ATV

Category: Lajme

  • Haradinaj u bën thirrje mërgimtarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Vendit i duhet angazhimi juaj

    Haradinaj u bën thirrje mërgimtarëve për zgjedhjet e 28 dhjetorit: Vendit i duhet angazhimi juaj

    Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shpërndarë një mesazh drejtuar diasporës kosovare, në prag të nisjes së periudhës së aplikimit për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e parakohshme.

    Nga 26 nëntori deri më 6 dhjetor 2025, mërgimtarët kanë mundësi të regjistrohen për të ushtruar të drejtën e tyre të votës.

    Në postimin e tij, Haradinaj vë në pah rolin historik të diasporës.

    “Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni. E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën”, ka shkruar Haradinaj.

    Ai kujton sakrificat e brezave të mërgimtarëve, që nga koha e hershme e mërgimit e deri te angazhimi në luftën për liri.

    “Mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë…Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi”, ka shkruar tutje ai.

    Haradinaj thekson se çdo brez i diasporës e ka mbajtur gjallë lidhjen me vendlindjen.

    “Rrugëtimi juaj fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij”

    Duke falënderuar mërgatën për kontributin e vazhdueshëm, ai nënvizon se vendi ka nevojë për zërin e tyre në procesin zgjedhor.

    “Ju e doni Kosovën më shumë se sa fjalët mund ta tregojnë. Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj na duhen gjithmonë. Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja”, ka shkruar Haradinaj. /TelegraFI

  • Gjuha e urrejtjes dhe dezinformomi gjatë zgjedhjeve lokale, identifikohen 152 shkelje të partive

    Gjuha e urrejtjes dhe dezinformomi gjatë zgjedhjeve lokale, identifikohen 152 shkelje të partive

    Gjatë zgjedhjeve lokale që u mbajtën me 12 tetor, vetëm në rrjetet sociale janë evidentuar 152 shkelje të kodit të sjelljes, që nënkupton gjuhë të urrejtjes, ngacmim personal, dezinformim dhe nxitje për dhunë. Kështu u bë e ditur gjatë lansimit të raportit të Demokracia për Zhvillim (D4D) dhe Qendra për Dialog Humanitar, me temën “Monitorimi i Kodit të Sjelljes për Përdorimin e Përgjegjshëm të Rrjeteve Sociale gjatë Zgjedhjeve Lokale në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.

    Sipas këtij raporti rezulton që më së shumti shkelje të jenë bërë nga Lëvizja Vetëvendosje, e pasuar nga PDK, Alternativa, AAK, Lista Serbe, Lista “Guxo” dhe LDK.

    Drejtoresha ekzekutive në D4D, Rrezarta Delibashzade-Krasniqi, ka thënë se shkeljet më të mëdha kanë ndodhur në rrjetin social “Facebook”

    Ajo tha se nga gjetjet e tyre kanë identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe organizatat e shoqërisë civile.

    “Nga gjetjet tona të monitorimit kemi identifikuar 152 shkelje të deklaratës së mirësjelljes të nënshkruar nga vetë subjektet politike, mediat dhe OJQ-të. Kryesisht këto shkelje janë të bëra nga subjektet politike. Platformat ku janë bërë shkeljet më të mëdha është ‘Facebook’ me 95 për qind, pastaj ‘TikTok’ dhe ‘Instagram’”, tha ajo.

    Ajo ka shpjeguar edhe llojet e shkeljeve dhe partitë e targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin.

    “Llojet e shkeljeve janë: 66 për qind nga kandidatët për kuvendet komunale, 33 për qind nga ana e mediave, 11 për qind nga analistët politikë dhe 10 për qind nga kandidatët për kryetar komune, si dhe 1 për qind nga subjekti politik. Partitë politike me më së shumti shkelje janë identifikuar në këto 18 komuna: Lëvizja Vetëvendosje, pastaj e përcjellur nga Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Pastaj i kemi me përqindje më të ulët Listën Serbe, LDK-në dhe Guxo. Nëse e marrim nga partitë politike më të targetuara për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformimin, në këtë drejtim e para më e targetuara është PDK-ja, pastaj Lëvizja Vetëvendosje, LDK-ja, AAK-ja, Lista Serbe, Guxo dhe të tjera”, tregoi ndër të tjera ajo.

