ATV

Category: Lajme

  • Trump detyrohet t’i paguajë E. Jean Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim

    Trump detyrohet t’i paguajë E. Jean Carroll 5 milionë dollarë dëmshpërblim

    Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka paguar shkrimtares E Jean Carroll më shumë se 5 milionë dollarë (3.7 milionë paund) dëmshpërblim tre vjet pasi ai u shpall përgjegjës për abuzim seksual dhe shpifje ndaj saj në një çështje civile, konfirmuan avokatët e saj, ka raportuar BBC.

    “Sot, jemi të kënaqur të raportojmë se ajo ka marrë pagesën e dëmshpërblimit që juria i dha asaj si rezultat i atij vendimi”, tha Roberta Kaplan, një avokate e Carroll, në një deklaratë të shkurtër të martën.

    Trump po bënte presion për të shtyrë pagesën, me qëllim që t’i kërkonte Gjykatës Supreme të rishqyrtonte vendimin e saj për të mos dëgjuar apelin e tij të çështjes. Por javën e kaluar, gjyqtari që mbikëqyrte çështjen urdhëroi që ai të paguante dëmshpërblimin.

    Një përfaqësues nga ekipi ligjor i Trump refuzoi të komentonte mbi pagesën.

    Një deklaratë nga ekipi ligjor i Carroll konfirmoi se asaj i ishin paguar më shumë se 5.62 milionë dollarë – 5 milionë dollarët e dhënë si dëmshpërblim plus interesin e grumbulluar gjatë apelit.

    Carroll, një ish-kolumniste reviste, e cila tani është 82 vjeç, akuzoi Trumpin se e sulmoi atë në mesin e viteve 1990 në një dhomë zhveshjeje në një dyqan të madh Bergdorf Goodman në Manhattan, dhe më vonë e shpifi atë në faqen e tij të internetit Truth Social në një postim të vitit 2022 duke mohuar akuzat e saj.

    Në vitin 2023, një juri e Nju Jorkut i dha unanimisht Carroll dëmshpërblimin për kërkesën e saj. Trump i mohoi akuzat.

    Trump i depozitoi dëmshpërblimet në një llogari të kontrolluar nga gjykata menjëherë pas vendimit, dhe ato u mbajtën atje ndërsa zhvillohej procesi i apelimit.

  • Molliqaj, pas dekretimit të Zejnullah Gashit nga Haxhiu: E zgjodhën për shkak të ‘servilitetit’ ndaj pushtetit

    Molliqaj, pas dekretimit të Zejnullah Gashit nga Haxhiu: E zgjodhën për shkak të ‘servilitetit’ ndaj pushtetit

    Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar pas dekretimit të Zejnullah Gashit në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit nga ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.

    Përmes një video-adresimi, Molliqaj tha dekretimi i Gashit dëshmon se pushteti kishte nevojë për president të dëgjueshëm, në mënyrë që të kontrollonte procesin e emërimit të Kryeprokurorit të Shtetit.

    “Sot alarmi ynë mori kuptim. Kur thonim ne që Albin Kurtit po i vyn Presidenti i vet e i dëgjueshëm, sepse po don me zgjedh kryeprokurorin e shtetit, ma saktësisht me dekretu, kqyreni çka ka ndodh sot: Albulena Haxhiut, si ushtruese e detyrës, në kohë rekord, mbramë vonë ia kanë dorëzu mandatin, sot e paska dekretu…”, ka deklaruar Molliqaj.

    Molliqaj kujtoi se Haxhiu, në kohën kur ishte ministre, e kishte denoncuar atë në Policinë e Kosovës.

    “Dhe a e dini kë e ka dekretu? Një person të cilin vetë Albulena Haxhiu, kur ka qenë ministre, u shku dhe e ka denoncu në Policinë e Kosovës nga frika se po e shantazhon”, ka thënë kreu i PSD-së.

    Sipas Molliqajt, Gashi kishte shkuar në zyrën e Haxhiut për t’i dhënë sqarime lidhur me një hetim ndaj një personi që pretendohet se kishte lidhje familjare me të.

    “A e dini çka ka bë ky? Ka shku te ministrja e asaj kohe, Albulena Haxhiu, me iu justifiku dhe arsyetu që nuk jam duke e hetu dikë që është në lidhje familjare me Albulenën. Albulena, nga frika, u shku dhe e ka denoncu”, ka deklaruar ai.

    Molliqaj shtoi se pikërisht gatishmëria e Gashit për t’iu bindur pushtetit ka ndikuar në dekretimin e tij.

