim Qeverinë, ne do të sigurohemi që punonjësit federalë… tani do të marrin kompensimin që e kanë fituar dhe e meritojnë”, tha senatorja Susan Collins, një republikane që luajti një rol kyç në hartimin e projektligjit, pasi ai u miratua.

    Shumë shërbime qeveritare janë pezulluar që nga tetori dhe rreth 1.4 milion punonjës federalë janë në pushim të papaguar ose punojnë pa pagesë.

    Mbyllja ka pasur ndikime të gjera në një sërë shërbimesh, duke përfshirë udhëtimet ajrore në SHBA dhe përfitimet ushqimore për 41 milionë amerikanë me të ardhura të ulëta.

    Të hënën, më shumë se 2 mijë e 400 fluturime në të gjithë SHBA-të u anuluan sipas gjurmuesit të trafikut ajror FlightAware. Të paktën 9 mijë u vonuan.

    Projektligji i financimit tani do t’i shkojë Dhomës së Përfaqësuesve të kontrolluar nga republikanët, ku anëtarët kanë qenë jashtë seancës dhe larg Uashingtonit që nga mesi i shtatorit.

    Të hënën, me marrëveshjen e Senatit që duket se është e arritshme, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Mike Johnson i thirri anëtarët e dhomës së tij përsëri në Washington.

    Dhoma do të fillojë diskutimin e masës të mërkurën, megjithëse nuk është e qartë se sa kohë mund të zgjasë ky proces.

    Republikanët kanë një shumicë prej dy vendesh në Dhomë, kështu që çdo votë do të llogaritet.

  • Hill pritet të vazhdojë dëshminë edhe sot në Hagë

    Hill pritet të vazhdojë dëshminë edhe sot në Hagë

    I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë kohës së luftës në Kosovë, Christopher Hill sot do të vazhdojë paraqitjen në Gjykatën Speciale në Hagë, duke dëshmuar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së.

    Hill do ta vazhdojë dëshminë sot në orën 9:00.

    “Zoti Hill, për sot përfunduam, do të duhet të rifillojmë sot në orën 09:00. Do të përpiqemi që të fillojmë pikërisht në orarin e caktuar”, tha kryetari i trupit gjykues, Charles Smith.

    “Mos flisni me askënd jashtë sallës së gjyqit – e di që ju e dini këtë gjë, por unë duhet ta them sidoqoftë”, tha ai.

    Çfarë dëshmoi dje Hill?

    Hill dëshmoi për rolin e Hashim Thaçit gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, për rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për bisedimet në Rambuje.

    Gjatë dëshmisë së tij, diplomati i pensionuar amerikan tha se Hashim Thaçi nuk kishte rol vendimmarrës dhe se ai nuk e drejtonte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

    Ai tha se Thaçi nuk ishte në gjendje të merrte vendime në emër të UÇK-së në bisedimet në Rambuje dhe se ai nuk ishte komandat, por “i duhej t’i pyeste komandantët në Kosovë për të dhënë një qëndrim”.

    Hill dëshmoi për takimin e tij të parë me Thaçin gjatë vitit 1998, duke e përshkruar atë si njeri që fliste “butësisht dhe në mënyrë të mendueshme”.

    “Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”.

    Ai gjithashtu e përshkroi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë pa strukturë vertikale dhe pa organizim hierarkik.

    Si një i dërguar i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë luftës, Hill tha se e kishte shumë të vështirë ta gjente një njeri të vetëm që do të fliste në emër të UÇK-së.

    Ndërkohë, Hill gjithashtu foli edhe për ish-presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe partinë e udhëhequr nga ai, Lidhja Demokratike e Kosovës.

    Ai dëshmoi se UÇK-ja nuk donte që Rugova të ishte zëri i Kosovës.

    “Në vend që Ibrahim Rugova të ishte zëri i Kosovës, ata donin që vetë të ishin zëri i Kosovës. Mendoj që zëvendësimi i Rugovës si zëri i Kosovës dhe që vetë ata të flisnin për pavarësimin e Kosovës, ishte ndër synimet e tyre”, tha Hill.

    Për më tepër, Hill tha se takimin mes Rugovës dhe presidentit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq, në vitin 1998 në Beograd, e nxiti SHBA-ja.

    “Kur ambasadori [Richard] Holbrooke shkoi në Prishtinë, unë isha me të, dhe u ulëm me presidentin Rugova. Edhe pse nuk e kishim diskutuar këtë paraprakisht, ambasadori Holbrooke tha se ishte ide e mirë nëse Rugova do ta takonte Millosheviqin në Beograd, sepse mendonte se ky takim do të zgjidhte shumë probleme”.

    “Unë isha shumë skeptik”, tha Hill.