    Po ashtu shpjegoi se 14 për qind e gjuhës së urrejtës ishte ngacmim personal .

    Këshilltari i lartë në Qendrën për Dialog Humanitar, Mark Baskin, ka thënë se çrregullimet e informacionit, mund të jenë kërcënim për demokracinë e shtetit të Kosovës.

    “Rrjetet sociale janë bërë një formë dominuese e komunikimit në Kosovë; kur vëren të dhënat me burime ndërkombëtare ose vendore, 95% e shtëpive në Kosovë kanë një lloj qasjeje në internet, 90% e kosovarëve nga mosha 15–35 vjeç përdorin internetin në përditshmëri, 83% e njerëzve deri në moshën 74-vjeçare përdorin internetin në përditshmëri. Shpërndarja e gjerë në rrjetet sociale e lajmeve të rreme, ekzagjerimi dhe shpifja e informacioneve minojnë kapacitetin e qytetarëve që të bëjnë zgjedhje inteligjente në votime dhe kërkimin e llogarisë nga qeveria. Këto çrregullime të informacionit, duke përfshirë divizionin, gjuhën seksiste dhe të ashpër, gjuhën e urrejtjes, përmbajtje të rreme, përmbajtje të përdredhur dhe manipuluese, mund të kërcënojnë demokracinë e Kosovës, siç mund të kërcënojnë demokracinë e çdo shteti tjetër. Pra, kjo është arsyeja pse jemi përfshirë, sepse mund të çojë deri në konflikt. Gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2025 në Kosovë kemi eksploruar këto dinamika”, tha ai.

    Gjatë diskutimit ajo që u konsiderua si befasuese ka qenë se shkelja më e madhe e shkeljeve është bërë nga këshilltarët në nivel lokalë, në komuna të ndryshme e për këtë përgjegjëse u bënë partitë politike.

  • Fatmir Limaj: S’ka koalicion me PDK-në, jemi në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje

    Fatmir Limaj: S’ka koalicion me PDK-në, jemi në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje

    Në medie sot u raportua se NISMA Socialdemokrate dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë arritur marrëveshje për të garuar së bashku në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

    Megjithatë, kryetari i NISMËS, Fatmir Limaj i ka mohuar kategorikisht këto raportime.

    I pyetur rreth mundësisë për një koalicion me PDK-në, Limaj theksoi se “jo, nuk ka ndodhur asnjë takim” mes dy partive dhe se pretendimet për dakordim janë të pavërteta.

    Limaj për Front Online tha se janë në kontakt me LDK-në për të arritur marrëveshje.

    ‘’Siç e keni pa, jemi në kontakt me LDK-në’’, tha Fatmir Limaj.

  • Kjo është pjesa e kanalit Ibër–Lepenc që është dëmtuar

    Kjo është pjesa e kanalit Ibër–Lepenc që është dëmtuar

    Mbulesa e kaltër mbrojtëse e vendosur mbi bajpasin e kanalit të Ibër-Lepencit është pikërisht pjesa ku është raportuar dëmtimi më i ri i këtij rrjeti ujor, rreth një vit pas shpërthimit të fundit në këtë kanal. Policia e Kosovës ka njoftuar se persona të panjohur kanë përdorur mjete të forta për të dëmtuar një segment të kanalit në komunën e Zubin Potokut.

    Sipas raportit 24-orësh, incidenti dyshohet të ketë ndodhur ndërmjet datave 22 dhe 25 nëntor 2025. Autoritetet kanë konstatuar se dëmtimi është shkaktuar në pjesën e bajpasit, ku mbulesa e kaltër plastike — e cila shërben për izolim dhe mbrojtje të kanalit — është shqyer dhe dëmtuar dukshëm. Rasti është iniciuar si asgjësim apo dëmtim i pronës.