    “Por këta e kanë kuptu që një njeri që të vjen në zyrë me t’u justifiku është njeri servil i paprecedent, të cilin mund ta përdorësh për çka të duash. Kjo është arsyeja pse zoti Gashi është sot kryeprokuror i shtetit në kohë rekord, sepse e kanë pa vullnetin e tij për servilitet të pakushtëzuar ndaj pushtetit”, ka përfunduar Molliqaj./EO

  • Dokumenti i CIA-s: Në vitin 1993 SHBA paralajmëronte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit

    Dokumenti i CIA-s: Në vitin 1993 SHBA paralajmëronte se Serbia synonte spastrimin etnik të Kosovës dhe destabilizimin e Ballkanit

    memorandum sekret i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së Shteteve të Bashkuara (CIA), i hartuar më 27 janar 1993 dhe i deklasifikuar vite më vonë, paralajmëronte se projekti i “Serbisë së Madhe” përbënte kërcënimin më serioz për Ballkanin dhe Evropën gjatë viteve ’90.

    Dokumenti 13-faqësh, me titull “Greater Serbia: A Balkan Troublemaker for the 1990s”, është përgatitur nga Drejtoria e Inteligjencës, Zyra për Analizën Evropiane, dhe bazohet në një analizë të përbashkët të CIA-s, Departamentit Amerikan të Shtetit, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes (DIA) dhe Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së.

    Në përmbledhjen e dokumentit thuhet se vendosmëria e Beogradit për të krijuar një “Serbi të Madhe” etnikisht të pastër ishte e palëkundur, ndërsa çdo qëndrim më pajtues i presidentit serb Slobodan Millosheviq dhe serbëve të Bosnjës në negociatat ndërkombëtare shihej vetëm si një manovër taktike për të fituar kohë.

    CIA arrinte në përfundimin se Serbia nuk do të ndalte mbështetjen për projektin e “Serbisë së Madhe” me forcë, përveç nëse komuniteti ndërkombëtar do të ndërmerrte masa të forta, si zbatimi rigoroz i sanksioneve ekonomike, izolimi politik, armatosja e Bosnjës dhe Kroacisë, vendosja e zonës së ndalim-fluturimit dhe sulme ajrore ndaj objektivave ushtarake serbe.

    Në analizë thuhet se, pa një ndërhyrje të fuqishme ndërkombëtare, ekzistonte një probabilitet i lartë që një “Serbi e Madhe” të shndërrohej në një forcë destabilizuese në Evropë deri në mesin e dekadës. Sipas dokumentit, pasi Beogradi të konsolidonte pushtetin dhe territorin, do të nxiste konflikte me fqinjët, do të përdorte forcë edhe jashtë kufijve të tij, do të niste spastrimin etnik të Kosovës, do të përpiqej të siguronte armë të shkatërrimit në masë dhe do të synonte zgjerimin në pjesë joserbe të Maqedonisë, Bosnjës dhe bregdetit kroat.

    Dokumenti vlerëson gjithashtu se gjendja e shqiptarëve të Kosovës do të përkeqësohej brenda një viti, pasi balanca politike në Serbi po anonte gjithnjë e më shumë drejt grupeve nacionaliste që mbështesnin spastrimin etnik të Kosovës.

    Sipas analizës, Millosheviqi, nacionalistët serbë dhe ushtria ishin shtytësit kryesorë të politikës ekspansioniste serbe, ndërsa largimi i tij nga pushteti nuk do të ndryshonte domosdoshmërisht kursin e Beogradit, pasi ushtria dhe grupet nacionaliste ndanin të njëjtat objektiva.

    Në kapitullin “A Greater Serbia at Any Price?”, ekspertët amerikanë vlerësonin se partitë demokratike dhe mediat e pavarura në Serbi kishin ndikim të kufizuar, ndërsa Millosheviqi, Partia Socialiste e Serbisë dhe nacionalistët serbë në Serbi, Bosnje, Kroaci e Kosovë, me mbështetjen e heshtur të ushtrisë, drejtonin përpjekjet për krijimin e një “Serbie të Madhe” etnikisht të pastër.

    Sipas dokumentit, ata ishin të gatshëm të përballonin kosto shumë të larta për të mos hequr dorë nga ky projekt.

    CIA parashikonte gjithashtu se një “Serbi e Madhe” do të ndiqte një model agresiv të ngjashëm me Irakun e asaj kohe, duke shkaktuar vazhdimisht tensione në rajon.

    Analiza paralajmëronte se Beogradi do të nxiste telashe me fqinjët, do të fillonte spastrimin etnik të Kosovës, do të kërkonte armë kimike dhe sisteme për përdorimin e tyre, do të përdorte forcë jashtë kufijve të tij dhe mund të përpiqej të dominonte Maqedoninë ose të merrte territore në Bosnje dhe Kroaci.

    Një pjesë e veçantë e memorandumit i kushtohet Kosovës. Analiza thekson se në Beograd po fitonin peshë grupet që mbështesnin grumbullimin e shqiptarëve në zona të veçanta dhe ndarjen administrative të tyre nga territoret e rezervuara për serbët.

    CIA paralajmëronte se një përpjekje e tillë do të provokonte reagim të dhunshëm dhe do t’u shërbente ekstremistëve serbë që kërkonin një spastrim etnik edhe më radikal të Kosovës.

    Në përfundim, dokumenti thekson se edhe në rast të largimit të Millosheviqit nga pushteti, ushtria dhe nacionalistët do të mbeteshin faktorët dominues në Serbi.

    Sipas CIA-s, një “Serbi e Madhe” edhe pa Millosheviqin do të vazhdonte të destabilizonte rajonin dhe të mbështeste krijimin e një shteti etnikisht të pastër, ndërsa shqiptarët e Kosovës mund të shmangnin dëbimin ose spastrimin etnik vetëm nëse pasardhësi i tij do të ishte politikisht shumë më i dobët.

  • “S’ka asgjë për t’u shqetësuar”, Rama për projektin në Zvërnec: Nuk është finalizuar, por do të bëjë krenarë Shqipërinë dhe Europën

    “S’ka asgjë për t’u shqetësuar”, Rama për projektin në Zvërnec: Nuk është finalizuar, por do të bëjë krenarë Shqipërinë dhe Europën

    Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me projektin e planifikuar në Zvërnec, duke deklaruar se procesi nuk ka përfunduar ende dhe se çdo hap po ndiqet sipas rregullave.

    Rama hodhi poshtë shqetësimet për ndikimin mjedisor dhe theksoi se vendimi përfundimtar do të bazohet në standardet europiane.

    Ai u shpreh se synimi është që projekti të jetë një vlerë për Shqipërinë dhe Europën.

    “Nga vitet e gjata në detyrë kam mësuar që kur thua Bruksel, ka shumë organizma. Për ne, të gjitha zërat në Bruksel janë të respektueshëm, por ka një fjalë që e marrim shumë seriozisht, që është zëri i Komisionit. Komisioni është në krye të gjithçkaje, duke qenë shumë mirë i informuar. Arsyeja që them gjithmonë, në këtë botë informacioni apo sistemesh kaotike, pikëpamjesh të debatueshme, ku e vërteta gjen gjithmonë e më pak hapësirë, të vërtetat e rreme gjejnë hapësirë, Komisioni mbetet ai që mban fort objektivitetin.

    Komisioni punon bazuar në të dhëna, në fakte, në burime të verifikuara. Jam i sigurt që edhe ju, po të kishit interes për burimet e verifikuara, do të kuptonit që nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Projekti nuk është askund, nuk mund të shihet askund sepse nuk është finalizuar. Ndikimi i vendimit në mjedis është në proces e sipër.

    Gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë. Përmendja e emrave nuk është diçka që na ndihmon për të shkuar te e vërteta. Ka vetëm një libër rregullash që vlen për ne, libri i rregullave për standardin e anëtarësimit. Ideja që Shqipëria do të vazhdonte përpara me diçka që nuk do të ishte në përputhje të plotë me librin e shenjtë të besimtarëve dhe ateistëve në Shqipëri, që janë standardet e parimeve në BE, janë të pabaza.

    Ne do të bëjmë një projekt që do të jetë krenari për Shqipërinë dhe Europën. Shqipëria duhet ta bëjë realitet për veten dhe Europën. Në proces do të jemi siç kemi qenë, shumë rigorozë për të kërkuar asgjë përpos standardeve më të larta. Do të kërkojmë vetëm diçka që do t’i bëjë të gjithë krenarë”, u shpreh Rama. /Top Channel

  • Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Sveçla: Mora vendim që ministren serbe Snezana Paunović ta shpallim person non grata pas deklaratave për spastrim etnik

    Kosova e ka shpallur non grata Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë.

    Kjo pasi ajo ka deklaruar se “po të ishte në vend të Millosheviqit do të spastronte etnikisht Kosovën’.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla tha se ka nxjerr vendim përmes së cilit Snezana Paunović shpalet person non grata.