    Ky zhvillim vjen rreth një vit pas sulmit të 29 nëntorit 2024, i cilësuar nga institucionet shtetërore si akt terrorist, kur një shpërthim dëmtoi rëndë strukturën e kanalit në fshatin Varage.

    Policia ka nisur hetimet dhe po punon për identifikimin e personave përgjegjës, ndërsa dëmtimi i një infrastrukture të tillë strategjike ka ngritur sërish shqetësime për sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me ujë në rajon.

  • Doktori që u kujdes për babain e Thaçit i bashkohet PDK-së

    Doktori që u kujdes për babain e Thaçit i bashkohet PDK-së

    Doktori Adriatik Berisha që u kujdes për babain e Hashim Thaçit në spital, i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

    Kështu ka njoftuar kryetari i PDK-së, Bedri Hamza.

    “Ekipit tonë iu bashkua një profesionist i jashtëzakonshëm: hematologu i njohur, Dr. Adriatik Berisha. Përveç ekspertizës së tij, ai ka treguar gjithmonë përkushtim, humanizëm dhe vlera të forta atdhetare. Kosova ka nevojë për profesionistë dhe PDK është shtëpia e tyre. Mirë se erdhe në familjen tonë politike, Dr. Adriatik!”, shkruan Hamza.

    Berisha shoqëroi në spital edhe ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili erdhi nga Haga për të vizituar babanë e tij, i cili ndodhej i shtruar në QKUK.

  • Shpërthen skandali në SHBA, i afërti i Trumpit këshillonte rusët për marrëveshjen me Ukrainën

    Shpërthen skandali në SHBA, i afërti i Trumpit këshillonte rusët për marrëveshjen me Ukrainën

    Presidenti amerikan Donald Trump i ka dalë në mbrojtje Steve Witkoff, kryenegociatorit amerikan që është në epiqendër të një skandali të madh kur u zbulua se në fshehtësi po këshillonte Kremlinin se si të bënte marrëveshje me Ukrainën.

    Revista e njohur “Bloomberg” ka publikuar transkriptin e një thirrje telefonike mes Witkoff dhe këshilltarit rus për politik të jashtme, Yuri Ushakov.

    Sipas thirrjes së dytë telefonike, Witkoff dhe Ushakov bisedojnë se si të bindet Shtëpia e Bardhë që të përkrah kushtet ideale të Moskës për fundin e luftës në Ukrainë.

    Witkoff e realizoi thirrjen telefonike në Rusi më 14 tetor në kohën kur Shtëpia e Bardhë ishte plot optimizëm pas marrëveshjes për fundin e luftës në Gaza.

    “Dëgjo. Do të të them diçka. Mendoj se mund t’i japim fund çështjes mes Rusisë dhe Ukrainës, të gjithë do të kërcejnë nga gëzimi”, i thotë Witkoff këshilltarit rus.

    Gjatë telefonatës, Witkoff e këshillon Ushakovin që të ndihmojnë në realizimin e thirrjes telefonike mes Trumpit dhe presidentit rus Vladimir Putin. Gjithashtu e udhëzon se si të fitojë mendjen e liderit amerikan.

    “Unë do të telefonoja dhe ju menjëherë urojeni presidentin për marrëveshjen në Gaza, se ju e përkrahni dhe se e respektoni si njeri të paqes dhe se jeni shumë krenar që ka ndodhur marrëveshja”, i thotë kryenegociatori amerikan.

    Ushakov ndërhyn dhe pajtohet menjëherë me këshillat e amerikanit.

    “Ok, ok, miku im. Mendoj se kjo çështje mund të diskutohet mes liderëve. O Steve, pajtohem me ty që ta urojë atë. Ai do të thotë se zotëri Trump është njeri i vërtetë i paqes e kështu me radhë. Këtë do të thotë”, ia kthen Ushakov.