    Postimi i plotë:

    Snezana Paunović, Ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në qeverinë e Serbisë, ka rikonfirmuar atë nga e cila Serbia nuk ka hequr dorë asnjëherë, projektin e spastrimit etnik të shqiptarëve. Në epokën tonë, kjo u tentua nga ish-shefi i saj Slobodan Millosheviq, i njohur edhe si kasapi i Ballkanit.

    Kjo gjuhë dhe kjo aspiratë e shpërfaqur nuk është e re. Ajo është vazhdimësi e një politike shtetërore që për shumë dekada ka prodhuar dhunë, krime dhe përpjekje për zhdukjen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Urrejtja e tillë e vazhdueshme, e shprehur me tone kërcënuese ndaj rendit kushtetues dhe sovranitetit të Republikës sonë nga ministrja në fjalë, është e papranueshme dhe duhet të dënohet ashpër nga shtetet dhe shoqëritë demokratike që mbrojnë paqen, të drejtat e njeriut dhe nuk tolerojnë retorikë e sjellje që nxit urrejtje, destabilizim dhe përsëritje të politikave kriminale të së kaluarës.

    Si Ministër i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, sot kam nxjerrë vendim përmes së cilit Snezana Paunović kam shpallur persona non grata, të padëshirueshëm, me ndalim të përhershëm të hyrjes në apo kalimit tranzit përmes Republikës së Kosovës.

    Epoka kur shqiptarët shtypeshin, masakroheshin dhe spastroheshin etnikisht ka përfunduar njëherë e përgjithmonë.

    Republika e Kosovës është shtet sovran e demokratik, me institucione të forta që mbrojnë rendin kushtetues, integritetin territorial dhe sigurinë e çdo qytetari. Sot ka rend dhe ligj, ka drejtësi që vazhdon të kërkojë përgjegjësi për krimet e kryera gjatë luftës dhe ka institucione që nuk do të lejojnë cenim të sovranitetit të vendit tonë. Çdo përpjekje për të ringjallur ideologjitë e spastrimit etnik apo për të kërcënuar Republikën e Kosovës do të përballet me përgjigje të vendosur, ligjore dhe institucionale.

  • Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

    Trump: Ngushtica e Hormuzit e hapur për të gjithë, përveç Iranit

    Presidenti amerikan, Donald Trump, është tërhequr nga propozimi i tij për një tarifë prej 20% për anijet që përdorin zonën e Ngushticës së Hormuzit.

    Duke postuar në platformën e tij Truth Social, presidenti amerikan angazhohet të mbajë në fuqi bllokadën ndaj porteve iraniane.

    Por ai tha se do ta zëvendësonte atë që e quajti një “Tarifë Rimbursimi prej 20% të Shteteve të Bashkuara” me marrëveshje tregtare dhe investimi me shtetet e Gjirit në rajon.

    Vetëm dje, Trump propozoi taksën – me sa duket në përgjigje të kërcënimeve të rregullta iraniane për të vendosur një tarifë për anijet që përdorin ngushticën pas luftës.

    “Ngushtica e Hormuzit është e hapur për TË GJITHA trafikun e anijeve përveç Iranit – dhe kjo për shkak të lidershipit të tyre gënjeshtar, të dhunshëm dhe keqdashës, i cili po i çon ata në rrugën e SHKATËRRIMIT TOTAL. Prandaj do të kemi një Bllokadë të PLOTË, por vetëm për anijet që vijnë nga dhe drejt porteve iraniane, ose që transportojnë çdo gjë që ka të bëjë me ngarkesë iraniane”, shkroi Trump.

    Ngushtica e Hormuzit dhe armët bërthamore të Iranit kanë mbetur pikat kryesore të pengesës në negociatat për të arritur një armëpushim të qëndrueshëm.

    Trump këmbëngul se Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore, ndërsa Irani ka theksuar vazhdimisht se synon të kontrollojë ngushticën dhe t’u kërkojë tarifa anijeve ndërkombëtare që ta përdorin atë.

    Bllokada efektive e ngushticës nga Irani gjatë luftës së këtij viti ka rritur çmimet globale të energjisë, duke e detyruar Trumpin të negociojë.

    Përpara luftës, ngushtica transportonte një të pestën e dërgesave botërore të naftës dhe gazit.