    Përfaqësuesi amerikan shton: “Sepse, më lejo të tregoj se çfarë i thash presidentit. I thash se ju, Federata Ruse gjithmonë ka dëshiruar marrëveshjen e paqes. Ky është besimi im. I thash presidentit se këtë e besoj. Unë besoj se çështja është se dy shtetet tona kanë kaluar kohë të vështirë për kompromis dhe kur e bëjmë, ne do të kemi marrëveshje të paqes”.

    Kryenegociatori amerikan i thotë këshilltarit të jashtëm rus se marrëveshja do të kishte 20 e diçka pika. Ashtu si në Gaza.

    Witkoff vazhdimisht ka nxitur pakënaqësi te Ukraina dhe aleatët evropianë, duke promovuar Kremlinin pas takimeve që pati në Moskë, përfshirë edhe me Putinin.

  • Kush janë dy personat e akuzuar për terrorizëm që i bënë rezistencë policisë për 12 orë

    Kush janë dy personat e akuzuar për terrorizëm që i bënë rezistencë policisë për 12 orë

    Julian Cumrraku dhe Erzen Uka, janë dy personat që qëndruan për 12 orë të ngujuar në banesë.

    Policia ka publikuar pamje nga aksioni 12 orësh, që u përball me rezistencë të dy personave të dyshuar për kryerjen e veprimeve terroriste.

    Blutë kanë reaguar rreth operacionit “Oroshi”, që u mbyll me vetëdorëzimin e Julian Cumrraku dhe Arben Uka.

    Pas 12 orësh në rrethim, pamundësisë për t’u larguar dhe negociatave me të afërmit e tyre, ata vendosën të dorëzohen.

    Në banesë iu gjetën 5 armë zjarri, municion luftarak, granata dore difensive, kapsolla detonatore dhe fitil zjarrpërcjellës, përfshirë flamurin e ISIS.

    “Më datë 24.11.2025, rreth orës 09:00, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pukë, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Orosh, Fushë-Arrëz, kanë konstatuar një person i cili, sapo ka parë shërbimet e Policisë, është larguar me shpejtësi duke u futur në një banesë të braktisur, pronë e shtetasit P. C.

    Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje që të dilte nga banesa, por personi nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka kërcënuar punonjësit e Policisë, përcjell Periskopi.

    Ndodhur në këtë situatë, bazuar edhe në informacionet e siguruara më parë për rrezikshmërinë e këtij personi, shërbimet e Policisë rrethuan banesën dhe kërkuan ndërhyrjen e forcave policore të specializuara, me qëllim sigurinë e jetës së punonjësve të Policisë.

    Në vendngjarje shkuan Forcat Speciale Renea, të cilat morën në kontroll perimetrin e jashtëm të banesës që mbahej nga forcat e Komisariatit të Policisë Pukë dhe forcat “Shqiponja” të DVP Shkodër.

    Në momentin që Forcat Speciale Renea i kanë bërë thirrje personit të dalë nga banesa, nga brenda banesës është qëlluar me armë zjarri në drejtim të forcave speciale Renea.

    Pas 12 orësh në rrethim, ku Forcat Speciale Renea u bënë thirrje të vazhdueshme për t’u dorëzuar, pamundësisë për t’u larguar nga rrethimi dhe pas negociatave me të afërmit e tyre të cilët luajtën një rol të rëndësishëm në finalizimin e operacionit pa përdorur forcë dhe pa shkaktuar dëmtime, të dy personat që ndodheshin në brendësi të banesës u dorëzuan.