  • Mbyllja tre kapitujve, Haradinaj: Çdo sukses i Shqipërisë, lajm i mirë për të gjithë shqiptarët

    Mbyllja tre kapitujve, Haradinaj: Çdo sukses i Shqipërisë, lajm i mirë për të gjithë shqiptarët

    Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj ka thënë se përmbyllja e tre kapitujve të rinj për Shqipërinë në kuadër të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian është një arritje që dëshmon se me vizion dhe angazhim institucional, integrimi evropian është i arritshëm.

    Ai përmes një postimi në Facebook tha se çdo sukses i Shqipërisë është lajm i mirë për të gjithë shqiptarët.

    “Ky zhvillim duhet të na bëjë të reflektojmë edhe në Kosovë. Derisa vendet e rajonit po avancojnë në rrugën e tyre integruese, ne po vazhdojmë të mbetemi prapa për shkak të një mendësie qeverisëse destruktive dhe izolimit në raport me partnerët tanë ndërkombëtarë”.

    “Urime Shqipërisë për këtë hap të rëndësishëm! Uroj që edhe Kosova ta rikthejë perspektivën për integrim euroatlantik, e jo të shohë se si të tjerët ecin përpara, ndërsa ne vazhdojmë të ngecim”, ka shkruar Haradinaj.

  • Daçiq mbron deklaratën e Paunoviq për “spastrim etnik” në Kosovë, thotë se e bën në cilësinë e zëvendëskryeministrit

    Daçiq mbron deklaratën e Paunoviq për “spastrim etnik” në Kosovë, thotë se e bën në cilësinë e zëvendëskryeministrit

    Zëvendëskryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, i cilësoi të turpshme dhe hipokrite siç i ka quajtur ai “sulmet” ndaj ministres së Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, duke theksuar se ata që e akuzojnë atë “për nxitje të pretenduar të spastrimit etnik, prej vitesh heshtin për spastrimin etnik të serbëve nga Kosova”.

    Kështu u tha në një njoftim të kabinetit të tij, siç shkruan N1, transmeton Gazeta Express.

    “Dua të them se është e turpshme që deri më sot nuk kam dëgjuar asnjë politikan vendor të dënojë spastrimin etnik të serbëve nga Kosova. Në rrethana kur edhe sot kemi shpërngulje të detyruar të serbëve nga Kosova, ndryshim të strukturës etnike, pa folur për presionet, shpërnguljet dhe dëbimet shekullore të serbëve nga Kosova, në Serbi ende flitet dhe ne akuzohemi për gjoja spastrim etnik në Kosovë”, tha Daçiq, duke theksuar se po reagon në cilësinë e zëvendëskryeministrit.

    Ai deklaroi se “240 mijë serbë u dëbuan nga Kosova në vitin 1999”, ndërsa, sipas tij, janë kthyer më pak se 10 mijë.

    “Për këtë nuk flet më askush, kjo qenka bërë normale. Pra, qenka normale që njerëzit të dëbohen nga territori që dikur ishte zemra e Serbisë. Nëse Beteja e Kosovës, beteja kryesore mes Serbisë dhe Perandorisë Osmane, u zhvillua pikërisht në Kosovë, si mund të thuhet se Kosova nuk ishte Serbi? Nëse katër monumentet më të rëndësishme – Patriarkana e Pejës, Deçani, Graçanica dhe Kisha e Shën Premtes (Bogorodica Ljeviška) – janë trashëgimi botërore e UNESCO-s nga shekujt XII, XIII dhe XIV, ndërsa nuk ekziston asnjë monument shqiptar nga ajo periudhë”, tha Daçiq.

    Më pas Daçiq pretendoi se “veçanërisht pas Luftës së Dytë Botërore, pati vendosje masive të shqiptarëve nga Shqipëria, gjë që ndryshoi strukturën etnike të Kosovës”.

    “Pse askush nuk e përmend se në Prishtinë në vitin 1991 kishte 40 deri në 50 mijë serbë? Ku janë ata sot? Sot janë rreth 400. Unë kam lindur në Prizren, ku në vitin 1991 jetonin 10 mijë serbë, ndërsa sot kanë mbetur rreth njëzet”, tha ai.

    Duke mbrojtur Paunoviqin, Daçiq deklaroi:

    “Dhe tani Snezhana Paunoviq qenka fajtore për spastrim etnik? Turp t’ju vijë. Ajo tha se të gjithë ata që nuk e ndiejnë Serbinë si shtetin e tyre duhet të kthehen në shtetin e tyre amë, Shqipëri. Çfarë lloj spastrimi etnik do të ishte ky, kur sot serbët janë më pak se shqiptarët? Holokausti nuk përfundoi me faktin që në fund kishte më shumë hebrenj sesa para tij. Pra, qenka legjitime të ndiqen, të vriten dhe të dëbohen serbët, ndërsa nuk qenka legjitime të thuhet diçka në mbrojtje të Serbisë”.

    Ai tha se sulmet ndaj Paunoviqit tregojnë “urrejtjen që vjen nga Kosova”, por edhe, sipas tij, “përmasat e tradhtisë së brendshme në Serbi”.

    “Çdo pëllëmbë toke në Kosovë ka heroin e vet serb, në varrin e të cilit sot nuk mund të shkosh. Nuk mund të gjesh asnjë kryq në varrezat ortodokse. Në Kosovë po ndërtohet një shtet islamik mbi varret e popullit serb”, deklaroi ai.

    Sipas Daçiqit, deklaratat e Paunoviqit po përdoren si “provë kryesore” për pretendimet se Serbia ka kryer spastrim etnik në Kosovë.

    “Turp t’ju vijë. Të gjitha regjistrimet e popullsisë tregojnë se sot ka pakrahasueshëm më pak serbë. Prandaj e vetmja e vërtetë është se në Kosovë është kryer spastrim etnik ndaj serbëve nga vendbanimet e tyre shekullore. Vetëm se kjo, me sa duket, nuk i pengon askujt”, përfundoi Daçiq.

    Paunoviq, në një intervistë për televizionin Kurir, deklaroi se, po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

  • Ramadani: Policët po paguajnë nga xhepi servisimin e veturave zyrtare

    Ramadani: Policët po paguajnë nga xhepi servisimin e veturave zyrtare

    Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Burim Ramadani, ka ngritur shqetësimin për kushtet në të cilat po punojnë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, duke pretenduar se disa prej tyre po detyrohen t’i servisojnë veturat zyrtare me paratë e tyre.

    Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, Ramadani tha se për shkak të vonesave në procedurat e tenderimit, veturat e policisë kanë mbetur për muaj të tërë pa servis.

    Polici i Kosovës me pasë gajle qysh me ja bërë servisin kerrit të policisë se që nëntë muaj s’kanë bërë servis të kerreve të policisë se dikush s’u marr vesh për tender me muaj edhe shkojnë policët e Kosovës, vëllezërit e motrat tonë me pare të veta prej asaj rroge të vogël shkojnë ja bëjnë servisin kerreve të policisë”, deklaroi Ramadani.

    Ai kritikoi edhe gjendjen e përgjithshme në sektorin e sigurisë, duke thënë se institucionet duhet të investojnë më shumë në Policinë e Kosovës dhe Forcën e Sigurisë së Kosovës, duke siguruar pajisje, uniforma dhe mbështetjen e nevojshme për kryerjen e detyrave.

  • Dyshohet për shkelje të rëndë disiplinore, SHKK pezullon një zyrtar korrektues

    Dyshohet për shkelje të rëndë disiplinore, SHKK pezullon një zyrtar korrektues

    Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se ka pezulluar përkohësisht nga puna një zyrtar korrektues me inicialet D.Q., i angazhuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës.

    Sipas njoftimit të SHKK-së, vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor më 14 korrik 2026, pas inicimit të një procedure disiplinore për dyshim për shkelje të rëndë disiplinore.

    “Me vendim të Komisionit Disiplinor të datës 14.07.2026, është pezulluar përkohësisht nga marrëdhënia e punës zyrtari korrektues D.Q., i angazhuar në Qendrën Korrektuese të Dubravës”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.

    Sipas këtij institucioni, masa e pezullimit do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër nga organet kompetente.

    “Vendimi është marrë pas inicimit të procedurës disiplinore për dyshim për shkelje të rëndë disiplinore dhe do të mbetet në fuqi deri në marrjen e një vendimi tjetër”, ka bërë të ditur SHKK.

    Shërbimi Korrektues i Kosovës ka theksuar se mbetet i angazhuar në ruajtjen e integritetit institucional dhe trajtimin e rasteve të dyshuara për shkelje të detyrave zyrtare.

    “SHKK mbetet i përkushtuar në zbatimin e ligjit, ruajtjen e integritetit institucional dhe trajtimin me seriozitet të çdo rasti që dyshohet për shkelje të detyrave zyrtare, duke respektuar njëkohësisht prezumimin e pafajësisë deri në një vendim përfundimtar të organeve kompetente”, thuhet në njoftim.