    Në momentin e vetëdorëzimit, shtetasi E. U. kishte një dëmtim tejshpues në kofshën e djathtë, i cili menjëherë është transportuar me ambulancë për në Spitalin Rajonal Shkodër dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

    Gjatë kontrollit të banesës janë sekuestruar, në cilësinë e provave materiale, 4 armë zjarri automatike dhe një armë zjarri pistoletë, një flamur i Organizatës Terroriste “Shteti Islamik” (ISIS), i vendosur në faqen e murit ndërmjet armëve të lartpërmendura, 17 copë granata dore difensive, municion luftarak, kapsolla detonatore elektrike për shpërthimin e lëndëve eksplozive, fitil zjarrpërcjellës që përdoret për shpërthimin e lëndëve plasëse, dy gëzhoja.

    Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

    E. U., 35 vjeç, lindur në Gjorm-Kurbin, i dënuar për veprën penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”.

    J. C., 34 vjeç, lindur në Pukë, i dënuar për veprat penale “Vjedhje” dhe “Kanosje””, thuhet në reagimin e plotë të policisë.

    Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Nxitja, thirrja publike dhe propaganda për kryerjen e veprave me qëllime terroriste”, “Prodhimi i armëve luftarake”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”./tch

  • Merz: Putin duhet të pranojë se nuk mund të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë

    Merz: Putin duhet të pranojë se nuk mund të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë

    Kancelari gjerman, Friedrich Merz, ka deklaruar të mërkurën se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të pranojë se nuk ka mundësi të largohet me sukses nga lufta në Ukrainë.

    “Ne duam që kjo luftë të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka thënë Merz në Bundestag.

    Ai ka theksuar se një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk mund të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme.

    “Por një marrëveshje e negociuar midis fuqive të mëdha pa pëlqimin e Ukrainës dhe pa pëlqimin e evropianëve nuk do të jetë baza për një paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në Ukrainë”, ka shtuar ai.

    Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar të martën se ishte gati të diskutonte një kornizë të mbështetur nga SHBA-ja për t’i dhënë fund luftës me Rusinë dhe të trajtonte pikat e diskutueshme me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke theksuar se bisedimet duhet të përfshijnë edhe aleatët evropianë.

    “Vendimet për çështjet evropiane mund të merren vetëm me pëlqim të ndërsjellë. Ukraina nuk është një gur shahu, por një aktor sovran për interesat dhe vlerat e veta”, ka deklaruar Merz.

    Kancelari ka shtuar se Gjermania do të vazhdojë të mbështesë popullin ukrainas dhe do të përdorë asetet e ngrira ruse për këtë qëllim. Ai ka bërë të ditur se ndihma financiare e Gjermanisë për Ukrainën do të rritet në 11.5 miliardë euro në buxhetin e vitit 2026, nga 8.5 miliardë euro që ishin planifikuar më parë.

  • Raportimet se do t’i bashkohet LDK-së, Agon Maliqi: S’e kam në plan, kam angazhime të tjera

    Raportimet se do t’i bashkohet LDK-së, Agon Maliqi: S’e kam në plan, kam angazhime të tjera

    Analisti politik, Agon Maliqi, ka demantuar raportimet e mediave të cilat kanë aluduar për një kalim të mundshëm të tij në Lidhjen Demokratike të Kosovës.

    Maliqi ka thënë se nuk e ka në plan që të futet në politikë dhe se ka angazhime të tjera në të cilat ndihet i përmbushur.

    “Angazhimi im publik dhe bindjet e mia politike gjithmonë kanë qenë transparente, shpesh ndoshta më shumë se sa që duhet. Prandaj si përgjigje ndaj një lajmi të publikuar mbi aderim në parti politike në këto zgjedhje (konkretisht në LDK) them: jo, nuk e kam në plan”, ka shkruar Maliqi.

  • LDK mban konferencë për media pasditen e sotme, s’dihet arsyeja

    LDK mban konferencë për media pasditen e sotme, s’dihet arsyeja

    Lidhja Demokratike e Kosovës, do të mbajë konferencë për media pasdite.

    Më saktësisht, konferenca e LDK’së është paraparë të nis nga ora 14:00, dhe se e njëjta do të zhvillohet në selinë qendrore të kësaj partie.

    Arsyet e konferencës s’janë bërë të ditura.